• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjuhët e huaja – faktor dhe burim punësimi

April 21, 2014 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/
Nëse deri dje dikush kishte guximin që të vinte në lojë gjuhët e huaja dhe të fliste me një lloj përçmimi për to, do të ishte rasti i mirë që të të kthehej prapa në kohë dhe të shihte xhevairet që ka nxjerrë nga goja. Më pas të dilte në ndonjë konferencë për shtyp dhe të kërkonte falje për këtë kaos që shkaktoi me deklaratat e papërgjegjëshme në mediat tona, ose nga kultura e pakët që zotëron në lidhje me rëndësinë e gjuhëve të huaja. Ndoshta një përgjigje e mori dje edhe nga Ministrja e Arsimit që u bëri thirrje të rinjve maturantëve që të zgjedhin gjuhën e huaj për studim në universitet, si mënyrë për t’i sjellë zhvillim vendit. Është një deklaratë që duhet përshëndetur plotësisht dhe përkrahur nga vetë qeveria shqiptare së pari e më pas nga vetë universitetet. Do të ishte e udhës që ministria të mos ndalej vetëm me këto deklarata nën shoqërinë e Ambasadorëve të ndryshëm, por ta çonte punën më tej. Edhe më parë ka patur deklarata të tilla në lidhje me gjuhët e huaja, por asgjë nuk është bërë. Të mos flasim për gabime trashanike dhe të pakontrolluara të futjes së të rinjve pa asnjë kriter, siç ndodhi me gjuhën italiane, kur u regjistruan vetëm në vitin e parë, pak kohë më parë, rreth 700 studentë. Të rinjtë detyrimisht duhet t’i zgjedhin gjuhët e huaja dhe t’i studiojnë ato, por pa kaluar në arbitraritet që, kur nuk kemi ku t’i çojmë, të hapim valvulën e shkarkimit tek gjuhët e huaja. Një artikull në lidhje me rikonceptimin e rolit të madh të gjuhëve të huaja e shkroi javën e kaluar kolegu im i departamentit të Gjuhës italiane në Tiranë Artur Sula, prandaj është momenti për veprim dhe jo për deklarata. Gjuhët e huaja kërkojnë impulse dhe sinjale pozitive për seriozitetin dhe rëndësinë që kanë në jetën e përditëshme.
Fakultetet ku studjohen gjuhët e huaja në radhë të parë duhet të garantojnë një diplomë të qëndruseshme dhe të konkurrueshme në tregun e punës, por kjo kërkon që së pari të përzgjidhen individët që do i studjojnë ato. Është koha që universitetet shqiptare t’i kthehen testeve hyrëse që të përzgjidhet elementi i duhur dhe më pas të punohet me të për të siguruar garanci që formimi i tij nuk do të mbetet në mes, apo do të dështojë pasi e merr diplomën. Nuk mund të tolerohet më mendimi që të gjithë nxënësit e shkollave të mesme duhet me doemos të bëhen studentë dhe që në tetor të këtij viti t’’I thuhet ndal abuzimit me ta. Në universitete duhet të promovohen vlerat e vërteta të individit dhe jo diploma që tek ne mund të blihet fare lirshëm dhe pa asnjë vlerë. Të kesh përkthyes të shkëlqyer sot është një luks edhe për vetë tregun e punës dhe të librit. Por kërkohet që dëshirës së mirë të ministrisë dhe të rinjve t’i jepet edhe një drejtim me kurse të vazhdueshme formimi dhe azhurnimi, pasi gjuha është një element që nuk mbetet në vend, por evolon dhe nëse përkthyesit nuk ecin me hapin e tyre, rrezikojnë që investimi për ta të shkojë kot. Sasia e madhe e të diplomuarve edhe në gjuhë të huaj tek ne, lë shumë për të dëshiruar si rezultat i gabimeve të paprecedenta në këto dy dekada të fundit. Ministria mund të jetë nismëtarja e krijimit edhe të një organizmi që të sigurojë cilësinë e përkthyesve dhe ndihmën që puna të vazhdojë më tej me kërkesa të larta drejt tregut, i cili ka hapësira të panumërta për integrimin e tyre në punë. Turizmi është një prej mundësive që duhet shfrytëzuar maksimalisht tek ne meqë është një nga drejtimet prioritare për një vend si Shqipëria. Turizmi veror ndoshta mbetet më i preferuari, prandaj këtu duhen drejtuar vëmendja dhe synimi në mënyrë që edhe agjensitë e udhëtimeve të mos ndeshen me punë diletanteske në përkthim. Kjo kërkon më tej edhe një formim më të gjerë kulturor për përkthyesit apo simultanët, të cilët nuk duhet ta anashkalojnë këtë formim të dytë pas atij gjuhësor. Tek fqinjët tanë përkthyesi dhe ai simultan kanë një rëndësi të madhe, pasi nuk promovjnë vetëm turizmin, por edhe kulturën dhe gjuhën. Tek ne kjo lidhje duket se është harruar fare dhe i lihet gjithçka rastësisë apo ndonjë lloj klientelizmi që nuk prodhon asgjë të mirë dhe promovuese për vetë vendin. Në një botë që po priret drejt globalizmit, harrimi apo prirja vetëm ndaj një gjuhe krijon një hendek të madh, për të mos folur për moszotërimin e gjuhëve të huaja në rang global. Nuk ka mundësi që me qytetarë të ndyshëm nga bota të flasësh me një gjuhë të vetme, pasi nuk do të ishte produktive edhe për vetë ata që janë të interesuar të investojnë. Në këtë pikë janë përkthyesit ata që mund të luajnë një rol të madh për ta plotësuar këtë vakum, por që nga ana tjetër është një garanci për punësim. Me të drejtë një prej shoqatave të përkthyesve në Itali e ngre zërin kur thotë se në këtë botë përveç gjuhës angleze ka edhe shumë gjuhë të tjera emrgjente që mund të jenë të dobishme për të gjetur një punë. Në Perëndim mjaft efikase është tendenca më e re që të merresh me ndërmjetësim kulturor, pasi emigrantët nga Afrika dhe Azia janë të shumtë, për të mos folur për lulëzimin e biznesit me ologarkët e shumtë rusë që gjithnjë e më shumë kërkojnë tregje në Europë. Edhe tek ne pasi ta kemi një forum të ekselencës për përkthyesit mund të operojmë edhe në një lloj tjetër tregu që përsëri do të sjellë punësim, atë të specialistëve të ndryshëm, pra me diploma në degë specifike, të cilët mund të ndjekin kurse specializmi gjuhësor në sektorin që përfaqësojnë, si p.sh në ekonomi, juridik, mjekësi, farmaci etj. Kërkohet vetëm që këta përkthyes t’i akreditojnë njohuritë e tyre pranë qendrave të specializuara pranë universiteteve apo instituteve përkatëse dhe përmes seminareve, ëorkshopeve, konferencave të jenë pjesë e trajnimit të vazhdueshëm. Të pranosh që një punë të tillë mund ta kryejë edhe një i diplomuar në degë tjetër, me njohurin të pakta gjuhësore, do të thotë që krizësh të mos i përgjigjesh me alternative të reja, informalitetit t’ia lësh të hapur derën, por ta lësh në dorë të fatit këtë sektor, pra secili që ka pak njohuri të marrë përsipër përgjegjësitë e përkthimit. Siç thotë dhe kryetarja e shoqatës italiane Sandra Bertolini : “Ka shumë njerëz që u improvizuan përkthyes, kur tregu i ka përkthyesit e vet që të mund të ofrojnë shërbime cilësore dhe profesionale.”. Ndërsa në Itali ka disa universitete që formojnë përkthyes, nga fazat e para e deri në azhurnim të mëtejshëm, tek ne puna që u nis disa vjet më parë, mbetet vetëm tek masteri dhe më pas vetë studentët braktisen, duke i lënë që të hyjnë vetë në tregun e punës, bile edhe jashtë profesionit për të cilin shpenzoi energji dhe investime monetare. Kohë e humbur kot dhe shpenzime edhe shtetërore të pajustifikuara. Koha sot dhe tregu kërkon zhdërvjelltësi në veprim dhe punë, specialist të mirëfilltë dhe jo Gjithologë, pra njerëz që mund të bëjnë gjithçka, por specialistë të denjë për punën që do kryejnë si në përkthim letrar apo edhe specifik. Nga qeveria kërkohet vullnet për t’i ndryshuar gjërat dhe për të vendosur një lloj disiplinimi në treg, pasi në një shoqëri pa rregulla të qarta, vështirë se kriza mund të kapërcehet lehtë. Zonja Bertolini na fton që udhëtimi deri në diplomin është gjysma e punës, por ka një gjysmë tjetër që nuk duhet anashkaluar, azhurnimi i një përkthyesi duhet të jetë i vazhdueshëm.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Gjuhët e huaja – faktor dhe burim punësimi

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT