• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fritz RADOVANI- PARANDJENJË E MIKUT TIM, DANIEL GAZULLI

November 12, 2014 by dgreca

Ne foto:Daniel Gazulli (1943 – 2012)/
PAK DHÉ TË SHKRIFTË/
…Nesër,/
mbi rrasën e varrit tim/
me shkronja të derdhuna lè të shënojnë/
emën e mbiemën,/
asgja ma shumë./
Datëlindja? Kush e di, asht tepër e largët,/
dhe nëse ndonjeni do të pysë:/
Rron apo ka vdekë?/
Mos u nxitoni të përgjigjeni./

Përse të mundoheni më kot/
të shkrueni ma shumë?/
Përse të shprehni dhimbshuni?
A nuk kisha unë edhe me vdekjen feeling?
(Ndoshta ndonjë kalimtar
për tek varret e të tijëve
do të lëshojë edhe fjalë të jargëta, ani.
Do të thotë se isha pijanik, bie fjala,
po askush s’ do ta besojë po të thotë
se edhe për atë
nuk ndjeja dashuni).

Unë as që e kërkova atë rrasë të lëmuet.
Do të kisha preferue
mbi varr të kisha dhé të shkriftë
ku të harbonin lulet.

Rrasë të lëmuet lè të kenë
ishdrejtori i Bankës,
kryebashkiaku im,
gjyqtarët, të gjithë;
ata do të kenë lanë patjetër diçka
që të afërmit t’i shpenzojnë pa kursim;
çfarë lashë unë,
veç katër-pesë librave,
të papaguem endè plotësisht?

Lè të kalojnë atypranë fjalëjargëtit
dhe gazetarët e kërrusun, gjithë mundim,
e të thonë se në jetë
paskam pasë shoqni me endacakët;
lè të thonë,
por askush nuk mund të thotë se
kur kalon pranë varrit tim
ndjehet erë e keqe
si tek varri i doktorit përbri,
që para se të operonte pacientin,
“operonte” pa mëshirë xhepat e të afërmëve të tij.

Kryqi le të jetë i madh dhe i pagdhendun.
Edhe ma i madh ishte ai që mbajta në jetë
në udhëtimin mbrenda vehtes.
Por lè të jetë Kryq i thjeshtë,
jo Kryq i shtrejtë,
si tek varri i fqinjit,
anëtar i shtatë partive (dikush thotë tetë),
dhe pronar i shtatë hoteleve në plazh
dhe i një të teti në qytet, ku, thonë,
e shoqja pret e përcjell lesbiket.
Ata, kryetari, doktori, gjykatësi, të gjithë,
lulet do t’i kenë të gdhenduna në mermer,
lulet mbi varrin tim lè të vyshken:
të paktën ato dikur
mbanin aromë dehëse për Shpirtin
dhe ditën flutura prisnin e përcillnin,
kurse natën u shkelnin synin yjeve në qiell
dhe lanin petalet me vesën e mëngjesit.

Vetëm pak dhé të shkriftë dhe lule do të kisha dashtë,
të ndjehesha i lirë.
O, sa me dhimsen ata mbi varret e të cilëve
randojnë shtatoret!
Janar 2012.
Shenim F.R.: Plot dy vjetë u bane pa Danielin! As unë nuk dij se, kur… Ikën… Si t’ishte dje!..
Melbourne, Nandor 2014.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Daniel Gazulli, e mikut tim, Fritz radovani, parandjenje

GURI I BESIMIT I SHOVENISTËVE SLLAVË E KOMUNISTË ME ANADOLLAKËT TANË…

November 6, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
Ne foto:Enver Hoxha me Dushan Mugoshen-Fotografia eshte marre nga libri ne serbisht i Dushan Mugoshes/
■Horrat e vagabondët marrin frymë me kërthizë…se i ka ba një “nënë”… Ata në çdo kohë mendojnë me mushë barkun dhe xhepat, po, asnjëherë koken. Edhe disa “dijetarë” prej tyne shka thonin në mbramje mbas “akshamit”, nuk e thonin në mengjes herët…
Të gjithë librat e tyne të shkrueme mbas vitit 1944, me të cilët, janë krenuen per 47 vjetë rresht deri mbas vitit 1991, po, edhe sot mbas 70 vjetësh të përmbytjes së Shqipnisë nga robnia shoveniste sllavokomuniste e anadollake, jo vetëm, nuk mund të besohen asnjeni per shtremnimet e fallsifikimet historike, po, edhe se presin “rilindjen” e komunizmit.
■Fatkeqësia e madhe e robnisë në Shqipni, fillon menjëherë me Shpalljen e Pavarsisë, e kjo vërtetohët me “dorëzimin e Shkodres, malazezëve në vitin 1913”… nga tradhëtari i njohun në gjithë Ballkanin, dhe vetë turqit, agjenti sllav Esad Pashë Toptani. Ja dhe vlersimi i një “akademiku” per Esad Pashën: “Esat Pasha bëri gjithë të mundshmen që të detyrojë të largohet një mbret i huaj i krishterë, i cili ishte injorant për çështjet e shqiptarëve dhe që i ishte imponuar Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha.”
■Sigurisht, largimi i Atij të “krishtëri” nga Shqipnia, i justifikon të gjitha tjerat…
■Po kush e vrau Hasan Riza Pashën, dhe ua dorzoi malazezëve Shkodren?
■Po sa u pague nga malazezët Esad Pasha për këte tradhëti a dihet?
■Edhe këta përgjegje i keni të shkrueme nga At Justin Rrota, tek “Rrethimi i Qytetit 1912 – 1913”, faqe 113 dhe 179… “Fatkeqsisht” edhe Ky asht Klerik Katolik Shqiptar…
■Marrëveshja tjetër ndërmjet kryeministrit Esat Pashë Toptani me ministrin e Punëve të Mbrendshme të Serbisë, lidhet në Tiranë më 28 qershor 1915. Neni 1 i kësaj marrëveshje thotë: “Qeveria mbretërore serbe do të veprojë në atë drejtim, që asnjë fuqi e jashtme mos ta pushtojë Shqipërinë, dhe nuk do ta lejojë coptimin e saj, por ajo do të mbetet si tërësi shtetërore, e cila, për jetë në aleancë dhe bashkësi në bazë të marrëveshjes së mëparshme, si dhe në bazë të dispozitave të këtij protokolli”. “Më 15 (28) qershor 1915, Kryetari i qeverisë Esat Pasha”. Edhe kjo “marrëveshje” u nënshkrue në turqisht me shkrim arab, si dhe në gjuhën serbe. “Dhurohet Shkodra” me nënshkrime turqisht!
■Po Dedë Gjo’ Lulin… në bashkpunim me serbët, kush e vrau në Mirditë me 24 Shtator 1915 ? At Anton Harapi tha: “Ai kje tri herë Fatos, se i fali Atdheut dy djelmët dhe veten, tue u ba Sheji i salvimit të xhonturqëve, të sllavëve e esadistëve …” (“Ora e Maleve”1924)
Edhe këte një Klerik Katolik tjetër…Po këte e “vramë” se dinte edhe tjera histori…

MARRËVESHJA Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu; Gusht, 1924…
1924.
“1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.
2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë A. Zogu, që më vonë do të njoh dinastinë Karagjorgjeviq.
3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njoh Ahmet Zogun si kryetar shteti . . . dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.
4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.
5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.
6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rus të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.
7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerët jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve.
8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve.
9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.
10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.
11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe të bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare do të varet nga ajo Jugosllave.
12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre…
13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.
14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.
15. Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.
16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve”.
Ky është një dokument që gjendet në Arkivin Qëndror Shtetëror. Fondi Nr 253, dosja 105, fleta 2, 4-5, viti 1924. Ky dokument është botuar gjithashtu në librin me titull “Italia e Albania 1924 – 1927” nga P. Pastorelli, botuar në Firence në vitin 1967. f. 221.
Marrëveshja u nënshkrua në gusht të vitit 1924, mes Kryeministrit serb Pashiç dhe Ahmet Zogut, kur ky i fundit kishte gjetur strehim në Jugosllavi i përzënë nga forcat e revolucionit demokratik të udhëhequra nga Fan Noli. (Nga libri Sh.Hysit).
***

8 NANDOR 1941
1941.
■Mbi tavolinen ku qendronin dy themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, Miladin Popoviq dhe Dushan Mugosha, të mbështetun me brrylat e tyne, edhe sot kanë shenjat e gjakut edhe pse kanë kalue 73 vjetë që ata brryla vazhdojnë me drejtue. Terrori, krimi, zhdukjet, dhuna e shfarosjet e mashtruesëve vazhdojnë sundimin nga 1944 per 70 vjetë… Hoti, Gruda, Kosova, Çamëri e Maqedoni, me të gjitha Trojet tona të Atdheut… Prap u dhunuen nga shovenistët sllavë, tue ua lanë PKSh e Enver Hoxha atyne nën thundren barbare. “Çeshtjes shqiptare të Kosovës iu vu vula që në 8 nandorin e ’41-it.” – shkruen V. Dedejeri, ish biografi e Titos. (V.Dedejer, Kujtime, botim i vitit 1949, Beograd).
■Shqipnia e Trojet rrethuese të saj me 29 nandor 1944 u robnuen nga Serbia komuniste.
■1 korrik 1946, Enver Hoxha, i pari i huej që dekorohet “Hero i popujve të Jugosllavisë”.
■15 Dhjetor 1947, Enver Hoxha deklaron në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh: “Duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË …” (1947)
■As nuk kuptoj pse Miladin Popoviq e Dushan Mugosha, i kishin pseudonomet “Ali dhe Dushani – Sali….” (nga letrat e “Tarrasit”), kur ata vinin nga një komshijë i yni shumë “dashamirës” sllav…? Ky “Ali”, mos ka lidhje me filmin “Ali Baba me 40 hajdutët”?
■Këta dokumenta vertetojnë se njenimbastjetrit:
“Shqipes së Gjergj Kastriotit…
I prenë kokat…I verbuen sytë…I shituen gjuhët…I shporuen zemren…
I cunguen krahët… I këputën kambët…I coptuen trupin… dhe,
e… gozhduen si Krishtin!..”
Autori.
Vazhdon Pjesa II: 1943 – 1944…
*(Nga cikli: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…)
Melbourne, Nandor 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, GURI I BESIMIT I SHOVENISTËVE, ME ANADOLLAKËT TANË..., SLLAVË E KOMUNISTË

ATDHETARË SHQIPTARË QË LUFTUEN PER UNITETIN KOMBTAR

October 31, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
Nëse dishroni me pa një popull pa t’ ardhme, “shkatrroni shkollat”(F.R.)/
●Prof. Namik Ressuli, nga Berati, shkruen në librin “Shkrimtarët Shqiptarë” volumi I, viti 1941, tek Kaptina II, me titull “Shkrimtarë të vjetër të Veriut”, këto fjalë: “Prodhimin letrar shqiptar, që nga shekulli XV e gjer në ditët t’ona, për lehtësi studimi e veçanërisht për arësye historike, e kemi ndarë në dy grumbuj të mëdhenjë: a) Prodhim letrar shqiptar përpara Lidhjes së Prizrenit dhe b) Prodhim …pas Lidhjes së Prizrenit…
Pa dyshim ky prodhim Verior është më i rëndësishmi i prodhimit të pjesës së parë të letratyrës shqipe, si nga pikëpamja e sasisë dhe gjërësisë si dhe nga pikëpamja e lëndës dhe mbrëndisë. Këta shkrimtarë të vjetër të Veriut nuk janë vetëm të parët që filluan një farë lëvizje kulturore në vëndin t’onë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë shqipës një alfabet – alfabetin latin – po janë edhe të parët që mendojnë e punojnë për Atdhenë e gjuhën e tyre, për Shqipen e Shqipërinë. Madje nga kjo pikëpamje kombtare ky prodhim munt të lidhej drejtë për drejtë me atë që erdhi pas Lidhjes së Prizrenit, po t’ishte ma e madhe vlera estetike e qellimi i përbashkësisë shqipëtare. (fq. 10, 12.)
…Po shkrimtarët e vjetër të Jugut në veprat shqipe që na kanë lënë nuk dëftëjnë as doktrinën, as vlerën dhe as ato pakë ndjenja atdhetare që dallojnë vëllezërit e tyre gegë. Ata janë vërtetë, të parët toskë që shkruajnë gjuhën t’onë, po nuk e përdorin këtë si qëllim në vetvete, po si mjet, me anë të së cilës donin të përhapnin njohunit e fes orthodokse.” (fq. 70.)
●Mustafa Kruja: “Gjuha letrare nuk trajtohet me ligjë e me dekret, por me nji punim racjonal, të vazhdueshëm, të bashkrenduem e të harmonizuem të njerëzvet kompetenta. …Se gegnishtja asht e folun prej dy të tretash dhe tosknishtja vetëm prej nji të trete të popullit shqiptar. Thom të popullit shqiptar e jo të Shqipnis.” (1942)
●Hafiz Ibrahim Balliu në vitin 1946, afër të 80-tave, dënohët mbasi deklaron në hetuesinë e Tiranës: “… Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshroja që ata të zbarkonin në Shqipëri … Né nuk kemi asnjë lidhje me Lindjën as të afërme dhe as të largët. Nga turqit né kemi marrë vetëm besimin. Për tjera nuk ka çka na duhët Anadolli… Shqipëria është shtet që i përket vetëm Europës. Me Europën na lidhë pozita gjeografike, mardhenjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë …” (Dosja I. Balliu)
●Prof. Idriz Ajeti shkruen: “Shqiptarët mund të krenohën që ndër popujt e Ballkanit ishin ata që të parët përqafuan fenë e krishterë.”

●Dr. Avokat Muzafer Pipa…Kur po e torturonin kriminelët Zoi Themeli e Vaskë Koleci e pyetën: Pse e more për ta mbrojtur priftin reaksionar At Gjon Shllaku…?
– Avokati i Nderuem Muzafer Pipa u përgjegjë: “E kam pasë Profesor dhe e dijshe mirë se asht i pafajshem, prandej e mora!”… Me hekur të skuqun e mbytën Avokatin Hero!..
●Drita Sokoli, studente në gjimnazin e shtetit në Shkoder, në vitin 1946 kur po zhvillohej gjyqi i grupit “Bashkimi Shqiptar”, dhe disa agjentë sigurimi dilnin e pështynin klerikët e lidhun me pranga tek Kafja e Madhe, Drita ua përplasë përballë Çiril Pistolit me shokë:
“Turp për ju, se as në mesjetë nuk janë pështy të burgosunit rrugëve si tashti…”
● Prof. Arshi Pipa ka thanë kur At Mëshkalla asht ridënue në 1967: “Po, 25 vjet burg në burgjet staliniste peshojnë ndoshta ma randë në kandarin e martirizimit se pushkatimi”.
●Një i burgosun në qeli e pyet Hafiz Dërgutin, se cila, asht arësyeja që e torturonin aq shumë, Ai u përgjegjë: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rrême të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”(1947)
●E nderuemja zj. Drita Kosturi më tregonte, si e kishin lidhë në një shtyllë druni At Frano Kirin në oborrin e Burgut të Fretënve në 1947, e kishin nxjerrë në pishën e diellit në piskun e vapës në verë dhe të veshun trashë. Kur i kërkonte ujë ose me krye nevojat përsonale, e lironin shtyllën e mbajtun me litar dhe i shkreti At Frano, përplasej me fëtyrë përtokë, gjakosej, shpesh humbiste ndjenjat, e lagnin me ujë dhe e ngjitnin prap shtyllën nalt… Disa ditë e kishte pa Ajo vetë me sytë e saj derisa ishte ba që nuk njihëj ma cili ishte…Një tmerr të vertetë tregonte për At Palë Dodaj, kur e sillnin pa ndjenja.
●Prof. Adem Bazhdari, tregonte: “Nuk e harroj kurrë Imzot Gjinin të varun në një pemë, po e torturonin. Erdhi Zoi Thëmeli dhe Pjerin Kçira, monsinjori u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një peme dhe ia dha t’a pijë Monsinjorit, që kishte mashumë se dy ditë pa pi ujë. E zgjidhën, Ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini holli poshtë At Matinë… mendueme se e mbytën por jo, ishte gjallë i gjakosun fëtyrët, – E shihni? -Na pyeti Zoi, – kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!.. Krahët, kambët dhe shpinën i kishte me plagë të qelbëzueme Monsinjori, ia mjekonin vetëm me krypë e ja lynin me pezhgëve të nxehtë, stjetullat i kishte gjithmonë të hapuna tue kullue qelb nga vezët e zieme dhe të ngrohta që i vinin gjithnjë derisa, e pushkatuen mbas një viti vuejtje në hetuesi”…(1947)
●Ingjenjer Fahri Rusi ishte 28 vjeç djalë kur e çojnë me e pushkatue në Zallin e Kirit. Kur hypin mbi dheun e gropës ku do ti vrisnin, At Mati Prennushi i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjës sate!” – Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi im ka pasë këtë fat, me dhenë jetën mjedis dy shejtënve, për çfarë me u tremb?” (Dëshmi e Dr. Papavramit, mjek ligjor. 11 Mars 1948)

●Dr. Farmacist Elez Troshani thonte: “Lum ata që kanë qenë në një dhomë me Monsinjor Gjinin dhe At Mati Prennushin ndër ata dy muej para se me u ekzekutue se, asnjeni, nuk e kuptonte ku po i çojnë, a po i çonin në piknik, apo me u pushkatue. Biseda dhe humori i tyne të largonte frikën e vdekjes…mënyra sesi shpjegonin vdekjen Ata, e bante të riun dhe plakun mos me u tutë nga plumbi.” (1948).
●Një ndër të nderuemit e familjes Meta, Ragip Meta më tregonte, sesi një ditë Shyqyri Qoku dhe Alush Bakalli, zagar të rijë aso kohe, kishin hypë mbi dy klerikë në oborrin e burgut. Në dorë kishin nga një kamxhik dhe u binin dy priftënve, tue vrritë: “Kush mërrinë i pari tek muri sot nuk rrahët, hajt, ecë, kush po del i pari?” Asnjeni nga priftnit nuk ecte, asnjeni nuk donte me lanë mbrapa shokun me u rrah. Asnjeni pothuej nuk njihej në fëtyrë. Priftënt ishin ba me mjekrra deri në bel, ndërsa hoxhallarëve ua kishin pré mjekrrat. Asnjena palë nuk dëshmonte për palën tjetër, një mirëkuptim i veçantë!
●“Dhimbje”, një liber me vuejtje e dhimbje nga zj. Fatbardha Saraçi…Bij e Mulletëve të Tiranës, po koha e solli me provue Dhimbjet e zemrës së Shkodrës së masakrueme… Shkodranët e njohin me emnin Bardha… Se vertetë, ashtu ka zemren e vet… Në librin e Saj do të gjeni gjyshat e stërgjyshat tanë, plakat e kalbuna ndër kampe interrnimi, bijtë e bijat e groposuna nder këneta, Nanën, motrën, vllaun e pse jo, klerikun dhe hoxhën e nderuem, që n’ errësinën komuniste kryente shërbimet fetare… Kjo më shtyni me veçue në liber një frazë: “Kombi ynë, kombi Shqiptar, është një popull me vlera të mëdha shpirtërore derisa nga toka e Tij, lindi një Bijë e madhe, Shenjtorja e njerëzimit…”
●Prof. Sadedin Hoti… Asht kenë një Mësues me pikëpamje europiane, i kulturuem dhe shumë modern në Shpirtë, ashtu si kishte paraqitjën e jashtme të Tij. Jemi transfërue me 9 gusht 1962, e tue zbritë së bashkut nga shkallët e Komitetit më tha: “Kujtojnë se tue na trasferue na demoralizojnë, po këta kanë harrue se unë jam ba mësues se nuk më kanë dhanë punë tjetër e jo, se kam pasë dëshirë me edukue fëmijët me frymën e tyne. Sot kjo punë asht vetëm për shegërtat e pazarit dhe jo për né. Ata që vodhën xhepat e tregëtarëve deri dje… per me “ndihmue” partizanët injorantë, sot janë drejtorët tanë. Nuk asht aspak çudi që këta drejtorë, ndonjë ditë,… me ardhë në shkollë me nalla!”
●Hafiz Ali Tari: “Një amanet po Ju la ju djelmëve të mij: Edhe mbas vdekjes s’eme, me ndihmen e të Madhit Zot, Pader Mëshkallës, përsa të vazhdojnë me kenë i burgosun, keni me i çue prap nga 1000 lekë(të vjetra) në muej, me njeriun që ia kam dergue vetë…”
●Më tregonte z. Xhemal Alimehmeti, bashkvuejtës i At Pjetër Mëshkallës në Burrel: “Drejtori i burgut të Burrelit, njëfarë krimineli i regjun Njazi Tunxhi, po u fliste të burgosunve për disa rregulla në lidhje me rininë… P. Mëshkalla nga rreshti i kërkon me hapë shkolla në burg për të rijtë, por drejtori e ndërpret: -Të qanë zemra ty për rininë, ké për ta parë sonte shkollën atje poshtë në birucë! P. Mëshkalla qeshet. Ai nervozohët dhe i thotë: – Ç’e ké atë buzëqeshje, or jezuit i poshtër?….P. Mëshkalla i thotë: – Unë po qeshi me ty! Endè nuk e keni kuptue, se unë do të ishe i lumtun me vdekë i kryqëzuem si Zoti em, Jezu Krishti! Endè nuk e keni kuptue? E çka ké me më ba ti ma shumë se aqsa i kanë ba shokët tuej Krishtit?… Kështu qëndronte P. Mëshkalla para bishave të tërbueme me dhambët e tyne shkyes e të gjakosun të Sigurimit komunist!” (Dëshmi 1995)

●Prof. Sami Repishti shkruen: ”Shqiptarët katolikë janë përpjekë për shekuj me radhë të sjellin në Shqipni frymën civilizuese të Evropës, mendjet e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike, të shkencës dhe të teknologjisë dhe të organizimit politik të shtetit modern, që siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë.” (Përshëndetje në përurimin e Kishës Shqiptare në Harstdale, New York, më 25 prill 1999).
●Historiani Agim Musta, bashkvuejtës i Padër Mëshkallës, shkruen: “Padër Mëshkalla ishte kthyer në një mësues shpirtëror i të gjithë bashvuajtësve të çdo Feje. Atë e respektonin të rinjtë, pleqtë dhe e adhuronin të gjithë për forcën e Tij shpirtërore”.
●Edhe bashkvuejtësi z. Leka Toto, shkruen: “Ai të tëra gjërat që kishte, i ndante me të burgosurit e varfër, pa bërë asnjë dallim. Ai i ndante ato, siç do t’i ndante vetë Jezusi!”
●Nga z. Riza Kuçi, kujtojmë: “Në vitin 1972 ra një epidemi e rëndë gripi në kampin e Ballshit. Në një moment, tek shtrati ku lëngoja unë, u afrua P. Mëshkalla dhe më dha një gotë çajë të ngrohtë, të përgatitur nga Ai vetë. Mund të merret me mend se çfarë emocionesh shkaktoi në përsonin tim vëprimi njerëzor i Padër Mëshkallës…”.
●Kur At Mëshkalla po jepte Shpirtë në 1998 dhe nuk ngrihej nga shtrati, ishte pikrisht bashkvuejtësi i Tij Xhevat Meta, që i shërbente gjithë natën për të gjitha nevojët e Tij…
●Prof. Sami Rrepishti përcakton: “Krimet komuniste në Shqipëri, pasojat e të cilëve i vuejmë akoma sot, janë njohë nderkombëtarisht si “krime kundër njerëzimit.” Vetë Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në vitin 1993, deklaroi se ajo që ka ngja në Shqipëri nuk ka ngja në asnji vend të Europës, dhe Europa duhët ta dij këte. Me çfarosjen fizike të klerit katolik shqiptar, krimi komunist ka ba edhe nji hap tjetër në zbritjen poshtë drejt ferrit: Gjenocidin! Teorikisht, ky Gjenocid asht planifikimi dhe ekzekutimi qellimisht në zhdukjen fizike të nji pakice të caktueme (këtu Kleri Katolik Shqiptar) vetem sepse kanë qenë kundërshtarë të vendosun të sistemit, jo thjeshtësisht si indidividë, por si nji grup shoqnor në vete, që kishte pranue vullnetarisht misionin e përhapjes dhe ruejtjes së fesë katolike në Shqipëri. Pak peshë çonte fakti që ky grup ka përba kolonën vërtebrore të organizimit të nji shoqnie të mobilizueme për qendresë në kryengritjen e Skenderbeut, krenaria e Historisë sonë kombëtare. Pak peshë çonte fakti se ka qenë pikërisht ky grup i veçantë që ka mbajtë të gjallë shqiptarizmin për mashumëse pesë shekuj robni otomane.
●Myfit Q. Bushati, 17 vjeç në 1946, u arrestue me Organizaten “Bashkimi Shqiptar”…
Ishte nxanës tek Jezuitët. Pyet: “Po cili ishte ky profesor? – Ky qé At Daniel Dajani, që ma vonë do të lagte tokën Arbënore me gjakun e Tij, për t’u ba flij për Atdheun… kishte kalue sa kohë, më njohu menjëherë dhe m’u drejtue me dashamirësi: “Myfit, a ké qenë nxanësi im?” E unë iu përgjegja: “Po, At, ashtu asht, por fati i zi na solli në duert e këtyne bishave.” – “Mos u merzit, djalë i dashtun, ti vërtetë jé shumë i rij, por duhet të kesh kurajo, se për një qellim të mirë jé këtu e Zoti i madh do të dijë si t’ ju shpërblejë të gjithëve për rininë që po sakrifikoni!”…At Gjon Shllaku holli poshtë akuzat pa bazë se ishte bashkëpuntor me At Dajanin e At Faustin, tue u shpreh tekstualisht: “Këto akuza nuk i pershtatën së vërtetës…por nga ana tjetër, pranoj me burrni se grupi i Tij nuk ka kenë nji grup që do të ngjallte dasina fetare, por përkundrazi, bashkimin e tyne në luftën kundër komunizmit, gja që e verteton se në këte grup bante pjesë edhe një antar i besimit musliman”. (E Ky ishte i nderuemi Myfit Q. Bushati, i cili mohoi kenjen në këte Organizatë të klerikëve që akuzoheshin në drejtim e që u pushkatuen pafaj. F.R.)
●Këte kujtesë për Këta Atdhetarë, do ta mbylli me veprën e paharrueshme të burgosunit politik nga Malësia e Reçit Caf Jonuzi, i cili ishte një nxanës i Don Luigj Picit, prift në Reç në vitin 1946, kur agjentët e sigurimit komunist Asllan Lici e Pal Mëlyshi, e vrane tradhëtisht… Cafi dinte vendin ku e varrosën Mësuesin e Tij Don Luigjin. Kur ishte tue vuejtë dënimin i çoi fjalë At Konrrad Gjolaj për vendin ku ndodhet trupi i Don Luigjit… Cafi bani 23 vjetë burg… Ishte bash Ai Burrë, Ky Caf Jonuzi, që mbas vitit 1991 jo vetem, tregoi vendin ku ndodhet trupi i Don Luigj Picit, po edhe organizoi ceremoninë mortore të Rivarrosjes së Tij ndër varrezat e Rrëmajit, ku mbajti edhe fjalën e rastit para arkës me Eshtnat e Mësuesit të vet të mbulueme me Flamurin e Shqipnisë!..
●Ndryshimi i rrugës së gabueme për edukimin Atdhetar e kulturor të Rinisë sonë asht urgjent dhe i domosdoshëm. Ky ndryshim duhet fillue nga programet dhe tekstet që janë në përdorim, ku vendin kryesor duhet ta zanë e Verteta Historike shkencore Kombtare.
Sigurisht këta ndryshime rrajsore duhet të përfshijnë edhe diasporën, që vazhdon me mësue edhe sot me programe të gjymtueme dhe të përgatituna me kahun krahinor.
Vetëm atëherë, Shqipnia do të sigurojë një Unitet Kombtar, bazë e një Pajtimi Kombtar, per një t’ ardhme të shëndoshtë të Rinisë sonë ma të Përparueme dhe Europjane!
(Ne Foto: Historiani i së vërtetës z. Agim MUSTA..)
Melbourne, Tetor 2014.( Eshte Pjesa IV ne vijim te ciklit te shkrimeve te autorit: Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Histori Tagged With: atdhetare shqiptar, Fritz radovani, per unitet kombetar, qe luftuan

ÇAMÇAKËZI I “AKADEMISË SË SHKENCAVE”…

October 28, 2014 by dgreca

Nëse dishroni me pa një popull pa t’ ardhme, “shkatrroni shkollat”! – At Pjeter Mëshkalla/
Nga Fritz RADOVANI*/
E shkreta Akademi e Shkencave e Republikës së Shqipnisë…/
Vertetë që paguhen mirë per me shkatrrue shkencat e kulturen Shqiptare, po sa pare ban, po ua nxjerrin per hundësh dokumentat që po botohen nder këta vite të ashtuquejtuna prej disave “tranzicion”… Se ku asht gjetë kjo fjalë e marrë, as unë nuk e kuptoj…Ishin rahat para 1991…
As nuk dij se çka shihet në “tranzicion”, kur asnjë fjalë nuk i asht shtue, mungue ase, i asht ndryshue të pakten “Historisë së Shqipnisë”, gati gabova “Historisë PPSH…”!
Janë 70 vjetë baltë e llom që “akademikët” e kanë mbajtë në gojë tue e pertypë, e madje, edhe kur e kanë gjetë “çamçakëzin” në ndonjë skutë rruge të pistë, e kanë marrë dhe e kanë futë prap në gojen e vet… Materiali i paraqitun nga “akademiku” Jup Kastrati, në Parathanjen e “shefit të sigurimit dhe hetuesit Rakip Beqja…” nuk ishte i pari i tij… Ai kujtohet edhe per fjalën e mbajtun me datën 29 Prill 1967, në mbledhjen e organizueme per “demaskimin” e jezuitit At Pjeter Mëshkalla, në Institutin Pedagogjik të Shkodres, ku me keqardhje e them, se “shumica e atyne agjentëve të sigurimit të shtetit komunist, hoqën masken e fëtyrës së vertetë të vetën”, tue sha e fye një prej edukatorëve ma të Mëdhej Atdhetarë të Popullit e Rinisë së Shqipnisë.
Aty At Mëshkallës, krimineli Xheudet Miloti per të dyten herë mbas 1946 i vuni hekrat…
E pse po “demaskohej” si mbas tyne At Pjeter Mëshkalla? – Pse kishte shkrue këte leter:
Kryetarit të Këshillit të Ministrave
Mehmet Shehu
Tiranë
Shkëlqesë,
Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit. Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen. Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Krytarit të Kësh. të Ministrave Me nderime
Mehmet Shehu Pjetër Mëshkalla
në Kryeministri – Tiranë meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.
5 Prill 1967.
***
Bana disa theksime dhe nenvizime, per me “rikujtue” se kujt i drejtohej Ky Burrë me këto fjalë, dhe cila nga këto fjalë nuk u realizuen tek “njeriu ynë i ri” nder shkollat, universitetet apo katedrat e tyne, ku edukonin dhe po edukojnë edhe sot, po me ata “programe e tekste shkollore” Rininë Shqiptare, jo vetem në Shqipni, po edhe gjithkah në diasporë?
A nuk asht e pranishme në Shkollat Shqiptare, edhe sot kjo thanje Profetike: “…kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut.”
***
●Ju lutem, lexoni edhe njëherë Parathanjen e “akademikut”…dhe “vlersimin e tij” me shokët e vet agjentë… per Klerin Katolik Shqiptar!.. Cilën fjalë apo cilit nga këta “akademikë…dr. prof.” i kanë hjekë titullin tash 70 vjetë pse po mashtrojnë Shqiptarët?
●Në Pjesën tjetër, do t’ Ju sjelli edhe disa dokumenta të tjerë… që tregojnë sesi e vlersonin Klerikët Katolik, Rinia e disa intelektualë Muslimanë Shqiptarë…
*Shkrimi eshte i treti i autorit ne vijim te rubrikes: Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, Tetor 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: ÇAMÇAKËZI I “AKADEMISË, Fritz radovani, SË SHKENCAVE”...

“SHKOLLAT SHQIPTARE”- VAZHDË E KONGRESIT ANTIKOMBTAR TË 1972

October 17, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/
Opinion nga Fritz Radovani/
Nëse dishroni me pa një popull pa t’ ardhme, “shkatrroni shkollat”!
Në janarin e vitit 1945, shovenistët jugosllavë të drejtuem nga komunisti Tito, udhëzuen veglen e tyne tradhëtare e anadollake në krye të qeverisë shqiptare, Enver Hoxhën, me fillue me “reformen arësimore”, tue i vue kazmen shkollave shqiptare laike e fetare në qytetin e Shkodres. Shkodra e njohun në mbarë rajonin e Ballkanit si djepi i kulturës Shqiptare, filloi “shkatrrimin” kulturor, ekonomik dhe tradicional me prirje Europjane. Shkollat fetare e kulturore të Veriut të Shqipnisë jo vetem u mbyllen, po u plaçkitën dhe u shkatrruen pergjithmonë. Pjesa ma e madhe e profesorëve u arrestuen, u dënuen, u pushkatuen dhe u interrnuen edhe familjet e tyne. Nuk po hyj me tregue se shka u ba me muzeumet, bibliotekat, arkivat apo veprat letrare dhe t’ artit që ruheshin me shekuj nder qelat apo kishat e vjetra të tyne. Armët e zbulueme nga arkeologu i njohun At Shtjefen Gjeçovi, arrijtën deri në Kremlin dhurue Stalinit nga hajduti Enver Hoxha.
Bazat e edukatës morale Shqiptare, “Besë, Burrni dhe Bujari” të ruejtuna nder shekuj dhe të trashigueme brez mbas brezi, u zevendsuen me “pabesinë, poshtersinë dhe spijunllekun” veti themelore të edukatës marksiste leniniste, per t’ arrijtë shkombtarizimin tonë nga shovenistët e rij sllavokomunistë të Jugosllavisë dhe të Bashkimit Sovjetik stalinist, me një grup tradhëtarësh ku ma i dijtuni i tyne Enver Hoxha, jo vetem ishte pa shkollë, po në kokën e tij i kishte mbetë vetem fanatizmi anadollak i mejtepeve të Gjinokastres, dhe urrejtja per Klerin Katolik Shqiptar. Këte e vertetojnë pushkatimet e para të vitit 1945 në Tiranë me Don Lazer Shantojen, dhe vrasja e një dijetari Atdhetar, Don Ndre Zadeja në Shkoder, melodramet e të cilit nuk persëriten kurrma!
Në vitin 1946 u arrestuen e torturuen të gjithë studentët “aktor teatri” në Shkoder, që kanë luejtë role nder ata melodrame, tue fillue nga Don Mark Hasi, i mbytun në burg në 1981. Enver Hoxha per hir të kolltukut preferoi Gjenocidin ndaj Klerit Katolik Shqiptar, ai shkatrroi traditat e Veriut, gjuhen e Tyne, shkollat, Fenë, Kishat e kuvendet dhe vrau ke deshti ai!
U zevendsue Formula “Atdhé, Fé, Perparim”, me “Enver, Tito, Stalin”!
Shqipnia u zhyt në llomin e injorancës dhe urrejtjes antiveriore, me kurset që u hapën për “edukimin” e kuadrove të partisë komuniste dhe të “mësuesëve” në kurset e analfabetëve, që shumë shpejtë i shohim në drejtimin e PKSh, komitetet ekzekutive, seksionet e arësimit, dhe në bankat e deputetëve të Kuvendit Popullor. Sherbimi i tyne per shkombtarizimin e Shqipnisë, u fillue në dy drejtime: Në perdhosjen e Historisë së Shqipnisë, me fallsifikime dhe gënjeshtra tue fillue nga shifra e 28.000 dëshmorëve të luftës nacional – çlirimtare, mija gjermanëve të vramë, dhe një së “vertetes” së pashpallun edhe sot: “Disa mija Shqiptarëve, të vramë e të pushkatuem nga brigadat partizane, në luften civile në Jug dhe Veri…gjatë vitit 1943 – 1944…”. Ndersa, fronti i dytë ishte kundër “shkollave të Gegënisë”, me heqjen e Emnit të At Gjergj Fishtës në letersi, (atëherë e sot) e deri tek vargu i dijetarëve që vazhdojnë me kenë të dëbuem nder shkolla!
Instruktorët që solli Tito dhe prap ma vonë Stalini, e deri tek “gardistët e kuq” të shokut Mao Ce Dun në vitin 1966, gjetën terrenin e pershtatshëm tek tradhëtarët tanë, aqsa me ua pasë zili dhe ata që na i sollën në drejtim të shtetit këta terroristë antishqiptarë.
Sot nder shkollat Shqiptare nuk zehen me gojë Emnat e Atdhetarëve Shqiptar, vetem nga Emnat e Tyne dhe se, duhet vazhdue me Histori të fallsifikueme të Shqipnisë tue fillue nga 1462, Imz. Pal Engjulli, Don Aleksandër SIRDANI, At Anton HARAPI, Anton LOGORECI, At Anton ZANONI, Arshi PIPA, At Bernardin PALAJ, At Benedikt DEMA, Branko MERXHANI, At Daniel GJEÇAJ, Dedë GAJTANI, Engjëll RADOJA, Ernest KOLIQI, Et’hem HAXHIADEMI, Elena LULI, Faik KONICA, Frano ALKAJ, At Gjergj FISHTA, Gjergj PEKMEZI, Gjon SINISHTA, Guljelm DEDA, Ilo Mitkë QAFËZEZI, At Justin RROTA, Don Kolec PRENNUSHI (Pseudonim Mujs POLEMI), Karl GURAKUQI, Kolë THAÇI, Konstantin KOTE, Kostë A. ÇEKREZI, Krist MALOKI, Kristo FLOQI, Lame KODRA (Sejfullah MALESHOVA), Don Lazër SHANTOJA (Pseudonim Y…), Lef NOSI, At Luigj MARLEKAJ, Luigj THAÇI, Lumo SKËNDO (Mit’hat FRASHËRI), At Marin SIRDANI, At Mark HARAPI, Mark DEMA, Martin CAMAJ, Mati LOGORECI, Mehdi FRASHËRI, Musine KOKALARI, Mustafa KRUJA – MERLIKA (Pseudonim Shpend BARDHI), Namik RESSULI, Ndoc VASIJA, Don Ndre ZADEJA, Don Nikoll GAZULLI, Nikoll DAKA, Don Nikoll MAZRREKU, At Pashko BARDHI, At Pjeter MËSHKALLA, Imzot Preng DOÇI, Qemal DRAÇINI, Sami REPISHTI, Simon SHUTERIQI, Stavro SKENDI, Tajar ZAVALANI, Vangjel KOÇA, Vasil ALARUPI (Bendo Shapërdani), Imzot Vinçenc PRENNUSHI, Zef M. HARAPI, Zef SCHIRO Jr. (I riu), Zef ZORBA, Zoj XOXA, At Zef VALENTINI, etj…
***
“Kongresi i drejtshkrimit i vitit 1972”, ishte vula me të cilen Enver Hoxha ka nenshkrue zyrtarisht me djallzinë e “ateistit” të 1967 se: “Shqiptarët duhet t’i pershtaten Kur’anit!”
E per fatin e keq të Shqipnisë, me këta tradhëtarë kanë bashkpunue edhe shumë të tjerë nga diaspora Shqiptare, deri në Amerikë dhe Australi. Këte të vertetë e kemi mësue vetem tashti, kur ndigjojmë dhe shohim Malësorin e Veriut tue i thanë Nanës Shqipni, “Nëna Shqipëri”!
Dhe, ja pse nuk studjohet i madhi At Fishta:
GJUHA SHQIPE
Porsi kanga e zogut t’ verës,
Qi vallzon n’ blerim të Prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjit’ e drandofillit:
Porsi vala e bregut t’ detit,
Porsi gjama e rrfés zgjetare,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtu a’ gjuha e jonë shqiptare.
Ah! Po; a’ e ambel fjala e sajë,
Porsi gjumi m’ nji kerthi,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pa mashtri;
Edhe ndihet tue kumbue,
Porsi fleta e Kerubinit,
Ka’ i bjen qiellvet tue flutrue
N’ t’ zjarrtat valle t’ amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqiptari,
Qi ketë gjuhë të Perendis,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ i a len ai fmis;
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Qi e perbuzë ketë gjuhë hyjnore;
Qi n’ gjuhë t’ huej, kur s’ asht nevoja,
Flet e t’ veten len mbas dore.
Në gjuhë shqipe nanat t’ona
Shi prej djepit na kanë thanun,
Se asht nji Zot, qi do t’a dona:
Njatë, qi jeten na ka dhanun;
Edhe shqip na thanë se Zoti
Per Shqiptarë Shqipnin e fali,
Se sa t’ enden stina e moti,
Do t’ a gzojn kta djalë mbas djali.
Shqip na vetë, po pik’ ma para,
N’ agim t’ jetës kur kemi shkue
Tue ndjekë flutra neper ara,
Shqip ma s’ pari kemi kndue:
Kemi kndue, po armët besnike,
Qi flakue kanë n’ dorë t’ Shqiptarvet,
Kah kanë dekë per besë jetike,
Kah kanë dekë kta per dhé t’ t’ Parvet.
Në ketë gjuhë edhe njai Leka,
Qi ‘i rruzllim mbretnin s’ i a xuni,
Qi kah bijtè ai, shkelte deka,
Shekllit mbarë ligjë t’ randë i vuni;
Në ketë gjuhë edhe Kastriota
U pat folë njatyne ushtrive,
Qi sa t’ ndrisë e diellit rrota,
Kanë me kenë ndera e trimnive.
Pra, Shqiptarë, çdo fés qi t’ jini,
Gegë e Toskë, malci e qyteta,
Gjuhen t’ uej kurr mos t’ a lini,
Mos t’ a lini sa t’ jetë jeta,
Por per té gjithmonë punoni;
Pse, sa t’ mbani gjuhen t’ uej,
Fisi i juej, vendi e zakoni
Kanë me u mbajtë larg kambet t’ huej.
Nper gjuhë shqipe bota mbarë
Ka me u njohtë se ç’ fis ju kini,
Ka me u njohtë ju per Shqiptarë:
Trima n’ za sikurse jini.
Prandej, pra, n’ e doni fisin,
Mali, bregu edhe Malcija
Prej njaj goje sot t’ brohrisin:
Me gjuhë t’ veten rrnoftë Shqipnija!
***
Në vazhdim të këtij materiali do të lexoni edhe çfarë shkruejnë “akademikët” tanë me aq urrejtje mbas vitit 1967, per kolosët e Atdheut tanë dhe pikrisht, per At Fishten…me titull:
Pjesa II: “JUP KASTRATI KY BIR (K…) I MADH I SHKODRES !”

Melbourne Tetor 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: “SHKOLLAT SHQIPTARE”- VAZHDË, ANTIKOMBTAR TË 1972, E KONGRESIT, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT