• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kujtoj Martirin e parë t’ vramë në 1945…

December 7, 2020 by dgreca

Nga Fritz Radovani/

Leter e Don Lazër Shantojës drejtue At Fishtës (1932):

A u bie në mend?
N’at oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnije…Ishi pështetë për parani të dritores s’odës s’ Uej e më hudhët prej andej nji citat latin, sikur i hidhet fëmijs nji kokërr bádem. Ashtu si tue qeshë. Ju më lavduet n’at mëngjez të vokët vjeshte s’dij tash bash mirë ç’artikull, e un U çova në qiell për nji shembëlltyrë krejt origjinale qi kishem këndue ndër ato dit në “Hyllin”. Shkruejshi për ata ministrat t’onë t’asaj kohe…qi nuk ishin të zott me marrë përgjegjësi për fjalë e veprime të veta, mësa shtyllat e telegrafës për fjalë qi përshkohen nëpër telat lidhun për to. E m’a pritët: “Asinus Asinum fricat”! 

A u bie në mend?
E mbramja herë, kujtoj, se u ndeshme së bashku, n’at oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnije.

E ajo ndeshje e fundit më kujton sod, o Fishtë, ndeshjen e parë me Jue, kur un, letrar atëherë me shpërgaj, U avita për të parën herë me të pimët e nji të vogli, me bindjen e nji neofiti. Në shkollën franciskane, në sallën e Drejtoris, n’at kryekuartjerin t’Uej prej kah Ju, rrethue nga oficirat e atij shteti madhuer në zhgun, ma e shuma rritë e edukue prej Jush, filluet luftat e lumnueshme kundra të huejve, zbuluet bukurit e vizaret e gjuhës shqipe, e bat ket me dalë nga stanet e kolibat tue e njitun mbretneshë në kathedrat e mësimit publik.

Më that: “Po ku je? Un tashma po plakem. Ku jeni ju të rijt?”   Kush ka pasë rasën fatlume me ndejë me Jue, ka mujtë me e ndigjue shpesh herë ket motiv prej gojës s’Uej t’ambël. Po plakem! Dam m’u plakë nji poet, P. Gjergj, as? Rrezik! 

U mundojshi njimend me veshë në varjacjone të ndryshme të humorit t’Uej të pashterrshëm, at motiv në mol: kallxojshi për vjetet e ujkut e për ato të qenit: rrahshi gjoksin e né mbram, si me dashtë me i dhanë vetes me at gjest force nji ngushllim të ligësht, e thojshi: 

“Paj, a s’jam tekembramja nji djalosh… pesdhetë vjetësh?”

E qe, Fishtë, se tash do kohë nji numër i veçantë i “Hyllit” më lajmonte, se në rabushin e jetës s’Uej koha kishte pre me briskun e saj mizuer edhe dhetë viza tjera. 

Gjashtëdhetë vjetësh pra…Djalosh?! 

E këndova, e përpina at numër. Por a e dijni? Nuk m’a mbushi kurrkund synin. Nji suazë tepër e vogël e e vorfën për nji kuadër aq të madh e të pasun. Nji symfoni beethoviane ekzekutue nga nji orqester zumaresh e kavallash. Nji modesti e kuptueshme ndalonte mjerisht tubën e vëllazënvet t’Uej t’Urdhnit, me marrë pjesë n’at kremtim letrare nji largësi qi nuk asht harresë ndaloi nji tubë tjetër vëllaznish t’Uej, në shpirt e n’art m’u shprehë mbi Jue e për Jue n’at rasë. 

Vrojta dhe nji mungesë tjetër n’at koncert. M’u duk se aty ishte harrue nota ma e bukur, ma e lumnushme e Jueja. Ajo notë qi U ban me kenë ça jeni: Fishta i jonë! Kush e këndoi atë notë, kush e spikati? Un nuk kam menden me përsritë o me kritikue këtu gjykimet e tjervet mbi Jue. Due vetëm t’U shtie në mend nji fjalëz të Goethes. Sa pare bajn ma në fund gjykimet e tjervet mbi nji poet? Gjykimi ma i mirë e i parrejshëm asht gjithmonë ai qi poeti vetë i ep vetes. E qe çë mendonte për vete ky vigan i popullit gjerman. E thotë me dy fjalë të shkurta, për  ata qi s’dijnë ça asht arti, të pakuptueshme. Goethe nuk lavdohet pse ka mbërrijtë me shkrue Faustin, por pse i ka dalë me shkrue pak si mirë gjermanisht: ein bisschen gutdeutsch… Këtu, Fishtë, rri edhe të tanë madhnija e Juej si letrar. Kjo asht nota qi U karakterizon. Kush këndon nji shkrim t’Uejin, në dashtë të jenë vargjet e Lahutës, në dashtë rradhët e nji artikulli, ai këndon shqip. Kurrkush ma mirë se Ju nuk dijti me e përdorë ket material të poetit, gjuhën. Në té asht i njeshun të tanë mysteri i personalitet t’Uej e i sendevet që Ju këndoni. Gjuha e Juej, fjalët, frazat, perjudhat janë erë e tokës së Shqipnisë, janë ngjyrë e qiellit të saj, lule të livadhevet t’Atmes, janë gurgullima e lumejve e fërshëllima e pyjeve të saja, trajta e maleve e e kodrinave të vendit. Aty lëvisë ritmi i gjakut shqiptar, tingëllon zani i qinde-e mijvjetve, pasqyrohen fytyrat e kreshnikvet e idealet ma të nalta të prisave e të fatosavet t’onë. Nji qi nuk asht shqiptar, qi nuk e ndien veten të tillë; qi nuk asht rritë e s’ka jetue me ket popull, ai mundohet kot: nuk U kupton. Ju jeni të papërkthyeshëm. Për me pérkthye shkrimet t’Ueja, duhet me shkrue brij tyne të tané historin, të tanë psyhologjin të atij populli të maleve t’ona. Titullin e poetit populluer në Shqipni e meritoni vetëm Ju. Munden tjerë, e pse jo?, me U a dalë ndoshta në lirikë, në dramë, në romanx, në fletorizëm, n’ato degë të ndryshme ndër të cilat dahen pema e leteratyrës; në poezinë popullore, n’artin e gjuhës Ju jeni e do të mbeteni i vetëm. Në vetmin’ e të mëdhajve, të gjenive. Të paarritshëme të pakapërcyeshëm. Nji! S’asht nevoja me kqyrë e me peshue gjithmonë ça Ju shprehni në këtë gjuhë. Unë, po Ua thom rrumbullak, nuk jam nji asijsh qi i pëlqejnë të tanë veprat t’Ueja, En bloc, mbyllasyzash. Shijimin t’em artistik bje fjala e knaqin shum herë katërmdhet vargjet e nji soneti të Mjedës shum ma tepër se katërdhet vargjet e ndonji melodrami t’Uej. Por këta s’do me thanë gja. Gjuha e Juej asht n’ vetvete art, kryeveper arti. E ban të tillë ndertesa e saj, muzika, ngjyra, veçansija. Ata qi janë mundue me shkrue mbas falsarigës s’Uej, kanë dështue deri tash gjithmonë. Kanë mbledhë, në gjasim të çamerdhokvet të shkollavet, fraza mbi fraza, i kanë shprazë të gjitha për nji herë, njenen mbas tjetret në faqen e parë të një artikulli, porsi shprazet nji babunë dardhash t’egra në nji gropë për me u ndukë, e në faqen e dytë të tij, hiç ma larg, të kanë dalë në frazeologjin e stilit stereotipik të fletorizmës, të kanë shkrue mbi eksigencat e jetës e mbi nevojën me marrë pozicion e prej kullosave të pastra të bjeshkave kanë ba nji salto mortale në bulevardet plot pluhun të metropolevet moderne e kanë thye qafën! 

Ata qi n’at numër të veçantë të “Hyllit” shkruen mbi Jue e mbi veprën t’Uej e harruen kët notë a nemose nuk e spikatën. Lypet ndoshta edhe nji farë distance për me e ndie e për me e shijue si duhet. Disa eleganca muzike nuk mund të shijohen me veshë tu grykat e trumbetavet të bombardonavet. Duhen ndëgjue larg. E na qi tash sa vjet jemi të dënuem me jetue larg popullit t’onë me gjinde e në dhe të huej, ku veshët s’na i prekë kumba e gjallë e zanit të tij, as kur këndon as kur qan, por hera-herë ndoj jehonë e rrallë e zbet e e vdekun, na jemi ndoshta për kët punë ma sensibil, ndiem ma fort e ma hollë. S’asht vetëm malli për tokë, asht dhe ai për gjuhë qi na zatetë, malli për trup e për shpirt të Shqipnis. Nji mik i emi, qi ishte shtrëngue me ndejë shum kohë në Belgrad pa pasë shoq shqiptar, ngitte me kërkue sharraxhit e bozaxhit e Kosovës për me hjekë mall e me folë shqip me ta. Jam edhe un tash nji vjetë në hallin e atij miku. As flas, as ndie tue folë shqip tash sa kohë. Ça baj? Marr Lahutën, marr nji vjershë t’Uejen, cilendo, këndoj me za të naltë shqip e, a ma besoni, qaj… Nuk qaj pra  fort kollaj un kur këndoj shqip. Mbushem ma tepër për maraz kur shoh ça shkruhet e si shkruhet shqip.Kur shoh matrapazat në lulishtat e poezis e n’oborret e prozës s’onë, kur shoh cuba tue vjedhë ndër ata të Parnazit karabusha për me i a qitë mbandej si laradasha të përzhitun shqip kombit e m’u quejt aktorë e me krrucë ndoshta edhe ndoj grusht verdhukë. Jo, jo, Pater Gjergj, nuk qaj un kollaj kur këndoj shqip. Por gadi gjithmonë kur këndoj fjalën t’Uej. E në qetin e atij vaji të shpërthyem nga bukurija e gjuhës s’Uej, e gjuhës s’onë, kuptoj sende qi asnji histori, asnji psyhologji nuk do t’ishin të zojat me më zhvillue. Atëherë kuptoj se si nji popull kaq i shkretë, kaq i salvuem, kaq i sprovuem, ban se ban hije mbi tokë e nuk ndigjon me vdekë. Atëhërë kuptoj se pse zemra e nji Plaku, mbi të cilin rrahin tallazet e detit të botës, moliset e pse syt e Tij derdhin lot kur shofin para vetes nji tubë burrash e grash shqiptare. Kuptoj atëherë edhe lotët e Pios së XI.

                     “Shejzat”, vjeta V, nr. 11-12, nanduer-dhetuer 1961.

Shkruen Prof. Ernest Koliqi, në vitin 1961…

“Kemi fatin e bardhë t’u paraqesim lexuesvet nji margaritar të çmueshëm, nji shkrim të pa botuem t’orziut Don Lazër Shantojës mbi Fishtën. Asht nji letër e hapun të cilën shkrimtari me at styl të gjallë e të hollë të vetin i drejtonte poetit nga La Motte (Jura Bernois, Zvicër) ku aso kohe (1932) e kishin hjedhun dallgat e mërgimit e ku ushtronte ofiqin e famullitarit. Arsyena të lidhuna me kushtet e tija si i mërguem banë qi letra të mbette pa u shtypë. Nji miqësi vëllaznore na lidhte me Shantojën, e themelueme në dalldi të përbashkët letrare. Shum shkrime të të ndiemit Mik ruejmë me kujdes plot nderim në kartotekën tonë private tue pritë rasën e volitshëme me i botue në vëllim. 

Letra mbi Fishtën na duket se në kët Numër të Vaçantë e ka vendin ma të përshtatun”.

Shenim F.Radovani: E s’ besoj se ka vend ma të pershtatshëm se ky, sot në Vitin e At Gjergj Fishtés 2020. Nga botimi i Prof. Ernest Koliqit kuptohet se Arkivi i Tij, ruen vlera të mëdha. 

Fatkeqsi e madhe se kush po e drejton sot të shkreten Shqipni! 

Melbourne,   Dhjetor 2020.

Filed Under: Histori Tagged With: Fishta, Fritz radovani, Lazer Shantoja

RRETH ASAJ VOTER…

November 11, 2020 by dgreca

 Nga Fritz RADOVANI/

RRETH ASAJ VOTER…/

Don Lazer Jubani

   Don Simon Jubani/

35 VJET:Mund t’ju duket çudi sësi dy vllazën pa pasë asnjë të keqe njëni me tjetrin për 35 vjet nuk kanë folë kurr bashkë, tue kenë të një oxhaku. Ndokush mendon menjëherë se shkaktarë mund të jenë.., dikush tjetër fajson plakën, dikush kushrinjtë.., por, askush nuk mund të kuptojnë se këta dy vllazën janë dy Klerikë Katolik të nderuem..,dhe, nuk kanë aspak të bajnë me hipotezat e sipërmendueme. 

Sikur të lexonim një libër apo të kishim mundësi me pa një film me jetën e këtyne dy vllazënve, në fund do të thonim me vete: “Çfarë fantazije kanë artistat, apo çfarë ideje i ka lindë atij regjizori me sajue me këta dy vllazën, kjo asht fantazi, në jetë nuk ngjet kurr kështu!” 

Shqipnia asht shumë e vogël. Shkodra edhe shumëherë ma e vogël! Shtëpija ku asht zhvillue ngjarja as nuk krahasohët me asnjenën, prandej edhe asht e vështirë me u besue se. kjo asht ngjarje e vërtetë e ndodhun, madje, edhe në një Shqipni të izolueme nga Bota, ku njerzit me vështirsi qarkullonin nga një qytet në tjetrin.., se për jashta Shqipnie nuk bahej fjalë fare e, sidomos, për Klerikët as nuk mendohej. 

Shkodra dhe historia e saj janë kenë subjekt i shumë ngjarjeve tronditëse, prandej populli i saj me të drejtë krenohet për të kaluemen e lavdishme. Komunizmi sadist everian në Shkoder ka eksperimentue të gjitha thanjet e fantazitë e Leninit, Stalinit, Mao Ce Dunit, Everit, Pali Miskës, Hekuran Isajt, Lenka Çukos apo Ramiz Efendisë me shokë.

Lenini në 1922, thonte: “…Të asgjësojmë qëndresën e priftënve dhe të murgeshave me një mizori të tillë që t’a mbajnë mend me dekada të tana!…” Çdo gja që nevojitëj me zbatue këte thanje e ke gjetë në Degën e Mbrendshme të qytetit Martirë të Shkodres, madje, edhe pak ma zi se i ka shkue mendja këtyne “klasikve” të marksizëm – leninizmit apo pasuesve të tyne kriminelë e gjakatarë të pashoq, se aty u grumbulluen sherbëtorët e shovenistëve sllav, fanatikët antikatolikë, të gjitha fundrritë e padijes dhe rrënuesit fshataresk të antiqytetnimit Evropjan Përendimor, që mbartë mbrenda vetës doktrina regresive komuniste, përballë Përparimit t’Atdheut të rujtuna në “Seksionin katolik”! 

Ja dhe fakti që vërteton titullin e këtij shkrimi aqsa rrënqethës aq edhe makabër me u mendue se ka ndodhë në një qytet me ma pak se 28.000 banorë në vitin 1946, ku kishte 26 burgje të diktaturës komuniste dhe disa dhjetra hetues terrorist e amoral e kriminel analfabet. 

Ngjarja zhvillohet në rrugën Ballabane të qytetit, në shtëpinë e Zef e Çile Jubanit. Nana Çile detyrohet me përballue jetesën tue rrah me orë tezgjahun, për me rritë tre djelmë jetima. Dy prej tyne zgjedhin rrugën e Meshtarisë, Lazri dhe Simoni. Lazri vazhdon Seminarin e Jezuitve dhe kur ishte endè aty, bie në sy pergatitja e Tij serioze si Meshtar dhe si studjues i mirë në lamën e historisë. 

Në vitin 1947, në moshen 22 vjeçare e marrin ushtar dhe, asht në pragun e zhdukjes, kur pushkatohet shoku i Tij Don Dedë Maçaj. Pra, Don Lazri atëherë fillon Kalvarin, tue u dënue me 15 vjet burg nga të cilat shumë vite i kalon në burgun famkeq të Burrelit. Mbas 10 vjetësh lirohet nga burgu dhe interrnohet në Gradishtë të Lushnjes, ku qendron edhe 5 vjet tjera aty, deri në vitin 1963.., vit në të cilin lirohet dhe vjen në Shkoder. Në periudhën e “Revolucionit Ideologjik dhe Kultural” të 1967 detyrohet me hy në punë në fermën “Perlat Rexhepi” të Shkodres, ku çdo ditë me biçikletë shkon me fitue “kafshatën e gojës”.., deri me datën  29 Korrik 1982, që vdes i helmatisun nga një shok i punës i quejtun Marleci, kur po hanin bashkë “bukë me djathë” atë mengjez, prej një domatës që i jep shoku i vet. Në spitalin civil të Shkodres, mjekët “nuk dinë me e mjekue”…kështu, në moshën 57 vjeçare Don Lazër Jubani mbyllë “dosjen” e hapun në vitin 1947…si shumë shokë të Tij.

Simoni i vllai, ishte tri vjet ma i ri, le me 5 Mars 1928. Në vitin 1946 kur mbyllet shkolla e Jezuitve nga komunistët nuk mërrinë me e përfundue, kështu punësohet si infermjer pranë dispenserisë qytetit. Aktivizohet me sportin dhe asht ndër futbollistët ma të mirë të klubit “Vllaznia” në Shkoder, por gjatë kësaj kohe ndryshon drejtimin e rrugës së jetës, edhe pse i vëllai asht i burgosun vetëm se ishte Meshtar, Simoni ndjekë mësheftas studimet e duhuna dhe me datën 4 Maji 1958, shugurohet Meshtar nga Imzot Errnesto Çoba. Shugurimi i Tij ishte një pranim me vetdije të plotë i një Martirizimi që do ta ndiqte gjithë jetën. Asnjë pikë mëshire nuk do të kishin terroristët komunist ndaj Klerit Katolik Shqiptar në asnjë periudhë të kenjes së tyne në pushtet, gja e cila ishte e kuptueshme për kedo që ia hynte asaj rrugë. Ndërsa, për Don Simon Jubanin ishte edhe e provueme me vëllain e Tij Don Lazrin, i cili asokohe kalbej burgjesh e kampesh së shfarosjes…

Kur Don Simoni ka lanë Shkodren e asht Meshtar në Mirditë në 1963, Don Simoni arrestohet, dhe kur vëllai i Tij Don Lazri, u lirue nga interrnimi, kështu, Don Simoni i akuzuem, i hetuem, i dënuem, i masakruem dhe i ridënuem, i spijunuem, i dënuem herë dhjetë e herë njëzet vjet, kalon jetën 26 vjet në një nga burgjet historike të komunizmit, në Burrel, ku, Ai aty tashti kishte edhe “birucën e Don Simonit”, e njohun nga të gjithë ata që kanë vuejtë në atë burg…

Lirohet me amnesti të imponueme nga jashtë në vitin 1989. Kishte 7 vjet që Don Lazri kishte vdekë…

Ishin plot 35 vjet që dy vëllaznit Meshtar të një oxhaku nuk ishin takue kurr me njenitjetrin, nuk kishin ngranë një drekë apo një darkë bashkë, nuk kishin asnjë mundësi komunikimi as konsultimi për hallet apo idhnimet e jetes  së Tyne, që filluen në vitin 1947 dhe vazhduen deri në vitin 1989…

Por historia e Don Simon Jubanit nuk mbyllet këtu! 

Meshtari “i pabindun” siç, e kanë quejtë komunistët, vazhdon me ecë shpejtë si gjithmonë edhe mbas atij burgu të tejzgjatun…gja e cila, krijon dyshime tek Sigurimi, i cili me 13 janar 1990, në pragun e Asaj ngjarje të madhe që do të lëkundin thëmelët e komunizmit edhe në Shqipni, pikërisht, atë natë Don Simoni do të arrestohet me shumë shkodranë tjerë, që me datën 14 Janar kishin organizue një Demostratë të heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, ku mendohej se “edhe mund të rrëzohej monumenti i Stalinit”, për këte arësye xhelati Zylyftar Ramizi me urdhën të diktatorit gjakatar Ramiz Alia, bani ata arrestime që u pasuen me masakra dhe tortura. Ata, që i provuen me ditë të tana nuk kanë muejtë me u çue në kambë. Por Don Simoni asht i pafaj. Lirohet, ndërsa, organizatorët e Asaj Demostrate dënohën. 

Vrasja e Djaloshit Pëllumb Pllumbaj në tentativë arratisje ishte prap një trathti e re mbi ligjin e aprovuem “me gjobitje” për ata që kapën në kufi. Sigurimi shtetit dhe UDB-ja jugosllave vazhdojnë së bashku, lojën e vjetër të mashtrimit dhe të dorzimit të atyne që mund të mendonin me u arratisë. Askujt nuk i shkon mendja se funerali i Pëllumbit të Ri do të jetë një revoltë e Atyne Heronjve që banin mbi sypet e tyne arkivolin e Atij Djali. Posa korteu mërrinë tek komiteti i partisë së Shkodres, shpërthen dufi i një Populli që ka ndrye në zemër për 45 vjet urrejtjën për komunizmin, Ramiz Alinë dhe Nexhmije….Hoxhën dhe, vazhdon thirrja e Atyne Burrave gjatë gjithë Fushës së Çelës, nga Rusi e deri tek vorret e Stom Golemit, ku me arkivol në krah bahën thirrje për rrëzimin e komunizmit… 

Mbas kësaj ngjarje në muejn korrik, duket sikur koha po ecën ma shpejtë. Afrohet muej i Purgatorve, Nandori i 1990. Zakonisht në Shkoder asht tregue shumë kujdes për rregullimin dhe zbukurimin e vorreve në këte muej. Siduket, kur i Ndjeri Gjon Kamsi pat mërrijtë me shpëtue nga shkatrrimi Vorrezat e Rëmajt, ka parandi dishka për Atë ngjarje aq të Madhe që do të ngjasin Aty me datën 4 dhe do të pasohet me datën 11 Nandor 1990, tue u ba Dita e Fitorës së Demokracisë në Shkoder, simbol i mbarë Shqipnisë. 

Nën një shi e fortunë vjeshte në mes Atyne selvijave të nalta Don Simon Jubani thotë Meshën e Parë, mbas 23 vjetësh të “Revolucionit Ideologjik e Kultural”, që e pat drejtue në Shkoder, “bilbili” i PPSH, Ramiz Alia. Ndonse, në vitin 1985, pak ditë mbas datës 11 Prill kur pat ardhë në Shkoder, pat lanë porosi: “…shoku Enver na la…armiqtë e partisë kanë për të kërkuar për të prishë unitetin tonë…do të kërkojnë për të gjetur mundësinë e realizimit të qellimeve të tyre të këqija ndaj partisë.., prandaj, të jemi vigjilent, sidomos me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë partinë. Ata në këte situatë kanë për të kërkuar për të përfituar për të përçarë këtë unitet të partisë sonë…por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël mos prisni, por sinjalizoni partinë, veni prangat dhe jepni plumbin ballit…”. 

Dhe, me të vërtetë nga data 4 Nandor e deri me 10 në darkë, mund të thohet se disa apartamente karrshi Vorrezave të Rëmajit kishin aq arsenale armësh në katët e sipërme, sa ndoshta po të përdoreshin, njerzit që do të vriteshin do t’ishin ma shumë sesa të varrosunit aty në 100 vjet që janë hapë Ata Vorre. Vagona të tanë me sampista e ushtarë..,gadishmeni nr.1 në të gjitha repartet ushtarake të Veriut. Telefoni i Ramiz Alisë për orë të tana të datës 10 të së shtunës, i jepte urdhna sekretarit të parë të PPSH Shkodres Xhemal Dymbyles, sesi me ba gjakderdhje e terror me datën 11 në Rrëmaj, nëse Don Simon Jubani do të guxonte me thanë Meshën e paralajmërueme nga Ai vetë, që me datën 4 Nandor ora 12.00… 

Aty nga ora 10.45’ jam nisë me shkue me të gjithë familjen ndër Vorre. Kur ishe tek dera e Vorreve, vërejta shumë Musliman jashta Vorreve të grumbulluem tek dera. Unë për një çast dyshova për ndonjë keqkuptim, përderisa ata ishin në rrugë jashta Vorreve. Njohta një ndër Ata dhe e pyeta se, pse keni ndejë përjashta? Ai më tha: “Ju hyni e shihni Meshë, nëse do të ndërhyjnë forcat speciale dhe ushtarët që janë ndër vagonat e trenit kundër jush, na do të futemi menjëherë mbas tyne dhe do të përdorim armët që kemi në trup dhe mbas këtyne apartamenteve ndër makina…Rrini të qetë se vëllau në ditë të ngushtë njihet, na nuk largohemi prej këtu pa përfundue Mesha..,jemi ma shumë se 500 vetë!”… 

Uniteti i Popullit të Shkodres në datën 11 Nandor 1990 dhe, tek Xhamija e Plumbit me datën 15 Nandor, asht Modeli i Vllaznimit të Muslimanve dhe Katolikve Shkodranë, që i bashkonte një Truell i Vetëm që quhët Shqipni, e lame me Gjakun e Martirve të Saj: Ndue Pali, Caf Meta, Paulin Pali, Muzafer Pipa, Kolë Prela, Qemal Draçini, Bardhosh Dani e Mark Cacaj e mija, mija të tjerë që lindën, luftuen dhe ranë Heroikisht të gjithë bashkë po, pranë Atyne Vorreve, ku ishin Betue mbi gurët e Tokës Nanë Shqipni. 

Rinia e sotme Shkodrane, duhet të përulet me Nderim para gurve të Zallit të Kirit dhe, të mundohet “vetëm” me rikujtue: “Pse vdiqën së bashku Këta Vëllazën Shqiptarë?!..”  

Kurr mos harroni thanjën e një filozofi të madh Shqiptar, At Anton Harapit: “Lumninë e jep deka, Kunorën e ven Vorri!..” 

Me 11 Nandor edhe Don Simon Jubani mbi Ata Vorre vuni një Kunorë dafinash! E.., unë e pashë tek dy Çinarët me sytë e mijë Atë Burrë me dorë të drejtueme nga një gropë e hapun që në 1945 në Rrëmaj, kur, i tha komunizmit: 

“Hi ke kenë e, hi ke me u ba!…” 

Po, po, Aty, bash Aty, ku lindi dhe u ruejt përjetësisht: “Liria, Vllaznia dhe Demokracia Shqiptare”…  

Melbourne, 11 Nandor 2020.

Filed Under: Histori Tagged With: Don Lazer jubani, Don Simon Jubani, Fritz radovani

KUJTOJ NDUE PALIN

November 1, 2020 by dgreca

Nga Fritz Radovani/

JANAR 1945: 118 Burra të Malësisë pushkatohen e hidhen në lumejë…

2 NANDOR 1945: Dhunohen gropat e të vramëve në Zallin e Kirit…

Ky djalë hyni nder të parat gropa në Zallin e Kirit… Me 15 Gusht 1945…

Kushedi sa herë kam pyet veten: “A ka guralec të pa lamë me gjak Zalli i Kirit, pranë Vorreve të Rrëmajit në Shkoder?!”… – Nuk besoj !! Lindëm e u plakëm me krismat e automatikëve e rrëkajët e gjakut që derdheshin në lumin Kir… E nder kaçuba ferrash, qira të ndezun prej Nanave tona, që tash 75 vjetë lotët e lutjet e Tyne vazhdojnë pa Ua dijtë as Eshtnat… 

Ikën një brez i tanë tue vue shenja e tue daltue shkronja tek Penda e Kirit po, të gjithë me zemer të plasun pa mujtë me Ua la Eshtnat nga balta dhe plehu i derdhun mbi gropat e Tyne, per njëgjysë shekulli tirani enveriste e ramiziste që e sundoi Popullin Shqiptar, me terror e vrasje barbare! 

Kur në degët e Çinarve shekullor fillonin me ardhë  dallndyshat, asnjena prej tyne nuk mujte me perfundue vjerrshen e Filip Shirokës, “Dallnyshë shko!”… E tymi i armëve të pabesa komuniste vazhdonte me nxi Kryqat e Vorreve të Rrëmajit, që tash 75 vjetë nuk janë tha një çast nga lotët e mija Nanave e Motrave Shkodrane, që vazhdojnë me puthë guralecat pertokë. 

Sa ruba e zezë e degermia e bardhë asht qendisë me ferrat e atij Zalli… 

Veç kur çoheshim prej gjumit e kerkojshim “driten” me shue friken që na kishte pushtue zemren në piken e shperthimit armëve vrastare me një të pafund gëërrrrrr… Që, shpeshë, e shifshim nder andrrat tona fëminore!  

Nuk fshihej nga kujtesa ynë asnjëherë ardhja e kamjonit me ushtarë, tek Vorret e Ndue Palit e Caf Metit me vllazen, të vramë me 15 Gusht 1945… 

Thymja e Kryqave e Shenjave mbi vorre, shtjelmat mbi fotografia dhe mbi Nanat e Tyne e, njerzit per rreth, nuk mund të fshihen nga kujtesa! 

Ajo pamje e mnershme e 2 Nandorit 1945 asht “komunizmi” i vertetë!

E komunizmi i vertetë asht vetem ai që po provon prap Populli Shqiptar!

Melbourne, 1 Nandor 2020. 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Kujtoj, Ndue Pali

Kujtoj Fratin e pervujtë dhe të zbathun…

September 14, 2020 by dgreca

2020- VITI I AT GJERGJ FISHTES:Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme….- 

Shpate e perkrenare

           -8o VJET-1940 – 2020- AT GJERGJ FISHTA O.F.M.- ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR !-MESAZHI: Vllazen e Motra Shqiptarë! Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit. 

Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni… 

Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:  “VITIN  2020  VITI  I  AT  GJERGJ  FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019.                              Me respekt, Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:

Fratin e pervujtë dhe të zbathun

At Gjergj Fishta OFM

 Foto MARUBI e paraqet artist arkitekt dhe piktor. 

C:\Users\User\Desktop\KUVENDI.jpg

Kuvendi e Biblioteka e Fretenve (projekt i At Fishtës)

Fillimisht At Fishta si arkitekt asht diftue tek ndërtesa e bukur Qela e Lezhës, e cila ka dritare të mëdha e të hijshme, ku bie në sy mikpritja e fratit, e ku asht edhe dhoma e At Gjergjit, në të cilën ka shkrue disa pjesë të Lahutës, dishmon nxanësi i Tij At Leon Kabashi OFM., edhe Ky piktor i njoftun.

Kisha e re e Motravet Stigmatine, Kisha e Prekalit, e Toplanës në Dukagjin, dhe ajo e Rubikut, janë vepra arkitektorale të At Gjergj Fishtës, ku duhet të ndalohemi e të mendojmë…

Përmendet Kisha e Prekalit (Dukagjin) “te Gurra e Zhylës, një vend pushimi për shtegtarin e Maleve tona, dëshmi feje dhe burrnie për malësorin, ndër Thermopilajt e Dukagjinit, ku pa mëshirë për qinda vite iu ndal hovi rrymës aziatike, u desht një muranë e denjë për atë kufi të Shenjt; At Gjergj Fishta në bashkëpunim me mikun e vet ingjinierin Ludovik Zojzi, kanë realizue projektin e ri simbas stilit të bukur në vitin 1938.

“Ku ma fort u zgjue dashunia për klasicizëm, se në hartimin e Kishës së lagjes Rus (Shkodër)?” Simbas At Leon Kabashit, At Fishta në atë shesh, ngriti mbas qinda vjetësh jetën klasike si dikur në Firencen e familjes së famshme Mediçi.

Kisha e lagjes Arra-Madhe (Shkodër), me kumbonare të bukur që i përkiste kohës së Turqisë, ka pritë At Fishtën, i cili bashkë po me ingjinier Ludovik Zojzin, morën planin e vjetër ku me vështirsi e guxim bashkuen dy ndërtesa në një.

Nder veprat e arkitekturës moderne ishin (per fat) dhe shumë ndërhymje të At Fishtës në Kuvendin Françeskan të Shkodrës, sidomos në Bibliotekën e Françeskanve, ku Ai kaloi jeten…

Në vitin 1907, At Fishta ka pasë projektue Teatrin e Fretenve në Shkoder, pranë shkollës së tyne. Aty u vune në skenë mjaft vepra të Tij. E sot, ndoshta ai teater asht ma i vjetri në Shqipni.

Nder veprat ma të njoftuna janë:

“Kisha e re e Motravet Stigmatine (Shkoder).

Kisha e lagjes Arra-Madhe (Shkodër).

Kisha e lagjes Rus (Shkodër).

Kuvendi Françeskan në kishën e Lezhës.

Kisha e Rrubikut.

Sa herë udhtonte jashtë Shqipnisë, blente libra, riprodhime arkitekturore e piktura të autorve me fame botnore, të cilat i sillte në  biblioteken e re të Kuvendit Fretenve të Shkodrës, që e kishte ndërtue simbas projekteve arkitektorale të tij.

Në kujtimet e Tij, At Fishta do të shkonte po në atë Akademi n’ Siena në vitin 1936, atëherë kur një nxënës  i tij fitoi konkursin e vitit akademik në 1935. Në këte rast At Fishta u shpreh para të huejve:“Po provoj nji ndër gëzimet ma të mëdha e ma të rralla të jetës seme, dhe më duket si andërr kur shof sot qi nji bir Shqiptari brohoritet për fitoren e meritueme në art prej përfaqsuesve, profesorave e konkurentave”.

Shenjat magjistrale të Lahutës së Malësisë a nuk janë pikturat më të bukura të ngjyrave ma të zgjedhuna? 

Lahuta asht nji pinakotekë e artit kombtar ku, Poeti pikturon gjallë tipat, personat, kostumet, shenjat, një depozitë motivesh kombtare që Ai,  Jua la piktorve të ardhshëm t’ Shqipnisë.

Shenim FR: A permendet sot emni i At Gjergjit në shkollat e artit? 

Po emni i nderuem i Ingj. Ludovik Zojzit, si bashkpuntor i At Fishtës? 

A ka lanë vepra artit At Leon Kabashi, i njoftun piktor në Shkoder? 

Të gjithë emnat e “harruem” e kanë një domethanje, e kanë një “PSE” ?!

Data 15 Shtator 1943  kur vritet me atentat nga komunistet në Tiranë Ingj. Ludovik ZOJZI, asht një nga ditët ma të zeza të artit kombtar. Ai ishte  projektuesi i varrezave të Rrëmajit në Shkoder. Një nder ato vepra arti që Shkodra dishmon pavdeksinë e vet shekullore. Aty asht edhe Ajo firmë e Ludovik Zojzit, që u vra vetem se nuk bashkpunoi me komunista.

Emnat e mëdhaj t’ artit dhe të kultures sonë Shqiptare, që me dashje po 

punohet me u “harrue, me u fshij dhe me u zhdukë” nga “akademia” antikulturore e antishkencore e Tiranës së asaj “Rilindjes” komuniste, MOS HARRONI SE ATA JANË TË DALTUEM NË MURET E ROZAFES, E NË THEMELET E SAJA TË KULTURËS EUROPJANE PERËNDIMORE !  Melbourne, 13 Shtator 2020.

Filed Under: Histori Tagged With: At Gjergj Fishten, Fritz radovani, Kujtoj Fratin e pervuejte

KUJTESË- KOMPOZITORI I OPERES SË PARË SHQIPTARE “JUDA MAKABE”

July 20, 2020 by dgreca

2020- VITI I AT GJERGJ FISHTES–8o VJET-1940 – 2020/  /

Shpate e perkrenare

    AT GJERGJ FISHTA O.F.M. ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR !

  PLLAKAT NGA FRITZ RADOVANI (2019)

Vllazen e Motra Shqiptarë! 

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit. 

Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni… 

Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue: 

“VITIN  2020  VITI  I  AT  GJERGJ  FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019.                             

Me respekt, Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh: KOMPOZITORIN E OPERES SË PARË SHQIPTARE “JUDA  MAKABE” 

AT  MARTIN  GJOKA O.F.M.

(2 Prill 1890 – 3 ShKURT 1940)

130 VJETORI I LINDJES… 

80 VJETORI I VDEKJES… 

Asht le në Tivar nga prindët Filip e Marije Gjoka, me emnin Mati. 

Në moshen 15 vjeçare ka shkue në Kolegjin e Françeskanve të Shkodres. Ka vazhdue studimet deri në 18 vjeç. Vazhdoi në Salzburg t’ Austrisë, ku perveç studimeve teologjike studjoi nga prirja per muzikë pjanoforten, flautin dhe violinen. Kompozimet e para ua dedikoi dy miqve, Palok Kurtit dhe At Shtjefen Gjeçovi, me titujt “Liria” dhe “Atdhe dhe gjuhë shqiptare”. U kthye në Shkoder pak ditë para shpalljes së Pamvarsisë kur kompanjeli i Fretenve u lidh me drita me minaren e Xhamisë së Fushës së Çelës nga At Gjergj Fishta. Jep mësim në kolegjin “Illyricum” të Fretënve në Shkoder, në landët histori e gjeografi, dhe gjuhë gjermane. 

Krijoi orkestren në 1922, që fitoi dhe konkursin kombtar më 1930. 

At Gjoka ishte i pari që kompozoi muzikë klasike në Shqipni në zhanrre të ndryshme. Gjatë vjetit 1936 e transferuen nga Shkodra në famullinë e Planit. U kthye mbas 3 vjetve. Tue ndjekë traditën e kompozitorëve si Bach dhe Handel, Gjoka kompozoi muzikë polifonike dhe korale, si dhe la të papërfundueme një simfoni me vlerë të madhe kombtare me titull “Dy lule mbi vorr të Skanderbeut”, 1922. 

Për shkak të mungesës së institucioneve muzikore veprat e tij mbetën t’izolueme per një kohë. Mbas 1944 nuk bisedohej ma per ta.

Shkodra u bâ qendra mâ e randësishme e jetës muzikore në Shqipni, gjatë periudhës midis dy luftave botnore. 

Veprat e njohuna t’ Át Fishtës “Juda Makabe”-1915 dhe “Shqyptarja e qytetnueme”-1917, u vuene në skenë me muzikën e Át Martin Gjokes, gjithashtu edhe vepra të Át Vinçenc Prennushit dhe Át L. de Martinos.

Nxanës të At Gjokës ishin të gjithë muzikantët e mavonshem tue fillue nga Prenkë Jakova, Tonin Harapi, Çesk Zadeja, Tish Daija,  Tonin Rrota, Pjetër Dungu,  Simon Gjoni, Zef Gruda, Lukë Kaçaj, Gjon Kujxhia etj.

Vepra të njohuna janë: “O ata t’lumtë që dhanë jetën”, “Atmes”, “T’falem Shqypni..; “Lamtumirë, o vendet e mia”; “Grueja shqyptare”, “Atmes: Porsi Shqipe n’hove t’veta” etj. Në muzikën instrumentale, simfonike e operistike: “Liria”, “Atdhe e gjuhë Shqiptare”, “Shqiptari e muzika” etj. 

Nuk mungon tek krijimtaria e At Gjokës edhe tema lirike baritore e ajo për fëmijë. Larmisë tematike i përgjegjet një larmí e madhe formash muzikore. Ai lavroi pothuej në të gjitha gjinitë vokale e instrumentale. 

Në gjinitë vokale lavroi kangën e tipit popullor e të përpunueme, kangën për fëmijë e lirike, koralet, baladën, rapsodinë, potpurinë, melodrama e deri tek opera. Në gjini instrumentale e simfonike: pjesë për pianoforte, harmonium, flaut, pjesë orkestrale, fantazia e deri tek simfonia. 

Melosi i Tij âsht i mbështetun mirë në trevat e Veriut, folklorin e të cilit e studioi thellë dhe e asimiloi në mënyrë krijuese. Pak kush e njihte si Ai.

Kur shndeti i Tij u dobësue më 3 shkurt 1940 vdiq në Shkodër në moshën 50 – vjeçare nga nji infarkt fatal. Populli i Shkodrës me nderime të mëdha e dashuni e përcolli At Martinin në vorrezat e Kishës së Fretënve. Gjatë Meshës kori ekzekutoi pjesë nga vepra e Tij prej muzikës kishtare.

Asht nder krijuesit e muzikës sonë, nder ma të mëdhajt e Shekullit XX.

https://upload.wikimedia.org/wikipedia/sq/thumb/f/f5/MGjoka.jpg/220px-MGjoka.jpg

Banda muzikore e Shoqnisë “Illyricum” me drejtues 

At Martin Gjoken (1922) Shkoder.

Shenim nga F.Radovani: At Martin Gjoka O.F.M., na ka lanë në muziken tonë të perfundueme Operen e Parë Shqiptare “JUDA MAKABE”, me tekst të At Gjergj Fishtës. Ajo njihej mirë nga Prof. Zef Zorba, i cili në vitin 1992 ishte dakord me e vue në skenen e Teatrit “Migjeni”n’Shkoder, po fatkeqsisht nuk u pergjegj askush per shpenzime, megjithë perpjekjet e drejtorit z. Ndoc Çefa… Shkodra i mbeti borxh kompozitorit madh dhe muzikantit të pavdekshem At Martin Gjoka.E ky nuk asht “borxhi” i parë!

Melbourne, 20 Korrik 2020. 

Filed Under: ESSE Tagged With: AT MARTIN GJOKA O.F.M., Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT