• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JU RRËFEJ NJË FUAT TJETËR…

February 26, 2016 by dgreca

-Meditime dhe përsiatje në 70 vjetorin e flokëbardhit të Sinicës/

Nga Shefqet Meko/ Minnesota- SHBA/

Gazetari dhe kiniasti, Fuat Memelli, festoi 70 vjetorin e ditlindjes së vet. Në një mjedis të ngrohtë  shqiptaro-familjar në Boston, familja, miq, shokë, ish kolegë dhe  sinicarë, u mblodhën  për të ndarë momente gëzimi dhe urimi. Në një atmosferë elektrizuese nga “elektronet” Memelli: Gledis,Elton dhe Rezarta, në atë sallë dukej se  kishin “zbritur” 70 vjetët e një burri- baba, bashkëshort, koleg, gazetar, krijues, kineast dhe redaktor, organizator komuniteti profesionistësh dhe shok i shokëve. Sinicari Fuat Ohran Memelli,  sikur është ulur   “këmbëkryq” në 70 “godinat-vite” të jetës së vet  dhe thinjat e bardha të shpupurisura pak, të kujtojnë pendët e pulëbardhave që fluturojnë dhe fluturojnë… I dehur nga gëzimi i miqve të shumtë që e rrethojnë, ky  djali i vetëm i xha Ohranit të Sinicës së Devollit, duket sikur në majë të një 70 katshi thotë:”Nuk ka gjë më të bukur se jeta e mbushur me dashuri , shëndet dhe trashëgimi…”

Ky njeri 70 vjeçar, në një moment ndihet po aq fëmijë sa një 7 vjeçar. Duke qeshur, merr fizarmonikën dhe këndon “për zeshkanen”  në ditlindjen e vet, që për koincidencë e ka më 14 shkurt, në ditën e Shën Valentinit. Këngët korçare, tingëllojnë  bukur dhe dhimbshëm në  të ftohtin e hidhur të shkurtit në Boston.

Ndërsa je pjesë e një gëzimi familjar,  ku sheh brezat dorë për dore  dhe të ardhur  nga shtete dhe kontinente të ndryshëm, kur sheh peshkopin sinicar Ilia  Ketri (lindur e rritur në SHBA me një shqipe të pastër) të ulur  thjesht midis mysafirëve, kur takon Prof. Niko Ketrin dhe bashkëshorten e  vet, Suzanën, kur shtrëngon dorën me krijuesin pogradecar, Istref Haxhillari, apo studiuesin  dhe autorin, Thanas J.Gjika, kur troket gotën e rakisë me agronomët nga Gjirokastra, Konstadin Mosko e Grigor Çaro, apo kur  mëson se  Petrit Duka  nga Elbasani  i sapo-zbarkuar në Amerikë, ka punuar 40 vjet me të njëjtën ndërmarrje në Elbasan dhe  është “baxhua më i mirë i Fuatit”, përpiqesh të shkosh përtej këtij momenti bashkues dhe të kërkosh diçka më tepër: çfarë i sjell këta njerëz në një festë të tillë? Cila është ajo fuqi bashkuese e shqiptarëve, që bëjnë  rrugë e rrugë për të qënë bashkë? Është thjesht “sebepi Fuat”? Janë 70 vitet e jetë së vet, apo diçka tjetër?

Më duket  se në këtë rast, është diçka  përtej një ditlindje. Besoj se bashkime të tilla të shqiptarëve, janë një himn  për jetën dhe gëzimin familjar.Janë një “kultizim” i të qënit bashkë të familjes, fëmijëve, nënës, babës, kurshqve të tashëm dhe atyre të nesërm, që vijnë të gëzohen së toku. Bashkime të tilla, janë festë e jetës, përkëdhelje e ndjenjës njerëzore, shpalosje vlerash dhe gumëzhitje në shpirtin që nuk ngopet me dashuri  për njeriun dhe jetën. Në kësi rastesh, njerëzit që vijnë prej diku, sërish bashkohen këtu. Jo rastësisht sinicarët në këtë takim  ishin “pakicë dominuese” sepse duket se të lindurit në këtë fshat, e kanë të vështirë të harrojnë njëri-tjetrin, edhe pse nuk mendojnë apo gjykojnë njësoj. Sinicarët, kanë një brumë  miqësor, të gatuar herë në xhami dhe herë në kishë, por gjithsesi të “pjekur” në një të njëjtin diell. Është ky tharm, që njerëzit e këtij fshati, të përfaqësojnë një fenomen interesant,  si në Shqipëri ashtu dhe në Amerikë.

Jo vetëm në vjersha,libra,filma dokumentarë ( ai ka disa çmime ndërkombëtarë për filmat e tij dokumentarë),veprimtari të shumta me Shoqatën e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë, Shoqatën “Devolli”, Klubin “Miqtë e Dritëroit” etj, por, thellë thellë, në themelet e “godinës 70 katëshe”, është vendlindja, Sinica, si një ëndër e bardhë rinie dhe pasrinie, si një fluturim frymëzues që i ndjell rininë dhe fëmijërinë, duke e bërë të ndihet i tillë edhe pas 7 dekadash.

“Gërmoj” në  mendjen time dhe sjell disa koincidenca shumë interesante që lidhen me sinicarët: gati 12 vjet më parë, në Shqipëri bashkë  shqipataro-amerikanin Vladimir Cicani, përfunduam në një takim të sinicarëve në ish SHQUP-in e atëhershëm,  ku sinicarët e Tiranës, organizonin një takim shumë kuptimplotë. Por nuk  ka vetëm kaq: Vangjel Damo një  veteriner i sukseshëm dhe pasionant i librave dhe ortodoksizmit shqiptar, që jeton në Çikago, më ka bërë një vizitë familajre në Mineapolis, sikurse edhe vetë Fuat Memelli ka bërë të njëjtën gjë, duke qënë për  vizitë tek  unë “ikanaku” në Minnesota , pa harruar pritje-përcjelljet e Fuatit në takimet gjurmëlënëse të Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë në Tiranë, apo edhe  shoqërimet e ngrohta  me sinicarin Vladimir Cicani në Las Vegas.

Pra, a e kuptoni se si një flokëbardhë 70 vjeçar në Boston,  mund të mbledhë  më shumë njerëz në një ditlindje, se në një “protestë të PD-së” në Tiranë? E thjeshtë:  këto janë bashkime në emër të jetës, gëzimit të së ardhmes. Ndaj kjo ditlindje më fut më tepër në mendime për jetën time dhe jetën tënde, dëshirat e mia dhe të tuat, për ëndrrat që jetuam dhe ato që harruam, për  hallet e mia dhe të tua, për atë që bëmë dhe nuk bëmë dot mirë, për atë që ëndërruam dhe nuk e shijuam kurrë dhe për atë shije të hidhur që na kanë lënë të tjerët… Ja pse  ketu shoh  një Fuat ndryshe. Një Fuat që sërish bashkon njerëz  dhe ndan mendime. Një Fuat që e sheh jetën ndryshe mbas “furtunave”  të paparashkuara që ka kaluar në Tiranë.  Mukadesi, nëna e katër fëmijve,  bën një vetpohim  ngazëllues në ditlindjen e burrit të vet:” Burri për mua?! Nuk është vetëm ai që të puth e përkëdhel. Ai është shpresa dhe fuqia e një gruaje, siguria dhe mbështetja, burimi dhe ngazëllimi i ndjenjave,  besimi që nuk thuhet kurrë, kurajo që të ndjek ngado. Burri është shpirti , krenaria dhe pamposhtmëria  e një gruaje. Ky ka qënë Fuati për mua ….” Maka Memelli (Mukadesi)  është pjesë-trimëria e Fuatit. Ajo me shumë mundime i ka qëndruar sfidës në Shqipëri duke rritur dhe edukuar 4 fëmijë, kur Fuatit i duhej të shkonte me shërbime poshtë e lart Shqipërisë. Ja dhe një arsye tjetër pse  ky “glorifikim”  i një ditlindje,  ka të bëjë me glorifikimin real të familjes së bashkuar për ta bërballuar jetën, duke u dhënë fëmijve shanset dhe lirinë që meritojnë.

Në “universin” 70 vjeçar të Fuat Memellit, ke aq shumë për të thënë dhe prap nuk i ke thënë të gjitha, sepse Fuati ka bërë aq shumë , për këdo dhe kudo. Nga Sinica ku lindi, deri në Boston ku jeton tani , rruga e Fuatit është sa e bukur, aq edhe e mundimëshme, sa me këngë , aq edhe me lot, sa me arritje, aq edhe me dëshpërime. Sinicari duket sikur udhëton  duke belbëzuar vargjet e bukura të Dritëro Agollit:” Devoll, Devoll”.Bashkëdevolliu i Agollit, është një mik i madh ditlindjesh. Jo rastësisht me atë kam festuar 40 vjetorin tim në Kopenhagen të Danimarkës , në vitin 1999,ku ishim në një kongres gazetarësh.

Jo rastësisht ai ka qënë për 12 vjet në krye të Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë dhe ka festuar ditë shënuara për kolegë, si 60 vjetorin e Xhevdet Bashllarit, ditëudhëtimin e Fiqri Shahinllarit në Amerikë, përcjelljet e shumta të miqve e kolegëve, etj. Fuati , së bashku me operatorin Fatos Loli, i ra cep më cep Shqipërisë, intervistoi, gërmoi me penë dhe kamera, jetën dhe biznesin e fermerëve shqiptarë, u tregoi të tjerëve histori të pafundme të jetës dhe përpjekjeve për të jetuar më mirë. Me kamer dhe laps, sinicari i Devollit, ka shënuar kështu edhe hapat e jetës së vet.

Sot Fuati dhe Maka jetojnë në Boston, falë  sakrificave dhe tejvshëtirmit të vajzës se madhe Gledis Memelli, që krenarisht për Fuatin dhe Makën, ka një pozicion të rëndësishëm në një nga bankat më të mëdha të Amerikës. Po aq krenarë ata janë dhe për vajzën tjetër Rezartën, djalin e madh në Kanada,  Eltonin dhe djalin tjetër, Erjonin, punonjës ky i fundit në një bankë në Shqipëri.

Duke “shfletuar” kujtesën, 17 vjet më parë, mbaj mend se e ftova për një kafe Fuat Memellin  në “klubin e nëndheshëm” të Ministrisë së Bujqësisë.  Me atë zënë e ulët, por me sy të turbulluar, më thoshte: “Shefqet, po me ik djali në   Kanada në një  festival ndërkombëtar si balerin që është, por ka marrë një vendim të mos kthehet…”. Duke kundruar shqetësimin e Fuatit, iu përgjigja: “Po ky është një  vendim për t’u përgëzuar Fuat, edhe pse nuk do jetë i lehtë. Do shpëtojë e ardhmja e fëmijës. Mos ia bëj ters”. Po, pa mbaruar fjalën  Fuati  dukej se kishte merak të madh për të shprehur.”Jo, bre, unë nuk dua të iki. I dua fëmijët bashkë. I dua në Shqipëri, por po m’i merr në qafë gruaja. Ajo ia ka mbushur mendjen të mos kthehet.Po më këputet shpirti”- më thoshte Fuati dhe dy pika loti  i ranë në filxhan të kafesë.  Ishte dhimbja dhe dashuria e një babai, që i do të gjithë fëmijët bashkë dhe nuk e di ç’mund të sjellë një ikje e bardhë. Miqësisht u përpoqa ta qetësoja tronditjen e pafajshme.”Do dalë për hajër Fuat. Edhe unë në rrugë për të ikur jam, por ndryshe, me llotari…”-  i thashë .

Nuk mund të mos  kujtosh  këto   momente të jetës, ndërsa shikon se  çfarë transformimi ka marrë jeta e një njeriu, që si gazetar, 6 vjet në  TVSH e më pas në “ombrellën” e Ministrisë së Bujqësië. Ndaj kur sheh  fuqinë dhe fytyrëçeljen që të jep liria, kupton më mirë se sa përdhunuese ka qënë jeta jonë në Shqipëri. “Të përdhunuar nga tanët”- kështu do të përmblidhja  mbjetesën tonë mes fisit tonë. Vetëm një moment: kur ne festonim 20  vjetorin e gazetës “Studenti i bujqësisë” në vitin 1988, unë  gjeta në arkivat a gazetës fakte që kryeradaktori i parë i kësaj gazete, ishte Fuat Memelli, dhe nuk  ngurrova ta konfirmoja. Madje deri në atë kohë unë nuk e njihja fare si person. Por a e dini se sa “luftë” u bë në atë kohë nga”kolegët” e Fuatit për ta  “korrigjuar” të vërtetën? E pa imagjinueshme  fuqia e fallsifikatorëve ! Por unë besnikërisht mbrojta  të vërtetën e gjetur në arkiva reale dhe nuk “retushova” asgjë  gati 30 vjet më parë. Ndaj ndihem pjesë  e kësaj feste për Fuatin tonë. Unë  e di se  ky njeri, po të kishte këtë hapësirë lirie në rininë e vet, do të ishte ndryshe, do ishte një Fuat shumë më ndryshe.

Ja pse liria që fituam me “kokëkrisurit studentë” të dhjetorit, është e pallogaritshme.  Ja pse kjo ditlindje është sërish një  “himn”  i jetës, shëndetit, gëzimit, familjes. Unë  jam ndjerë krenar  kur shihja atë “tornedo” dashurie mes fëmijve të Fuatit për  babain e vet, dhe atë respekt për shokët e miqtë tij. “Kjo është magjia shqiptare” isha gati të klithja nga momenti i jetuar. Sepse nuk ka si dashuria e  prindërve për fëmijët e tyre. Veçmas prindërit shqiptarë janë “vetflijues”të pashembullt për fëmijët e vet. Ndërkohë, postkomunizmi, ka demonstruar sa e sa ribashkime magjike të  prindërve me  fëmijët në Amerikë. Janë sa e sa vetëm kolegë gazetarë që fëmijët i kanë “peshkuar” drejt Amerikës si: Fiqiri Shanihllari, Andon Dede, Pandeli Shehu, Petro Lati, Petro Topuzi, etj. Ndaj këta shembuj janë preludi i dashurisë për familjen…

Fuat Memelli, është  tashmë qytetar amerikan. Ai  kontribuon  me mundësinë  vet që në Boston  të ruajë mëvehtësinë kulturore shqiptare. Ndaj edhe në ditlindjen e vet, ai  i këndoi jetës me fizarmonikën e vet. Fuati tashmë nuk ka ndroje si dikur, sepse ai tani është Fuat Memelli 70 vjeçar. Bashkë me Makën, jetojnë paqësisht jetën e tyre. Fëmijve, si prindër modernë, u kanë dhënë lirinë e jetës së vet.  Secili prej tyre jeton veçmas, duke prosperuar suksesshëm, por duke mos harruar kurrë prindërit.

Në ditlindjen e Fuatit, si  “elektrone”  të ndritëshme,  Gledisi, Rezi dhe Toni,  rrezatonin magjinë e dashurisë të fëmijve për  babain dhe nënën e vet. Ajo ishte edhe “kurora” e  më e bukur e këtij bashkimi. Fuati është një optimist i heshtur dhe këngëtar dashurie, sërish mer “dekoratën” e lavdisë familjare “vulosur” nga gruaja dhe katër fëmijët e tij. E ç’i duhet tjetër dekoratë këtij burri, kur gjithë familja “voton” unanimisht:”Faleminderit baba i shkëlqyer!”

Çdo fjalë tjetër, është e tepërt. Natyrisht, duke pasur akoma një “elektron” në Tiranë, Fuati mezi pret të kthehet dhe të  bëjë një “70 vjetor të dytë” aty, edhe pse nuk ka konsesusin e “opozitës” së tij të dashur, Mukadesit. Ajo  i thotë gjithmonë: “Jo”,  Fuati përherë  përgjigjet :”Po”. Mos mbetsh kurrë pa “opozitë” Fuat Memelli!

Në këtë ditlindje, të gjithë e urojnë Fuatin:” Edhe 100 miku ynë!” ”Faleminderit, por unë dua 101” përgjigjet duke qeshur flokëbardhi i Sinicës.

Shkurt, 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: fuatin tjeter(Memeli), Ju rrefej, Shefqet Meko

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT