• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“PAK DRITË ! – MEHR LICHT !”

March 12, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

 “Në këte kohë në Shqipni, asht turp i madh me kënë jashta burgut!”-                                                                                                  Imz.V.Prennushi, 1946./

Ne Foto: Imzot Vinçenc PRENNUSHI, (4 Shtator 1885 – 19 Mars 1949)

Nga Fritz RADOVANI/

Imz. Vinçenc Prennushi ka lé në Shkodër me 4 shtator 1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi. Mësimet e para i mori në vendlindje. Në seminarin e Troshanit iu kushtue Urdhnit Françeskan. Mësimet e nalta i përfundoi në Tirol të Austrisë. Asht shugurue meshtar me datën 25 mars 1908 dhe si françeskan merr emnin At Vinçenc Prennushi O.F.M. Asht i formuem jo vetëm nga ana fetare, atdhetare dhe kulturore, por zen vend ndër letrarët ma në za të periudhës së Pavarësisë. Shkruen në revistën “Hylli i Dritës”, ”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout”  sidhe në gazetën “Ora e Maleve”. Me rastin e ngritjës së Flamurit në Kalanë “Rozafat” në Shkodër, me 14 mars 1914, plot 100 vjet perpara mban fjalimin kryesor ku spikati oratoria e Tij. Në librin “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë” jep mendime për një shtet demokratik. At Vinçenci asht kenë Provinçial i Françeskanëve Shqiptar në vitin 1928. Koha e shërbimit si drejtor i Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial, ka provue se Ai dinte me drejtue, prandej në vitin 1936, At Vinçenci shugurohet Ipeshkëv i Sapës (Dioçeza e Zadrimës). Në vitin 1940 Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezës së Durrësit, atëherë kur kryeqyteti i Shqipnisë Tirana përfshihej në Dioçezen e Tij. Nuk duhet lanë pa theksue se mbas vitit 1940, kur asht edhe administrator i Tiranës, Ai kishte përkrah Imz. Luigj Bumçin, Don Shtjefën Kurtin, At Pjetër Meshkallën, At Anton Harapin, At Mati Prennushin, Don Lazër Shantojën, të cilët kanë lanë mbresa të pashlyeshme në jetën e kryeqytetasëve.

Keqsimi i gjendjes shëndetësore të Imz. Bumçit, në vitin 1945 ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Ky, jo vetëm e kreu me  ndërë detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurrgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike dhe, pikërisht, në fazën ma delikate të historisë sonë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo -komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.

Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkoder me 26 Maji 1946 dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodres, Imz. Prennushi ngarkohet me detyren e Primatit Katolik të Shqipnisë. Nuk pajtohet asnjëherë me pushtimin komunist.

Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi.

Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë….ashtusi duhet ta kujtojnë mirë edhe shumë shkodranë moshatarë të mij, ndonse “skleroza komuniste” nuk po i len me folë.

Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër me 16 Shtator 1949, dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku i rrahu shpatullat “birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës”, “shokut të dashur të tij” Tuk Jakova, kujtoj si tashti se, kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin, i cili kishte vdekë që në Mars 1949. Ai shprehi “konsideratën” për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty dihej se i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa…

Imz. Prennushi arrestohet me 19 maj 1947, dhe hetimet i bahen në hetuesinë e Durrësit. (Dosja 1245). Me 18 dhjetor 1947, para gjykatës ushtarake të Durrësit, Imzot Prennushi  deklaron pa frikë: “Lufta ime ishte kundër komunistave e partisë komuniste, që ajo të mos egzistonte”…“Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim”, shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjalë deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta dhe ndershmënia. Imzot Prennushi pyetët në hetuesi për shkuemjen e Tij në Misionin amerikan, Ai përgjegjet: “Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin…Në Tiranë në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare si dhe, ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopje ua kam çue edhe misionëve amerikane e franceze në Tiranë.”

Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare në Tiranë: “Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez ku, më kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit dhe më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t’i bënin rrobe me veshë fukaratë!Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë.

…Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët né na luftojnë deri në zhdukje”.

Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përbame nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:

1.Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindë në Shkodër vjeç 63, dënohet me 20 vjet burg…

***

“…E ngarkuan me bajtë trungje  prej rrugës poshtë e te kodrina ku gjindëj burgu. Si Krishti n’ Udhën e Kalvarit  u përpoq tri herë me radhë, por u rrëzue të trija herët pa  shprehë ankim…” Tregon bashkvuejtësi Prof. Arshi Pipa, ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këta rreshta të deponuem në hetuesi prej Tij me datën 4 shtator 1947: “Vinçenc Prennushi  deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.” Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.

Në revistën “Zani i Shna Ndout”, Janar 1930, në kujtimet e Prennushit, “Nji e stigmatizueme e ditve tona”, në takimin që kishte pasë me Teresa Neumann në Bavari të Gjermanisë, Ajo i ka thanë: “Do të keshë nji aksident rrugor. Do të bahesh Ipeshkëv dhe mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh Martir i Fesë”.

Dhe, me të vërtetë në atë prag pranvere, kur lulja e Sh’Jozefit shpërthente gonxhët e saj në degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za dëgjohej në atë errësinë.., në të mekun: “Pak dritë! – Mehr Licht !”… Ishte MARTIRI  I  FESË  Imz. V. Prennushi…

Melbourne, Mars 2014.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, Imzot V Prenushi, Mehr Licht, Pak drite

KUR BURRAT SHIKOHEN N’ SY

March 10, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/ Ne Foto:Prof. Ibrahim RRUGOVA dhe Osman KAZAZI…/

Thonin të vjetrit se: “Zoti, Burrat e mirë i merr ma shpejtë pranë vetës!..”/

Nga Fritz RADOVANI/

Me daten 3 Mars 2014, u bane 15 vjet që Atdhetari Osman Kazazi, u nda prej nesh pergjithmonë, dhe shkoi në Mbretninë Qiellore, mbas 43 vjetesh që kaloi si burrat në ferrin komunist të Shqipnisë enveriste…Osman Abdullah Kazazi ka lé në Tiranë, me daten 9 Korrik 1917 dhe ishte vllau i pesë motrave, që i shikonin sytë e ballit. Studimet e mesme i vazhdoi në Shkoder në Gjimnazin “Illyricum” të Françeskanëve. Ishte nder ma të pergatitunit e asaj shkollë dhe si i tillë, vazhdoi studimet per farmacist në Romë. Mbas tri vjetësh nderpret studimet nga rrethanat e veshtira të luftës atje dhe kthehet pranë familjes në Tiranë. Edukata e marrun nga shkolla Françeskane e Shkodres, Osmanin e rreshton me atdhetarët demokrat që kishin synime republikane, dhe deshira e Tij per një Shqipni të Lirë dhe Republikë Demokratike e angazhon me “Ballin Kombtar Shqiptar”.

Në perpjekjet per Liri, Osmani nuk pajtohet me veprat dhe luften civile, që aso kohe po zhvillonte partia komuniste shqiptare, nen kujdesin e jugosllavëve të ardhun me atë detyrë në Tiranë, që në formimin e saj në 1941. Ato pikpamje i shpreh haptas. Vetem per këte fakt “se nuk pajtohet me luften civile të PKSh” arrestohet me daten 14 Nandor 1944, nga forcat e sigurimit të komunistëve të Tiranës. Asht nder të parët Atdhetarë që dënohet fillimisht me izolim, interrnim dhe burgosje të vazhdueshme per 43 vjet rresht.

Njeriu i heshtun i burgjeve të mnershme komuniste Osman Kazazi, shikohet dhe trajtohet si nxanes besnik i njenes prej shkollave ma Atdhetare po, edhe antikomuniste, ashtusi ishte në të vertetë shkolla e Françeskanëve të Shkodres, per të cilen Osmani pa frikë deklaron në hetuesi: “Nga profesoret e asaj shkollë Etnit Anton Harapi, Çiprian Nikaj, Mati Prennushi etj…mësova me dashtë Atdheun tim, ndersa, nga “Lahuta e Malësisë” që na recitonte At Gjergj Fishta, “mësova se pse unë duhet me vdekë per Atdhé! Ata ishin antifashistë se ishin Atdhetarë Shqiptar, dhe si veten na edukuen né!”

Tue fillue nga burgu i Burrelit, kampi i shfarosjes së Maliqit dhe Bedenit, e derisa asht lirue në vitin 1987, asht e vështirë me percaktue ku i kaloi jeta Osman Kazazit, po vetem një gja asht e sigurtë: “Ishte Burrë i matun dhe i pathyeshem nga vuejtja!” 

Me 6 Mars 1998, kur po kalojshe nga Sheshi Avni Rrustemi, në Tiranë, ndigjova se më thirri një za burri, ishte Tanush Mulleti. Më dha një ftesë per dekorimin “Qytetar Nderi i Tiranës së z. Osman Kazazit”…Më kerkoi me folë dishka per atë Burrë! Shkova në shtëpi dhe u përgatita, ndonse, fusha e vuejtjeve të Tij ishte e pakufishme…

Mbasdreke u takuem me Tanushin dhe shkueme tek “Teatri i kukllave” ku ishte organizue ceremonia. Kishte shumë qytetarë të Tiranës, dhe personalitete politike.

Më erdhi koha me u çue per me ba pershndetjen. Gati askush nuk më njihte, dhe nuk besoj se më kujtonte as vetë z. Osman, me të cilin kisha pasë vetem një takim…

Fillova fjalen time: “I nderuem z. Osman Kazazi, i masakruem nga komunistët vetem pse ishe nxanës i Françeskanëve Shqiptar të Shkodres, po, edhe besnik i atyne bankave ku more nektarin e Atdhedashunisë, dhe ndjenjen e vetflijimit per Atdhé e Fé.

… Sot prej zemret po Ju baj urimet e mija në gjuhën e Profesorëve të nderuem të Tuej, të cilët nuk rrnojnë asnjë, po nder 43 vjet vuejtje të Tuat që ke kalue nder burgjet e diktaturës së Enver Hoxhës, Ata ishin udhrrëfyesit Tuej që të forconin dhe të banin ma optimist per me qendrue si Burrat… Filluen duertrokitjet…Nuk kuptova pse? Unë nuk e kisha perfundue fjalen e salla ishte çue në kambë…Duertrokitjet vazhdonin…

Sesi mu dha me shikue nga drejtuesit e tubimit, dhe shoh z. Osman tue fshi lotët me një shami, kishte hjekë gjyslykët dhe vazhdonte me lotue…Nderpreva fjalen dhe iu afrova tek tavolina. U perkul dhe më perqafoi me lot per faqe: “I nderuem z. Radovani, edhe zani yt mu duk si i Atyne Burrave që më edukuene nder bankat e asaj shkollë, ku unë mësova kujt i thonë Nder, Atdhé e Zot!..” I lexova edhe dy rreshtat e fundit dhe në mes turmës që vazhdonte me qendrue në kambë e tue duertrokitë shkova tek vendi.

Njeriu nder ato rasa nuk e sheh veten… Tanushi më tha: “Gja e veçantë!”…

Mbas dy ditësh i shkuem per vizitë bashkë me Tanushin në shtëpi… Një pritje e paharrueshme per mue. U ulëm në një divan, ku me siguri aty asht ulë edhe Burri i Madh i Dardanisë Rrugova… Portreti i qeshun i Osman Kazazit perballë Tij, më futi nder këta mendime. Osmani më foli gjatë per kohen e rinisë së vet në Shkoder…

U ndalue në një episod të trishtueshem të rinisë, kur ishte i pranguem në burgun e Tiranës, me daten 19 Shkurt 1946…dhe tue shkue në WC, roja e len në korridor dhe ai hyn në një magazinë…Ky dëgjon një za: “Osman! Osman!…Jam Pader Antoni!…Osman, a asht kush këtu afer?” – U pergjegja, jo Pader. Nxori një leter të vogel nga xhepi dhe më tha: “Rueje po, mos ta gjejnë kur të kontrollojnë!” E mora, e futa në gjoks…dhe eca tue e shikue mësuesin tim fort të dashtun, Pader Anton Harapin, që ishte i pranguem duer e kambë nen një shkallë, gjithë Ai Burrë nuk dukej ma shumë se një grumbull plaçka të hudhuna në çimento, nuk kishte as shtroje as mbulojë veç një tas alumini pa ujë, i rrethuem në hekra ku nuk mujte kurrë me u ngritë në kambë, se ishte vendi i ultë, ndersa Pader Antoni, ishte i gjatë dhe persa muej qendronte aty gjithmonë i krrusun…

Të nesermen At Anton Harapin e pushkatuen…ishte 20 Shkurt 1946…”

Më tregoi se Osmani e kishte ruejtë letren dy vjet, po kur ka humbë shpresen se lirohet, atë leter ia kishte dhanë një kushrinit të Lef Nosit, që ishte para lirimit. I vinte keq se nuk dinte gja per fatin e asaj leter, mbasi kur asht lirue Osmani, qytetari Nosi nuk jetonte ma prej sa kohe… E koha e pafund e burgut vazhdonte me perpij kujtime!

Osman Kazazi ishte një galeri e pafund ngjarjesh që vetem nderpriteshin kur iu ndalonte zani: “Ishte Burrë i mirë fort…po vdiq në këte kamp…ndersa, i biri nuk deponoi dhe e mbyten nder tortura…Po, me Klerikët Katolik, nuk mund të krahasohet askush… Ndoshta, gaboj, po kam bindje se vuejtjet e Tyne ishin të veçanta në krejt Europen!”

Jam gëzue fort kur mora vesh se Osman Kazazin edhe Vatikani e kishte dekorue me Medaljen e Artë “Joannes Pavlvs PP II”. Ndoshta, per këte arsye i kanë shembë edhe shtëpinë e Tij në Tiranë…ashtusi Luigj Gurakuqit në Shkoder…E tash së fundit po mendojnë me lanë me u shembë edhe shtëpinë ku banonte At Fishta!

Burra si Osman Kazazi nuk kanë nevojë per “shtëpija”…

Ata me vuejtjet e gjakun e Tyne, kanë ndertue Kështjella të Pamposhtuna!

Pavdeksia e Atyne Kështjellave asht vdekja e komunizmit!

Ata Kështjella me Emnat e Tyne të Pavdekshem janë Shqipnia Europjane!

 

Melbourne, Mars 2014. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani, Ibrahim Rugova, Osman Kazazi

7 MARSI… SI 7 PRILLI…

March 7, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

Nga Nga Fritz RADOVANI/

Kujtoj sot, një këshillë që na pat tregue shumë vite perpara një avokat nder ma të dijtunit që ka pasë Shqipnia, po që nuk kishte shumë kohë që kishte dalë nga burgu i mnershem i Burrelit. Dr. av. Baltasar Benussi, tregonte se një nder të drejtat e Njeriut në një shtet demokratik asht edhe mos me pranue me tregue një të vertetë, në kjoftë se mund të thirresh si dishmitar në një gjyq, po jo, me gënjye se “nuk e dij” ose me thanë një gënjeshter ose shpifje ndaj së vertetes. Mundesh me thanë: “Nuk due me tregue!”.Na dukej pak e çuditëshme, mbasi jetonim në një shtet diktatorial, ku njerzit u masakronin nga sigurimi i shtetit komunist per me shtremnue të verteten ose edhe me gënjye apo me u shpifë ndaj një njeriu të pafajshem. Cili mund të guxonte me i thanë një hetuesi të sigurimit: “Unë e dij të verteten, po, nuk due me e tregue!”…

Po, sot që Shqipnia thohet se asht “demokratike”, a lejohet me vazhdue ashtu?

Nuk besoj se ka në Europë një Shtet si Shqipnia, që vazhdon me mëshef çdo  meritë historike të veten vetem, per hirë të urrejtjes që sllavokomunistët me anë të një grushti anadollakësh injoranta kanë ushqye nder jugorët kunder veriorëve, kjo e bame per interesat e tyne sunduese, mashtruese dhe shkatrruese të Identitetit kombtar.

Po të shfletojmë Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave të RPSSh, së 1985, botue në Tiranë, nuk ka ngjarje historike të pa falsifikueme ose të shtremnueme.

Ketë herë, kam marrë si subjekt në këte shkrim “Festen e Mësuesit 7 Marsin”.

7 Marsi vazhdon me kenë data e “shkollës së parë”…në Korçë…e vitit 1887.

Pra, né u themi Universiteteve dhe Akademive Europjane disa shekullore se: “Shkollen e Parë Shqipe e kemi hapë me 7 Mars 1887…me lejen e turqëve apo të grekëve, mbasi perpara kësaj datë, Shqiptarët nuk kanë dijtë se shka domethanë fjala shkollë!”

A ka turp ma të madh per një “akademik” me rrejtë deri këtu?

Edhe pse dihet se Shkollat e Para Shqipe janë dukumentue që në vitin 1935 nga At Donat Kurti, në studimet e publikimet e Tij në revisten “Hylli i Dritës”, ku thotë se “per sa dijmë na, janë kenë tri: Shkolla e Pllanës (1638), e Blinishtit dhe e Shkodres…dhe tregon sesi ato shkolla u dhunuen, u mbyllen e u dogjën nga pushtuesit turqë…”.

Apo në periudhen e Rilindjes Kombtare, dihet se ishte Shkolla e Shirokës pranë Shkodres, e hapun nga Don Zef Ashta në vitin 1874, ku mësohej Gjuha Shqipe dhe pak aritmetikë…Edhe kjo e dokumentueme me rregjistrin themeltar të Kishës së Shirokës, si dhe nga studjuesit Gjush Sheldija dhe Sander Troshani, mësues të asaj shkollë ma vonë.

Sigurisht, kur bahet fjalë per studjues klerikë katolik të Veriut, në pamundsi me ua kundershtue mendimin e Tyne, gjithmonë i bazuem në dokumenta historike dhe në revista e botime të sakta (mbasi po mos t’ ishin të tilla, nuk i lejonte kush me i botue), këta janë të “pavlefshme” per “studjuesit” e sotem, të cilët jo, vetem, nuk i njohin sepse nuk kanë pasë ku me i mësue, po edhe duhen fshi nga “Historia e Shqipnisë”, mbasi ata dokumenta e fakte të pakundershtueshme nuk i pergjegjen “materializmit dialektik” apo “revolucionit ideollogjik e kultural të vitit 1967”…dhe “Kongresit të drejtshkrimit 1972”, që, diktatori Enver Hoxha ka zbatue me sherbëtorët e vet “dr. prof. akademikë” të po kësaj Akademi Shkencash, që vazhdon me krye ata veprime që i mbeten atij pa krye.

Po të njajtin fakt historik të At Donat Kurtit e verteton studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edwin Jacques) në librin e tij “Historia e Popullit Shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” (The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present), po Ky, shkollat e para Shqipe i çon pak ma përpara, në vitin 1632.

Me siguri Ky studjues serioz nuk e ka dijtë se né jo vetem studimet që kanë ba ata, po edhe ndaj Klerit Katolik Shqiptar, kemi ushtrue Gjenocid per 47 vjet.

***

Jemi edhe para një fakti të shemtuem.

“Me t’u dukë okupacioni, ‘ditë feste e çlirimi!”

Dhe kur nuk na pelqen me zanë me gojë 70 vjetorin e pushtimit sllavokomunist të Shqipnisë me 29 nandor 1944, nga jugosllavët themi “pushtimi fashistëve të kuq”…

Ose kur kerkojmë me harrue viktimat e Stalinit, themi: “Viktimat e Hitlerit gjeorgjan nder kampet sovjetike” ose, per diktatorin Enver, themi “Hitleri i Shqipnisë” ose “fashistët e sigurimit të shtetit”… E ka shumë “dr. prof.” që edhe pse e dijnë se data 29 nandori 1944 asht dita e robnisë sllavokomuniste, do të vazhdojnë me e quejtë “dita e çlirimit nga okupatorët nazi fashistë…” tue dijtë mirë se Shqipnia, nuk ka pa të pakten njëditë Lirinë e Atdheut…nga ajo datë, se forcat jugosllave  të Titos e sovjetike të Stalinit, ishin të pranishme dhe të kudondodhuna në Shqipninë e “çliruar”.

Jemi në vitin e 70 të permbytjes sllavokomuniste të Shqipnisë.

Edhe pse nuk kam dashtë kurrë me i pa me sy dhe as me ua ndigjue emnat e tyne sot, kisha me dashtë me ua ba një pyetje pikrisht atyne që na sollen “çlirimin” atëditë me 29 nandor 1944: “Kur ishit më të çliruar, me 7 Prill 1939 apo me 29 nandor 1944?”, tue fillue nga Qemal Stafa, Vasil Shanto, Zai Fundo, K. Xoxe, N. Spiru, Omer Nishani, Kristo Themelko,  Pandi Kristo, Bedri Spahiu, Tuk Jakova, Gjin Marku, Teme Sejko, Liri Belishova, Liri Gega, Dali Ndreu, Beqir Balluku, P. Dume, Hito Çako, A Këllezi, Koço Thedhosi, Todi Lubojna, F. Paçrami, K. Ngjela, Mehmet e Fiqrete Shehu, Kadri Hazbiu, etj…etj…që “me grushta naltë”, vazhdojnë me u quejtë “çlirimtarë”.

E tmershme! “Me kenë okupatori i huej, ma i ‘mirë” se tradhëtarët tanë!”

Historia e diktatorit Enver Hoxha dhe e klanit të tij, asht historia e një dhune që pushkatoi, torturoi, vari pa mëshirë, madje tue vra edhe fëmijët në barkun e Nanës, per me ua marrë gjakun perbindshi, ndonse nostalgjiket e tij vazhdojnë me mashtrue “gjoja janë bërë n’ emen të ligjit”, po dora gjakatare e Enver Hoxhës, do të vazhdojë me kullue gjak derisa të dënohet emni dhe veprat e tyne kriminale.

Melbourne, 6 Mars 2014.( Foto:Ura e Shkinës, në fshatin Blinisht, Lezhë. (Nga A. Gradeci)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 7 Marsi, Fritz radovani, si 7 prilli

NË PRAGUN E 95 VJETORIT … NA LA PJETER GJONI…

March 1, 2014 by dgreca

PJETER GJONI (23 Mars 1919 – 28 Shkurt 2014)/

Nga Fritz RADOVANI/Në një prej krahinave të njohuna Ilire me emnin Iballe e Pukës, jo larg prej qytetit të Shkodres, me daten 23 Mars 1919, ka le Atdhetari Pjeter Gjoni.Në Shkoder u formue me edukaten qytetare tue vazhdue shkollen pranë Jezuitëve, ku me nektarin e kulturës së vjeter të atij qyteti të lashtë, mori edhe ndjesit e para fetare aq fort të lidhuna me Atdhedashuninë. Okupacioni komunist e gjeti me probleme serioze të shndetit, dhe tue u parashikue nga jezuitët e ardhmja e vështirë e persekucioni i tyne nga bolshevikët, Pjetri, u këshillue prej tyne, me fillue punen si kuzhinjer dhe shofer i një makinë që kishin ata per nevojat e atij institucioni.

Nuk shkoi gjatë, jezuitët u dëbuen nga Shqipnia, dhe Pjetri vazhdoi punen e shoferit, per me fitue buken e gojës, mbasi nevojat familjare i kishte shumë të mëdha e të vështira.Kenja e Pjetrit pranë atij institucioni kulturor e fetar aq të urrejtun nga komunistët, e rreshton edhe këte, nder Njerzit e “padishrueshem” të sistemit perbindsh e diktatorial, antikulturor e antifetar komunist.

Shkodra e temeleve të kulturës, ku lulzonte perditë e ma shumë formula “Atdhe e Fe”, e kultivueme dhe e brumosun tek Shqiptarët e Veriut, nga Françeskanët Shqiptarë, ishte perqafue dhe po meaq dashuni punohej per Te, nga dijetarët At Zef Valentini, At Gjakomo Gardin, At Gjovani Fausti e deri tek fratel Sala e Gjon Pantalia, sa të gjithë Ata studentë katolikë e muslimanë, pa dallim feje, që kishin perfundue shkollat fetare të Shkodres, konsideroheshin “anmiqë të komunizmit” dhe per pasojë duheshin zhdukë, vra e masakrue…me tortura, shpifje e procese fallso që të çonin drejt e në pushkatim.

Nuk kishte si ti shpetojë këtij terrori antinjerzor, që ishte një Gjenocid i vertetë kunder Klerit Katolik dhe nxanësve të shkollave të tyne, as Pjeter Gjoni. Arrestohet edhe Pjetri dhe pergatitet pushkatimi i tij…

Ishte i pranguem dhe i lidhun në vargoj e hekra tue pritë çdo mengjez kur po hapën dryjt’ e shulat për me ikë këso jete! Shkodra, e Rozafës kreshnike, qyteti i tri urave të Bunës, Bahçallekut e Kirit ishte kapërthye në të katër anët me re të zeza si futa, veç pritej kur po fillon rrëbeshi i shiut përzi me breshën, që s’merrej vesht se janë gurë apo kambë kulshedrash, si nder prrallat e vjetra, ata që kalojnë mbi pullaze të mbulueme me tjegulla, që porsi kroje shprazën në rrugët e ngushta të qytetit të harlisun e të çueme peshë nga Vetë Dora e Perendisë!

Një natë e frikëshme por, që me padurim e priste i ndryem në qeli Pjetër Gjoni… Këputi dritat, iku, bujti atë natë tek Miku i vet Mark Mirashi, në rrugen e Luigj Gurakuqit… mori malet nga Puka, iku, iku ndër shpella e skuta ku flejnë vetëm bishat, por jo, ma t’egra se ato që jetën deshtën me ia këputë bash në lule të saj, u iku pa dijtë ku shkon… iku se Ai ishte urdhni i Zotit, që Pjetri prej Shna Ndout, pat nxjerrë me lutje, për me shpëtue jetën nga plumbat e pamëshirshme të dhunës komuniste, që për 50 vjet shkretnoi e vorfnoi sa zemra nanash, motrash, vllaznish, bijsh’ e bijash të Qytetit të Lashtë të Shkodres Martire antikomuniste…

Ishte Nana Yte Pjeter, që mendoi se rrugët e vështira nuk bahen pa shoqni!Bani me dijtë njeriun e dashtun të zemres s’ Ate…E, sokolesha e Atyne maleve, Katrina, mbathi këpucët e nusisë, e me bohçe përpara si kje nëpër shtëpi, vrapoi mbas Teje…në betejen e madhe për jetën e fitueme në prag të këputjes së penit…e, erdhi me Ty ndër male, ndër gergja, shpella e prroska, bash aty, ku nuk ndihet asgja tjetër veç zanit të bylbylit e jehonës së rrahjes së krahve të Shqipës Dykrenare, që Ju mori në mbrojtje bash në çerdhe të Saj…

Sot, mbas Katrinës s’ Ate fort të dashtun, duhet të jeshë pershëndetë si dikur pershëndeteshin Burrat e tokë kokë per kokë me Pashuk Bibë Mirakaj, Pashko Leten, Zef Luken, Vat Staken, Pal Miraken, Prengë e Gjin Keqanin, Fran Kolen, Kol Çunin, Kol Ujken… e sa të tjerë, gati të gjithë vra nder Male per Liri.
Ikët, të zbathun, të çveshun, të uritun, të etun e të zharitun për dashninë prindore që hasmi Ju bani, me e dishrue gjithë jetën, por… si dy pëllumba çilët në çerdhën Tuej dy lule… dy lule Vilmën dhe Bernardin …e ndër rrugët e largëta vazhduet shtegtimin ….drejtë Botës së Lirë!

Pershkuet shtigjet e Kosovës, Kroacisë e arrijtët në tokën e Italisë…gjithkund me strajcen e vorfen, por plot Besë e dashni…tue bajtë me vete “kafshaten e thatë” të fëmijëve…Tuej, dritës së synit…
Australia Ju priti!…dhe Ju, ia mbushët shtëpinë e Saj mikpritëse me nipa, mbesa e stërnipa, që të gjithë me lot perfaqe, po presin me t’dhanë “lamtumiren e Fundit!”

E sikur, vetem nga një fletë libri të shkruente per jeten Tande, sot këtu, sejcili, do të kishte në dorë nga një volum me 95 faqe të bardha si bora, që mbulon majet e maleve të Pukës s’ Ate, male që rrethojnë Iballen…Po, Pjeter  Gjoni,

Bash Djepin Tand, e të sa Burrave të Mëdhaj të Historisë së Shqipnisë!Prandej, me të drejtë sot Emni Yt i Pavdekshem, renditet nder “Njëqind Shqipet” që keni luftue per Liri të Atdheut… E Ti, je i fundit nder Ata Burra që po shkon në Lumni Qiellore me nder e lavdi si i ka hije Djelmëve të Shqipes Arbnore!Kujtimet e veprat e Herojve, Shqiptarët do ti perjetsojnë…

E në fleten e fundit në pergamenë, do të shkruehet me shkronja t’ arta:“Pjeter Gjoni, ishte shtetas dhe qytetar i Nderuem i Melbourne t’ Australisë, Atdhetar e Burrë trim, besnik e bujar i Shkodres së Shqipnisë, dhe Luftar’ i vendosun dhe i pathyeshem deri me daten 28 Shkurt 2014,

I Besimit në Zotin…e Gjithësisë…”

Pushofsh në Paqë, i dashtun dhe shtrenjti Mik!

Fritz Radovani

Melbourne, 28 Shkurt 2014.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, na La, Pjeter Gjoni

POROSI E PROF. ARSHI PIPËS…

February 20, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

Ne Foto:20 Shkurt 1991… Rrëzohet shtatoria e diktatorit në Tiranë…/

 Nga Fritz RADOVANI/

Shumë pak Shtete të vogla si Shqipnia kanë nxjerrë Personalitete të Mëdha sa né!

Mund të jetë kenë muej korrik ose gusht i vitit 1990, kur e kam degjue në radio “Zëri i Amerikës” tue porositë Popullin Shqiptar, pra plot 24 vjet maparë Prof. Arshi Pipa tha: “Pa u hjekë nga Sheshi Skënderbe shtatoria e diktatorit Enver Hoxha, kurrë Populli Shqiptar nuk mund të vendosin demokracinë…” E degjova, po mu duk e pamujtun! Prof. Petro Fundo shpesh persëriste mbas vitit 1985: “Diktator si ay, vazhdojnë per të sunduar edhe persëvdekuri.” Edhe këte kur e kishe degjue më dukej e pamujtun!

Me thanë të vertetën, mbas muejt janar 1990, kur u pat ba protesta e heshtun në Shkoder per heqjen e bustit Stalinit, dhe revolta e Burrave të Malësisë në korrik, me arkivolin e Djalit të rij Pllumb Pllumbaj, para komitetit partisë me thirrjet “poshtë Ramiz Alia!”, “Poshtë Nexhmije kurva!” etj… thirrje plot duf e urrejtje per vrasësit diktatorë, na dukej vetja se jemi tue jetue “dikund”…por, gënjejmë me dashtë me percaktue se ku?

Data 11 Nandor 1990 në Rrëmaji, vazhdonte me na u dukë një “anderr”… Edhe pse Don Simon Jubani, i këputi njëherë e pergjithmonë prangat e robnisë komuniste.

Na dukej një “vegim” ardhja e Tij nga burgu i shfarosjes së Burrelit, dhe ecja e Tij Burrnore drejtë Fitores per Ringjalljen e Fesë, kur shpresat tona ishin vyshkë…

Kush mund të besonte se pasuesi i diktatorit Enver Hoxha, anadollaku Ramiz Alia, strukej si qen i zgjebosun nga frika e një Don Simon Jubani, që e kishte mbajtë të pranguem mbi 26 vjet nder birucat e akullta e të pashpresë me pa me sy Lirinë?!

Popullit Shqiptar i kishte ikë frika, Ai po shihte Driten e Lirisë së dishrueme!

U zgjuen studentët…U zgjue Kavaja…U zgjue Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë…Shkodra edhe njëherë bastjon i Demokracisë…13 Dhjetori 1990 shembi perjetsisht diktaturen ma barbare që kanë kalue Shkodranët e Rozafes Heroike…Ata të parët e shkrryen perdhé surratin e pasardhësit të sulltan Mehmetit II, që zbatoi porosinë se: “Nuk duhet të mbesin i gjallë asnjë Shkodranë!” A ju kujtohet çka ngjau mbi bust?

Edhe pse këto ngjarje sollën Demokracinë në Shqipni…Po mundohen me u “harrue” dhe me kenë e mujtun me u “fshi” nga Historia e Lavdishme Shqiptare.

E nuk zgjati…U zgjuen minatorët e Valiasit…U zgjuen puntorët e fshatarët e të gjitha krahinave të Shqipnisë… E ky ishte fundi i diktaturës komuniste edhe në Shqipni!

E fundi i diktaturës komuniste kerkonte shpagimin nga vetë diktatori…

20 Shkurti 1991, ishte dhe mbetet në Historinë e Popullit Shqiptar “Dita e Fitores” mbi rrenojat 47 vjeçare të komunizmit gjakatarë e shperftyrues, Dita e Fitores mbi diktaturen komuniste që sundoi në Shqipninë Martire të Gjergj Kastriotit!

Asht Dita e Fitores kur as armët e diktatorëve nuk mujtën me ndalue hovin dhe guximin e minatorëve të Valiasit, që e terhoqen zvarrë bishen e ngordhun e të qelbun per të gjatë të Kryeqytetit të fundit…që shembi komunizmin, Tiranës Heroike.

Ndoshta, them ndoshta, se shpesh kujtoj humnerat neper të cilat kemi kalue tash 70 vjet, e në fund çoj mendjen tek të Parët tanë që më thonin: “Ju jeni të rijë e me siguri, një ditë keni me pa Ditët e Lirisë!..” Ishte Besimi i Tyne i vendosun tek permbysja e asaj ideologjije shkatrruese marksiste – leniniste që kishte plandosë miljona njerëz në Botë!

Po edhe né u plakem…dhe po ua trashigojmë disa kujtime Brezave ma të rij, mbasi me kohen po fshihen shumë fakte e ngjarje nga Historia e Shqipnisë.

***

Një Mik i nderuem nga ShBA, (VD, të cilit i mora leje per publikim), më shkruen:

          “Jeta e Shqiptarve nuk vlen aqsa jeta e Jahudijve! Pse? Asnji Jahudi nuk e levdon Hitlerin? Gjysa e Shqiptarëve (e ndoshta ma shumë) vazhdon edhe sot me e levdue dhe me e vajtue “shokun” Enver. Sikurse Enver Hoxha, do t’u konsideronte nji agjent serbo-rus, (ashtu si ishte) i vumë në pushtet per me shkatrrue elementin Etnik Shqiptar në Ballkan, atëherë, ndoshta, të gjithë Shqiptarët do ta urrejshin. Pra, duhet të identifikohet “figura” e Enverit me ata të Rankoviçit e Stalinit, me Çausheskun e Rumanisë, per me krijue në gjeneratat e reja urrejtjen që meriton. Gjeneratat e vjetra janë pertej mundësisë së shpetimit. Nuk e kuptojnë endè se të gjithë Shqiptarët janë persekutue prej Enverit. Pushkatimet dhe dënimet që janë ba prej tij, kishin per qellim me i shtij friken në palcin e çdo Shqiptari. Kooperativat e bunkerat kishin per qellim me e vorfnue gjithë popullin. Shkollat kishin per qellim me e mashtrue popullin që në fëmini. Interrnimi nder kampe ishte nji institucion skllavizimi që furnizonte krahë pune per me ushqye dhe me pasunue Bllokun e Tiranës dhe kryesisht familjen e Enverit. Fushat e Tepelenës e Lushnjës, Myzeqeja dhe minjerat e qymyrit, kromit dhe bakrit janë shfrytzue me skllavët që janë plakë në kampe pune per me i sherbye Enverit falas, por zyrtarisht, gjoja pse ishin “anmiqë të popullit”. Familja e Enverit asht pasune aq sa Shqipnia ka kenë e vorfën, pse Enveri, ka shitë edhe gjakun e Popullit Shqiptar.

          Duhet të përmblidhen statistika mbi sa vetë janë vra e pushkatue, sa u burgosën dhe ia shtetizuen shtëpijat e pasuninë e tyne dhe kush e çfrytzoi até, tue fillue nga Blloku i “udhëheqsave”? Sa kjenë interrnue, si dhe ku punojshin, në çfarë konditash dhe sa e çka prodhojshin, sa u paguejshin ata?

          Bota interesohet per fakte të dokumentueme me statistika, me pershkrime të kjarta e të sakta. Edhe pa u hapë dosjet mund të krijohet nji pershkrim i hatashem në kjoftëse çdo kush prej nesh, bahet dishmitar tue dokumentue informatat që ka.

          Jo Shqiptarët, po, edhe mbarë bota do të kerkonin hapjen e dosjeve, po kje se vehet në dritë në formë masive barbarizmi i diktatorit Enver.

          Me respekt, VD…” (Botohet pa asnjë ndryshim prej origjinalit. FR. 2014).

***

E perballë opiumit që po i jepet perditë Popullit Shqiptar, asht e domosdoshme që në çdo shtëpi Shqiptarët sot, duhet të mbajnë një Liber!

E ky Liber asht Libri i “Kujtesës së Historisë”!

Titulli i Librit asht: “TYRANTS” nga NIGEL CAWTHORNE.

Në librin “TIRANËT”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia, kam gjetë në faqe 172 të shkrueme me shkronja të mëdha: “Enver Hoxha”.

Aty autori i Nderuem, ka paraqitë të vërtetën e pashkrueme deri tashti për Shqipninë dhe Shqiptarët. Bota e njeh E. Hoxhen, po Shqiptarët, vazhdojnë gjumin…

          Melbourne, 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Porosia e Arshi pipes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT