• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fuqitë Europiane, Nacionalizmi Arab dhe krijimi i shteteve arabe

October 25, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Kriza Lindore që u karakterizua nga dobësimi i Perandorisë Osmane, në shekullin e 18-të dhe fuqizimi i fuqive të reja europiane si Franca dhe Britania e Madhe shtojë interesimin e këtyre ndaj zonës së Lindjes së Mesme. Britania e Madhe, nga ana e saj, për realizimin e planeve të veta, përkrahu lëvizjen fetare dhe politike të Vehabizmit, lëvizje e themeluar nga Muhamed Abdul Vehabi(1703-1791), për dy arsye:
Se pari, duke qenë se kjo ishte një lëvizje fetare me mendime ekstremiste dhe radikale, solli përçarje në mes myslimanëve arabë.
Se dyti, kjo lëvizje synonte shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe krijimin e shtetit islamik, Saudit.
Krahas lakmisë Britanike, nga ana tjetër, në vitin 1798 Napolon Bonapardi ndërmori një ekspeditë në Egjipt, ku nuk arriti asnjë rezultat dhe u detyrua të kapitullonte përpara sulmeve të forcave të përbashkëta Anglo-Osmane në gusht të vitit 1801. Pavarësisht se në Francë ai e paraqiti veten si triumfator, vetëm për imazhe.
Në qershor të vitit 1802 u nënshkrua Traktati i Amienit, në të cilin u vendos që Egjiptit ti rikthehej sovranitetit Osman. Britania e Madhe, nga ana e saj, në vitin 1807 pushtoi përkohësisht Aleksandrinë, por dështoi në pushtimin e Egjiptit.
Pas Kongresit të Vjenës (1815), filloi një bashkëpunim në politikën ndërkombëtare ndërmjet Francës, Britanisë së Madhe dhe Fuqive të tjera Evropiane në kuadër të Koncertit të Evropës. Rezultat i këtij bashkëpunimi ishte angazhimi sidomos i Francës dhe Britanisë në problemin e pavarësisë së Greqisë dhe në pranimin e pushtimit të Algjerisë nga Franca në vitin 1830. Gjithashtu Franca në vitin 1881 pushtoi Tunizinë dhe Marokun.
Britania e Madhe, nga ana tjetër, në vitin 1840 nënshkroi me Turqinë “Traktatin e Londrës”, në bazë të cilit Jemeni kalonte nën kontrollin e saj. Ky traktat i dha dorë Britanisë për të zgjeruar zonën e influencës së saj në Gadishullin Arabik.
Në vitin 1880 u vu nën kontrollin britanik edhe Bahrejni. Dy vite më vonë, 1892 sunduesi i Abu Dhabit firmosi një marrëveshje me Britaninë, në të cilën u vendos që ai nuk do të hynte në marrëdhënie me shtetet e tjera pa marrë pëlqimin e saj. Britania, nga ana tjetër e ndihmoi për zgjerimin e sundimit të tij me Dubain dhe disa vende të tjera. Të njëjtën marrëveshje, Britania e Madhe nënshkroi, në Janar të vitit 1899 dhe me Sheikun e Kuvajtit.
Britania në rivalitet me Francën për kontrollin e Kanalit të Suezit në 13 gusht të vitit 1882, zbarkuan në Egjipt me kërkesën e mbretit Teufik. Por, pavarësisht se ishin të pushtuara, shumica e territoreve arabe vazhdonin të qëndronin nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, si pjesë e Khalifatit Islam.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, kërcënuar nga ambicia Ruse dhe Gjermane për Mesdheun, Britania e Madhe preferoi si zgjidhje më oportune të përkrahte dhe të mbronte lëvizjen e nacionalizmit arab. Qëllimi ishte që të ruante interesat e veta, duke treguar gadishmërinë e saj për njohjen e pavarësisë së arabëve.
Themeluesi i lëvizjes nacionaliste arabe ishte Nexhib Azuri. Në vitin 1904 në Paris ai botoi librin me titull “Lindja e Nacionalitetit Arab”. Më tej formoi edhe një shoqatë nën emrin “Liga Arabe”. “Liga Arabe” botoi revistën mujore të quajtur “Pavarësia Arabe”. Botimin e kësaj reviste ai e bënte në bashkëpunim të ngushtë me francezin, Eugene Jung, i cili shkruajti dhe librin, “Revolta Arabe”. Në këtë libër ai nënvizonte: dallimet racore, politike dhe kulturore ndërmjet arabëve dhe turqve; ngjarjet që kishin të bëjnë me superioritetin e arabëve ndaj turqve dhe nevojen për ndarjen e arabëve nga Perandoria Osmane.
Revolta e Sherif Huseinit, kundër turqve ishte pasojë e mbeshtetjes së drejtpërdrejtë të Britanisë. Ndërmjet Huseinit dhe gjeneralit anglez Kichner u vendos një komunikim i drejtperdrejte. Ai i premtoi mbështetje të plotë përpjekjeve arabe për pavarësi, si dhe u angazhua që khalifati i muslimanëve të transferohet prej turqve tek arabët. Ndërsa Sherifi Huseini u zgjodh në postin e Khalifit të ri. Gjenerali anglez Mc Mahon i dërgoi një letër Sherif Huseinit, ku theksonte se: “Sherifi Husein është faktori vendimtar në luftën për pavarësi të popullit trim arab”. Më 10 qershor 1916 nën udhëheqjen e Sherif Huseinit, filloi kryengritja kombëtare arabe e ndihmuar me armatim, municion, si dhe me përkrahjen e gjerë politike të Britanisë. Këshilltari kryesore i kryengritësve, të cilët i udhëhiqte djali i Sherifit, Feisali Huseini ishte guvernatori anglez, T. E. Lawrence, i njohur ndryshe dhe si ”Lorenci i Arabisë”. Kështu përfundoi lufta e arabëve për pavarësi, që u nxit nga nacionalizmi, e që ishte nën mbrojtjen ushtarake të Britanisë.
Ndërsa Franca dhe Britania e Madhe i nxitnin arabët në luftë për pavarësi, ato përgatitën terrenin për ndarjen e territoreve arabe dhe për krijimin e Izraelit, me marrëveshjen e Sykes-Picot dhe me deklaratën e Balfourit.
Konferenca e San Remos, e mbajtur në prill të vitit 1920, vendosi:
Të kalonte nën mandatin e Francës, Algjerin, Tunizin, Marokun, Sirinë dhe Libanin,
Të kalonte nën mandatin e Britanisë së Madhe, Egjiptin, Sheikatet e Gjirit Persik, dhe Irakun.
Të kalonte nënë mandatin e Italise, Libinë.
Mirpo ngjarjet rrodhen shumë shpejtë. Vetëm dy vjet më vonë, në 28 shkurt të vitit 1922, Britania, nënshkroi me nacionalistët egjiptianë pavarësinë e Egjiptit. Sipas marreveshjes dypaleshe mbrojtja e Egjiptit do të vazhdonte të ishte nën Britaninë. Ajo nga ana e saj do të vazhdonte të kontrollonte rrugët e komunikimit, në veçanti Kanalin e Suezit.
Në vitin 1930 u nënshkrua traktati Anglo-Irakian, ku Britania e njihte pavarësinë e Irakut, duke ruajtur praninë e trupave britanike. Ndërkohë që u shpall e pavarur dhe Arabia Saudite. Kurse Franca njohu shtetin e Sirisë, dhe në rajonet bregdetare të tij, ku jetonte shumica kristiane, krijoi shtetin e Libanit. Algjeria, Maroku dhe Tunizia ishin koloni pa të drejta.
Pas luftes së Dytë Botërore, SHBA-ja kishte interesat e saj në zonën aziatike, BS në Europën Lindore. Kështu zona arabe u la nën influencën e Britanisë së Madhe dhe Francës të cilat kishin eksperiencë të gjatë në çeshtjen arabe, por që dalngadalë po e humbisnin ndikimin e tyre në këto vënde, të cilat filluan të kërkojnë pavarësine nga fuqitë koloniale.
Popujt Arabë u hodhën në revolta, të cilat morën herë forma kulturore e herë forma politike-luftarake. Qëllimi i këtyre lëvizjeve ishte krijimi i shteteve të tyre dhe shkëputja nga sistemi protektorial, në të cilin i kishin vënë Britania dhe Franca. Me këto levizje të fuqishme popujt Arabë ia arritën qëllimit.
Përveç Arabisë Saudite, në shumicën e vendeve arabe dhe të disa shteteve të tjera të Gadishullit Arabik, të cilat ishin të mbështetur në fuqitë perëndimore qeverisja ra në duart e nacionalistëve. Shumë herë këto grupe u përplasën me njëri-tjetrin. Këto përplasje u shfrytezonin nga vënde të tjera për pasuritë natyrore të Lindjes së Mesme. Në atë rajon ndodhet rreth 68% e sasisë nëntokësore të naftes për të gjithë botën.
Pavarësin nga Perëndimi arabët e njësojn me problemin e Izraelit, duke marrë pamje antisemite. Për Arabet, Izraeli është “sateliti i SHBA-s” në Lindjen e Mesme. Kështu, në botën arabe fryma antiperëndimore njësohet me frymën anti’isrealite. Pothuajse në të gjitha shtetet arabe të Lindjes së Mesme zgjidhja e çështjes së Palestinës përbën qëllimin kryesor të politikës së tyre të jashtme. Palestina është kauza e përbashkët e arabëve.
Që në muajin e parë të krijimit të Shtetit të Izraelit (1948), arabët jo vetëm nuk e mirëpirtën atë, por i shpallën luftë. Izraelitët nga ana e tyre tejkaluan vendimin e OKB-së për krijimin e tij vetëm në ½ e territorit të Palestinës, ndërkohë ata okupuan mbi 2/3 e territoreve palestineze.
Konflikti arabo-Izraelit mund të përmblidhet në katër luftra kryesore të mëdha:
Lufta e viteve 1948-1949. Në atë luftë arabët e Lindjes së Mesme sulmuan Izraelin dhe dështuan sepse Izraeli kishte armatim më të modernizuar se arabët.
Kriza e Kanalit të Suezit, ku izarelitët u përfshinë kundër Egjiptit. Në këtë luftë doli fitimtar Egjipit i udhehqur nga Nasseri.
Lufta e Gjashtë Ditëve. Në 5 qershor të vitit 1967, Izraeli në befasi të plotë sulmoi Egjiptin, Sirinë dhe Jordaninë, gjatë së ciles Izraeli pushtoi gjithë Gadishullin e Sinait, Rripin e Gazës, lartësitë Golan, Bregun Perëndimor të lumit Jordan dhe pjesën lindore të Jeruzalemit. Kjo luftë solli si pasojë krizën ekonomike të vitit 1972 për Europën, pasi arabët disa muaj mbas kësaj lufte vendosën embargo në eksportin e naftës, për shkak se akuzonin perëndimin se nuk mori masa ndaj Izraelit.
Në vitin 1973 Egjipti me Sirinë sulmuan Izraelin, si hakmarrje për humbjen e vitit 1967, ku pati shume viktima nga të dy palët. Presidenti i Egjiptit, Sadati e kuptoi se nga luftrat me Izraelin, Egjipti nuk kishte asnjë përfitim dhe që atëherë vendosi të ndjekë politikën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit. Kjo armiqësi me Perëndimin dhe Izraelin, por dhe fenomene të tjera shoqërore e historike, kishin si pasojë zhvillimin e fanatizimit antiperëndimor dhe anti`izraelit në vendet arabe, pasojat e të cilit nuk po i vuajnë vetëm ato, por dhe pjesa tjetër e globit.
Ndërkohë konfliktet dhe luftimet midis Izraelit dhe Palestinezëve, Izraelit dhe organizatave terroriste kanë vazhduar dhe po vazhdojnë. Ky konflikt vertitet rreth qarkut të mbullyr nga pikpmja negociatore. Palestinezët kërkojnë terriotre për të fituar siguri. Izraelitët kërkojnë garanci sigurie për të liruar territoret.
Në vitin 1990 me ndermjetësimin e Presidentit Klinton u arrit një marveshje ndërmjet Arafatit(Palestinë) dhe Rabin(Izrael), ku zona perendimore e Bregut të Gazës u njoh si zonë palestineze dhe do të vetadministrohej nga ata. Disa vite më vonë u krijua Hamasi, që në vitin 2006 do fitonte zgjedhjet në Gaza dhe në vitin 2007 do dëbonte me forcë përfaqësuesit palestinez.
Izraeli mban të pushtuar Bregun Perëndimor, megjithëse është tërhequr nga Gaza, OKB këtë zone e konsideron ende si territor të pushtuar. Izraeli pretendon se Jerusalemi është i gjithi kryeqyteti i tij, ndërsa palestinezët pretendojnë se, Jerusalemi Lindor është kryeqyteti i shtetit të ardhshëm palestinez. ShBA dhe një numër i vogël shtetesh, janë të vetmit që njohin pretendimet e Izraelit mbi qytetin e Jerusalemit. Palestinezët nga ana e tyre thonë se; në Gaza dhe Bregun Perëndimor po vuajnë për shkak të veprimeve të shtetit të Izraelit, ndërsa autoritetet e Tel-Aviv thonë se veprojnë vetëm për vetëmbrojtje. Tensionet mes palëve përshkallëzohen here pas here. Gaza drejtohet nga grupi militant palestinez, Hamas, i cili ka kryer disa herë luftime me shtetin e izraelit, siç ishte edhe sulmi i fundit. Izraeli dhe Egjipti kontrollojnë kufirin e Gazës për të mos lejuar që Hamasi të marrë armatime.
Procesi është acaruar në shkallën më të lartë, shpesh me aksione mjaft të rënda dhe përmasa tragjike në terrenin, me rrezikshmëri të lart dhe me tendënca të zgjerohet edhe më gjërë në botën arabe.
Ka disa çështje mbi të cilat Izraeli dhe Palestina nuk mund të jenë në një mendje. Ku ndër më kryesoret janë; e ardhmja e refugjatëve palestinezë, qëndrimi apo largimi i hebrenjve të vendosur në Bregun Perëndimor, ndarja e Jerusalemit dhe a duhet të kenë palestinezët shtetin e tyre, përkrah atij të Izraelit.
Plani më i fundit i paqes, i hartuar nga ishpresidenti Donald Trump dhe i quajtur prej kryeministrit izraelit Benyamin Netanyahu si “marrëveshja e shekullit”, është hedhur poshtë nga palestinezët si e njëanshme dhe nuk u vu kurrë në zbatim. Kjo zonë, sipas gjithë eksperteve të krizave dhe analisteve të çeshtjeve ndërkombëtare përbën një nga konfliktet rajonale me serioze dhe kërcënuese ndërkombëtare, nëse SHBA-ja dhe Perendimi nuk e marrin seriozisht zgjidhjen përfundimtare të sajë, me shumë gjasa, zgjidhja do të vonojë.
Çdo marrëveshje e ardhshme do të duhet të marrë pëlqimin e të dyja palëve dhe t’i japë zgjidhje disa çështjeve të ndërlikuara. Deri sa kjo të ndodhë, konflikti do të vijojë.

Photo by: https://www.cer.eu/insights/europe-and-gaza-conflict

New York, Tetor 2023

Filed Under: Sociale Tagged With: Gëzim MUSTAFAJ

LIDERI DHE TEKNOLOGJIA

September 14, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Është mjaft e vështirë të japësh definacione përfundimtare në një kohë që ndryshon kaq shpejt. Është epokë në të cilën ndodhin ndryshime të jashtzakonshme. Jetojmë në epokën e asaj që me të drejtë është quajtur epoka e infomacionit.  Në mënyre paradoksale, vetëm 400 përdorues kishte interneti në 1989 dhe këta kryesisht universitar apo zyrtarë. Ndërkohë as më vizionarët nuk mund të parashikonin  që ky numër do të shkonte jo më pak se 580 milion përdorues pas 10 vjetësh, dhe me një intensitet me një   numur që   dyfishohet në çdo 100 ditë. 

Dhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, me hapsirën që krijuan njerezit për të komunikuar në mënyrë elektronike,  nuk ekzistonin më mure  dhe kufij  gjeografik. Teknologjia bëri atë që asnje ideologji për vite të tëra nuk mundi ta arrij.  Por, ndërsa teknologjia ka krijuar hapsira për një shkëmbim global të ideve dhe ideologjive, duke e  bërë globin edhe më të vogel,  ajo nuk arriti me të njëjtin sukses për ta bërë atë edhe më paqsore. Kjo është fusha ku luhet sot, tërësisht nën presionin e teknologjisë, informacionit, ideve. Orientimi në këtë hapsirë me kaq shumë sfida vërtetë është një pozicion i vështirë, por që në të njëjtën kohë zbulon edhe liderët.

Drejtuesi dhe lideri nuk mund të ndahen; midis tyre nuk mund të vihet kufi, për vetë faktin e konceptimit shumëdimensional dhe shumëplanësh. Është kjo arsyeja që me drejtim, para së gjithash nënkuptojmë dimensionin njerëzor, parashikimin e qëllimeve, motivimin dhe nxitjen, demonstrimin e iniciativës, menaxhimin dhe shfrytëzimin e rasteve, zotërimet kompetente të të rejave teknologjike, vullnetshmërinë, moralitetet dhe shpresat e bazuara në realizimin e qëllimeve. Të gjitha këto janë të lidhura pazgjidhshmërisht edhe me parimin se e djeshmja, sido që të jetë, është një element i traditës e cila shërben si urë lidhëse midis brezave, për të krijuar vijimësinë në të ardhmen. Megjithatë, në fushën e filozofisë së drejtimit duhen rrënjosur konceptet për të cilat i duhet referuar Albert Ajshtajnit, i cili thotë: “Nuk është më vështirë të ndash bërthamën e atomit, sesa të thyesh një koncept.”

Sot më tepër se kurrë, kërkohet përshtatja teknologjike me kërkesat e kohës duke eleminuar ndjekjen verbërisht sipas traditës. Tradita ruhet e respektohet, brenda limiteve të mundshme, por kërkesat teknologjike detyrimisht zbatohen për të ecur me hapin e kohës. Kur marrim sistemin demokratik si pikë referimi dhe e shqyrtojmë atë shumëanshmërisht dhe shumëdimensionalisht, do të vërejmë se nuk ka gjë më praktike se sa një teori e mirë. Për një lider termat kyç të sistemit logjik si, politika, ekonomia, shkenca, teknologjia, ligjet, lufta, mekanizmi, parandalimi i luftës janë çështje të filozofisë së përhershme të analizës rajonale e globale të situatës dhe të evolucionit. Vetë energjia njerëzore e lidërve mund e duhet ta japin këtë. Rruga e formimit të liderit është e gjatë. 

Hapat dhe bumi teknologjik kanë bërë që të futen në masë aplikacioni i simulimeve kompjuterike, kjo jo vetëm në vendet me ekonomi të fuqishme, por edhe në shumë vënde të tjera. Kjo sjell lehtësime për situata të improvizuara nga më të ndryshmet e të larmishmet dhe çka është më e rëndësishme, pa harxhuar mund e energji, nisur nga situatat simuluese. E shprehur ndryshe, lideri i ardhshëm është në gjendje që në “laborator”  të organizojë gjithçka, ndoshta dhe “të vritet”, përsëri të ngrihet dhe sërish të drejtojë, pa qenë e nevojshme të vihet në provë në beteje të vërtetë. Kjo e vendos liderin e ardhshëm në pozita të mira që të dijë të marrë vendime dhe të shikojë rezultatin e vendimit të marrë, pa pasur nevojë që të harxhojë. 

Sipas Warren Bennis, në vepren e tij, “On Becoming a  Leader”, lideret vijnë në forma, ngjyra, dhe shfaqje nga më të ndryshmet, në gjini moshë dhe pamje. Por, pamvarësisht nga ndryshimet duket se ato përmbajnë edhe disa karakteristika të përbashkëta si:

Vizioni si elementi baze i lidershipit. Lideri ka  ide të qartë për atë se çfarë ai dëshiron të bëj profesionalisht dhe përsonalisht dhe të rigjej forca të mjaftueshme për tu ripërballur me sfidën edhe kur ai nuk arrin suksesin. Lideri  e di se ku po shkon, dhe pse,  por ai di edhe pse nuk mund të shkohet më tej.

Pasioni është një tjetër element bazë i lidershipit. Një pasion që nuk mund të fshihet, i kombinuar me një pasion të veçantë për një prirje, për një profesion për një kurs veprimi. Lideri dashuron atë që kryen.  Tolstoi thotë që  shpresat janë ëndërra  e njërëzve të gjallë. Pa shpresë, nuk mund të mbijetohet, nuk mund të ecet në një progres sa do të vogel. Njërëzit që shfaqin pasion  japin shpresë dhe frymëzim për të tjerët. 

Integriteti. Mendohet që janë tre momentet kryesore të integritetit:  njohje e vehtvetes, sinqeriteti dhe pjekuria. Të njohësh vehten është një nga momentet më të vështira. Ai buron nga ndershmëria e të menduarit dhe të vepruarit, një përkushtim në parim dhe një saktësi në tërësi. Pjekuria është e rëndësishme për një lider, sepse të drejtuarit nuk është thjesht  të tregosh apo të urdhërosh të tjerët. Duke zotëruar këto kualitete liderët mund të inkurajojnë të tjerët. Integriteti është bazë e besimit i cili nuk është aq shumë element i lidershipit sesa produkt i tij. Është  një kualitet që mund të fitohet. Ai meret nëpërmjet bashkëpunimit nëpërmjet mardhënieve me pasuesit, por pa të cilin lideri nuk mund të funksionojë.

Kurioziteti dhe guximi. Liderët  kërkojnë në çdo gjë, dëshirojnë të  mësojnë më shumë se çfarë ata mundin, ata kanë vullnetin të rrezikojnë, të eksperimentojnë, të përpiqen në gjera të reja. Ata nuk tremben nga dështimet, por kufizojnë gabimet dhe mësojnë prej tyre. Të mësuarit nga vështërsite  është një tjetër elementë që do të ndeshet në të gjithë rrugen e liderit. 

Lideret zbulojnë vetveten. Ata nuk janë, meqë ra fjala të krijuar ne një seminar apo siç pretendojnë shumë teoricien nëpermjet leksioneve. Grekët e lashtë besonin që performanca bazohej në një ekuilibër përfekt të erosit dhe të standartit, të ndjenjës dhe të mendimit, të cilat sëbashku lejonin për të kuptuar botën në të gjitha nivelet. 

Pjesa më e madhe e jetës moderne varet në kompjutera dhe në rrjete kompjuterike.  Për shumë njerëz, ndërveprimi më i dukshëm që ata kanë me kompjuterin është shtypja në tastierën e tij. Pothuaj çdo njeri në fushën e biznesit apo në struktura qeveritare varet nga komunikimi elektronik; telefon, faks, e-mail, apo mesazhe të menjëhershëm  të cilët në mënyrë të dukshme mundësohen nga kompjutera. Pjesa më e madhe e sistemeve kompjuterike janë pjesë e një rrjeti, kryesisht nëpërmjet koleksionit të pafund të rrjetit kompjuterik global të njohur si internet. Një zhvillim i ri është edhe tendenca për të integruar aftësitë kompjuterike në të gjitha pajisjet dhe sistemet e integruara të rrjetit në një shkallë më të lartë. Këto zhvillime i kthejnë shumë sisteme kompjuterike dhe sisteme të komunikimit kritike në vetëvehte dhe për më tepër, ato bëhen pjesë e të tjera lloje infrastrukture kritike, nga sistemet e energjisë te ato të transportit.

Tipari  më i rëndësishme për çdo drejtues është të mendojë dhe komunikojë idetë e tij në mënyrë efektive. Lideri duhet të vlerësojë bazat e sistemit të informacionit të sotëm dhe rolin e tij në  rrethanat dhe impaktet  strategjike.  Shumë ende nuk po arrijnë të  kuptojnë që shpërthimi i informacionit  ka ngritur një valë batice me impakte ndryshimesh që prekin thellësishtë si strukturat ashtu dhe drejtuesit. Informacioni dhe teknologjitë e tij po bëhen gjithnjë edhe më dëndur elemente në përmirsimin e proçeseve analitike dhe vendimmarrëse.  Shumë procese, sot, realizohen nëpërmjet aplikimit të kompjutrave, komunikimit, sistemeve menaxhuese të informacionit ndaj edhe një raport i drejtë me ndikimin e tyre krijon epërsi me periudhat e mëparshme.  Shumë drejtues ende janë në vorbullën e dilemës  me efekte pozitive apo negative të influencës së teknologjisë në epokën globale të informacionit. Edhe pse disa, fillimisht ndjehen vështirë për tu adaptuar në këto ndryshime, eksperienca tregon që kur adaptohet një teknologji e re, sistemet ndihmojnë në marrjen e vendimeve mjaft të vështira duke dhënë zgjidhje efektive.  Sistemet e informacionit janë bërë të nevojshëm e jetik  në të gjithë aspektet e mjedisit strategjik dhe në punën e drejtuesve. Liderat dhe drejtuesit e sotem këtë ose nuk po e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë. Në gjykimin tim, sot lidershipi është në një krizë globale, prandaj kërkohet një ndryshim drejt Liderit të vërtetë dhe çka është më e rendësishme drejt një Lideri të besueshëm.

New York Shtator 2023

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Gëzim MUSTAFAJ

LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI

April 22, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Legjitimiteti është një fjalë e ardhur nga latinishtja që do të thotë e drejta shtetërore. Ajo ka të bëjë me: arsyetimin e shtetit, për fuqinë sunduese dhe për veprimet e ndërmarra nëpërmjet vlerave dhe ligjeve më të larta, për dallim nga veprimet formale ligjore. Për nga pikëpamja historike duhet të dallojmë parimin e legjitimitetit mbretëror, i cili bazohet në besimin që oborri sundues vinte nga “Mëshira e Zotit”, dhe parimi i legjitimitetit demokratik sipas të cilit fuqia shtetërore vinte nga populli. Si arsyetim vlen vetëm rendi sundues i dalë nga populli apo i dalë nga një kuvend i zgjedhur prej tij dhe një qeveri që kontrollon zbatimin e fuqisë. 

Legjitimiteti, është identifikimi i popullsisë së një vendi me shtetin dhe pranimi i detyrimeve e përgjegjësive të shtetit dhe të ligjeve. Legjitimiteti është i brendshëm dhe i jashtëm. Legjitimiteti i brendshëm i një kombi është nënshtrimi apo bindja e tij karshi ligjeve në fuqi të shtetit të tij. Legjitimiteti i jashtëm varet nga zotësia e shtetit për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera, ku në bazë të një legjislacioni të caktuar janë të detyruar të respektojnë e zbatojnë normat, rregullat apo ligjet e përbashkëta që ata kanë rënë dakord të zbatojnë. 

Legjitimiteti i shtetit është i bazuar në njëfarë mase në aftësinë e politikës drejtuese të atij shteti, për të qënë sa më i hapur me të tjerët. Sa është ai në gjendje të hyjë në marrdhënie ndërkombëtare me shtetet e tjera, sa është ai në gjendje të krijojë aleanca dhe koalicione në drejtim të krijimit të një ambjenti sa më të sigurtë brenda vendit për qytetarët e tij. Ai ka të bëjë me autonominë e shtetit. Humbja e autonomisë automatikisht që nënkupton, humbje e legjitimitetit. Në këtë rast,  shteti mund të  fajësohet për gjëra që nuk i ka nën kontroll.

Legjitimiteti i popullit. Të kesh legjitimitetin ta përfaqësosh popullin, do të thotë të ndjehesh përgjegjës për fatin e atyre që ta kanë dhënë atë legjitimitet. Të kesh legjitimitetin e popullit, do të thotë, të veprosh kujdesshëm politikisht, gjithmonë të jesh i gatshëm të japësh llogari përpara atyre që të kanë dhënë legjitimitet t’i përfaqësosh në organet më të larta shtetërore; të veprosh ashtu, që të mos e lëndosh të sotmen e popullit që përfaqëson, dhe të mos e rrezikosh të ardhmen e shoqërisë në të cilën vepron. Legjitimiteti i dhënë nga populli është mbi të gjitha besim, i cili duhet arsyetuar, është mundësi që i jepet një përfaqësie politike të një shteti të caktuar, që ajo të dëshmojë kapacitetet e saj dhe potencën vetvepruese në kuadër të një realiteti politik, realitet i cili jo gjithmonë mundëson që të realizohen ngutazi të gjitha idealet e një populli, të gjitha kërkesat që nuk janë realizuar shumë dekada me radhë. 

Ka edhe një dimension tjetër të funksionit të shtetit që ka të bëjë me kompetencën që ushtron ai në zbatimin e ligjeve të tij. Shteti ideal nuk përpiqet të ushtrojë shumë autoritet, siç po ndodh në disa vende të Ballkanit, përfshi edhe vendin tonë. Shteti është mjaft i fuqishëm sa të vërë në zbatim rregulla në disa fusha kyçe, siç janë veprimi i ligjit, mbrojtja e pronës apo të drejtat e individit, etj. Institucionet e forta shtetërore kanë rëndësi kritike dhe jetike në mirëfunksionimin e shtetit. 

Një mënyrë për kuptimin e shteteve është sesa ambiciozë janë ata. A i vënë ata rregulla industrisë? A përpiqen ata të vënë nën mbrojtjen e tyre njerëzit e varfër? A i transferojnë ata të ardhurat apo kanë një politikë industriale? Revolucioni Reagan-Thatcher, që filloi në vitet 80-të ishte një reagim kundër shtetit që përpiqet të kontrollojë gjithçka.

Kufizimet strategjike të legjitimitetit në të gjitha rastet që kanë të bëjnë me sigurinë janë përcaktuese. Një mësim i qartë është se në qoftë se nuk ka siguri nuk ka as zhvillim ekonomik. 

Ndër objektivat e shumta që kanë individët dhe qeveritë, siguria është objektivi më i rëndësishëm dhe me karakter më të përbashkët. Ai është kushti kryesor për të gëzuar vlerat e tjera, siç janë: pasuria, mirqënia, afeksioni etj, me shpresën se ato do të vazhdojnë të ekzistojnë të paktën për një periudhë kohe të gjatë. Për shumë njerëz, sigurimi përfaqëson, gjithashtu, një vlerë në vetvete. Por, përderisa ai përbën mënyrën dhe kushtin për të gëzuar shumë vlera të tjera, kuptimi i tij shpesh është i dyanshëm. Kapacitet vëndas dhe mbikqyrje nga jashtë.

Me ndihmën e ndërkombëtarëve, në Bosnje dhe në Kosovë u vendos paqja. Por më problematike është sesi të ndërtohet një shoqëri e fortë që të bëhet më pas një demokraci vetëvepruese. Problemi është, a pengojnë në fakt, përpjekjet e ndërkombëtarëve në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin e vendeve duke shkatërruar kapacitetin e tyre të mirëfillta? Në periudhën e rindërtimit pas konfliktit, është tipike të shohësh njerëz, nga vendet e zhvilluara, nga agjencitë shumëkombëshe të ndihmave, si Banka Botërore, donatorët, organizatat jo-qeveritare, që vinë me rroga të larta të nivelit botëror dhe me laptop dhe lënë jashtë përdorimit kapacitetin ekzistues të institucioneve vendore. Kur ata largohen, në forma të ndryshme, shoqëria mbetet më keq, nga sa ishte më parë, pasi asaj i mungon baza e përhershme për të plotësuar nevojat e popullit. Bosnja dhe Kosova, kanë probleme me Serbinë, që nuk janë zgjidhur ende. Derisa eksponentët vendas të mos bien dakord për një zgjidhje politike, si të barabartë,  dhe derisa ndërkombëtarët, palët ti shikojnë si të barabartë, nuk kanë si të vendosin drejtësi, dhe për pasojë, nuk kanë si të tërhiqen.

Le ti referohemi Afganistanit! Ç’far ndodhi aty? Në Afganistan, u krijua një model interesant. Sipas pikëpamjes së analistëve të ndryshëm, Shtetet e Bashkuara shkuan atje me një plan të thjeshtë. Shumë njerëz kanë kritikuar administratën se nuk ka vënë më shumë burime në dispozicion në Afganistan. Ende popujt nuk janë të sigurt nëse strategjia amerikane është një mënyrë jo e mirë veprimi, pasi në fakt ajo ia ngarkon përgjegjësinë vetë afganëve. Pra, ata (afganët), duhet t’i gjejnë vetë zgjidhjet. Nga ana tjetër, edhe tërheqja amerikane nga Afganistani, pati dhe ngjalli mjaft diskutime dhe problematika.

Shtetet dhe organizmat ndërkombëtare, si OKB-ja, NATO, etj, duhet të përgatiten shumë më mirë pasi; 

Së pari, ata duhet të jenë të kujdesshëm, kur ndërmarrin veprime të tilla që shoqërohen me gjakderdhje të mëdha, por kur merret një vendim i tillë, për të duhen bërë përgatitje për një kohë më të gjatë. Demokracia nuk mund të imponohet me bajonetë atje ku do dikush. Kjo është një lloj ideje leniniste. 

Nga ana tjetër, njerëzit që mendojnë si ata zyrtarë të  Departamentit të Shtetit në zyrën e gjeneral McArthurit në Japoni, të cilët ishin të bindur se Japonia nuk mund të bëhej demokraci pas vitit 1945, e kanë gabim. Kultura është e rëndësishme, por kultura ndryshon, ajo evoluon. Mendoj se, duhen balancuar si determinizmi ashtu edhe vullneti politik për të vlerësuar sesa shpejt një vend mund të ngrejë institucionet demokratike. 

Legjitimiteti është një koncept i çuditshëm. Ai lidhet me parimet themelore të drejtësisë. Kur amerikanët shkuan në Irak, ata thanë: “Ne nuk kemi nevojë që Kombet e Bashkuara ta miratojnë këtë, ne po ndihmojmë popullin irakian të çlirohet nga një diktaturë brutale”. Kjo ishte shumë e vërtetë. Por nga ana tjetër, Ayatollah Sestani nuk bisedon me asnjeri tjetër, veç me një përfaqësues të Kombeve të Bashkuara. Mendoj se, ky legjitimitet i mbështetur nga disa institucione shumëkombëshe është shpesh, shumë i dobishëm për ndërtimin me sukses të shteteve në një periudhë më afatgjatë. Çdo shtet ka edhe veçorit e veta.

Por a mund të themi se në këtë mënyrë vihen në pikëpyetje aftësitë e Amerikës për të qenë efektive dhe një udhëheqëse e respektuar botërore? Natyrisht që jo! Prania amerikane ka qenë dhe është e domosdoshme. 

Ndërhyrja ushtarake, me fuqinë e saj ka luftuar, dhe fituar konfliktet e armatosura konvencionale. Më pas, kur vjen puna në ndërtimin e shteteve, kjo nuk është aq e qartë. Në aspekte të tjera të pushtetit, si për shembull, aftësia për të krijuar një imazh legjitimiteti, kjo hegjemoni ka shënuar rënie. Deri tani mund te themi se janë legjitimuar ndoshta vetëm ndërhyrjet që janë bërë në Ballkan, sukses i padiskutueshëm është krijimi dhe funksionimi i shtetit Demokratik të Kosovës. Amerikanët duhet të mendojnë rreth kësaj me shumë kujdes, jo ta lënë gjithçka në dorën e europianëve. 

 Amerikanët kanë prirjen të thonë: “Ne po veprojmë drejt dhe kjo është e mjaftueshme”. Ata mendojnë se, institucionet e tyre kanë një rëndësi universale. Kjo bindje çon ndonjëherë në ngatërrimin e interesave kombëtare amerikane dhe interesave më të gjera të njerëzimit. Kjo nuk është karakteristikë as republikane dhe as demokrate. Kjo është një karakteristikë amerikane.

Ka ardhur koha që, evropianët, krizën ballkanike duhet ta shikojnë më me vendosmëri. Duhet një udhëheqje më e fuqishme. Këtë e ka bërë  dhe po e bën Amerika. Ajo shpenzon për mbrojtjen aq sa shpenzojnë të 16 vendet e tjera të mara së bashku. Edhe sot, ajo patjetër që duhet të jetë më e kujdesshme rreth mënyrës sesi e ushtrojnë fuqinë, përndryshe reagimet do të ishin të shumta dhe negative.

New York Prill 2023

Filed Under: Mergata Tagged With: Gëzim MUSTAFAJ

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT