*Gazeta “Korça” e Sami bej Pojanit financohej nga lexuesit e saj Qëndroi në shërbim të tyre deri ditën kur botimi i gazetës u ndalua./
NGA VEPROR HASANI/
Ne Foto: Sami bej Pojanit , botuesi i Gazetës “Korça”
KORÇË- Pas shpalljes së konstitucionit më 10 korrik 1908, Sami bej Pojani botoi gazetën “Korça”, të parën gazetë shqipe në Shpipëri. Ajo u bë e dashur për të gjithë lexuesit, madje ata u shndërruan në sponsorizues të saj. Shkëmbenin letra me botuesin, jepnin mendime, kërkonin mbështetjen e gazetës dhe ofronin pa rezerva përkrahjen e tyre. Gazeta “Korça” u bë zëri i tyre. Mirënjohja e njerëzve nuk i mungoi kurrë kësaj gazete, ashtu sikurse për të u shkruajtën edhe poezi nga patriotë, intelektualë dhe njerëz të thjeshtë. Këtë dossier kushtuar botuesit të gazetës “Korça”, po e nisim me një poezi kushtuar asaj, ndërsa do të vijojmë me shumë fakte të tjera të mbledhura në shtypin e kohës.
Vjershë për gazetën “Korça”
O moj Korç’ e lvdëruar,
Ti moj fletë e nderuar,
Më çdo anë e dëgjuar,
Kurrë mos qofsh e harruar.
Pas emrit të mirë që ke,
Dole ti moj lule e re,
Si të gjorin mëmëdhe,
Ashtu na ruaj dhe ne.
Ymer Zavalani
Gazeta “Korça” 22 janar 1909
Grekomanët kundër gazetës “Korça”
Jo me qëllim tjatër, po vetëm me një mejtim për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të cilët janë një komb i dëgjuar edhe me nder në ballë, me ndihmën e Zotit zumë të nxjerrim fletën “Korça”. Qyteti i Korçës s’themi që është qendër e Shqipërisë, po ia vumë emrin “Korça”, po me qenë ky qytet nga shërbimet q’i ka bërë Shqipërisë, është dëgjuar midis shqiptarëvet, prandaj na pëlqen ky emër i bukur. Me të nxjerrë në shesh numrin e parë të gazetës muarrëm nder t’ia u dërgojmë gjithë shqiptarëve që ndodhen në Shqipëri dhe atyre që janë jashtë Shqipërisë. Si çdo shqiptar që mori fletën “Korça”, me gaz na uroi. Vetëm ca shqiptarë të qytetit Korçë, që pa turp dhe pa nder në ballë, e quajnë veten e tyre grekomanë, iu paska ardhur shumë rëndë kur paskan parë emrin e Korçës të shkruar me shkronja shqip… (Pikërisht në këtë vend, gazeta është e dëmtuar dhe nuk lexohet qartë, por kuptohet që gekomanët kanë vendosur ta bojkotojnë gazetën, ndërsa më poshtë artikulli vijon): Ç’thoni mo mendje karkalecësh! Ç’qytet u kanë lënë Elinët, akoma me të vjetrat, prapë zutë nga megalidhetë? Oh, të mjerët fatzez! Kur do t’i lini këto mejtimet e ndryshkura; mosni mor të mjerë u gënjeni kaq shpejt se nuk është Korça vent greku dhe nuk ia u kanë lënë Elinët, po ky qytet ka qenë, është, do të jetë Shqipëriii, a muarët vesh. Se prej bojkotazhit tuaj gazeta “Korça” nuk tundet fare nga vendi, se fuqia juaj nuk është e zonja të lëvizë një fill kashte, prandaj sus, mos lihni shumë.
(Gazeta “Korça”, 22 janar 1909)
Shtypshkronja “Drejtësia”
Për shtypshkronjën “Drejtësia” në Korçë na lipsen dy radhonjës që i cili, njëri prej tyre lipset të dijë dhe të përdorurit e maqinës. Si kushdo që ka dituri në vethen e tij është i lutur të na bëjë zë që të merremi vesh me pagesën
Drejtonjës i gazetës “Korëa”, Sami Pojani
(Gazeta “Korça” 12 shkurt 1909)
Letër nga Simon Shuteriqi
Nuk mundem me të vërtetë me çfaqun plotënisht gazin e ngazëllimin q’i ndjeu zemra ime kur për të parën herë këndova fletën e bukur “Korça”. nuk më pyetni vallë kush asht shkaku i gjithë këtij gëzimi q’i s’mundem dot me e dëftyemun me gojë. Përgjigja asht mjaft e dobishme. Shqiptarët do- me-thanë, marsi u dha liria, dëftyen fort bukur q’i kanë nji dëshirë të madhe për diturinë e për mësim. Rrëfyen q’i janë me të vërtetë një kom i veçantë, një kom i squtë me një shpirt e me gjallje, q’i andërron me nat’ e me ditë përparim e mbrodhësi kombëtare, q’i zunë në fillësimet e shpirtit të tij një mall të shejt për me u përhapun me çfarëdo mënyre gjuha amtare në katër anët të atdheut të dashun të tij, (duke) pasun përpara sysh se kështu vetëm do mundemi të kthehemi së mbari, të mirosemi sikurse mirëvetisht ashtu ene landisht të qytetënohemi, me fjalë të tjera, të arrimë në at shkallë naltësie, në të cilën gjindën sot gjithë komet e qytetënumun. O burrani pra! Mos përtojmë fare! T’i përvishemi punës, sikurse e kërkon koha sot. Të çelim klube në çdo qytet të Shqipërisë, të shtypim ditarë sa mundemi më shumë, të bajmë fletoret e nevojshme për mësim, se kështu vetëm do t’i dëftejmë botës q’i jemi vërtet në jetë, që dumë të rrojmë kombënisht si me thanun. Kështu themi, do t’marrin vesht anmiqtë, q’i me natë e me ditë faqezestë përpiqen të na bajnë vorrin, se neve q’i kemi nderin të quhemi bijt e Skëndërbeut, i çelëm sytë, muarrëm vesht se jemi një kom me emën e me za, e se armët e diturisë me arsimin komtar, do t’i kundërshtohemi çdo djallëzie q’i vjen nga ana e atyne. Përpara tre muajsh afër, u çel këtu mësonjëtore nate. Punët q’i po ban janë për të shënumun. Do t’shofësh mbramje për mbramje 60-70 djem të ri, myslimanë e të krishterë, të mështillen në këtë faltore të ditunisë me mall dhe me dëshirë të shpejt në zemër për me mësumun gjuhën amtare at’gjuhë të shejtënueshme, q’i e folën moti Perënditë e Olimbit. Nga mesi i zemrës i lutemi Fuqimadhit, të këtilla mësonjëtore të hapen së shpejti në çdo qytet t’atdheut jonë, me qenë q’i dobia q’i vjen prej këtyne asht shumë e madhe për komin e jonë, i cili sot duhet të lëkundin e të largohet nga errësira, nga padija e shkretë, e cila prish kombe, zvetënon e çkombëson, njerëzinë e dënon me mjerim e padukmënie të tmerrueshme
Simon Suteriqi
(Gazeta “Korça”, 22 janar 1909)
Letër nga Petro Nini Luarasi
Fort i ndërçim zoti Direktor i gazetës Korça.
U lutem të më dhuroni pak vent në të nderçimen gazetë të Z-s (zotërisë) suaj të çpall dy fjalë vëllazërisht në të dashurit shqiptarë. Me qenë që shumë shqiptarë pandehin se kanë shprehje (të drejtën e shprehjes- shënimi ynë – V.H), duke patur fatin që t’u epetë pak liri për të kënduarë dhe nxënë gjuhën’ e tyre, pa vënë re fjalën e urtë që thotë: “Kush ra poshtë të kujdeset të ngrihetë, dhe kush qendron ngrehetë (ngritur) të vërë re se mos bjerë”.(Petro Nini Luarasi kërkon që shqiptarët të mos behen pre e armiqve të tyre, fal lirisë që u është ofruar, shënimi ynë)
Të tillë shqiptarë janë si shqerat që s’kanë provuar nonjëherë thonjt’ e ujkut, as kanë dëgjuar për lagjet (çarqet) dhe dinakëritë e dhelprës dhe me qenë që shumë Shqiptarë e dëshirojnë përparimin e gjuhës së tyre po e kërkojnë si manushaqe, ta mbjellin të tjerë e ta përgëzojnë ata, pa kur e shohin që fishket ajo manushaqe e bukur, tek duhetë t’i apëmë (japim) krahun e shërimit, ata, pa turp kthejnë sytë mënjanë dhe bëjnë sikur s’e njohinë, andaj për ta, të thjeshtë mëmëdhetarë që kanë shpresë të vdesën si Shqiptarë, u themi që të dini se në fshatrat e Kolonjës një propagandë greke me intriga të hidhura është ngrehur kundër shqiptarisë dhe me (vrik), vërtik e kuxim po përhapet e po dërmon zemrat e Shqiptarëvet, po më shumë të krishterëve të tillë. Në ato fshatra që kanë marrë pjesë Shqiptarija, epet (jepet) pagë në priftrinjtë që të ngatërrojnë fshatarët dhe të priren nga an e grekërvet, dhe në pleqt të fshatit (n’ata më të fortët) e këtyre fshatrave, epet dhe me të fitimçime, (pagesa të larta), po të përkrahin anën e grekomanëvet. Veç këtyre armëve (gra dhe snaider) po ngulenë dhëndurë prej Greqie, e po forcojnë qëllimnë e kësaj propagande. Sot nuk do të zë ngoje për qendrat dhe për vetat e kësaj propagande që gjendet në mes të Kolonjës si thëngjill i mbuluar, por dyke ruajtur të gjurmojmë më tepër e më kthjellët paskëtaj, për qëllim të kësaj propagande të armiktë që po çnderon Kolonjën dhe shqiptarët e atjeshën. U lutemi gjithë shqiptarëvet të kthjellët që ta hedhin këtej dy orë gjumë dhe të rrinë zgjuar për fatin e tyre, dhe veçan lutemi, duke patur shpresë se kolonjarët që janë rrëfyer gjer dje mëmëdhetarë të kulluar do të lenë mënjanë zihjet dhe thashethemet, të cilat po trashin dhe forcojnë propagandat e huaja në vatrat e tyre, se gjithnjë, kur zihen macet, bëjnë minjtë dasmë.
8 Kalmar 1909. P. Raulasi)
Gazeta “Korça”, 22 janar 1909)
Letër nga Lek Dukagjini
Zoti drejtonjës!
Pas ca letrave që marrim nga Pogradeci (Starova) mësojmë këto:
Me qenë që në atë qytet u përgatit çelje e shkollës shqipe, mësonjësi i shkollës greqishte i pyetke çunat (nxënësit): Kush nga juve do të vejë në shkollën shqipe?
Dhe çunat që kuxuan e thanë që do të venë, i rrahën. Turp të madh që na dëgjojnë veshët!. Z. dhaskal, me qenë që është shqiptar dhe vëlla i një zoti që është nërmjet të pleqësisë së klubit të Korçës, na vjen keq. I dyti mësonjës i asaj shkolle, i cili është uratë ga Elbasani, Thanasi, i këshillon çunat dyke thënë se po të venë në shqipen do të jenë të mallkuar dhe as të vdekur nuk do t’i varrojë, janë turp t’i shkruajmë, po le t’i shkruaj Perëndia mbi kokë.
Nuk kanë turp nga hoxhallarët?!
Nuk shikojnë që shkuan kohët e para?
Lekë Dulagjini
(Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909)
Përgjigjja e gazetës “Korça”
Dhaskalin e njohim fare mire, se Mitropoliti i Korçës atë zot nuk e ka dërguar për t’u futur mend djemve, se nuk ka i gjori për veten e tij, po e ka dërguar t’u nxjerrë dhe ato dy fara që kanë dhe t’i mësojë të bëjnë dush në gjol që t’u trashen kokat dhe t’u zënë çmers si kok’ e tij, se i mjeri, po të kishte dy zolota ment, do t’ish si të vëllezërit që janë të ndjerë dhe të nderuar nërmjet vëllazërisë edhe botës, po zotëri e tij me patur atë kokë do të zërë cironka në atë gjol të Pogradecit do bjerë dhe do fundosnjë e do gjenjë “tin megali idhean” e grekëvet. Sa për priftin, s’mund të themi gjë, që kur veshi atë rrobë do t’i qelbet firoma. Po me qenë që erdhi kjo kohë, më s’u kanë duk profkat.
(Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909)
Letër e dardharëve nga Amerika
Zoti Dreqtonjës!
Pas ca letrave që marrim nga fshati ynë, Dardha, na shkruajnë se mësonjësi i shkollës elenishte, z. Ligor Sulioti u thotë nxënësve të tij: “Tu alvanizman i psora maqedhonas dhen mulini uti apomakrini apo ton elenizmas!” (zgjebja e shqiptarizmit nuk fëlliq maqidhonët, as që i largon ngaj elenizma) edhe shumë poshtërime të tjera, po më së fundi vë djemtë të thërresën zitooo o elenizmos, kato masono arvanites. Përveç mësonjësit (mësonjësve) janë edhe dy të poshtër që përzihen në të këtilla mejtime, dyke marrë rogë nga ark’ e të qelburve andarë, të cilët janë Thoma Kjano dhe Andon Daku me shokë të tjerë. O qirios dhaskalos, me këta faqezinjtë së bashku, trembin fshatin dyke thënë se ay që kërkon të këndojë shqip ose që i thotë vetes së tij shqiptar, pa dyshim do ta vrasim!! Kur qenka kështu, atëherej çfarë konstitucioni paska në vend tenë?!
(Gazeta “Korça” 6 mars 1909)
Ndihma për gazetën “Korça”
Shahin bej Kolonja (deputet) 93 grosh, Musa bej Goça 50, Qemal bej Frashëri 50, Rifat bej 30, Eshref bej 50, Nexhar effendi Gjinokastra 50, Dr Mishe Rupishti ( deputet) 113, Koço pazali 25, Qemal bej Leskoviku 50, Abaz Zihni Kanina 50.
(Gazeta “Korça”, 12 shkurt 1909)
Shtypshkronja “Korça”
Shtypshkronja e gazetës “Korça” ardhi në Korçë, por për fat shkronjat s’kanë ardhur të gjitha, kështu pra, simotra tonë vonojti të botohet. Shumë për një javë besohet të arrijnë shkronjat e të dalë me rregull.
“Lidhja ortodokse”, 10 korrik 1909)
Sami Pojani mësues
Mësonjës për gjuhën shqipe në shkollën gjimnasto të Korçës u zgjodh direqtori i gazetës z. Sami Pojani
(Gazeta “Korça” 1 vjesht e II-të 1909)
Shtypshkronja “Korça”
Simotra t’onë “Korça” doli në dritë prej shtypshkronjës së saj. E urojmë nga zemra: përparim e jetë të gjatë!
(“Lidhja ortodokse”, e premte, 2 vjesht’ e II-të 1909)
Ndihma për gazetën “Korça”
Abedin (Bilisht) 5 grosh, Emin Arsllan (Bilisht) 5, Ibrahim Qesaraka 10, Salih Butka Kolonjë 10, Vangjel Qati (Janinë) 10, Sami Vrioni (Fier) 10, Teufik Çelo Leskoviq 10, Shoqëria “Bashkimi” Kolonjë 10, Ahmet Dakli Elbasan 10, Shaban Plasa (Korçë) 10, Vëllazaria Cico Korçë 10, Vëllazëria Çipi Korçë 10, Kosta Leksi Fundo Korçë 10, Behlul (Korçë) 10, Osman Babani Bilisht 10, Dionis V.Pepo Amerikë 1.20, Sotir D. Hoçisht 26.20, Xhafer Zejnel Bilisht 10, Fehim Babani Bilisht 5, Velishah Bilisht 5.
Gazeta “Korça”, e enjte 22 vjesht e II-të 1909
Shtypshkronja “Korça”
Shtypshkronja e Korçës u pasurua me çdo lloj shkronja. Që sot pra, marrim përsipër të bëjmë çdo porosi që na jepet në çdo gjuhë që të jetë shkrojtur. Shtypim zëdhënie, kart-vizita, pliko dhe kartë tregtije me çdo firmë, polca, fletë shqip dhe të përkohshme, libra, ftime (ftesa) për dasmë dhe çdo gjë tjetër që të na jepet. Provoni të gjithë shkronjat tona, të rejat. Punojmë me çmime të njerëzijta. Në qoftë se e provoni njëherë punën tonë, jemi të siguruar (të sigurtë) se do të na nderoni përhera me porositë e z. suaj
Mahmud Pojani
(Gazeta “Korça”, e enjtE 22 vjesht e II-të 1909)
Letër nga Stambolli
Zot’ i nderçmi Direqtor
Një yll, një shkëlqezë e zjarrtë që del prej artikulave të flakta plot me fjalë të nxehta e të ambla që ka gazeta e Juej, e cila shtypet në një qytet të zgjuar të mëmëdheut tonë javë për javë, po na nderon, po na freskon, edhe tregon detyrat e udhët tona kombëtare, si çashtjen e shqiptarizmit, randësinë e kombit, – për shkurt, – gjithë gjendësinë tonë e nevojat që ka kombi jonë, i mësojmë me anë të kësaj gazete.
T’u-njatë jeta o moj fletë Korçe, o engjëll i bukur i gjuhës sonë. Jetoftë edhe punoftë gjithmonë!
Sa më dridhet zemra e ime, qysh më tundet mendja e ime në këtë cast, dyke kujtumun shkretësin’ dhe varfënin’ e kombit t’onë! Gjer kur vallë o Perëndi, gjer kur na shqiptarët do të mbesim në këtë errësinë të tmerrueshme? Ky fat i keq e ky mallkim i randë gjer kur do të zgjatet? Vrasja e kombeve të tjera që janë shtye në vend t’onë edhe fikja e padijës.
Këqyr o Zot sa keq po na dëmtojnë! Një komb kaq i vjetër e kaq i urtë të jetë sot kaq poshtë!… Të shkelet, të vritet e të copëtohet pa shkak!… Bota të lulëzohet e na të mbesim shkretë… Ah, o Zot, mjaft! Mjaft se shqiptarët si kanë vue (vuajtur) gjer tash për njerëzinë e shumë vendeve edhe mbas tashit (pas kësaj) kanë për të vumun (vuajtur).
(Pas këtyre fjalëve, gazeta është e dëmtuar dhe nuk lexohet. Vijojmë më poshtë):
Ah, të mjerët na, që ende jemi në gjumë, që edhe ma s’i kemi kuptumun nevojat t’ona kombëtare! Më një anë padija, më tjetër anë vorfnia edhe shkretnija, këto tri sende që s’mund ta lanë kurrë një komb të punojë e të jetë i lirë, qysh mund një komb të përparojë?
E dimë mirë të gjithë na, se sot të tanë kombet janë në një luftë të madhe e të pasosme; po hutat (pushkët) e kësaj lufte s’janë arma, plumbi edhe hekuri, po asht penda, mendja edhe puna, apo kroni i këtyre veglave asht mësonjëtorja
Po prapë them se për fat të keq shumë shqiptarë s’e kanë kuptumun kët’nevojë kaq të madhe!
Mësonjëtore pas shekullit të njëzetë nuk kemi kërkund. Udha të hekurta i shkojnë afër vendit t’onë, por për së largut. Kur këto dy vegla të qytetërimit na mungojnë, kur do të shofim përparim e mirësi në vend t’onë, kur do t’i shofim geg e tosk janë bashkumun në një mendje e zemër e të punojnë, vrapojnë e mundohen për mëmëdhe? Kur do t’i shofim katundarët me buzë të qeshur dhe me ballë të pakujdesun?
Kombi shqiptar këtë mirësi për tashti e pret prej zotnive që janë të zgjumun, që kanë ndjenja kombëtare; edhe padyshim mbasi e kanë hap këtë udhë të shenjtë, kemi për të vajtur përpara, se bashkë me ata do të jenë ndihmëtare edhe femnat, me një fjalë gjithë shqiptarët, i kini mbarë jush.
Belkis
E bij’ e Mahmud Pash’ Elbasanit
Stamboll, 21 vjesht II-të 1909
Botuar te gazeta “Korça” e enjte, 29 vjesht e II-të 1909.
Përgjigjja e gazetës “Korça”
Korça – Këtë letër të vjejtur (të vlerë) shtyllat e gazetës sonë e pritnë me gaz të madh sepse kjo zonjë kurdoherë ka hequr psherëtimet për të mjerin, kombin e saj. Kjo zonjë është (ajo) që protestoi ca kohë, përpara kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme… për shkrimet e ashpra që kish botuar fleta “Tanin” për shqiptarët
I lutemi zotit që zonja të tilla t’ia falë atdheut tonë që të mundnjë të shohë pikën e dritës
Gazeta “Korça” 29, vjesht’ e II-të 1909
Letër nga Tirana
Urime dhe disa fjalë për gazetën Korça.
Kur këndova në fletët të ndershme “Korça” letrën me firmën “Belkis” nëgjova një gëzim të paprashëm në zemrët teme. Këtë gëzim nuk mu rrite pa e rrëfy, po mora penën e fillova me shkru; çar me shkru, nuk po dishe prej ati gëzimit të madh, kur sheh një goce Shqyptare kështu, një letër të bukur, me fjalë të flakta, si mos të gezohet.
Po ! Po ! Fort lipset të gëzohet se kombi i vorfën Shqyptar pat ardh më nji shkall të poshtër (te ulët) në kohën e sundimit të kuq të Hamidit, se i pat lidh gjuhën e ambël e i pat lan në errësin. Prej këti shkaku Shqyptarët e vorfën patën met nër kamb të armiqve: Grekët më nji an dojshin t’i bojshin Shqyptarët grek, më tjetrët Nemsja me Italjen luftojshin për dëshirat e veta e përnej Shqyptari dita q’i vinte shkojte në psherëtim.
Funi i shkallës poshtër asht humbja e kombësisë fare; po desh Zoti doli një za nga Resnija dhe pështoj, jo vetëm kombin Shqyptar po gjithë kombet që rrojnë në Turqi. Ky za i rrebët, qi doli nga Resnija e pështoj kombin tonë nga reziku e i tha Shqyptarvet: Çohi! prej këti gjumi, se Kombi i Juej asht i nderum, po juve ju ka pru despotizma më këtë shkallë të poshtër.
Ne Shqyptarët e vorfën u zgjumë dhe i muarëm vesht armiqtë….(Gazeta e dëmtuar nuk lexohet). Vijojmë më tej: Disa rob të fëlliq fillun me than: “Harfet bervala të latinit të prishin besën. (Është fjala për alfabetin latin), Kjo fjalë dilte prei gojës të disave, qi luftojshin – jo për atdhen – por për dëshirat e poshtra të vetat. Sado qi këta të marrë luftun ta mshihnin të drejtën prap sun fitun gja.
Sun fitun gja se e drejta pra, po e drejt asht. Mos të menohen ata rob kot!. Se ata qi luftojn kështu për dëshirat do të përmenden gjithë herët me nji emën të lig. E pra, kur asht kështu, i lutemi të gjith Shqyptarvet ta hekin prei vetiu dëshirën e poshtër të vetën dhe t’i hidhen punës (së) mamëdheut, qi mos të meret nër kamb prej armiqve, po të përparoj si kombet e tjera.
Ne shqyptarët na duhet të përpiqna ma fort se gjithë kombet, se neve si kur dihet, ja ka pas pru dhespotizma më nji shkall të poshtër fort, po nashti asht detyra e Shqiptarvet të punojm; se kur na thot fleta e bukur e Korçës: “Pun, pun, nat e dit, qi të shohim pak drit” dhe të hekim dor nga dëshirat e poshtra, se ata qi po luftojn; po i shohin që po fëlliqen.
Për mirësinë e mamdheut le t’i mprojm të drejtat e kombit tonë, se me rrena nuk shtohet bota, në ata qi thon që të prishin fenë harfet e latinit, të hekin dor se mesin të fëlliqun.
E zgjata fjalën, po më falni se dëshira e madhe që kam për gjuhën amtare më shtyni të shkruaj këtë fjal.
Nji goc’ nga fshati i çerdhes petritit
(Gazeta “Korça”, e enjte 3 dhjetor 1909)
Letër nga Bilishti
- Direqtor i fletës “Korça”, Sami Pojani, kënduam në të nderçmen fletën e zotërisë suej që lipset ndihmuar ata shërbëtorët, atdhetarë, të cilët me tepëricën e kafshitës së gojës nisnë të nxjerrin kalendarin “Korça” që do të jetë një vepër fort e bukur për ndriçimin e atdheut të dashur.
Dëshir’ e zemrës t’ime sado që është prej gruaje, po është fort e qëruar në sipathinë e atdheut. Dyke ditur sesa mirësi do të ketë vendi ynë prej këti të shënuari Kalendar, ja ku të dërgoj një mexhite t’ja jepni zotërinjve botonjësve.
Vërtet, kjo ndihma ime është e vogël po them se të kem dorën e mbarë, që të gjitha ato zonja shqiptarka të ndihmojnë ca.
Me nder
Zonja H.B.,
(Bilisht, 22 vjesht’ e III-të 1909).
Ndihma për gazetën “Korça”
Ymer Pasha Vrioni (Fer) 10 grosh, Gabil Pasha Vrioni (Fier) 10, Abdurrahman (Serfixe) 10, Hasan (Alasonjë) 10, Salih Hilmi (Ysqyp) 10, Vasil M. Andoni (Elbasan) 10, Klubi “Bashkimi” (Janinë) 5, Klubi “Bashkimi” Delvinë 10, Klubi “Bashkimi” (Meçovë) 10, Aqif Pasha Elbasani (Jevixe) 10, Tashko Tasi Ilo (Rumani) 7, Vëllazëria Gërmenji (Monastir) 10, Abdi bej (Tiranë) 10, Adham Shkaba (Monastir) 10, Shefqet bej (Elbasan) 10, Dhimitri Mole (Filibe) 46.20, Sadik Gjinokastra (Janinë) 5, Refik bej Toptani (Tiranë) 10, Rexhep libohova (Alasonjë) 10, Ali Fasli Gjinokastra (Monastir) 5, Mehmet Sadi (Prevezë) 5, Hasan ef. Binbashi (Dramë) 5, Arslan Korça (Dramë) 5.
(Gazeta “Korça”, 29 vjesht’ e II-të 1909)
Ndihma për gazetën “Korça”
Arsllan Korça (Dramë) 5 grosh, Hysen Hastopali (Elbasan) 10, Dr. Simon Rapo (Elbasan) 10, Dhimitri Lazar Papajani (Elbasan) 10, Klubi shqiptar i Filatit 10,
Nxënësit e shkollës dhematje Stamboll 5, Gaqi Athanas Ciko Bukuresht 20, Ali bej Starja Kolonjë 10, Jakub bej Starja Kolonjë 10, Emin Abem Kolonjë 10,
Vasil Spiro Barmashi Rusi 37, Gjekki Pashë Konica Izmir 10, Vasil Zografi Bukuresht 40.20, Pandeli Durmishi Bukuresht 46.20, Fuad Frashëri Lurës 10, Nikollaq Zoi Korçë 10, Hysejn Dishnica Korçë 10, Thimi Marko Korçë 10, Rustem Klisyra Përmet 10, Vëllazëria klisyra Përmet 10, Vëllazëria jemenli Përmet 10, Baba Hysen melçani Korçë 10 , Emin Selenica Korçë 10, Koçi Paravani Korçë 5, Qenedi Amerikan Korçë 10, Pandeli Evangjeli Bukuresht 37, Idris Galib Ergjiri 10, Jovan x. Pozo Avlona 10, Minella Mano Korçë 10, Ngjeli Stratobërda Korçë 5, Kola Barmashi Korçë 5, Ilia Kosturi Bukuresht 37, Xhevdet Fehim Lskoviku 10, Osman bej Prevezë 10, Haxhi Lumçe Ajdonatë 5, Klubi Osmanlli Korçë 10, Neki Frshëri Korçë 10.
(Gazeta “Korça” e enjte, 12 vjesht’e II-të 1909)
Kërkohen korrespondentë
Secili zot që mund të marrë barrën të na lajmërojë ngjarjet e Elbasanit, Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Argjirokastrës, Stambollit, Monastirit edhe Janinës, i lutemi të na shkruajë për së shpejti, që të merremi vesh shkoqitur
Nga direqsi e “Korçës”
(Gazeta “Korça”, 21 vjesht’ e parë 1909)
Sami Pojani akuzohet për thirrje kundër qeverisë
Gjykatorja e Korçës thirri në pyetje gjithë Komisionë të Mitingut (të shkronjave) për të dhënë përgjigje që, ç’përshtypje u bënë fjalët (fjalimet) që u mbajtën atje edhe më shumë të z. Sami Pojanit, direktor i simotrës t’ënë. U habitmë, siç duhet të habiten gjithë bota, me qenë që në miting kishin urdhëruar edhe nga Hyqymeti (qeveria), edhe po të kishte folur nonjë kondra mbretërisë, duhej thirur ay vetëm, edhe dënuar, e jo gjithë Komisioni. Megjithkëtë, e drejta do të dalë në shesh edhe ata që çpikën këtë çështje do të mbeten të turpëruar.
(“Lidhja ortodokse”, e shtunë 3 prill 1910)
Sami Pojani braktis Korçën
Zoti Sami bej Pojani, direktor i simotrës s’ënë, “Korça”, shkojti nga shkaku që u dha vendim për ta burgosur për fjalët që mbajti në miting (të shkronjave)
(“Lidhja ortodokse”, e shtunë 3 prill 1910)
Sami bej Pojani shpallet në kërkim
Njëdizaj policia bastisi shtëpinë e z. Sami bej Pojani, po nuk e gjeti brenda. Për zotërinë e tij është dhënë vendimi që të burgoset gjer sa të gjykohet çështja e mitingut
(“Lidhja ortodokse”, e shtunë, 3 prill 1910)
Komisioni i mitingut i shkruan qeverisë
Komisioni i Mitingut hoqi një tejshkrim të gjatë (telegram) vezirit e gjithë deputenjëve shqiptarë për të protestuar masat e pengimet të hyqymetit të Korçës, kundra z. Sami Pojanit dhe Komisionit.
(Lidhja ortodokse, e mërkurë, 14 prill 1910)
Vdekja e Sami bej Pojanit
Korçarët gjithë, pa ndryshim (pa dallim), feje ose politike, vrapuan të tregojnë helmin e madh që ndjejnë për vdekjen të Sami bej Pojanit duke dhënë ngushëllimet familjes të të ndjerit. (Gazeta “Koha”, 24 shkurt 1911)
Banda e Lirisë një javë zi për Sami bej Pojanin
Pleqësia e Bandës, me të lajmëruar për vdekjen të Sami Pojanit, vendosi që banda të mbanjë zi një javë, me qenë se ishte një nga themelonjësit edhe këshillonjës i vjetër
(Gazeta “Koha”, 24 shkurt 1911)
Dëshpërimi i Pojanit në poezi
Një thirrje nga thelb’ i zemrës djegur
Rënkoni zemra dhe ju shpirtra të helmuar
Dhe ju o sy e buzë aq të dëshiruara
Tundi drurë e male plot dëborë mbuluar
Vajtoni burra dhe ju gra të martuara…
Ju zogj heshtni, ah ti fëllëzë mos këndo
Ti zall e lumë me kaq nxitim mos vraponi
Hidhërimin gjindjes thojani ju kudo
Qani me vajtim e zinë ta tregoni
Ju fusha mos gjelbëroni, nxihuni më tepër
O pyje fletë mos lëshoni, thahuni fare
O botë lëri punërat dhe mos e bëj një vepër
Ngrihuni ju të vdekur dhe hapni varre
Mos rrutullo moj botë, diell mos ndrit
Ashtu dhe ti moj hënë e yje mos shkëlqeni
Ti natyrë e bukur prishu dhe mos prit
Për gjakun që derdhet në Shqipëri, në zi të jeni
(Gazeta “Koha”, 3 mars 1911)
Kush ishte Sami bej Pojani
Sami bej Pojani lindi në Korçë më 1880 prej një oxhaku të vjetër e të ndershëm të Çerçiz Pojanit. Që në foshnjëri Samiu jepte shpresë që do të arrinte një njeri i madh. Si mbaroi ruzhdien e Korçës, vajti në Manastir ku mbaroi gjimnazin turk, pastaj hyri në shkollë të Drejtësisë në Stamboll. Që atje vajti në Edrene nëpunës dhe për pak kohë arriti mydir në Neveskë, Opar dhe kajmekan në Kolonjë. Po ndjenjat kombiare të cilat i kishin dëshirë me qumështin e nënës, nuk e linin të shohë nëpunësinë dhe hidhet në luftë kombiare duke marrë kryesinë e lëvizjes kombiare të komitetit të Korçës në kohë të tiranisë. Xemieti, përpara lirisë në Korçë, Saminë e shkroi në krye anëtar dhe i djegur për liri u përpoq me gjithë fuqinë e tij. Më 1907 u martua, duke u bashkuar me një shoqe nga të mëdhenjtë oshakë të Shqipërisë, të Këlcyrës. Si u dha liria, mori penën në dorë dhe botoi gazetën “Korça” gjersa e ndaloi regjimi ushtarak i Dibrës. Vdekja e djalit të tij, më anën tjetër brengat kombiare, e hodhën në shtrat të lëngatës. Po vdekja nuk mund të tmerronte Saminë se ay dhe i sëmurë gjer në orën e fundit përpiqej për kombësinë. Me karakter të shkëlqyer, me kalorsinë dhe atdhetarinë kishte fituar simpatinë e të githëve. Orator i madh, bënte kudoherë dëgjonjësit të qajnë nga fjalët e tij. Në çdo lëvizje, në çdo çështje kombiare, Samiu ishte i pari. Tani dy javë shkoi në Evropë që të gjente shërim, por vdekja e tmerrshme nuk e la, dhe më 19 të këtij (shkurtit) Samiu dha shpirtin në duart e Perëndisë në Selanik. Me vdekjen e Samiut mbretëria dhe Shqipëria humbasin një bir të dashur e një patriot të madh dhe Korça një flamurtar të shkëlqyer e të dashur. Po përpara gjykimit të Zotit, nuk kemi përveç t’i përulemi e të lutemi që ta ketë nën kujdes e në prehje dhe të pangushëlluarës familje, si dhe gjithë të dashurve, u hedhtë nga një pikë balsam në zemrat e përvëluara
(Gazeta “Koha”, 24 shkurt 1911)