• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“SI E NJOHA NËNËN TEREZE”

December 9, 2016 by dgreca

Në 37-vjetorin e laurimit të Nënës Tereze me Çmimin Nobel/

2-1PROMOVOHET VEPRA E FRROK KRISTAJT “SI E NJOHA NËNËN TEREZE”/

Me rastin e shënimit të 37-vjetorit të laurimit të Nënës Tereze, alias shën Nënës Tereze, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ditën e shtunë, më 10 dhjetor 2016, në orën 12, shënohet 10 dhjetori, kur bëhet dorëzimi i Çmimit Nobel, përkatësisht shënohet 37-vjetori i laurimit të Nënës Tereze me Çmimin Nobel për Paqe. Kjo datë edhe ishte kur për herë të parë u lauerua një shqiptar (shqiptare) me Çmimin Nobel. Tani dihet se Nëna Tereze është nobelistja e parë në botë që u shenjtërua. Po ajo është edhe autorja e parë shenjtëreshë në botë e uratave, që do të thotë se ajo e shenjtëroi edhe lutjen, e shenjtëroi lutjen që ne na gjason me poezinë.

Njëherësh, Nëna Tereze është simboli i Nënës së parë në botë që u shenjtërua. U shenjtërua Nëna që lind, rritë dhe edukon brezet e reja. Motrat e nderit pjesëtare të ‘Misionareve të dashurisë” pas Nënës Tereze nuk kanë të drejtë ta trashëgojnë më titullin Nënë. Kjo pra është SHËN NËNA TEREZE.

Nga kjo del se Nëna Tereze ishte shëmbëlltyrë e një nëne shqiptare, që u ngrit në një figurë të një nëne dhe të një të shenjtëre të gjithë njerëzimit. Dhe, nuk është e rastit që shkrimtarja franceze, Margerit Jursenar, se dëshiron që për nënë ta ketë pikërisht një nënë shqiptare.

Me shpalljen e Nënës Terezës shenjtëreshë (4 shtator 2016), ajo u ngrit në lëterin e mbarë njerëzimit pa dallim feje, race apo etniteti.

Për këtë edhe mund të pohohet se ndër personalitetet më të ndritur që pati njerëzimi, ishte figura e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.

Me këtë rast promovohet edhe vepra e Frrok Kristajt “SI E NJOHA NËNËN TEREZE”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Frrok Kristaj, NËNËN TEREZE”, si e njoha

RIPËRTËRITJA SHQIPTARE E KOTORRI

February 22, 2016 by dgreca

Në 20-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Preles/

Nga Frrok KRISTAJ/ 

Boka e Kotorrit ishte iliro-arbëro-shqiptare, që më vonë u sllavizua, por që gjithmonë në te kishte shqiptarë. Në këto pjesë edhe sot gjallërojnë antroponimet dhe toponimet që kanë prejardhje shqipe. Në Kotorr u lind edhe ipeshkvi tashmë i ndjerë i Kosovës, imzot Nikë Prela, që kishte prejardhje shkodrane

Shkrimtarët dhe gjeografët antikë e romakë shumë herët e përmendin Bokën e Kotorrit. Atë, sipas gjuhëve ilire e romake, e quajnë Sinus Rhisonicus. Dëshmi të shkruara lidhur me këtë gjejmë sidomos te Skilaksi (gjysma e shekullit IV para kohës së re), pastaj te Probi, Straboni, Ptolemeu, Livi e Plini plak.

Gjatë kohës së dhënies së të drejtave romake, nëpër lokalitetet e brigjeve të Adriatikut, kishin filluar të dalin disa qytete të rëndësishme, si Acrujum (Ascrivijum), të cilin krahas Plinit plak e përmend edhe Klaudie Ptolemeu.Kah shekulli VII (sipas anonimit të Ravenës) Kotorri ishte quajtur Dacaderan apo Dacadon. Në shekullin X te Porfirogjeneti e gjejmë Dacatera apo Decatora, kurse në analet e priftit nga Dioklea (shekulli XII) e hasim si Decatorum apo Catharus. Pra, emri i Kotorrit është para sllav. Në anën tjetër, sipas Skënder Rizajt, toponimi Kotorr ka etimologji shqipe kotorr-i, që do të thotë i vogli i buallicës deri në një vjeç – njëvjeçar. Këtë e përforcon edhe e dhëna se në Kotorr gjatë mesjetës ka jetuar një familje fisnike shqiptare, familja Bolica, e cila në stemën e vetë e kishte figurën e buallicës.

Ekzistojnë legjenda për themelimin e Kotorrit. Njëra prej tyre flet për kohën e prosperitetit të familjes së Nikollë Buçës, tjetra për kohën e Don Vita Kuqit, ndërtues i Manastirit të Deçanit, pra për kohën e rindërtimit të Kotorrit e jo të themelimit. Kotorri njihet edhe për punimin e armëve.

Në Kotorr flitej edhe gjuha shqipe

Plini plak përmend edhe emra ilirë, për të cilët thotë se vështirë shqiptohen (fliten). Kjo më së miri dëshmon se ilirët kishin gjuhën e tyre, që bile ishte e veçantë në krahasim me atë romake (latine), apo helene (greke).

Sipas B. Hrabak del se numri i shqiptarëve në Bokë të Kotorrit ishte aq i madh sa që mund të thuhet se ata e përbënin elementin themelor të ripërtritjes demografike dhe se ishin pjesë përbërëse e etnogjenezës së popullatës së Kotorrit… Prania e tyre kolektive gjatë mesjetës ishte mjaft e madhe… Për praninë shqiptare në këto treva flet fakti se në Kotorr përdorej gjuha latine, italiane, shqipe dhe sllave.

Gjatë mesjetës shpirti arbëresh jetonte në trupin kotorras. Bile, në Kotorr ka vdekur mjeku Gjergj Spani (nga Lezha) në prill të vitit 1439, që kishte shërbyer mbi dhjetë vjet në Raguzë (Dubrovnikun e sotëm). Në shekullin XIV në Kotorr gjenden edhe pjesëtarët e familjes së humanistit të madh Gjin Gazulit.

Në viset e sotme të Malit të Zi, përkatësisht në hapësirat e Bokës së Kotorrit, por edhe më gjerë në Dalmaci, Istër e vende të tjera, krishterimi kishte filluar të përhapej qysh kah fundi i shekullit të parë dhe në fillim të të dytit të kohës së re.

Boka e Kotorrit dikur kishte rreth 140 objekte kulturore – kishtare, pastaj 30 kisha me arkiva të pasura, një bibliotekë me mbi 20 mijë tituj librash (në Kuvendin Françeskan), Katedralën e Shën Tripunit (e vitit 1166), Ipeshkvinë e Kotorrit, që daton nga shekulli V (“Zani i Shën Ndout”, viti III, nr. 25, kallnuer 2002, faqe 6-8), Ishullin e Zojes së Shkërpelit (Shkrepit e mund të jetë edhe e Shkrelit). Në Kotorr lindën edhe i lumi Ozan, i lumi Gracia (u lind në vitin 1438 në fshatin Muo, ku edhe i ka eshtrat), pastaj shën Leopol Mandiqin (i lindur në Hercegnovi në vitin 1866), si dhe i lumi Adam Françeskani. Ndërkaq, në Perast të Bokës së Kotorrit kishte lindur edhe imzot Vick (Vinçenc) Zmajeviku (1670-1745), arqipeshkv i Tivarit e njëhersh edhe themelues i arqipeshkvisë së Zarës, si dhe figura kryesore e Kuvendit të Arbënit (Mërqijë afër Lezhës në vitin 1703).Po ashtu, në ato hapësira edhe sot gjallërojnë antroponimet e toponimet që kanë prejardhje shqipe, si Zanoni, Albini, Arbanasi, Paolina, Vapori, Justina (Gjystina), Marta, Modesta, Cuca, Palikuqa, Leka, Gjini, Andrea Spani, Ducaguin (Dukagjini), Scutari (Shkodra), Gjon Albanezi, Çelesha, Bogdani, Pagani, Buttimuri (muratori), Culo (kulla), Gamba (këmba), Mulinari (mullisi), Gorakuqi (Gurakuqi), Toccaferi (toka e ferrit apo toka me ferra) e shumë të tjera.

Të përmendim edhe faktin tjetër që është me shumë interes se në tokat e sotme të Malit të Zi, ku dikur jetonin fiset e ndryshme iliro – arbëro – shqiptare, u lindën dhe vepruan edhe tre mbretër ilirë: mbretëresha Teuta (Risan), mbreti Ardian Genti dhe mbreti Batua, gjurmët e të cilëve (si nëpër kështjella e po ashtu edhe në literaturë) edhe sot janë të pashlyeshme.

Plini plak thotë se në tokat e mbretit Ardian, që përfshinin territorët nga Neretva e deri në Shkodër, kishte këto qendra: Risiniumi (Risani), Acroviumi (Kotorri), Budua (Budva e sotme), Ulciniumi (Ulqini), Scodrea (Shkodra), Lissos (Lezha) e shumë qendra të tjera të mëdha.

Do përmendur se në këto vise kryesisht jetonin pjesëtarët e fisit ilir të dokleatëve me qendrën e tyre kryesore Doklenë, të cilës presioni sllav ia ndërroi emrin në Zeta. Presioni sllav bartët në tërë territorin e Zetës, mirëpo vetëdija qytetare bëri që edhe për një kohë Kotorri të mos i dorëzohet sllavizmit. Kësaj më së shumti i bëri ballë numri i shqiptarëve.

Një pjesë e fëmijëve të familjes Prela u linden në Kotorr

Nga ana tjetër, shqiptarët përmenden qysh në analet e moçme të Malit të Zi, ndërsa gjurmë të tyre gjuhësore ka në të gjitha fiset e vjetra malaziase. Të origjinës së tillë janë mbiemrat (llagapët) e këtyre klaneve dhe vëllazërive malaziase: Gjonoviqët (Gjon) në Cërmiq, Gjinoviqët (Gjin) në Kosieret, Lumoviqët (nga shqipja lum) në Bratonozhiq, Shtekoviqët (nga shqipja shtek apo shteg) në Pjeshivce, Zogoviqët (zog) në Vasojeviq, Cërnogllaviqët (Kryezitë), Zonjiqët (zonjë), Zotoviqët (Zot), Drekalloviqët (Ndreka apo Ndrea – Andrea) e Kuqit, Leshoviqët (Lesh apo Llesh, një variant i emrit Aleks) e shumë e shumë të tjerë. Madje, edhe vetë emri i Malit të Zi, i cili shfaqet si përkthim më i moçm josllav – Zeta, e i cili sipas interpretimeve të autorëve antikë do të thoshte gjak, i kuq, i zi, që ka paralele në gjuhën shqipe në të cilën mbiemri “crna” emërtohet me fjalën e vendit të zi, e zezë. Një kombinim i së kuqes dhe i së zezës, ngjyra këto që edhe sot i ka flamuri kombëtar shqiptar, e të cilat ngjyra do t’i gjejmë edhe në veshjen popullore malaziase, por edhe te serbët, sidomos në kapelën e malaziasëve.

Edhe shumë toponime janë përkthyer. Bie fjala, toponimi Podgorica, që kur përkthehet në gjuhën shqipe do të thotë nënkodër, apo siç i thotë populli shkodër, që praktikisht do të thotë se Liqeni i Shkodrës i ka pasur dy qytete – vendbanime në jug e në veri me të njëjtët emërvende, Shkodër – Shkodër, që do të thotë nënkodra, në mes të të cilave gjendet edhe Liqeni i Shkodrës.

Kotorri kishte qenë shumë kohë edhe nën sundimin e Balshajve, si dhe përherë kjo qendër ka qenë e lidhur me Arqipeshkvinë e Tivarit. Në Kotorr përherë ka pasur lëvizje – migrime nga viset e Shqipërisë së Veriut, e sidomos popullata e Shkodrës mjaft shpesh kishte migruar në Kotorr, ku edhe një pjesë e madhe e tyre mbeti për të jetuar.

Ndër familjet, që nga Shkodra kishin migruar në Kotorr, ishte edhe familja Prela. Kësaj familje një pjesë e fëmijëve u lindi në Kotorr. Njëri nga ata fëmijë ishte edhe Nikolla, apo siç e quanin prindërit Nikë. Më vonë edhe u afirmua me këtë emër: Nikë Prela.

NIKË PRELA U LIND KUR RANË DY PERANDORI E FILLOI NJË TIRANI

Ipeshkvi shkollimin e filloi në Kotorr, e vazhdoi në Split, kurse e kreu në Strasburg të Francës. U shugurua meshtar në Kotorr, më 13 qershor 1941. Shërbeu si famullitar në Muo e në Sutomore, më 2 tetor 1969 u emrua ipeshkv ndihmës në Ipeshkvinë Shkup-Prizren, kurse shërbeu në Kosovë deri në vdekje (1995). Për shkak se gjithmonë mbajti shtetësi shqiptare u burgos disa herë/

Nikë Prela u edukua nga prindërit e tij të ndershëm dhe besimtarë të përkushtuar, që më vonë e mori rrugën e meshtarit. Nikë Prela u bë prift, e më pastaj edhe ipeshkëv i devotshëm i kishës katolike, në veçanti i kishës shqiptare katolike të Kosovës.

Imzot Nikë Prela u lind në Kotorr, më 3 korrik të vitit 1918, kurse u pagëzua më 14 gusht. Ishte në rrezik edhe të mos lindet, sepse, kur e ëma e tij ishte shtatëzënë, mjeku i quajtur Galvanie, e kishte këshilluar të abortojë, për shkak se ajo kishte shëndet të lig dhe ishte anemike. Nëna Çiçile, si nënë shqiptare (gjithmonë e ka mbajtë veshjen shkodrane), nuk abortoi, por rrezikoj dhe me vështirësi të mëdha e lindi Nikollën, përkatësisht Nikën.

Do përmendur se babai i imzot Nikë Prelës, Gjergji kishte qenë dy herë i martuar. Me gruan e parë, që i kishte vdekur, kishte pasur pesë fëmijë, prej tyre tre djem dhe dy vajza, kurse me gruan e dytë, Çiçilën, po ashtu i kishte pasur pesë fëmijë, prej tyre tre djem dhe dy vajza. Nikë Prela kishte qenë fëmijë i nëntë i babait, kurse i katërti i nënës së tij. I ati i Prelës me bashkëshortën e parë i kishte pasur dy fëmijë me emrin Nikollë (Nikë), por që të dy i kishin vdekur, kurse me bashkëshortën e dytë e kishte Nikollën që i kishte jetuar, pra Nikë Prelën.

Ish-Jugosllavia nuk i njihte popujt josllavë

Prindërit e imzot Nikë Prelës kishin pasur një pasuri modeste. Ata ishin të njohur si rrobaqepës dhe tregtarë të dalluar. Ishin punëtorë të vyeshëm dhe shpirtërisht të pasur. Mirëpo, kur u lind Nika, pak vite kishin kaluar nga përfundimi i sundimit të Perandorisë Otomane, përkatësisht ishte kohë kur shkatërrohej edhe perandoria tjetër, ajo e Austro-Hungarisë. Pra, ishte koha kur po binin dy perandori të mëdha, por edhe kur po themelohej një shtet fantazmë, që do të quhej Jugosllavi e serbëve, e kroatëve dhe e sllovenëve, shtet, i cili që në fillim nuk i njihte popujt josllavë brenda territorit që mëtonte ta kishte. Ndaj, edhe luftërat e kishin bërë të vetën dhe pasuria e familjes Prela ishte shkatërruar. Dhe, ja familja e Nikë Prelës, por edhe vet ai, Nika, mbet gjithmonë i huaj në vendin e vet, përkatësisht në shtëpinë e babait e të stërgjyshërve të vet.Nikë Prela shkollën fillore dhe tri klasë të gjimnazit i kreu në vendlindje – në Kotorr, kurse klasën e katër e vazhdoi pas dhënies së dy provimeve (gjuhën latine dhe greke) diferenciale në gjimnazin klasik në Split. Studimet filozofike – teologjike i kreu në Split të Kroacisë dhe në Strasburg të Francës. Bile, pat probleme deri sa ishte në shkollim në Split. Atje Nikën kompetentët e detyruan të paguaj tatim si i huaj (e trajtonin si shqiptar i Shqipërisë) për banim dhe për mësim (!?) edhe pse ishte i lindur në Kotorr. Po ashtu, derisa ishte në studime në Strasburg kishte kërkuar pasaport nga Ambasada e Shqipërisë, të cilin e kishte marrë, por me emër tjetër, ashtu siç i kishte regjistruar prindi fëmijtë e tij në Shqipëri. Nikë Prela së bashku me prindërit e tij disa herë kishin shkuar në Shqipëri, sidomos në Shkodër te prindërit e nënës – dajat e tij.

Pas kryerjes së studimeve shugurimin si gjakon e bëri në Perast, kurse shugurimin meshtarak dhe meshën e parë i bëri në Kotorr, në Ditën e Shën Ndout, më 13 qershor të vitit 1941, pa ndonjë ceremoni festeje. Shugurimin dhe meshën e parë, i kishte pritur me gëzim, ishin mbajtur në kohën e bombardimeve dhe të rreziqeve të shumëta të fillimit të Luftës së dytë botërore.

Nikë Prela më pastaj shërben famullitar në Sutomore (1941-1954) e më vonë edhe në Muo, nga viti 1955 deri më 1969. Ishte dalluar në shumë veprimtari meshtarake, si prift i zellshëm, si predikator i guximshëm dhe si njeri me zemër të madhe. Për këtë që besimtarët dhe vendasit e tij në Kotorr, si dhe në vendet ku kishte shërbyer, e quanin “ don Nikua ynë”. Megjithatë, Nikë Prela gjatë shërbimit në Sutomore të Malit të Zi, nga të patenzonët, ishte burgosur vetëm e vetëm se kishte kërkuar shtetësi jugosllave, kurse ai konsiderohej shtetas i Shqipërisë, por ishte edhe shqiptar dhe prift katolik, që për pushtetin sllav të kohës, nuk ishte i dëshiruar. Burgun hetues, që i kishte zgjatur afro tri vjet, e mbajti në Cetinë, ku siç thoshte ai deri sa ishte në jetë, “në burg më kanë munduar me punë të rënda fizike, me etje, uri, me spiunime, me rrahje e maltretime të ndryshme psikike, si dhe me kërcënime”.

Meqenëse burgu hetues kishte zgjatur shumë, nëna e tij kishte bërë ankesë te Tito-ja, i cili kishte kërkuar të mbahej menjëherë gjykimi. Gjykimi ishte mbajtur në Tivar, ku ishte dënuar me katër vjet heqje lirie. Pas ankesës i ishte hequr një vjet dhe duhej t’i mbante tri vjet burg. Nga Cetina e kishin dërguar në vuajtje të dënimit në Kotorr, ku të burgosurit i shtynin të punonin nëpër kanalizime të qytetit, ku një herë e kishte parë edhe nëna e tij djalin duke punuar, për çka Nika ishte prekur shumë.

Nikë Prela kur evokonte kujtime nga vuajtjet në burg thoshte: “Nuk dij se si kam mbetur gjallë. Me ka ndihmuar Zoti, feja, urata… Bile, në trup deri në varr do t’i barti gjurmët dhe shenjat e palshyeshme të maltretimit fizik. Në anën tjetër, tri herë më kanë çuar me dhunë në kufi me Shqipërinë kinëse si spiun i tyre vij në ish – Jugosllavi, përkatësisht kinëse nuk dëshiroja të jetoj në ish – Jugosllavi dhe shkoja për të spiunuar në Shqipëri. Më kanë thënë se “e do më shumë Papën fashistë se Titon komunist”. Dhe, siç thotë dr. don Lush Gjergji, as në raste të tilla nuk iu ka trembur syri, nuk ka lëshuar pe, por trimërisht dhe heroikisht Nikë Prela e ka dëshmuar fenë katolike, besnikërinë ndaj Zotit, dhe besnikërinë ndaj popullit të vet shqiptar.

Ishte i përndjekur dhe i burgosur

Në Mal të Zi ishte i përndjekur, i burgosur vetëm se ishte shqiptar dhe se këtë përcaktim asnjëherë gjatë jetës së tij nuk e kishte mohuar. Për këtë arsye edhe konsiderohej si shqiptar i rrezikshëm, si shqiptaromadh, si njeri që Zotin dhe popullin e vet i do dhe i rrespekton pamasë dhe mbi të gjitha.

Pas shërbimit të tij në Muo, nga ana e Papës emrohet ipeshkëv ndihmës “sedi datus” për besimtarët shqiptarë të Kosovës në kuadër të Ipeshkvisë Shkup – Prizren. Ky emrim ishte bërë më 2 tetor 1969, kurse ishte shuguruar ipeshkëv në Sarajevë më 21 dhjetor të po atij viti. U intronizua në Konkatedralën e Zojës Ndihmtare në Prizren, më 6 janar të vitit 1970. Për emrimin e tij ipeshkëv kishte diskutuar edhe Kuvendi i Kosovës. Në fakt, pas vendosjes së marrëdhënieve dilomatike në mes të ish-Jugosllavisë me Vatikanin në vitin 1966, kishte mbetur një obligim, që me rastin e emrimit të ipeshkvijve duhej të jepej pëlqimi edhe nga shteti (lexo: ish-Jugosllavia). Megjithatë, me rastin e diskutimit në Kuvend të Kosovës, për emrimin ipeshkëv të Nikë Prelës, ndër të tjera ishte thënë se ai “nuk angazhohet për çështjen shqiptare, se Kosova ka nevojë për një ipeshkv që angazhohet për çështjen shqiptare, se ai duhet të jetë proshqiptar (!)”. Dhe, shih tash kur në Mal të Zi ndiqej si shqiptar, në Kosovë akuzohej si antishqiptar! Duhet thënë se imzot Nikë Prela në ish-Jugosllavinë monarkike ishte i anatemuar dhe i përjashtuar, në ish-Jugosllavinë komuniste ishte i përndjekur dhe i burgosur, por edhe në kohën e shthurjes së ish – Jugosllavisë ishte i sulmuar, i etiketuar se po i helmon të rinjtë shqiptarë, se po propagandon nëpër botë kinëse shqiptarët në Kosovë nuk kanë kurrëfarë të drejtash elementare, se po vriten e burgosen shqiptarët e shumëçka tjetër. Megjithatë, edhe pa pëlqimin e organeve shtetërore imzot Nikë Prela mbet ndihmësipeshkëv i Ipeshkvisë Shkup – Prizren, i angazhuar për punë me besimtarët katolikë shqiptarë në Kosovë dhe në nivel të Ipeshkvisë Shkup – Prizren, ku katolikët shqiptarë përbënin 90 për qind të besimtarëve katolikë.

 FATI I POPULLIT TIM ËSHTË EDHE FATI IM

– kështu kishte thënë i madhi Pjetër Bogdani, qysh para më shumë se 300 vjetëve. Nikë Prela: “Në popullin tim e gjeta vetvetën”. Gjatë periudhës 1981-1989 Nikë Prela ishte i vetmi zë në mbrojtjen e çështjes së Kosovës. Ai ishte edhe krah i fortë i presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës

Koha kur imzot Nikë Prela kishte ardhur me shërbim në mesin e shqiptarëve të Kosovës, e që ishte vendosur në Ferizaj, në mungesë të lokalit për ipeshkvijë në Prizren, atmosfera politike nuk ishte e volitshme. Në fakt, ai kishte ardhur në Kosovë menjëherë pas demonstratave studentore të viteve 1968-1970. Në atë kohë të pa kohë në Kosovë ndihej mungesë e madhe e klerikëve shqiptarë, ishte mungesë e lirisë fetare e kombëtare për shqiptarë, ishte mungesë e objekteve kishtare, e shtëpive për priftërinj e motra nderi, ishte mungesë e madhe e literaturës dhe e shtypit fetar në gjuhën shqipe.

Do të ndodhin ngjarje shumë të rëndësishme

Pra, në kohën kur imzot Prela ishte ipeshkëv rrethanat shoqërore dhe politike ishin mjaft të ndërlikuara dhe të tensionuara. Për këtë arsye imzot Prela shpesh thoshte: “Po zihet moti si para shiut apo breshërit. Do të ndodhin ngjarje shumë të rëndësishme. Zoti na ndihmoftë e na ruajtë nga e keqja. Gjatë jetës sime mjaft shpesh kam përjetuar që kafshata të na vijë deri te goja, por jo edhe në gojë. Shpresoj se kësaj radhe nuk do ta humbim rastin. Besoj se ky rast do të jetë mjaft i mirë për popullin tonë”.

Po ashtu, edhe në takimet e shpeshta që kam pasur edhe vetë unë, autor i këtyre pak rreshtave, sikurse edhe në mjediset tjera, imzot Nikë Prela thoshte: “Deri sa isha me shërbim në trojet shqiptare, por edhe në ato të përziera në Mal të Zi, jetoja për shqiptarët, kurse që kur jam në mesin e njerëzve të gjakut tim, në popullin tim e gjeta vetvetën plotësisht. Dhe, nëse e kërkon nevoja jam i gatshëm që edhe jetën ta flijoj për popullin tim shqiptar pa dallim feje. Me fjalë të tjera, siç ka thënë i madhi imzot Pjetër Bogdani se “Fati i popullit tim është edhe fati im”. Me fuqinë e fesë dhe me frymëzim dashurie ishte vëlla, mik, prind dhe njeri i Zotit dhe i popullit për të gjithë njerëzit pa dallim feje. Në asnjë moment imzot Prela nuk e nënçmoi apo e dëboi askë mbi baza kombëtare apo fetare. Për të gjitha këto virtyte, që i pat shkelqësia e tij, edhe sot njerëzit e kujtojnë me nderim dhe falenderim.

Imzot Prela pat kujdes të madh për meshtarë, për rregulltarë dhe rregulltare, për thirrje të shenjëta, për besimtarë, si dhe për mbarë popullin shqiptarë. Gjatë shërbimit të tij në detyrën e ipeshkvit ai disa herë u takua me papët e kohës të Vatikanit, si dhe shumë herë me Nënën Tereze.

Imzot Nikë Prela kishte qëndrim të veçantë ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe të hendikepuarëve. Ishte gjithmonë i gatshëm të ndaj edhe kafshatën e gojës dhe petkun e trupit, sidomos për skamnorët. Gjatë veprimtarisë së tij në Kosovë ndihmoi varfënjakët me çka pat dhe sa mundi. Bile, në Ferizaj, në vitin 1990, gjashtë familjeve skamnore u ngriti shtëpi, pastaj e ndihmoi popullatën shqiptare me ilaqe e kujdes mjekësor, në veçanti ndihmoi më se 7500 fëmijë dhe të rinj shqiptarë, të cilët i helmoi okupatori serb. Ndihmoi masën e gjerë popullore shqiptare në Kosovë kur çdo ditë e më shumë po shtohej varfëria, veçmas në vitet 90 (pas vitit 1990) pas largimit nga puna të punëtorëve shqiptarë nga okupatori serb. Së bashku me dr. don Lush Gjergjin, pastaj me don Zef Gashin (tash arqipeshkëv i Arqipeshkvisë së Tivarit), me profesor Anton Çettën, me akademik Fehmi Aganin, por edhe me shumë veprimtarë të tjerë, themeluan Shoqatën humanitare bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze”.

Imzot Nikë Prela, së bashku me imzot Nikollë Minin, famullitar në Prizren, ishin edhe themelues të revistës fetaro-kulturore “Drita”, si dhe të shtëpisë botuese katolike me të njëjtin emër, si e tillë ishte e vetmja në botë. Imzot Nikë Prela në veçanti u dallua në krijimtarinë letrare e shkencore. Ai ka shkruar disa vepra, por edhe ka përkthyer shumë sosh.

Bashkëpunoi ngushtë me Ibrahim Rugovën

Kontribut të madh ka dhënë sidomos në ngritjen e zërit për çështjen kombëtare shqiptare dhe të Kosovës, që nga viti 1981, kur ishte i vetmi zë shqiptar deri në vitin 1989, por edhe deri kur kaloi në amshim trokiti vet, por edhe me shkresa protestuese pothuajse nëpër dyert e të gjitha shteteve evropiane, të SHBA-ve, si dhe në Kombet e Bashkuara.

Madje, ai me shumë veprimtarë të tjerë dhanë kontribut të madh në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve dhe të ngatërresave ndërshqiptare. Ishte dorë e djathtë e udhëheqësve shqiptarë, sidomos bashkëpunoi ngushtë me presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, por edhe me institucionet e asociacionet tjera të kohës të Republikës së Kosovës. Në veçanti ai ishte një parashikues i mirë i ardhmërisë së çështjes shqiptare dhe të Kosovës.

Do përmendur se imzot Nikë Prela nuk kishte pasur shëndet të mirë, që ishte pasojë e mundimeve nëpër burgje. Për këtë kishte shkuar edhe në Itali më parë, si dhe në Igallo të Hercegnovit (në Mal të Zi). Ndërkaq, më 27 maj të vitit 1984, në udhëkryqin e Kamaranit, afër Gllogovcit, kishte pësuar në një fatkeqësi të komunikacionit, ku kishte marrë lëndime të rënda trupore, që do të thotë se kishte thyerje të kërdhokulës në këmbën e djathtë. Ipeshkvin e lënduar nga vendi i ngjarjes e kishte marr Shaban Hyseni dhe e kishte dërguar në Spitalin e Prishtinës. Në anën tjetër, më 30 maj të po atij viti, në Klinikën Ortopedike të Shkupit ipeshkvi pati një operacion të rëndë dhe të ndërlikuar. Më vonë shkoi në Ohër (korrik 1984) për shërim, pastaj edhe në Bajë të Kllokotit dhe (më 4 mars 1985) dhe më vonë në Qendrën mjekësore për eshtra në Risan (Mali i Zi). Megjithatë, gjatë vitit 1995, iu desht t’i nënshktrohej katër operacioneve të rënda në Itali. Kjo e detyroi ta amputojë këmbën e djathtë kështu që deri në vdekje jetoi me karrocë. Për këtë fatkeqësi Imzot Nikë Prelës i shkruan Nëna Tereze: “Më vjen shumë keq për fatkeqësinë tuaj. Le t’ju ndihmojë dhe t’ju ushqejë lutja në këto çaste të vështira”.

Imzot Prela gjatë jetës së vet 78-vjeçare, 14 vjet shërbeu në Sutomore e 14 në Muo të Malit të Zi, si dhe 27 vjet ishte në detyrën e ipeshkvit të Kosovës, që do të thotë se ai pa ndërprerë punoi 55 vjet. Do përmendur se imzot Prela ishte ipeshkvi i parë shqiptar, në nivel të Ipeshkvisë Shkup-Prizren, pas 48 vjetëve, përkatësisht pas imzot Lazër Mjedës.Imzot Nikë Prela, edhe pse i kishte mbushur 75 vjet qysh më parë, në pension shkoi në moshën 78-vjeçare.

Mirëpo, vetëm pas shtatë ditëve të dorëzim-pranimit të detyrës ipeshkvit të ri imzot Mark Sopit, që u bë në Konkatedralën e Zojës Ndihmtare në Prizren, më 18 shkurt të vitit 1996, kaloi në amshim më 25 shkurt 1996, kurse mesha e dritës dhe përcjellja iu mbajt më 26 shkurt, përkatësisht mesha përkujtimore dhe varrimi i të ndjerit u bë në Prizren, në mënyrë madhështore, më 27 shkurt të po atij viti (1996).

Me rastin e kalimit në amshim të imzot Nikë Prelës, Ordinariatit Ipeshkvor në Prizren i kishin arritur shumë telegrame ngushllimi, e ndër ta edhe nga dr. Ibrahim Rugova, kryetar i Republikës së Kosovës.

PAS 48-VJETËVE – NIKË PRELA IPESHKVI I PARË SHQIPTAR

Nikë Prela: “Ndërgjegja: Zoti është porsi pasqyrë drejtësie, së vërtetës dhe i mirësisë. Nëse nuk mund të ballafaqohemi me vetën, për arsye të veseve të këqia që i kemi, kot e thejmë pasqyrën, sepse përsëri prej mijëra grimcash të pasqyrës, shohim fytyrën tonë të copëzuar e të shtrembër”

Imzot Nikë Prela gjatë shërbimit të tij, si në detyrën e meshtarit e po ashtu edhe gjatë kohës sa ishte ipeshkv, kujdes të madh i kushtoi meshtarëve, pra kujdes pat për rregulltarë dhe rregulltare, pastaj për thirrje të shenjta të të rinjve, për besimtarë, si dhe për mbarë popullin shqiptarë. Ai gjatë 28 vjetëve të shërbimit në dy famulli të Ipeshkvisë së Kotorrit – në Sutomore e në Muo, kishte lënë përshtypje shumë të mira te besimtarët. Ishte shumë i adhuruar dhe i dashur.

Si meshtar i ri ishte edhe dëshmitar i masakrës së njohur ndaj shqiptarëve në Tivar, ngjarje kjo e cila e ka përcjellur në formë ankthi gjithë jetën, duke e motivuar kështu për t’u identifikuar më së miri me fatin e popullit të tij – shqiptarë, vazhdoi të përjetojë edhe golgota të tjera bashkë me te (Mr. Qibrie Demiri “Imzot Nikë Prela, njëri nga më të rëndësishmit në galerinë e personaliteteve kombëtare”, temë e mbajtur në manifestimin përkujtimor në Ferizaj, më 24 shkurt 2004).

Megjithatë, Radio Vatikani, më 31 tetor të vitit 1969, kishte lajmëruar mbi një çështje shumë të rëndësishme për shqiptarët e besimit katolikë në Kosovë dhe në trevat etnike shqiptare, si dhe për ata në diasporë – nëpër botë. Çështja kishte të bënte me emrimin e don Nikë Prelës në detyrën e ipeshkvit. Në fakt, në bullën e shenjtërisë së tij papa Palit VI ndër të tjera thotë:

“Birit të dashur Nikollë (Nikë) përshëndetje dhe bekim apostolik!

Pasi ishte nevoja tepër e madhe që besimtarëve që gjuhë amtare e kishin shqipen, e që jetojnë në territorin e dioçezës Shkup-Prizren, t’u kushtohet një kujdes i posaçëm, na u dukë e nevojshme që të kujdestarojmë për të mirën e shpirtërve, që t’u japim eprorin e shenjtë, i cili në mënyrë të posaçme dhe të suksesshme do të kujdesohet për ta, dhe njëkohësisht i pasijur me virtyte të jashtëzakonshme dhe me shpirt fisnik, si dhe me ushtrim praktik të fesë ndaj njerëzve dhe rrethanave, do ta mësoj shtërngesën ungjillore pas së cilës shtigjet e kësaj toke do t’i drejtojë kah amshimi. Prandaj, sipas Këshillit të Kongregacionit Shenjtë për Ungjillizim të popujve ose për të përhapurit e fesë, dhe duke e pyetur vëllain e ndershëm Mario Cagnen, arqipeshkvinë titullar të Heraklesë në Evropë dhe delegatin apostolik, me pushteden tonë më të lartë po të emrojmë ipeshkv ndihmës “sedi datus” në Ipeshkvinë Shkup-Prizren për besimtarët e gjuhës shqipe, të cilët me shumicë jetojnë në Kosovë, dhe njëkohësisht po të emrojmë ipeshkv të selisë së zbrazët të Rufinianës duke t’i dhënë të drejtat dhe detyrat e përshtatshme…”

Për t’u kuptuar bulla e Papës më mirë po e citojmë çarkorën e Ordinariatit të Kotorrit:

“Arriti lajmi zyrtar në Ordinariatin tonë, që famullitari i Mullës (Muos) dhe i Shkalarës, don Nikë Prela, është emruar për ipeshkv titullar i Rufinianës për dioçezën e Prizrenit “sedi datus”, që do të thotë ipeshkv ndihmës për shqiptarë në Ipeshkvinë Shkup-Prizren. Shenjtëria e papës Pali VI e kishte ringjallur Ipeshkvinë e Prizrenit me bulën e vet “Ad Ecclesiam Christi”, të datës 2 tetor 1969, e me këtë ai e ringjalli përsëri dioçezën e Prizrenit dhe menjëherë ia bashkoi Shkupit “aeque principaliter” me të njëjtat të drejta. Ipeshkvi i ri është Ordinar për të gjithë besimtarët me kombësi shqiptare në dioçezën Shkup – Prizren (“Drita”, viti I, numër 1, 25 mars 1970, faqe 1). Imzot Nikë Prela pasi e mori detyrën e re, nëpërmjet revistës “Drita”, iu drejtua besimtarëve:

“Meshtarë të dashur, murgesha e besimtarë, vëllezër e motra shqiptarë!

Si ipeshkv rezidencial i Prizrenit, qytetit historik, të cilin para 48-vjetëve ishte i shtyrë ta lëshonte imzot Lazër Mjeda, ipeshkvi i fundit shqiptarë, Ju drejtoj të gjithëve përshëndetje dhe bekimin tim ipeshkvor.

Me rastin e kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, edhe më shumë bota mbarë e njohu emrin shqiptarë, kulturën dhe karakterin kreshnik të popullit tonë. Edhe papa Pali VI na dha nderë dhe lavdërime me letrën e vet drejtuar shqiptarëve në botë. Edhe më këtë rast papa e dëshmoi dashurinë e vet ndaj nesh duke e plotësuar dëshirën e meshtarëve dhe të besimtarëve, duke e dërguar në Prizren ipeshkvin e gjakut dhe të gjuhës tonë. Unë jam i prekur që më takoi zgjedhja aq e rëndësishme dhe vetën e detyroj që t’u përgjigjem dëshirave dhe shpresës së popullit tim.

Detyra është e rëndë, por me ndihmën e Zotit dhe me marrëveshje, përkrahje e bashkëpunim me ju, do ta arrijmë qëllimin tonë – përparimin dhe zhvillimin e kishës ndër ne.

Karakteri dhe bujaria jonë, të cilat janë lartësuar deri në besën tradicionale, si dhe mikpritja, kanë hy në leksikografinë botërore. Këto duhet të përhapen me dashuri, zemërgjërësi dhe me nderim ndaj çdo njeriu. Kultura jonë, e cila e ka pasur fillimin e vet me një përmbajtje fetare, është rreshtuar në rendin e kulturave të tjera botërore…” (“Drita”, viti I, numër 1, 25 mars 1970, faqe 2).

Njëherësh, imzot Nikë Prela përveç obligimeve ipeshkvore, rëndësi të veçantë i kushtoi brezit të ri, fëmijëve. Ai përherë u uroi shëndet, por mbi të gjitha fëmijëve u uroi fillim të mbarë të vitit shkollor:

“Të dashur fëmijë!

Në fillim të këtij viti shkollor ju drejtohem me dëshira të flakta për suksese të mira në shkollë. Më së pari në shtëpi do t’i dëgjoni prindërit tuaj dhe t’i nderoni të moshuarit. Në shkollë do të jeni të urtë. Nderoni dhe ndëgjoni mësimdhënësit me vëmendje, më shumë mësoni në shkollë se sa në shtëpi, por në shtëpi me kohë do të përsëritni të gjitha, sidomos çka keni për të mësuar përmendsh. Në kishë, sidomos të dielave, merrni pjesë në meshë me besimtarë tjerë, si anëtarët e një familje të përbashkët. Bashkëpunoni me besimdhënësit duke mësuar mirë se në çka të besojmë dhe si të jetojmë. Kështu, fëmijë të dashur, Ipeshkvi i juaj kujdeset për ju dhe lut Zotin për ditë për ju, për besimdhënësit dhe për mësimdhënësit tuaj, posaçërisht për farefisin tuaj.

Ju bekoj të gjithëve duke ju dëshiruar shëndet, suksese shembullore në shkollë dhe, si thotë shën Luka për Krishtin dymbdhjetëvjeçar në tempull, përparim në dije, në meshë e në hir para Hyjit e para njerëzve” (“Drita”, nr. 7- 9, 1989).

 TAKIMET E IMZOT NIKË PRELËS ME PAPËT

Ipeshkëvi i Kosovës disa herë është takuar me papa Plin VI dhe me papa Gjon Palin II. – Papa Pali VI e kishte shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit. Ne mburremi që Nëna Tereze është shqiptare. Papa Gjon Pali II gjuhën shqipe e rëndit në vendin e gjashtë të gjuhëve të botës. Prela i kishte njohtuar papët për gjendjen e rëndë politike në Kosovë, si dhe me përkeqësimin e gjendjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi

Imzot Nikë Prela gjatë kohës sa ishte ipeshkv pati disa takime me papë të Vatikanit. Së pari i shoqëruar nga sekretari i tij don Mark Sopi (tash ipeshkëv i Kosovës), imzot Nikë Prela, gjatë muajit nëntor të vitit 1970, u takua me papa Palin e VI. Me atë rast, papa së pari e pyeti imzot Nikë Prelën se “a je ti ipeshkvi shqiptar që duhet të përkujdesësh për shqiptarët në dioçezën Shkup – Prizren?”, kurse pasi imzot Nikë Prela e siguroi, foli edhe për gjendjen e kishave në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, për meshtarë, si dhe për popullin shqiptarë. Pas një bisede të gjatë papa duke ia dhënë bekimin apostolik për besimtarë dhe tërë dioçezën, u përshëndet me ipeshkvin tonë.

Pasi ishin kthyer, imzot Nikë Prela kishte kërkuar që të mbahen meshë shenjte për t’u lutur për papa Palin VI. Me atë rast ai kishte thënë se papa Pali VI është i rëndësishëm për popullin shqiptarë, sepse ai me rastin e shënimit të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, me letër që i ishte drejtuar Kardinalit Agagianianit, e kishte përkujtuar këtë hero tonin dhe të botës. Po ashtu, papa Pali VI e kishte ringjallur dioçezin e Prizrenit, duke e emruar ipeshkvin shqiptar imzot Nikë Prelën për besimtarët shqiptarë. Në anën tjetër, papa Pali VI i kishte dërguar letër imzot Nikë Prelës nëpërmjet Sekretariatit shtetëror të Vatikanit, imzot J.Benes-it, në të cilën thuhej:

“Exelencë dhe fortë i nderuari Imzot Nikë Prela !

Shenjtëria e tij me një gëzim tejet të madh kuptoi prej letrës sate bujare dhe prej revistës së bashkangjitur se me çfarë përpjekje fetare dhe përkushtim të flakët jeni duke u përgatitur për ta përkujtuar 100-vjetorin e kryekishës së Prizrenit, si ti vet, njashtu edhe mbarë kisha dhe të krishterëve shqiptarë.

Duke pasur parasysh tanimë vlerën dhe rëndësinë e asaj kishe të zbukuruar me emrin e Zojes së Bekuar, përkatësisht me emrin e Ndihmëtarës së të krishterëve, për jetën kishtare dhe nxitje në ato anë të fesë, me shpirt, gëzim dhe dëshira lakmoj për pjesëmarrje me ju në kremtim.

Bekimin Aposolik pra të kërkuar nga papa në këtë kohë të lumtur, Shejtëria e Tij me gatishmëri plot andje dhe dashuri atërore uron me gjithë zemër, më së pari Ty, meshtarëve, murgeshave dhe të gjitha familjeve të besimtarëve shqiptarë, që me hire të frytshme e të forcuara, me gëzime qiellore të përtrira, që të përfiton mbarë populli shqiptarë plotërinë e pasurive hyjnore.

Me një pëlqim përnjëmend të madh më ra kjo detyrë që t’u shkruaj dhe në rrethana të volitshme t’i nënshkruhem Shkëlqësisë Tënde shumë të nderuar”.

Imzot Nikë Prela pati edhe disa takime me papa Pali VI. Kurse, imzot Nikë Prela, i përcjellur nga dr. don Lush Gjergji, më 5 shkurt të vitit 1981, në Romë, realizoii takimin e parë me papën e ri Gjon Pali II. Me atë rast imzot Nikë Prela ia dhuroi papës të gjitha botimet e “Dritës”. Ati i shenjtë me interesim të madh e mori “Besëlidhjen e re” të përkthyer nga don Simon Filipaj, si dhe veprën “Nëna jonë Tereze” të dr. don Lush Gjergjit.

Një ditë pas takimit me papën, imzot Nikë Prela dha një intervistë për Radio – Vatikan, ku ndër të tjera tha se “Papa Gjon Pali II më pranoi në vizitë zyrtare dhe në fund të bisedës sonë ia dorëzova kompletin dhjetëvjetor të “Dritës”, si dhe “Biblën e ilustruar”, “Shujtën shpirtërore” dhe katekizmin “Krishti ndër ne”. Ati i Shenjtë i mori dhe i këqyri me vëmendje të madhe duke treguar interesim të posaçëm për këto libra. Veçmas ia tërhoqi vëmendjen “Besëlidhja e re” e përkthyer në gjuhën shqipe nga don Siman Filipaj. Me një interesim të njëjtë e vështroi edhe jetëshkrimin mbi Nënën Tereze, të cilën e përgatiti dr. don Lush Gjergji.

Ne mburremi, jo vetëm se Nëna Tereze është shqiptare, por se ajo u lind në dioçezën tonë Shkup – Prizren. Na vjen mirë që ka hapur një shtëpi në vendlindjen e saj, në Shkup, ku tani veprojnë motrat e saja. .

Papa më priti përzemërsisht, dhe për këtë i falem nderit çiltërisht. Gjatë bisedës ai tregoi ndaj nesh një mirëkuptim të madh. Si person edhe me fjalë të ëmbla ia jep zemrën bashkëbiseduesit duke zgjuar në te shpresën dhe sigurinë. Ai interesohet fare shumë për popullin tonë, gjë që dëshmoi shumë herë edhe botërisht në raste të ndryshme. Ai në të gjashtin vend të rënditjes së gjuhëve të botës e rradhit gjuhën shqipe”.

Papa njohtohet mbi gjendjen e rëndë të shqiptarëve

Po ashtu, gjatë qëndrimit në Romë, imzot Nikë Prela dhe dr. don Lush Gjergji, vizituan bazilikat e Romës, kurse në Kishën e shën Pjetrit, ata u luten mbi varrin e Papës së Parë, mbi varrin e papës së fundit që kishte kaluar në amshim, pastaj mbi varrin e papës shqiptar, papës Klimentit XI (Gjon Françeskut), si dhe vizituan shenjtërorën e Zojes së Shkodrës (Zoja e Këshillit të Mirë) në Gjenecano, afër Romës.

Njëherësh, më 17 mars të vitit 1983, papa Gjon Pali II i priti ipeshkvinjtë tanë – imzot Joakim Herbut-in dhe imzot Nikë Prelën, nga dioçeza Shkup – Prizren. Papa në veçanti u gëzua kur u informua për numrin e thirrjeve të shenjta, veprimtarinë pastorale të meshtarëve dhe besnikërinë e popullit. Në atë takim imzot Nikë Prela ia dorëzoi papës listën e 140 motrave (të nderit) shqiptare, të cilat së bashku me meshtarët shqiptarë, lutën për kthimin e Shqipërisë kah Zoti, si dhe e njohtoi papën me gjendjen e rëndë politike në Kosovë, përkatësisht me gjendjen e përkeqësuar të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.Po ashtu, më 27 maj të vitit 1987, në Romë, në audiencën e rëndomtë, që e ka papa me besimtarët shtektarë nga mbarë bota, mori pjesë edhe imzot Nikë Prela, i cili bashkë me ipeshkvinjtë tjerë të pranishëm, bekoi besimtarët e pranishëm. Me këtë rast imzot Nikë Prela e përshëndeti papa Gjon Palin II, i cili u ndal në një bisedë me Prelën. Më pastaj, imzot Nikë Prela ia dorëzoi papës botimet më të reja të “Dritës”, si “Katekizmat”, “Lule për Nënën”, “Historia e Ipeshkvisë Shkup – Prizren gjatë shekujve”, “Kisha dhe historia e saj” (10 vëllime), “Lutje dhe Arka”, “Shujta Shpirtërore” e botime të tjera. Papa këto botime i pranoi me gëzim dhe falenderim. Në fund të këtij takimi, papa tha: “Për çdo ditë lutem për popullin shqiptarë”.

Gjatë qëndrimit të imzot Nikë Prelës në Romë, ai e vizitoi edhe Seksionin e Gjuhës Shqipe të Radio – Vatikanit.

Gjatë shërbimit në detyrën e ipeshkvit Nikë Prela u takua me Atin e Shenjt edhe disa herë.

NËNA TEREZE ËSHTË BIJA MË E MADHE E POPULLIT SHQIPTARË

Imzot Nikë Prela është takuar shumë herë me Nënë Terezen. Ajo ishte një burim i një dashurie inventive. Pas 52 vjetëve Nëna Tereze përsëri në vendlindje. Sa herë që rrëfehej Nëna tereze “Punën e pendimit” e thoshte në gjuhën amtare shqipe. Nëna Tereze u laurua me Çmimin Nobel për Paqe

Imzot Nikë Prela: “Me Nënën Tereze jam takuar më së pari në Ferizaj, në korrik të vitit 1970, kur erdh për të më përshëndetur, e kur ishte duke shkuar te shenjtërorja e Zojes së Bekuar në Letnicë. Vizita ishte e shkurtër, e duke mos pasur çka t’i dhuroj, ia dhurova një kryq të thjeshtë, të cilin e mori me gëzim dhe me buzëqeshje.

Të dytën herë, në nëntor të vitit 1970, jam takuar me te në Romë.

Ishte tepër interesant takimi ynë dhe biseda që patëm. Për mua ishte një përjetim i paharrueshëm dhe një befasi – zbulimi i një dashurie inventive. Në mes tjerash, aty i pashë disa të rinj të veshur mirë dhe u interesova për ta. Nëna Tereze më tha se i viziton shtëpitë e të pasurve duke i kërkuar studentët t’i mësojnë falas fëmijtë e të varfërve dhe të të braktisurve, për të cilët Nëna Tereze e mbaroi një banesë në rrethinë të Romës. Kështu, më tha ajo, i mësoj njerëzit të bëjnë vepra të mira. Një muaj pas, më 6 janar të vitit 1971, Nëna Tereze fitoi, e para, “Shpërblimin e papës Gjoni XXIII për paqe”, të cilin ia dorëzoi papa Pali VI.

Të tretën herë, në muajin maj të vitit 1976, e vizitova me një motër shqiptare që vepronte në Romë, barakën e Nënës Tereze, por ajo nuk ishte aty.

Të katërtën herë u takova me Nënën Tereze kur erdh në Shkup, më 28 mars të vitit 1978. Në fakt, para se të vinte Nëna Tereze në Shkup, ajo dërgoi një telegram, ku thuhej:

I dashuri në Krishtin, Ipeshkv Prela,

Ja po ju sjelli një lajm të mirë, që katër motra tona tani janë të gatshme të vijnë në Shkup. Shpresoj se ju do ta keni një shtëpizë të vogël për to, kështu që kur të vijë unë – vijë së bashku me motra. Ju lutem që për këtë ta lajmëroni edhe kryetarin e Shkupit. Për këtë shpresoj se edhe ai do të na ndihmojë.Unë do t’u lajmëroj se kur do të vijë në Shkup. Motrat do të vijnë në Zagreb qysh kah gjysma e qershorit dhe atje do të më presin mua, kështu që së bashku, pas 52-vjetëve, do të vijmë në Shkup. Lutuni shumë për mua, në Krishtin besnike, Motra Tereze”.

Ndërkaq, me të arritur të Nënë Terezes në Shkup, u mbajt meshë, ku Nikë Prela e përshëdet me këto fjalë:

“Me kënaqësi të madhe, o Nëna Tereze, unë të përshëndes në emër të popullit tënd, në emër të meshtarëve, të rregulltarëve dhe rregulltareve si dhe në emrin tim në vendlindjen tënde, në Shkup.

Sot kam arsye të thënë edhe unë: O ti Shkup dhe o ti komb, prej të cilit ka dalur Nëna jonë Tereze, nuk jem më i vogël në botë, se mbarë bota na njeh përmes Nënë Terezes. Mirë se na ke ardhur, o Nëna Tereze”! (“Drita”, prill 1978, faqe 5 e 6).

Ndërkaq, kur e përcollëm nga aeroporti i Shkupit e pyetëm se si e flet gjuhën amtare shqipe?. Ajo na tha se qysh prej fëmijërisë, kurdo që rrëfehet anglisht apo kroatisht, gjithmonë e thotë “Punën e pendimit” në gjuhën shqipe. Kjo më preku në zemër, sepse është gjë simpatike, duke qenë se e tëra është shqiptare, prandaj edhe kur rrëfehet në gjuhë të huaja, “Punën e pendimit” e thotë në gjuhën amtare të nënës, ashtu e kuptoi Zoti lutjen e saj më mirë” (Kujtime mbi Nënë Terezën, “Drita”, nr. 11, 1979, faqe 10).

Imzot Nikë Prela është takuar me Nënën Tereze edhe më 10 dhjetor të vitit 1979, në Osllo, në ceremoninë e laurimit me Çmimin Nobel për Paqe të Nënë Terezes, pastaj më 26 maj të vitit 1980, kur erdhi si nobeliste në Kosovë. Me atë rast, në Binçë u mbajt një meshë, të cilën e udhëhoqi imzot Nikë Prela, i cili gjatë predikimit ndër të tjera tha: “Në diqezën tonë Shkup-Prizren, e cila shtrihet prej Pejës deri në kufinj të Greqisë, veprojnë përfaqësuesit e 10 shoqërive rregulltare, nëpër spitale, shtëpi të pleqve apo nëpër famulli. Mirëpo, kush e ka paraparë se këtyre motrave ka për t’iu bashkuar edhe një shoqëri, e cila ka për ta pasuruar dioqezën tonë, domethënë Shoqëria e “Misionareve të Dashurisë”, të cilat përndryshe na i njohim si Motrat e Nënës Tereze.

Mirëpo, si tha edhe ajo vetë mu sot, veprimtaria e saj, e cila nuk e ka historinë e gjatë, hapet vrullshëm anembanë botës duke hapur shtëpi të reja gjithnjë e më tepër në shumë vende, në tërë kontinentet, në mbarë botën, e cila botë edhe e thërret “nënë”.

T’i bashkojmë tash uratat, si na thërret Nëna Tereze, për këtë hap të parë të saj në dioqezën tonë, që e bëri në shenjë shpërblimi dhe falënderimi ndaj atdheut të vet” (“Drita”, numër 6-7, 1980, faqe 16-17).

Po ashtu, Imzot Nikë Prela u takua me Nënën Tereze edhe gjatë tetorit të vitit 1982, të cilën e priti në elterin e Kishës së Shën Katarinës në Pejë.

Njëherësh, kur dr. don Lush Gjergji e përgatiti monografinë me krijime kushtuar Nënës Tereze, në vitin

  1. Në te imzot Nikë Prela e kishte shkruar shkrimin “Mbi botën e mjerimit”, që i parapriu librit të përmendur, e i cili shkrim i kushtohej 75-vjetorit të Nënë Terezes. Në te ndër të tjera ku thuhet:

“Ishte një grua me emrin Drane, e njohur tani në të tëra gjuhët e botës – “Nëna Loke”, si e thërrisnin fëmijët e saj. I kishte tre fëmijë, një djalë e dy vajza, ndër të cilat e vogla quhej Ganxhe, e e cila edhe sot, pas 75-vjetësh jete, është e përmendur si “Nëna Tereze”.

Ndërsa ende e bartte në parzëm e ëma para 75 pranverave, askujt s’i vete mendja se kjo foshnje shqiptare nga Shkupi, do të dilte në pah si asnjë frymë njeriu përpara, e njohur dhe e përfillur nga mbarë rruzulli.

Kjo monografi e përfituar spontanisht nga elita jonë kulturore është dhurata më e natyrshme, mirënjohja më e çiltër dhe shpërblimi më intim, i cili do t’ia dalë çdo shpërblimi tjetër, për shpirtin e Nënës sonë Tereze, sepse është e zemrës, e gjakut dhe e gjenit të popullit shqiptar.

Monografia është njëherit edhe urimi më i përzemërt në emër të të gjithë vëllezërve dhe të motrave të saja shqiptare si tufë lulesh që kundërmonë këndshëm si vetë ndiesia që ushqejmë në zemrat tona për Nënën Tereze; me ngjyra të ylberta, si vetë rrezet ngushëlluese që lëshon Ganxhja mbi botën e mjerimit për të të strehuarit në kraharorin e Nënës sonë Tereze!” (“Lule për Nënën”, Ferizaj, 1986, faqe 7-9).

Me Nënën Tereze Imzot Prela është takuar edhe në Budapest të Hungarisë, ku qëndruan prej 16-18 qershor të vitit 1989.“Kremtojmë bashk me ty, o Nënë Tereze, o ti nderi i kombit, 80-vjetorin e jetës sate!

Rroftë Nëna Tereze me veprën e saj, e të motrave të saja në mbarë botën! Lavdi i qoftë prindërve të saj që e prunë në jetë në tokën tonë! Lavdi i qoftë popullit që ia dha gjuhën e gjakun e tiparet e rralla të fisit fisnik!

O Nënë Tereze, o motra jonë, o bijë e popullit tim, para të gjithë shqiptarëve të botës mbarë, para të gjithë atyre që e vlerësojnë humanizmin, ta shtrij dorën time, duke të marrë ngrykë vëllazërisht, me rastin e 80-vjetorit që je duke e shënuar me ne”. Imzot Nikë Prela (“Drita”, numër 1-2, 1990, faqe 16).

NËPËR EVROPË E AMERIKË PËR ÇËSHTJEN KOMBËTARE

Nikë Prela disa herë kishte qëndruar edhe në mesin e punëtorëve tanë me punë dhe qëndrim të përkohshëm jashtë vendit. Ai i kishte vizituar edhe arbëneshët e Zarës, Kelmendasit e Sremit, arbëreshët e Italisë, shqiptarët në Amerikë e gjetiu. Po ashtu, ai kishte hapur edhe Misionet e para Katolike Shqiptare nëpër Evropë. Rëndësi të veçantë i kushtonte bashkëpunimit ndërfetar te shqiptarëve

Imzot Nikë Prela me bashkëpunëtorë ka vizituar edhe shumë qendra të ndryshme të Evropës, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka paraqitur gjendjen e kishës katolike në nivel të dioçezës Shkup – Prizren, si dhe çështjen shqiptare dhe të Kosovës. Kështu, imzot Nikë Prela i shoqëruar nga don Zef Gashi (tash arqipeshkëv në Tivar), qëndruan në Belgjikë (1973), kurse më vonë i shoqëruar nga don Ndue Gjergji, në vitin 1985, përsëri e vizituan Belgjikën, ku u priten nga premieri Matrens e shumë personalitete të tjerë të këtij shteti. Përndryshe, Prela mjaft shpesh i ka vizituar punëtorët tanë në mërgim, si në Austri, Gjermani, Francë, Zvicër, Itali e shtete të tjera të Evropës. Po ashtu, imzot Nikë Prela në vitin l976 shkoi në Itali për të marrë pjesë në festën e lumturimit të Leopold Mandiqit, i lindur në dioçezen e Kotorrit ku edhe Prela kishte shërbyer. Në atë vit (1976), i grishur nga imzot Marjan Obllaku, mori pjesë në 200-vjetorin e arbëreshëve të Zarës, pastaj gjatë marsit e prillit të vitit 1987 gjendej në mjekim në Itali. Megjithatë, edhe gjatë asaj kohe ai bëri disa vizita zyrtare organeve kompetente të Selisë së Shenjtë, ku u takua me etërit basilian në Grottaferrata, me ç’rast e vizitoi edhe seminarin arbëresh (36 nxënës), si dhe i vizitoi disa bamirësa, shoqëri të ndryshme rregulltare, ku edhe shkollohen, përkatësisht veprojnë më se 20 motra shqiptare nga Ipeshkvia jonë.

Pasia zyrtare e imzot Nikë Prelës

Më 18 tetor 1985 Imzot Nikë Prela vizitoi në Shëngjergj të Ulqinit famullitarin, priftin dhe përkthyesin e afirmuar e të palodhshëm – don Simon Filipaj, i cili ishte duke e përgatitur “Biblën e ilustruar” për ribotim, si edhe “Besëlidhjen e vjetër”. Pastaj me imzot Perkoliqin, arqipeshkvin e Tivarit, u nis për Kotorr dhe Hercegnovi, ku u festua solemnisht lumturimin e Shën Leopold Mandiqit.

Udhën e vazhdoi për Sarajevë ku u përpoq me tre studentët tanë të teologjisë dhe me dy motra, ndër të cilat ajo e moshuara, Jozefina Vulaj, ka shërbyer më se 40 vjet në katedralën e Sarajevës, ndërsa tjetra punon në redaksi të revistës misionare “Radosna Vijest”.

Në Zagreb Imzot Nikë Prela bashkë me imzot Joakim Herbutin, mori pjesë në tubimet ipeshkvore, përkatësisht në Konferencën Ipeshkvore të ish-Jugosllavisë, pastaj u takua me studentët shqiptarë të teologjisë si edhe me motrat tona që studijojnë apo punojnë në Zagreb. Ipeshkvi, këtu, u takua edhe me besimtarët shqiptarë, ku edhe mori pjesë në meshën që thuhet në gjuhën shqipe të dielave të para të muajit.

Ipeshkvi, pastaj vizitoi edhe studentët tanë të teologjisë në Rijekë si edhe dy seminaristë në Kolegjin salezian. Duke u kthyer vizitoi edhe Gjakovo-n ku studion një student i yni dhe shërbejnë dy motra tona, nga të cilat – Drita Palushaj, që është organiste e njohur. Këtu kemi edhe një grup vajzash që përgatiten për jetën rragulltare (“Drita”, numër 11 – 12, 1985, faqe 23).

Njëherësh, më 22 maj të vitit 1987, imzot Nikë Prela vizitoi seminarin arbëresh në Romë, ku banojnë studentët e teologjisë, që kryejnë studimet në Universitetin e famshëm të Gregorianës. Këta janë studentët arbëresh (19 sish) prej Kalabrisë dhe Sicilisë, ndërkaq në seminarin e vogël në Sicili dhe në Kalabri gjenden edhe më se 30 seminarista të tjerë. Me këtë rast ipeshkvi ynë u takua edhe me dy ipeshkvitë arbëresh, imzot Stamatin dhe imzot Lupinaçin, me të cilët mori pjesë në Konferencën Ipeshkvore të Italisë.

Imzot Nikë Prela, në Romë, e vizitoi edhe famullinë e arbëreshve, që e udhëheq msgr. Eleuterio Fortino, e të cilit Prela ia uroi emrimin nga Ati i Shenjtë për nënsekretar të Sekretariatit për Bashkim të të Krishterëve.

Njëherësh, imzot Nikë Prela shumë shpesh ka shkuar vet, por edhe ka dërguar meshtarë nëpër Evropë për të mbajtur meshë në gjuhën shqipe për punëtorët tanë me punë dhe qëndrim të përkohshëm. Pastaj, ai vet dhe meshtarët tjerë kanë mbajtur meshë në gjuhën shqipe në Slloveni e në qytete të ndryshme të Kroacisë, si në Zagreb, Osijek, Rijekë, Split, Zarë e vende të tjera.

– Kur gjendet njeriu jashtë shtëpisë, larg vendlindjes, përkatësisht jashtë atdheut, në botë të huaj, kaplohet nga një ndjenjë e çuditshme, sidomos kur takohesh me shqiptarë, thoshte imzot Nikë Prela dhe vazhdonte: Kur nisesh në rrugë e ke parasysh se do të gjendesh në mesin e të huajve, kurse atje të presin vëllezërit, motrat… Isha në Detroid të SHBA-ve. As nuk kam mundur të ëndërroj ndonjëherë se në një meshë do të tubohen 3000 veta, siç më ndodhi në Detroid. Tre mijë shqiptarë. Ju thashë: Erdha këtu t’u sjell një pjesë të zemrës që e keni lënë atje… Në fytyrat e tyre shihja lot, lot malli, lot shqetësimi për fatin e vëllezërve e të motrave të lënë në mëshirën e represionit serb. Isha në Zvicër, në Slloveni, në Kroaci… Gjithkund shqiptarë… Shqiptarët kudo që gjenden mendjen e kanë te rrënjët (Ibrahim Kadriu: “Kemi me se të gëzohemi”, “Rilindja”, 10 dhjetor 1994, faqe 6).

Themelues i Misioneve Katolike Shqiptare nëpër Evropë

Ai gjatë veprimtarisë së vet ipeshkvore ka hapur misione katolike në Zvicërr, në Austri, në Kroaci dhe në Gjermani, kurse për Shqipëri ka dhënë leje për të shkuar misionarët shqiptarë nga Kosova. Në fakt, imzot Nikë Prela aty kah fundi i viteve të tetëdhjeta të shekullit kaluar, ishte profetik lidhur me Shqipërinë tonë martire. Ai në çdo meshë, pretk apo bisedë profetizonte duke thënë: “Mos u habitni, së shpejti do të hapet Shqipëria… Ne duhet të përgatitemi për t’u ndihmuar”. Ashtu edhe veproi menjëherë pas hapjes së Shqipërisë, dërgoi priftërinjë e motra nderi për të filluar aktiviteti fetar i krishterë.Po ashtu, ka vizituar familjet shqiptare të fisit Kelmend në Hertkovci e Nikinci të Kroacisë, të cilët në vitin 1737, së bashku me arqipeshkvinë Mihill Sumën, janë larguar nga atdheu ynë. Gjatë vizitës që e realizoi në Hertkovci e Nikinci aty kah vitet shtatëdhjeta të shekullit kaluar, atje e takoi edhe dr. Zekeria Canën, me të cilin më pastaj u shoqëruan mjaft shumë.Pra, imzot Nikë Prela ishte gjithmonë me besimtarët, me popull dhe në popull, pastaj me thjeshtësi dhe përvuajtëri, me zell baritor, ishte i gatshëm për të dëgjuar dhe dialoguar me të gjithë, në zëvendësim të meshtarëve nëpër famulli të ndryshme, nëpër rrëfime, në pasia baritore të besimtarëve në Kosovë edhe jashtë ipeshkvisë.

Bashkëpunimi ndërfetar te shqiptarët

Imzot Nikë Prela rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe bashkëpunimit ndërfetar të shqiptarët. Rregullisht ka bashkëpunuar me Kryesinë e Bashkësinë Ismame të Kosovës. Ai rregullisht ua ka uruar festat fetare islame pjesëtarëve shqiptarë të besimit islam. Sa për ilustrim po e japim urimin e imzot Prelës dërguar BIK-së, përkatësisht ish-kryetarit Rexhep Bojës, ku thuhej: “Uratat dhe lutjet të na bashkojnë. Dashuria dhe të mirat që gjenden në zemër dhe në mendje të njerëzve të na lartësohen dhe të na përsosen për lavdi të Zotit! Urojmë paqe dhe mirëqenie të popullit shqiptarë të Kosovës dhe kudo që jeton! Të jemi të bashkuar në lutje, agjërime e sakrifica!” (“Bujku”, “Uratat të na bashkojnë”, 31 janar 1995, faqe 2).

Apo, urimi për festën tjetër, ku thuhet: “Të dashur vëllezër shqiptar të besimit islam, që ju bashkon kremtimi i Bajramit në uratë, bashkojmë edhe uratat tona për paqe dhe mirëqenie, por mbi të gjitha për popullinm tonë shqiptarë, i cili na është besuar ne udhëheqësve fetarë. Në emër të besimtarëve shqiptarë të fesë katolike, si dhe në emrin tim personal, pranoni shprehjet vëllazërore të urimit të përzemërt (“Bujku”, Avni Shabani “Uratë e përbashkët”, 10 maj 1995, faqe 1).

 IPESHKVI ME ZEMËR HUMANISTI

Imzot Prela në Ferizaj ka ngritur gjashtë shtëpi banimi për skamnorë shqiptarë. Me ngritjen e ambulancave të improvizuara nëpër kishat katolike të Kosovës ndihmoi të helmuarit e vitit 1990, përkatësisht përkrahu kërkesat e minatorëve, të studentëve dhe të shklollës shqipe që ishte strehuar nëpër shtëpi private. Ishte pjesëmarrës aktiv në aksionin e pajtimeve

Imzot Nikë Prela u dallua si prindër i mirë i të varfërve dhe i të mjerëve. Ishte i gatshëm të ndaj edhe kafshatën e gojës, edhe petkun e trupit për skamnorët. Thoshte “E di nga përvoja ime familjare çka do të thotë të jesh i pasur, por edhe i varfër. I kam provuar gati të gjitha përveç vdekjes. E di se çka është uria, etja, pasiguria, skamja, varfëria. Jam tejet i lumtur dhe i falenderueshëm Zotit që më ka mundësuar që tani t’u ndihmojë të tjerëve – skamnorëve e të sëmurëve.

Ai përherë e citonte Shën Gjon Ungjilltarin, i cili kishte thënë se “si mund të thuash se e do Zotin, të cilin nuk e sheh, duke mos e dashur të afërmin të cilin e sheh”. Nisur nga kjo thënie e artë, vetëm në Ferizaj, ku që nga viti 1970 jetoi dhe veproi e deri me kalimin e tij në amshim, ka ngritur gjashtë shtëpiza për skamnorë. Mirëpo, për bamirësi të tij nuk kishte dëshirë asnjëherë të flitej, sepse, siç thoshte ai, këtë më së miri e di dhe e shpërblen Zoti.

Okupatori serb helmoi 7421 të rinj shqiptarë

Okupatori serb në Kosovë për t’ i shtyrë shqiptarët të pranojnë okupimin, kishte filluar me helmimin e fëmijëve dhe të rinisë shqiptare nëpër shkolla. Numri i të helmuarëve kishte arritur në 7421 sish.

Për këtë, imzot Nikë Prela, më 23 mars të vitit 1990, lëshon një kumtesë në të cilën thuhej: “Lajmi mbi helmimin e fëmijëve, nxënësve dhe të rinisë shqiptare në Kosovë na ka tronditur thellë në shpirt dhe në zemër. Së bashku me familjet e tyre dhe me mbarë opinionin tonë jemi të brengosur për këto ngjarje. Në emër të humanitetit energjikisht gjykojmë aktet e tilla dhe apelojmë te njerëzit, organizatat kompetente që të bëjnë çdo gjë për të shpëtuar jetën e të helmuarve, për të qetësuar këtë çështje tejet të ndërlikuar dhe të vështirë, në dobi të të gjithë njerëzve, pa kurrëfarë dallimesh, që të gjithë të jetojmë dhe të veprojmë në paqe e dashuri vëllezërore” – Nikë Prela.

Të helmuarëve në ndihmë së pari u kishte dalur kisha katolike në Binçë dhe në Ferizaj, ku në këtë të fundit ishte hapur një ambulancë e improvizuar me 27 shtretër ku trajtoheshin të helmuarit. Motrat e nderit kishin siguruar pak medikamente nga donatorët, në mënyrë që t’i jepet ndihma e parë fëmijëve dhe rinisë së helmuar. Këtë e kishin hetuar organet e policisë serbe, të cilat kishin ndërmarrë aksione kundër kishës, si dhe akuzonin kishat katolike, meshtarët dhe ipeshkvinë se kinëse “po e helmojnë rininë shqiptare” (Halim Hyseni: “E vërteta për helmimet”, PSHDK në Prishtinë, 1996, faqe 8, 20, 117, 204 – 206).

Helmimi nga okupatorët serb ishte interpretuar së pari si “aktrim i shqiptarëve për ta njollosur pushtetin e Serbisë”, pastaj si “trillim dhe mashtrim apo psikozë kolektive”, dhe së fundi si “organizim i Kishës Katolike Shqiptare, sidomos në Ferizaj dhe në Binçë” (!?). Kjo flet më së miri se sa larg mund të arrijë mendja e prishur e okupatorit.

Në fakt, gjatë natës 3 dhe 4 gusht 1990 njësitë e armatosura speciale serbe e kishin rrethuar Kishën “Engjëlli i Rojës” dhe Shtëpinë e Ipeshkvit e të meshtarëve në Ferizaj për të kërkuar dhe gjetur “barnat helmues”. Shefi i Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Ferizajit, Sllavko Stevanoviq ndër të tjera deklaron për mjetet e informimit të Beogradit se në Kishën Katolike të Ferizajit kishin gjetur “depo medikamentesh të ndryshme” dhe se “dyshimi i bazuar ishte treguar i saktë”. Kjo “kampanje” kundër Kishës Katolike u bë, sepse kishat dhe ambulancat tona ishin strehimore për shumë të helmuar, si dhe reagimi kundër internacionalizimit të kësaj çështje, që e kishte ngritur nëpër botë Nikë Prela.

Bile, për kohën e helmimeve, imzot Nikë Prela, më 6 gusht të vitit 1990, i shkruante të gjitha këshillave ekzekutive të republikave dhe të krahinave autonome në RSFJ-së, por pa efekt. Zëri i Prelës te ato organe kishte hasur në veshë të shurdhër! Për këtë Mazllum Saneja në një letër që ia drejton Papa Gjon Palit II shkruan “…dëshiroj t’Ju informoj, Atë i Shenjtë, përkitazi me sulmin dhe bastisjen e paparë, marrjen e barërave në Kishën Katolike Shqiptare të Kosovës (Binçë, Ferizaj), e cila me shërbimin e saj bamirës po u ndihmon të sëmurve nga helmimi masiv i nxënësve të Kosovës (Mazllum Saneja: “Letër e hapur papa Gjon Palit II”, “Fjala”, tetor 1990, faqe 13).

Gjatë patrollimit dhe kontrollimit disaorësh ipeshkvi me gjakftohtësi dhe dinjitet burëror, por edhe me ironi u kishte thënë policëve: “Bunkeret e barnave për helmime kërkoni gjetiu e jo te ne. Për këtë bastisje pa vendim të gjyqit do ta dij së shpejti mbarë bota. Jemi mësuar me strategjitë tuaja, sepse tri vite i kam kaluar nëpër shkollën tuaj, nëpër burgje”.

Me nisjativën e Prelës u themelua SHHBK “Nëna Tereze”

Në anën tjetër, për shkak të thellimit të varfërisë sidomos pas largimit nga puna të punëtorëve shqiptarë nga okupatori serb, varfëria te familjet shqiptare çdo ditë e më shumë ngriste kokë.

Për këtë shkak, pas shumë konsultimesh, më në fund në kohën kur shënohej 80-vjetori i lindjes së Nënës Tereze, përkatësisht 40-vjetori i themelimit të rregullit të saj “Misionarët e dashurisë”, filluar nga imzot Nikë Prela, dr. don Lush Gjergji, don Zef Gashi, profesor Anton Çetta, akademik Fehmi Agani e shumë veprimtarë të tjerë, në Prishtinë, më 10 maj të vitit 1990, u themelua Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nëna Tereze”, e cila deri në çlirimin e Kosovës me të madhe ndihmoi masën shqiptare me ushqime, veshmbathje e kujdes shëndetësor (Frrok Kristaj “Sofra e Nënës”, SHHBK “Nëna Tereze”, Prishtinë, 2000, faqe 14).

Kontribut të jashtëzakonshëm kishte dhënë imzot Nikë Prela edhe në Aksionit për Faljen e Gjaqeve, Plagëve dhe të Ngatërresave, aksion ky që kishte filluar nga një grup i të rinjve të Pejës, e të cilit (aksionit) i kishte prirë Plaku i Kosovës Anton Çetta.

Së pari, në emër të Ipeshkvisë Prela e kishte përkrahur aksionin, e pastaj edhe ishte bërë pjesëmarrës i devotshëm në pajtime, fjala e të cilit kishte ndikim të madh te masa e gjerë.

Lidhur me këtë, siç shkruan Mazllum Saneja, “karshi këtyre ngjarjeve dramatike dhe të papara në historinë kosovare, Kisha Katolike Shqiptare në Kosovë, në krye me ipeshkvin e saj, imzot Nikë Prelën, dhe me bashkëpunëtorët e tij të vyeshëm dhe të devotshëm, kontribuan shumë në pajtimin e gjaqeve në Kosovë (Mazllum Saneja: “Letër e hapur Papa Gjon Palit II”, “Fjala”, tetor 1990, faqe 13).

 PRELA – EMBLEMË MENÇURIE E KOHËS

Përkushtimi i Prelës për traditën, historinë dhe filozofinë e etnisë shqiptare ishte permanent. Në biseda për çështjet kombëtare i këndellej delli patriotik, sidomos kur vlerësohej aktualiteti politik. Prela botoi katër vepra autoriale, përktheu edhe më shumë sosh, si dhe e zbuloi dhe e botoi një vepër të Shtjefën Gjeçovit

Kreun e Kishës Shqiptare të Kosovës, ipeshkvin Nikë Prela, e njoha nga takimet, që në fillim ishin spontane, e më pastaj me qëllim të caktuar që të ndeshësha me urtinë e tij, me horizontin e gjerë të njohurive mbi traditën, historinë dhe mbi filozofinë e raporteve në etninë shqiptare; mbi te, a që gjithnjë ishin me peshë. Përkushtimi i tij mbi këto baza ishte permanent, i guximshëm prej një kleriku shumë domethënës.

Andaj, temat për të cilat angazhohej, fliste, duke e mbajtur të zgjuar interesimin e bashkëbiseduesit – vinin të peshuara mirë, si reflekse të të përfkushtimit fetar, por edhe shkencor në të njëjtën kohë; tema të avansuara me peshën e mendimit.

Atij i kishte hije biseda, se e bënte me konsideratë ndaj bashkëbiseduesit, se në ato biseda i këndellej delli patriotik, sidomos kur vlerësohej raporti aktual politik, diskriminues ndaj shqiptarëve, që mbante tendosjen në Kosovë. Në ato raste e hetoje afrinë prindore të tij, këshillat për rezonim të drejtë, për krijimin e afërsisë mes njerëzve pa dallim përkushtimi fetar. Imzot Nikë Prela e kishte urtinë për të hapur rrugë ecjeje. Ai e ndiente thellë diskriminimin mbi baza kombëtare dhe përpiqej të gjente mënyrë veprimi për eliminimin e atyre diskriminimeve, ose mënyrën që mund t’i lejonte hirarkia e shërbimit.

Njeri i Zotit dhe i popullit

Me ardhjen e imzot Nikë Prelës ipeshkv i shqiptarëve të besimit katolikë në Kosovë, u përtëri idea që ekzistonte edhe më herët për themelimin e një reviste fetaro-kulturore në gjuhën shqipe. Kështu, nisjatori i kësaj ideje don Nikollë Mini, famullitar i Prizrenit, imzot Nikë Prela me meshtarë të tjerë, që shërbenin në Kosovë, themeluan revistën “Drita”. Imzot Nikë Prela me të ardhur në Kosovë, tha: “Le të bëhet “Drita” dhe drita u bë!” Kështu edhe doli në dritë revista “Drita”. Kjo revistë shumë shpejt u afirmua, u rrit dhe u zgjerua edhe me shtëpinë botuese me të njëjtin emër, që në fakt ishte e vetmja revistë në botë e kësaj natyre. Deri më tani kjo shtëpi botuese ka nxjerrë në dritë rreth 65 tituj të natyrës fetaro-kulturore, që në fakt është kjo një vazhdimësi e traditës sonë të lashtë të kulturës së klerit katolik ndër shqiptarë gjatë shekujve (Dr. don Lush Gjergji: “Njëri i Zotit dhe i Popullit”, “Rilindja”, 25 shkurt 2000, faqe 10).

– Si çdo tjetër ndërmarrje pioniere, po ashtu edhe “Drita”, e cila ua hapi rrugën botimeve të tjera, kishte vështirësitë, por edhe sukseset, kuptohet edhe të metat. Të gjithë jemi angazhuar dhe jemi përpjekur të bindur se jemi duke bërë një punë të mirë dhe tejet të nevojshme, duke pasur para sysh mungesat e trashëguara. Zhvillimi dhe përparimi i saj nuk ishte, pra, aspak i lehtë. Megjithëse kemi shpresuar se do të hasim së paku në njëfarë mirëkuptimi, pa pritur përkrahje të posaçme, thoshte Atë Hil Kabashi, tash ipeshkv i Ipeshkvisë Elbasan – Fier.Do përmendur se revistën “Drita”, që nga numri i parë e deri në fund të vitit 1973, e ka udhëhequr në detyrën e drejtorit përgjegjës don Nikollë Mini, ndërkaq që nga viti 1974 e deri në vitin 1991, kur edhe pushoi së botuari kjo revistë, në detyrën e drejtorit përgjegjës ishte imzot Nikë Prela.

 Ishte krijues dhe përkthyes

Veprimtarinë në fushën e shkrimeve imzot Nikë Prela e nisi herët. Shumë tekste fetare, sociologjike e filozofike i botoi nëpër shtypin fetar kroat, si dhe në revistën “Drita”.

Në anën tjetër, imzot Nikë Prela ishte edhe krijues i mirëfilltë. Ai që nga numri i parë i revistës “Drita” e deri në numrin e fundit, në çdo numër botoi pjesë nga fjalori biblik, si dhe artikuj të tjerë, që do të thotë se ai është autor i veprës “Fjalori biblik” (1994), që e përktheu në gjuhën shqipe don Simon Filipaj. Nuk ka dyshim se “Fjalori biblik” paraqet njërën nga përpjekjet më të mëdha të imzot Nikë Prelës në sferën e begatimit të jetës shpirtërore.

Nuk do të ishte mirë e të mos përmendet edhe vlerësimi i dr. don Lush Gjergjit për librin “Shenjëtorët – pajtorët tanë”, sipas të cilit ata janë më afër nesh (Mr. Qibrie Demiri ”Imzot Nikë Prela, njëri nga më të rëndësishmit në galerinë e personaliteteve kombëtare”, temë e pabotuar).

Pastaj, hartoi dhe botoi veprën “Shqyrtime dhe mendime”, “Krshqanska sadashnjost”, Zagreb, 1995, “Shenjtërit – pajtorët tanë”, 1995, romanin autobiografaik “I huaji në shtëpinë e babait tim”, që tash për tash ekzistojnë vetëm 21 faqe, përkatësisht nga faqja 23 deri në 44. Imzot Nikë Prela njihet edhe si përkthyes. Ai përktheu veprën “Dokumente konciliare” (1992), “Nëna jonë Tereze” (e autorit dr.don Lush Gjergjit), 1982 dhe “Zbatimi i thirrjes” (1995).Të shkruash për imzot Nikë Prelën dhe të mos e përmendësh faktin se falë dashurisë dhe kujdesit të tij të jashtëzakonshëm është gjetur, ruajtur dhe është botuar dorëshkrimi i veprës, deriatëherë të panjohur, të Atë Shtjefën Gjeçovit, proza romaneske “Shpërblesi i botës apo jeta e Jezu Krishtit”, që e kishte gjetur në bibliotekën e Famullisë së Pejës në vitin 1987, e që u botua në vitin 1993. Ky libër është ndërlidhës brenda një aktiviteti letrar dhe brenda traditës hasiane, që historikisht mungesa e këtij teksti do të ishte mëkat për faktografinë e letrave tona.Do përmendur se imzot Nikë Prela të gjitha shkrimet e veta, që i botoi në gjuhën kroate në revistën “Vrelo zhivota”, i botoi me pseudonimin NIP. Madje, imzot Nikë Prela me rastin e shënimit të 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, në faqet e revistës “Drita”, botoi një recital.Imzot Nikë Prela çdo vepër të vetën apo të të tjerëve, që e botonte “Drita”, apo ndonjë shtëpi tjetër botuese, ai e merrte me dorë ritualisht, së pari e puthte e pastaj e shfletonte dhe e lexonte. Ishte dashamirë i madh i librit e në veçanti i librit në gjuhën amtare shqipe.

AMBASADOR I ÇËSHTJES SË KOSOVËS

Nikë Prela ishte zëri i atyre që nuk kishin zë. Edhe të mos isha shqiptar, do të isha në anën e popullit të shkelur, thoshte ai dhe shtonte: “jam ipeshkv shqiptar për shqiptarët, ndaj edhe “faji” i shqiptarëve është edhe imi. Ai ishte identifikuar me fatin e Kosovës. Thoshte: “Herdokur do të ngadhnjejë drejtësia dhe e vërteta për Kosovën dhe popullin shqiptarë”. Ishte martir i gjallë, trasues i rrugës kah liria, demokracia dhe pavarësia e Kosovës. Nikë Prela vërtetë ka hise të madhe në diellin e tashëm të lirisë së Kosovës

Dhjetë vjetët e para (1970-1980) të shërbimit të imzot Nikë Prelës në detyrën e ipeshkvit në Kosovë ishin në shërbim të Zotit. Ndërkaq, dhjetëvjetori i dytë (1981-1990) karakterizohet sidomos me paraqitjen, mbrojtjen dhe angazhimin e tij të guximshëm e profetik dhe të vetëm në internacionalizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës. Në veçanti ai ishte vënë në mbrojtje të studentëve, punëtorëve, intelektualëve, institucioneve të Kosovës dhe mbarë popullit të pambrojtur, e në veçanti të shkollës shqipe, e cila mbahej gjallë nëpër shtëpitë private, sidomos pas suprimimit edhe të asaj pak autonomie që kishte Kosova e deri te shpallja e Kosovës Republikë.

Imzot Nikë Prela në veçanti ishte aktiv që nga ngjarjet e vitit 1981, kur urtisht, me guxim dhe profetikisht ngriti zërin kundër dhunës së pushtetit okupator serbë, kundër padrejtësisë, diferencimeve, burgosjeve dhe vrasjeve. Me dashuri, urti dhe guximin e meshtarit të devotshëm, u bë mbrojtës i të pambrojturëve, u bë zëri dhe ndërgjegjia e të shkelurëve e të nëpërkëmbëve, u bë ngushllim i të pikëlluarëve, prind dhe vëlla shpirtëroro – moral i mbarë popullit shqiptar.

Dashuria për Zotin, kishën dhe popullin shqiptarë

Që nga viti 1981 e deri me kalimin e tij në amshim, imzot Nikë Prela ka folur, ka shkruar dhe e ka paraqitur gjendjen e popullit shqiptarë të Kosovës e të Maqedonisë në shumë forume kishtare, kombëtare e ndërkombëtare. Kjo veprimtari e tij ishte e frymëzuar nga dashuria për Zotin, për kishën dhe për mbarë popullin shqiptarë. Nikë Prela dhe mbarë kleri katolik shqiptarë, ishte pothuajse e vetmja forcë morale, fetare dhe kombëtare, që u përpoq në çdo mënyrë të jetë me popullin e rrezikuar, duke e paraqitur çështjen shqiptare në të gjitha forumet ndërkombëtare kishtare, fetare, politike e diplomatike. Imzot Nikë Prela ishte bërë zëri i atyre që nuk kishin zë (YAHOO grups në Gjeramani, “Stublla”, numër 4482 të datës 11 janar 2002).

Kaptinë në vete është përpjekja e imzot Nikë Prelës në internacionalizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës në qarqet ndërkombëtare. Në takimet e tij me papët, por edhe me përfaqësues të tjerë diplomatikë, dhembja e tij ishte Kosova. Ai në fakt ishte shndërrua në një ambasador të çështjes së Kosovës, duke u identifikuar kështu plotësisht me figurën e ndritshme të Pjetër Bogdanit të madh. Nikë Prela vërtetë ka hise të madhe në diellin e tashëm të lirisë së Kosovës.Se vërtetë ishte zëri i vetëm në mbrojtje të çështjes së shqiptarëve dhe të Kosovës e dëshmon e dhëna se fjala e tij kishte arritur pothuajse në të gjitha instancat politike të Evropës dhe të botës. Ai i kishte shkruar kryetarit të SHBA-ve, kryetarit të BRSS-së, Kinës, të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, parlamentit evropian, Konferencës Ipeshkvore të Evropës e shumë e shumë të tjerëve. Për angazhimin e Prelës për çështjen e Kosovës, e kishte falenderuar edhe dr. Ibrahim Rugova (QIK, raporti numër 735, 27 tetor 1995).

Imzot Nikë Prela ishte dhe mbeti deri në vdekje paqedashës, vëzhgues dhe analizator i thellë i ngjarjeve që kishin ndodhur në Kosovë. Për te viti 1989 ishte sfida e jetës dhe tronditja e thellë e ndjenjave njerëzore, kombëtare, fetare dhe kishtare. Ai kurrë nuk u dorëzua para të keqës, para rreziqeve dhe kërcnimeve të shpallura apo të fshehta, por u gjunjëzua vetëm para Zotit dhe para të mirave të popullit të vet dhe të mbarë njerëzimit. Me urti iu përgjegj sfidave dhe kritikave kinëse kjo nuk ishte detyra e tij që të merrej me politikë, për çka thoshte se “bota ende nuk e di mirë dhe sa duhet se çka po ngjan me ne. Edhe të mos isha shqiptar, do të isha në anën e popullit të shkelur, sepse vuan pafajësisht dhe padrejtësisht. Detyra ime është ta njohtoj botën mbi gjendjen tonë. Herdokur do të ngadhnjejë drejtësia, e vërteta, sepse askush nuk e ka botën në dorë përveç Zotit”.A nuk është e çuditshme se si serbët na quajnë “shiptari” për të na ofenduar, thoshte Prela dhe shtonte ashtu fatkeqësisht veprojnë edhe kishat ortodokse serbe. Në shumë mjete të informimi më quajnë “shiptarski biskup”. Këtë e bëjnë për të më ofenduar, por unë do të ofendohesha sikur ata të më lavdëronin. Harrohet me qëllim se shqiptarët janë pasardhësit e Ilirëve, nga të cilët kanë dalur shumë perandorë romakë e bizantinë, por edhe shumë shenjtër, si shën Jeronimi që e ka përkthyer Daniçiqi e Karaxhiqi. Në fund pyet imzot Nikë Prela se në emër të cilit civilizim sot serbët bëjnë racizëm”.

Më 3 mars 1995 imzot Nikë Prela i dërgon letër protestuese kryetarit të Maqedonisë Kiro Gligorovit, në të cilën thuhet: “Mendimet që i pata për ju për personalitet të arsyeshëm, po frikohem se pas ngjarjeve të fundit në Tetovë, kanë filluar të më zbehen. T’ju kujtoj se jam ipeshkv ndihmës i Ipeshkvisë Shkup – Prizren, për besimtarët shqiptarë dhe se jam solidarizuar me vëllezërit shqiptarë edhe në Maqedoni, për të cilat e ngris zërin e protestës dhe të brengosjes për krejt ato që po ngjajnë ende në Tetovë.

Bile, tezave famëkeqe se në Kosovë vepron terrorizmi, seperatizmi, irredentizmi, ekstremizmi fundamentalist islamik e deri te kanibalizmi shqiptar, ai i përgjegjej qartas se “fjala është për popullin tim, pa dallime fetare, të cilët përndjekën padrejtësisht. Edhe unë jam dënuar tri herë me burg vetëm pse jam shqiptar dhe meshtar katolik. Prandaj, unë nuk do të hjek dorë kurrë nga vetvetja dhe nga e vërteta. S’ka kompromis me rrena, mashtrime e manipulime. Për ta mbrojtur të vërtetën duhet të jemi të gatshëm të flijojmë çdo gjë, nëse është nevoja edhe jetën. Tërë jeta ime sintetizohet në këtë: “për Zotin, për kishën, për popullin tim shqiptar”.

“Faji” i shqiptarëve është edhe imi

Në fakt, kur të tjerët heshtën, imzot Nikë Prela foli në emër të Zotit dhe të popullit shqiptar, kur të tjerët fshiheshin e largoheshin nga Kosova, ai doli në skenë për të luftuar si Davidi me Goliatin, kur të tjerët rrahnin gjoks dhe krenoheshin edhe me trillime e mashtrime në shpinë të popullit, ai lutej dhe vepronte në përvuajtëri, kur të tjerët bënim kompromise edhe me rrena dhe mashtrime për t’i ikur përndjekejeve, ai nuk u tremb, por thoshte me vendosmëri “Unë jam ipeshkv shqiptar për shqiptarët, “faji” i shqiptarëve është edhe imi, i gatshëm për çdo lloj flijimi, sepse ishte mishëruar dhe i identifikuar me fatin e Kosovës martire.Imzot Nikë Prela ishte një flijimtar i vërtetë, një vizionar i shquar, një profet i guximshëm, një meshtar i shenjtë, një martir i gjallë, një trasues i mirëfilltë i rrugës kah liria, demokracia e pavarësia e Kosovës.

Duke e përkujtuar imzot Nikë Prelën kujtojmë shumë ngjarje të rëndësishme dhe vendimmarrëse për kohën tonë e me këtë frymëzohemi që ta duam njëri – tjetrin, për ta nderuar historinë tonë më të lashtë dhe historinë tonë më të re. Dhe, sa më shumë që kalon koha nga kalimi i tij në amshim aq më i madh na duket imzot Nikë Prela. Porosit e tij janë gjithmonë aktuale, shembull për t’u ndjekur, shembull për t’u zbatuar.

Imzot Nikë Prela jetoi me Zotin, me kishën, me popullin e vet shqiptar, kurse tash ai jeton në të tjerët, në kujtesë të të gjithë atyre që e mbajtën mend, por edhe të brezeve të reja që do ta kujtojnë në bazë të veprave dhe porosive, të cilat ndërlidhën me kohën dhe rrethanat tona tash dhe në të ardhmën.

*Ne Foto: Ballina e monografisë sime “Imzot Nikë Prela”, të botuar në vitin 2006

Filed Under: ESSE Tagged With: Frrok Kristaj, Në 20-vjetorin e kalimit në amshim, Nikë Preles/, të Imzot

Pashkët: pse bëhet ngjyrosja e vezëve?

March 29, 2013 by dgreca

Nga Frrok Kristaj/

Kjo festë, që te të krishterët çmohet më e madhja pas Kërshëndellave, edhe te populli shqiptar është ngulitur dhe tash e shumë shekuj përcillet edhe me rite të ndryshme. Festa e Pashkëve fillon me Krezhmet shtatëjavëshe, me “Oj mamët”, ditën e luleve, darkën e mbramë, ngjyrosjen e vezëve, bekimin e bukës dhe të bereqeteve të tjera dhe përfundon me Pashkët
Nga festat e shumta të të krishterëve, përkatësisht të besimtarëve katolikë, pas Kërshëndellave, që paraqesin lindjen e Jezu Krishtit, festa e Pashkëve është pa dyshim më e madhja, që paraqet ngjalljen e Tij. Pra, Pashkët janë festim i kthimit në jetë të Krishtit pas kryqëzimit të tij, përkatësisht festimi më i shenjtë ndër festat e krishtera.
Në fakt, shtatë javë para Pashkëve fillojnë Krezhmet (zgjasin 40 ditë, në mënyrë që të përkujtohet 40 ditë të qëndrimit të Jezusit në pyll), apo Moti i lidhur, që identifikohen me mundimet e Jezu Krishtit, që te shqiptarët njihet si Udha e Kryqës. Gjatë kësaj periudhe besimtarët e krishterë nuk e përdorin për ushqim as mishin, as bylmetin. Kryesisht përdoren perimet dhe ushqime të përgatitura me vaj dhe peshk.
Pashkët kremtohen të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit, që zakonisht kremtohen brenda 22 marsit dhe 25 prillit. Festa e Pashkëve, që identifikohet me ngjalljen e Krishtit, është ngjarje kulminante fetare në jetën e të krishterëve, sepse në te bazohet triumfi mbi mëkatin, mbi vdekjen, triumfi i dritës mbi errësirën, i lirisë mbi robërinë dhe triumfi i të mirës mbi të keqen (djallin).

Kalimi nga errësira në dritë

Me ngjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e madhe (kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq) në të Dielën e Pashkëve (kur ngjallet), përkatësisht kalimi nga errësira në dritë.

Edhe filozofia e krishterë e pranon faktin se shpirti i njeriut për nga natyra e tij është i pavdekshëm, ai hyn në pavdekshmërinë hyjnore pasi të jetë liruar nga verigat e trupit. Si rrjedhojë e kësaj del se ngjallja paraqet themelin e shpresës, e cila kurrë nuk mposhtet, dhe përsosmërinë e dashurisë. Pra, Krezhmet paraqesin përgatitjen për ngadhnjimin mbi të keqen, kurse Pashkët paraqesin fitorën mbi mëkatin, dashurinë mbi urrejtjen, mbi vdekjen. Këtu jeta na paraqitet si ngadhnjim.

Kjo e vërtetë mund të zbatohet edhe në realitetin tonë shoqëror. Procesi i ngjalljes

Ngjan edhe me bashkësinë, me popullin. Bile, dihet se Kosova kohën e Krezhmeve e kaloi në Kalvarin e vet mbi vuajtje e sakrifica për të arritur deri te dita e shumëpritur me shekuj – dita e lirisë dhe e gëzimit. Këtë liri duhet me përkushtim ta përforcojmë me vepra e dashuri, sepse liria është një sfidë, që kërkon vetëmohim dhe bashkim të të gjitha forcave në mënyrë që t’i arrijmë të mirat e përbashkëta, që janë edhe të mira personale. Po ashtu, ana materiale nuk bënë që të ta rrënojë botën e brendshme. Jemi të thirrur ta dëgjojmë Zotin, që problemet t’i zgjidhim me ndihmën e Tij, sepse tek e fundit festa e Pashkëve, sikurse edhe vetë fjala pashkë, do të thotë festë, kërcim, ngjallje e çlirim nga robëria, që na vjen nga të tjerët, por edhe nga vetvetja.

Pashkët – kremte e madhe

Te populli shqiptar është ngulitur festa e Pashkëve, e cila përcillet edhe me rite të tjera autoktone, që janë bërë pjesë e kulturës shqiptare.
Festa e Pashkëve fillon me kohën e krezhmëve shtatëjavëshe, në të cilat bëjnë pjesë (në javën e katërt, të pestë dhe të gjashtë) dhe “Oj mamët”.
“Oj mamet” janë grupe meshkujsh, që veshën me rrobe të leckosura, vëjnë mustakë artificialë dhe dalin e lypin vezë. Te dyert e çdo shtëpie kërcejnë duke thënë:
“Oj mamë, oj mamë
del-e moj dele
del-e o moj vashë
a m’i jep nja dy-tri vo për Pashkë?”.

Kështu vezët e fituara i ruajnë për t’i ngjyrosur në festën e Pashkëve.

Pastaj, në të dielen e parafundit të Pashkëve, është Festa e Luleve apo e Dielja e Ljarit, kur merren kryesisht lulet e thanës dhe nga thupra të thanës punohen nga 10 kryqa të vegjël, të cilët së bashku me lulet bekohen dhe pastaj vëhen mbi dyer të shtëpive, dhomave, hamarëve, koshave, ahureve, në kryeara (në krye të arave) dhe te varret.

Java, nga e Diela e Luleve e deri të Dielën e Pashkëve, quhet Java e Madhe. Dita e enjte para Pashkëve, njihet edhe si Vojimi i Shenjtë, apo Darka e Fundit (darka e ndarjes). Në atë darkë Krishti i gostiti nxënësit e vet vetëm me bukë dhe verë. Me bukë sepse buka përveç që ushqen, e mban trupin, ajo e ka edhe një veçori mjaft të rëndësishëm në jetën tonë: edhe na bashkon. Na bashkon kur ulemi të gjithë së bashku rreth tryezës (rreth sofrës), ndërsa buka gjendet në midis. Nga ajo bukë marrim të gjithë nga një pjesë, përkatësisht të gjithë pjesëtarët rreth sofrës bëhemi edhe pjesëtarë të një buke. Dihet se buka bëhet prej miellit, mielli prej kokrrave të grurit, e kokrrat prej kallinjve, që kanë qenë të shpërndarë nëpër ara. Pastaj, sa kokrra gruri e sa kallinj janë bashkuar për t’u bluar dhe tani janë bërë bukë, ashtu edhe njerëzitë bashkohen. Pra buka është shenjë bashkimi dhe njësimi, ashtu edhe Krishti me themelimin e eukaristisë, meshës, kungimit e ka menduar bashkimin në një zemër me bukën e tij – kungimin. Mesha, eukaristia, kungimi janë shenja bashkimi me Krishtinë dhe me njëri-tjetrin. Po vera? Bashkimi është shenjë gëzimi, domethënë se edhe bashkimi rreth bukës është shenjë gëzimi, e gëzimi e do edhe verën. Ndërkaq, ditën e enjte – të Enjten e Madhe në kishë organizohet larja (nga ana e famullitarit) e këmbëve të 12 aktivistëve (veprimtarëve), të cilët paraqesin 12 apostuj (nxënës) të Jezu Krishtit.

Ngjyrosja e vezëve

Ditën e enjte, diku dhe të premten, bëhet ngjyrosja e vezëve. Në fakt, veja qysh në kohët e lashta te popujt e ndryshëm kishte të bënte me zgjimin e natyrës në stinën e pranverës, ndërsa më vonë u mor si simbol i jetës së re dhe i ngjalljes së Jezu Krishtit. Bile, një prej simboleve më të vjetra pranverore në botë është veja. Forma ovale e vezës simbolizon formën e pikës së shiut dhe të farës. Këto të dyja kanë qenë elemente të rëndësishme për jetë.

Në fillim vezët u ngjyrosën me ngjyrë të kuqe, sepse gjaku ka ngjyrë të kuqe. Duke shikuar misterin e jetës, veja e kuqe merret si simbol i rruzullimit në të cilën çdo jetë përsëritet në heshtje dhe përjetësohet në drejtim të Provanisë hyjnore. Ajo na paraqet një botë të vogël të plotësuar, një harmoni të bukur, që asgjë nuk mund t’i shtohet e as t’i heqet. Në fakt, në mitologjitë e popujve, veza paraqet idenë e plleshmërisë së jetës dhe dhuntitë e çmueshme të njerëzimit dhe të natyrës. Kështu, prej simbolizimit të lashtë krishterimi e shndërroi idenë lëndore dhe ia përshtati misterit të Pashkëve. Në shembullin e vesë i krishteri sheh varrin në të cilin e vendosën Krishtin, duke menduar (armiqtë) se e kishin lënë për jetë të jetës, ndërsa ai përgatitet në heshtje për të dalë ngadhnjyes me një jetë të re, të pavdekshme. Për Krishtin dhe në Krishtin merr dritë enigma e dhembjes dhe e vdekjes, përkatësisht Krishti ngjallet duke e shkatërruar vdekjen me vdekjen e vet. Pra, të ngjallurit e Krishtit konsiderohet peng i sigurt i të ngjallurit tonë. Për këtë veja e kuqe simbolizon jetën, dritën dhe gëzimin (në këtë rast të Pashkëve). Veja e kuqe është edhe shenjë e lidhmërisë, miqësisë, afërsisë. Për ketë edhe vezët e kuqe dhe bekimi i tyre me bukën e bekuar kanë fituar edhe kuptimin e krishterë. Ngjyrosja e vezëve kuq na përkujton vdekjen e Krishtit dhe derdhjen e gjakut të tij për të mirën e njerëzimit. Së këndejmi, veja e Pashkëve te të krishterët është simbol i ngjalljes së Krishtit, sikur që krijesa e re shpërthen lëvozhgën e vesë, ashtu edhe Krishti, duke i rrënuar muret e varrit të tij dhe duke ngjadhënjyer mbi vdekjen, del në jetë të re.

Dita e premte është dita e vdekjes së Krishtit në kryq, për këtë arsye nëpër kisha bëhet puthja e Krishtit (trupores), si dhe ditën e shtunë në mbrëmje mesha fillon në mbrëmje para kishës me ndezjen e zjarrit, i cili edhe bekohet nga ana e famullitarit. Në kishë hyhet me qirinj të ndezur, që simbolizojnë dritën, e më pastaj mbahet mesha. Pas meshës famullitari bën bekimin e bukës (pogaçe, përkatësisht nore) dhe të bereqeteve të tjera, bekim që lidhet me Agapët (sipas gjuhës greke që do të thotë dashuri shpirtërore, dashuri ndaj Zotit, shenjtërve, vëllait, mikut, shokut) e të krishterëve të parë, përkatësisht me Korpin e Krishtit, kurse të dielën kremtohet ngjallja e Krishtit, Pashkët.

Ditën e Pashkëve, që njihet edhe si Diela e Pashkëve, së bashku në familje dhe në shoqëri festohet fitorja e Zotit, Jezu Krishtit, ngjallja e tij prej së vdekuri, po sa të zgjohen besimtarët hanë bukën e bekuar dhe ushqimet e tjera (djath, hudhra, vezë, kripë etj). Pas mëngjesit lahen duart në një enë të veçantë, në mënyrë që uji që tashmë konsiderohet i bekuar, të mos derdhët kudo, por në vendet e pastërta e ku nuk shkilet, kurse më pastaj bëhet urimi i festës së Pashkëve me “Me shëndet Pashkët!” apo “Për shumë mot Pashkët!”(Kortezi AlbInfo.ch)

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Frrok Kristaj, Pashket, pse njgjyrosen, veset e Pashkes

Etnografi- Ritet e lindjes në Zym të Hasit

January 13, 2013 by dgreca

Lindja – shtimi i familjes, shihet si pasuri e shtëpisë, përkatësisht shihet si vazhdimësi e jetës së familjes. Hedhja mbi koka të krushqëve grurë dhe sheqerka simbolizon pjellërinë – vazhdimin e jetës. Edhe kulaçi i nusës simbolizon pjellërinë, sikurse edhe vënia mbi kokë tre plisave nusës. Rrethi i Grave në Zym – gjinekologji e kohës/

 NGA Frrok KRISTAJ/

 Për botëkuptimet popullore martesa ka për qëllim kryesor shtimin e njerëzimit, përkatësisht sjelljen në jetë të fëmijëve. Ndërkaq, ardhja në jetë e fëmijëve paraqet ngjarje me rëndësi, gëzim të qiftit bashkëshortor, të familjes dhe farefisit më të gjerë (Drita Statovci “Elemente mitologjike dhe demonologjike në doke e zakone të lindjes”, Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji, Instituti Albanologjik i Prishtinës, nr. 18, viti 1988, faqe 173-191).

Nga dëshira e madhe për t’u përtërirë jeta, përkatësisht për të pasur pasardhës, populli (pa dallim nacionaliteti, besimi, race apo vendi) ka krijuar doke e zakone të llojllojta, të cilat jetësohen në raste të caktuara të ngjarjes së lindjes. Dukuritë e këtilla janë dëshmi e një vetdije shoqërore, gjegjësisht është dëshmi e një shkalle të zhvillimit njerëzor.

Te tradita shqiptare, pra edhe në Zym të Hasit, ardhja në jetë e fëmijës paraqet gëzim në familje. Lindja – shtimi i familjes, shihet si pasuri e shtëpisë, përkatësisht shihet si vazhdimësi e jetës së familjes.

Dëshira për të pasur pjellëri – fëmijë, në fakt shfaqet që në ditën e martesës – në ditën e dasmës, kur nusja hynë në oborr me ç’rast i hidhet mbi kokë grurë e sheqerka (A. Dojaka “Ceremoniali i dasmës shqiptare”, Tiranë, Etnografia shqiptare, nr. IX, viti 1978, faqe 132).

Zakoni i lindjeve edhe sot është i ruajtur mirë si në fshatrat shqiptare e po ashtu edhe nëpër qytete. Bile, ky zakon ushtrohet si në shtëpinë e vajzës, sidomos kur kumbara i dhëndërrit që ka ardhur me krushq, hynë te nusja (në shtëpi të vajzës) dhe asaj i derdhë mbi kokë para të metalta, e po ashtu edhe kur vjen nusja në shtëpi të burrit (dhëndërit), në hyrje të oborrit një plakë u hedhë mbi koka të krushqëve, por edhe të nusës, grurë dhe sheqerka (të përziera). Pra, elementet e këtilla simbolizojnë pjellërinë – vazhdimin e jetës.

 

Kulaçi i nusës

Te shtëpia e dhëndërrit dasma fillon në mesnatë (në mes të ditës së merkurë dhe ditës së enjte) kur i zoti i shtëpisë shtin me armë, që është simbol i pastërtisë dhe virgjërisë, sinjalizon fillimin e sitjes së miellit nga një djalë, e pastaj tri vajza (që kanë prindër, vëllezër e motra, përkatësisht – me zemra plotë) fillojnë të gatuajnë kulaçin e nusës. Në fakt, kulaçi është simbol i pjellërisë, por edhe prania e djalit paraqet dëshirën që nusja për të cilën po gatuhet kulaçi të lind djemë (Anton N. Berisha “Grishja dhe këngët e grishtarit në Zym”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji, viti 1975, faqe 143-156); Rr. Berisha “Kontribut rreth zakonit të këngëve të “kulaçit të nusës”, Instituti Albanologjik i Prishtinës – folklor dhe etnologji, nr. III, viti 1975, faqe 119-121). Natyrisht se këto rite e zakone përcjellen edhe me këngë e def.

 

Djali nën duvak

Po ashtu, doket dhe zakonet popullore dëshmojnë se për të lindur nusja djem, nga shtëpia e dhëndërit dikur kur niseshin krushqit për ta marrë nusen patjetër e merrnin një djalë të vogël. Ndërkaq tash kur dasmat bëhen me makina, krushqit në makinë të nuses i marrin dy fëmijë (një djalë dhe një vajzë), që do të thotë se kur nusja hyn në makinë ajo ua puthë duart që të dy fëmijëve, mirëpo kur nusja vjen në shtëpi të dhëndërit familjarët e dhëndërit e marrin një djalë tjetër dhe e fusin në makinë, të cilin nusja e ulë në preher dhe më pastaj e përcjell kah dera tjetër, ku e prit një person, i cili djalin e merr dhe e hip mbi makinë nga e merr personi i mëparshëm dhe përsëri atë e ulë nusja në prehë dhe kështu ky rit përsëritet tri herë për çka edhe nusja e dhuron me diçka atë djalë. Në fakt, më herët kur nuk kishte makina, nusja vinte me kali të bardhë dhe e mbuluar me duvak të kuq. Adhe atëherë veprohej kështu – një djalë e fusnin në duvakun e nusës për çka nusja e dhuronte me ndonjë dhuratë e pastaj e sjellnin tri herë mbi kali e nën kali.

 

Kumbara ia vënë nuses tre plisa

Po ashtu, kumbara i shtëpisë së dhëndërit, që në dasmat e Zymit ka shumë rëndësi, pasi të vendosen krushqit në shtëpi të dhëndërit pas sjelljes së nusës, ua merr tre krushqve tre plisa dhe shkon te nusja dhe para se t’ia heq duvakun ia vënë plisat tri herë në kokë e pastaj ia heq duvakun. Do përmendur se gjatë kësaj kohe nusja duhet të qëndroj mbi një umi të përmendës, apo të ndonjë metali tjetër, të mbështjellë me një thes gruri.

Ky pra është një rit me simbolikë të pjellërisë së dyfisht. Themi kështu sepse umi i përmendës është i lidhur me tokën, që jep ushqime – pjellëri, që do të thotë  se barazohet edhe me pjellërinë e nusës, përkatësisht se pjellëria e tokës bartet edhe te ajo e nusës. Në anën tjetër, umi e ka edhe funksionin mbrojtës nga demonët e këqinj, pasi që ata (demonët) i frikësohen hekurit (metalit).

 

Rrethi i grave – gjinekologji e kohës

Në afërsi të Zymit të Hasit, përkatësisht afër Kroit të Laskavecit, aty afër 100 metra në anën e djathtë nga drejtimi Gjonaj-Zym, gjendet Rrethi i Grave. Quhet Rrethi i Grave sepse siç pohojnë pleqtë e këtij vendbanimi, dikur ishte turp të lindnin gratë në shtëpi, ndaj plakat e shtëpisë i dërgonin shtatëzënat në atë vend për të lindur. Aty afër ishte edhe burimi i ujit (Kroi i Laskavecit), por kishte edhe drunjë për ta ndez zjarrin për ta nxerë ujin për nevoja të lindjes. Pra, Rrethi i Grave në njëfarë mënyre paraqiste një lloj gjinekologji të vendbanimit.

Pas lindjes gratë ktheheshin në shtëpi dhe varësisht nga stina – gjatë pranverës, verës e vjeshtës së hershme thonin se fëmiun e solli lejleku apo shqiponja, përkatësisht në vjeshtën e vonë dhe dimërit thonin se fëmiun e kanë gjetur në grazhdë të ahurit të bagëtive.

Do përmendur se edhe pas interesimit tonë se a ka ndokund në trevat shqiptare diçka të tillë si Rrethi i Grave në Zym, nuk kam dëgjuar e as nuk kam lexuar, që do të thotë se Rrethi i Grave në Zym të Hasit është unikat.

 

Ritet për lehtësim të lindjes

Natyrisht se për shtëzënat në mënyrë të veçantë janë kujdesur plakat e familjes, në mënyrë që akti i lindjes të jetë sa më i lehtë. Për t’iu lehtësuar lindja janë bërë edhe disa rite si puthja e katër mureve të dhomës duke e formuar kryqin në dhomë. Pra, elementet më të paraqitura padyshim se ka qenë ai i kryqit, pastaj i ujit i përhershëm që ecën (si te Rrethi i Grave që ekziston burimi – Kroi i Laskavecit). Këto rite të tjera përkojnë edhe me disa simbole ilire (Aleksander Stipçeviq “Amuletet ndër ilirë në kohën parahistorike”, Gjurmime aIbanologjike – seria historike, Instituti Albanologjik i Prishtinës, nr VIII, viti 1978, faqe 29: i njëjti, “Simbolet e kultit te ilirët”, IAP, 1984, faqe 21).

Në fakt, kryqi si simbol solar, përkatësisht i diellit, do të thotë se simbolizon jetën dhe shëndetin. Në anën tjetër, uji që rrjedhë simbolizon plleshmërinë, vdekjen dhe përtëritjen, por që ka edhe aftësinë e pastrimit si mjet i të liruarit.

Ruajtja e fëmiës nga mësyeshi (amuletja)

Në ditët e para të lindjes si lehonat e po ashtu edhe fëmijtë i ruajnë nga gjërat e pakëndshme, si nga demonët e këqinj, nga terri, nga vetmia, nga “syri i keq” e kështu me radhë. Bie fjala, për ta ruajtur lehonën, ajo duhet që në shokë (brez) të mbanë hudhëra. Në anën tjetër, fëmija duhet që ta ketë fytyrën e mbuluar, apo që në djep të ketë edhe hudhëra, apo në shokë me të cilën lidhet për djepi, përkatësisht mund të ketë edhe këmbë të iriqit, lëkurë të gjarpërit e kështu me radhë, në mënyrë që të mbrohej nga “syri i keq” (mësyeshi) – amuletja, demonët e këqinj, e të tjerë.

Filed Under: Kulture Tagged With: etnografi, Frrok Kristaj, Has, Ritet e lindjes ne Zym

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT