• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IPESHKVI GJON NIKOLLË KAZAZI, ZBULUESI I PARË I LIBRIT TË PARË SHQIP, “MESHARI” DHE “SHËNIMET E GJON NIKOLLË KAZAZIT” TË JUSUF BUXHOVIT

August 9, 2021 by s p

 Nga Frank Shkreli/

 A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidenceJavën që kaloi, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë dhe Radio Vatikani në gjuhën shqipe shënuan 269-vjetorin e të kaluarit në amshim të Ipeshkvit Gjon Nikollë Kazazi, i cili ka ndërruar jetë më 5 gusht, 1752.  Pak shqiptarë mund ta dinë, por Ipeshkvi Kazazi konsiderohet si personi i parë që zbuloi librin e parë shqip, “Mesharin” e Gjon Buzukut.  Në një njoftim të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë me rastin e këtij përvjetori thuhet se në vitin 1740, gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, Kazazi zbuloi veprën monumentale të kulturës shqiptare “Mesharin” e Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555.  Zbulimi tij do të mbetej në hije deri më 1909, kur studjuesi arbëresh Pal Skiroi do ta rigjente veprën e parë në gjuhën shqipe, po në këto arkiva, nën shënimin “Katalogu: R.G. Liturgia III,194”.

Gjon Nikollë Kazazi ka lindur më 2 janar 1702 në Gjakovë. Karriera e tij studimore fillon me studimet teologjike në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe më pas në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe në Loreto të Italisë, ku edhe ka përfunduar studimet. Në vitin 1727 Gjon Nikollë Kazazi mori titullin Doktor në Filozofi e Teologji.  Po atë vit, ai do të shugurohej meshtar dhe në moshën 41 vjeçare do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit.  Në vitin 1743 botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”.  Thuhet se Ipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi ishte studiuesi i parë shqiptar që metaforikisht çeli udhën për të gjithë studiuesit e mëvonshëm drejt Arkivit të Vatikanit, kryesisht, arkivit të “Propaganda Fide”.

Ndërkaq, në këtë përvjetor, Jusuf Buxhovi, historiani, autori, gazetari, intelektuali dhe aktivisti politik nga Kosova, është autor i romanit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, (Botimi i Plotësuar nga Shtëpia Botuese Faik Konica”.  Pas disa botimeve e ribotimeve të mëparshme, romani  ribotuar i plotësuar është përkthyer kohët e fundit në italisht nga Lilian Cuka dhe është promovuar në Romë në fillim të qershorit që kaloi, nën moton “Historia e zhdukjes së një populli”,  para një audience përfaqësuese kulturore dhe intelektuale italiane, ku morën pjesë edhe ambasadorët e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Kosovës dhe të arbëreshëve të Italisë, ndër të tjerë.  Botimi në italisht i kësaj vepre të autorit Buxhovi pason përkthime në disa gjuhë dhe disa tjera që thuhet se janë në fazën përfundimtare të përkthimit në anglisht, frëngjisht, sllovenisht dhe spanjisht. Sa i përket përkthimit në gjuhët e huaja të romanit të tij, “Shënimet e Nikollë Kazazit”, historiani i shquar shqiptar Z. Buxhovi është cituar të ketë thenë se “Kjo i ndihmon letërsisë shqiptare që të afirmohet në përmasat ndërkombëtare, veçmas kur kjo bëhet me një vepër që shpalos dramat e saj të brendshme në rrethanat ekzistenciale — në një hapësirë të ndeshjeve të perandorive dhe besimeve — ku politika dhe besimet luftojnë për hapësirë dhe dominim të përhershëm.”

Botimi në italisht i këtij libri u promovua në Romë, ndërsa Ambasada e Republikës së Kosovës në kryeqytetin Italian, me këtë rast, shprehej në faqen e saj të internetit se, “Është nder të promovosh historinë e Kosovës përmes rrëfimeve të fakteve historike, të cilat për shekuj me radhë na kanë bërë krenarë për identitetin tonë. “Për ty Toka ime – Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, e shkrimtarit dhe historianit tonë të mirënjohur, Jusuf Buxhovi, tani botuar edhe në italisht nga shtëpia e njohur botuese, Armando Editore, ka kontribuar në forcimin e rrënjëve evropiane të popullit tonë”, thuhej në njoftimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë me rastin e promovimit të romanit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit të autorit Jusuf Buxhovi. 

“Është një vepër e shkruar në një mënyrë të pabesueshme intensive”, vlerëson botuesi italian dhe shton se titulli “Të përkas ty, o toka ime”, mund të jetë slogani mbi të cilin autori ndërthurë një përmbajtje të dendur, me bashkëbisedues me vlera, ku ndodhet një vend i tronditur, i ndërlikuar, i dhunuar, në të cilin politika dhe feja janë në garë për të kapur hapësirat e tyre dhe për të bërë prozelitizëm. Reflektimi me përmbajtje të lartë, e drejton lexuesin në mendimet e rafinuara të autorit për të krijuar më pas përshtypjet e veta personale.”

Ndërsa Radio Vatikani ka transmetuar një intervistë, Majin që kaloi, me kuratorin e botimit, publicistin Giovani Cederone, i cili veprën e Buxhovit të përkthyer italisht e ka cilësuar si një monument të rëndësishëm letrar që nxjerr në pah identitetin shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve të lidhur me qytetërimin perëndimor, por njëherësh pasqyron edhe dramën e një populli që vazhdimisht i nënshtrohet përpjekjeve të huajve për t’i dominuar ata.  Ndërkohë, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një shkrim vlersues të romanit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, e ka cilësuar veprën e Jusuf Buxhovit, si “një prej romaneve tona më të mira bashkohore”.  Vlerësimi i plotë i Dr. Rugovës mund të lexohet në këtë link, për ata që janë të interesuar: Rugova për librin e Buxhovit: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” ndër romanet tona më të mira (kultplus.com)

Por le t’i këthehemi figurës së Ipeshkvit Gjon Nikollë Kazazit në përvjetorin e vdekjes së tij dhe protagonistit të romanit të shkrimtarit dhe historianit, Jusuf Buxhovi, njëri ndër më të mirët historian të Kombit shqiptar.  Ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë historisë së shqiptarëve kur klerikët katolikë – përveç veprimtarisë së tyre fetare – janë marrë edhe me mbrojtjen e kulturës dhe të gjuhës shqipe, ashtu edhe Gjon Nikollë Kazazi, gjatë gjithë jetës së tij, krahas thirrjes së tij fetare në shërbim të Zotit dhe besimtarëve, Imzot Gjon Nikollë Kazazi, sipas Radio Vatikanit, “Kultivoi me pasion e urtësi edhe aspektin kulturor, posaçërisht shkrimin në gjuhën shqipe. Këtu kishte si qëllim shkrimin e botimin në gjuhën e popullit të tij, pra shqip, të librave me përmbajtje shpirtërore, biblike si katekizmi, doracakët uratësh, librat liturgjike por edhe gjurmimin e rrënjëve të lashta të kombit të tij shqiptar”.  Kështu, gjatë qëndrimit të tij në Romë, në vitin 1740, imzot Gjon Nikollë Kazazi zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të Vatikanit, të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’, të dom Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Po atë vit, 1743, imzot Kazazi botoi edhe katekizmin e tij, “Doktrina E Kërshten”.

Kryeipeshkvi Gjon Kazazi shkoi disa herë në Romë për tu takuar me Papën si dhe me përfaqësues të dikastereve të Selisë së Shenjtë në Vatikan. Radio Vatikani shqip i cilëson si tepër të rëndësishme dhe me vlerë të madhe kishtare e historike raportet që imzot Kazazi ka sjellur personalisht në Vatikan apo që i ka dërguar Vatikanit në vitet 1743-1744 e gjatë viteve tjera më vonë, në cilat informon Papën mbi situatën tejet të rëndë të krishterëve jo vetëm në në trojet shqiptare por edhe në vende tjera ballkanike që ishin nën sundimin e perandorisë osmane, thuhej në programin e radio Vatikanit kushtuar këtij kleriku të madh shqiptar.  Kryeipeshkvi i Shkupit shqiptar, Gjon Nikollë Kazazi ka vizituar Romën për herë të fundit më 1750 sepse ai ndërroi jetë me 5 gusht te vitit 1752, duke lënë gjurmë të pashlyera, jo vetëm në historinë e Kishës shqiptare, si bari dhe edukator i klerit e i popullit, por edhe në historinë e albanologjisë, si zbulues i parë i librit më të vjetër të shtypur në gjuhën shqipe, që njihet deri me sot si “Meshari” i Dom Gjon Buzukut.

Duket se përkthimi në italisht i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” ka berë jehonë të madhe në qarqet kulturore të Italisë dhe më gjerë.  Jusuf Buxhovi ka njoftuar më heret se së shpejti libri, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, do të shëndërrohet në film botëror në italisht, ndërsa zbuloi se për këtë nismë tashmë ai

ka nënshkruar disa kontrata paraprake me një ndër shtëpitë filmike më të njohura të Italisë për realizimin e filmit bazuar në “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, një ngjarje kulturore që do të dëshmojë për lidhjet e identitetit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve me qytetërimin perëndimor.

Po e mbylli këtë përkujtim në përvjetorin e vdekjes së Kryeipeshkvit të Shkupit shqiptar Gjon Nikollë Kazazi me një fragment të shkurtër nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të autorit Jusuf Buxhovi — me një këshillë që vlen edhe sot se, “Do të jetë mëkat i madh që dëshmitë tona për t’i bërë ball të ligës së pashembullt, të mos shënoheshin…Në atë gjysëmterr që mezi përballohej nga drita e dobët e qiririt, gjeta fletoren dhe gjithë drithërimë hudha fjalët e para: …unë Gjon Nikollë Kazazi, i biri i Pjetrit, i lindur në Gjakovë, në ditën e dytë të motit të madh një mijë e shtatëqind e dy, me ndjenjën e përulësisë më të thellë para të Madhit si dhe të përgjegjësisë së plotë që ka njeriu për të vërtetën, duhet të dëshmoj rreth një mynxyre të madhe që na ka rënë në kokë…Ne pra, i madh e i vogël, nga dita e sotit i jemi nënshtruar një rrethimi të tmershëm, që vjen fare papritur me kërcënimin që të mbesim të shkëputur përgjithmonë nga bota…Ky kërcnim lidhet me shfaqjen e murtajës për të cilën thuhet se ndodhet midis nesh, sado që ajo ende nuk është dëshmuar.   Sprovat e Zotit janë të mirëseardhura dhe të mirëpritura, por shumëçka që këtu lidhet me sëmundjen, sikur len për të dyshuar se ajo është pjellë e ligësisë së robit…Megjithqë me kohë çdo gjë do të sqarohet, ne duhet t’i bëjmë ballë të ligës që vjen nga robi, nga që këtë e kemi për detyrë pa marrë parasyshë rreziqet me të cilat ballafaqohemi…Në këtë rrugë kemi për detyrë që të ushqejmë shpresën, por edhe të gjejmë rrugët që çojnë të zgjimi i ndjenjës së kundërvenies së të ligës që na kërcënon deri në asgjasim… Këtë nuk do ta kemi të lehtë, por nuk kemi shtegdalje tjetër…Natën e mirë, trishtim, por edhe shpresë…” 

Fragmenti nga romani i Jusuf Buxhovit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” – është këshillë  edhe për t’u ballafaquar me gjëndjen sot në trojet shqiptare: Ballafaqim me të keqën, sidomos me të keqen që vjen nga robi, nga njeriu vet, që të mos t’i nenshtrohemi asaj të keqeje dhe të mos dorëzohemi para saj! Të shënohet e kaluara me qëllim që të mos harrohet dhe të përballemi me të kaluarën e ligët, si pjesë e “përgjegjësisë së plotë që ka njeriu ndaj së vërtetës” dhe detyrimi që të gjithë kemi si individ dhe shoqëri për të dëshmuar dhe për të mbrojtur të vërtetën, sa  u përket “sëmundjeve” që kanë kaplluar shoqërinë shqiptare edhe sot e e kësaj dite e që janë “pjellë e ligësisë së robit”, të — pushtetarëve autoritarë modernë — dhe nuk janë sprova të Zotit…”. Kjo është e Vërteta që duhet të dëshmojmë të gjithë, për të pasur sadopak shpresë për një të ardhme më të mirë për shqiptarët në trojet e veta!

Frank Shkreli

                A person in a suit

Description automatically generated with low confidence Historiani dhe Shkrimtari Jusuf Buxhovi, autor i romanit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, përkëthyer kohët e fundit në italisht dhe gjuhë të tjera evropiane, ndërkohë pritet që libri të shërbejë si bazë për një skenar filmi, muajin që vjen, nga skenaristë të njohur italianë.

22382934
A picture containing text

Description automatically generated

Fletë të “Mesharit” (kopje digjitale) të Gjon Buzukut, sjellë dhuratë Bibliotekës Kombëtare nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Shtator, 2014 

                            A picture containing text, person, wall, person

Description automatically generatedAutori Jusuf Buxhovi me mikun dhe bashkpuntorin e tij të ngusht gjatë viteve, Dr. Ibrahim Rugova –Rugova për librin e Buxhovit: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” ndër romanet tona më të mira (kultplus.com)

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Gjon Nikoll Kazazi, Jusuf Buxhovi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT