Nga Fritz RADOVANI/
TEK PENDA E ZALLIT TË KIRIT 1992/
■1946 VIT I ZI SI FUTAT… /
Përveç Nanës sime të vishun me të zeza, si fëmijë kujtoj atë vit edhe dy Nana po me të njajtin emen të vishuna me të zeza, Katrinë Prelen, Nanen e Kolë Prelës së Dukagjinit, dhe Katrinë Tomen, Nanen e Vllazenve Pal e Mark Thani të pushkatuem ndersa, Dedë Thani i burgosun në Jugosllavi… Katrinë Tomja gati kishte “harrue” vrasjet nga tmeri i burgosjes së dy mbesave, vajzat e reja Terezina e Liza Pali… Nga dy Nanat Katrina, unë si fëmijë mësova emnat e futave të zeza që Ata të shkretat i kishin kokat e mbulueme….
Nga lidhjet e vjetra të familjeve tona, Katrinë Tomja vinte ma shpesh në shtëpinë tonë, dhe mirpritej me dashuni per natyren e Saj bujare, inteligjente dhe një humor që nuk mund të kuptohej nga dilte prej Asaj Nane të vishun zi nga koka deri tek kambët…
Kurr nuk i kam pa lot nder sy… As sot nuk dij me e shpjegue!
■Unë vazhdojshe me luejtë me lojnat e mija, po veshi më kapte shpesh fjalë nga bisedat e Nanës sime me Katrinën. Kujtoj një thanje të saj: “Këta dalshin fare!..”, sigurisht, unë atëherë as nuk dijshe me kuptue shka domethanë ajo shprehje!
***
■Me rasën e 25 Janarit 2016, kur Presidenti Nishani shkoi në Koplik dhe dekoroi atje Ata Burra të Maleve që dhane jeten per Liri, mu kujtuen nga fëminia ngjarjet perqethëse të atyne viteve, kur si Nana Katrinë Tomja u mbuluen me futa qindra Nana të tjera…
■Fjala e Presidentit duhet të zgjojë jo vetem Veriun po gjithë Shqiptarët nga gjumi…
Rishfaqja e surratit diktatorit po sjellë ato pasoja që sjellin tiranët, per të cilët Profesor Petro Fundo ka thanë: “Diktatorë si Enver Hoxha sundojnë edhe per së vdekuri!”…
Presidenti kerkoi hapjen e dosjeve të krimeve të Sigurimit të Shtetit, mbasi ato nuk i perkasin asnjëherë retorikës. Hetimet e krimeve të komunizmit dhe dënimi i krimeve të Sigurimit të Shtetit është pazgjidhshmërisht i lidhur me çështjet e interesit të sigurisë kombëtare të shqiptarëve. Presidenti shtoi: “E quaj të papranueshme hartimin dhe tendencën e një neni të tillë nga të ashtuquajturit ‘ekspertë të reformës në drejtësi’ për të vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë një nen që ndalon njëherë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit.
Nga kjo trevë dhe tokë Martirësh u bëj thirrje deputetëve të përgjegjshëm të Kuvendit të Shqipërisë ta refuzojnë mbështetjen dhe miratimin e një neni të tillë në Kushtetutën e Shqipërisë! Ata u kanë bërë një provokim të rëndë vuajtjeve dhe sakrificave, por edhe kujtesës historike, kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve.”
***
■Shteti i sotem i korruptuem nga qeveritarë tradhëtarë dhe kriminelë vllavrasës, asht shtet i trashiguem nga terroristët ma të mëdhej të Shekullit XX në Europë!
Sot mbas 70 vjetësh ma shumë se kurrë, dëgjohet nga “gropat pa Emna” Urimi:
■“Këta dalshin fare!”: Po kush janë këta bisha:
Anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare.
Anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (të Punës) dhe Kandidatët e sajë.
(Këtu duhet të përfshihen edhe dezhurët bashkë me pastruesit e zyreve të këtyne institucioneve).
Anëtarët e të gjitha Qeverive të Shtetit Shqiptar mbas vitit 1944.
Anëtarët e Agjensisë Telegrafike Shqiptare dhe korespondentët e gazetave kryesore.
Anëtarët e Byrove të Partisë, në Komitetët e Rretheve, Institucione kulturore e arsimore, ndërmarrje, Kooperativa Bujqësore, etj.
Anëtaret e Byrove të Organizatave të Rinisë dhe Sekretariateve të BRPSH.
Anëtarët e Gjykatës së Naltë të RPSH.
Anëtarët e Gjykatës së Naltë Ushtarake – Tiranë.
Anëtarët e Trupit Gjykues të Gjykatës, së Qarkut, të Rrethit etj.,
Anëtarët e Partisë Komuniste Shqiptare (Partia e Punës dhe Partia Socialiste Shqiptare),
Anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Anëtarët e Kryesisë së Organizatave të Frontit Demokratik (ku, mbulohej Partia
Komuniste Shqiptare), në Kryeqytet dhe qytete të Shqipnisë.
Anëtarët e Kryesisë së Komiteteve Ekzekutive dhe Këshillave Popullore të qarqeve,
rretheve, qyteteve, lokaliteteve, fshatrave, koperativave bujqësore etj.
Anëtarët e Komisarjateve të Ushtrisë dhe të Zyrave të Kuadrit.
Anëtarët e Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Anëtarët e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Anëtarët e Kryesisë së Kolektivave të Avoketënve të Shqipërisë.
Anëtarët e Partisë që kanë krye Shkollat e Larta: “V.I.Lenin”, Juridik, Financë etj.
■Urimi duhet të fillojë nga terroristët që mendohen me u mbrojtë me ligj!
Alia Ramiz, Agolli Neki, Alibali Jusuf, Alizoti Përtef, Ameti Selajdin, Andoni Dhimitër.
Baci Gita, Bajraktari Shkëlzen, Bakalli Alush, Baku Nedime, Ballata Pjetër.
Balluku Beqir, Bala Vehbi, Banushi Gjon, Banushi Tano, Beçolli, Bejtja Xhemal, Bekteshi Sadik, Beltoja Loro, Bello(?), Beqari E, Beqiri Bastri, Beqja Hamit,
Beqja Rakip, Biba Bardhok, Bitaku (?) Injac. Bllaci Misto, Borduni Mihajl,
Brahimi Shaban, Bregu Bilo, Bushati (Qorri) Ali, Bylbyli Mehdi,
Cakaj Edmond, Cakrani Namik, Cani Zenel, Celi Qeverin, Ceta (Çeta) Niko.
Çami Foto, Çanga Vehbi, Çarçani Adil, Çarçani Siri, Çaushi Ismail, Çeliku Hajredin,
Çifligari Dhimitër, Çirako Gjule, Çitaku Ramadan, Çollaku Lin, Çela Aranit, Çoba Idriz,
Çoku Shyqyri, Çomo Jani.
Daragjati Pjetër, Dautaj Shaban Q., Deda Ndoc, Dedja Rasim, Dede Spiro, Dedej Sybi, Demiraj Shaban, Demiri Marko, Demiri Sulë, Dibra Faik, Dibra Shefqet, Dibra Ylvi, Dibra Zija, Dilo Koço, Dini Jonuz, Dini Xhemal, Dino Ago, Dodona Sotir, Drini Skënder, Dume Petrit, Dushi Bardhyl, Dymylja Xhemal, Dhora Dhimitër, Dhroso Jorgo, Fishta Adem, Fishta Iljaz, Fishta Vehbi, Floqi Gaqo,
Gavoçi, Qamil, Goga Lefter, Gora Hysen, Grabocka Myftar, Gramshi Xhemal,
Gjerga Sllobodan, Gjylbegu Ilir, Gjyli Arif, Gjata Rustem.
Hoxha Enver, Hafizi Dr.Ramiz, Hafizi Shuajp, Haka Rexhep, Hakani Petrit,
Hakiu Abdyl, Hako Hulusi, Halluni Ferit, Harito Qiriako, Hasi Pjetër, Haviari Nesti, Haxhi Iljaz, Haxhiu Rexhep, Hazbiu Kadri, Haznedari Nëvzat, Hebovija Hilmi,
Hoxha Fadil, Hoxha Nexhmije, Hysejni Nexhat, Hysi Skënder,
Ilia Kolec, Iljazi Mustafa, Isufi Beqir, Isufi Halit.
Jaho Taqo, Jakobini Andrea, Jakova Kolë, Jakova Tuk, Jaku Gjon, Janjiqin Dragutin, Jashari Qemal, Jegeni Llambi, Josifi Koço, Jubani Bep, Jubani Satber, Jubani Lec.
Kabashi Çesk, Kafeja Vasil, Kanani Petro, Kapisuzi Fadil, Kapisyzi Qazim, Kapo Hysni,
Karamelo Thoma, Kastrati Jup, Kavaja Vasil, Kçira Pjerin, Keçi Hamid, Klosi Bilbil,
Kijariq Branisllav, Koçov Sllobodan, Koka Viron, Koleci Vaskë, Koleka Spiro, Kraja Fahri
Kolli Rexhep, Konomi Manol, Kopali Nesti, Korita Neki, Koroveshi Anastas, Kraja Haki, Kraja Musa, Kristo Pandi, Kuçi Shaban, Kuçi Zef, Kumbaro Sadush, Kumrija Angjelin, Kursani Nazmi.
Lakrori Lefter, Lame Hysni, Laro Thoma, Lazri Sofokli, Leci Gaspër, Lekiq Dulaq, Libohova Qamile, Lici Asllan, Lipivani Argjir, Lisi pseudonim, Lohja Cuf, Lohja Fehmi, Llazani Haki, Llazani Nuri, Lleshi Haxhi,
Major Ruli, Malëshova Sejfullah, Mandija Feço, Mandija Ferit, Markoja Marko,
Marku Gjen. Gjin, Marleci L., Mazi Gac, Mazrreku Gjovalin, Mborja Emil, Mesi Elez, Mersini Jonuz, Mëlyshi Pal, Mihali Arqile, Miloti Isa, Miloti Tonin, Mina Rapi,
Miloti Xheudet, Minarolli Faik, Misja Vladimir, Muja Rifat, Mula Ismet, Mushi Kristo,
Mushani Xhyhere, Myftaraj Skënder, Myftiu Manush.
Nallbani Ndrekë, Nano Fatos, Ndoja Hysni, Ndoka Pëllumb, Ndreu Dali, Ndreu Esat,
Nimani Mazllom, Nishani Omer, Nosi Frederik, Nuti Faik.
Paçrami Ali, Paçrami Fadil, Panariti Shuajp, Panduku Illo, Pano Spiro, Prifti Foto,
Papadhimitri Orest, Parllaku Rahman, Peçi Sheuqet, Pela Haxhi, Pema Filip, Papa Ilo,
Pira Nazif, Pistoli Çiril, Podgorica Prof. Fadil, Polona Lako, Popoviq Miladin,
Popoviq Misho, Prendushi Gjon, Prokopi Qako.
Qemali Namik, Qilimi Mustafa, Qiriaqi Sotir,
Rama Sadik, Rama Selim, Ramadani Irfan, Ramohiti Halil, Resmia Nuri, Rino Ndreko,
Rino Thoma, Rugia Muharrem, Rrjolli Dul.
Sadiku Dilaver, Saliu Muço, Samsuri Dhori, Seiti Gjen. Hilmi, Selimi Rexhep,
Selimi Xhemal, Sokoli Prenkë, Spahiu Bedri, Spiru Nako, Stalin, Josif V., Stepani Ali, Suji Ahmet, Sykja Rustem,
Shala Luigj, Shandro Kostaq, Shehu Feqorr, Shehu Fiqrete, Shehu Gjylhani, Shehu Hajri,
Shehu Mehmet, Shehu Zurdi (Zyhdi?), Shima Sabri, Shkodrani Dhimitër, Shkurti Zoji,
Shukriu Ali, Shoshi Çesk, Shuteriqi Dhimitër,
Taçi Çapajev, Tare Myftar, Tefiku Jake, Temja Basri, Tepeleni hetues, Tito Josif Broz, Tirana Mynir, Toger Baba, Troshani Kasem, Tuli Jonuz, Tyli Muhamet.
Thanasi Enver, Themeli Zoi.
Ujaniku Nestan, Uli Angjelina, Uli Mark, Ulqinaku Hamdi.
Vasili Ndoc, Vata Pjerin, Villa Skënder, Veleshnja Teki, Vujoshi Jovan.
Xhemali Mentor, Xhika El-ham, Xoxe Koçi, Xhunga Ali.
Ymeri Fadil.
Zaja Hys, Zaja Mustafa, Zjarri Njazi, Zejneli Veladin, Zeneli Faik, Zeneli Lilo, Zykaj A,
Zhagari Marian.
Shenim: Emnat e policëve i gjeni nder librat e të persekutuemëve politik.
■Vertetë këta emna i pershiftë “Urimi i gropave pa Emen”, po mos harroni me vazhdue këte listë me emnat e “atyne që po kerkojnë rishfaqjen e simboleve t’egra të diktaturës”!
E të gjithë bashkë: “Ata dalshin fare!”
Melbourne, 29 Janar 2016.
DEKOROHET HETUESI I DOSJES NR. 1989, FAHRI KRAJA!
JA SI E MBYTEN SHKODRANIN E PAFAJSHEM INJAC BAQLI!/
Nga Fritz RADOVANI/
INJAC BAQLI (1915 – 1954) Fototeka Marubi Shkoder/
■Injac Baqli ka lé në Shkodër në vitin 1915.Ishte nëpunës në Bankën e Shtetit Shqiptar në Shkodër.
Një burrë i madh dhe i shëndetshëm, kuqlosh, me flokë kaçurrela, gjithmonë i mbajtun dhe i kërpitun. Dukej edhe ma i pashëm se ishte mbasi gjithmonë shihej i buzëqeshun.
I njohun ndër rrethe të ngushta për humor të hollë. Paraqitja tregonte një intelektual të mirfilltë.
Nuk e kam njohtë afër, po dij, se, kishte miqësi të madhe me Prof. Gaspër Ugashin mbasi kishin edhe kumbari. E shihshe shpesh nga Dugajtë e Reja mbasi andej kalonte me shkue në punë, në bankë. Më pat lanë një mbresë ndër ato ditë që nuk e pashë ma: Më kujtohej thanja e malësorve: “Mos me pasë shka me i ba as pushka!” por, kjo thanje ishte para se të njihej në Shqipni sllavokomunizmi.
■Até që të ban komunizmi, nuk ta ban as pushka!
■Injac Baqli me datën 22 dhetor 1952 arrëstohet nga Sigurimi i Shtetit. I kontrollohet shtëpia dhe në arkën e nanës gjindet një revolver.
E mjaftueshme me fillue ndjekja penale. Kur fillon hetimet, duket, sikur çështja rreh nga armbajtja pa leje, por nuk asht ashtu! Nana e Injacit merr përsipër se revolverin ia ka lanë me e ruejtë avokat Paulin Pali, para se të tentonte me u arratisë, mbasi ai ishte nipi i sajë. Hetimet fillojnë me 26 dhjetor 1952. Gjatë zhvillimit të proçesit çështja e revolverit sa vjen e ngatrrohet. Marko Markoja, ish kryetar i lagjës atëherë, deklaron: “Injaci ka pasë një revolver të bukur në kohën e Italisë që e mbante në brez dhe me sa kujtoj unë, ky revolver që asht këtu, nuk më duket se asht revolveri që ka pasë Injaci.” Krijohet mundësia e kenjes së një revolveri tjetër tek shtëpia e Injacit. Kontrollohet shtëpia së dyti por nuk gjindet gja. Injaci pranon se revolverin që kishte në kohën e Italisë e ka dorëzue kur janë dorëzue armët, prandej, ai që kujton Marko nuk asht në të vërtetë ky që asht këtu, mbasi ky nuk asht i emi. Hetuesi, nën/toger Fahri Kraja tue u ndodhë para një kokforti, fillon kërkimet në pistën e “agjitacionit e propagandës kundër Pushtetit”, pistë shumë e njohun ndër hetuesitë komunistë, me të lanë mbrendë edhe pa asnjë fakt.
■Një listë rreth 80 vetësh janë përsonat me të cilët ka bisedue Injaci. Aty rreshtohën të gjithë banorët e lagjës simbas rënditjes së dyerve të oborrit, kryetari i lagjës, antarët e këshillit të lagjës, sekretari i patisë, shokët e punës, ish shokët e shkollës, plakat e mahallës që rrinin në darkë ndër stola tek dyert e oborrit etj.
Hetuesi ndigjon me vëmendje sësi po “zbërthehej” Injaci, por kur e pyet se shka janë gjithë këta emna, Injaci përgjigjet: “Ju më pyetët me kë ke folë, unë, ju tregova të gjithë njerëzit që përshëndes e flas me to përditë”. Ironia e Njacit zemron hetuesin…
■Nuk ishte e thjeshtë puna në financë. Njëherë në fillim kur njerëzit fillonin punën dukej, sikur, këta përsona ishin të privilegjuem, por në fakt mungesat e mëdha të kuadrit patën lejue që disa përsona me hy në punë në mjaft ndërmarrje si financierë. Kur filluen me dalë disa kuadro që ishin ma të besueshëm se ata që u morën për nëvojat e tyne, atëherë, u mendue zëvendsimi i kuadrit të parë. Në shumë raste shkarkoheshin nga puna për shkelje ligji, sëpse ligjët ndryshonin përditë. Por, kur kishin të banin me njerëz të respektuem, atëherë, vëprohej ndryshe.
■Rastët në Shkodër nuk kanë kenë të pakta, p.sh. Kel Abati, edhe ai nëpunës në bankë, dihët se asht pushkatue vetëm nga ndonjë përson që donte eleminimin fizik të Kelit. Po kështu asht veprue me Zef Darragjatin e Çezar Shllakun, që mbasi janë dënue me pushkatim për “difiçit”, në fund të kërkesave për falje jete, shënohej: “… rrjedhë nga një familje që nuk e don Pushtetin, prandej t’i epët dënimi kapital … etj.” si, në rastin e Zef Darragjatit, që ruhët edhe sot shënimi i Aranit Çelës. Si duket, kjo po ndodhte edhe me Injac Baqlin, edhe ky ishte kushrini i avokat Paulin Palit, pak vite ma parë i mbytun në Sigurim. Ishte edhe kushrini i At Aleks Baqlit, i arrëstuem si Françeskan e i dënuem me shumë vite burg.
■Me datën 4 mars 1953 mbas katër muejsh në hetuesi, hetuesi njofton kryetarin e Sigurimit të Shkodrës, kriminelin Hilmi Seiti:
“I pandehuri Injac Baqli nuk nënshkruan proçesin.”
■Me datën 22 maji 1953 Injaci shënon në fund të një proces-verbali: “Nuk jam dakord me përmbajtjen as si formë, mbasi nuk janë thanjet e mija. I pandehuri: Injac Baqli d.v.”
■Gati mbas një viti në tortura, nga fundi i vitit 1953, asht Petraq Janko që nxjerr hetuesin nga situata, tue deklarue se në vitin 1952 Injaci, ka dashtë me u arratisë me Petraqin. Madje, kanë ba plane dhe pergatitje për këtë qëllim të dy bashkë.
Përveç arratisjes, Petraqi, ngarkon Injacin dhe me biseda politike, tue paraqitë Injacin si një person të paknaqun nga Pushteti etj. Akuzat sa vijnë e randojnë çështjen. Injaci vazhdon me qëndrue i vëndosun në mohimin e të gjitha thanjëve të Petraqit. Hetuesi organizon një ballafaqim me hjekë Injacin duarsh.
Petraqi përsëritë akuzat përballë Injacit tue vërtetue me firmën e tij proçes-verbalin.
■Injaci deklaron: “Në kjoftë se del kush dhe provon tue me thanë ndër sy, se janë të vërteta thanjët e Petraq Jankos, pranoj pa asnji kundërshtim edhe dënimin kapital.
■Kjo asht arësyeja që nuk firmoj proçes-verbalët, mbasi nuk asht asgja e vërtetë për shka akuzohem.”
Injac Baqli d.v. (Dosja nr. 1989)
***
■Hetuesi Fahri Kraja pergatitë akuzën:
– Injac Baqli ka dorëzue armën e vet, ndërsa kjo që asht gjetë ka qenë e Paulin Palit, kushrinit të tij (i pushkatuar).
– Ka qenë spijun në shërbim të fashizmit.
-Ka folë kundër Pushtetit Popullor, sëpse ka pikëpamje armiqësore.
Akuzat e sipërme vërtetohën edhe nga thanjet e dëshmitarëve: Zef Berdica, Ndoc Deda, Marko Marko, Petraq Janko.
■Poshtë dokumentit shënohet:
■Pëlqehët: N/kol. Hilmi Seiti d.v.
■Pëlqehët: Kryetari Degës hetuesisë (N/kol. Nëvzat Haznëdari)d.v.
■Pëlqehët: Komandant i Rep. 2111 (Dhimitër Gjoni) d.v.
■Trupi Gjykues i Gjykatës Ushtarake Shkodër, i përbërë nga: Kryetar, Faik Spahija, antarë: Rexhep Haxhiu e Marko Dëmiri dhe prokuror Njazi Zjarri, japin vëndimin ndaj të pandehurit Injac Baqli, me 6 vjet heqje lirije.
■Gjykata e Naltë Tiranë, vëndosë përsëritjen e gjyqit, mbasi proçes-verbalët nuk janë firmuar nga i pandehuri Injac Baqli.
■Përsëritet gjyqi me datën 18 koriik 1953, tue shënue: “… për krimin e armbajtjes (revolver gold amerikan, me 5 fishekë) deklarohet i pafajshëm. Akuzat tjera mbesin …
■Me datën 29 janar 1954 Injaci ban këtë kërkesë:
“Kërkoj prishje vëndimi dhe rikthim aktësh për rishqyrtim dhe rigjykim. Injac Baqli d.v.”.
■Prej datës 22 dhjetor 1952 e deri më 29 janar 1954 vazhdonin proçes-verbalet tue u sjellë sa andej këndej ndër dosjet e Seksionit katolik në Degën e Mbrendshme të Shkodrës dhe, në podrumet e mëshefta të Ministrise së Mbrendshme në Tiranë.
■Vazhdohej vetëm tue shënue “pëlqehët” nga kriminelët e pashoq Hilmi Seiti, Nevzat Haznëdari e Fahri Kraja me shokët e tyne.
Mjaftonin çpifjet me torturue të pafajshmit dhe çështja vazhdonte pafund …. Nga përdorimi i elektro-shokut Injaci, u keqsue me shëndet. Zemra nuk duronte ma. E dërgonin formalisht në podrumet e spitalit civil të Shkodrës, por përgjegja e mjekëve ishte:
■“Pse e sillni kot përderisa ju vazhdoni punën tuaj?”.
Infermjere Angjelina Martini më tregonte, së si njëditë, tue mos pasë jastekë me e mbështetë mbasi Injacit po i merrej fryma, u ula në shtratin e tij dhe e mbështeta për parzmin tim.
■Zemra e tij e shkatrrueme nga torturat donte me dalë nga kafazi i krahnorit, kur jepte ndonjë rrahje si shenjë jete. Ishte në agoni, vetëm më shtërngonte dorën me të cilën u mundoja me e qetsue tue i fërkue gjoksin. Ai fliste me një shok të tij Mikel Gulin, me të cilin i dukej se po lonin pokër. Dikur, ra në njëfarë qetësie dhe dha Shpirt. I bana Kryq e dola nga dhoma.
Erdhën dy policë dhe ashtu të mbështjellun në batani e çuen në dhomën e të vdekunve.
Mora vesht se e kishin nisë për Tiranë.
Atje, e kishin dërgue në morg dhe simbas një dëshmisë Dr. A. D., që atëherë ishte student në fakultetin e mjeksisë dhe, tashti asht mjek në Shkodër, Injac Baqli asht coptue nga studentat për studim, mbasi ai e ka pa me sytë e tij kokën e Injacit, të cilin e njihte shumë mirë.
■Kështu, u mbyll edhe dosja nr. 1989, me shënimin “pëlqehët” Nën/kol. Hilmi Seiti d.v., një kriminel i regjun dhe i pangopun me gjak shkodranësh, viktimë e të cilit, asht edhe Martiri i Ri,
39 vjeçari i Pafajshem, Injac Baqli.
***
■Shenim: Dekorohet FAHRI KRAJA…
Oficer i Sigurimit të Shtetit, Hetues, ish-drejtues i lartë në Sigurimin e udhëheqjes komuniste.
Melbourne, Dhjetor 2015.
“PARATHËNIE” E KONFERENCËS SË JALTËS…
13 TETOR 1943ALEATËT BOMBARDOJNË TIRANËN/
■503 QYTETARË TË VRAMË… NË TIRANË!?/
■Lufta e Dytë Botnore hapi një kapitull të ri, aq sa dramatik edhe të turpshëm për të gjithë ata që me të gjitha mjetët e tyne po, edhe të tonat, kanë punue për shfarosje të Trojeve Shqiptare dhe shkombtarizimin e pandërpremë të Popullit dhe Shtetit Shqiptar Europjan.
■I vetmi shtet që nuk kishte pretendime të zhdukjes sonë nga harta e Evropës, ishte Gjermania. Edhe kur ajo ishte në falimentim të Luftës, autorizon Rregjencën Shqiptare nëpërmjet At Anton Harapit, me u lidhë me Aleatët, për me mujtë me shpëtue nga bolshevizmi stalinist dhe neoshovenizmi ruso – sllav i pashmangshëm që po pushtonte Ballkanin dhe Europen Lindore. (Dishmi gojore e Regjentit Cafo Beg Ulqini, 1968).
■NË SHTËPINË NR. 173, NË RRUGËN E KAVAJËS…ORA 13.13’
Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si tashti…
Një zhurmë e mnershme, shurdhuese, vinte si gjamë prej qiellit, e dukej se po na merr me vedi bashkë me pullaze, oxhakë, hatlla e trena, tue rrënue e prishë murët prej qerpiqësh bashkë me dyer e dritare. Krizmat e xhamave të thyem përzihëshin me uturimat e avionëve anglezë, që pa pikë mëshire hidhnin bomba mbi krenat tonë, që nuk merrnim vesh asgja se shka po bahej mbi né e pranë nesh. Ashtu si ishim në atë sofër të asaj të zezë drekë, pa u çue mirë e me kafshatë të fundit në gojë, u drejtuem nga shkalla për me zbritë në podrum.
Ajo ishte pamja e vetme e fundit e babës së gjallë, kur u çue në kambë me një vile rrushi që kishte në dorë, më tërhoqi prej krahu…e nuk di gja ma gjatë….veç, për pak çaste, rá në fundin e shkallëve dhe, i shtrimë ndër pllaka të korridorit përballë derës kryesore të hymjes, u mbulue me gjak. Pizhamat ngjyrë banane, me polseta e kolet të zi, i tërhiqja me sa forcë kisha n’atë lamë gjaku, tue thirrë: “BABË, ÇOU !”…
***
■14 Tetor 1943, gazeta “Kombi” në Tiranë, fillon me botue listen e të vramëve nga bombardimi i bamë njëditë ma parë në Kryeqytetin e Shqipnisë…Numri i të vdekunve fillon nga shifrat 70… 85… dhe arrinë në 503 vetë. (Shifra asht dishmi i At Pjeter Mëshkallës, Klerik tek Kisha Katolike Tiranë, në Rrugen e Kavajës, që ka vojue Babën tim 30 minuta mbas vdekjes.)
■Bashkë me kufomat e viktimave varroset edhe kjo ngjarje e shemtueme që u ba mbi popullsinë e pafajshme të Tiranës. Populli Shqiptar asnjëherë nuk ka kenë agresor, as pushtues i një pëllambe tokë të shteteve fqinjë. Ai nuk asht angazhue në asnjë blok gjatë Luftës së Dytë Botnore, madje asht shteti i parë që u pushtue nga Italia fashiste më 7 prill 1939.
■Nuk duhet harrue se ngjarja e 13 Tetorit 1943, asht masakra ma e përgjakshme e bame mbi Popullin e pambrojtun Shqiptar gjatë gjithë Luftës së Dytë Botnore.
■Atëherë, pse na bombarduen, na gjakosën, na robnuen nga sllavët… dhe heshtën?
Gati para 20 vjetësh z. Rudina Xhunga asht përsoni i parë që ka shkrue për këte ngjarje pothuej të harrueme… dhe kam shkue për me e falnderue. E pyeta nëse ke mujtë me kuptue pse asht lanë në harresë gjithë këto vjetë një tragjedi kaq e madhe e Popullit Shqiptar, që pa kenë Aleat me pushtuesit, bombardohet një rrugë nga aeroporti e deri tek Kisha e Jezuitëve, kur njerëzit ishin tue ngranë drekë, vritet vetëm popullsi civile dhe asnjë ushtar nazist, dhe Shteti Shqiptar për 55 vjetë heshtë?…Edhe ajo e çuditun kishte pyet pak ditë përpara Nexhmije Hoxhën, e cila i asht përgjegjë: “Nuk kishim sesi përderisa né ishim të lidhun me Aleatët, ata e bënë!…”
■Koha vjen tue kjartësue synin dhe mendjen! Pra, Aleatët e lidhun me sllavokomunistët tanë vrasin vetëm me ushtrue terror mbi popullsinë e pafajshme, për me e nënshtrue e robnue ate!
■Vazhdojmë me dokumenta të botueme kohët e fundit:
Lexoni tek libri “I dashur Stalin…” Letërkëmbimi i plotë i Fraklin D. Ruzvelt dhe Josif V. Stalinit. Radaktuar dhe pajisur me shpjegime nga Susan Butler, Parathënia nga Arthur Schlesinger, Jr.
Përkthye nga Olgerta Visi, Shtypur nga “KRISTALINA-KH”, Tiranë 2006.
■“Ruzvelti – 134 – (Faqe 240)
12 Tetor 1943
Mesazh personal për mareshal Stalinin
Badolio do t’i shpallë luftë Gjermanisë me 13 tetor.
Bazuar në marrëveshjet e traktatit të mëparshëm, Aleatët do të sigurojnë ndihmë ajrore dhe detare në Azore. RUZVELT
■“Stalini – 135 –
14 tetor 1943
Stalini, drejtuar Ruzveltit
Mora mesazhin tuaj të datës 13 tetor. Ju falënderoj për informacionin e vënë nën dispozicionin tim. U uroj forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe suksese të mëtejshme.”(Theksimi im F.R.)
***
■Do t’ishte i tepërt komenti! Vazhdojmë me fakte tjera…
Faqe 360: Çërçill shkon në Moskë tek Stalini. Me të mërritur në Moskë në mbremje të po asaj dite (10 tetor 1944), i propozoi troç Stalinit të ndanin Ballkanin si më poshtë:
■“Lé të zgjidhim përfundimisht problemet tona në Ballkan. Armatat tuaja ndodhën në Bullgari… Lé të lidhim marrëveshje midis nesh – Britanisë dhe BS-së. Si do të gjykonit, do të ishit të kënaqur sikur të kishit nën kontroll 90 për qind të Rumanisë, ndërsa né 90 për qind të Greqisë dhe Jugosllavia të ndahej përgjysëm?”…
■Më pas sipas pohimeve të Çërçillit, “Stalini mori shkumsin me ngjyrë blu dhe bëri një shenjë V miratimi mbi planin e paraqitur. Gjithçka ishte zgjidhur sa hap e mbyll sytë, më shpejt se të ulesh e të ngrihësh.”
■Faqe 399: “ Jalta.
6 shkurt 1945.
I dashur mareshali Stalin,
…Jam i vendosur të ndërmarr çdo masë të mundshme që marrëdheniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik të mos cenohen aspak. Sigurisht që pikëpamje të ndryshme do të ketë, por do të gjejmë gjithmonë gjuhën e përbashkët dhe një mënyrë për të sheshuar mospajtimet…
Sinqerisht i juaji FRANKLIN D. RUZVELT”
■Marrëveshja në lidhje me hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftë kundër Japonisë:
“….Krerët e Tri Fuqive të Mëdha duhej të pajtoheshin njëzëri që, kërkesat në fjalë të Bashkimit Sovjetik, të plotësoheshin pa diskutim pas kapitullimit të Japonisë.” Faqe 449.
■Për mos me ndikue lexuesin e këtij materiali me mendimet e mija në lidhje me këto ngjarje tragjike të fatit të popujve të Botës, do të kaloj në disa dokumenta tjera shumë me rendësi, që i përkasin po kësaj periudhë historike të Luftës së Dytë Botnore.
■Henry Kissinger “Diplomacia”, Leximi, në kancelaritë e Perëndimit, duhet të fillojë detyrimisht nga ky libër”Alan Clark, The Times. Përkthye P.Pojani; Red. M. Raxhimi. Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1999. Shtypur në Shtypshkronjën LAERT.
■Henry A.Kissinger asht betue me 22 shtator 1973 si Sekretar i pesdhjet e gjashtë i Shtetit, detyrë që e mbajti deri me 20 janar 1977. Ka marrë çmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1973, si dhe çmime të tjera të rëndësishme të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.
Falemnderës z. Kissinger per këte thesar historik që i keni dhurue Botës Perparimtare!
■“Fobia e Stalinit u shpreh gjerësisht në eleminimin prej tij të të gjithë kundërshtarëve poltik, të mundshëm të brendshëm dhe në vrasjen e internimin e miljona të tjerëve që e kundërshtonin atë, vetëm në fantazitë e tij.” Fq. 337.
“Rasti ishte Kongresi i XVIII i PK të BRSS, …mbledhja e parë mbas pesë vjetësh…nga 2000 delegatë, merrnin pjesë vetëm 35 nga ata të pesë viteve maparë; 1100 të tjerë ishin arrestuar për veprimtari kundërrevolucionare; ishin likujduar 98 nga 131 anëtar të K. Q., sikundër edhe tre nga pesë mareshalët Ushtrisë së Kuqe dhe 11 zëvendëskomisarët e mbrojtjes, të gjithë komandantët ushtarakë të rajoneve dhe 75 nga 80 anëtarët e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes.” fq.339.
■“Çdo ushtri “çlirimtare” sovjetike do të kthehej në një ushtri pushtuese.” fq.343
■“Çdo udhëheqës i madh ka rrugën e vet…Ruzvelti kishte krejt karakterin, energjinë e mjeshtrinë e diktatorëve dhe ishte në anën tonë.” Fq.370.
Faqe 371: “Deri në raportin para Kongresit mbi Jaltën me 1945, Ruzvelti qëndronte gjithmonë më këmbë sa herë që mbante ndonjë fjalim të rëndësishëm. Duke qenë se media i përshtatej përpjekes së Ruzveltit për të luajtur rolin e tij me dinjitet, shumica dërrmuese e amerikanëve, asnjëherë nuk e kuptuan sesa i gjymtuar ishte Ruzvelti ose perceptimet e tyre kishin ngjyra mëshire…. ishte një kombinim i papërcaktuar i manipuluesit dhe ëndërrimtarit politik. Ai drejtonte më tepër në bazë të instiktit, sesa analizës…Sikundër e përshkruante Isaiah Berlini: Ruzvelti kishte të meta serioze në karakter, midis të cilave paturpësinë, ashpërsinë, cinizmin…”
■Ruzvelti deklaroi: “Britania e Madhe duhet të mbronte Evropën, pa asnjë ndihmë nga Amerika… Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barrën e rindërtimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit….Në shkurt 1945, në konferencën e rëndësishme të fituesve në Jaltë, Ruzvelti qortoi Çerçillin në prezencë të Stalinit…ai vuri në lojë qellimin e tij…” Fq.396.
■“Ruzvelti mbështetej në marrëdhënjet me Stalinin në një mënyrë që Çërçilli kurrë nuk do ta bënte…në Teheran nga 28 nëntori deri 2 dhjetor 1943, në Jalta nga 4 deri 11 shkurt 1945.(fq. 410) Ruzvelti parapëlqente të shihte te Stalini më mirë një mik si xhaxha, sësa një diktator totalitar.”
■“Jalta polli turpin për fizionominë e botës së pasluftës.”
***
■“Shpëtimtarët e njerzimit”…kalojnë miljona njerëz nën zgjedhën barbare komuniste për 50 vjet!
Lufta e Dytë Botnore përfundoi me mbi 50 miljon varreza…mbi të cilat, diktatorët ngritën monumentet e tyne rrethue me “lulet” e mbjelluna mbi mjerim të popujve.
U bombardue Moska, Leningradi, Varshava…
U bombardue Berlini, Roma e Tokio…U hodhën edhe bombet atomike në Japoni!
U bombardue edhe Tirana…
Të gjithë popujt filluen rindërtimin e vendit nga rrënimet e luftës…
As sot nuk dihet kush fitoi lirinë dhe të drejtat thëmelore të jetës së njeriut!
Shqipnia,… jo!
Tirana u bombardue me 13 tetor 1943 dhe u la varrezë e një Populli Martirë, që për 50 vjet të tjera vazhdoi me u rrënue, me u torturue, me u masakrue, me u shpartallue, me u burgosë, me u pushkatue, me u interrnue, me u vorfnue, me u dhunue, me u çkombtarizue…Ndersa, qendrimi i Aleatëve ndaj familjeve të viktimave të të vramëve nga bombardimet e komunizmi që na sollen ata, asht një kapitull në vete që duhet trajtue bashkë me kapitullin e diasporës prokomuniste!
Kur Shqipnia, vazhdon me u plaçkitë nga komunistët kapitalistë të Enverit e stërnipat e Stalinit!
Po, si dikur…Vazhdon me trokitë në dyert’ e Evropës, tue kerkue edhe “Rilindjen komuniste”!..
Melbourne, 12 Tetor 2015.
Jup Kastrati dhe … “Veprimtaria Antikombëtare e Klerit Katolik Shqiptar”
Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/
Nëse dishroni me pa një popull pa t’ ardhme, “shkatrroni shkollat”(F.R.)/
Nga Fritz RADOVANI: Pjesa II/
Nga ky dokument i botuem nga anadollaku “ dr. prof.” Jup Kastrati “Parathanje” e librit të Rakip Beqaj: “Veprimtaria Antikombëtare e Klerit Katolik Shqiptar”, kam besimin se, do të bindeni sesi merreshin tituj e grada shkencore në institucionet përkatëse të Shqipnisë. Titulli i këtij shkrimi (me një modifikim të vogël, nder kllapa), asht marrë nga një pasues i tij, Gjovalin Shkurtaj. …Edhe ky i “konvertuem akademik” ndër arkivat e “shokut” Rakip Beqaj.
PARATHANJE
Vepra e shokut Rakip Beqja, “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar”, asht e para e kësaj fare, që po botohet në vendin tone. Libri ka randësi politike, ideologjike dhe shkencore. Ky botim që po del me rastin e 25- vjetorit të çlirimit të Atdheut, asht rezultat gjurmimesh dhe hulumtimesh, prej disa vjetësh, nga ana e auktorit. Përpara se të merrte këtë formë që ka sot, vepra u paraqit si punim diplome në Fakultetin e historisë së USHT me 1964. Gjatë kësaj kohë, u përpunue fillim e mbarim, tue iu largue karakterit shkollor, që kishte në variantin e parë. Në këtë mënyrë iu dha trajtesa e një studimi shkencor me karakter monografik. Punimi asht konceptue drejt, tue u nda në katër kapituj kryesorë.
Në kapitullin e parë, auktori e ka pa të arësyeshme të flasë për kushtet historike e shoqënore të lindjes së kristianizmit dhe për futjen e përhapjen e tij në Shqipni. Në disa paragrafë, auktori ban fjalë edhe për fenë, shikue në dritën e shkencës marksiste-leniniste, për shtetin e Vatikanit, për kishën katolike dhe kapitalet e saj. Kjo hymje ishte e nevojëshme për të kuptue rranjët e thella historike të fesë katolike, e cila, në vendin tone, gjithëmonë “ka qenë ideologji e pushtuesve romakë, italianë dhe austriakë” siç na mëson shoku Enver. Kisha katolike ka veprue, gjithëherë, si shtypëse e çdo lëvizjeje përparimtare, demokratike, popullore. Ajo ka qenë vazhdimisht kundër mendimit të lirë. Ajo ka mbetë gjatë gjithë ekzistencës së saj, në pozita antikombëtare dhe reaksionare. Auktori, me anë dokumentash dhe faktesh të pamohueshme, ka arritë të zbulojë degjenerimin dhe korrupsionin e klerit. Në fund të kapitullit të parë, hartuesi i monografisë ban një përgjithësim me randësi, në lidhje me kishën katolike shqiptare, tue na tregue se ajo, në çdo kohë ka qenë e predispozueme dhe e gatëshme të përdorë pozitën e vet politike për qellime të këqia, tradhëtare në shërbim të të huejvet, kundër interesave të Atdheut tonë.
Në kapitullin e dytë, auktori, mbasi shqyrton gjëndjen e Shqipnisë në pragun e pushtimit nga Italia fashiste si dhe gjendjen ndërkombëtare në pragun e shpërthimit të luftës së dytë botnore, ndalohet tek roli i shtetit të Vatikanit. Në mënyrë të veçantë ai sjell fakte konkrete, që dëshmojnë se si krenët e klerit katolik shqiptar kanë qenë gjithmonë në shërbim të të huejvet; kështu p.sh., nga 1870 deri në mbarimin e luftës së parë botnore u shërbyen austro-hungarezëve; gjatë periudhës 1919-1943 qenë në shërbim të italianëve; kurse, nga shtatori 1943 deri në çlirimin e Shqipnisë, 29 nandor 1944, qenë të lidhun kambë e krye me gjermanët nazistë. Këto lidhje me të huejtë siç e spjegon bukur autori rrjedhin, së pari, nga fakti se këta agjentë të Vatikanit në Shqipni, gjithëherë, kanë përmbushë detyrat, që u ka ngarkue ai; së dyti, sepse kleri katolik shqiptar ka pasë kurdoherë, të njejta qellime politike dhe ideologjike me pushtuesit e huej. Fondet e ndryshme, që u derdhën në vendin tonë nga Austro-Hungaria dhe Italia fashiste për të mbajtë gjallë institucionet fetare sollën si rrjedhim, nënshtrimin pa kushte të klerit katolik ndaj pushtuesve imperialistë. Ma anë dokumentash arkivale, autori i veprës tregon qartë dhe në mënyrë bindëse se si kleri katolik shqiptar punoi për pregatitjen e pushtimit të Shqipnisë nga Italia fashiste. Për të parën herë në botimet tona shkencore i bahet e njohun publikut të gjanë veprimtaria antikombëtare dhe reaksionare e njanës nga organizatat e klerit katolik shqiptar, pra “Veprimit Katolik” (Aksionit Katolik).
Në kapitullin e tretë auktori flet për pushtimin e Shqipnisë nga Italia fashiste dhe për bashkëpunimin e klerit katolik shqiptar me pushtuesit. Krerët e klerit katolik së bashku me tradhëtarët e tjerë të vendit sanksionuen humbjen e pavarësisë së Shqipnisë. Me anë dokumentash të panjohun ose pak të njohun, auktori tregon veprimtarinë tradhëtare të klerit katolik gjatë hovit të ri të Luftës Nacinal – Çlirimtare. “Kur Shqipëria lëngonte nënë thundrën e fashizmit gjakatar dhe populli luftonte për t’u çliruar, – shkruen shoku Enver – këta klerikë kryesorë katolikë muarrë flamurin e antishqiptarizmës dhe u treguan shumë aktivë në luftën kundër popullit shqiptar. Ata muarrë pozita të rëndësishme politike nën fashizmin dhe me egërsinë më të madhe u hodhën në luftë kundër popullit. (1)
Në kapitullin e katërt, auktori studion pushtimin e Shqipnisë nga trupat gjermane dhe bashkëpunimin e klerit katolik me pushtuesit nazistë. Përmes së dhanash së shumta flitet për forcimin dhe zgjanimin e Luftës Nacional – Çlirimtare gjatë vitit 1944, për disfatën e reaksionit të mbrendëshëm dhe të klerit katolik, për luftën e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare për çlirimin e plotë të Shqipnisë si dhe për veprimtarinë antikombëtare të klerit katolik në këtë periudhë.
Në këtë mënyrë mbyllet libri i parë i kësaj monografie. Për veprimtarinë reaksionare dhe antikombëtare të klerit katolik mbas çlirimit të Shqipnisë, gjatë pushtetit popullor, auktori do të hedhë në shtyp, së shpejti, librin e dytë.
Tue e rrokë me një vështrim vëllimin e parë, të bijnë në sy një seri veçorishë pozitive të këtij libri. Karakteristikë e përgjithëshme e veprës që kemi në dorë, asht çfrytëzimi i një literature të gjanë, tue fillue nga veprat e klasikëvet të marksizëm – leninizmit, tue vazhdue me materialet historike të Partisë së Punës së Shqipnisë si dhe raportet dhe fjalimet programatike të shokut Enver. Hartuesi i këtij studimi asht mbështetë mbi burime të shumta dhe të ndyshme; së pari, burime arkivale të panjohuna deri më sot dhe të pabotueme, të cilat ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit – Tiranë, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme – Tiranë; së dyti, në libra, broshura, revista, gazeta, buletine, të botuem, në mënyrë të veçantë në artikuj të shtypit periodik të vetë klerit katolik; së treti, në organet reaksionare, që botohen jashtë shtetit nga tradhëtarët e vendit tonë. Tue u mbështetë në këtë bibliografi të gjanë, auktori ka ditë të interpretojë drejt ngjarjet dhe fenomenet, ka arritë të zbulojë rranjët e vjetra dhe të reja të veprimtarisë antikombëtare dhe reaksionare të klerit katolik. Mbi bazën e një dokumentacioni të shumtë ka ba analizën e faktevet, ka nxjerrë konkluzionet e duhuna logjike, ka sqarue mjaft çështje të panjohuna nga publiku i gjanë. Në këtë drejtim, ai i ka sjellë një shërbim të vyer historisë së Shqipnisë. Mbasi përfundon së lexuemi veprën, lexuesi e mpreh edhe ma shumë vigjilencën e vet revolucionare. Këndej del edhe ana edukative e veprës. Ngjarjet e ndryshme politike, auktori i ka shikue me objektivitet, tue u mbështetë në partishmërinë proletare.
Një meritë tjetër e veprës qëndron në faktin se ajo nis një luftë të hapët me historiografinë borgjeze shqiptare. Auktori i ka ikë me mjeshtri trajtimit në mënyrë të përgjithëshme të fenomeneve të ndryshme. Çështjeve nuk i ka qëndrue në sipërfaqe, por i ka thellue. Tue pasë për bazë ’’metodologjinë marksiste-leniniste, tue u mbështetë në metodën e materializmit dialektik dhe historik, auktori ka dërmue njëherë e përgjithmonë mitin e “patriotizmit” të klerit katolik, ka rrëzue tezat e absolutizueme nga disa historianë klerikë, në lidhje me të ashtuquejturën “veprimtari kombëtare” të klerit katolik. Si rrjedhim, Rakip Beqja e ka shikue me sy kritik historiografinë klerikale të Shkodrës dhe asht ngritë me guxim kundër saj. Ka mbajtë qëndrim të patundun, të premë dhe parimor ndaj disa figurave klerikale, që në historinë e letërsisë shqipe janë quejtë “kontradiktorë” ose “kompleksë”, si, bie fjala, shkrimtarit reaksionar Fishta.
Ky asht një qëndrim aktiv i studiuesit, i cili nuk asht vetëm hetues, gjurmues, përshkrues dhe regjistrues i faktit, por edhe interpretues i drejtë dhe i palëkundun i fenomenit.
Një tjetër veçori e veprës asht fakti se auktori ka vu, në radhë të parë, atë që asht kombëtare mbi atë krahinore. Ai mban qëndrim kritik ndaj konservatorizmit, partikularizmit, regjonalizmit dhe ndaj çdo çfaqjeje regresive të së kaluemes. Vepra tingëllon si një thupër e fortë ndaj auktorëve të historisë kishtare shqiptare, që kishin idealizue dhe ba “idhuj të paprekshëm” disa krenë të klerit katolik. Vepra, që nga kreu e deri në fund, shquhet për frymën e thellë klasore.
Në vepër ndeshën dy botë: e reja me të vjetrën, rryma përparimtare me atë që asht reaksionare, fetare, prapanike, anakronike. Në njenën anë, një vijë e kuqe spikatë në mbarë veprën: asht rruga e atdhetarëvet të vërtetë, rryma e partisë, e komunistëve, e Luftës Nacional-Çlirimtare. Kjo ka të ardhëmen përpara, i përket së resë, asaj që asht përparimtare, progresive, demokratike, popullore; prandaj triumfon mbi të vjetrën. Nga ana tjetër, një vijë e zezë bie në sy në veprimtarinë e klerit katolik shqiptar: asht vazhda e tradhëtisë, e falsitetit, e demagogjisë, vija e reaksionit ma të tërbuem, e antishqiptarizmit, e asaj që asht regresive, e mykun, e dalun boje; prandaj asht e destinueme të vdesë.
Asht siç provohet mjaft mirë në vepër, baza politike, ekonomike dhe ideologjike e klerit katolik në Shqipni ka qenë, gjithmonë, e huej për botën shqiptare. Tue iu referue materialeve të botueme nga vetë kleri, po sjellim këtë të dhanë historike, që dëshmon qartë se, pothuej, të gjithë misionarët, organizatorët dhe krenët e klerit katolik në Shqipni në shekujt e kaluar kanë qenë me kombësi të huej. Mjafton t’u hedhim një sy françeskanëve dhe jezuitëve, tue mos u ndalue tek benediktinët e domenikanët.
Historikisht dëshmohet që në vitin 1248 Urdhëni françeskan filloi me u vendosë në Shqipni, me zgjedhjen e françeskanit Giovanni de Plano Carpini arqipeshkëv i Tivarit. (2) Ky prelat bani me ardhë në Shqipni françeskanët dhe domenikanët, tue zevendsue , kështu, benediktinët, të cilët, që nga kjo kohë, kishin fillue me braktisë manastirët e tyne. Në veprën “Schizzo Storico sull’opera dei Franceskani in Albania”, asht dhanë lista e françeskanëve, që u zgjodhën peshkopë ndër dioqeze të ndryshme, (3) Kështu, p.sh., në arkidioqezin e Tivarit dhe të Durrësit, në dioqezin e Shkodrës, Lezhës, Sapës, Pultit, Krujës, Sh’Shtjefnit (në Mat), Arbërit, Shazit, Bardhecit, Drishtit, Ulqinit, Shurdhahit, Sapës e Sardës, d.m.th. ndër dy arkidioqezë dhe trembdhjet dioqezë janë të regjistruem rreth 80 peshkopë të huej. Çdo njeni nga këta ipeshkvij ka sjellë në vendin tonë frymën e nënshtrimit ndaj politikës austriake dhe italiane. Me një ideollogji të tillë u rritën dhe u edukuen edhe klerikët katolikë vendas.
Në kete temë historike, janë kapur ato periudha që për rëndësinë e tyre në saje të një studimi, analize e sinteze të thellë të ngjarjeve e fakteve mbi klerin katolik shqiptar, jepet qartë figura reaksionare, antikombëtare e atyre veladonezezëve, që për shekuj duke qenë përfaqësuesit e pushtetit shpirtëror të njerëzve, kanë luajtur ashtu siç thotë autori vetëm rol merimangash në vendin tonë, në endjen e atyre fijeve të njohura të errësirës mesjetare.
Vepra duke qenë një sintezë e konfliktit të ashpër klasor të shkallës kombëtare e ndërkombëtare, lot një rol të rëndësishëm për studime shkencore në fushën e historisë së vendit tonë dhe ka një vlerë të madhe për edukimin revolucionar të masave punonjëse.
Jup Kastrati
1. ENVER HOXHA: Fjalime të mbajtura para popullit të Shkodrës, Mirditës, Leshit, Milotit, Mamurasit, Urës së Zezë, (15 Shtator 1949) N.SH.B.Sh. Tiranë, 1949, faqe 14.
2. Schizzo Storico sull’opera del Francescani in Albania (pró manuscripo). Scutari, Tipografia Francescana. 1930, faqe…
3. Po aty, në faqe 16 – 21.
Tiranë, 1969.
Shenim nga FR: Materiali “Parathanje” asht botue i plotë dhe pa asnjë ndryshim nga origjinali. Bashkpuntori i sigurimit i “shokut” Rakip Beqaj, Jup Kastrati, që në vitin 1967 me “Revolucioni Kultural”, si njeri i besimit i ideatorit tē “Muzeut Ateist” Ramiz Alia, ishte i ngarkuem edhe me detyren e “Kryetarit tē Komisionit të Pērzgjedhjes së Leteraturēs Fetare Kishtare”. (Vazhdon…)
Melbourne, 2014.
EDHE “SHOKU KOMANDANT” KA VRA… DY GJERMANË…
Nga Fritz RADOVANI/
I madh e i vogel po thrrasin dhe po shkyhen “të korrigjohet historia!..” ndersa, “prof. dr. e akademikët” tanë vazhdojnë punen e vet. Asht kenë një thanje e vjeter në Shkoder që përdorte gjyshja “folë se po t’ ndigjoj!”. Një “ide” e pelqyeshme nga “dijetarët” po, por edhe per politikanët që janë të gjithanshem: Dijetarë, historianë, specialistë, komunistë, demokratë, dogmatikë, liberalë, monarkë, republikanë, malokë, qytetarë hambaj, druevarë e “simbas vendit bajnë kuvendin…” Ka prej tyne që me i pyetë: “Sa here asht mjelë lopa në kooperativa bujqësore?” edhe até e dijnë, edhe pse në shkollat e PPSh landa kryesore ishte historia e partisë dhe veprat e “shokut” Enver, sidomos “Shenime per Lindjen e Mesme”.
Një pjesë e atyne që e kanë shkrue “historinë e Shqipnisë” të viteve 1944 erdhen nga mali, ishin “partizanë” dhe nuk quheshin ma malokë, se menjëherë ata ndjekën kurset e analfabetëve dhe fjalët e para që mësuene me shkrue ata ishin “tiTo, Stalin, enver!”. Vetem emnin e Stalinit e kanë shkrue gjithmonë me shkronjë të madhe, aqsa edhe na u plakem tue kujtue se Stalini duhet të jetë kenë gati dy meter i naltë, e në të vertetë ai ishte kenë shkurtabiq…Per Titon dinin se një “T” asht i madh, po i pari apo i dyti nuk kishte randsi. Emnin “enver” e shkruenin me shkronja të vogla se ishte ma i “vogli’ nder ta, por nuk shkoi gjatë e ky ma i vogli filloi me u shkrue me të gjitha shkronjat e “mëdha” se ndryshej të ikte kaptina. Deri tash vonë disa prej tyne edhe emnin e mbreti Zogu I e kanë shkrue “zogu 1”, se i dukej emen shpendi dhe per mos me perdorë numrat romakë (që ishin të mbretit italian) vinin numurin 1, se “mbreti ynë” asht me numur arab e jo me numra latin a perëndimorë, kështu mund ta gjeni të shkruem derisa u hap universiteti i Tiranës, bazat e të cilit i vuni Haxhi Qamili, per të cilin Enver Hoxha, thonë “dijetarët” tanë se, e ka cilësue në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave të RPSSH, në vitin 1985 (edhe pse ai kishte ngordhë) me këto fjalë fq. 886: “Fshatarët kryengritës e zgjodhën Haxhi Qamilin komandant të pergjithshëm si njeriun më të besuar, më trimin, më të vendosurin, më të thjeshtin…” (E.H. Vepra, vëll. 23, fq. 141).
Po a guxon kush me i ndryshue këte “perkufizim” sa të jetë gjallë Nexhmije kobra!?
Disa të tjerë filluene me shkrue per luftën kur ngjarjet e Mukjes e të Bujanit ishin mbushë me emna “tradhëtarësh” e nuk dinin se me cilat shkronja duhen vue, me të tonat latine apo me shkronja cirilike, mbasi aty nga 1946 erdhen disa kuadro të “nalta” nga Beogradi dhe prap, edhe ata që erdhen nga Moska stalinjane nuk bane ndryshime.
Shpresa e “ndryshimeve” nder ato dokumenta nuk mund të pritet nga “vëllezërit e gjakut” as nga “korrigjimet” e tyne, derisa të perfundojnë studimet ata studentë që po ndjekin shkollat kineze me porosi të ishkryeministrit, i cili si duket kerkon që historia e Shqipnisë me u ba e njohun edhe per “vëllezërit e kinezë”, mbasi ai vetë zenë disa faqe aty me veprat e tija “revolucionare komuniste” kur ka luftue fenë në 1967…po cilen fe ka luftue nuk mund t’a percaktoj pa u shkrue historia me shkronjat e Mao Ce Dunit.
Disa të tjerë minimizojnë edhe vetë komandantin e luftës nacional – çlirimtare që “luftoi” në të gjitha qytetet e fshatrat e Shqipnisë kunder armiqëve të mbrendshëm, e kur ishte rasa edhe të jashtem “shokun” Enver Hoxha. Askush nuk shkruen se ai kur “luftoi” në Durrës, Shkoder dhe Gjinokaster ka vra disa rob gjermanë, madje edhe dy klerikë misjonarë t’ardhun nga Gjermania që në 1917 si Don Alfons Trackin dhe At Zef Maksen, se jo vetem, hapne shkolla Shqipe këtu, po edhe ndihmuen në shpëtimin e jetes së disa komunistëve ndër kampet e shfarosjes gjermane… e këte Ata, e bane kunder gjermanëve t’ ardhun këtu nga Atdheu i tyne… per të na shpetue njerzit tanë!
Pse historianët tanë nuk e justifikojnë “të pakten” këte veper tue tregue se Enver Hoxha vrau edhe dhandrrin e vet që i shpetoi koken e tij, apo kanë frikë se Shqiptarët do të thonë me zemer: “Atij mirë ia bani që shpetoi një terrorist anadollak të pashembullt në Historinë e Shqipnisë, që masakroi e shkatrroi një popull per gati 70 vjet me pasuesit e vet tradhëtarë!”… Në fund të fundit edhe kjo asht “meritë” e komandantit…
Historia e Popullit Shqiptar sot mund të shkruhet nga studjues vullnetmirë, të cilët kanë të gjitha përgatitjet e duhuna per një veper të tillë Atdhetare, mbasi brezi i ri po vazhdon me u drogue nga ideologjia marksiste që asht në të gjithë materialet historike, tue përfshi edhe mjaft nga ata që janë shkrue kjoftë edhe jashta Shqipnisë nanë, nder troje të fqinjëve të pushtuem. Disa materiale të shkrueme nga studjues edhe pertej oqeani janë aq të gjymtueme dhe të pasakta sa as nuk vlejnë me u zanë me gojë. Nuk u mungojnë arkivat sa i pengon “angazhimi” i vetë, vullneti per punë të mira e të sakta…pa demagogji!
Kjo më ban me mendue se historianët tanë duhet të çveshen plotsisht nga ndjenjat e tyne personale dhe mundsisht edhe kombtare para se t’ulen me marrë mundimin me shkrue HISTORI. “Kombtare” e thashë gabim, se në atë çeshtje janë kenë të çveshun madje, “lakuriq” me kohë e me vakt, mbasi po t’ ishin pak “shqiptarë”, nuk do të lejoheshin me shkrue jo histori, po as me iu afrue dyerëve të shkollave të nalta, se, per tituj jo se jo!
Ata që ishin komunistë apo agjenta të sigurimit të shtetit, që u shperblyen me tituj dhe dekorata per gënjeshtra, shpifje dhe mashtrime që i bane Popullit Shqiptar per njëgjysë shekulli, kjoftë edhe nder katedrat e pameritueme të universitetëve shqiptare, ata lè të merren me politikë dhe të formojnë “parti” të reja të tipit arab, turk, mongol, etj…po mos të guxojnë kurrë me kthye as sytë e tyne “shakshi” që u janë shtrembnue tue i sjellë herë nga Lindja dhe herë nga Jugu, por kurrë nga Europa, së ciles, i perkasim né e që, endè nuk e dijnë se edhe Shqipnia asht Europjane, madje Europjane Përendimore!
U asht mbushë koka me byk e krunde e kur flasin per Europen Perëndimore, u duket se, po shkruejn e po thurin lavde per Klerin Katolik Shqiptar!
Ata po fshijnë paturpësisht nga ngjarja e madhe e Pavarsisë Luigj Gurakuqin, se edhe Ai i duket prift e nuk gabohem aspak, kur këte mendim ata e kanë edhe per Bajram Currin, Isa Boletinin, Ibrahim Rrugoven e sa të tjerë!!..
Shenime per Lindjen e Mesme…. Mos e harroni këte liber….
Aty e gjeni të shkrueme edhe thanjen e “mësuesit” tuej, që ju mësoi me nderue me grusht: “Shqiptarët duhet t’ i pershtatën Kur’anit !..”
Melbourne, 2014.