NGA BARJAM DOKA/ New York
Në këtë shekull të pavarsisë së shqipërisë që përkon me shekullin e ngritjes e valvitjes së lirë të flamurit Kombëtar Shqiptar dhe 5 vjetorin e pavarësisë së së Republikës së Kosovë është e pamundur të përmendësh të gjithë herojtë, heroinat, patriotët, trimat dhe njerëzit e mençur, që për të mbrojtur nderin e kombit dhe flamurin me shqipen dy krenare, sakrifikuan ç’do gjë të shejtë të tyre për lirinë dhe çështjen kombëtare. Në bjeshkët e larta të Apleve, atje ku lindin “Zanat” dhe Kreshnikët, në rrëzë të tyre shtrihet Malësia Kreshnike e Gjakovës një nga vatrat e kultures, mençërisë dhe trimërisë Shqiptare, vendi që lind djem dhe vajza , bijtë dhe bijat më të mira nga Kosova trime, flamurtarët më të njohur të kombit shqiptarë për të cilën edhe rapsodi do ta përshkruante si më poshtë në vargjet e këngës së tij popullore:
Ani moj Shqipni mos thu’j se marova!
Ani se djemt tu hala janë gjallë.
O n’komë’ jan çu’ rrept o Kosova
E bajnë luftën ballë o për ballë-e.
More ishin ditët ma të vshtira
Me njëmijenantqindedhet-e.
Kur n’Kosovë ra egërsina
Don me zhbi çdo bimë mbi dhe!
More se n’Prishtinë, aty pik s’pari
More krisi topi o me duhi.
O aty gjaku i shqiptarit
Ra në tokë me bi përs’ri.
Kreshnikët e këtyre bjeshkëve lanë gjurmë të thella në histori, gjurmë që gjenden deri në lashtësi , gjenden edhe në shkrimin më të lashtë Ilir që është gjetur në rrethinat e Shkupit që është shkruar në alfabetin Iliro-pellazg që daton përpara 9500 vjetësh
( datuar me C-14) ku thuhet:
”Kreshtë se le yllt si lis je” (Kreshtë nuk e le Yllin, si lis je).
Gjurmët Ilire në këto treva i gjejmë të mishëruara më vonë në qytezën ilire të Rosujës, aty ruhen gjurmët e një qytetërimi të mijëvjeçarit të dytë para krishtit(p.e.sonë).
Por edhe Herodoti, në librin e tij të historisë, përmend ekzistencën e banorëve të fuqishëm të Kreshtianëve.
Në legjendat e kësaj malësie , kjo trevë përmendet si vendndodhja e “Zanave” që mishërohet në botë, vetëm me zakonet Iliro-Shqiptare, me vajzat që kthehen në “burra kuvendi”, në “Vrigjëreshat Shqiptare”.
Gjakova me Malësinë e saj është djepi i trimërisë dhe i mençërisë shqiptare , është treva që ka lindur patriotë dhe heronj të spikatur të kombit shqiptar. Në këto anë janë zhvilluar mjaft beteja për liri, si ato kundër ekspeditave ndëshkimore osmane ashtu edhe ato kundër pushtuesve serbo-malazezëve.Këta të fundit, nga urrejta që nuk e nënshtronin dot krahinën, pas një qënderese heroike të malësorve, në vitin 1913 e dogjën gjithë malësinë e Gjakovës dhe rrugët e saj i mbushën me trekëndësha patriotësh e njerëzish të varur në litar.
Disa heronj të Gjakovës.
Në këto pëvjetorë të pavarësisë është e pamundur të përmendim të gjithë herojtë dhe heroinat që pa dallim feje, krahine derdhën gjakun për çështjen shqiptare, ku edhe poeti në “librin e burgut” do ta shprehte si në vargjet e mëposhtëme:
…………………………………………………………………….
Ngjyeni n’at gjak shqiptarë, voet e pashkëve,
e si me langun e shejt n’at gjak kungoni!
Se gjak ma i pastër e fisnik nuk rrodhi
e plot ugur për t’ardhmen e vatanit.
……………………………………………………………….
Gjakova lindi trima e trimëresha, burra e gra të zgjuara, lindi patriotë dhe heronj, lindi, Gjon Nikollë Kazazin, Haxhi Zekën.
Atje u lind Sulejman Vokshi.
Gjakova krenohet me heroinën Shote Galicën , me Mic Sokolin.
Gjakova lindi Asim Vokshin, vullnetarin e brigadave internacionale të Spanjës, lindi mentorin dhe pajtuesin e gjaqeve Z. Anton Çetën, por Gjakova lindi edhe “trimin e Dragobisë” heroin e popullit shqiptar Bajram Currin që rapsodi popullor e kujton si më poshtë në vargjet e këngës popullore gjakovare:
………………………………..
Bajram Curr, o Bajram Curr
Emni yt s’harrohet kurr!
Të ka lind-o nanë Gjakova
S’të harron Kosova!
Bajram Curr, o Bajram Curr
Emni yt s’harrohet kurr
Të ka mbajt-o Dragobia
S’të harron Shqipnia!
……………………………….
Hej, moj Kosovë-o ty t’a lumsha shpinën!
Hej, bijtë e tu’ e kan lu’jtë martinën!
Me Bajram Currin, Isa Boletinin,
Me Azem Bejtën e Hasan Prishtinën
Gjakovarët, të lindur dhe të rritur rrëzë Alpeve shqiptare, atje ku shqipja ngren folenë e saj , nuk ju nënshtruan asnjëherë të huajit. Nuk pranuan të nënshtrohen, por luftuan deri në grahmat e tyre të fundit, aq sa rrugët i mbushën me gjak (gjak-ova). Ndoshta këndej vjen edhe emri Gjakov- ë, a.Trimat e saj luftuan kundër pushtuesve osmanë e kundër pashallarëve.
Mic Sokoli i vuri gjoksin topit.
Ashtu tepër e veçantë është edhe vepra e heroinës dhe luftëtares Shote Galica, me të cilët shqiptarët indentifikojne Zanat Shqiptare, femrat trime dhe luftëtare të kombit tonë.
“Zanat”, “Zonjat, “Virgjëreshat” Shqiptare, si asgjëkundi veçse në legjendat Ilire , ulen pranë oxhakut në odat e kuvendeve përkrah burrave më të mençur e më trima dhe kishin të drejtë të merrinin vendime, për të mbrojtur vetveten, shtëpinë dhe kombin e tyre, për t’ju lëshuar pa ju trembur qerpiku dhe pa ja kthyer shpinën armikut.
Jo vetëm nga trimëria por edhe nga dituria dhe nga kultura Gjakova nuk ngeli pas qyteteve tjera shqiptare.
Në vitin 1896 Ahmet Zherka solli aparatin e tij të parë fotografik me të cilin u fotografuan mjaft prej trimave, trimëreshave, heronjve dhe heroinave shqiptare, midis tyre edhe heroi i popullit Shqiptar , Bajram Curri.
Patriotët e familjes Zherka/
Nga Tropoja e Malësisë së Gjakovës rrjedh familja fisnike e patriotike e Z.Ahmet Zherkaj , tani me banim në SH B A (New York). Edhe prej kësaj familje, gjenerata të tëra të saj gjatë gjithë historisë vijuan pa u tutur rrugën patriotike të parëve të tyre , luftuan si heroj duke derdhur gjakun për të jetuar të lirë nga zgjedha e huaj dhe e pushtuesve të vatanit. Kur pushtuesit ju vërsulën trojeve Shqiptare, Hasan Isuf Zherka (babai I Ahmetit) me 7 prill 1941 jep sinjalin për kryengritje kudër pushtuesve fashistë duke sulmuar dhe çliruar postbllokun në Qafë Stobërdhë.
Pas kapitullimit të italisë fashiste, hitlerianët u orvatën të rimerrnin pikat strategjike duke sulmuar përsëri postëbllokun e Qafës por forcat clirimtare të komanduara nga Gani Kryeziu e strategu Gani Brahim Zherka , si dhe nga çetat e komanduara nga Hasan Isuf Zherka , Rustem Bajraktari, Musë Neza, Hamit Perolli etj, i qëndruan heroikisht sulmit nazist dhe me ofensivën e tyre ju shkaktuan nazistëve në fushën e betejës 92 SS të vrarë duke çliruan edhe pjesën më të madhe të krahinës.
Në funvitin 1943 u formua Shtabi “Djemt e Shqipes” , i përbërë nga Hasan Kryeziu, Ali B.Zherka, Shpend Zherka etj, ku qëllimi i tij kryesor ishte clirimi dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
Në shtëpinë e Hasan Isuf Zherkës, më 20 shtator1943 lindi Ahmet Zherka, i vetmi fëmijë që mundi të mbijetonte në atë familje e cila kishte vënë gjithëshka në shërbim të patioritzmit dhe çështjes kombëtare.
Patrioti Hasan Isufi ( Zherka) i edukuar me ndjenja patriotike nga të parët e tij, nuk mundi të duronte poshtërimin e pushtuesve të rinj që vazhdimisht e poshtëronin duke e kërcënuar edhe me jetën, për sakrificat dhe patriotizmin, që ai ç’faqte në shërbim të Lirisë dhe çështjes kombëtare.
Më 1953 Ahmet Hasan Zherka gjendet përballë një pusie të pregatitur nga Pero Çukiçi, por e mund atë.
Çukiç ishte agjent i UDB-së dhe me gjithë rrethin e tij fisnor kishin uzurpuar dhe mbanin të gjitha postet kryesore në qarkun e Gjakovës dhe asgjë s’mund ta ndalonte pë tu hakmarrë kundra patriotëve Shqiptarë.
Gjykata e përballur me mjaft rrethana lehtësuese e dënon zotin Ahmet vetëm me 6 muaj burg, por me ndërhyrjen e Nikë Sokolit dhe me ndihmën e Hysen Biberaj atë e transferojnë të internuar në llogorin (kamp internimi) e Kamenicës.
I gjendur në këto kushte të vështira por i edukuar me ndjenjat më të mira patriotike të familjes Zherkaj , rritej e hidhte shtat përditë djaloshi i ri Ahmet Zherka i cili nuk u përkul asnjëherë por jetën e tij ja kushtoi çështjes së bashkimit kombëtar ashtu siç bënë edhe të paret e familjes së tij.
Për trimërinë dhe patriotizmin që çfaqnin familjarët e saj, u përbuzën e u ndoqën vazhdimisht nga pushteti i instaluar Serbo-Sllav , nga UDB-istët e tyre.
Por Zherkajt asnjëherë nuk u përulën dhe nuk pranuan sklavërinë , veçse me krenari e pa u pëkulur u ballafaquan me provokimet, dënimet dhe me dëbimet në kampet e ndryshme të internimit.
Sistemi kishte angazhuar kundra tyre skemat më provokuese nga arsenali i tij për ta hequr “qafe” këtë familje.
Z. Ahmet Zherka u detyrua të braktiste vendlindjen e të emigronte drejt SH B A-së duke marrë më vete edhe shoqen e tij të jetës, Shpresën, – “Shotën” e tij .
Nuk është coincidence, por Alpet janë vendlindja e Zanave e Shotave e Mic Sokolave dhe e Azemëve … .
Edhe në SHBA Z. Ahmet, i djegur nga malli për atdheun e dëshirën për liri kombëtare vazhdoi përsëri aktivitetin patriotik e kombëtar.
Mbas dy (2) vjetësh që shkeli në Kontinentin e Ri z.Ahmet themeloi organizatën “Bashkësia Shqiptare”.
Ai filloi botoi të botojë revistën e posaçme me titull “BOTIM I SHËRBIMIT TË BASHKËSISË SHQIPTARE ” dhe prej asaj dite ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të gjithë aktiviteteve që i dedikohen çështjes kombëtare këtu, në diasporën shqiptare, në SH.B.A.
Zemra e tij digjej pë kombin , për vendlindjen.
Në vendin e tij të punës Z.Ahmet Zherka mbante flamurin Kombëtar Shqiptar por një ditë përgjegjësi i tij (supervisor) shikon flamurin dhe gjithë mllef i nervozuar e shkul flamurin, dhe e shkel me këmbë.
Ahmeti nuk mundi ta gëlltiste atë poshtërim. Merr armën dhe shkon në zyrën e tij.
Aty e gjen të vetëm në zyrë dhe ia numëron plumbat në lule të ballit , përdhosësit të Flamurit Kombëtar.
Pas kësaj del në rrugë , lajmëron policinë dhe kur vijnë forcat e rendit, vetë dorëzohet duke ju rrëfyer për gjithë ngjarjen.
Shpresa dhe fëmijët më kot pritën atë natë që Ahmeti të kthehej në shtëpi.
Nga qelia ku ishte mbyllur, kërkoi leje të fliste me Shpresën dhe fëmijët të cilët më kot e pristnin , atë natë e të nesërmen që “Avni Rustemi” (kështu e thërrasin, këtu në N.York zotin Ahmet Zherka) të kthehej pranë familjes , pranë tyre.
Natën tjetër bie zilja e telefonit, Shpresa ngren receptorin dhe nga zëri njohu Ahmetin, pasi u përshëndetën e pyet: “Kur do të kthehesh, Ahmet”?
– “Shpresa!. Unë nuk kthehem shpejt, mund të vonohem gjatë, jam i burgosur por ti kujdesu për fëmijët”!.
“Shota”, Shpresa Zherka, i thotë: “Po Ahmet, patjetër . Ti mos u mërzit ……”, por biseda nuk mund të zgjaste më tej, koha e lejuar për bisedë telefonike kishte mbaruar.
Këtu mer fund edhe vazhdimi i mëtejshëm i botimit të revistës së komunitetit Shqiptaro-Amerikan për Nju Jorkun me titull “BOTIM I SHERBIMIT TE BASHKESISE SHQIPTARE” që udhëhiqej drejtpërsëdrejti nga trimi dhe patrioti Ahmet Zherka.
Edhe pasi u lirua nga dënimi, Z. Ahmet përsëri nuk e ndali veprimtarinë e tij patriotike në shërbim të çështjes kombëtare , ai gjindet kudo në krye të demostratave , në ndihmë të shoqatave dhe individëve , në ndihmë të vullnetarëve të UÇK-së, gjithëandej ku mund të kontribohej në ndihmë të çështjes kombëtare dhe bashkimit të trojeve shqiptare .
Me vitytet patriotike të kësaj familje , Shpresa edukoi fëmijët , djemtë dhe vajzat e saj.
Ilir Zherka./
Të gjithë e njohim dhe kemi dëgjuar për djalin e Ahmetit, Ilir Zherkën, Drejtorin Ekzekutiv në DC, qysh prej vitit 2002 .
Përpara se të vinte në Uashington DC zoti Ilir ishte “Preisdent i Ligës Shqiptaro-Americane” dhe luftoi me devocion për demokratizimin e ballkanit dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare të Shqiptarëve që jetonin kudo në trojet etnike të tyre.
Iliri është një ikonë drejtësie në mbrojtje për bashkimin, trashëgiminë dhe të drejtave të çështjes kombëtare Shqiptare.
Dhe vajzat Ahmetit nuk ngelën pas.
Po ashtu edhe djali tjetër, “Shqiponja” e Ahmetit u rrit po me ato virtyte.
Sefedin Ahmet Zherka realizoi ëndrën e tij për tu bërë “shqiponjë”, për të fluturuar lart në qiejt blu të pafund rreth globit.
Gjatë Luftës në Kosovë , 1998-1999 , Sefedini vullnetarisht u tregua i gatshëm për të sjellë me aeroplanin e drejtuar nga vetë ai drejt Amerikës, drejt SH B A, drejt kontinentit të shpresës, refugjatët Kosovarë që u dëbuan me dhunë ushtarake nga klika e Slobodan Milosheviçit gjatë pastrimit etnik që ushtruan në Kosovë.
Është nder për ne dhe brezat që vinjë më pas, të mbajmë të gjallë, të kujtojmë patriotizmin dhe veprat e pavdekshëme të këtyre njerëzve të shquar.
Njëkohësisht është e pamundur që në këto pak rrjeshta të rradhisësh të gjithë veprat dhe emrat e heronjëve dhe patriotëve të tjerëve që edhe jetën nuk e kursyen në shërbim të Shqiptarizmës.
Literatura
* Takimi, Prof.Bajram Doka, Tomë Paloka me Z. A.Zherkën, dt. 12/15/12 ora 15-17 ( Tek Gjergj Dedvukaj-Giovanni pizza)
* Shqiptarët e Amerikës Vehbi Bajrami, faqe 490,491
* “ME SHQIPTARËT E AMERIKËS” – Qazim Doda – E vërteta e Ahmet ...
www.youtube.com/watch?v=xfcsoPlz25k
* Libri i Vehbi Bajramit “Shqiptarët e Amerikës” faqe 490,491
* “Në moshën 48 vjeçare …………”. Nga Beqir SINA, New York, SHBA
* Botim i shërbimit të bashkësisë shqiptare, viti I III-të ,Nr. 3,;f. 3~15.
Po aty, “Kryengritja e Armatosur e Malësisë së Gjakoves në vitin 1941”.