• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjuha shqipe – gjuhë e perëndive !

January 13, 2014 by dgreca

Shkruan: Fahri Xharra/

“Burri i parë që ka lindur në botë ka qënë Pellazgu, një burrë i dalluar për përmasat dhe bukurinë e figurës së tij që i kalonte të gjithë të vdekshmit e tjerë për kualitetet e shpirtit. Pellazgu ishte i pari që u mësoi njerëzve që të ndërtonin shtëpi dhe të mbroheshin nga të ftohtit, ai u mësoi njerëzve që të bënin rroba nga lëkura e deles. Pellazgu ka lindur nga dheu për të qënë filluesi i genit të vdekshëm” Pausanias (110 prK –180 prK:). (Pausania lib.VIII. 1.4)

Pseudostudiusit serbë, që prej shekujsh po rropaten me mashtrimet më të paturpshme  që ta mojojnë birërinë  pellazge-ilire-shqiptare , praninë e katragjyshave arbërorë në Ballkan, duke synuar jo vetëm  gllabërimin e Kosovës por edhe të Shqipërisë. Dihet se të dhënat  shkrimore dhe mbishkrimore të një vargani nga më të stërlashtat ,parailirët autokton ( të rrënjës)  pellazgët cilësohen shprehimisht si bij të tokës të mbirë prej dheut, madje si “para- hënorë” ,si të gdhirë në Europë që para shfaqjes së Hënës në hapësitar qiellore, që atëherë kur nuk kishte kufinj e nuk kishte fqinj.

“Po cila ishte gjuha e Pellazgëve? Dimë se ishte një popull shumë i madh në numër që u përhap në gjithë Pellazgjinë, në Itali, në Azinë e Vogël, në Afrikën e Veriut dhe në gadishullin Iberik. E dimë gjithashtu që e krijuan sistemin fetar dhe u dhanë emrat perëndive dhe i caktuan rregullat e adhurimit .Shumë shkencëtarë  i  kanë identifikuar Pellazgët me Arvanitasit e sotshëm ” (Gjuha e Perëndive , Aristidh Kola,2003)

”Gjaku shqipëtar që rrjedhë në venat tuja më bëri të të përkushtoj këtë libër ,  bija ime,që ta kesh gjithëmonë afër që mos të harrosh kurrë mëmëdheun tëndë dhe gjuhën tënde ëmtare, vlerat  e së cilës do t´ia njeh  e ardhmja . Në shekullin që t´i do të jeton do ti takon si burrit ashtu edhe gruas, dhe nëse mundesh të bën atë që e bëri yt at që nuk ishte shqiptar. Puno sa të mundesh për të rigjallëruar gjuhën e paraardhësve tanë të përbashkët sepse edhe unë si europian që jam rrjedhi nga pellazgët  e rrënjës (autokton)  që e populluan Europën , këtë kontinent të madh ishullor që jeton në tokë  dhe që ishte rrugë e kalimit dhe vendosjës e familjes së madhe dhe inteligjente të njerëzimit” .(Konstainipojë ,31,12 .1893 Edourd Schneider) (Letra e autorit Edourd Schneider  dërguar bijës së tij në librin: “Pellazgët, dhe pasardhësit e tyre” Paris 1894)

“Fjala “MENI” në këtë rast duhet të ishte shpallur si fjala më e vjetër e shkruar e gjuhës shqipe. Për mendimin tonë nuk ka shumë rëndësi kush e gjeti këtë fakt dhe në çfarë dialekti është shkruar fjala, rëndësi më të madhe ka, që këtë fakt ta bëjmë të dobishëm për gjuhën dhe kulturën tonë. Me këtë hap gjuha shqipe do të kalonte si vjetërsi e shkruar nga viti 1462 në vitin 750 p.e.s., kur pranohet se Iliada është formuluar në formën e shkruar. Në këtë mënyrë të thjeshtë gjuhës shqipe vjetërsia do ti shtohej rreth 2213 vjet, d.m.th. vjetërsia e saj do të kalonte në vitin 750 p.e.s. Në këtë mënyrë gjuha shqipe do të renditej gjuha më e vjetër e shkruar e rajonit të Egjeut. Kjo është një nder i madh që mund ti sjellim gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.( Lutfulla Peza & Liljana Peza : Në kërkim të të rrënjëve të gjuhës shqipe) “

Nga këto tri libra e nxorra këtë përfundim  që me të vërtetë duhet të jemi krenar që e flasim këtë gjuhë hyjnore dhe që i takojmë dhe je jemi pasardhësit e denjë e një populli të stërstërlashtë-pellazgëve. Nga kjo më lindi edhe ideja e këtij lloj shkrimi i cili e ka qëllimin që mohuesit dhe stërmohuesit e kombit ,gjuhës sonë  dhe trashëgimisë sonë hujnore  më në fund tí bindë që të heshtin. Nga këto libra dhe libra të tjerë mund të shofim dhe të bimdemi se pse kemi aq shumë mohues, edhe nga kombet tjera.Po pra, jemi trashëgimtarët e vetëm të gjallë të pellazgëve-ilirëve.

“A kemi prova që të na bindin se gjuha e Pellazgëve ishte ajo gjuhë flitet set nga shqiptarët (Shkyptars). Po, përgjigje studjuesi , sigurisht që kemi dhe kemi prova që nuk mund të kontestohen . Për të shtruar drejt hipotezën e vërtetë e dijmë që nga gjuhet e vjetra e kemi vetëm pellazgishten e cila në vazhdimësi është përdorur nga Epirotet, Thesalët, Thrakasit, Ilirët Dardanët dhe të tjerët, një gjuhë që ende e flasin shqiptarët e sotshëm (E.Sch)

Nëntë muzat e Mnemosines (Mνημοσύνη)Të nëntë muzat sipas mitologjisë ” greke.” ishin:Calliope (E epikes)Clio (Histori),Erato (Dashuri),Euterpe (Musikë),Melpomene (Tragei)Polyhymnia (Hymnet),Terpsichore (Vallzimet),Thalia (Komedi)

Urania (Astronomi). Por si linden keto ?

Gruaja e Jupiterit ishte Mnemozina e cila i lindi të nëntë muzat, te cekura më lartë.

Si lindi fjala Mnemozinë? Kete e spjegon Pellazgishtja e dikurshme ose Shqipja e sotit: Mne – Ment,Mendje ,inteligjencë dhe msoi , me m sue , nga rrenja me msu. Msonje e paraqet atë që të mëson dicka, dhe ment – menja ,te menduarit . Pra Mnemosina ishte perëndesha e te mesuarit ,nga e cila linden të nëntë muzat , ne greqisht Muze qe rrjedhë nga shqipja Msois -mësuese , arsimtare. Lum ne, për gjuhën tonë të perëndive.!

A duhet të studjojmë? A duhet harruar të kaluarën? A t´i mëshojmë grusht gjuhës sonë hyjnore dhe historisë sonë pellazgjike? JO! Nga rrjedhë fjala defter (tefter, defteros etj) .Te vjeter jemi !Ne kete liber  shkruante Edouard Schneider  se defter i  thuhet librit ,që rrjedhë nga dy fjalë pellazge ( lexo sot shqipe) dy & ftyra ose dyftyra që në menyrë alegorike shpesh për  të m´shehur të vërtetën në libër. Një fytyrë e verteta dhe fytyra tjeter e mëshefur ne liber.Libri nuk ishte per gjithkend.(Edouard Schneider ,1897, E verteta pellazgjike).

Ju kujtohen turqit ,grekët dhe serbë se si na thoshin që mos të mësojmë se hidhërohet zoti me ne kur flasim shqip?

 

Fahri Xharra

11.01.14, Gjakovë

***

Anton Pllumaj

ALFABETI ILIRË
Vinça – Lokalitet e liman (skele) në Danub afër Beogradit (Serbi) – i njohur për gërmime arkeologjike.
Anal.etim.
Vinç-i = çekërk për ngarkim – shkarkim. Për të pas para sysh gjenezën autentike të toponimit duhet të vlerësohen përshkrime gjeografike e historike.
Si lokalitet arkeologjik, larg e tejkalon rëndësinë e kufinjëve lokalë. Stratifikimet e shtresave arkeologjike, sipas të dhënave materijale deshmojnë se Vinça është qendër banimi qe nga Neoliti, Eneoliti dhe Halshtati (epokë keramikore e më vonë të veglave e paisjeve të bronzit e të metalit).
Pozicioni i vendbanimit tregon se civilizacjoni lind afër lumejve, liqejve (p.sh: Eufrat, Tigri, Nili etj.) atje ku ka kodita të volitshme për ndërtimin e sistemeve të irigacionit e të krijimit të kulturës ”terra mare”, e cila ka ndikuar zhvillimin e sajë në tërë Ballkanin deri në Kretë, Azi të Vogël e në krejt Mesdheun. Vinça është zhvilluar duke u bërë djep i hershëm i civilizimit, të kulturës materijale e shpirtrore – që reflektoi në jug, lindje e perëndim.
Përveç zbulimeve epokale në kohën e fundit është zbuluar alfabeti ilirë – autentik me alfabetin Etrusk të cilin Ilirët e kanë mbartur në Itali.
Prandaj alfabeti ilir u shndërua në vatër të kulturës të Mediteranit e më tutje.
Shkrimi (alfabeti) ilir bëhet Matricë për alfabetet e popujve mesdhetarë e kontinentalë.
Veçanarisht duhet theksuar kontributi vendimtar i librit ”Fundi i misterit etrusk” të profesorit të Sorbonës, Zahari Majanit, i cili solli zbulime të reja në linguistiken shqiptare, duke e detyruar kombin shqiptar e historinë e tij për merita të absolvimit të gjuhës etruske, duke zbuluar bazat autentike me gjuhën shqipe.
Në zonat dialektore të Veriut shqiptar që nga lashtësia janë ruajtur oazat paleodialektore, me forma arkaike të moroflogjisë, por edhe me kuptimin e sotëm semantologjik.
Shkenca gjithnjë e më tepër po nxjerr nga thellësitë e errta të së kaluarës: të vërtetat, faktet e çmuara nga historia e këtij populli. Literatura shumë shekuj ka qenë e errësuar dhe e pavlersuar si problem i rëndësishëm, kurse tani po shndërrohet në sistem të studimit. Pa njohjen e vërtetë të së kaluarës historia mbetet e paqartë dhe e errët. Historia, arkeologjia, linguaistika, toponomastika, nuk i kanë thënë të gjitha. Iliria nuk mund të mbetet ”terra incognita”.
Përshkroi: Anton Pllumaj, Tuz – Malësi e Madhe (nën Malin e Zi) me 13.05.2013.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, gjuha shqipe, gjuhe e perendive

Giuha, Kultura, Identiteti

January 5, 2014 by dgreca

Shkruan: Nik Klementi/ New York/

Giuhsia krahasuase mund te n’a pasbarti[1] ne ravat e protoshqipes, e cila do te na ndihmonte per te zbulua protoshqiptarin – shqiptarin autentik.  Por, ngase shqipja ka nise me u shkrua vetem tash 500 vjet, rindertimi i plote i saj asht i veshtire.  Persiatja[2] veshtirsohet ma tej edhe ngase faktet mungojne, jane te brishta, ose jane tujge[3] nga koha.  Perfundesisht, si ne chdo fushe studimi te paperkufizuame kjartas, disa oportunista ka kohe qe po i vertisin shqipes nje fercalle[4] hipotezash te ftilluame[5] ne hulli joshkencore.

Giuhsia shqiptare asht errtua[6] edhepse ajo asht bazua me teper perkushtim ne traditen e shkruame.  Ky pikveshtrim ishte i logjikshem per giuhet e evropes prendimore ku te folunat visnore[7] u paten shkime nga revolucionet industriale dhe mediatike shekuj para standardizimit.  Por ne Shqiptarí ne gjejme edhe sot te foluna burimore ne Chamri, Labri, Dardhe te Korches, Mirdite, Diber, Lume, Drenice, Grude, Rugove, Dukagjin, Puke, Kerchove, dhe shum vende te tjera.  Ne fakt, febrimi[8] i vetsive[9] visnore te shqipes ne vjetet 1950-60 nga dialektistat profesioniste te Shqiprise tregon se shumica e shqipfolsve te asaj kohe flitnin pothuaj njefaret si shqiptaret e Shekullit te Xte psd.

Hulumtimi i te kaluames se shqiptarve pengohet edhe nga konteksti i lavrimit te giuhes sone sepse giate 450 vjetesh pushtimi nga osmanet, lavrimi zyrtare i shqipes ishte i ndaluam.  Vetem per 150 vjet, nga shekulli 19te deri ne gjysmen e pare te shekullit te 20te, giuha shqipe njohti nje perpjekje rilindore.  Kjo pauze historike u pré ne vjetin 1944 kur gegnishtes, giuhes se 70% te shqiptareve, iu mohua e drejta zyrtare dhe komerciale e lavrimit.  Keshtu, nga Shekulli 15te, kur giason se ne Shqiptarine veriprendimore egzistonte nje shtrese elitare qe fliste nje shqipe te kultivuame, giuhes se shumices se shqipfolesve nuk i asht dhane mundsia me tregua versatilitetin[10] e saje.

Para Luftes IIte, pasunia giuhsore e kulturore e shqiptarve u pat ba baza e lavruasve ma te epert te shqipes, nga Frasheri e Poradeci te Mjeda e Fishta.   Por, pas fitores se komunizmit ne Evropen Lindore, vlerat giuhsore e kulturore te popujve evrolindore u paten perzgripe[11] per t’i ba vend kultures, giuhes, fjalorit, dhe moralit marksist—proletarizmit.  Prototipi i proletarit, puntorit analfabet te fabrikes, e pershtyni[12] prototipin e evrolindorit ne buze te shkimjes, to e etiketua ate si tip arkaik, te pazhvilluam, penguas te civilizimit proletar, dhe te padeshiruashem.  Sa ma e epert te ishte klasa parakomuniste, aq ma e lige konsiderohej ajo nga regjimet marksiste-leniniste te Evropes Lindore.  Por, sot, ne nje kohe post-proletare, duhet t’u rikthehemi huajve[13] qe dhãjne[14] kah  rrajet e giuhes, kultures, dhe identitetit tone; kah vetsite lenore[15] te shqipes e shqiptarit, dhe te zhbajme gabimet te cilat vazhdojne me enzgrape[16] e me regjua[17] kurmin e kultures, giuhes, dhe identitetit te shqiptarit.

Ndeshtrashat[18] e kane fuar[19] dhãmjen[20] e shqiptarit kah pervutsia[21].  Por, ngajehere, zgripimi[22] ka edhe silsi pozitive—ai mund te kushtezoje ruajtjen e vetsive lenore[23].  Keshtu, malsoret shqiptare, nga Chamria e Labria deri ne Mirdite e Rugove, megjithse te angeshtuam[24] nga perzanja prej hordave lindore, ruajten nje giuhe e kulture relativisht te dlirte nga ndotjet e huaja.  Kjo pasuni e lashte dhe autentike duhet te ne nzisi qe t’i riamsohemi[25] evropes dhe te shvasalizohemi[26] nga orienti dhe lindja.  Kjo asht e vetmja menyre per te afirmua identitetin tone evropjan.

Ndeshtrashat[27] e kane tryse e fuar[28] dhãmjen[29] e shqipes.  Por, ngajehere, zgripimi[30] ka edhe silsi pozitive—ai mund te kushtezoje ruajtjen e vetsive lenore[31].  Keshtu, malsoret shqiptare, nga Chamria e Labria deri ne Mirdite e Rugove, megjithse te angeshtuam[32] nga perzanja prej hordave lindore, ruajten nje giuhe relativisht te dlirte.  Kjo pasuni e lashte dhe autentike duhet te ne nzisi qe t’i riamsohemi[33] Evropes dhe te shvasalizohemi[34] nga orienti dhe lindja.  Kjo asht e vetmja menyre per te afirmua identitetin tone Evropjan.

 



[1] pasbartë – me bart prapa në kohë;  me kthye prapa në kohë

[2] përsiatë – me analizua

[3] tujgë – me zbutë dishka të ngurtë to e lagë me ujë

[4] fercallë – shi e bor i shtymë nga një erë e fortë

[5] ftillua – me shpalosë

[6] errtua – gabua

[7] visnore – dialektale

[8] februa – me rëmua; me zhbirua një cheshtje

[9] vetsi – pasje tiparesh unjike që rrjedhin nga natyra; vetsia e një përsoni ose gjaje

[10] versatilitet – aftësia për t’u përdore në shum mënyra

[11] përzgripë, me u – përshty; margjinalizua; shty në zgrip, në buzë, në anë

[12] përshty – margjinalizua

[13] huall – vijë; hulli, brazdë (khs. huall > hulli > hullim > hulumtim; hual > hoje > hullime)

[14] dhâ, me – 1) me shty; 2) me qëllua dikë ose diçka, 3) ka të njëitin kuptim si fjala sllave ‘mbëshua’.

[15] lenore – burimore; natyrore (me lé + prapashtese;  khs me lat. nate + prapashtese)

[16] enzgrape,me –  me zgrap dichka thelle ne trup

[17] regjua, me – tkurre, ngushtua

[18] ndeshtrashë – problem; pengesë; dishka që duhet tejkalua per të arritë qellimin

[19] fuar, me – me i zanë frymën dishkaje; me i ndalua rritën ose zhvillimin dishkaje.

[20] dha, me – me ecë përpara me forcë; (khs. me fjalën greke ‘dinamo’ dhe fjalën latine ‘duresë’)

[21] pervutsi – civilizim

[22] zgripim – përshtymje; margjinalizim; shtymje përãnet; qitje buzet; shtymje në zgrip.

[23] lenore – natyrore; burimore; origjinale; autentike; të lemen

[24] angështua – me u ndje ngusht, fizikisht dhe psikologjikisht

[25] riamsua, me – me u rikthye në gjinin e amës

[26] shvasalizua, me – me këputë lidhjet vasalizuase, nënshtruase me eprorët

[27] ndeshtrashë – problem; pengesë; dishka që duhet tejkalua per të arritë qellimin

[28] fuar, me – me i zanë frymën dishkaje; me i ndalua rritën ose zhvillimin dishkaje.

[29] dha, me – me ecë përpara me forcë; (khs. me fjalën greke ‘dinamo’ dhe fjalën latine ‘duresë’)

[30] zgripim – përshtymje; margjinalizim; shtymje përãnet; qitje buzet; shtymje në zgrip.

[31] lenore – natyrore; burimore; origjinale; autentike; të lemen

[32] angështua – me u ndje ngusht, fizikisht dhe psikologjikisht

[33] riamsua, me – me u rikthye në gjinin e amës

[34] shvasalizua, me – me këputë lidhjet vasalizuase, nënshtruase me eprorët

Filed Under: Kulture Tagged With: gjuha shqipe, Nik mehmeti

Gjuha shqipe në Shqipëri

December 12, 2013 by dgreca

Shkruan: Prof. Dr. Agron F. Fico/Tirane/*

Titulli i shkrimit  dikujt, ndofta, do t’i duket i habitshëm ose edhe i panatyrshëm, por dëshiroj të shpreh thjesht një shqetësim qytetar, një alarm dhe mbi të gjitha një ndërgjegjësim të domosdoshëm për gjendjen e çoroditur të gjuhës shqipe në ditët tona.

 “Mirëseerdhët”, pra me një shqipe të cunguar, shkruar mbi qemerin e portës së hyrjes kryesore të qendrës së re moderne tregtare “Concord Center”, vizitori hyn në sallat plot njerëz dhe mallra nga më të ndryshmet. Ishte dita e dytë dhe tek hyrja kishte radhë, duhej të prisje; kështu gjeta mundësi të flisnim me rojet për këtë gabim drejtshkrimor. Atyre iu duk i pakuptimtë, në mes asaj zallahie të turmës ky meraku ynë i vockël. Hymë brenda dhe, si vizituam disa sektorë mallrash, u ulëm dhe rufisëm nga një filxhan kafe në mes të shtëllungave të tymit. (Ligji për ndalimin e duhanit në mjediset publike është futur në arkivat e buriokracisë administrative). Duke rufisur kafe e duke dialoguar me gruan, edhe ajo është një mësuese e pasionuar e gjuhës shqipe, se cili do të ishte shkrimi i saktë i fjalës në qemerin e ndërtesës, shkrova në një skedë variantet e saktë: Mirë se erdhët!, Mirë se vini! (Shih: “Drejtshkrimi i Gjuhës shqipe”, 1973, f.132, parag.67 B, f). Në dalje të ndërtesës skedën ia dhashë njërit nga rojet. Ai qeshi dhe, si e palosi skedën, e futi në xhepin e pasmë të pantallonave.

Ai ishte në të drejtën e tij, se shkolla nuk ia kishte mësuar drejt dhe saktë rregullat e drejtshkrimit. Ky lokucion pasthirrmor ishte shkruar jo saktë, ashtu siç janë me dhjetëra e dhjetëra tabela institucionesh e dyqanesh, emra rrugësh etj. me gabime gjuhësore. Po edhe këto nuk janë aq shqetësuese para masakrës gjuhësore, që bëhet në seancat e ndryshme të Parlamentit shqiptar. Aty do të dëgjosh  jo vetëm  dialektet dhe nëndialektet e shqipes,por edhe të folmet  e fshatrave dhe lagjeve  të ndryshme  nga qytete  dhe rrethet e Shqipërisë.

Në fjalimet, replikat, dialogjet e mjaft deputetëve kolltullofagë do të dëgjosh, në gojën e tyre të çthurrur e plot broçkolla, se si përlyhet dhe njolloset gjuha e bukur shqipe.

Këta parlamentarë shqip-prishës janë po ata që përdorin edhe më shumë fjalë, ndërtime dhe shprehje gjuhësore të huaja.

 

Masmedia, qoftë ajo e shkruar ose e folur, është më e papërgjegjshmja për thesarin gjuhësor. Gjen ose dëgjon ndërtime, fjalë dhe shprehje larg standartit të gjuhës letrare. Përgjithësisht ka një varfëri të leksikut dhe, rallë tepër rallë, gjen përdorimin e mënyrave habitore, dëshirore, që i japin ngjyrimin shqiptar frazës së shkruar ose të dëgjuar. Mungon dora e redaktorit gjuhësor nëpër gazeta ose programet televizive.

Më e pakëndshme është gjuha shqipe në librat e përkthyer. Edhe pse janë përkthyer e përkthehen shumë tituj nga letërsia e popujve të ndryshëm të botës e ke vështirë të gjesh ndonjë përkthyes të përkushtuar. Dihet se përkthimi është krijim/ punë krijuese. Ne kemi  tradita të pasura në lëmin e përkthimit dhe kemi pasur përkthyes të shquar me Fan Nolin në krye. Po përmendim pak prej tyre si: Skënder Luarasi, Vedat Kokona, Sotir Caci, Enver Fico, Rober Shvarc, etj. Përkthimi i dobët, cilësia e ulët ka qenë dhe është edhe një ndër faktorët e rënies së interesit për librin e huaj dhe shitjes së tij.

 “Gjuha shqipe, ka shkruar gjuhëtari i madh Eqrem Çabej, është tabani i tabaneve të kombit”. Këtej buron edhe nevoja e ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe institucioneve të saj për të mbrojtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe në standartin e shoqërisë demokratike e europiane që po kërkojmë të ndërtojmë. Rol parësor dhe kryesor ka institucioni i shkollës. Është për të ardhur keq që gjuha shqipe është hequr nga plani mësimor i shkollave të mesme. Pra brezi i ri shkollor e shkëputet mjaft herët nga mësimi i gjuhës shqipe. Kjo ndihet qartë edhe në vitet e univeristetit. Është viti i dytë që jap anglisht në Fakultetin e Mjekësisë dhe studentët në fillim të semestrit të parë shfaqin dobësi dhe mungesa në gjuhën shqipe, prandaj u them se “kam ardhur t’ju mësoj gjuhën shqipe, se kështu do ta keni më lehtë të përvetësoni gjuhën e huaj, anglishten.” Përfundimet janë të dukshme në fund të vitiiti mësimor.

Ministria e Arsimit duhet ta rishikojë seriozisht vënien e gjuhës shqipe në shkollat e mesme, të nxisë hartimin e teksteve seriozë dhe të qëndrueshëm për gjuhën shqipe me bashkëpunimin e specialistëve të njohur të gjuhësisë e me mësues me përvojë të ciklit të shkollës së mesme.

Ministria  e Arsimit dhe Sporteve, si dhe shoqëria civile , duhet të alarmohen nga shiftat tronditëse të  rritjes së analfabetizmit. Të mendohet me përgjegjësi dhe në mënyrë krijuese.Krahas masave dhe progrmave shtetërore  mund te kerkohej edhe ndihmesa e arsimtartëve tane, atdhetarë dhe të përkushtuar.

Është ogur i mbarë për gjuhën shqipe që qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorti, që në ditët e para të saj vendosi detyrën e redaktorit gjuhësor në institucionet kryesore. Madje vetë Kryminstri  Edi Rama, ka një përkushtim  e kujdes të veçantë  për gjuhën shqipe.Kjo u pa dhe  ra në sy, siç e vri  në dukje edhe  masmedia,   në  fjalimin dramatik për amët kimike siriane. Dilema hamletiane “Të pranohet apo të mos pranohen armët kimike siriane”, që ishte thelbi i dalogut midis qeverisë, popullit, kombit shqiptar dhe kryemikut, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u shtjellua në një stilistikë gjuhësore në të cilën gërshetohej stili nolian me përdorimin e mënyrës kushtore të së ardhmes dhe sarkazma therëse e Konicës. Qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe bashkëkombasit tanë, kudo që janë, bashkë me vendimin e mundimshëm, por të drejtë e historik, shijuan edhe pamfletin e bukur gjuhësor.

Në fund një sqarim, që të mos shqetësohen si dashamirësit e shkrimit edhe ata jodashamirës. Esenë e shkrova thjesht si qytetar, ose më saktë me përgjegjësinë time qytetare për gjuhën e shtrenjtë dhe të shenjtë shqip e jo si profesionist. Për më tepër, larg qoftë, të hyjë në sferën e Akademisë sonë të Shkencave ose Qendrës së Studimeve Albanologjike, të cilat të lodhura nga heshtja “akademike” rrinë larg sfidave madhore dhe detyrimeve ndaj taksapaguesve shqiptarë. Nuk thanë asnjë fjalë, madje as gjysmë fjale për armët kimike siriane (shih shkrimin tim “Letargjia e Akademisë së Shkencave” tek “Shekulli”, 23 nëntor 2013, f.9). Ndërsa për gjuhën shqipe, një ndër kulmet e diskutimeve të tyre është përcaktimi se cilat fjalë të gjuhës shqipe duhet duhet të shkruhen me “ë” me dy pika dhe cilat fjalë me shronjë të madhe!

Me  më shumë dashuri dhe përkushtim për “gjuhën tonë” shqipe, i dashur lexues, dhe të frymëzuar nga filozofia e Rilindasit të madh, poetit Naim Frashëri për gjuhën shqipe si “gjuhë e mirë, e ëmbël… e bukur e plot vlerë”, dhe ajo do të krenohet me folësit e saj.

Tiranë,  dhjetor 2013

*Falenderojme autorin qe e dergoi artikullin per Diellin

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: gjuha shqipe, ne Shqiperi

Gjuha shqipe, e mira, e mjera

November 10, 2013 by dgreca

Po përse u dhunue shqipja,thoshte dikur moti miku im i ndjerë z.Daniel Gazulli/

Nga Daniel Gàzulli/

HYMJE E TRISHTË/

– Para TV/

Jam para një stacioni televiziv të Tiranës. Ndjek fundin e lajmeve e mandej një pjesë të koncertit në vijim të tyne. Ndjehem i lodhun e i trishtuem.
Folësi i lajmeve shprehet si të ishte një i huaj që me mundim ka arrijtë me e kapë disi shqipen, por gjithësesi asht ende i pasigurtë. Fjalitë janë gjithë “qoshe”, me një renditje të gjymtyrëve pa kurrëfarë logjike, thekset çvendosen sa andej këndej pa kriter, mbrapashtesat janë krejt të pavend, fjalët e hueja, që nuk rrinë kurrkund në kontesktin e lajmit, vërshojnë e përbaltin shqipen mjerane të djaloshit të “pispillosun”, një “inglishmeni” tipik, që, prej se nuk di shqipen, e përbaltë me barbarizma, si i gjithë lloji i tij hibrid.
Mandej i vjen rradha koncertit. E drejton një vajzë, që, po të mos fliste, do ta kishte anda me e kundrue. Po nis e flet e atëherë të mbërthen prap ai trishtimi i parë. Në “shqipen” e saj ka vetëm ndonjë nyje, ndonjë mbrapashtesë ….. turke e … një mjerim të pafund gjuhësor. Vërshojnë “prestigjoz” e “famoz”, “shyqyr” e “grazie”, përemna të pakufishëm në vend të vetorëve, fjali mungesore që u mungon edhe kumti ma i thjeshtë, nëndialektalizma të nxjerra nga syndyqet e gjyshes dhe O. K..
Nuk ka vend me thanë “Fale, Zot, se nuk di çka ban”.
Marr pultin e kaloj tek një stacion kosovar. Të duket sikur gazetarja e ka harrue serbishten e po përkthen me vështirësi, aq shqipe të përçudnueme flet. Sa për omonimet e toponimet nuk merr as mundimin me i përkthye pse i shqipton serbisht. E me iu përshtatë “standardit”, flet një labçe të rreshkun si të Malo Smokthinës.
Shuej televizorin e rri e mendoj. Po s’ke pse mendohesh gjatë. Kjo vorfni gjuhësore, pa dyshim, ka dy shkaqe:
– Vorfnimi që i bani shqipes famëkeqi Kongres i Drejtshkrimit i vitit 1972, që i preu arterie e vena, i këputi mish e i shpuploi koca, e degdisi në një fosile të ngurrtësueme që s’asht as tosknisht, jo ma shqip;
– Një lloj i ri “inglishmenësh” të Tiranës e të Prishtinës, “zengjinë të ri”, që kanë gazeta e televizione, kanë vajza të bukura, që i veshin (o ma mirë – i xhveshin) “allafranga” e u venë një mikrofon në dorë edhe pse veçsa “nuk i le hunda me hangër bar”, si thonte im atë, ndjesë pastë, aq berr janë.
Dhe e keqja as fillon e as mbaron këtu. E keqja filloi atë ditë që erdhën në pushtet « sejmenët » e shkjaut, komunistët. E keqja vijon me po ata ndër institucione, gazeta, televizione, që “sakën” se tunden prej “istikameve bolshevike” të 1972 e nuk pranojnë të ndryshojnë një presje, sikur vendimet e marra nën vështtrimet e rrepta e trysninë ma të egër të pushtetit të kuq të ishin libri i shejtë i shqipes.
E vorfnimi i shipes vijon pa mëshirë.

1. Po përse u dhunue shqipja?

“Edhe ta kishim në dorë s’jemi nga ata që kllasim gjindarmërinë në fushë të mendjes”
Faik Konica

Përgjigja asht e thjeshtë: Në vazhdën e tragjikes “luftë e klasava”, zbatue skajshëm si askund tjetër në Shqipni, sa çoi në tjetërsimin e njeriut, nuk duhej lanë gja pa provue: aty edhe gjymtimin e gjuhës shqipe, largimin e saj prej rrajëve pellazgo-iliro-shqipe, vofnimin e saj aq sa të mos të mund të lexoheshin e të kuptoheshin ata që na lanë trashigiminë ma të shtrejtë gjuhësore e kulturore, prej Buzukut te Fishta, shkëputjen prej kulturës europiane pjesë e së ciles jemi që në ag të historisë njerëzore, përçamjen në mes krahinave e besimeve, të gjitha këto veç me muejtë me mbajtë ma lehtë sundimin gjakatar.
Si çdo komb, si çdo popull, edhe na kemi vlerat e të metat tona. Por nëse kemi tri dukuni për të cilat vërtetë mund të krenohemi, ato janë:
– Jemi populli i vetëm në Europën Jugore e ma gjanë që trashëgojmë një gjuhë që i ka rrajët qysh para se të shfaqeshin në histori Roma, Athina e vetë Troja;
– Jemi ndër popujt e paktë që nuk patëm kurrë përplasje e urrejtje në mes krahinash;
– Jemi ndër të paktët popuj, aty edhe popuj të quejtun “djepi i qytetnimit”, ku nuk ka pasë kurrë as ma të voglin konflikt ndërfetar.
Po kishte ardhë “kolera e kuqe” e rrajët duheshin pre, duheshin tha, përçamja duhej të kishte të gjitha ngjyrat, aty edhe ato mes toskësh e gegësh, në mes të krishtenëve “reaksionarë” (prandaj edhe duheheshin pre rrajët me ta) e pjesës tjetër të popullit, duhesh shkatrrue gjithçka ishte ma e shëndetshme që të sundohej ma lehtë. Asnjë arësye tjetër “shkencore” nuk mund të kishte në këtë gjymtim, pse të bahej fjalë për “njësim të shqipes” ishte antikombëtare, pse shqipja e njësueme ka qenë që në krye të kohës. Tash po, mbas shëmtimit të 1972, ajo nuk asht ma e njësishme, por vetëm një pjesë e trungut që mezi ushqehet në rrajët së shumti të preme e shtërzon e lodhun.
E kjo u arrijtë tue “kallë gjindarmerinë”, i miri Konica, në fushë të mendjes, me fjalë të tjera, me dhunë të pushtetit komunist.

2. Si u dhunue shqipja?

E para, tue shpla trutë e njerëzve nga kujtesa historike, sikur para kolerës së kuqe nuk kishte gjallue asgja në Shqipni e lum na që na erdhi kjo farë e mbrapsht.
Së dyti, shtrimi i çashtjës së gjuhës si dukuni e luftës së klasava e tue e shtri këte luftë tashma edhe në plan territorial.
Së treti, tue qitë në harresë, ku me të ndaluem me ligj, ku me zhdukje të veprave e deri të vorreve të Atdhetarëve të akullt, atyne që na kishin lanë porosi dashuninë për Shqipni, pse Atdhetaria u quejt nacionalizem e si rrjedhojë antagoniste me ideologjinë komuniste.
Pikërisht për këto arsye u harruen përpjekjet sa të fisme aq edhe shkencore të Komisisë Latrare të Shkodres 1916/17, u lanë në harresë përpjekejt që banë atdhetarë e gjuhëtarë të dorës së parë, aty edhe në kohë te fashizmit, për një shqipe “të përbashkme”. “U vendue – thuhet në njoftimet e punimeve të Komisisë – me themelue nji orthografi sa ma tepër të përbashkme për të dy dialektet”.
E u shkue deri atje sa shkodranishtja u “çpall” “gjuhë e klerit reaksionar”. Ajo, si gegnishtja mbarë, u shpall gjuhë “e deklasuar”. (Se si mund të quhet një gjuhë që flitet prej ma se katërmijë vitesh “e klerit reaksionar”, apo “e deklasuar”, veç mendjet e çorodituna mund ta rrokin).
Shkruen M. Elezi: “Politika gjuhësore dhe gjithë politika ndaj Veriut synonte shfaktorizimin e Shkodrës e të krejt Veriut si qendër e mbështetje e palëkundëshme në përpjekjet e gjithë shqiptarëve me e kthye Shqipninë kah vlerat kombtare, kah Perëndimi, kah vetvetja”.
U shpërfillen edhe mendimet e gjuhëtarëve të medhej si Majer e Jokli, pse ata, gjuhëtarë borgjezë, nuk kishin pasë fatin të njihnin veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë!
Veriu u identifikue me Kishën Katolike (që i bante e i ban nder pse, si asnjë simotër e saj, ka dhanë ndihmesë të paçmueshme e të paçmueme si në ruejtjen e gjuhës e të kulturës amtare, ashtu edhe në përhapjen e kulturës europiane, jo që ka qenë nxitësja kryesore e lëvizjeve për liri), e si kundërshtare e kolerës së kuqe, u masakrue ma barbarisht se askund tjetër në botë.
E u mohuen shkollat. Na del se e para shkollë na paskish qenë themelue aty kah fundi i shekullit XIX në Korçë, kur të dhana të drejtpërdrejta e sidomos të tërthorta na mësojnë se shkollat në këto anë duhet të kenë mbi dymijë vite. “Na shkronjat i morem prej Ilirëve”, thotë Plini. Janë të dokumentueme shkolla të mesme të paktën në shekullin XVII në mbarë Veripërendimin. Në Obot kishte shtypshkronjë qysh më 1493. Çka kishte me iu dashtë shtypshkronja një populli që nuk di me shkrue e me lexue? Por jo, zotnijë, jo, na nuk duhej të kishim rrajë, a t’i kishim ato sa ma të pakta, sa ma të cekta, që të shpallnim ardhjen e Zeusit të Kuq si shpëtim e përparim për këtë Vend.

3. Çfarë humbi shqipja?

Puna për shkatrrimin e shqipës filloi me ballafaqimin rrënues në mes dy “kryedialekteve”, në vend që të flitej e të punohej për një gjithëpërfshimja, për mospërjashtime, për trajta që të ruenin mbarëshqipen e të banin lehtësisht të kuptueshëm si Naimin ashtu edhe Fishtën. Filloi, pra, me asgjasimin e ma shumë se gjysës së trungut deri në rrajë – me shpalljen jashtë ligji të gegnishtes. Jo se tosknishtja asht pa vlera, Zot na ruej, asht shqipja ime, por, si e kanë thanë të tjerë para meje, një dialekt asht gjithmonë ma pak e ma i vorfen sa mbarë gjuha.
Në kohën kur flitej për marrjen si “pajtor” të të folmes së Elbasanit, maraku i Fishtës, Mjedës etj., ishte mos me humbë asnjë formë të randësishme të tosknishtes.
Mustafa Merlika, një prej të mohuemëve të mëdhej, dje e sot, thotë se do të marrim dialektin e Elbasanit si pajtor, por tue përfshi mbarë shqipën.
E shembuj se si atdhetarë e gjuhëtarë të dorës së parë, jo Manol Konomë mjeranë e lloji i tij që e shitën shpirtin shtatë herë, kambëngulnin për një normë gjuhësore gjithëpërfshimëse, mund të sillen pa numur, prej 1916 (Komisia Latrare e Shkodres) deri te Fashizmi i zi (por do të vinte “Fashizmi i kuq” që do të shembte me themel gegnishten “reaksionare” – Zot na ruej mendt e kresë, deri ku mundet me arrijtë urrejta e verbueme!).
Pra, qysh në krye duhet thanë se me famkeqin Kongres të Drejtshkrimit 1972 shqipja humbi njëherëemirë gegnishten, pasuninë e saj kulturore (prej Ciklit të Kreshnikëve te Migjeni, prej Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit te Fishta, prej të amblit Mjeda te rrëfimet e Anton Harapit), humbi një pasuni të pallogaritëshme leksikore e frazologjike, humbi një formë të menduemi e të shprehuni, humbi shpirtin e pjesës ma të madhe të popullit të vet. Se kur humbë gjuhën, humbë shpirtin.
Merrni Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe e do të prekni me dorë aty flijimin i një pasunie të pallogaritëshme të gegnishtes, nësa u hapeshin dyert në katër kanata fjalëve me prejardhje greke apo sllave (nuk po flas për turqizmat “kamturqisht” edhe në trajtesat e “shokëve gjuhëtarë”) .
Nësa në të dy fjalorët, atë të quejtun të Drejtshkrimit, ashtu edhe në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, ndesh fjalë të hueja, ma krejtësisht të hueja, që s’kanë si hyjnë kurrsesi në fjalor të shqipes, si: banjë maria, delikt, alivanosem, e sa të tjera;
apo fjalë të shtresimeve të ndryshme kohore, sidomos prej turqishtes e greqishtes, por edhe prej frëngjishtes, italishtes e gjuhëve sllave, kur egzistojnë përkatëset shqipe, madje nuk u shënojnë as prejardhjen e me cilësue se egziston kjo përkatëse shqip, si: açik, adet, alamet, e ba me shkue deri te “zh”-ja do të duheshin katërdhjetë faqe;
fjalët e mirëfillta shqipe, ma krejtësisht shqip e me prejardhje shpesh prej ilirishtes e ma heret, ose nuk përfshihen asfare në fjalor, ose cilësohen “e vjetër”, “krahinore”, sa mos me thanë “gegnisht”, pra, simbas kësaj logjike të mbrapshtë, jo shqipe. Nuk m’u desht as një orë punë me gjetë (pra mos me gjetë) se në FGJSH mungojnë fjalë të përdorimit të përditshem në Sapë (Zadrimë) si: akulltar/-e, anx:ë/-a, azull/-i, ballot:ë/-a, bam/-i, -e, bërgajn:ë/-a, birth-i (pse kemi turqishten çiban), brezhël/-a (kancer/i), brig/-u, cangull, me cokë, deh!, me u dejë, ding, me u djergë, kërcalë, me llokë, mangën/-a, miellc:ë/-a, me miklue (përkëdhelë), me përdahë, pllojcë, porrc/-i (apendisit/i), shij:ë/a, e deri tek neologjizma aq e bukur që ndeshim te proverbat e mbledhuna prej Frang Bardhit: i përmielltë. Këtu ka njëgjasend: ose fjalët gege që nuk janë në tosknisht nuk merren si shqipe, ose të quhet Fjalori i ! Tosknishtes. Si mund të përjashtohet nga gjuha amtare me kaq papërgjegjësi thesari i saj ma i vlefshëm!? Me ç’të drejtë shkencore e morale bahet tosknizimi i fjalëve gege (kur nuk e ka tosknishtja e detyrimisht janë përfshi në FGJSH)?! Po e përsëris, me ç’të drejtë morale, që rri mbi të gjitha të drejtat, “u shkim një ortak bore prej shpatit të malit” e bajnë “u shqim …? Që kur “q-ja” na qenkish ma e fisme se “k-ja”?

Tash këtu nuk asht e vështirë me kuptue se në punë si kjo të çon vetëm një urrejtje ideologike e mjerane për Veriun, edhe pse ata që u mblodhën në Tiranë më 2002 e thanë se nuk ka vend me ndreqë asgja prej Kongresit famkeq te 1972, Haxhiqamilët e gjuhësisë, na u ngryskan në fytyrë tanë marak me disa që dashkan me na prishë “sërishmi” shqipen, dmth, shqipja paskish qenë e prishun, erdhen qehajajët e Sulltanit të Kuq e na e rregulluen, prandaj “sakën” se e prekni. E për “trima mbas vete” kanë do politikanë të majtë që s’dinë as emnin e gjyshit të vet. Qé tash para pak muejsh, prillin e shkuem, na u mblodhen në Prishtinë po ata Haxhiqamilë e lloji i tyne i atrofizuem në mendje e në shpirt e përsëriten me të madhe se ishin gati me nxjerrë shpatat në mbrojtje të vendimeve të 1972. Pse francezët e gjermanët që i ndreqin e i përsosin papre gjuhët e tyne nuk kanë pasë fatin të udhëhiqeshin nga marksizmi e të ! vendosnin rregulla njëherëemirë.
Gjedhet e hueja si mbaresa –os (ajros për ajroj, armatos për armatoj, baltos për baltoj, palos në vend të paloj, vendos për vendoj), -ur, veçan në pjesore (ajrosur për ajrosë o ajrue, palosur për palosë, pasur për pasë, goditur për goditë, keqpërdorur për keqpërdorë, e kështu pa fund e pa logjikë shkencore), pse na i munguekan, kudi unë, Malëshovës së Përmetit, e atëherë le t’i falemi greqishtes që na i huajti e na bani njerëz.
Nëse te gegët ndeshet ma shpesh a-ja hundore që tek toskët ma së shumti del në ë (“nja” e Bardhit në “një” toskënisht, kurse në gegënishte “nji”), raporti tek “Rregullat” asht krejtëisht i zhdrejtë: ë-ja i “përmbytë” krejt “Rregullat” tue sjellë një errësim e shqiptim jo të lirshëm (kakofoni). Tue pa dukuninë në plan hitorik, del se ë-ja asht shpesh ma me vend e ma në natyrë të shqipes se a-ja (kryesisht hundore) e gegnishtes, por pëdorimi i saj i skajshëm, sidomos te fjalë që detyrimisht në përdorime të tjera dalin me “a” nuk ka as vend e as logjikë shkencore. Nuk kuptoj përse, bie fjala, sakohë që themi “ranishtë”, duhet të themi “rërë”, në vend të “ranë”? Shembujt do të ishun të shumta, si e kanë trajtue edhe të tjerë, si bie fjala Avdyl Sula, prandaj edhe nuk po zgjatem.
Rotacizmi. Së pari duhet thanë se dallimi në mes dy “kryedialekteve”, si do të thonte i miri Profesor Selman Riza, nuk ka ardhë në mënyrë të natyrëshme, si evoluim i gjuhës në mënyrë diverguese vetiu, por në radhë të parë si ndikim i gjuhëve të hueja dukshem ma shumë në tosknisht në shumë trajta, qofshin ato fonetike apo morfologjike, aty edhe në leksik. Aq i fortë asht ky ndikim në disa pjesë të Jugut (nuk asht vendi këtu me trajtue si e përse – jo që unë nuk do të isha as në gjendje me e ba), sa në Përmet gjyshes i thonë “nona”, pjepnit “pepone”, sa me u çuditë për një ndikim kaq të skajshëm.
Kështu, përdorimi i “r”-së në vend të “n”-së në fjalë si “syri”, por “synoj”; “druri”, por “drunorët”, (e ndërkohë edhe “lëndë drusore, jashtë çdo rregulli fonetik), “çoban”, “çobanëri” në vend të “çobanì-a”, “grurë” e “grunoret”, “rërë” po “ranishtë” e me qinda raste si këto s’ka vend e as kuptim. Zanorja “ë” (shih, “zanorja”, e jo “zërorja”) kontraston keq me bashtinglloren “r”, prandaj logjika fonetike do ta donte që të ruhej “n”-ja e … shqipes (pse nuk ka kuptim me thanë “n”-ja e gegnishtes).
Diftogjet ua, ye etj janë ruajtë historikisht ma mirë në Jug e shpesh janë bjerrë në Veri. Tue mos përjashtue format ma “të përbashkme” si thonte Xhuvani, natyrshëm të ruhen ato edhe në gjuhën standard.
Grupet mb, nd, ng gjithashtu janë ruejtë ma mirë në Jug. Edhe te proverbat e Bardhit i ndeshim dendun, e jo si shqiptohen sot në shumicën e Veriut. Atëherë, natyrshëm, të ruhen ato edhe në rregulla. Por, tue shkelë vetë ato rregulla e parime edhe historike, kur e do Pasha, themi „i brendëshëm“, e jo si do të duhej – „i mbrendëshëm“
Asgjasimi i paskajores, kësaj trajte themel të foljes, ka qenë pa ma të voglin dyshim krimi ma i randë i atyne vendimeve. Asht rast që s’ka nevojë për vërtetim, ashtu si nuk vërtetohet një apostolatë, se këtu, në punë të Kongresit të 1972, „kallen gjindarmerinë“, si thonte i madhi Konica, dhe e gjymtuen shqipen me një pamëshirësi prej barbarësh. Paskajorja qendron në themel të konceptimit e të të shprehunit të veprimit (të vetë kumtit) në gjuhën shqipe. Nuk e ka greqishtja? Nuk e paska as çinimançini? Në djall të gjithë! Puna e tyne! Po shqipe pa paskajore nuk ka. Asht një prej atyne rasteve që unë i quej se “nuk ka vend për delikatesë në diskutim”. Këtu dhunimi asht “me gjindarmëri”, prandaj edhe nuk po zgjatem. Veçse nuk mund të la pa kujtue se përligjja e mungesës së paskajores (që nuk na prishkëka shumë punë) pse natyrshëm zëvendësohet me lidhoren apo një paskajore të stisun të formës “për të thënë”, “për të marrur”, asht një mediokritet “shkencor”, pse paskajorja e mirëfilltë (e përdorun edhe prej toskësh ku e do puna) sjell një kumt ma përgjithësues, (me i thanë vetes shqiptar – kush?: unë, ti, ai-ajo, na, ju, ata ), kundrejt lidhores përcaktuese-cilësuese (t’i thuash vetes shqiptar – ti); joqë gjuhëtarët kanë për detyrë me hulumtue zhvillimet gjuhësore e me sendërtue kodifikimet simbas gjedheve të gjuhës së popullit, jo me “krasitë” gjuhën simbas tekave të tyne: në rrajë.
Zëvendësimi i gjedheve shqipe me ato me mbrapashtesa të ndikueme kryesisht prej greqishtes, ose krejt jashtë natyrës të të shprehunit popullor shqip, si: (i, e) shkurtër për (i, e) shkurtë, ajkëton për ajkon, amvisërì për amvisje, anëshmëri për anësi, bagëti – bajgë për bagël, bardhësirë për bardhësì, barkazi për barkas; e të llojeve nga ma të ndryshmet me skajime të panatyrëshme si barrësirë, bastard (për bastardh), besërisht (!?), bokëri (bokërrimë), botëror (botënor), burrëri – burrëreshë (burrni, burrneshë), çiltazi (çiltas – çiltë), e sa e sa ndajfolje me –zi/, zi e ma zi.
Gjedhet e hueja fonetike: fjalët me theks fundor në shqip janë krejt të rralla edhe pse nuk përjashtohen. Por, pse duhet të themi në të pashqueme “babà” simbas gjedhës së huej, e jo “babë” – apo pse kështu thuhet në Gegni, e ma mirë të marrim gjedhen e huej se prej “Veriut reaksionar”; “parà” jo që “pare”, “kafè” në vend të “kafe”, “budallà” jo që “budallë”, “bilé” në vednd të “bìle” (edhe ma mirë – “madje”), etj? E flasim mandej për „njësim konvergues“!
4. Përse mbrohet krimi?

„Gjuha asht faktori ma i parë i njinisë kombëtare”
Gjergj Fishta

Na u mblodhen akdemikët në Tiranë me 11-12 nandor 2002 e kujtuen me nostalgji Kongresin e Part …, deshta me thanë të Drejtshkrimit, që na hodhi bazat e shqipes. Që turpi i mbuloftë, se bazat e shqipes i paten hedhë pellazgët e lashtë kushedi sa mijë vite ma parë.
Këta dështakë, këta mjeranë të ideoligjizuem, atrofizue në mendje e në shpirt, as duen t’ia dinë për shqipen, po për karriket ku kanë ngjeshë bythët ba kallo. M’anë tjetër, ata tashma haptë del se janë krejt të helmuem me urrejtje për Veriun. Deklarimet e tyne të fryeme e bajate për shqetësimin nga mendimet ndrysh “të donkishotëve të viteve nëntëdhjetë” s’janë tjetër veçse ai helm që shpërndau pa kursim Partia (ajo me “P” të madhe, kur Atdhe shkruhej me “a” të vogël – atdhe), që çoi në një parçamje që Shqipnia nuk e kishte njohë në të paktën katërmijë vite histori. E si e thashë, fjalë për fjalë përsëritën “vendosmërinë për të mos u tundur nga istikamet e kuqe” edhe do “harushanë” në Prishtinë prillin e shkuem. Ata nuk lanë rast pa shfrytëzue edhe nandorin e shkuem gjatë festimeve të 100-vjetorit të Alfabetit, tue na tundë gishtin fort e tue kërcënue se përpjekjet për një ris! hikim të normave të ’72 na qenkëshin antikombtare (?!!) e se mohimi i trashigimisë shpirtnore (që asht gjuha shqipe) e kulturore (që asht prap gjuha shqipe) e 4000 vite histori të 3/4 të Shqipnisë, ndrysh Gegnisë, nuk na qenkan antikombtare, përkundrazi, një veper e madhe e … Haxhiqamilëve të enverizmit.
Asnjë motiv tjetër me përligjje shkencore nuk mund të ketë në teorinë e “pamundësisë së shartimit në mes dy dialekteve”. Pse një shartim të tillë nuk e ka kërkue kurrkush. Pse një shartim i tillë nuk mund të bahet. Pse vetë konceptimi i shartimit tosknisht – gegnisht asht një ide barbare: gjuha standarde mbështetet tek format e përbashkëta, takuese, gjithëpërfshimëse, mospërjashtuese, pra në mbarë shqipen, jo në shartimin në mes dialekteve. Pse, siç e thamë ma parë, do të merren ato trajta që i ka tosknishtja me mbështetje ma historike e ato që i ka gegnishtja me mbështetje ma historike, sidomos ndeshjet në mes tyne.
Po sjell një shembull të thjeshtë: e pakryemja e foljes do të merret me bazë tosknishten: pra 1) shkoja, këndoja, e jo 2) shkojsha, punojsha, pse formën e parë a) e gjejmë edhe tek autorët e vjetër gegë; b) ndeshet edhe në pjesë të Veriut, c) nuk e tjetërson as formën veriore.
Paskajoren e ndeshim edhe në folklor të Jugut, edhe në autorë të Jugut (të ri e të vjetër), edhe në të folmen e përditëshme të disa zonave të Jugut, jo aq dendun, por kur e do puna. Atëherë paskajoren do ta ruejmë, si themel i foljes. Si e tek ta rrahin gjuhëtarët.
Ja pra që nuk ka nevojë për shartim, por për një përzgjedhje pa „gjindarmëri”.
Ata që Elezi i ka cilësue “mister njet”, një gja asht e sigurtë: nuk ia duen të mirën as shqipes e as Shqipnisë, po “namit” të tyne “akademik”.

5. Cilat do të ishin rrugëdaljet prej ankthit?

Së pari, njerëz ma të dijshëm se unë, por me vullnet të mirë e që duen shqipen e Shqipninë, të ulen e të analizojnë ma thellë çfarë vërtetë e vlefshme po birret përfundimisht e doemos duhet shpëtue. Cilat janë ato trajta të përbashkta që u flakën tej si të ishin të serbit a të çinimaçinit. Pse me gjetë çka asht ose ka qenë historikisht e përbashkët asht krejt e thjeshtë, mjaft të shqyrtohen shkrimet e vjetra, bie fjala, proverbat e Frang Bardhit, që janë të gojës së popullit e një dëshmi e shkëlqyeshme se trajtat e përbashkëta kanë qenë në krye të kohës shumë ma të shumta se ato të fillimit të shekullit XX e atëherë, pa ngurrue, me u hapë udhë atyne trajtave të shqipes me rrajë thellë në histori. E proverbat e Bardhit, po të duem ma ba atë ballafaqimin mjeran tosknisht – gegnisht, shfaqen në trajta ma së shpeshti në të mirë të tosknisht për shumëçka. E ani mirë, asht shqipja jonë, prej Çamrije ar! dhët ajo a prej Rugove.
Së dyti, rregullat të jenë doemos “të gjithëpërbashkta”, a në daçin “gjithpërfshirëse”, “mospërjashtuese”, të rrokin mbarë shqipen, sa të jetë e mundun, tue ruejtë “njininë” që na porosit Fishta. Të bajsh të kundërten, asht një atentat jo vetëm gjuhësor, por kundër kombit vetë.
Po marr një shembull të thjeshtë: Ta kisha pasë unë për detyrë me hartue Fjalorin e Shqipes, kurrë nuk kisha me lanë jashtë fjalët toske që nuk i ka gegnishtja, pse ashtu do të vorfnohej shqipja. Bie fjala, në gegnisht nuk janë falët “beronjë”, (i,e) pështirë, dot, fare etj. Si do të mund të më kishte shkue mendja me i lanë ato jashtë fjalorit ose me u shënue përbri “e vjetër”, “krahinore”, pse kurrënjë gegë nuk i përdor?!
Së treti, në themel të punës të kihet parimi i pasunimit të gjuhës në të gjithë format a trajtat e saj, zhvillimi i saj i papremë, përthithja e formave dhe e fjalëve nga te dy dialektet e nga të folme ma të ngushta, e jo degdisja në një gjuhë “të katundit” të shokut Kostallari.
Së katërti, në fjalorë do të shënohen edhe fjalët e hueja që kanë qenë dikur të përdorimit të gjanë, ose që fatkeqësisht përdoren edhe sot në të folmen e përditëshme, por pa dhanë asnjë shpjegim tjetër a përdorim, përveçse prejardhjen dhe përkatësen shqipe. B. fj. “Eksperiencë”, it. – përvojë. Kaq, asgja ma shumë, që me i lanë me kuptue përdoruesit të fjalorit se ajo fjalë nuk duhet përdorë ma pse kemi përkatësen shqip.
Së pesti, por jo ma pak e randësishme, në kuvend të thirren si ata që u ka mbyllë Zoti sytë e nuk duen me pa – ndrysh si mund të mbrojnë pa i vra ndërgjegja krimin – ashtu edhe ata që kanë mendime kruekëput të kundërta me ta. Pse egziston rreziku që, tue qenë nëpër institucione e me “grada” pikërisht ata që gatuan ose mbrojnë krimin e 1972, të thërrasin thjeshtë vetveten, ose e shumta do lakej gati me i këndue “hosana” kohës së lavdishme” të kolerës së kuqe.
Së fundi, qysh në fillim të përjashtohen dy propozime të hedhuna fatkeqësisht edhe prej personaliteteve që e kanë denoncue atë Kongres si Aref Mati e Bahri Beci: a) të mësohet edhe gegnishtja në shkolla; apo do ekstremistë të tjerë b) të hidhet poshtë gjithçka e të merret për bazë gegnishtja si e folme e shumicës së shqiptarëve e gjuhë e traditës kulturore.
(Ndoshta nuk ia vlen me u ndalë tek alarmi i Anastas Dode, se lejimi rishtas “i konkurrimit në mes dy dialekteve do të ishte rrënues”. O Zot, po kush i ka thanë këtij dështaku se dashkemi me përballë gegnishte e tosknishte?! Kush i ka thanë se dashkemi me nxjerrë “në mejdan” gjysën e shpirtit tonë me gjysën tjetër po të shpirtit tonë?!).
Pra, si po thoja, të dy janë mendime të gabueme e të damshme (Pse me Doden nuk ia vlen me u marrë).
Me u mësue gegnishtja në shkollë, dmth mos me ndryshue asgja e shqipja me mbetë e gjymtueme ashtu siç asht.
Me u hedhë poshtë gjithçka (e ashtuquejtuna: Teoria e përmbysjes ) e me u marrë për bazë gegnishtja asht ana tjetër e medaljes, pra, tue përjashtue tosknishten, ashtu siç u ba ma gegnishten, dmth me u dhunue sërishmi shqipja, me e gjymtue përsëri ate tue i mohue gjysën tjetër të saj. Unë gega due që të them, e të thonë fëmijët e mi, e të thonë edhe nipat e stërnipat e mi “dot”, “i pështirë”, pse edhe pa ta shqipja ime do të ishte ma e vorfën, ashtu siç asht vorfnue liksht prej mbi 7.000 (shtatëmijë) fjalë gege që i mungojnë Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe.
Pra gjithçka të shtrohet vetëm mbi një bazë: kritere të shëndosha shkencore e kombtare, rigorozisht shkencore, të pandikuem nga ideologjitë, nostalgjitë e gjithë marritë tjera (sidomos nga ajo sëmundje që e kanë në gjak shqiptarët e që M. Elezi e quen me fjalën e bukur shqipe “mujshim”), që të mund të çojnë në një zhvillim të ri e ma të përsosun të shqipes tue ndreqë çka u ba jo mirë më 1972, ashtu sikundër kanë ndjekë rrugën e tyne të zhvillimit të papremë mbarë gjuhët e popujve të qytetnuem, e na kemi çka mësojmë prej tyne edhe në këte lamë, pse si thotë Naimi i Madh, “Dielli lind andej nga përendon”.

6. Përgjegjësia e institucioneve dhe pëgjegjësia morale intelektuale.

Kam një dyshim: A ka institucione gjuhësore në Shqipni? A ka intelektualë në Shqipni, apo janë tjetërsue?
Tash formalisht institucionet janë, Akademia, Instituti Albanologjik (së fundi), Universitete pa numur (si bunkerët), ka, më duket, edhe qeveri, ka … Apo nuk ka? Si jo ? A nuk po na ban ajo me “KARTE IDENTITETI” (europiane, sic) në vend të “LETER NJOFTIMIT”?
Desht Zoti e tash doli edhe Kosova “Zojë më vete”, po mbasi u çliruen prej shkjaut, çka po bajnë kosovarët me u çlirue prej vetit? A prap do të rrinë “suz” para “enukëve të Tiranës”? Çka po bajnë ata me u çlirue njëherëemirë prej gjedheve sllave pa u ripushtue prej “interpretacionesh” perëndimore krejt mish i huej në trup të shqipes?
Ka, pa pikë dyshimi, edhe intelektualë, por ata i kanë t’huej, i kanë tulatë, u kanë mpi çdo dëshirë me marrë përsipër përgjegjësi të dorës së parë me randësi kombtare. Pse, po nuk i moren përsipër intelektualët këto përgjegjësi jetike, kush do t’i marrë, deputetët që, si thotë një barseletë shkodrane, kanë krye kah dy e tre fakultete, por e kanë peng që nuk kanë krye edhe shkollën e mesme? Pse kaq të lehta ishin ato fakultetet – merre me mend sa shkolla të mesme mund të kishin krye, ndonjeni edhe tetëvjeçaren. Po nuk asht kurrë vonë, të dashtun deputet, hyjani, hyjani edhe shkollës së mesme.
Unë nuk e kuptoj frikën e sotme me thanë çka mendon. Po edhe në paçi ende frikë, për hir të Zotit, kijeni edhe pak guxim. Ky vend ka nevojë edhe për intelektualë të mirfilltë, jo vetëm për “inglishmenë” hibridë e bastardha me qylaf në mendje e Benz nën bythë që kanë pushtue Tiranë e Prishtinë.
Pse tek institucionet, qofsha i gabuenm, po unë nuk kam kam pikë besimi.

7. Mbi detyrimin e shtetit me ligjërue sanksione.

Ashtu si në mbarë botën e përparueme, do të kemi këto dukuni edhe në të ardhmen:
a – Një letërsi e thurun tue u bazue në standardin gjuhësor kombtar;
b – Një letërsi dialektore, që sjell larmi e pasuni të veçanta, tue pasë edhe kjo vend në shkollë e në studime;
c – Gazeta, revista e sidomos stacione radiotelevizive të detyrueme me u ndejë normave standarde kombtare e sidomos të detyrueme me sanksione të rrepta me folë shqip.
Letërsia artistike do të jetë e lirë me përdorë edhe të folme krejt të ngushta. Asht punë e secilit si e ndjen e si e shpreh krijimin e vet. Kjo veçse e pasunon shqipen, që edhe në të ardhmen do të ketë nevojë me u ushqye prej të folmeve edhe ma të skajshme.
Due të ndalem tek pika e fundit, tek detyrimi me folë shqip.
Nuk po flas për përvojën franceze apo të ndonjë shteti tjetër. Po flas tue u nisë nga gjendja e randë, tejet kërcënuese për të ardhmen, e një shqipeje bastardhe që përdorin sot veçan stacionet radiotelivizive, e jo vetëm ata. Pse, do profesora “famozë” të mjeksisë arrijnë deri atje sa të botojnë librin “Sëmundjet Interne”. Këta duhen ndëshkue në mënyrë shembullore. Mund të jenë edhe profesora (superprodhimi ma i frikshëm sot në Shqipni), po nuk janë qytetarë të dejë të këtij vendi, sakohë që sëmundjeve të mbrendëshme u thonë “Interne”. Shej ma të haptë paditunije s’kanë nevojë me dhanë “profesorat famozë”. Por ndërkohë ndëshkimin shembullor e meritojnë, jo tue i fishkullue me kamxhik, si do të banin dikund tjetër, por të paktën me nga një gjobë të majme po, e libri të hiqet menjëherë prej qarkullimit.
Më kujtohet se si një herë, aty kah mesi i viteve ’60, një zadrimor i squet, tue ndigjue një agronom që përdorte lumë fjalësh të hueja, thotë me ironi : « Bah, sa i dijtun asht ! Një fjalë nuk i merret vesht ! »
E ja ku gjendemi edhe ma keq se me atë agronomin naiv. Tash akademikë e shkrimtarë, analistë e gazetarë, ministra e komunarë, të gjithë u janë lëshue fjalëve të hueja, pse shqipja nuk po mbushë.
Ka ardhë puna me thanë : Zot, na ruej prej të dijtunve ! Na ruej, o Zot, prej atyne që thonë a shkruejnë (marrë prej gazetave e programeve televizive të së djelës datë 07/12/2008):
aplauduen për duertrokitën,
implementim për përmbushje,
interpretacion për shtjellim (ose të paktën : interpretim),
agravohet për randohet
percepsion për përceptim,
lokacion për vend, zonë, lokalitet,
glorioz për i lavdishëm,
premio për çmim,
enorm për tej i madh, shumë i madh,
resurset humane për burimet njerëzore,
minoritet për pakicë,
gardiani për roja,
infantil për fëminor,
gravidancë për shtatzani,
E ma tej:
Shumë gazeta shqiptare i gjen në internet vetëm në anglisht. Si kam thanë edhe ma nalt, na kanë mbi do „inglishmenë“ në Tiranë, do tipa të zgërlaqun që përdridhen si gra të përdala, do veshpalamë që u gëzohen kollareve si fëmijtë tollumbacave, që tashma mjaft t’i venë fjalës në fund një „.com“ e u duket vetja Ajnshtajna.
Aq pezmatohem kur ndigjoj ata që i kanë ba televizionet si shtëpinë e tyne, sa të vjelltit më çohet e zorrët më perzihen. Një përçudnim që ban me t’u çue thik qimet e trupit.
Atëherë asht detyrë e shtetit me ligjërue sanksione, me krijue struktura përkatëse qe të kontrollojnë zbatimin e ligjit, me ushtrue kontroll të rreptë e me dhanë dënimet ma të pamëshirshme për atentatorët e shqipes. Këtu nuk mund të ketë shtrim problemi me delikatesë. As jam për një “puritanizem” të skajshëm. Po jo ama sa me të ardhë të vjelltë kur ndigjon “inglishmenët” e Tiranës e të Prishtinës kah “kullojnë” kulturë tue e folë shqipen në shtatë gjuhë.
(Për fat të keq e njejta dukuni po shfaqet edhe në fusha të tjera. Shih muzikën ku kanë vërshue do “modele të reja popullore”, do gjedhe “ala magjypçe” e “ala jemençe”. Respektin ma të madh për magjypët e jemenët, po Shqipnia ka muziken e saj të pashoqe: polifoninë e magjishme labe e violinën e Zadrimës si instrument treshekullor popullor, si askund tjetër, të paktën në Ballkan).
Po humbëm gjuhën, thotë Fishta, humbëm kombsinë. Po pikërisht këte ndoshta kërkojnë me ba “inglishmenët” e Tiranës e të Prishtinës, ata që e flasin shqipen në shtatë gjuhë – që një ditë të mos ketë ma as shqip e atëherë as shqiptarë, por thjeshtë do bastardha që do t’i falen djallit e të birit, serbit e çinimaçinit, e vorret e martirëve do t’i lërojnë me mbjellë kikirik !
. Këto bastardha, që u lodron barku prej hallvet, flasin kështu përçudshëm edhe pse janë të padijtun, mirëpo, tue qenë shumica të pasun a të lidhun me botën e politikës e me pushtetin e pushtave, po bahen një model rrënues veçan për brezin e ri. Këta nuk marrin vesh ndrysh veçse me kamxhik – sanksione ligjore të rrepta.

Ju jeni të qetë? Ju mendoni se shqipja po lulëzon? Se shqetësimet e mia janë të pavend? Se unë po e tepruekam me frikën e bjerrjes së shqipes?

Lum ju e mjerë shqipja!(Flori Press)

Filed Under: Kulture Tagged With: Daniel Gazulli, E mira, e mjera, gjuha shqipe

Fëmijët shqiptar instrument eksperimental për të jetësuar projektet e Beogradit

January 8, 2013 by dgreca

Kjoft mallku ai bir shqyptari, qi ket gjuhë t’perëndisë , trashëgim q’ia la i pari trashëgim s’ia len ai f’misë.(At Gjergj Fishta)/

 SHKRUAN: Teuta Kamberi-Llalla/

 Prej shumë vitesh shqiptarët në trojet etnike në ish-Jugosllavisë ishin kthyer në mjete eksperimentesh nga pushteti sllavo-serb-maqedonas. Ku u eksperimentua me ndjenjat shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve, por populli ynë rezistoj duke sakrifikuar tej masë sesa të poshtërohej dhe të asimilohej.

Pas viteve 1990, me ardhjen e pluralizmit u mendua se projektet-eksperimentale u ndaluan dhe nuk do të zbatoheshin më. Por viteve të fundin dikush i shpalosi këto projekte duke i nxjerrë nga arkiva e shtetit sllavo-maqedonas për ti praktikuar përsëri mbi popullatën shqiptare, konkretisht mbi elektoratin që e votojë.

Më 29 Dhjetor 2012 u tha se libri ,,Shoqëria,, për klasën e pestë do të tërhiqet nga qarkullimi, por qeveria nuk lajmërojë që kur do të tërhiqen edhe librat ku ofendohet kombi shqiptar. Por përse qeveria nxitoj të tërheqë librin ,,Shoqëria,, dhe jo edhe librat e tjerë? Sipas informacioneve në media ky libër u tërhoq pasi u vërejt se në këtë tekst shkollor nuk janë përfshirë të dhëna për Kuvendin, Qeverinë dhe Bashkimin Evropian. Pra, librat ku preken interesat e shtetit dhe BE tërhiqen nga qarkulli, ndërsa ato ku ofendohen shqiptarët dhe etnitë e tjera vazhdojnë të qarkullojnë nëpër shkollat tona. Për fat të keq ende vazhdon odisea e zhdukjes së termit Abetare për fëmijët shqiptar, mungesa e librit të Shenjtë të gjuhës shqipe dhe askush nga deputetët dhe partitë tona nuk ka reaguar, por kanë heshtur sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Me vetë dhënien e librave falas nga ana e shtetit të Maqedonisë doli qartë se shteti kishte për qëllim të edukojë nxënësit me tekste ku injorohet kombi dhe gjuha shqipe. Këto janë projekte të vjetra, të njohura për shqiptarët, të cilat kur ekzistonte ish-Jugosllavia nuk gjetën terren që të zbatoheshin sepse intelektualët, studentët, por edhe klasa vasale politike shqiptare i bojkotuan. Ndërsa sot në Maqedoni ne po i pranojmë me qetësi duke mos i kundërshtuar këto tekste të shëmtuara, pra mungon zëri i kundërshtimit nga ana e ministrave, deputetëve shqiptar, intelektualët në përgjithësi janë strukur në guackën e interesave personale, ndërsa shoqëria civile është e izoluar, diku me anë të joshjes në të holla, por edhe të proceseve të montuara gjyqësore. Gabimet e ashtuquajtura teknike në librat shkollor nuk janë të rastësishme, por qëllimdashëse duke na asocuar në ndarjen e filozofisë së mendimit kombëtar. Fëmija im që mëson në shkollat në Maqedoni do të edukohet ndryshe nga një fëmijë shqiptar që mëson në shkollat shqipe në Mal të Zi, Preshevë, Kosovë, Shqipëri dhe Diasporë.

Në kohën e sotme kur të gjithë shqiptarët nga kryeministrat Sali Berisha, Hashim Thaçi, analistë, politikanë etj., po flasin për bashkimin kombëtar me rrugë të ndryshme, kulturore dhe sportive, sllavo-maqedonasit e nxorën me strategji projektin e teksteve shkollore ku shqiptarët paraqiten njerëz mali dhe heqjen nga qarkullimi të ABETARES. Pra në formë diplomatike të pandishme për opinionin, sllavët i lanë armët, filluan përçarjen për ti shkëputur nga trungu vogëlushët shqiptar të Maqedonisë. Ka më se 6 vite që është zhdukur termi ABETARE, nuk ka zyrtarisht libër ABETARE, ministria e arsimit e ka zëvendësuar me termin libri i Gjuhës shqipe. Me librin e gjuhës shqipe nxënësit do të punojnë deri në vitin e katërt në shkollë të mesme. Dhe jo rastësisht ministria e arsimit në Maqedoni e ka zhdukur termin Abetare, sepse për Abetaren është bërë gjithë ajo luftë, është derdhur shumë gjak, është libri i Shenjtë i gjuhës shqipe. Libri i Abetares ka një histori të veçantë. Qeveria sllave arriti të preki në një vend delikat, duke e zhdukur një pjesë të rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe, kjo nuk është pa qëllim, por habiten se si kanë pranuar shqiptarët që punojnë në byronë e arsimit të cilët kanë firmosur zhdukjen e termit Abetare.

Prandaj ne si Lëvizje me qendër në SHBA, Programi Unik Shqiptar dhe me degët e saj në Maqedoni dhe Itali u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të na përkrahin për tu siguruar nxënësve të klasave fillore librin e dashur, Abetaren e gjuhës shqipe falas deri sa përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Maqedonisë dhe në qeveri të bëjnë përpjekje që emri ABETARE të zyrtarizohet. Nuk është e drejtë që libri i Abetares të zhduket, të zëvendësohet me një emër tjetër vetëm për fëmijët shqiptar në Maqedoni. Shqiptarët vërtetë janë të ndarë territorialisht në disa shtete, por ne jemi të gjithë vëllezër të një gjaku dhe gjuhe, prandaj nuk duhet të tolerojmë që në foshnjore të na ndajnë dhe të mësuarin e gjuhës amtare.

 

Eksperimenti me mësimin e gjuhës sllavo-maqedonase

 

Paraqitja e projektit eksperimental nga qeveria sllavo-maqedonase me vasalët shqiptar 2008-2011, që vogëlushët shqiptar me detyrim të mësojnë në moshën gjashtë vjeçare gjuhën sllave-maqedonase e ka fillin e projektit në Beograd. Bartësi i këtij projekti antishqiptar ishte një njeri i quajtur Sasho nga Dellçeva. I cili para se të zbatohej projekti eksperimental në fshatin Shemshovë, dërgoj 5 ditë në ekskursion prindërit shqiptar të cilët kishin vendosur që fëmijët e tyre të bëheshin mjet eksperimenti duke i dërguar këta vogëlushë për të mësuar në një shkollë sllavo-maqedonase në një fshat që banohet nga sllavo-maqedonasit dhe jo në shkollën shqipe të Shemshovës. Projekti eksperimental filloj të zbatohet në shtator të vitit 2009 me një klasë të përzier që përbëhej nga rreth 26 nxënës të cilët 16 i përkisnin etnisë shqiptare dhe të tjerët etnisë sllavo-maqedonase. Një pjesë e madhe e prindërve të këtyre fëmijëve shqiptar u punësuan në institucionet shtetërore, në veçantë në polici pasi bënë kurban fëmijët e tyre për tu asimiluar që në foshnjore.

Projektet eksperimentale me klasa të përziera vazhduan duke hapur klasa të shkollave të mesme afër fshatit Shemshovë ku shqiptarët të nënshtruar tashme të mësojnë me sllavo-maqedonasit. Atë që nuk u realizua në fund të viteve 1980, sllavët e realizuan me triumf pas vitit 2008. Për fat të keq shumë shqiptar u kthyen në laborator eksperimentesh të ndjenjave kombëtare, gjuhësore dhe vlerave njerëzore të tyre. Neve si qytetar të Republikës Multietnike të Maqedonisë nuk na “pengon” mësimi i gjuhës që përdoret dhunshëm në administratën shtetërore, por në fillim duhet të mësojmë dhe të dashurojmë gjuhën tonë amtare shqipe. Sepse pa mësimin e gjuhës sonë amtare, do mbetemi të egër e në errësirë. Do të jemi si ai njeriu në male që ka veshë, por nuk dëgjon, ka sy por nuk shikon, ka mend e gjë nuk dinë.

Është derdhur shumë gjak, janë therur shumë shqiptar, janë helmuar shumë mësues të shkollës shqipe. Pra këto që kemi arritur janë fituar me sakrifica të mëdha ndër shekuj dhe sot dikush për të ruajtur karrigen e tij politike dhe për shijuar erën dhe çorbën qeveritare sakrifikon fëmijët, një brez të tërë vogëlushësh shqiptar për të arritur qëllimet e tij personale në dëm të çdo gjëje shqiptare, të gjuhës, kulturës dhe traditave të bukura që janë trashëguar nga gjyshi tek nipi.

Filed Under: Featured Tagged With: Gjergj Fishta, gjuha shqipe, Teuta Llalla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT