Nga Fritz RADOVANI/
Deda i Gjonit Markagjonëve të Mirditës, vulosi Perjetësinë e Derës së Markagjonëve!
Ai provoi me u le, me u perkundë, me u rritë në Deren e Parë të Markagjonëve, po dhe me u torturue, me u burgosë, me u interrnue dhe me u plakë i masakruem në Deren e dytë të Ministrisë së Mbrendshme, por i Pathyeshëm dhe Burrë i Nderuem Hero!..
Ishte 22 vjeç kur u arrestue në nandorin e 1944. Mbas pesë vjetësh lirohet dhe fillon një tragjedi tjeter mbas së parës nder kampet shfarosëse të Derës së dytë të Ferrit komunist.
Izolimi tre vjeçarë që shpjegon kushrini i Tij z. Lekë Pervizi, i sajuem nga kriminelët e terroristët Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, per me detyrue Dedën me u ba agjent i sigurimit të shtetit, dhe loja aq e rrezikëshme se, gjoja asht arratisë po, në të njajten kohë edhe rreziku i përditëshem i jetes nga sigurimi famkeq i shtetit komunist, janë edhe një tjetër provë e pathyeshmenisë së Derës së Nderueme të Gjomarkajve.
Pak Burra prehen të qetë si Gjoni i Markagjonit të Mirditës, me kaq trashigimtarë të cilët për 47 vjetë u vranë, u interrnuen, u masakruen, u varrosën nder gropa të padijtuna dhe, jo vetem, u punue per shfarosjen e Fisit, por edhe per shnderimin e Derës Shekullore…
Trashigimtarët… i ndertuen Babës së vet Lapidarin e Lavdisë dhe Nderit të Mirditës, e këta ishin: Marku, Ndoi, Lleshi, Deda, Nikolli, Dava, Gjela, Marta, Dila e Bardha…
Vetem kush ka pasë fatin me i shterngue dorën miqësisht njenit prej Tyne, mundet me kujtue shka do me thanë “Besa, Burrnia e Bujaria e Derës Markagjonëve të Maleve!”
Malësori gjithmonë asht tregue i matun nder kuvende Burrash, ndersa Mirdita, perveç kujdesit, asht tregue edhe ma e mendshmja nder kuvende dhe vendime të Saja.
Tue dashtë Malësori kohët e fundit, nganjëherë, me u tregue i “shkolluem” perdorë fjalë të dialektit Jugut, kur asht fjala që ndrroi jetë, shkoi n’ Amshim, ka vdekë aksidentalisht, etj… kohët e fundit lexoi: “U shua!”, dhe pikrisht per Dedë Gjomarkaj… Shumë keq!
Dera e Markagjonëve, ka dashtë i Madhi Zot, jo vetem mos me u shue, por me u rritë, me u shtue dhe me vazhdue brez mbas brezi deri në pafundësi… E kështu, si Dera e
Markagjonëve, Kullat e të cilit i dogj dhe i rrafshoi sherbëtori i shovenistëve jugosllavë, kështu, veproi me të gjitha Kullat e Bardha të Maleve të Veriut e deri poshtë në Jug…
Me u shue asht shue Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Kadri Hazbiu, Tuk Jakova e Bedri Spahiu me shokë, që nuk e kanë lanë të paktën një pinjollë si “vajza e Stalinit”, për me kerkue të falun per krimet e shemtueme të baballarëve të vet, tiranë, kriminelë e terroristë të pashpirtë e vrastarë fëmijësh!
E ZOTI, do t’ Ua ndigjojnë lutjen 500 000 Viktimave të tyne: “Këta dalshin faret!”…
Melbourne, 2015
70 VJET NGA VRASJA E AT LEONARD TAGAJ PREJ SLLAVO-KOMUNISTET
Ne Foto: At’Leonard Tagaj O.F M 1910-1945/
Nga Fritz Radovani/
At Leonard Targaj(pagezuar me emrin Zef)asht le me 16 nandor 1910 ne fshatin Ljarje të Dioçezit të Tivarit, Tokë Shqiptare në Malin e Zi, por e lanun nën robninë e sllavokomunistëve të Jugosllavisë së Titos, mbas 29 nandorit 1944 edhe njëherë, mbas largimit forcave ushtarake gjermane nga Shqipnia. Kalimi i Trojeve Shqiptare që ishin të Lira nga viti 1941 edhe njëherë me “marrveshjen” Tito – Enver, nën robninë Jugosllave, nuk më lejon me i konsiderue veprat tradhëtare të komunistëve të Tiranës vepra të tyne, ndonse, qeveria kukull e Tiranës zbatonte urdhnat dhe dëshirat e sllavokomunistëve për shkombtarizimin e Trojeve tona, ma mirë se ata vetë. Këte thanje të timen e verteton ma mirë se gjithshka tradhëtia, robnia dhe shfarosjet e Trojeve tona nga Jugu e deri në skaj të Tivarit, me masakren e njohun të kosovarëve të premë në besë nga vetë shqiptarët.
Qeveria komuniste Jugosllave tashti me aprovimin e Aleatëve, do të fillonte atë veper të andrrueme shekullore të shovenistëve sllavë, me një anadollak antishqiptar i quejtun nga vetë Tito “komandanti i pergjithshëm” Enver Hoxha “Hero i Popujve të Jugosllavisë”.
Jugosllavët i treguen Tiranës tradhëtare se, Gjenocidi fillon me Klerin Katolik Shqiptar!
Edhe vetë ata ashtu e filluen me At Leonard Targai…
At Leonardi filloi studimet në seminarin e Troshanit, pranë Shkodres dhe i perfundoi në Insbruck Austri, në vitin 1936, atëherë kur veshi edhe Zhgunin e Fratit t’ Asizit.
Filloi misionin fetar në Traboin, në Kosovë, Malësi të Madhe dhe në vitin 1945 ishte prap në Famullinë e Traboinit të Burrave të Flamurit të 1911… Në Hotin e dashtun të Tij…
Nga libri i Kolec Pikolinit “Rregjimi i hienave”, botue në Shkoder në 2001, mësojmë disa nga veprat e kryeme jashta kufinit shtetit Shqiptar mbas vitit 1945, me shumë vlerë, mbasi Koleci, në atë liber historik paraqet fakte të pakundershtueshme dhe të sakta.
Aty shpjegohet edhe kjo vrasje makaber e Fratit At Targaj, ku agjenti Prek Gjoni u pat prij forcave jugosllave në disa aksione tradhëtije kunder Atdhetarëve tanë. Jugosllavët me një mjeshtri të vjeter kriminale kanë mërrijtë me gjetë atëherë ashtusi sot, mjaftë vegla tradhëtare për me krye veprat e veta pa e nxjerrë koken e gjarpnit sllavokomunist.
Jugosllavët per këte vrasje ngarkuen komandantin e vet serb Bajo Stankoviq.
Me At Leonardin ata masakruen e pushkatuen edhe Atdhetarin Vasel Mirashi.
Bashkpunimin “vllaznor” të komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë, kunder Atdhetarëve dhe Klerit Katolik Shqiptar, e verteton shumë shpejtë edhe pushkatimi i Imz. Nikollë Nogës (Tusha), i cili u dorzohet malazezëve se kishte ngritë Flamurin e Kastriotit bashkë me Atdhetarin Cafo Beg Ulqini në vitin 1941… E masakrat me vrasje vazhdojnë!
At Konrrad Gjolaj O.F.M. në librin e vet “Çinarët”, botue në Shkoder 1996, fq 89 shkruen per momentin kur po ndigjonin në radio Shkodra, vendimin që gjykata po u jepte të gjithë antarëve të Grupit të Organizatës Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”:
“Atë ditë të zezë kur u dha vendimi, shperthyen prej zemres së At Matisë (Prennushi, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë – Shenimi im), këto fjalë:
“Ah… të lumtë o Serb, se ia dole me i diftue sot botës se, na Shqiptarët, me bisht e pa bisht, jemi me të vërtetë egersina…!” Na heshtëm dhe u shperndamë ndër dhoma…”
Vrasja e At Leonard Targaj me 4 Shkurt 1945, asht masaker tipike sllavokomuniste!
Tito e “dashuronte” PKSh dhe udhëheqjen e saj… Shpesh ai i porosiste me dashamirësi:
“Vëllezër komunistë shqiptarë! Vetëm kështu, siguroni pushtetin tuaj personal!”
Një porosi që vazhdon edhe sot nga viti 1941…
Melbourne, Shkurt 2015.
JANAR 1945 FILLOI GJENOCIDI KOMUNIST KUNDER KLERIT KATOLIK SHQIPTAR
At Gegë LUMAJ (1904 – 1990)/
Nga Fritz RADOVANI/
70 Vjet…/
Eleminimi i forcave politike Atdhetare dhe ndihmesa e madhe e Aleatëve me sterlina, ushqime, armatime dhe veshmbathje e partizanëve “çlirimtarë e vëllezër” shqiptarë e jugosllavë, bijë të Stalinit, të diktatorit ma të madh të të gjithë shekujve, hapë edhe fleten e re të një tragjedije të pashembullt në Historinë e Popullit Shqiptar.
I vetmi shtet në Europë Shqipnia e Gjergj Kastriotit, “harrohet” me dashje dhe lehet nën thundren e robnisë së shovenistëve sllavo komuniste të Titos, me një çoban anadollak të edukuem në parcelat e imoralitetit francez, por injorant, vrasës e katil: Enver Hoxha.
Nga 1943 Shqipnia e Jugut e zhytun në Luften civile vllavrasëse “Nacional – çlirimtare”, fatkeqsisht, kishte humbë nga tradhëtia e komunistëve inteligjencën Atdhetare që ishte formue në Europën Perëndimore, ku një besim i tepruem tek premtimet amerikane dhe anglo – franceze, e drejtuen até në shfarosjen e plotë dhe të pashpresa rilindje.
Zhvillimin e ngjarjeve në Veri, ku forcat gjermane ishin përqendrue per me u largue nga Shqipnia përfundimisht, e shpjegon saktë Atdhetari Kolë Mirakaj, në librin e vet historik “Vetvrasja e një Kombi”, ku, me dokumenta verteton deshtimin e përpjekjeve angleze me krijue po atë vllavrasje, me të cilën bashkë me komunista kishin shpartallue Jugun.
Mungesa e madhe e armatimeve, detyron Atdhetarët e Veriut me ju veshë shpellave.
Malësori i Veriut kishte shekuj që e njihte shovenizmin sllav! Ai e pranonte vdekjen dhe vetvrasjen shumë ma lehtë se robninë sllave dhe komunizmin bolshevik të Stalinit, apo veglave të tij Titos dhe Enver Hoxhës. Qendresa e Tyne kjoftë edhe me gjoks të çveshun per me pritë plumbat vrasës, ishte një vdekje e Tyne ma me nder, se robnia e anmikut që do ti merrte jeten por, edhe me turp. Këte e vertetoi edhe Historia 70 vjeçare e robnisë.
Ky Ideal i pathyeshem nder shekuj nder Malet tona, ku, “Atdheu dhe Feja” merreshin me qumështin e Nanës, dhe brumoseshin në ndergjegjen e Tyne me ujin e paster të një burimi të perbashkët, që ishte edukata Atdhetare e fetare e Klerit Katolik Shqiptar, që në të gjitha rrethanat e Tyne historike asht ngritë në mengjes, ka shperla fëtyren tek prroni, ka pijë filxhanin me qumeshtin e lopës, ka ngranë bukën me djathë e qepë nder sofrat rrumbullake, gatue nga stajanicat, dhe ka ra me fjetë në kashtë me grazhdin e bagëtive tek koka, por, kur natën kanë leh qentë se dikush ua ka prekë portaren, kanë rrokë armet dhe pa pikë frike të lidhun besa – besë, kanë derdhë edhe piken e fundit të gjakut per Lirinë e Atyne Trojeve që nder shekuj nuk njohën marre e tradhëti.
Prandej, Ky Kler Katolik Atdhetar Shqiptar, pengesa kryesore e pathyeshme e robnisë sllavo – komuniste, dhe ushqyes i gjakut Atdhetar nder Male, duhej shfarosë nga faqja e dheut, duhej fshi nga Historia, duhej tjetersue Gjuha e Tyne me të cilen i këndonte me “Lahuten e Malësis” Atdheut, duhej çarmatosë Shkolla e Tyne dhe shburrnue, me një ideologji sllavo – komuniste e marksiste nga eksperienca staliniste, duhej që të shkëputej me çdo kusht nga Vatikani dhe per rrjedhojë nga qytetnimi Europjan, duhej shpartallue Bujaria, Besa dhe Burrnia… Dhe, mbasi të shfarosej do të formohej “njeriu ynë i ri”!
Ky ishte piksynimi serbokomunist që me 29 nandor 1944, diten e robnisë së Shqipnisë nga Jugosllavia e Titos, kur në kompanjelin e Fretenëve të vitit 1913, së Shkodres së pushtueme rreth orës 6 në mengjes, vendosën Flamurin e Shqipnisë me “yllin e kuq”…
Robnia komuniste serbe e “druzhe” Titos, vuni thundren e saj edhe njëherë në Shkoder!
Por këte herë Esad Pasha i Ri, bashkë me Shkodren…shiti gjithë Shqipninë me Troje!
Në Janarin e viti 1945, nën kujdesin e specialistëve jugosllavë filloi edhe shfarosja!
Vrasjet e Malësorëve të Kullave Historike të Veriut, zhdukja e inteligjencës Atdhetare dhe arrestimet, torturat, burgosjet dhe vrasjet në masë të Klerit Katolik Shqiptar, hapin frontin e një Gjenocidi komunist të pashembulltë në Historinë e Popullit Shqiptar.
Në 15 Janarin e vitit 1945, arrestohet i Pari Klerik Katolik Shqiptar, Françeskani Atdhetar i Dukagjinit, Trimi i Pathyeshem At Gegë Lumaj O.F.M.(15 Tetor 1904 – 18 nandor 1990) Malësor me kulturë Perëndimore, teolog, letrar dhe piktor i Akademisë në Siena Itali.
Pak ditë mbas arrestimit At Gegës, në Kelmend forcat ushtarake shqiptarë e jugosllavë që kishin shkue me tradhëti nga rruga e Hotit, me vra Prekë Calin, vrasin 118 Burra të Malësisë, trupat e të cilëve i hudhin nder prroje e prroska dhe as sot, nuk publikohen ende Emnat e Tyne, edhe pse disa herë kam shkrue per këte veper terroriste.
Ato ditë atje arrestohet edhe At Dioniz Maka, një nga Klerikët ma të njohun në Male.
Me datën 26 Janar 1945, arrestohet Don Lazer Shantoja… Me datën 2 Shkurt 1945 vritet pa gjyq miku i Don Lazrit, që e kishte mbajtë në shtëpi Kol Nuri Sheldija, dhe po aty u arrestue edhe Don Ndre Zadeja. Në Shkoder arrestohet Famullitari i Shkodres Don Mikel Koliqi, At Jak Gardini, xhakoni Gjergj Vata dhe një grup i madh antikomunistësh.
Me 4 Shkurt 1945, në Traboin të Hotit, vrasin tradhëtisht At Leonard Tagaj, 35 vjeç.
At Gega dallohej si trim. Në gjyq asht në bankën e të akuzuemve me At Dionizin, At Jak Gardin S.J., xhakonin Gjergj Vata dhe Hajdar Ujka, Ymer Tahiri, Kol Vjerdha, Halit Kazazi, Preng Deda, Haki Aqifi, Adem Haxhi Zeka, Fadil Nuh Preza, Shaqir Jonuz Meta, Nush Barbullushi, Luigj Mikeli, Mark Kadeli, shumica nga fshatrat e rrethit të Shkodres. Per atë gjyq të montuem asht At Dioniz Maka i pari që më tregonte nga viti 1994, se gjyqi po zhvillohej i rrebtë mbasi mendohëj nga Sigurimi me hjedhë “thëmelët” e një “Partisë Demokristjane”, që as nuk i kishin ndigjue zanin se asht formue në Shqipni. Flitëj për vitët 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit akuzat fallse në drejtim të tij. At Gardini, në krahun tjetër nuk pranonte se ka ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At Dionizi, qëndronte në të tijën, se nuk asht marrë kurrë me politikë. Njëfarë Nuri Llazanit, agjent i Sigurimit komunist akuzon At Gegën, se, ky i kishte ndjekë me kalë kur ai ishte kenë me një grup partizanësh… At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me te, mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Jo vetëm, që Nuriu ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon nga trupi gjykues që At Gega, me shokët e tij në bankën e të akuzuemëve, të marrin dënimin ma të randë. At Gega, aty për aty çohët në kambë dhe, i thotë pa frikë: “Po më vjen marre mue sësi nji turk Shkodrët akuzon në rrenë nji klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”. Fadil Kapisyzi, një tjetër agjent sigurimi që do të dëshmonte për At Dionizin, e zbutë “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një përgjegje si Nuriu, prej At Dionizit. Kjo thanje e At Gegës, më tregonte At Dionizi, u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori dheun.
Kur arrëstohet prap At Gega, në vitin 1967 me “Revolucionin Kultural”, prap akuzohët për “Partinë Demokristjane”. Ai deklaron në hetuesi dhe në gjyq: “U kam thanë edhe disa shokëve të mij që kanë mendue se nuk asht keq me pasë në Shqipni një Parti Demokristjane, mbasi mund të lidhemi me vendët e Evropës Perëndimore nëpërmjet të kësaj partie, duhët me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti, mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin pa kenë kurrkund partia, po, ba me pas kenë, shka paskeni dashtë me ba ndër né, ju kështu, edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291 Arkivi M.M.Tiranë).
Arrëstohet më 17 janar 1945, lirohët në mars 1962
Arrëstohet në vitin 1967 dhe lirohët në vitin 1977.
Ka vdekë në vitin 1990, i rrëthuem nga dashunija e pakufi e kushrinjëve të Tij, ndër malët e egra e shumë të dashtuna të Alpëve, në Planin e naltë të Dukagjinit, prej të cilit fshat piktoresk, At Gega trashigoi karakterin e fortë burrnor e trim të Tij.
27 vjetë burg, tortura, hetuesi dhe masakra mbi Trupin e Tij, nder kampe shfarosje…
Vetem, pse ishte Klerik Katolik Shqiptar Atdhetar… Prandej, edhe me Emnin e Tij, plot 70 vjetë perpara At Gegë Lumaj O.F.M., filloi i Pari Gjenocidin komunst në Shqipni!
Melbourne, Janar 2015.
LISAT E KULLAVE TË BARDHA, JANË TË PAVDEKSHËM !
KULLA E MARKAGJONËVE NË SHKODER/
Nga Fritz RADOVANI/
Mirditë, mos mbaj zi per Kapidanin Tand Kreshnik Dedë Gjomarkagjoni!
Kullat Tua vazhdojnë me kenë të bardha si biluri!
Lisat pranë Atyne Kullave rriten, rriten e nuk ka çka u ban as stuhija, as rrebeshi, as rrufeja dhe, as “drapen e çekani apo pushka e kazma” barbare e komunizmit!
Ata Kulla nuk i skuqi as nuk mujt me i nxi as zjarri zharitës i tradhëtarëve t’ Atdheut!
Edhe pse e mbetun pa asnjë njeri të Atij Fisi, qendronte madhështore e krenare!
E vetmja shpresë e njëdite “ma të mirë” ishin dallëndyshët që hynin e dilnin nga dritaret pa xhama e korniza druni, të mbetuna në mëshiren e murrlanit e shirokut të Shkodres…
Asnjë shenjë jete tek ajo kullë per vite të tana… Përveç emnit, Kulla e Markagjonëve!
Historia e vërtetë e Kullave të Malësorëve të Veriut asht një volum në vete, sëpse, edhe lufta per rrafshimin e Tyne kje një program në vete. Gjithshka e parashikueme me një saktësi dhe pashpirtësi barbarësh, ku “shqiptari” kundër Shqiptarit u ba si bisha.
Edhe shumë vite kanë me kalue pa e besue njerëzit historinë e vërtetë të Atyne Kullave.
Ua vranë burrat e djelmët e Atyne Kullave…Ua interrnuen Nanat plaka e nuset e reja me fëmijë nder djepa…Ua plaçkitën gjanë e mallin e bagëtinë…Dhe, ua vune zjarrin derisa edhe muret e tyne u kthyen në grumbuj gurësh… Një vend vërtetë i shkretnuem…
Shqipnia e Veriut mbas vitit 1944 u kthye në një germadhë e çerdhe varfnije…ujqish.
Kjo ngjau në Mirditë, ku qendresa antikomuniste kje ma e gjata, po kjo flakë zharitëse kishte shkretnue që në ditët e para ku shkeli kamba e “çlirimtarëve” sllavoshovenistë, me yllin e kuq në ballë, nën masken shfarosëse komuniste që përsa shekuj e kishte andrrue këte 29 nandor të zi të vitit 1944, fillue nga Maja e Vermoshit e deri ku kishte Shqiptarë nder viset e Tepelenës e poshtë në Çamëri, ku pushka zevendsonte jestekun…
E Shqiptarët ishin po, në Kelmendin e Prekë Calit, Dedë Cokut t’ Bregut Matës… Pukës së Mirakajve, Hotnjanëve të Gjelosh Lulit, Shkrelasve dhe Shllakasve ku kriste pushka e Gjergj Vatës e deri nder shpellat e Dukagjinit ku flinin Trimat e Lekës… Bash aty ku ishte Zef Kolë Prela që me një kunjë shkrepse të ngjymë me gjak të vet, i tregoi Nanës se po vritej i pafaj vetem, se donte me zemer Atdheun…Pak ma pertej ishte edhe Muharrem Bajraktari, që plumbi nuk e kapte se ishte betue me vdekë për Atdhe të Lirë!
U vranë dy vllaznit Mark e Llesh Gjon Markagjoni… Po Shqipja e Atyne Bjeshkëve nuk e derdhi “pasha një pikë lot”! E Nana me vajzat e veta të internueme u mbluene në zi… Mirdita u dogj e zjarri i saj mori dheun mbarë. Motrat humbën vllaznit… E i vetmi vlla i mbetun në prangat e kriminelëve komunistë Deda i Gjonit Markagjonit, kalbej burgjesh.
Heu ju Bjeshkët e Nêmuna shumë gjakun keni pa e, shumë pushken keni dëgjue…
Edhe Tokës sate i vjen edhe sot era rub… Nuk mbet një lis pa plumba në trup të vet…
E pse?! – Vetem se hasmi shekullor donte shkimjen e Atyne Kullave të bardha si vetë kësulat e veshuna per majet e Atyne Bjeshkëve Heroike e të Pathyeshme.
Fort po shndritë ai diell, e pak po nxenë…Fillonte dikur një vjerrshë…
Dedë Gjon Markagjoni asht një prej Herojve të burgjeve shfarosëse komuniste ndoshta, pak i persëritun në krejtë Lindjen komuniste… 46 vjetë tortura, burg e interrnime.
Edhe Dedë Gjon Markagjoni (1921 – 2015) që në vitin 1944 pra, 23 vjeç, filloi Kalvarin e pafund bashkë me të gjithë familjen e vet, që masakrat nuk ju ndanë asnjëherë…
E pse?! – Ishte dhe mbylli jeten i martirizuem per Kryqin, me etiketen “antikomunist” !
Kje dënue në 1944 me 5 vjetë burg…U mbajt 3 vjetë në tortura në sigurimin e shtetit, dhe mbas izolimit u dënue 7 vjetë… u interrnue .. u dënue…u dënue…u interrnue… Vetem për një shkak: “Nuk pranoi me u ba agjent i sigurimit të shtetit gjithë jeten e Tij!”
Nga viti 1944 Deda u arrestue dhe u dënue katër herë, bani rreth 4 vite hetuesi, vuejti mbi 16 vite burg dhe 31 vjetë të tjera, ishte i interrnuem në kampe shfarosje…
E deri kur nder pranga e tortura? Deri në vitin 1990… Në moshen 67 vjeçare lirohet dhe vjen në vitin 1991 në Kullen Markagjonëve në Shkoder…Me motrat e veta të Nderueme dhe nipin e vet të dashtun Gjonin e Markut Markagjonëve, të cilin shpejtë Zoti, e mori në Mbretninë e vet… Një plagë e pasherueshme kurrma e Fisit Markagjonëve…
Në vitin 1991 u njoha me Dedë Gjomarkun… I papersëritshëm ai takim në dhomen e Tij të pritjes, krejt e boshatisun e vetem me dy karriga…Ku, Motrat e Tij e rikthenin atë dhomë me pritjen e perzemert të Tyne, në një Salon Princor të Mirditës Heroike!
E pyeta rreth Golgotës së Tij se, shka të ka mbetë në mendje nga 46 vjetë tmerri?
Bani buzën në gaz, më shikoi dhe filloi një nga episodet e hetuesisë së dënimit të fundit:
“Më torturoj një hetues keqas, më gjakosi aqsa kaloi gjaku nen thesin që më kishte lidhë në fyt, gjoja mos me njollosë rrobat… Kur fillova me ardhë në vete mbas sa kohe s’ e dij, vetem, e shikova drejtë e në sy… Ai më tha: Pse, po më shikon mor qen e bir qeni?…
Vazhdova me e veshtrue pa mu tutë syni drejtë e në fëtyrë… He, mor qen, më tha, a po mendon se çfarë do më kishe bërë po të vij koha yte, or reaksionar i qelbur… Edhe po të vij koha yte or qen, ligjët tua nuk të lejojnë kurrë për të bërë ate që bëjmë neve me ligjët tona! Pikërisht këtu, qendron forca e diktaturës së proletariatit!.. A more vesh tani?!
Shiko, i thashë: Unë jam Shqiptar, po jam edhe Katolik. As nuk më shkon mendja kurrë me masakrue një vlla të timin Shqiptar, ashtusi veproni ju me ne. Ndersa, si besimtar në
Zotin dhe trashigimtarë i Prindëve të mij të Nderuem në mbarë Mirditen, as nuk dij shka domethanë me vra, me masakrue, me vjedhë, me torturue dhe me gjakosë Njeri, kjoftë edhe fajtorë, se për të pafajshëm asnjëherë në jeten teme! E këte mësim e kam marrë njëherit me qumështin e gjiut Nanës seme, që sot nuk i dij as Varrin… Prindët tanë na mësuen me dashtë Shqipninë e Shqiptarët pa dallim Feje, se jeni vllaznit tonë!
Unë do të vdes pa e njollosë emnin e Prindëve të mij, do të vdes pa pranue kurrë me ju sherbye ju, se per këte kanë dhanë jeten e vet Vllaznit e kushrinjtë e mij, per këte po vuejnë Motrat e mija e gjithë Shqipnia, dhe se kjo, asht edhe Ndera e fisit tim!”
Kur u ndame heren e fundit në vitin 2000… Ju mbushën sytë me lot…
E mue, fjala mu pre…
Lisat e Atyne Kullave të Bardha janë Herojë të Pavdekshem të Popullit Shqiptar!
Melbourne, 25 Janar 2015.
KUSH I TRADHËTOI KËTA BURRA ?
Nga Fritz RADOVANI/
JANAR 1945…
Kam pasë fatin e madh me i pa me sy e me shkelë ndër ata male madhështore! Askush pa e kerkue buken e kakinit të gatueme nder magje nga stajanicat burrnesha e pa e shoqnue ate me djathin e atyne shekeve shekullore, tue i mbyllë urimet “u lumshin duertë e u ardhëshim për të mirë” mbas mazës së çapres, nuk e di se çka bulojnë ata lisa!
Rriten e rriten sa të duket sikur majat e tyne shpojnë qiellin e vrantë!
Beja e Tyne porsa fillojnë me marrë mend asht “per Qiell e Dhé!”…
E, për këte Bé, e bajnë vdekjen si me lé!
Me 29 nandor 1944, nga Qielli ra një rrëfé e Dheu plasi… Vetem gjarpijë e kobra me yje në ballë ua mësyne Atyne Maleve! Dora e pabesë e Esad Pashë Toptanit të rij, me 8 nandor 1941, ua kishte shitë edhe njëherë ata Troje shovenistëve sllavo komunistë ashtusi në vitin 1913, kur Flamurin e Gjergj Kastriotit… deshën me e zbritë me topa… Po, Burri i Madh i Shqipnisë, që u tha: “Gjuenje, Flamuri ynë e ka per nder me u gjuejtë me topa!”, nuk ishte ma! Po, Beja e Tij ishte Betim i Atyne Bjeshkëve të Nêmuna. Burrat e Dheut të mberthyem nder çakçir dhe armët e Lirisë nuk pranuen “lavdinë e tradhëtisë”!
“Faji bjen mbi ju, se ju u lidhët me armikun tonë shekullor serbin!” E, shpellat u mbushën plot e përplot me djelmë të Maleve e të fushave, ku gjaku shkonte rrëkajë që n’ atë ditë të zezë kur Shqipnisë i ishte mohue Liria e Atdheut edhe nga Fuqitë e Mëdha.
Horrat e vagabondat do të qeverisin Shqipninë, e mbasi ta vjedhin e lajnë me gjak Nanat Shqiptare me futa mbi kokë do t’ ua shtrojnë sofrat laperave kriminelë, e kujt, bash atyne që u kanë masakrue djelmët e ua kanë dhunue nuset si mos ma keq nder kampe shfarosje e interrnimi…e djelmëve prej gjiut, ata u kanë dhanë me pij helmin e jetës, edukaten komuniste, paburrninë e tradhëtarit dhe pafëtyrsinë e antishqiptarit!
E këte dhunë e marre nuk e pranonin asnjeni nga Ata dy Burra!
Dedë Coku… nga Kelmendi e Prekë Cali, Prijës Bajraku, vendosën me vdekë!
Një fjalë goje…”Me vdekë”…
Me kohë e dinte kush janë Ata Male edhe Austro – Hungaria… Miss Durham, ua pat shpjegue mirë anglezëve dashuninë e Saj per Ata Male, po “këshilltarët e tyne” pranë Mugoshës dhe Enver Hoxhës, preferuen “gënjeshtren”… U lidhën me Titon. Ata, jo vetëm na shitën, po edhe na tradhëtuen: “Qendroni, se do këthehemi shpejtë!”
Këta rreshta që po shkruej janë një ofshamje e vertetë per Ata Burra që nuk i njoha, po njoha pinjollë të Tyne…E, edhe sot nuk mund të harroj Sytë e skuqun të një Shqipes së Selcës së Kelmendit kur doli nga kinema “Republika”, i lidhun me pranga dhe mes xhullinjëve, tue shikue mes rrypave të drrasave të një kamjoni zis, porsa i kishin komunikue dënimin me vdekje…Ishte Don Dedë Malaj! Pak kohë ma parë i kishe shterngue dorën e Tij prej burri e të Shugurueme… Ishte një mbasardhës i denjë i Atyne Bjeshkëve, ishte i daltuem bash prej Atyne Gurëve të lamë me gjakun e 118 Malësorëve, që u prenë në besë nga disa kriminelë që i rrethuen bashkë me forcat jugosllave, ku drejtonte antishqiptari i njohun krimineli Mehmet Shehu, kur llomi i atyne Malësive pat tradhëtue Prekë Calin, i cili u pushkatue tek Muri i Rrëmajit, me 25 Mars 1945.
Janë plot 70 vjetë, që në janarin e vitit 1945 disa tradhëtarë tjerë, të cilët, simbas porosisë së Beogradit, gjoja per marrveshje, mësyen Derën e njohun të Kelmendasit tjeter trim e Atdhetar, Cok Preku i njohun në kryengritjet antiturke per Pavarësi, dhe i kënduem edhe në “Lahuten e Malcis” bashkë me dy djelmët Gjeto e Dedë Coku, gja kjo, që e bante ma të “pelqyeshme” edhe zhdukjen e djelmëve të Tij Gjetos e Dedës, të ramë nder krahinat e Bregut të Matës, ku vrasjet dhe zhdukjet e komunistëve pa gjyqe dhe me terror ndaj malësorëve trima ishin të përditëshme dhe në çdo cep të atij vendi.
Pikrisht, qendrimi i Tyne Atdhetarë, i njohun që nga 1911 me Dedë Gjo’ Lulin, e në vazhdim kunder pushtuesëve shovenistë sllavë der tek Tito, gja për të cilën sherbëtori i tij anadollak Enver Hoxha, ishte i gatshem dhe me andjen e një terroristi e dinte mirë se po kryente tre sherbime: Zhdukte antiturqit, antisllavët dhe siguronte kolltukun e vet personal edhe “mbas vdekjes”… Ashtu u veprue kudo u shkeli kamba në Malet e Veriut, në Dukagjin, në Pukë, në Mirditë, në Zadrimë, në Mal të Kolaj, në Velipojë dhe kudo ku Atdhetarët Shqiptarë të Alpeve tona ishin në ballin e luftës per Liri.
Pra, piksynimi ishte perdhosja, dhunimi dhe shburrnimi i Atyne Bjeshkëve!
Ndoshta, ishte njê profetësi epiteti Bjeshkët e “Nêmuna”!
Në mbyllje të këtyne pak rreshtave Perkujtimor të vrasjes së Atdhetarit të Madh Dedë Coku, me daten 26 Janar 1945, kur në Shkoder pëballë Bashkisë po fliste Arif Gjyli, shoku i tij i armëve Qamil Gavoçi shkrepi armën mbas kokë tek Shaban Elezi, Dedë Shabani, Kol Sokoli, Mark Pikolini, Selim Qorri dhe Xhemal Mlika, të cilët, gati edhe po harrohen… Dedë Cokun e veçuen nga ky grup dhe e nisën per Lezhë, ku në hymje të saj pa mërrijtë tek Ura e Lezhës, edhe Deden mbasi e masakruen e pushkatuen.
Në dosjen e Dedë Cokut asht edhe një shenim: “Dedë Cokut lejen e armës ia ka lëshue vetë Kolë Radovani… dhe Deda shton: Po, se Kolë Radovanin, e kam pasë mik..”
Në shenjë Nderimi dhe respekti per Dedë Cokun, Mikun e Babës sim…
Këta pak rreshta në këte 70 vjetor të vrasjes së Tij Burrnore…Autori.
Melbourne, Janar 2015.
NE FOTO:Dede Coku, skulpture nga Vasil Rakaj
- « Previous Page
- 1
- …
- 43
- 44
- 45
- 46
- 47
- …
- 65
- Next Page »