• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJI GJAMË DËSHPRIMI

May 17, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

2-at-Fishta16 Prill 1914, natën pa hanë, Mali i Zi sulmon Hotin e Grudën, tue djegë, plaçkitë e tue krye gjithfarë përdhunimesh. Zana e idhtë e Poetit shpërthen atëherë furishëm kundër anmikut jetik e kundër Evropës së padrejtë. Asht nji ndër ma të fuqishmet lirika t’ At Fishtës kunder politikës shoveniste ruse të Moskovit qi çon peshë klysht e sajë, me pushtue e me shue Shqypninë. Poeti zbulon politikat pansllaviste kundër Shqipnisë. Komentoi At Viktor Volaj O.F.M. 1941.

  1. Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk nuk ka;

Nuk ka ma burra, qi me drrasë t’ krahnorit

Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá

Mbas sodit s’ ka pse dron mâ prej Malcorit:

Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,

Pa Atme sod ka mbetë, pa plang, pa shpi!

  1.         N’ shpi t’ tij, po, djepat asht tu’ i lkundun shkina;

Arën e tij asht shkjau tu’ e lavrue,

E ushtari i Malit t’ Zi ‘dhè, kualt stervina

Per ata Kryqa t’ bekuem i ka pengue,

Nen t’ cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé

Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.

  1.          O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,

Natë e mnershme, si nata e fundit t’ ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,

Qi, strukë nen t’ zezen mblojë trathtare t’ territ,

Burrat e dheut do t’  xêtê n’ gjumë pështetun,

Porsi n’ strofull ulani xêhêt fjetun?!…

  1. E ju, ‘dhè hyj t’ shkelqyeshem, qi pre’ Empirit  

Përmallshem tue fërfllue me dritë t’ kullueme,

Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ nirit,

Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’ shemtueme

E kini pa tu’ ndodhë n’ mjedis t’ njerzimit,

E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?…

  1.         Po a kjo asht e Drejta, qi n’ ketë shekull fiset

           E popujt rregullon e i mban ndër caqe?

Anmikut t’ njimijë vjetve me i lshue viset

Sa herë t’ perligjuna me luftë e gjaqe….

Mallkue kjoftë hera, n’ t’ cillen shkjau pik’ s’ parit

Vuni kambën dhunuese m’ tokë t’ Shqyptarit,

  1. E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,

E e shoftë me fise, popuj e qytete;

Edhè premtoftë qi, dersa t’ endet moti,

Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;

Selit e saja grimë me grimë u theshin;

Me gjak t’ popujvet t’ vet sunduest iu ushqeshin.

  1.         Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye

E prej Lirijet me ia ndalun hovin?

Gopsija e kùj n’ Malci ka mujtë m’ u ushqye?

Po a Hoti e Gruda mund t’ a mbajn Moskovin?

Nuk duhet, jo, qi t’ mkambet Shqyptarija:

Qé pse po i lshohet Malit t’ Zi Malcija.

  1.               O gjak i atyne burrave fatosa,

Qi per Liri t’ Malcis kullove rrkajë,

Vlo, vlo, ti sod qi maleve u erdh sosa,

E para fronit t’ Perendis me vajë

Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,

T’ cillët kombin t’ onë po duen me e pa t’ sharruem!

  1. Me parsme t’ona n’ ata t’ hershmet mota

Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’ asht tuta,

Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota

Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’ buta

U dridhte nji Sulltan, qi njaso here

Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.

  1.       Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,

Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume

Tartarit, e pre’ Evropet larg rrezikun

Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume

Por kurr Evropa n’ ndihmë nji ushtar s’ na nisi;

Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ ujdisi.

  1.       E kur per pesqind vjet na nder veriga  

Ngelem t’ robnis, nen themer t’ huej tue kja,

E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’ liga

Na reshte anmiku, tue na nzitë pa da,

N’ harresë Evropa edhe m’ atëherë na qiti

E doren kurr ajo n’ kob t’onë s’ na njiti.

  1.       Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,

Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,

E t’ miren nieri kurr s’ t’ a ka permendun,

Sa t’ keqen punë me t’ cillen t’a keshë fye;

Si edhè ma t ’shumen, miq s’ gjen nieri i shkretë,

Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ ketë jetë.

  1.       Veç sod pse Evropa, sod qi asht t’ gjith uzdaja

Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’ vetveti,

Pse sod Evropa, – do Mbretni të Mdhaja –

Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,

E m’ vende t’ ona duen qi shkjau të shklasë

E fisi i Shqypëtarit n’ dhé t’ humbasë?

  1.       O Zot i lum, qi vetem n’ dorë Ti i kè

Shartet e popujve e mbretnive t’ tana,

E gja pa hiri kurr Ty s’ t’ ndodhë mbi dhé,

As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,

Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,

Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.

_____________________________________________________________

1-Shenim nga At Viktor Volaj O.F.M.: 1941. Poeti zbulon haptë politikat pansllaviste kundër Shqipnisë. Tue u bazue ç’prej fakteve historike të luftave të Skanderbeut, asnjëherë Evropa nuk ka mbajë asnjë premtim në lidhje me Shqypninë.

14.O Zot i lum….Kjo lutje shpërthen krejt e natyrshme prej zemrës së Poetit.

Kundër dhunës e padrejtësisë së bame Shqypnisë thërret Hyjin Gjyqtar, qi të gjykojë mjerimet e kombit.

2- Shenim nga F.Radovani:KUR AT GJERGJ FISHTA MORI VESHT SE LULZIM BASHA KA THANË QË:“FAJIN E KANË KATOLIKËT E VERIUT”… KA LËSHUE…..Thanjen e L. Bashës një Mik i imi e ka percaktue me këto fjalë: “E pafalshme dhe shumë e poshter, antikombëtare.”

Melbourne, 16 Maji 2017.

Filed Under: Komente Tagged With: Ate Gjergj Fishta, Fritz radovani, Nji Gjame deshprimi

HISTORI- LUKË KAÇAJ GUXOI ME I RA LAHUTËS

May 14, 2017 by dgreca

*Me 28 Nandor 1958, ishte në “Balshoj Teater” të Moskës dhe ka interpretue Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes” i Rosinit/

*1966 emrohet pedagog i kantos në Institutin e Larltë të Arteve dhe jep kontributin e tij me vlerë në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve./

*1966…Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena!/

*Me 28 Maji 1973…sigurimi i shtetit do ti vinte hekurat në prani të studenteve dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura/

Nga Fritz RADOVANI/Australi/1 Luk_Kacaj

Ne Foto: UKË KAÇAJ (1924 – 2001)/Nder Bjeshkët tona sejcili lis ka një emen! E per me e gjetë atë lis ndalou tek Shenjat e pushimit, ku mendja per pak minuta shetitë tek rrugat e thepisuna mjedis shkamijve…

Kalldramet e tyne të bajnë me hupë nder mendime e me kerkue me mend se, kush ishin të Parët e atyne Fiseve që, me “daltat e veta” lane gjurmët e qytetnimit të hershem!

Pa u kuptue aspak dikund hapet një grykë e veç, kur fillon me ndigjue perzi me kangë bylbylash fyellin e një çobani që të ban me harrue ku je! Brez mbas brezi këndojnë ata!

E ka disa shekuj që kanga e Tyne nuk njeh mort! Notat muzikore fluturojnë me gjethët e ahut e të lisave nalt në ajër, veç kur i gjenë të ruejtuna nder arkat e stajanicave plaka…

Kur oxhakut asaj kullë i shtohet një djalë, kanga aty nuk ka ma fund!

Ashtu pat ngja edhe në vitin 1924, me24 Shkurt, në Bajzë të Kastratit në Malsi të Madhe, kur u le Lukë Kaçaj. Luka porsa mori mend ju kushtue Urdhnit Fretenve të Vegjel, dhe shkoi me vazhdue shkollen e Tyne në Gjuhadol të Shkodres, ku spikati zani i Tij…

Ishte i pari At Martin Gjoka që dalloi talentin e rij dhe i tregoi rrugen e artistit të madh.

Ishte në Liceun “Illyricum” Luka, kur Mjeshtri i Madh i muzikës At Martini i vuni në ballë djaloshit Bajzës së Alpeve shenjën e perjetshme, të cilin Luka e mori me vete.

Gjejmë të shkrueme nga nxanësi i Tij muzikant Loro Sata se: “Ata vite Ai i kujtonte si kohen ma të bukur të jetës së Tij!” Kujdesi per Luken nuk mungoi asnjëherë.

Mbas vdekjes së papritun të At Martinit, punen me Luken e vazhdoi At Filip Mazrreku, i cili e mësoi me luejtë në armonio, organo dhe vjolinë, vegla të cilat ndodheshin edhe këto në Kuvendin Françeskan të Shkodres, ku Luka vazhdoi studimet deri në 1946.

Ishte viti 1996, kur e kam takue Luken në shtëpinë e At Konrrad Gjolaj, në Shkoder…

Me hapjen e temes nga At Gjolaj, Luka tregoi sesi kur po permbytej Shqipnia nga komunizmi, në vitin 1946: “At Mati Prennushi thrret në Kuvend të Gjuhadolit baben e Lukës dhe i thotë: Koha sa vjen e bahet ma e rrezikshme per xhakoj ashtu si per ne, prandej, merre Luken në shtëpi, sikur ai nuk do me ndejë ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu i ynë të mbyllet nga komunistët dhe të mos hapet ma…Kjo këshillë e At Matisë dhanë babës sim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në 1946… Gjithmonë e kam kujtue At Matinë me mirnjohje… ” (Dëshmi gojore e të Ndjerit Lukë Kaçaj, Shkoder 1996).

Luka niset per Tiranë porsa hapet Liceu Artistik. Komisioni i pranimit mbetë i habitun nga pergatitja kulturore e muzikore e Lukës. Pranohet në 1947 në orkestren e Radio Tiranës, por mbas dy muejsh pushohet nga puna si “ish nxanës i françeskanëve”, dhe shkon hamall në një magazinë në Yzberish. E ndihmon kompozitori Kristo Kona, aso kohe deputet, tue e angazhue me korin e Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht, latinisht, greqisht dhe në mënyrë të persosun gjuhen amtare, tue i vue në perdorim të vazhdueshem me leteratyren botnore dhe kryeveprat e saja ma të njohuna, si pasojë e studimeve fillestare, në vitin 1951 i hapë rrugen per studime jashta shteti në Moskë, në konservatorin “P.I.Çajkovski” në B.S., me një grup muzikantësh shqiptarë.

Luka paraqitet në konkurs dhe porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i Konservatorit u çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)”…E nuk do të vonojë kur Shaporin deklaron: “Ky bas asht një Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten, frengjishten dhe gjermanishten. Në një turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja.

Me 28 Nandor 1958, ishte në “Balshoj Teater” të Moskës dhe ka interpretue Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes” i Rosinit, ku populli moskovit e pershëndeti “tue e krahasue të një niveli me interpretimin e Shaljapinit, po në atë skenë”. Nga B.S. u kthye dhe bani disa turne në disa shtete ku, edhe ju kerkue “qendrimi atje”… Luka nuk pranoi si para Tij i madhi Loro Boriçi. Dashunia per Shqipni nuk i lente asnjë shteg largimi.

1966 emnohet pedagog i kantos në Institutin e Naltë të Arteve dhe jep kontributin e tij me vlerë në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve. Po, nuk shkon gjatë…

1966…Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena!

“Mos vallë… ky asht fundi im…!?” Një pyetje që Ju ngul në kokë Lukës…

Parandjente até që do të ngjiste me 28 Maji 1973…kur sigurimi i shtetit do ti vinte hekrat në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura, me etiketen e njohun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i tij…” Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per djalin e pafajshem të vetin, por denimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue me 5 vjet heqje lirie…

REVOLUCIONI KULTURAL BURGOSI EDHE ARTISTIN LUKË KAÇAJ…

Luka ishte “armik i popullit” se kishte recitue vargjet e At Gjergj Fishtes, mësuesit të vet, dhe nuk kishte “harrue endè” me i ra në gjuhen e Tij “Lahutës së Malësisë”, të cilen e adhuroi deri në vdekje. Vargjet e Saja rrethonin zemren e madhe të Lukës!

Nuk munguen dishmitarët e angazhuem nga Ramiz Alia, si muzikanti Avni Mula etj… Dosjet e artistëve ndoshta, do t’ ishin ma befasueset se as nuk merret me mend kush të bante gjamen per gjithë jeten, tue vazhdue pasojat edhe sot mbas 27 vjetësh…

Ana, zonja e Tij e nderueme nuk mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.

Luka u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978, per të vazhdue dënimin e Tij në burgun e “madh” me të gjithë Popullin Shqiptar. Artisti i Madh ishte pa punë. Dyert ishin të mbylluna! Një ditë një shef kuadri “zemermirë” i ofroi punë: “Kemi punë edhe per ty, vetem hamall…” Luka tregonte: “Vetem në ngarkim shkarkim të makinave, të karrocave mund të fitojshe buken per vete dhe per Anen…Lodhja fizike po, por ajo shpirtnore më dermonte shpirt e zemer!” Vazhdoi disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë… Në vitin 1988, e bukra Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun” per me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në Botë, me sy të ngulun tek Luka!

Gjendja shndetsore e Lukës ishte e veshtirë me u kuptue. Burri i madh e mbante veten!

 

7 SHTATOR 2001, Luka nuk këndoi kurrma!

Komunizmi kerkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat botnore që e dishruen praninë e Tij.

Luka me të vertetë që interpretonte rolin e Gjinit tek opera “Mrika” e Prenkë Jakovës, tue i dhanë edhe vlerat e veta të malësorit të Veriut, po rolet që luente Luka ishin pjesë nga jeta e Tij. Në kjoftë se arti botnor krenohet me artistët e Mëdhej Xhino Beki, Nikola Rosilomeno, Kolja Giaurov, Boris Kristov, Fjodor Shaljapin, edhe arti Shqiptar “një ditë” ka me rreshtue me ata kolosë, një shkamb të daltuem me kulturen Shqiptare Europjane, që ra e u ba ortek nga majet e Atyne Maleve e, që na i thrrasim Bjeshkët e Nêmuna…

Sot nga luginat e Atyne Maleve vazhdojnë me burue prroje me ujna të kthjellta…

Ne njohem një brilant të muzikës Shqiptare që rrokollisen Ata burime…

Po, Lukë Kaçaj, vështirë se i vjen ma Atyne Alpeve Kreshnike… E Shqipnisë Europjane!

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, HISTORI- LUKË KAÇAJ GUXOI, ME I RA LAHUTËS

PO AT GJERGJ FISHTA, SHKA THA ?!

May 13, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

2 at Fishta

SURGITE,  MORTUI  !/

(ÇOHI, TË  DEKUN !)
Vëndimet e padrejta t’Europës kundër tokave të Shqypnisë mbushin me mëni dhe egërsojnë zemrën e Poetit.  Në furi të këtij idhnimi u siellet Shqyptarvet e u ep lajmin, tue brigue rrebtas plogështinë e tyne, e i grishë të rrokin armët, tue iu drejtue sidomos disa drejtuesve ma në shenj.

Kjo kangë shquhet përveç tjerash për sulm e fuqi dhe zbulon nji ndër vetitë qi ka Zana e Poetit.

Këta rreshta koment u bane nga kritiku i At Fishtës, letrari i njohun At Viktor Volaj O.F.M. në vitin 1941.

  1.    Shqyptarë, a ndiet ? Europa, mrrutë e ndyt,

Shkerdhye me Evrej t’ Parisit e t’ Londonit,

( Se cillës dreqi ia plasi të dy syt

E marren ma s’ e sheh, njitash n’ e s’ vonit)

E bani gjyq, qi t’ nipat e Kastriotit

Shkjevet t’ Balkanit urë t’u rrijn mbas sotit.

  1.        Po; per Shqyptarë pleqnue e ka Europa,

Qi shi njatyne urë t’u rrijn per dhé,

Të cillët Kishat rrënue ua kanë me topa

E n’ djep foshnjet e njoma ua kàn pré:

Qi t’ ndertat vasha u kanë koritë përdhuni

E rrugash bamë i kanë me dekun ûni.

  1.          E mbas sotit Shqyptarët n’ gjuhë t’ huej do t’ flasin;

E gjaksvet t’ vet do t’ bajn kta t’u ngjatët jeta?

Hajnat lapera zotëni do t’ thrrasin,

E t’ pa rodit do t’ i apin pagë e t’ dheta;

Me armë shqyptare, n’ za gjithmonë e n’ namë,

Sogje Shqyptari shkjaut do t’ rrijë sod  m’ kamë.

  1.         Ah vaj! Ah kob! A ka ma zi n’ ketë jetë?

A ka si i bahet kuj ma teper dhún?…

Ehu! Shka do t’ bajn, thue, tash Shqyptarët e shkretë:

Ata, qi m’ vedi pasë e kanë kanun:

Ata, qi n’ dej kanë gjak të Skanderbeut:

Qi sheklli mbajtë i ka per burra t’ dheut? –

  1. Shka bajn Shqyptarët?… Hán’ fiq e kastraveca:         

E pijn mastikë, e qesin petlla n’ ujë;

E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;

E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej

Palè a kanë ksulen qyp a se kapelë,

A e ka uficiali kalin at’ a pélë.

  1.         E armët e t’ Parvet shkojn kta tue kerkue,

Ndo ‘i karajfile t’ gjatë, a ndo ‘i tagan: –  

Por, jo, – mos drueni! – jo per me luftue

Me malazez të shkyem a me serbjan:

Por per me mujtë me xjerrun kund ndo ‘i grosh

Tue rrêjtë me to ndonji hingliz balosh.

  1.         Jo, po; Shqyptarët kanë sot të madh kujdes…

Njata, po thom, qi ndo‘i mirás e presin,

E druen se êmta a gjyshi vrik s’ u des:

Pse per Shqypni, qi krajlat po ua shesin,

S’ çajn kryet aspak, me sa çaj kryet un sot

Per shkarpa t’ vjetra, qi kam shkye kahmot.

  1. Ahi! Turp e marre! Burra, lé e rritun

Me armë mizore n’ dorë, e qi fatosa

T’ Parët i kanë pasë, me ndejë kshtu sod t’ topitun

Si t’ dekunt n’ vorre, sod qi i mbrrika sosa

Së mjeres moj Shqypni edhe Shqyptarvet,

E u shueka Atdheu e u shueka ndera e t’ Parvet!

  1.         Ktu, ktu Shqyptarë!… A ndiet?… Ku u kam… Ku jéni?…

Mo’ lêni, burra!… M’ armë!… Mbaroi Kosova!…

Janina humbi!…e ndoshta, Tepeleni…

Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova!…

Vendet ma t’ mirat né na i mori shkjau,

E, shk’ asht ma zi, né vlla me vlla na dau!

  1. Ah! M’ kambë, brè burra! Shka jini mshehun

Nder furka t’ gravet, si do rrole t’ kqija?…

Sod armët duen rrokë; taganat sod duen prehun;

Asht turp, per Zotin! Shurdhë me hupë Shqypnija.

Mo’ lêni, burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!

A gjallë me ndérë, a dekun grue e trim!

  1. Ku jé, Bibdoda, ti nji rrfé prej qielle?…

Jé derës bujare, e trim i drejtë ti jé!

Flamurin e Shqypnis, sod n’ ajr ti shtielle;

E grishi malet me qindrue p’r Atdhé.

Ku themra e jote per Atdhé të shklase,

Atje kryet t’onë, po, per Atdhé t’ humbase!

  1. Mo’lé’Toptan, qi me shpatë t’ande binde

Nji shekull mbarë m ’at maje Taraboshi!

Prap shpaten njesh, e priju prap ti gjind’e,

– Ndejun n’voter s’ prarohet jo kondoshi…

Mblidh Toskë e Lapë, e sod per Shqyptari

Qindro, s ‘i herë qindrove me trimni.

  1. M’ kambë Dedë Gjo’ Luli! Thonë se ‘i  t’ biri t’ shkinës

Lekët e Malcis sod t’ dhetat do t’ ia lajn

Se edhe do t’ vêjn kapicen e Cetinës:

A i mend, thue, ti, kaq marre do t’ a bâjn;

Ata sokolat t’u Lekët e Malcis,

Qi aq gjak kanë derdhun per Liri t’ Shqypnis?

  1. Jo kurr! Jo kurr! Por mbi Deçiq ti xiri

Shka asht i Lekë, e thueju, se Shqypnija,

Aty kufin e ka, per ball me Viri,

E ké me pá ti atëherë, se rrokullija

Me u çue m’ e zhgulë andej, nuk mund t’ a hjekun;

Pse per Shqypni Malcorët janë msue me dekun.

  1. Ah! M’ kambë, Shqyptarë! E mos t’ u lshojë, jo, zemra,

Pse Perendija s’ ka me u lanë me u thye.

T’ u bijë nder mend, se fort ma e randë asht themra

E shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’ krye.

Urra! Po, djelm! Shqyptar kushdo ka lé,

N’ mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’ hijë n’ dhé!

  1. E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mni,

Qi flije t’ bahet ndo ‘i Shqyptar m’ therore,

Qé, mue tek m’ kini, merrni e m’ bani fli

Per Shqyptari, me shue çdo mni mizore. –

Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë

E nami i sajë per jetë u trashigoftë!

  1. Po: Rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’ Dri

E porsi krandja e that n’ nji flakadâ,

U shoftë me arë, me farë me mal me vrri

Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me zâ,

Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me uzdajë

Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i Saj!

Shenime nga At Viktor Volaj: Strofa 5. Shka bajn Shqyptarët?… Nuk duht harrue se Fishta asht Poeti kombtar i fisit në kuptimin ma të haptë të fjalës, asht Poeti qi mërrijti në sferën ma të naltë të artit thjeshtë shqyptar, tue këndue trimninë e fisnikinë e kombit, por njiheri edhe tue përdorë vishkullen djegëse kundër nji frote të vdekun në shpirt ase të shitun të huejve.

Strofa 12.Toptan: Esad Toptani. Dashunija ndaj Atdheut e rreziku qi i kërcnohet e bajnë Poetin e ndërgjegjes kombtare me harrue çdo ngatrresë e trathti të këtij njeriut dinak e ambicjoz, mbi të cillin historija e Rilindjes s’onë kombtare do t’endë fletë të zeza. Taraboshi: mal në anën  Prendimore të Shkodres, ku u zhvilluen luftime të rrebta, gjatë shtatë muejve të rrethimit të Shkodres. Prijës i ushtrisë shqiptare kjé Esad Pasha e Komandant i Pergjithshem Hasan Riza Pasha, i cili mbasi mori vesht vendimin e Londres, mendoi me e shpetue Shkodren, tue ngritë Flamurin e Shqypnisë, por Esadi, qi kishte nji lidhje të mëshehtë me Malin e Zi, shtini dhe e vrau tradhtisht (30 Kallnor 1913). Me 23 Prill 1913 i dorëzoi Shkodren Malit të Zi.

 

Shenim(F.Radovani): Kur po udhtonte me vaporr me shkue n’Itali për studime Prof.GaspërUgashi, në vitin 1935, ishte në nji kabinë me At Fishtën, mësuesin e vet në Shkollën Françeskane. Gjatë bisedës për këte poezi Prof. Gaspri e kishte pyet se, mos asht pak e randë fjala qi i ké vue Europës pranë (shkerdhye)?  

– Fishta i  ishte përgjegjë: “Asht kenë fat i madh qi jam kenë thirrë prej Zotit për Meshtar, se, po mos t’ishe me ketë zhgun veshë, asnji prej poezive të mija nuk do t’ishte e mujtun me u lexue lirëshem për shka më vjen në mend me shkrue për mbrapshtitë e padrejtësitë e Europës perkundrejt Shqypnisë….”.

Melbourne, Maji 2017.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, PO AT GJERGJ FISHTA, SHKA THA ?!

O SELCA FISNIKE E SHQIPNISË KRESHNIKE !

May 8, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 * DOSJA NR. 2199: DON DEDË MALAJ asht lé në Selcë, me 19 Nandor 1917…

*Asht Shugurue Meshtar në Gjenacan të Italisë në vitin 1939. U arrestue me 7 XI 1958.

*U dënue nga Gjykata e Naltë Ushtarake, me grupin e “armiqve” me 27 Prill 1959.

1 Don Dede Malaj*10 MAJI 1959, Don Dedë Malaj në moshën 42 vjeçare u pushkatue buzë liqenit!

■DON DEDË MALAJ asht nder brilantët e Klerit Katolik Shqiptar, i cili me një guxim të panjohun deri në gjyqin e Tij që u zhvillue në Kinema “Republika” të Shkodres, në Prill të vitit 1959, u tregoi të gjithë armiqëve të Maleve tona të Veriut se “Malësori yné per Fé e Atdhé e ban vdekjen si me lé!” Kjo Formulë shekullore e daltueme nder mendjet e zemrat e Atyne Trimave të Alpeve tona, qendronte si një mburoje e hekurt e daltueme kunder të gjithë atyne që nder shekuj punuene me asgjesue Ata Male Kreshnike!

Ardhja e brigadave të Ndjekjes dhe atyne partizane në Veri në 1944, kishte këto parime:

■“Urrejtja si element qendror i luftës sonë! Urrejtja që është i papajtueshme … urrejtja kaq e dhunshme sa që vë në lëvizje një qenie njerëzore përtej kufizimeve të saj natyrore, duke e bërë atë të dhunshme dhe një makinë vrasëse gjakftohtë …

Ne refuzojnë çdo qasje paqësore. Dhuna është e pashmangshme.

Për të krijuar socializmin duhet të rrjedhin lumenj gjaku!

Armiku imperialist duhet të ndjehet si një kafshë që gjuhet kudo që ai shkon.

Kështu ne do ta shkatërrojmë atë! Këto hiena duhen asgjësuar.

Ne duhet të mbajmë urrejtjen tonë gjallë dhe të vazhdueshme!” — Nga fjalimi i Ernesto “Che” Guevarës në Konferencën Trekontinentale në Havana, Kubë, Prill 1966.

■A ka ndonjë ndryshim nga fjalimet e Enver Hoxhës, apo nga komunizmi që predikonte në vitet ’60 PPSh në “Revolucionin Kulturor 1967” terroristi Ramiz Alia ?!

Dhe, ja cili ishte qendrimi i Klerit Katolik Shqiptar perballë këtij komunizmi gjakatarë:

■Foli Burri i Selcës Don Dedë Malaj, bash atëherë kur “disa” thonin se “perballë PPSh dhe shokut Enver, nuk ka pasur asnjëherë kundershtarë të fjalës dhe mendimit të tij”!

“Unë jam anmik i komunizmit që në moshën 9 vjeçare, kur kam shkue nxanës tek Don Alfons Tracki, aty mora vesh këte emen dhe nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma, sëpse jam brumosë me ato ide…”(Dosja 2199 dhe vazhdon…)

“Kam vazhdue me kenë anmik deri ditën e arrestimit, mbas asaj ditë nuk jam ma asgja. Nuk kam pasë si me iu dashtë unë ju, se në ditët e para që keni hy në Velipojë, më keni vra vëllanë!…”

–Ju kërkoni me më pushkatue edhe mue vetëm e vetëm se jam prift katolik!
– Kam pritë me shumë andje një Revolucion si ate të 1956 në Hungari, dhe më ka ardhë keq për disfatën e popullit hungarez të pësueme nga tanket sovjetike…

– Bashkimi Sovjetik ka shfrytzue të gjitha demokracitë popullore të Lindjes, mbasi prej tyne ka marrë të gjitha prodhimet tue përfshi edhe metale e minerale, ndërsa, ai atyne edhe ne na çoi disa hekura të ndryshkuna, që ba me ia hjekë ngjyrën del se çfarë vjetërsinash na çon edhe këtu, tue fillue me traktora, fabrika e kombinate.

– Përsa i përket dyshimeve të mija për Statutin e Kishës, unë i kam dërgue një letër Vatikanit nëpërmjet të Don Ivo Bozhiq në Jugosllavi, po kje se atë letër ai ia ka dhanë UDB – së jugosllave asht puna e tij, unë nuk i kam shkrue atyne, po Vatikanit, Papës në Romë, se dojshe me ditë se kush i ka aprovue ipeshkvijt që po shuguroheshin në Shqipni, për mos me ra në gabim unë vetë.

Kur prokurori e pyet se çfarë i ke thënë fshatarve për hyrjen në kooperativë? Ai tha:
– I kam thanë hyni e mos kundërshtoni! I kam thanë kështu se, e dijshe mirë sësa miljon vetë ka zhdukë Stalini nga ata që i kanë kundërshtue me hy në kolkoze.

– I kam thanë hyni se këta ju qesin fare, se Enver Hoxha nuk ndryshon aspak prej Stalinit, por shifni punën e mos bani za edhe pse nuk ju paguejnë mundin tuej.

– Fshatarit ju nuk i pagueni as një të dhjetën e mundit tij. Ai merr aq pak sa nuk siguron as bukën e fëmijve. Sikur të shpërblehej për djersën e derdhun në punë të kooperativës, ai do të ndërtonte pallate disa katesh e jo kasolla ku jeton sot.

– Ai nuk ha mish kurr vetëm njëherë në vit…edhe nuk di a e ka njëherë në vit!

Prokurori e pyeti nëse ti i ke lejuar për të ngrenë mish edhe ditë premte, pse e bëre këte gjë, përderisa ditën e premte juve ua ndalon feja?

– Sëpse nuk dojshe me i lanë pa hangër mish gjithnjë, mbasi në Shqipni asht përditë e premte,  madje, jo e premte, por e Premtja e Zezë…

■E, Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue me 29 Nandor 1944 dhe, ka me vazhdue derisa të mbarojë komunizmi!.”.(Dosja 2199. Arkivi M.P.M Tiranë).

Sigurisht, nga kushdo që lexon këta pak rreshta asht i kuptueshëm përfundimi!..
Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, me 27 Prill dha vëndimin për Don Dedë Malaj me vdekje me pushkatim…Kur doli nga salla e hypën në rrimorkjo të një kamjoni, sot kujtoj dy sytë e Tij të skuqun, madje të gjakosun, ku nuk dallohej as bebja e synit të kaltërt!
Kishte mbetë vetëm një njëri që interesohej për Té, mbesa e vogël jetime Drandja.
Vetëm Drandja 13 vjeçare do të përpiqej me i shpëtue jetën axhës së vet. Drandën e ndihmuen dy priftën në këte fatkeqsi që ishte, Don Marin Shkurti, ish nxanës i Don Dedës, që në vitin 1969, dhetë vjet mbas Mesuesit të vet u pushkatue edhe Ai, si edhe Don Pjetër Gruda, mik besnik i Don Dedës, që edhe Ky vdiq në burg në vitin 1989, plot 30 vjet mbas Don Dedës, pak muej pa plotsue dënimin…

■At Konrrad Gjolaj në librin “Çinarët” fq. 169, e shpjegon:

“Drandja me ndihmën tyne shkoi në Tiranë me 1 Maji 1959 për me takue Enver Hoxhën. Kje e pamujtun, madje as Haxhi Lleshin, kryetar i Kuvendit Popullor të Shqipnisë.
Mujti me takue sekretarën e tij, Nexhmije Hoxhën, që i takonte me kenë dora vetë.
Drandja e vogël tue e kujtue vetën para një “gjyshës”, ra në kurthën e asaj që populli e ka quejtë “pantera” dhe, vajza jetime me lot përfaqe i kërkoi faljen e jetës së axhës së vet, tue i shpjegue asaj se nuk ka asnjë njeri në këte botë. Nexhmija iu përgjegj: “Pse t’ia falësh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi të interesohesh për te, mëse do e mbash ate?” Drandja, iu përgjegj: “Atë e mban burgu, s’ka gja veç, të jenë i gjallë, aman të lutëm ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!…”
Me 9 Maji 1959 erdhi përgjegja. “Lutja e yte refuzohet”. Kjo asht Nexhmije Hoxha!

■Me siguri një nga dekoratat, Nexhmijes, i asht dhanë per pushkatimin e Don Dedës!

            Melbourne, Maji 2017.

Filed Under: Histori Tagged With: DON DEDË MALAJ, dosje, Fritz radovani, u pushkatua 42 vjec

SULLTAN ENVER EFENDIA SHKATRROI KISHAT KATOLIKE SHQIPTARE

April 26, 2017 by dgreca

PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”

 Nga Fritz Radovani-Melbourne/Australi/

kishaxhamia■Sikur terroristët që kanë dhunue popujt e vendeve të veta me vite të tana të mos kishin lanë edhe “Vepra” të shkrueme, sa shumë krime që kanë krye do t’ishin të pabesueshme!

Enver Hoxha në muejt e parë të vitit 1945 porositë: “Të mos i akordohen fonde Kishave Katolike nga shteti, të cilat kanë nevojë per riparime, mbasi kështu ato do të shemben dhe nuk do të kemi nevojë me i mbyllë ne.” Sigurisht ndikonte edhe gjendja e vështirë ekonomike e Popullit, që mbi 70% nuk kishin të sigurueme as buken e gojës.

■Dishmi e këtij urdhni asht Kisha Monumentale e Shirqit dhe e Obotit, pranë së ciles janë kenë edhe thëmelet e shtypshkronjës së vjeter që u pat ndertue në Obot në 1493.

1967:Para këtij viti në Shkoder ka fillue “Revolucioni Kultural”. Metoda e “shembjes” ka fillue me Kishen e Jezuitëve dhe ate të Murgeshave, që janë marrë nga shteti në nandor 1965, varrezat u prishën edhe pse aty ishte Don Ndre Mjedja, që u dergue pranë Luigj Gurakuqit tek Varrezat e Deshmorëve tek spitali fëmijve, e kur u ndertuen Varrezat e reja Poeti Don Ndre Mjedja, gjoja u “harrue” tek Spitali… Një turp i pashlyeshem!

Veprimet antifetare kryheshin nga Xhemal Dini, i cili perfaqsonte “Frontin Demokratik” dhe, ndimoheshin nga organizatat e rinisë dhe të pionjerit pranë furrave, me pa se kush pergatitet per festat e mëdha të Pashkëve… Veteranët ishin të kudondodhun…

4 MARS 1967: Mbulohen dyert e Kishës Kathedrale në Shkoder me “Fletë Rrufe”!

U plaçkitën veprat e artit dhe skulpturat e Idromenos. Para zhvillimit të Kongresit të BGSh, asht kenë fat që erdhi me pa pergatitjen e Kishës si sallë Kongresi, Vito Kapo. Ajo pezulloi projektin per shembjen e tavanit artistik të Kathedrales, veper arti e skulptorit Kolë Idromeno. Ai tavan asht pothuej i vetmi “dishmitar” i zhvillimit “Revolucionit” në Shkoder, pikrisht, kur Varrezat e Ipeshkvijve të para 1944, jo vetem u boshatisen dhe u tretën Eshtnat në Dri, po nga urrejtja vendet e Varrezave u kthyen në nevojtore…

■Mbyllet Kisha Monumentale e Zojës së Këshillit të Mirë tek Kalaja e Shkodres, treten Eshtnat e Imz. Jakë Serreqit në Dri, e askush nuk di me tregue ku iken veprat e artit që ishin tek Ajo Kishë e vjeter guri e mermeri, e gjuejtun me topa nga turqit e malazezët!

Mbyllet edhe Kisha e Rusit dhe Ajo e Fretenve në Gjuhadol, dhe që pasohet tek Arra e Madhe, tue ua vue drynin perfundimisht me 19 Mars 1967 të gjitha Kishave në Shkoder.

Vorrezat e Fretenve dhe të Kishave tjera u boshatisen dhe u treten Eshtnat.

15, 16, 17 MARS: Bahen lutje të veçanta nga Kleri në Kishën e mbyllun të Zojës Rruzare. Ditën e shtune, me 18 mars, në zyrën e Këshillit të Frontit të Arrës së Madhe, para një komisioni të Frontit, me elementë të partisë dhe të Sigurimit, u thirren gjatë paradites një nga një 20 Fretnit. Kërkohej prej secilit Meshtar t’i bijshin mohit zyres së tyne meshtarake. Asnjë Klerik nuk pranoi. E ndonjeni që u kishte “shërbye” Frontit e pushtetit, u tha: “Ju kemi sherbye per mos me mërrijtë këtu. Këtu nuk jemi me ju!”

Mbasdreke Fretnit i dëbuen të gjithë nga kuvendi, bashkë me françeskanët pleq dhe të mbetun. Kryetarin e Kishës Katolike Imzot Ernest Çoba, me një taksi e çuen në shtëpinë e së motrës. Një popull i madh që as nuk dihet si u mblodh aty e përcillte me lot nder sy Imz. Çoben, shumë i tronditun po, dhe i mbytun në frikë bashkë me Popullin e vet.

19 MARS 1967: Ditën e diele, Dita e Shën Jozefit dhe e Larit, as nuk ndihet asnjë tingull kumbone e as nuk gjindet asnjë Derë Kishe e çilun në qytetin Martir.

26 MARS: Në Lezhë mbyllja e Kishës nga Fronti Demokratik do të kryhej me një organizim të djallzuem, ditën e Pashkëve. Organizata e Frontit dhe Komiteti i Partisë së rrethit, tue pasë sekretar partie, sigurim të shtetit, polici të madhe, organizata të rinisë, nxanës të shkollave, dhe shumë popull me detyrim në oborrin e Kishës së Kuvendit Françeskan shpallën “Kuvendin e tre brezave të Lezhës”, me një vendim në emën të popullit, në 15 pika, “ku kërkojshin mbylljen e të gjitha kishave e qitjen fare të besimit katolik me meshtarë e besimtarë.” Fillojnë aksionet e Rinisë revolucionare me rrëzimin e kumbonares së kishës së lashtë françeskane. Ky veprim pasohet edhe në Laç të Kurbinit, ku Shejtnoria e Shna Ndout kje rrënue krejt dhe zona kthehet kamp ushtarak, që mos të lejojë popullin të shkonte tek vendi i Shejtë për lutje me besim në Mrekullitë e Shenjtit.

1969: Kisha e vogël me vlera artistike në Laç të Vaut të Dejës, vepër e shekullit XIII, Kishë me afreske dhe e shpallun “monument kulture”, Atë Kishë e vizitoi dhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, madje aty edhe u kunorzue. Me urdhën të Ramiz Alisë që drejtonte “Revolucionin kulturor” në Shkoder, Kisha u rrenue plotësisht me dinamit nga sekretari i PPSH hidrocentralit Fadil Ymeri. Anmiku i Gjergj Kastriotit sulltan Enveri, as “nuk kishte dijtë se Ajo Kishë po hidhet në erë…” Çfarë hipokritësh na qeverisin!

Shumë kisha të tjera u shndërruen në salla kulture, salla gjyqi, magazina e në stalla bagëtish. Kishte disa kisha që nuk u rrënuen, por edhe ma keq kje fund i Tyne!

Kishin mbetë pa u mbyllë kisha e fshatit Sheldi, deri pak ditë mbas Pashkëve, Kisha e fshatit Delbinisht. Kjo Kishë u mbyll e fundit, ditën e Rrëshajve të vjetit 1968, për arsye se Populli kishte marrë çilsat e kishës e nuk ia dorëzonte organizatës së frontit e të rinisë. Kur ata dojshin ta shperthejshin me forcë derën e kishës, Populli delte para me lopata…  

29 QERSHOR 1967: U mbyll edhe Kisha e “Zemrës së Krishtit” në Tiranë.

■Kur po ndertohej hidrocentrali i Fierzës Ramiz Alia thrret Ingj. Besnik Bekteshin dhe i shpjegon se “shoku Enver, do të tregojnë arsyet e ndertimit të hidrocentralit aty…”

Ing. Bekteshi hyni në dhomen e Tij dhe Enveri filloi me i tregue per hidrocentralin dhe, arsyet e ndertimit në Fierzë, të cilat vështirë se i beson kush sot. Nder tjera ai i shpjegoi: “Do të ndertojmë këte hidrocentral i cili, nën liqenin e tij ka per të permbytë 38 Kisha të vjetra, dhe vetem kështu, kjo zonë do të spastrohet nga ato Kisha Katolike…” U ndertue nga kinezët prej vitit 1971 dhe u vue në punë në 1978, me emnin “Drita e Partisë”…

■Diktatori Hoxha vazhdon të mbajë dekoratat e titujt, mbasi ata i siguroi me Kushtetutë:

Neni 37 i Kushtetutës së vjetit 1976: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandë ateiste për të rrënjosur tek njerëzit botëkuptimin materialist shkencor.

Neni 55: “Ndalohet krijimi i çfarëdo organizate me karakter fetar. Ndalohet veprimtaria dhe propaganda fetare.” Sabri Godo pat thane: “E kemi ndryshue Kushtetuten, po ato dekorata terroristëve nuk po ua perket askush tash 27 vjet mashtrime demokratike!!”

Vazhdon Pjesa e XV.

Melbourne, Prill 2017.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, KISHAT KATOLIKE SHQIPTARE, SHKATRROI, SULLTAN ENVER EFENDIA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT