Sekretari i shtetit të Xhorxhias në SHBA, Brad Raffensberger, tha se votat e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet do të rinumërohen.
Ai po ashtu tha se 4,169 vota mbeten për t’u numëruar dhe se rreth 8,000 vota të ushtrisë me kusht janë ende në postë dhe do të numërohen vetëm nëse arrijnë deri në fund të ditës.
“Tani për tani, Xhorxhia është shumë pranë rezultatit”, tha ai, por shtoi se “me një diferencë kaq të vogël, do të ketë rinumërim”.
Kandidati demokrat për president, Joe Biden, ka epërsi të vogël ndaj presidentit Donald Trump në Xhorxhia, me vetëm pak më shumë se 1,000 vota.
“Interesi për zgjedhjet tona padyshim që shkon përtej kufijve të Xhorxhias. Rezultati përfundimtar në Xhorxhia, në këtë pikë, ka implikime të mëdha për të gjithë vendin”, tha Raffensberger.
Xhorxhia i siguron një kandidati 16 vota elektorale.
Sipas rezultatve të deritanishme, Biden i ka 253 vota elektorale, ndërsa Trump 214.
Një kandidati i duhen së paku 270 vota të tilla për t’u zgjedhur president.
Numërimi i votave në disa shtete kyçe, përfshirë Pensilvaninë që ka 20 vota elektorale, vazhdon.
Rinumërimi në Xhorxhia mund ta vonojë shpalljen e fitores nga cilido kandidat.
***
Biden prin në Pensilvani, Trump me akuza për procesin zgjedhor
Numërimi i votave nëpër shtetet kyçe është duke vazhduar në Shtetet e Bashkuara.
Kandidati për president i Partisë Demokratike, Joe Biden, është më pranë fitores, ndërsa ai republikan, njëherësh president i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë akuza që sulmonin procesin demokratik të vendit.
Biden ka dalë në epërsi ndaj presidentit Trump në shtetin e Pensilvanisë. Trump nuk mund të rizgjidhet nëse nuk fiton 20 votat elektorale të Pensilvanisë, pa marrë parasysh sa shtete të tjera fiton. Shanset e tij për të siguruar rizgjedhjen do të varen nga zhvillimet në këtë shtet.
Biden ka shënuar epërsinë me 5,587 vota, raporton Reuters.
Në Xhorxhia, sipas rezultateve të fundit, Biden ka një epërsi prej 1,097 votash kundrejt presidentit Trump.
Biden gjithashtu po mban një epërsi të vogël në Arizona dhe Nevada. Në Arizona, epërsia e tij u ngushtua në rreth 47,000 vota, dhe në Nevada ai ishte përpara me rreth 11,500 vota.
Nëse trendi aktual vazhdon, Trump përballet me një rrugë të vështirë për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë. Në një konferencë për media ai bëri një deklaratë të ashpër, duke pretenduar – pa siguruar ndonjë provë – për mashtrime në shtetet ku po vazhdon numërimi i votave dhe kërcënoi me veprime ligjore në të gjithë vendin.
Biden ka fituar deri më tani 253 vota të Kolegjit Zgjedhor, dhe e gjithë vëmendja u përqëndrua në numërimin e votave në Pensilvani, ku u numëruan fletëvotimet nga zonat përreth Filadelfias.
Një kandidati presidencial ka nevojë për të paktën 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar Shtëpinë e Bardhë.
Secili shtet ka një numër të caktuar të votave të Kolegjit Zgjedhor, bazuar në popullsinë e tij.
Biden do të bëhej presidenti i ardhshëm nëse fiton Pensilvaninë, ose dy nga këto shtete: Xhorxhian, Nevadan dhe Arizonan.
Fushata e Trumpit ka nisur një stuhi të veprimtarisë ligjore duke sfiduar procesin e numërimit, ndërsa hedh dyshime mbi rezultatet e zgjedhjeve.
Fushata e Trumpit gjithashtu ka sfiduar një rregull të Pensilvanisë që lejon shtetin të numërojë fletëvotimet me postë nga dita e zgjedhjeve të arritura deri në tre ditë më vonë.
Presidenti Trump gjatë fushatës së gjatë dhe të egër sulmoi vazhdimisht integritetin e sistemit të votimit të vendit.
Trump dëshiron që asnjë fletëvotim i pranuar pas ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor të mos numërohet. Ekzistojnë vendime gjyqësore që lejojnë numërimin e atyre votave në shtetet ku lejon legjislacioni vendor.
Në konferencën e mbajtur në Shtëpinë së Bardhë më 5 nëntor, ai edhe një herë pretendoi, pa prova, se demokratët “po përpiqeshin të vidhnin zgjedhjet”.
“Ne mendojmë se do të ketë shumë procese gjyqësore”, tha Trump.
“Në fund të fundit, unë kam një ndjenjë që gjykatësit do të vendosin,” shtoi ai.
Platformat e mediave sociale Twitter dhe Facebook, ku fjalimi i presidentit u transmetua drejtpërdrejt, vendosën paralajmërime mbi përmbajtjen.
Disa ekspertë ligjorë kanë thënë se proceset e mundshme gjyqësore nuk ka gjasa të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Një gjykatës i Miçiganit më 5 nëntor hodhi poshtë një proces gjyqësor të inicuar nga fushata e Trumpit, e cila kërkoi një ndalim emergjent të numërimit të votave në këtë shtet.
Biden u ka kërkuar amerikanëve që të kenë besim në procesin zgjedhor duke shfaqur besimin se ai do të jetë fituesi përfundimtar pasi të numërohen të gjitha votat.
“Askush nuk do të na rrëmbejë demokracinë. Tani dhe asnjëherë”, tha ai në një postim në rrjetet sociale pas deklaratave akuzuese të Trumpit.
“Amerika ka arritur shumë, bëri shumë beteja dhe duroi shumë për të mos lejuar që kjo të ndodhë”, shtoi Biden.
ë nxitur nga retorika e Trump, turma të vogla të mbështetësve të tij mbajtën demonstrata jashtë disa qendrave të votimit. Disa demonstrues anti-Trump u mblodhën gjithashtu në të gjithë vendin.
Të dyja organizimet ishin përgjithësisht paqësore, por megjithatë u raportuan disa përleshje të vogla midis grupeve.(Peragatiti Kestin Kumnova-RFL)