
Nga Gian Antonio Stella/ “Fat e kismet ka kurdoherë në gojë njeriu, /edhe se për të këqijat e veta është ai farkëtari” thotë një fjalë e urtë e hershme, e marrë më 1805 nga letrari i shtatëqindit Cristoforo Poggiali nga libri Proverba, fjalë ari e aforizma, për përdorim e mësim të popullit, në të cilin shpjegohet se “një proverb është një aksiomë, një fjalë ari / që e diktoi arsyeja dhe përvoja”
Po të lexohet një shënim i Mauro della Porta Raffo, autor i një lumi librash e librushkash, por më tepër të vëllimeve monumentale mbi historinë e demokracisë amerikane (i fundmi i sapo dalë: SHBA 2020. Gjurmë historiko – politike dhe institucionale), është e vështirë të besohet se fati nuk ekziston ose është gjithmone frut i zgjedhjeve njerëzore. Mjaft të mendohet për fatet e kryqëzuara, mahnitëse, të dy prej më të famshmëve presidentë amerikanë.
“Abraham Linkolni u zgjodh për të parën herë në kongresin amerikan më 1846. John Kennedy u zgjodh për të parën herë në Kongresin amerikan më 1946. Linkolni u zgjodh President më 1860. Kennedy u zgjodh President më 1960. Si gruaja e Linkolnit ashtu edhe ajo e Kennedy-t humbën nga një djalë, për shkak dështimi, ndërsa burrat ishin në Shtëpinë e Bardhë. Si atentati kundër Linkolnit ashtu edhe ai kundër Kennedy-t u bënë ditën e premte. Të dy u goditën në kokë. Sekretari i Linkolnit quhej Kennedy. Sekretari i Kennedy-t quhej Lincoln.”
Por nuk është gjithshka, shpjegon Pedanti i Madh (një ofiq i fituar vite më parë me një rubrikë të bukur tek Fleta), duke shtuar se ”që të dy u vranë nga një Jugor. Që të dy u zëvendësuan nga një Nën President me origjinë nga Jugu. Të dy pasuesit quheshin Johnson. Andrew Johnson (pasuesi i Linkolnit) ishte lindur më 1808. Lyndon Johnson (pasuesi i Kennedy-t) ishte lindur më 1908. Secili prej vrasësve kishte nga tre emra: John Wilkes Booth dhe Lee Harvey Oswald. Both (vrasësi i Linkolnit) ishte lindur më 1839. Oswald (vrasësi i Kennedy-t) ishte lindur më 1939. I pari u kap në një magazinë, mbasi kishte ikur nga një teatër. I dyti u kap në një teatër, mbasi kishte ikur nga një magazinë. Both dhe Oswald u vranë të dy para proçesit”.
Ndokush mund të thotë. Pale sa bashkëndodhi të rastit mund të jenë shpërndarë aty këtu në historinë mijravjeçare të njeriut. Është e mundëshme. Por duhen gërmuar. Dhe aty duhet një kujtesë që nuk matet me megabyte……
“Corriere della sera”, 4 shkurt 2020 E përktheu Eugjen Merlika