• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJYKATA KUSHTETUESE DHE POP SAVA

December 12, 2015 by dgreca

A do të zbatojë Gjykata ligjet e Serbisë?/

Kolonizimi i Kosovës (1912 – 1941)/

Shkruan:ADIL FETAHU/

Sipas demografit të njohur serb, Jovan Cvijiq, në vitin 1910, nga numri i përgjithshëm i popullsisë së Kosovës, serbë ishin vetëm 5%, ndërsa malazezë nuk kishte fare (“Balkansko poluostrvo”, Bgd,1966, fq.469).  Me rënien e Perandorisë Osmane, Kosova u okupua nga ushtria serbe dhe ajo malazeze, dhe u aneksua. Krahas krimeve të luftës që kishin bërë ato ushtri, regjimi i ri vazhdoi presionin, terrorin e zullumin, për ta detyruar popullsinë autoktone shqiptare të shpërngulej. Një nga format e presionit dhe zullumit, ishte marrja e tokave dhe pasurive tjera të shqiptarëve, dhe ndarja e tyre serbëve e malazezëve. Kjo kishte për qëllim që përmes ndërrimit të strukturës pronësore të pasurisë së paluajtshme, ta ndërronte strukturën kombëtare, në dëm të shqiptarëve e në favor të sllavëve. Qeveria e Serbisë qysh më 20 shkurt 1914 kishte miratua Ligjin për kolonizimin e viseve të aneksuara. Sipas atij ligji, ministri i ekonomisë popullore, bashkë me persona nga xhandarmeria dhe ushtria, caktonin tokat në të cilat do të vendoseshin kolonët. Fillimisht kolonët vendoseshin në tokat e braktisura nga vendasit, të cilët kishin ikur jashtë Kosove, në Shqipëri e në Turqi, ose kishin dalë në mal (kaçakë), për shkak të terrorit që bënte pushteti i ri. Në rrethin e Pejës e të Gjakovës u vendosën më tepër malazezë, sepse ato rrethe i kishte pushtuar ushtria malazeze. Ai proces i filluar i kolonizimit të Kosovës u ndërpre për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe pushtimit të Kosovës nga Austrohungaria, në periudhën 1915-1918. Mirëpo, përfundimi i Luftës së Parë Botërore  rezultoi me formimin e të ashtuquajturës Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (1 dhjetor 1918), ndërsa  Kosovën e kishte ripushtuar ushtria serbe.. Regjimi i ri qysh në vitin 1919 miratoi Dispozitat Paraprake, e më pas ligjet për  të vazhduar dhe intensifikuar reformën agrare dhe kolonizimin.   Për reformën agrare dhe kolonizimin në Kosovë, të dhënat më të plota dhe të sistematizuara mirë përmban libri i historianit serb, nga Kosova,  Dr Millorad Obradoviq: “Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu 1918-1941 (Reforma agrare dhe kolonizimi në Kosovë, 1918-1941). Në atë periudhë, me pretekste e në mënyra të ndryshme, shteti ua kishte marre tokat që kishin qenë pronë e shqiptarëve ose mera (toka pa pronësi të askujt, por të shfrytëzuara nga të gjithë), kishte krijuar një fond të madh tokash prej 202.649,11 ha, për t’ua ndarë kolonistëve serbë e malazezë, me qëllim të thyerjes së kombktësisë kombëtare shqiptare dhe ndërrimit të strukturës etnike në dëm të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, kishin ardhur në Kosovë 11.722 familje, me mbi 53.884 anëtarë, të cilëve u ishin dhënë 192.212,94 ha toke e punueshme dhe pyje. Pos këtyre familjeve që kishin ardhur  kolonistë në regji të shtetit, gjatë asaj periudhe kishin ardhur edhe 5300 familje autokoloniste, të cilët kishin blerë toka me çmim shumë të lirë. Se si ishte gjendja asokohe me tokat në Kosovë, ilustron shembulli i kryetarit të Qeverisë së Serbisë, Nikolla Pashiqi, i cili “kishte blerë” 3000 ha tokë në Gazimestan, afër Prishtinës, ndërsa Punisha Raçiq, atentatori mbi deputetët kroatë në Kuvendin e Mbretërisë SKS, kishte “fitua” 3500 ha pyje në malet e Deçanit, dhe 50 ha tokë pjellore në fushën e Shkupit!

Në vitin 1927 Manastirit të Deçanit shteti serb i kishte dhënë pronat e 50 familjeve shqiptare të fshatit Isniq, ndërsa Manastirit të Deviqit i kishte dhënë pronat e 20 familjeve të fshatit Llaushë. Në vitin 1932, këtyre manastireve iu kishte dhënë edhe 580 ha toka të marrura familjeve shqiptare. Kjo ishte mënyra se si kishat dhe manastiret ortodokse fituan dhe një kohë të gjatë i shfrytëzuan  prona marramendëse në Kosovë, duke i privuar shqiptarët nga pronat e tyre.Vet historiani serb (dr Millovan Obradoviqi), në konkluzionet në librin e tij thekson: “Përmes organeve të agrarit, xhandarmerisë, pushteteve komunale e të rretheve, Qeveria ka zbatuar politikën e saj shoviniste kundër Shqiptarëve, duke i konsideruar të pabesueshëm dhe të rrezikshëm për sigurinë e shtetit dhe të paqes, duke iu bërë padrejtësi në të gjitha fushat e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike…” (fq.231).

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore pushteti vazhdoi me reformën agrare dhe kolonizimin në Kosovë e në Vojvodinë, me masa dhe instrumente tjera, por qëllimi ishte i njëjtë: presioni dhe represioni ndaj Shqiptarëve (në Kosovë), dhe ndaj Gjermanëve (në Vojvodinë). Me Ligjin për reformën agrare dhe kolonizimin (23 gusht 1945, e tjera më vonë), si instrumente juridike për marrjen e pronave ishin caktuar: nacionalizimi, konfiskimi, sekuestrimi dhe eksproprijimi. Nacionalizimi i tokave bëhej në bazë të parimit të maksimumit, të paraparë me ligj. Konfiskimi dhe sekuestrimi ishin masa ndëshkuese për ata që shteti i trajtonte si armiq të popullit dhe bashkëpunëtorë të okupatorit, e të tillë i konsideronte shqiptarët, të cilëve krahas dënimit penal, me pushkatim ose burgim, ua konfiskonte ose sekuestronte pasurinë e  paluajtshme e të luajtshme. Nacionalizimin e tokave e bëri në bazë të parimit të maksimumit, për kategoritë e familjeve dhe subjekteve tjera të caktuara me ligj. Për kishat dhe manastiret e zakonshme, lejohej të dispononin deri 10 ha tokë, ndërsa për manastiret e rëndësisë së veçantë, u lejohej deri 30 ha tokë të punueshme dhe 30 ha pyje. Pjesa tjetër u merrej dhe kalonte në fondin e tokave-pyejeve në pronësi të shtetit, që më vonë, me akte kushtetuese e ligjore mori karakterin dhe statusin juridik të pronës shoqërore. Nga fondi i krijuar i tokave, u jepej qytetarëve të patokë, kryesisht serbë e malazezë, por edhe subjekteve tjera: kooperativave, ekonomive dhe kombinateve bujqësore. Sipas të dhënave të Kishës Ortodokse Serbe, në bazë të Ligjit për reformën agrare dhe kolonizimin (të vitit 1945),  në bazë të maksimumit në vitin 1946 Patrikanës së Pejës i ishin marrë 223 ha tokë dhe 570 ha pyje, kurse Manastirit të Deçanit prej 208 hektarë tokë të punueshme dhe 600 hektarë pyje, reforma agrare ia kishte lënë 30 ha tokë dhe poaq pyje. Ankesën që kishin bërë kundër marrjes së pronave, e kishte refuzuar Gjyqi Agrar për KeM, në Prizren (12 mars 1947).

 

 

Kolonizimi në periudhën 1990-1999

 

Në kohën më të re, në Kosovë kolonizimi mori hov në periudhën e suprimimit të dhunshëm të autonomisë dhe masat e dhunshme që ndërmori pushteti okupues i Serbisë në të gjitha fushat e jetës dhe segmentet e ekonomisë, veprimtaritë shoqërore dhe organet e pushtetit të nivelit qendror dhe lokal. Brezat e moshës së vjetër dhe asaj të mesme, i mbajnë mend  masat, presionin dhe represionin e egër. Okupatori miratoi plane, programe e ligje të përgjithshme e të veçanta, në funksion të kolonizimit të Kosovës me serbë e malazezë, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Bosnja, Kroacia e madje edhe nga Shqipëria dhe Rumania, duke u ndërtuar shtëpi banimi në vendbanime të ndryshme dhe ndarë tokë të punueshme nga tokat e pronës shoqërore, duke u dhënë mjete pune dhe kredi të volitshme, për t’i joshur të vijnë të jetojnë këtu. Një ndër aktet kryesore për kolonizim në periudhën 1990-1999, është i ashtuquajturi: Programi për realizimin e paqes, lirisë, barazisë, demokracisë dhe prosperitetit të KSA të Kosovës” (“Slluzhbeni gllasnik Socijalisticke Republike Srbije”, nr.15, dt. 30 mars 1990), të cilin, për shkak të hapësirës së kufizuar të gazetës, nuk do ta elaborojmë këtu. Pas atij Programi, është vazhduar me ligje të veçanta, vendime e veprime konkrete, në funksion të kolonizimit. Sipas Ligjit për kushtet, mënyrën dhe procedurën e ndarjes së tokës bujqësore qytetarëve të cilët dëshirojnë të jetojnë e punojnë në territorin e Krahinës  Autonome të Kosovës e Metohisë (“Slluzhbeni gllasnik RS”, nr.43/1991), qytetarëve (serbë ose malazezë) të cilët donin të vinin në Kosovë, u jepeshin toka bujqësore nga fondi i tokave të pronës shoqërore, nga 5 ha tokë për në familje, të cilën nuk mund ta shitnin as tjetërsonin në mënyrë tjetër 30 vjet pas marrjes. Kjo bëhej me qëllim të ngulitjes afatgjatë të elementit sllav në Kosovë. U jepej kredi me kushte çuditërisht të volitshme dhe liroheshin nga tatimi për kohë të caktuar. Efekte të kolonizimit të Kosovës kishte edhe Ligji mbi transformimin e pronës shoqërore të tokës bujqësore në forma tjera të pronësisë (“Sll.gllasnik RS”,nr.49/1992).

 

Rasti i Manastirit të Deçanit, respektivisht i pop Savës

 

Pushteti okupues i Serbisë, respektivisht Qeveria e Serbisë, duke manipuluar me tokat e pronës shoqërore, në vitin 1997 ia kishte “falur” Manastirit të Deçanit 25,5 ha tokë të cilën deri atëherë e kishin në shfrytëzim ndërmarrjet shoqërore “Iliria” dhe “Apiko”. Në vitin 2000, ndërmarrjet e përmendura kanë ngritur kërkesë-padi në Gjykatën Komunale të Deçanit, kundër Manastirit dhe Republikës së Serbisë, për anulimin e aktit (kontratë, marrëveshje…) për “dhurimin” e tokës së përmendur nga Qeveria e Serbisë. Gjykata e faktit kishte ndërmarrë veprime procedurale, por para se të merrte vendimin, i ashtuquajturi Agjensioni Kosovar i Mirëbesimi, nën administrimin e UNMIK-ut, kërkoi që rasti t’i merret Gjykatës Komunale, t’i cedohet Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për të vendosur meritorisht, me arsyetim se ajo Dhomë ka kompetencë ekskluzive për pronën shoqërore. Dhoma e Posaçme, si gjykatë e shkallës së parë, i ka refuzuar si të pabaza kërkesë-paditë e ndërmarrjeve të përmendura. Duke vendosur sipas ankesës AKP-së e të ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko”, së cilës i është bashkuar edhe Komuna e Deçanit, Kolegji i Ankesave i Dhomës së Posaçme, si organ i shkallës së dytë, ka miratua ankesat si të bazuara, i ka anuluar vendimet e shkallës së parë, me arsyetim se Dhoma e Posaçme nuk ishte kompetente të gjykojë në këtë kontest, prandaj lënda duhet t’i kthehet për gjykim  Gjykatës Themelore të Pejës – Dega në Deçan.  Kundër vendimit të Kolegjit të Ankesave, Manastiri i Deçanit (pop Sava me krerët e Republikës së Serbisë!), ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës të pezullojë çdo procedurë lidhur me këtë rast, deri në marrjen e një vendim përfundimtar, për shkak se, gjoja, po pësuaka Manastiri dëm të pakompensueshëm. Duke e vlerësuar si të bazuar kërkesën e pop Savës, Gjykata e ka caktuar Masën e Përkohshme, deri më 29 shkurt 2016, me arsyetimin se mund të paraqiten pasoja të pariparueshme për palën (pop Saven,a.f.). Ajo Gjykatë “ka vërejtur se faktet e këtij rasti zbulojnë një sërë procedurash ligjore e gjyqësore që shtrihen në një periudhë prej më shumë se 15 vjetësh, e që paraqesin kompleksitet të konsiderueshëm për vlerësimin dhe interpretimin e ligjeve nga ana e autoriteteve publike dhe gjyqësore”.

* * *

Për sqarimin e këtij “kompleksiteti”, unë e bërë këtë shkrim, për të parë tërë rrugën e kompleksitetit dhe të “fitimit” të pronës së Manastirit, në bazë të ligjeve dhe vendimeve diskriminuese të të gjitha regjimeve serbe në njëqind vjetët e fundit, të cilat ua kanë marrë tokat familjeve bujqësore të shqiptarëve, dhe ia kanë “dhuruar” Manastirit, gjithë ato toka e pyje, që s’i kishte asnjë kombinat bujqësor e pyjor në Kosovë.  Dhe faza e fundit, vendimi (marrëveshja apo kontrata e Qeverisë së Serbisë), i vitit 1997, për t’ia dhuruar Manastirit tokën e pronës shoqërore, ishte një vendim arbitrar, i bazuar në ligjet diskriminuese të okupatorit të egër. Po ia përkujtoj Gjykatës Kushtetuese, se sipas Rregullores së Përfaqësuesit Special të KB/UNMIK-, nr.1999/24, respektivisht nr.2001/59, ligjet e Serbisë të miratuara pas 22 marsit 1989, nuk janë të aplikueshme në Kosovë, as për procesin e privatizimit as për kurrëfar reforme apo transferimi të pronës mbi tokën bujqësore, apo në ndonjë procedurë tjetër. Prandaj, asnjë akt i bazuar në ato ligje, qoftë vendim, kontratë, marrëveshje apo me emër tjetër, nuk është i vlefshëm as nuk mund të prodhojë efekt juridik të vlefshëm/ Është rregull e vjetër, prej të Drejtës romake (Katoni), se “ç’është lindur gungavtë, koha nuk e drejton”. Gjykata duhet të udhëhiqet nga drejtësia valide, e jo nga politika e ditës.  Nëse i hyjmë të zbulojmë kompleksitetin e këtij rasti, atëherë do duhej kthyer shumë prapa, për t’ua kthyer pronarëve tokat të cilat regjimet serbe gjatë kohës ua kanë marrë fshatarëve dhe ia kanë dhënë Manastirit të Deçanit, apo cilitdo tjetër.

Po të funksiononte Kosova si shtet i konsoliduar, do duhej të regjistrojë të gjitha pronat, ta zbatojë një reformë agrare dhe t’ua merr tokat të gjitha kishave, manastireve e vakëfeve, të mos u jep asgjë jashtë oborrit, sepse ato nuk janë  kooperativa,  ekonomi a kombinate bujqësore, për të zhvilluar ekonomi, por janë “institucione shpirtërore, për t’ua prishur shpirtin qytetarëve”! Mjaft kanë jetuar ata si parazit e janë pasuruar në kurriz të popullit të varfër. Poashtu, do duhej t’iu merren tokat e pasuri tjera të gjithë atyre matrapazëve, të cilët me çmime “ma lirë se badihava”, me para të pista apo në mënyrë tjetër kriminale, në procesin e korruptuar të privatizimit kanë “blerë” nga disa qindra hektarë toke, edhepse nuk merren me bujqësi, kanë blerë për “bagatellë” objekte të vlerës disa dhjetra apo qindra miliona euro! Këtyre padrejtësive duhet t’iu vjen  fundi njëherë e mirë.

 

 

Adil FETAHU

Filed Under: Analiza Tagged With: ''GJYKATA KUSHTETUESE, Adil Fetahu, DHE POP SAVA

Triologjia e verës dhe Gjykata Kushtetuese

October 11, 2014 by dgreca

Nga Edmond BANUSHI/
Për të nxehur këtë verë me temperatura jo të larta, mendoi qeveria. Kontrolli i privatësisë, imei, kontrolli i gjyqësorit, KLD, kontrolli i njësive të qeverisjes vendore, me ligj, duke u ndryshuar harta e tyre, dhe me akt administrativ, duke u hequr kompetencën, qenë temat e ditës.
Këto dëgjohen nga kryeministri dhe zëdhënësit e tij, që asnjëri nuk ia kupton idetë dhe i japin dhe dozën e tyre të paditurisë, absurditetit që flet i madhi. Nuk di pse bëjmë të njëjtat gabime këto 20 vjet, vetëm ndryshon autori, por gabimet janë të njëjtat.
U fol për imei, numrin identifikues të telefonit, më privat nuk ka se ku të bëhet! U justifikua qeveria, ҫuditërisht me ministren e teknologjisë, jo me atë të financave, se duhej për të mbledhur taksat, dhe për të shmangur evazionin fiskal, por ҫ`lidhje ka telefoni që unë, ti, ai, të gjithë ne, kemi aktualisht në xhep, po e përdorim, me mbledhjen e detyrimeve doganore, që të gjithë e dimë bëhet për telefonat e rinj, harroi të na e spjegojë ministrja. Po, kaq të trashë na dinë?? Pastaj, është një ligj (nr. 9712, datë 16.4.2007), që detyron ata që importojnë telefona celularë të rinj brenda territorit të R.Sh,. t`i deklarojnë dhe të regjistrojnë numrin e imeit me qëllim pagimin e detyrimeve tatimore, përse duhej një vendim i këshillit të ministrave?
Përveҫ këtij absurditeti, regjistrimi i sendeve të luajtshme nuk mund të parashikohet me vendim të këshillit të ministrave por me ligj, është parim i Kodit Civil, por sic duket në qeveri nuk ka juristë ose i kanë marrë diplomat, siҫ thonë gojët e liga, duke i blerë.
Për të mos folur për antikushtetueshmërinë e këtij akti, që prek jetën private, fshehtësine e korrespondencës dhe mjeteve të komunikimit. Neni 35 dhe 36 i Kushtetutës parashikon që mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, pra jo me vendim të këshillit të ministrave dhe liria dhe fshehtësia e cdo mjeti komunikimi janë të garantuara. Nuk ka nevojë të përhapemi për ta kuptuar shkeljen e të drejtave të njeriut nëpër rastet e Gjykatës së Strasbourgut, e kemi të shkruar në Aktin tonë Themelor.
Gjykata Kushtetuese foli, pezulloi zbatimin e këtij akti arrogant, por qeveria në vendimin e saj kishte parashikuar afate shumë të shkurtra zbatimi, jo pa qëllim, dhe efektet antikushtetues mund të kenë ardhur ndërkohë. Kush na garanton që kjo bazë të dhënash antikushtetuese do të shkatërrohet?!
Pikërisht këtu qëndron gjithë djallëzia e ekzekutivit të pakontrolluar.
Janë dhe dy temat e përhershme që nuk mungojnë në asnjë edicion lajmesh, ajo kundër drejtësisë dhe ajo kundër ndërtimeve pa leje. Nuk e mohoj, janë të rëndësishme të dyja, ndërtimet pa leje dhe me leje, që po na marrin frymën, jo vetëm duke zënë sipërfaqet të gjelbra, lulishte, blu, dete e liqene, e të hirta, gërxhe malesh, por na i kanë mbushur mushkëritë me cimento,e kemi gjithmonë zhurma matrapikësh e betonë-hedhësesh në vesh, se nuk përfundojnë kurrë ndërtimet në këtë vend të bekuar, dhe drejtësia, që duhet të jetë e drejtë në fund të fundit, por kjo realizohet duke qene te pavarura, jo duke u kontrolluar (apo varur) nga forca (shpesh dhe humori) e qeverisë apo shumicës parlamentare.
Sa herë ndryshojnë pozicionet opozitë-pozitë, janë të njëjtat diskutime, të njëjtat beteja që hap e mbyll opozita e veshur me pushtet tashmë. Në 2005, Berisha, i sapo veshur me pushtet, filloi betejen me KLD, atë që po ben sot Rama, pasi bëri presion duke u marrë me emra konkretë të saj, nuk arriti gje, dhe u miratua një ligj (që mesa më kujtohet u “propozua” nga baza me peticione të nënshkruara që ia shtinë në mend) që më pas u deklarua antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, ligjit nr. 9448, datë 05.12.2005 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Për të freskuar kujtesën për ata që nuk kanë memorie të gjatë, sipas këtij ligji u përcaktua papajtueshmëria e mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me çdo veprimtari tjetër politike, publike ose private (përveç mësimdhënies), pasi vjen në kundërshtim me përcaktimin kushtetues të anëtarësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për shkak të detyrës si gjyqtar, duke i detyruar anëtarët e KLD që ishin gjyqtarë të zgjidhnin brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërmjet mandatit të gjyqtarit dhe atij të anëtarit të KLD, duke qënë se u konsiderua si konflikt interesash.
Po këtë po dëgjojmë edhe sot, sipas pozitës së sotme, që nuk është Berisha, gjyqtarët nuk duhet të jenë anëtarë KLD pasi mbrojnë njëri-tjetrin dhe ka konflikt interesash. Ndërkohë ligji nr. 9448, datë 05.12.2005 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, është kundërshtuar nga opozita e asaj kohe, dhe përfaqësues në Gjykatën Kushtetuese ka qënë pikërisht i flakti z.Ylli Manjani. Sipas opinionit të tij të asaj kohë, ligji i Berishës (gjuha e opozitës së atëhershme) dilte jashtë logjikës kushtetuese të përfaqësimit të gjyqësorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe cënon parimin e vetëqeverisjes së tij. Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 14, datë 22.05.2006, i dha të drejtë opozitës së asaj kohe, duke konsideruar se ndërprerja para përfundimit të afatit të përcaktuar në nenin 147/1 të Kushtetutës të mandatit të anëtarëve të KLD, me anë të përcaktimeve në ligj, është antikushtetuese. Bazuar në nenin 116 të Kushtetutës, në hierarkinë e akteve normative që kanë fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë te detyrueshme për pozitë e opozitë, i pari është pikërisht Kushtetuta dhe cdo akt tjetër duhet të jetë në përputhje me të. Sipas Gjykatës Kushtetuese, të vendosur në lëvizje me kërkesë të opozitës së kohës, të përfaqësuar nga i nderuari z.Manjani, afati 5-vjecar i antëtarëve të KLD, duke qënë afat kushtetues, nuk shkurtohet dot me ligj.
Por e keqja ishte bërë ndërkohë. Përbërja e KLD ishte ndryshuar, dhe në përfundim të luftës për marrjen e KLD-së, ngelën pa mandat gjyqtari dhe mandat anëtari të KLD-së, pikërisht edhe anëtari i sotëm i KLD-së, Sokol Ҫomo.
Për pak variacion dhe origjinalitet, pozita e sotme zgjodhi rrugën e komisionit parlamentar, duke u ngarkuar anëtarëve të KLD-së të zgjedhur nga parlamenti dhe vendime të marra kur ata nuk ishin zgjedhur ende në këtë funksion.
“Atë, faljua se nuk dinë se c`bëjnë!”
Në rast se ata kanë shkelur ligjin kur kanë votuar në vendimet e KLD-së që nuk i kanë pëlqyer shumicës së sotme, ligjin ka shkelur dhe Presidenti, ligjin ka shkelur dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, se edhe ata kanë votuar, edhe ata të zgjedhur nga Parlamenti janë, përse nuk i shkarkojmë, komisionin e kemi ??!!
Dhe sikur të niset nga motive fisnike kontrolli mbi KLD ka pasoja të rrezikshme për shoqëri me ekuilibër të brishtë si e jona. Ndërsa kryeministri dëshiron që për sa kohë nuk e kontrollon KLD-në, inefiҫenca e gjykatave të jetë alibi për dështimet e qeverisjes.
Fushata tjetër, pjesë e trilogjisë, na kujton të famshin “Zogun e Zi”.
Vetë i nderuari kryeministër i sotëm kryetar i Bashkisë Tiranë, në kohën e konfliktit të famshëm, vuri në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, (në atë kohë i donte gjykatat) duke pretenduar se sipas parimeve të decentralizmit të pushtetit, të autonomisë vendore, të subsidiaritetit dhe të proporcionalitetit të parashikuar në nenin 13 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, të ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 8548, datë 11.11.1999, të cilët kanë gjetur zbatim në ligjin nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, bashkitë dhe komunat ushtrojnë funksionet e veta dhe janë përgjegjëse në fushën e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike. Bazuar në aktet e mësipërme i nderuari kryeministër i sotëm ka kundërshtuar si antikushtetues ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën” dhe të ligjit nr. 8408, datë 25.09.1998 “Për Policinë e Ndërtimit” pasi sipas tij cenojnë parimin e decentralizmit të pushtetit dhe të autonomisë vendore, i atribuojnë pushtetit qendror çështje të administrimit të ndërtimeve dhe territorit, si dhe uzurpojnë vendimmarrjen lokale. Funksioni parësor i pushtetit vendor është administrimi i territorit nën juridiksion, vendosja e policisë ndërtimore nën varësinë e pushtetit qendror, duke e pajisur me kompetenca ekzekutive dhe urdhërdhënëse për çështje të pushtetit vendor, bien ndesh me parimin e autonomisë vendore dhe të proporcionalitetit të përcaktuar nga Karta Europiane e Autonomisë Vendore.
Dhe Gjykata Kushtetuese foli, përcaktoi se ish-kryetari i bashkisë, kishte të drejtë, dhe vendosi që shqyrtimi dhe miratimi i lejeve të ndërtimit, si çështje të planifikimit dhe menaxhimit urban që përfshihen në konceptin ligjor “funksionet e veta”, janë kompetencë e plotë dhe ekskluzive e organeve të qeverisjes vendore.
Sipas vendimit të cështjes së Zogut të Zi, e drejta e shfuqizimit të akteve të paligjshme të KRRT-ve që funksionojnë pranë organeve të qeverisjes vendore është kompetencë e organeve të pushtetit gjyqësor, si dhe KRRT-ja është organ i specializuar për urbanistikën që ushtron funksionin dhe kompetencat e tij vendimmarrëse në fushën e planifikimit dhe të menaxhimit urban, nën autoritetin e pushtetit vendor.
Por ama ndërtimi tek Zogu i Zi u prish. Paratë tona u shpërdoruan.
Sot i nderuari kryeministër aktual mendon ndryshe, me një akt admnistrativ, të pushtetit qëndror, pezullon zbatimin e ligjit, nga organet e qeverisjes vendore, merr përsipër të ndalojë kohën, dhe për më tepër të bëhet edhe gjykatë, duke përcaktuar dhe cilat akte te KRRT-ve janë të ligjshme dhe cilat janë të paligjshme.
Përveҫ se po veprojnë në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vendime që janë përfundim i proҫeseve që janë iniciuar prej kësaj force politike, më e cuditshmja është se janë po të njëjtat zëra të kësaj force politike. Ose ka evoluar mendimi i tyre, ose janë me kujtesë të shkurtër, ose kujtojnë që populli dele, është me kujtesë të shkurtër.
Ne gjithë këtë zhurmë të madhe, është gjykata që flet fjalën e fundit, ndaj gjykata duhet të jetë e fortë dhe e pavarur, se gjykata ndryshe nga politika që me ndryshimin e karrikes, në opozitë apo në pozitë, ndryshon dhe opinion, gjykata duhet të jetë e qëndrueshme, madje në vendimet e saj t`u rikujtojë palëve edhe qëndrime të saj të mëparshme, nga të cilat nuk mund as devijojë.
Por, ndërkohë, për fat të keq, sic ka treguar historia, pasoja e dëshiruar, qëllimi antikushtetues derisa të flasë gjykata, do të arrihet, dhe dëmi është përsëri mbi ne.
Një nga dallimet thelbësore midis vendeve demokratike dhe autoritare është pikërisht qëndrimi ndaj gjyqësorit, dhe posaҫërisht ndaj Gjykatës Kushtetuese. Pushteti absolut është shumë joshës por dhe po aq i rrezikshëm dhe vetëm një gjykatë e pavarur mund ta mbajë drejt cfarëdo qeverije, që të ketë kurajo t`i kontrollojë dy pushtetet e tjera, dhe të thotë të vërtetën me gjuhën e ligjit.
Joshjes së të paturit nën kontroll të këtij pushteti nuk i kanë shpëtuar as udhëheqës të mëdhenj. Franklin D.Roosevelt, u zgjodh në vitin 1932, në mes të Depresionit të Madh, me 57% të votave, president i SH.B.A-ve. Partia Demokratike kishte mazhorancën sa në Kongres edhe në Senat. Me një forcë të tillë zgjedhore, ai aprovoi me shpejtësi një pakt fiskal që njihet me emrin “New Deal”, për të dalë nga humnera financiare. Katër ishin këmbët themelore të tij, pakti, “National Industrial Recovery Act (Nira)”, që nuk ishte gjë tjetër veҫse një masë mbrojtjeje e tregut kombëtar; “Public Works Administration (Pwa)”, që ishte zbatimi praktik i teorisë ekonomike keynesiane, të rritjes së shpenzimit publik për rimëkëmbjen e ekonomisë; (u ndërtuan shumë vepra të mëdha, një nga të cilat është Overseas Highway, rruga me pamje të mrekullueshme që lidh Key West dhe shumë ishuj të tjerë me Miamin.); “Social Security Act”, që futi për herë të parë asistencën sociale dhe hodhi bazat e “Welfare State” të sotëm në Amerikë dhe “National Labor Relations Act”, që forcoi akoma më tepër të drejtat e punëtorëve, por veҫanërisht rolin e sindikatave në kontratat kolektive me punëdhënësit.
Këto masa shkaktuan diskutime të shumta dhe të ashpra. Ndërkaq Supreme Court of the United States, ekuivalentia e Gjykates Kushtetuese tek ne, ishte shprehur, me rezerva për Nira-n, më 27 maj 1935, duke e shpallur nenin e parë të tij në kundërshtim me Kushtetutën. Në të thuhej, midis të tjerash,shprehimisht “Rrethanat e jashtëzakonshme mund të kërkojnë masa të jashtëzakonshme. Por … rrethanat e jashtëzakonshme nuk mund të të japin me shumë pushtet se ҫ`parashikon Kushtetuta”. Të gjitha shtetet e hodhën në gjyq qeverinë federale dhe ndërsa gjyqet vazhdonin, më 1936, Roosevelt u rizgjodh president, me 61% të votave. Gjatë gjithë fushatës ai e kishte sulmuar Supreme Court, por kulmin e arriti në transmetimin radiofonik të datës 9 mars 1937. Ai tha, përafërsisht, se forma e qeverisë amerikane e dhënë nga Kushtetuta, është si një grup me tre kuaj, ku dy prej tyre, Kongresi dhe ekzekutivi ecin në unison, ndërsa i treti gjyqësori, jo. Duke qënë se ai humbi 5 me 4 në gjykatë, mendoi se do të ishte mirë t`i hiqte qafe gjyqtarët duke u “qarë” hallin për punën e rëndë. Nëpërmjet një plani të paraqitur prej tij “Judiciary Reorganization Bill”, kërkoi që të dilnin në pension gjyqtarët mbi 70 vjeҫ dhe të drejtën për të emëruar deri në gjashtë gjyqtarë të rinj. Ndonëse partia e tij kishte shumicën në kongres dhe senat, ata e hodhën poshtë propozimin, madje e quajtën një “kërkesë të rrezikshme, që u largohet parimeve kushtetuese”. Në këtë kohe “New Deal” dha shenjat e para pozitive në ekonomi, u përmirësuan kushtet e punëtorëve të bardhë (për ata me ngjyrë nuk bëhej fjalë fare). Megjithatë koha u dha të drejtë gjyqtarëve të pavarur. 48 shtete e fituan gjyqin me qeverinë federale, por ndërkaq masat ishin zbatuar tërësisht. Ekonomia amerikane hyri perseri në krizë në fund të vitit 1937. Pas shumë kompromiseve ligjet e New Deal u gjykuan në përputhje me Kushtetutën.
Këtu qëndron dallimi midis ligjvënësve amerikanë të zgjedhur nga populli, kanë turp nga historia, dhe atyre shqiptarë të emëruar nga Baballaret e partive, që nuk e kanë as në fjalor këtë fjalë.
E kundërta ndodhi në vitet nentëdhjetë në Peru dhe Venezuelë. Presidentët Fujimori dhe Chavez pas fitoreve në zgjedhje kërkuan dhe realizuan rishkrimin e kushtetutave përkatëse dhe vunë totalisht nën kontrollin e tyre gjyqësorin. Por nëse ka ngjarje që ngjan si dy pika uji me rastin amerikan, është Carlos Saul Menem në Argjentinë. Natyrisht që e kaluara e këtij shteti ishte shumë e trazuar. Brenda një shekulli kishte provuar 2 herë diktaturën ushtarake. Por edhe ata që vinin në pushtet me zgjedhje, kishin deshirë si paraardhësit militarë të nënshtronin gjyqësorin. Në vitin 1990 u bë kalimi demokratik, nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Partia për Drejtësi i zuri vendin Partisë Radikale. Duke qënë kjo forcë politike në fuqi që nga viti 1983, natyrisht që anëtarët e Gjykates Kushtetuese ishin zgjedhur nga presidenti I mëparshem. Që gjatë fushatës zgjedhore, Menem u bënte presion, madje edhe thirrje të hapur për dorëheqje anëtarëve të kësaj gjykate. Dhe vetëm 3 muaj pas ardhjes në pushtet, ashtu si Roosevelt në 1937 u “qau hallin” gjyqtarëve se punonin shumë dhe propozoi një ligj në parlament që shtonte numrin e tyre nga 5 në 9. U aprovua me shpejtësi rrufe dhe kështu Menem pati edhe në gjykatë mazhorancën. Tregojnë një episod kuptimplotë për këto ngjarje në Argjentinë. Menem sapo erdhi në pushtet i ofroi nje post si ambasador në një vend të rëndësishëm një anëtari të Gjykates Kushtetuese Carlos Fayt. Pasi e refuzoi Fayt, autor i 35 librave, i nisi një kopje të librit që kishte shkruar mbi “ligjin dhe etikën” me dedikimin shkruar me dorë “Kujdes, e kam shkruar unë këtë libër”.
Baza e pamundësisë për të dalë shpejt nga kriza ekonomike, lulëzimi i korrupsionit, rritjes së kriminalitetit, në vendet që kanë në bazë zgjedhjet demokratike është pikërisht cënimi që politika i bën pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Kjo do të thotë që mosrespektimi i parimit bazë të demokracis, ai i ndarjes dhe pavaresisë së pushteteve, nuk është problem vetëm i prokurorëve dhe gjyqtarëve, por i të gjithë qytetarëve.
Ne kemi fatin të njohim historinë e vendeve të tjera dhe të zgjedhim modelin që duhet të ndjekim, e ҫfarë bëjmë?? Përsërisim po të njëjtat gabime tonat, megjithëse e dimë përfundimin, vetëm për arritjen e një qëllimi afat- shkurtër, të errët të cilin historia nuk do të na e falë.

Filed Under: Analiza Tagged With: ''GJYKATA KUSHTETUESE, Edmond Banushi, Triologjia e verës dhe

‘GJYKATA KUSHTETUESE, FILIAL JURIDIK I PDK-SE

August 24, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të PDK-së, ishte vendim i njëanshëm dhe antikushtetues.
Me këtë vendim arbitrar dhe të njëanshëm, kjo Gjykatë edhe njëherë e vërtetoi që është ”filial” juridik i PDK-së dhe është kryekëput në shërbim të saj. Shtrohet pyetja: për çfarë është duke shërbyer kjo Gjykatë! Për t’i shërbyer një partie dhe grupacioneve të caktuara, apo për ta mbrojtur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës? Me këtë vendim të njëanshëm, Gjykata Kushtetuese e ka humbur totalisht besueshmërinë dhe seriozitetin e saj. Por edhe pas këtij vendimi, ku do t’i siguroj votat PDK-ja për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, kur dihet shumë mirë që numrat i mungojnë për ta bërë një gjë të tillë, sikurse më 17 korrik kur dështoi. Kështu që me këtë vendim arbitrar, Gjykata Kushtetuese vetëm e ka treguar joseriozitetin e vetë, sepse asgjë nuk do të ndryshojë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë. Ky vendim është vetëm blerje kohe për PDK-në. Me këtë vendim që mori Gjykata Kushtetuese, vetëm është duke e shtyrë krijimin e institucioneve, sepse ajo dhe PDK-ja e dinë fare mirë që prapë se prapë kryetari i Kuvendit do të zgjidhet z. Isa Mustafa nga koalicioni LDK-AAK-NISMA, pasi numrat e nevojshëm i ka. Qysh në seancën tjetër të Kuvendit, z. Isa Mustafa do të zgjidhet prapë kryetar Kuvendi. Kjo gjë nuk do të ndryshojë.
Zgjedhjet nuk janë opsion!

PDK-ja në pamundësi që vetë ta krijojë Qeverinë, përmes ”filialit” të saj juridik Gjykatës Kushtetuese, po mundohet ta dërgojë vendin prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por nuk besoj që do kemi prapë zgjedhje. Sepse më 8 qershor zgjedhjet u mbajtën dhe sovrani dha verdiktin e tij duke votuar 70 për qind kundër PDK-së dhe për partitë opozitare. Zgjedhjet do të ishin opsion vetëm nëse asnjë koalicion nuk do t’i kishte numrat për krijimin e Qeverisë. Por deri sa kemi koalicionin LDK-AAK-NISMA që i kanë numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë, s’kemi pse të shkojmë edhe njëherë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Përveç kostos së madhe financiare, Kosova nuk e ka luksin prapë të shkojë në zgjedhje, sepse e presin shumë punë për të bërë, duke filluar nga krijimi i Gjykatës Speciale, krijimi i Ushtrisë së Kosovës, liberalizimi i vizave, MSA-ja zhvillimi ekonomik, anëtarësimi në dhjetëra organizata të ndryshme ndërkombëtare!
Për t’i evituar zgjedhjet e jashtëzakonshme, Gjykata Kushtetuese duhet t’i jap dy opsione për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit: Pasi dha verdiktin e saj të njëanshëm duke e njohur si grupin më të madh parlamentar koalicionin e PDK-së, herën e parë t’i jap të drejtën këtij koalicioni ta provojë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kurse herën e dytë koalicionit LDK-AAK-NISMA. Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe organeve të saj, do të hapej rruga për krijimin e Qeverisë. E menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit dhe konstituimit të Kuvendit, Presidentja Jahjaha duhet ta thërras koalicionin e shumicës LDK-AAK-NISMA, për krijimin e Qeverisë. Tjetër zgjidhje nuk ka. Duke e ditur që koalicioni i PDK-së nuk i ka numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë, do të ishte fatale nëse Gjykata Kushtetuese i jep dy herë mundësinë këtij koalicioni.

Filed Under: Opinion Tagged With: ''GJYKATA KUSHTETUESE, faik Krasniqi, FILIAL JURIDIK, I PDK-SE''

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT