Përgatiti për Diellin – Qemal Agaj, Tampa, Florida/
Ne Foto: GJON MILI: 1937 – 1949/
*Per ata qe nuk kane informacion: Gjon Mili u largua nga vendlindja ne moshen 3 vjecare, u vendos ne Bukuresht me familjen deri ne moshen 21 vjecare, erdhe tek xhaxhai i tij ne SHBA, u lidh dhe u ndikua nga Faik Konica per te studiuar ne MTI ne Boston. Po me nxitjen e Konices u lidh me Vatren dhe me Diellin. Ne faner e gazetes Dielli gjejme perkthime,kronika, pershkrime ne gjuhen shqipe prej Milit, ndersa Vatres ai i sherbeu si pjese e Komisionit Qendror qe drejton Federaten dhe per 2 mandate si arketar…
****
’’Nuk është surprizë që fotografitë e Gjon Milit me Pikason duke vizatuar me dritë, të njohura që atëherë,’Vizatimet me dritë të Pikasos’, u bën jo vetëm evidencë historike e gjenisë së Pikasos, por po ashtu një vepër arti historike.’’ Ben Cosgrove.
HYRJE – Shkrimi i mëposhtëm është një prezantim më i gjerë i takimit të fotografit tonë Gjon Mili, me piktorin spanjoll, Pablo Pikaso, në vitin 1949, në Rivierën Franceze.
Përkthimet dhe komentet, botuar në gazetën Dielli të muajve Korrik dhe Tetor, 2016, janë pasuruar me informacione të reja. Për të futur lexuesin në subjekt, mendoj se është e nevojshme të prezantoj dy autorët, fotografin Gjon Mili dhe piktorin Pablo Pikaso, në periudhën 1937-1949.
Sigurimi nga Prof. Harold E. Edgerton në vitin 1937, i një paisje ‘’elektronik flash’’me një kohëzgjatje jashtëzakonisht të shkurtër, 1/1.000.000 e sek. nxiti fantazinë e Milit, ndërroi kursin e jetës së tij. Si kujton Mili: ‘’Për herë të parë, kuptova që koha në të vërtetë mund të bëhej që të ndalonte, tekstura mund të ruhej me gjithë lëvizje të furishme, dhe të papritura.’’ Gjatë një viti eksperimentesh me paisjet e reja, paraqitet në revistën LIFE, që në më pak se një vit në qarkullim, po mbizotëronte dyqanet e gazetave. Zhvillimi i shpejtë i fotogazetarisë,’’kujton Mili në atë kohë,’’nxiste oportunitet për të avancuar në diçka krejt të re. Unë dëshëroja të kontribuoja në të, të isha pjesë e saj.’’
Pasioni për artin e bëri Milin të marrë një hap të guximshëm. Do të linte dhjetë vjetë pune në Westinghouse si inxhinier në fushën e kërkimeve në ndriçim, me kujtime dhe të ardhura të sigurta, për të filluar në një fushë të re dhe si kujton Mili: ‘’Unë vazhdova të bindja vehten që për një periudhë kohe, do të isha i vetmi fotograf në gjendje të përdorja këtë burim drite magjike kaq të sofistikuar’’. Fantazia dhe aftësia e Milit në kapjen e lëvizjeve të njeriut në fotografi ngelen një nga arritjet e tij më të shquara. Në më pak se tre vjet si fotograf për LIFE, Janar 1942, hap ekspozitën e parë personale në Muzeumin e Artit Modern në N.Y. ‘’Dancers in Movement.’’ Benjamin Cathra shkruan në librin e tij, ‘’Blues Notes in Black and White’’, (faqe 42): ’’Ekspozita ‘Dancers in Movement’ në MoMA me fotografi të Gjon Milit, demostron zotësinë e tij në përdorimin e ‘strobe’ dhe ‘stop time’. Imazhet e kërcimit klasik dhe atij modern, tregojnë për aftësinë e Milit të na jap efekte teknike marramendëse, duke ruajtur në të njëjtën kohë individualitetin e subjektit.’’ Po ashtu, në ‘Artful Dancers’ do të shkruhet: ’’Në se dini diçka për ‘Dance Fotography’, duhet të dini se kujt i detyrohemi për mënyrën si e shohim fotografinë sot, mund të thuash se i detyrohemi Gjon Milit më shumë se ndonjë tjetri.’’
Gjatë viteve 1942-1945, LIFE boton katër angazhime të Milit. Në dhjetor, 1942, realizon ëndrrën e tij, shkon në Hollywood. Revista LIFE, 28 Dhjetor 1942, boton gjashtë imazhe shoqëruar me artikullin me titull: ’’High speed camera goes to Hollywood. Gjon Mili makes stars stand still.’’ Edhe këtu evidentohet aftësia e Milit në përdorimin e teknikave të reja, kur thuhet: ’’Për të marr imazhet e botuara në këto faqe, LIFE dërgon Gjon Milin në udhëtimin e tij të parë në Hollywood. Atje, në Mekën e ndriçimit dhe efekteve speciale, Mili i tregoi botës së filmit, që ai po ashtu ka disa truke të reja në të fshehtat e fotografisë.’’. Në 23 Gusht 1943, Life boton 25 fotografi me kërcimin ‘’The Lindy Hop’’me titull: ’’The Lindy Hop, një kërcim folklorik ka qënë lindur në Amerikë .’’ Këto fotografi të Gjon Milit janë nga më spektakularet e mara ndonjëherë më këtë kërcim aq popullor në atë kohë jo vetëm në Amerikë, por në Europë po ashtu. Studioja e tij, që Henri C. Brenson do ta quante ‘’Athina e New Yorkut’’ dhe muzikantët e xhazit, ‘’Sweaty, Smoky Barn,’’ ishte kthyer në një qendër argëtimi për muzikantët e xhazit në orët e vona të natës. Jehona e këtyre mbrëmjeve dhe Jam Session, botuar në LIFE, 11 Tetor, 1943, u bënë shkak që kompania kinematografike Warner Bros, ta angazhoj Milin në filmin me metrazh të shkurtër, ‘’Jammin’ the Blues’’. Milit ju dha një shans tjetër të fotografoj xhaz. Me regjisor Gjon Milin, ky realizim ka ngelur ikonë në filmat e kësaj gjinie. Në vitin 1945, ’’Jammin’ the Blues’’ është zgjedhur për ruajtje në ‘’Unitet States National Film Registry’’ nga Libraria e Kongresit, i cilësuar si: ‘’Culturally, historically, or aesthetically significant.’’ Aq të suksesëshme ishin këto imazhe, sa Mili nuk fotografoi (publikoi) më koncerte apo muzikantë xhazi. Arësyeja? ‘’Nuk besoja se mund të realizoja gjë më të bukur, nuk doja të përsërisja vehten.’’, kujton Mili.
Përdorimi me sukses i flashlight në kapjen e linjave lën nga dritat e montuara në këpucët e patinatores Carol Lynne, Botuar në LIFE, 26 Mars, 1945 me titullin: ’’Gjon Mili përdor një teknikë të re për të fotografuar patinatoren duke duke bërë figura elegante në akull.’’ Në vitin 1949, as ai vetë nuk do t’a besonte se pikërisht këto imazhe, do të tërhiqnin vëmendjen e piktorit më të shquar të kohës, do të shënonin kulmin e suksesit të tij me këtë teknikë.
Në 1946, hap ekspozitë fotografike në Paris, ku fjalën e hapjes e mbajti Jean P. Sartre. I shumëkomentuar ka ngelur në fjalën e J.P.S. konstatimi: ‘’Ai nuk kënaqet thjeshtë të fotografoj njerëz të shquar, ai e bën çdo foto një provë, një eksperiment.’’
Po atë vit, 10 Tetor, 1946, merr pjesë si fotogazetar në Konferencën e Paqes në Paris. Këtu fotografon përfaqësuesin e Shqipërisë; Enver Hoxha me uniformë ushtarake duke folur në Konferencë. Kjo fotografi do të botohej në shtypin shqiptar me krenari, por asnjëherë nuk u përmend emri i autorit.
Me këto arritje, në këtë vrull eksperimentesh, teknikash të reja fotografimi, Mili u ngarkua nga LIFE në 1949, të fotografonte Modernistët në Europë. Në 12 Dhjetor të po atij viti, LIFE boton nëntë imazhe të Modernistëve duke filluar me Matisse, 80 vjeç, vazhdon me Fernand Leger, 68 – Mark Chagall, 62 – Raoul Dufy, 70 – Ossip Zadkine, 59 – Marie Laurencin, 64 – Maurice Vlaminck, 73, – Jean Arp, 61 – dhe në fund Pablo Picasso, 68 vjeç, gjysëm lakuriq, me lule në veshin e majtë; përshtypja e parë që i la Milit, si një kryetar fisesh i Detrave të Jugut.
PABLO PIKASO : 1937 – 1949
‘’Nëqoftëse bëheni një ushtar,’’nëna e Pikasos, Dona Maria, predikoi për djalin e saj Pablo, ‘’ju do të bëheni një gjeneral. Nëqoftëse do të bëheni prift, ju do të jeni një Papë.’’ Asnjë nga profecitë nuk doli e vërtetë. Shumë vite më vonë, kur është pyetur të përshkruaj profesionin e tij, Pikaso u përgjigj: ‘’Unë doja të bëhesha piktor, dhe u bëra Pikaso.’’ Në ditët tona asnjë nuk do të diskutonte që Pablo Pikaso (1881 – 1973) ishte artisti më i shquar i shekullit të 20-të. Ai me të drejtë është quajtur gjeniu i kohës së tij. Nuk do të kishte gjë të veçantë në publikimin e një studimi të ri për Pikason, nëqoftëse nuk do të kishte ndryshim nga pothuajse 5.000 të tjera që janë publikuar.’’
Me këto fjalë e fillon botimin voluminoz prej 726 faqesh, ‘’Picasso,’’ me biografinë dhe veprat e artistit, shtëpia botuese Taschen me autor, Carsten-Peter Warncke dhe Ingo E. Walther. Botim i vitit, 2006.
THIRRJE ZEMËRIMI – ‘’Guernica’’
LIFE, 27 Dhjetor, 1968. Nga Eduard Kern.
‘’Në 40 vjetët e krijimtarisë së tij, Pikaso ishte pothuajse plotësisht i zhytur në artin e tij, duke mos i kushtuar vëmendje problemeve që shqetësonin gjeneratën e tij. Ka p. sh. pak jehonë në veprat e tij Lufta e Parë Botërore… Ç’farë përfundimisht e ndryshoi atë, ishte Lufta Civile në Spanjë. Agonia e tokës që e kishte mëkuar dhe formuar, e goditi tmerrësisht dhe e detyroi më së fundi të mbledh vehten. Edhe atëhere ai ishte i vonuar në gjetjen e një qëndrimi të përshtatshëm. Në 1936, kishte pranuar të bëj një tablo për pavjonin e Republikës së Spanjës në Panairin Ndërkombëtar në Paris, por kishte kaluar 6 muaj pa bërë asgjë.
Në mbasditen e 26 Prillit 1937, bombardues gjermanë në mbështetje të Frankos, rrafshuan qytetin e pambrojtur Guernika. Lajmet tronditëse e shkundën Pikason. Pamjet rrënqethëse të violencës dhe vuajtjet përmbytën imagjinatën e tij. Në 6 javë , duke punuar me intensitet, Pikaso kompletoi tablonë e famshme ’Guernika,’ një përkujtimore për të vrarët e pafajshëm dhe një manifest kundër brutalitetit të luftës moderne.’’
E fuqishme, tronditëse dhe me lëvizje konfuze të figurave, nuk kuptohet menjëherë pse janë këto klithma. Nuk ka shenjë bombardimi, nuk ka aeroplanë, rrugë të shkatërruara, s’ka turma që lëvizin. E gjithë ç’farë na jepet, shpërndarë në kanvas pothuajse 26 këmbë (8 m.) e gjatë , është një numër i vogël viktimash në momente agonie, tmerri, dhe në krye majtas, i qetë, pa emocione dhe me kuptim të fshehtë, figura enigmatike e demit… Në ’Guernica’ ka qënë diskutuar me zjarr kuptimi i figurës së demit dhe diskutimi vazhdon akoma. Një kritik, shok i Pikasos, sheh te figura kërcënuese e demit kauzën e fashizmit. Shitësi i veprave të Pikasos, shpjegon se ai përfaqëson popullin e pamposhtur Spanjoll. Ndofta të dy kanë të drejtë. Pikaso vetë ka deklaruar se demi nuk është fashizmi, ‘brutalitet’ po, por jo fashizmi. Tabloja është pikturuar kryesisht në të zezë, të bardhë dhe gri, një gamë ngjyrash që të sjell ndërmend gjëra të ndryshme – pelerinën e errët spanjolle, kontrastin simbolik të së mirës dhe së keqes. Konceptimi me kuptime alegorike dhe simbole, e ngre tablonë në nivelin e një mitologjie universale. Në këndvështrimin piktorik, bombardimi i Guernikës është kthyer në legjendë.
Në Gusht 1948, merr pjesë në ‘’Konferencën Komuniste të Paqes’’ në Poloni, inisiator i së cilës ishte I. Erenburg. Në Janar 1949, pikturon litografinë ‘’The Dove,’’ të cilën Lui Aragon e zgjodhi për pankartën e ‘’Kongresit të Paqes’’ në Paris, 20-23 Prill, 1949. ‘’The Dove’’ u bë i njohur në gjithë botën si simbol i paqes. Në Tetor merr pjesë në ‘’Kongresin e dytë Botëror të Paqes’’ në Londër. Pankarta e këtij Kongresi, dizenjuar nga Pikaso, ishte një pëllumb në fluturim, në kuptimin e ‘’Paqes Universale.’’ Emri i Pikasos tashmë ishte i njohur si protagonist i dy ekstremeve të asaj periudhe, demaskimit të luftës në ‘’Guernica’’ dhe lëvizjes për paqe me ‘’The Dove.’’
Jehona e tablosë ‘’Guernika,’’ si një aktakuzë kundër shfarosjes masive të njeriut nga njeriu dhe angazhimi pas luftës në lëvizjen ndërkombëtare për paqe, e kishin ngritur Pikason në një shkallë të lartë të paparë deri atëhere nga ndonjë artist.
Në atë kohë Mili, 45 vjeç, akoma në kërkim të suksesit – Pikaso, 68, figura më e njohur në fushën e artit dhe nga më të njohurat në atë shoqërore.
Takimin e tij me Pikason, Mili e përshkruan në dy librat e tij – ‘’Picasso’s Third Dimensions,’’ 1970 – ‘’Photographs & Recollections’’ dhe në librin – ‘’Photography within the Humanities,’’ fjala e tij në simpoziumin e organizuar nga Wellesley College, Massachusetts, në 11 Prill, 1975, para studentëve të këtij kolegji. (Faqe 46)
Me këtë artist dhe figurë të shquar u takua fotografi Gjon Mili në verën e vitit 1949, takim nga i cili doli seria e fotografive me titull: ‘’Vizatimet me dritë të Pikasos’’ dhe ajo më e famshmja, me titullin e diskutueshëm: ‘’Pikaso duke vizatuar me dritë një Centaur,’’ e cila do të jetë subjekti i shkrimit në vazhdim.
Nëse mund të gjykohet se arritjet e deriatëhershme i kishin dhënë Milit një lloj sigurie, si rrodhën ngjarjet, takimi me Pikason u kthye në një preokupim të vërtetë për fotografin. A do të ndihej i qetë përpara figurës impresionuese të artistit? A do të mund të shihte pa ndrojtje sytë e mëdhenj dhe plotë ndriçim të Pikasos? Përpara se të shkonte në Rivierën Franceze, Mili kalon një mbrëmje në Paris me nipin e Pikasos, Javier Vilato, një piktor i ri. Mili kujton në librin e tij, ‘’Photographs & Recollections’’, se gjatë bisedës, nipi përmendi një thënie të Pikasos: ’’Nëse doni të vizatoni, ju duhet të mbyllni sytë dhe të këndoni.’’ Aforizma e Pikasos nxiti imagjinatën e Milit: ’’Pse të mos e bëj atë të fotografoj në errësirë, por me një dritë në vend të një lapsi?’’ Kjo ide e pushtoi atë të tërin. ‘’Takimin e parë me Modernistët e bën me Matisse, ku provoi ta fotografonte duke vizatuar me dritë, por doli pa sukses. Përpara se të largohej nga Matisse, e pyet nëse do të mund ta prezantonte me Pikason. Përgjigjja ishte e shkurtër: ‘’Jo, ti duhet të shkosh në plazh.’’- Unë dija diçka për këtë, kujton Mili.
Me këshillën e Matisse dhe besnik në mënyrën e tij të fotografimit, që si thotë Jean P. Sartre në fjalën e mbajtur me rastin e hapjes së ekspozitës së Milit në Paris, 1946: ’’Nëqoftëse ju bëheni pjesë e koleksionit të tij, jo vetëm ju mbërthen ju të gjallë,… ai ju ka vëzhguar, do t’ju njoh ju plotësisht.’’ – ‘’Pas disa ditësh,’’ shkruan Mili: ’’Unë e vëzhgova atë nga larg gjatë gjithë mëngjezit. Kapa rutinën e lëvizjeve të tij me saktësi.’’
Të nesërmen kur Pikaso po bëhej gati të largohej, Mili i del përpara dhe i thotë: ’’Më falni. Unë jam fotograf. Do të dëshëroja të bëja portretin tuaj’’. Reagimi i Pikasos ishte pa emocione: ’’Ashtu? Vazhdo,’’ ju përgjigj ai duke bër një gjest.’’Jo, seriozisht, seriozisht.’’ i kthehet Mili dhe në çast i tregon fotografi të patinatores Carol Lynne duke kërcyer në errësirë. Linjat intriguese lënë nga dritat e montuara në këpucët e kërcimtares intriguan Pikason, dhe si shkruan Mili: ’’I tërhequr, ai filloi të vizatoj me gishtin e tij në ajër.’’ Mili e ‘’mbërtheu Pikason.’’ Në bisedë u vendos të bëhej një sesion prej 15 minutash.
Mili u prezantua thjeshtë: ‘’Unë jam fotograf’’, pa përmendur revistën LIFE, njësoj si të thoshte: ‘’Unë jam Mili’’, ashtu si Pikaso kishte qejf të thoshte: ‘’Unë jam Pikaso’’.
Mili arriti atje ku ëndërronte; ta fotografonte Pikason duke vizatuar në errësirë, me dritë në vend të lapsit, ku linjat zhdukeshin sapo ishin krijuar. Nuk ka informacion nga Mili pas sa kohësh nga takimi u fotografua Pikaso, po ashtu, pse u zgjodh poçeria Madoura si vend. Pasi rregulluan sallën e poçerisë në mënyrën që donte Mili, pra në errësirë duke vendosur dy kamera në 90 gradë ndaj njera tjetrës, njëra karshi dhe tjetra në krah të djathtë të piktorit, fillon procesi i fotografimit. Mili e përshkruan këtë sesion në librin e tij, ‘’PICASSO’s THIRD DIMENSION,’’ si më poshtë.
Përshkrimimi fotografimit: ‘’Picasso’s Third Dimensions’’ – Faqe 16.
‘’Është interesante të shënohet ngjashmëria midis Centaurit, imazhi i parë i Pikasos më dritë, dhe konfiguracionit të trupit të tij të përkulur kur fillon të vizatoj. Për të shënuar gjithashtu, është vazhdimësia e veprimit të tij, ndërkohë që imazhi përparon nga fillimi deri në fund. Në fillim ai përshkruan një grep të vogël dhe lëviz duke u lëkundur nga poshtë lart të ravijëzoj krahun e majtë e pastaj kokën dhe brirët, krahun e djathtë dhe kurrizin me një shpejtësi të tërbuar, e cila duket nga hollësia e linjës, – ai me nxitim zhgarravit dy këmbët e prasme para se të ngadalësohet deri në stop pasi vizaton linjën e lakuar butë të barkut. Duket sikur menjëherë kujtohet se ka më për të bërë. Me shpejtësi ngrihet lart për të plotësuar strukturën e frontalit dhe pa ndaluar, nënshkruan (vizaton firmën e tij) në një mënyrë dekorative.
Në momentin fillestar, pasi ishte hapur kamera, unë shkrepa një ‘flash’. Kjo e bëri Pikason të dukshëm kur filloi të vizatoj në errësirë. Qëndrimi i Pikasos duket sikur lidhet jo aq shumë me momentin e vizatimit, se sa me konceptin e plotë në mendjen e tij.’’
Nga mënyra si e shpjegon Mili procesin e fotografimit, të lë të kuptosh për një marrëveshje midis fotografit dhe piktorit. Është fjala për momentin fillestar. Figura e përkulur e Pikasos me vështrim të ngulur në një pikë, është kapur në saj të aktivizimit të ‘’elektronik flash,’’ me një kohëzgjatje 1/10.000 sek. Pas asaj duken vetëm linjat e e figurës së vizatuar. Duket Mili i ka thënë: ’’Ju do të filloni të vizatoni pasi të jetë ndezur ‘flash-i.’’ Kjo duket nga vështrimi i përqëndruar i Pikasos dhe linja e grepit, pak e trashë, që tregon ngadalësi në lëvizje. Pra është momenti fillestar. Vështirë të kuptohet çfarë ka ndjerë piktori, por kuptohet që atë menjëherë e ka rrëmbyer ajo çfarë kishte në ndërmend të vizatonte dhe vazhdon të lëviz me shpejtësi, deri në përfundim.
E magjishmja ndodhi. Në 30 sekonda, Pikaso i dha Milit emrin si fotografi më i shquar në përdorimin e ‘’strobe light,’’ dhe ‘’flashlight,’’atë që ka ngelur kulmi i krijimtarisë së tij. Nga ana tjetër, Mili i shtoi artit të Pikasos një gjini të re, vizatimet me dritë. A do të kishte një tjetër piktor të përjetësonte këtë teknikë të Milit në fotografim? Mendoj se jo dhe kjo u provua. Mili tentoi të fotografoj Matisse duke vizatuar me dritë, por pa sukses.
Në një artikull të Denis San Jose, nga Milwaukee Gallery, 25 Tetor, 2012, shkruhet: ‘’Takimi i fotografit Shqiptaro-Amerikan Gjon Mili, me piktorin Spanjoll Pablo Pikaso, provoi të ishte një nga bashkëpunimet më tërheqëse dhe frymëzuese midis artistëve në të shkuarën.’’
Pikaso u magjeps aq shumë nga rezultati, sa pranoi të bëheshin pesë sesione. Për koincidencë, atë verë në Rivierën Franceze kishte ardhur dhe fotografi i shquar me origjinë Hungareze dhe shok i Milit, Robert Capa, (Robert Kapa, 1913-1954) i dërguar nga një editor në New York, të pyeste Pikason se cilët, sipas mendimit të tij, ishin piktorët më të shquar të kohës.
Koment nga Robert Capa, për ekspozitën fotografike: ‘’On Picasso’’ – 25 Janar, 1950
Botohet për herë të parë. Burimi – Arshiva, Muzeumi i Artit Modern, New York. Nr. Regj. 500124 – 8b.
Në komentin e dhënë Muzeumit të Artit Modern me rastin e ekspozitës së përbashkët me Milin, ‘’On Pikasso,’’në 1950, Kapa shkruan: ‘’Në Rivierën Franceze takova një shok të vjetër, Gjon Milin. Mili dukej dhe vishej si dordolec, që e kishte bërë atë të hynte në zemrat e banorëve të Golfe-Juan. Problemi i tij ishte të hynte në zemër të Pikasos. Në valixhet e tij të shumta nuk kishte xhaketa për mbrëmje, por një sasi të madhe me drita të ndryshme. Idea e tij ishte të tërhiqte Pikason të vizatonte në ajër me një dritë të vogël. Nëse Mili do të realizonte këtë proçedurë, duke përdorur kohë pas kohe ‘stroboscopic lights,’ ai mendonte se do të mund të shpjegonte diçka në fotografi, që shumë njerëz kishin provuar ta shpjegonin me shumë fjalë – procesin e të menduarit të një artisti abstraksionist. Pikaso thoshte se Mili dukej mjaftë zbavitës dhe fliste mjaft mirë. Ai na tha të shkonim në shtëpinë e tij të vogël. Të nesërmen mbasdite, ngarkuar me kamerat tona dhe dritat u gjendëm para shtëpisë ku Pikaso po na priste në krye të shkallëve. Pasi nxorëm orenditë jashtë nga nga dhoma e tij më e madhe, errësuam dhomën dhe instaluam dritat. Secili ishte duke punuar – Pikaso, Francoise (gruaja që bashkëjetonte me Pikason), Mili dhe unë. Mili i shpjegoi Pikasos si të ndizte dhe shuante dritën e vogël, që do i shërbente si laps. Pikaso e provoi instrumentin për gjysëm minuti, duke thënë se gjithmonë kishte pasur dëshirë të pikturonte në ajër. Ndërkohë, shuam dritat në dhomë dhe hapëm kamerat. Drita e vogël filloi të lëviz në errësirë. Duke parë atë të lëvizte kishje ndjesinë sikur shikoje shkopin e dirigjentit Arturo Toskanini. Pas 15 sekondash, Pikaso shuajti dritën.
Mili po kërcente duke ardhur rrotull si një Indian, Pikaso ndezi një cigare, Francoise tha se ishte shumë interesante.’’
Ky ishte sesioni i dytë nga pesë. Sa bukur e shpreh Kapa entusiazmin e Milit. Ashtu si njihej Mili, karakter i veçantë dhe si e quante Sean O’ Casey: Shqiptari zemër bardhë (gazmor). Në pesë sesione, Mili realizoi 30 imazhe me Pikason duke vizatuar me dritë dhe tre portrete mjaft interesantë. 14 nga fotot me dritë dhe portretet janë botuar në: ‘’Pikaso’s Third Dimension.’’ Portreti, Pikaso me lule në vesh, shoqërohet me komentin si më poshtë: ‘’Pasi arrita në Riviera, e gjeta Pikason në plazh në Golfe-Juan, ku lahej çdo ditë dhe argëtonte miqtë e tij. Djegur nga dielli, tullac, dhe gjysëm lakuriq me pantallona të shkurtra ngjyrë kaki, kapardisej si një kryetar fisesh i Detrave të Jugut (mungonte vetëm lulja në vesh për të kompletuar një portret në karakter.) Ky portret, marrë në kopshtin e Pikasos në Vallauris është bazuar i tëri në këtë përshtypje të parë.’’ Dy portretet e tjera janë marrë në shtëpinë e Pikasos gjatë seancave të pushimit: – Pikaso në këmbë, me vështrim të tretur, mbështjellë nga tymi i duhanit, humbur në mendime dhe Pikaso ulur, në gjoks e sipër zhveshur, duke thithur cigaren me ëndje. (Faqe, 31-32-33.)
MUZEUMI I ARTIT MODERN, NEW YORK
Komenti nga Gjon Mili për ekspozitën fotografike: ‘’On Picasso.’’ – 25 Janar, 1950.
Botohet për herë të parë. Burimi – Arshiva, Muzeumi i Artit Modern, New York. Nr. Regj.50124-8a
‘’Vizatimet e hapësirës të Pikasos janë gjurmë të lëna në hapësirë me një dritë që e mban në dorë si një laps. Ndryshe nga vizatimet me laps në letër, ato janë kryer më shumë nga lëvizja e trupit se sa nga lëvizja e dorës . Në gjashtë nga këto vizatime hapësire që janë fotografuar në një dhomë të errët vetëm linjat e dritës duken të rregjistruara në film.
Në të tjera raste, kur Pikaso ishte duke vizatuar dhe kamera është hapur në errësirë, dritat janë hapur një herë ose disa herë. Këto fotografi tregojnë një ‘vizatim hapësire,’ po ashtu shprehjen e fytyrës të artistit dhe lëvizjet e trupit gjatë procesit të punës.
Dy kamera punonin në të njëjtën kohë: nganjëherë për të fotografuar të njëjtin vizatim nga dy kënde të ndryshme dhe nganjëherë për të fotografuar nga i njëjti këndvështrim, në bardhë e zi dhe me ngjyra.
Koha e ekzekutimit të këtyre ‘vizatime hapësire,’ varion nga 5 sekonda, për më të thjeshtin abstrakt, deri në 30 sekonda, për vizatimin më kompleks të një njeriu apo kafshe.
Variacioni në trashësinë e linjave është i rëndësishëm. Sa më e hollë linja aq më e shpejtë lëvizja e dritës, precizioni është konsideruar i parëndësishëm; në të kundërt, sa më e trashë linja, aq më e ngadaltë lëvizja dhe më e madhe vëmendja e artistit në saktësinë e formës dhe detaje.
Fotografitë janë marrë në shtëpinë e Pikasos dhe në poçerinë Madoura në Vallauris. U bënë pesë sesione, secila zgjati afërsisht një orë. Koha, Gusht 1949.’’
‘’ Vizatimet me dritë të Pikasos’’ dhe jehona e tyre
Seria e fotografive ‘’Vizatimet me dritë të Pikasos’’ dhe në mënyrë të veçantë, fotografia me e njohur dhe më e publikuar e kësaj serie me titullin e diskutueshëm: ‘’Pikaso duke vizatuar me dritë një Centaur,’’patën një jehonë të paparashikuar. E parë si një formë e re arti, ku shkëlqen aftësia e Gjon Milit, Pikaso, duke vizatuar në hapësirë figura me një laps me dritë, ku linjat zhduken sapo janë krijuar, bën që Muzeumi i Artit Modern në New York, në bashkëpunim me revistën LIFE, të hapin në 25 Janar – 19 Mars, 1950, ekspozitën me 40 fotografi të Gjon Milit, të serisë së sipërpërmendur dhe 20 fotografi të Robert Kapa, me motive nga jeta familiare e Pikasos. Botoi Dielli, Shtator 2017….
(Per me shume lexo ne gazeten Dielli online www.gazetadielli.com)
* PS: Askush nuk mund ta publikoje pa lejen e Diellit.