• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIRIA E FJALËS DHE “TRUBADURI” SLLAV NË KORÇË

August 26, 2021 by s p

                                               

  Nga Frank Shkreli/


A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

Ja edhe këngëtari sllav Goran Bregoviq — e cilësoj si “sllav” pasi nuk jam i sigurt se cilit prej grupeve etnike sllave të ish-Jugosllavisë i përket ai — shkoi në Korçë, pa çka pau, këndoi dhe iku por nuk mund të thuhet se fitoi gjë ai as ata që e ftuan dhe sponsorizuan praninë e tij në Korçë. Si në parantezë dua të them se, megjithë zhurmën e madhe, pro dhe kundër rreth pranisë së tij në Korçë, personalisht, isha krejt indiferent ndaj pjesëmarrjes së tij në “Festën e Birrës”, duke menduar se nëqoftse pjesëmarrja e tij atje ndihmon që të shitet ndonjë birrë më tepër, aq më mirë – ndihmon sadopak ekonominë shqiptare, thashë me vete.

Por siç duket, retë e pluhurit “radioaktiv” që la pas prania e këngëtarit sllav Bregoviq në Korçë vazhdojnë të qëndrojnë mbi hapësirën politike dhe shoqërore shqiptare.  Megjithëse i kuptoj shumë mirë shqetësimet e shqiptarëve të Kosovës për ftesën dhe pjesëmarrjen e Bregoviqit në Festën e Birrës në Korcë – por edhe ata brenda Shqipërisë që mbështetën pjesëmarrjen e tij në Korçë – megjithë kundërshtimet mes dy palëve, unë e kam ndjekur debatin në lidhje me këtë çeshtje si diçka pozitive që është me rëndësi për tu zhvilluar. E kam konsideruar këtë debat si pjesë e lirisë së fjalës për të dy palët, për ata që kundërshtuan pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit në Festën e Birrës dhe atyre që e mbështën atë të shkonte e të këndonte në Korçë.  E shikova si një debat midis dy a më shumë vëllëzërve e motrave që nuk janë dakort për një çështje me rëndësi për ta dhe për derisa diskursi zhvillohej në një nivel e standard të qytetëruar – s’ka gjë të keqe në këtë mes.  Falë nderës Zotit këtë ditë kemi pritur që shqiptarët, më në fund, mund të diskutojnë me njëri tjetrin, por edhe me të tjerë — nga afër dhe nga larg, si të barabartë dhe të lirë — derisa lexova reagimin e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama në mbrojtje të pjesëmarrjes së Bregoviqit dhe mbështetësve të tij në Korçë dhe duke sulmuar ashpër ata shqiotarë, sidomos, nga Kosova që kritikuan pjesëmarrjen e tij në festën e Korcës .  Jo se Kryeministri shqiptar nuk ka të drejtë të shprehet, kështu ose ashtu për Bregoviqin ose këdo tjetër, pasi liria e fjalës duhet të përfshij edhe atë por reagimi i tij, më të thenë të drejtën, më la me gojë hapur. 

 Z. Rama i doli në mbrojtje Bregoviqit, duke i cilësuar reagimet e kundërshtarëve dhe kritikëve të pjesëmarrjes së tij në Festën e Birrës në Korçë si, “Një histeri fashiste, e turpshme për qytetarinë europiane të shqiptarëve”.  Z. Bregoviq është një figurë publike dhe si e tillë ai, patjetër, do të tërheq kritika dhe kundërshtime për deklaratat e tija ose heshtjen e tij kur duhej të fliste dhe nuk foli ose për këngët e tija nga pozita e tij si njeri publik dhe e “një muzikanti nga më të jashtzakonshmit e Ballkanit”, siç e cilësoi Z. Rama.  Më habiti gjithashtu shumë përdorimi i fjalëve “histeri fashiste” nga Z. Rama, drejtuar kritikëve shqiptarë të Bregoviqit. Kisha shpresuar se fjalët, “fashist e fashiste” nuk do i dëgjonim më në fjalorin shqip, sidomos, kur është fjala për diskurset politike ndër-shqiptare të vëllait me vëlla e motëra shqiptare. Shpresonim se këto fjalë do i takonin një periudhe tjetër të zezë të historisë shqiptare lenë pas – periudhës së komunizmit.  Fashistët e vërtetë, Z. Rama i gjeni në Beograd, shumë prej të cilëve i njihni mirë dhe me të cilët bashkpunoni ngusht — dhe jo në Prishtinë, e besoj as në Tiranë!

Por mbi të gjitha, deklarata e Z. Rama kundër kritikëve të pjesëmarrjes së Bregoviqit në Korçë, ishte një goditje mu në zemër të lirisë së fjalës. Është vështirë të thuhet se pse ishte prekur aq personalisht, Z. Rama me kritikat ndaj Bregoviqit? Pa marrë parasyshë se ç’mendon Z. Kryeministër për lirinë e fjalës dhe të shtypit, në vendin e tij dhe gjetkë, për të gjithë dhe pa dallim, “Zjarrnxitësit mendjefikur”, siç i cilësoi Kryeministri shqiptar kritikët e Goran Bregoviqit“, me “histerinë mesjetare” dhe me “histerinë fashiste” të tyre, qofshin ata në Tiranë ose në Prishtinë, në bazë të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, nënshkruese e të cilës është edhe Shqipëria, gëzojnë si të gjithë njerëzit anë e mbanë botës, të drejtën e lirisë së fjalës, mohuar atyre nga fashistët e vërtetë sllavo-komunistë për një gjysëm shekulli në Tiranë dhe në Prishtinë, fillimisht, në bashkpunim me njëri tjetrin.  

Prandaj, komentet e Z. Rama nuk janë vetëm një sulm ndaj kritikëve të një trubaduri sllav, por mbi të gjitha një goditje e rëndë ndaj lirisë së fjalës, në përgjithësi. Siç duket, edhe pas 30-vjetë “post-komunizëm”, udhëheqsit shqiptarë ende e kanë të vështirë të kuptojnë se ç’është liria, veçmas liria e fjalës për të tjerët, si e drejtë bazë e njeriut e sanksionuar me marrveshje ndërkombëtare dhe e mbrojtur me ligje kombëtare, si një vlerë evropiane, por edhe shqiptare, në radhë të parë. Përgjigjen se ç’është liria e fjalës për shqiptarë, na e ka dhënë ndoshta para evropianëve të tjerë, i madhi Faik Konica, më shumë se një shekull më parë.  “Liria është të mundet njeriu: të besojë ç’i do zemra; të thotë ç’i do zemra; të shkruanj ç’i do zemra; të bëjë ç’i do zemra,”, ka shkruar Faik Konica në Gazeta Albania, viti 1897, nr. 2, f. 32 /

Kjo është liria e vërtetë sipas Faik Konicës që po të respektohej dhe po të zbatohej nga shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre sot – do të nderonte “qytetarinë evropiane të shqiptarëve”, por edhe “historinë dhe traditën tonë poashtu”.  Z. Kryeministër nuk e di nëse je adhurues ose jo i Faik Konicës, por ai do të këshillonte sot se megjithëse je në krye të qeverisë shqiptare, “Nuk ke të drejtë tu presësh lirinë e fjalës”, kritikëve të këngëtarit trubador të Ballkanit, për pjesëmarrjen e tij në Festën e Birrës në Korçë.  Liria e fjalës është dhe mbetet e shenjtë, si për ju Z. Kryeministër ashtu dhe për kritikët e këngëtarit ballkanas në Korçë! 

Në fund të fundit, me këtë episod askush nuk doli fitues. Të gjithë humbës mbetën. Veçanërisht humbi keq liria e fjalës dhe e vërteta, ashtu siç jemi mësuar të shohim se ndodhë shpesh në trojet shqiptare këto 30-vite tranzicion “post-komunist”.  Z. Kryeministër, “Unë nuk jam aspak dakort me ato që thua, por do të mbrojë deri në vdekje të drejtën tënde (dhe të tjerëve) për të thenë atë që dëshiron të thuash”, (Voltaire) dhe “çfarë të do zemra” (Faik Konica).

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Goran Bregovic, Liria e fjales

FESTA E BIRRËS NË KORÇË – TEATËR ABSURD

August 24, 2021 by s p

Nga Xhelal Zejneli

Festa e birrës në Korçë u refuzua nga Kosova si dhe nga shumë shqiptarë të tjerë në Shqipëri, në gadishull dhe në diasporë. Shkak i bojkotimit të kësaj feste ishte pjesëmarrja e njëfarë Bregoviqi, i cili në tokën arbërore këndon në gjuhën serbe. Të këndosh në Arbëri në gjuhën serbe dhe kurrë të mos i kesh dënuar krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë apo Dardani, kjo është e papranueshme, për të mos thënë e pafalshme. Ka të tillë që thonë se ky farë Bregoviq, na qenkësh kroato-boshnjak. Në të vërtetë, ky vjen nga një baba kroat dhe nga një nënë serbe, ndërsa gruan e ka myslimane (boshnjake). Jeton në Beograd dhe në Paris. Dikur është deklaruar jugosllav. S’ka asnjë dyshim se Bregoviqi është serb i kulluar. Ka qenë i afërt dhe vazhdon të jetë i afërt me regjisorin Emir Kusturica, i cili i takon vijës ultra-nacionaliste serbe, vijës Millosheviqit dhe të radikalit Vojisllav Sheshel. Dikur ai mund të jetë deklaruar si jugosllav, por që prej vitit 1991 e këndej, Jugosllavi nuk ka. Madje, edhe kur ka pasur Jugosllavi, ajo në të vërtetë ka qenë Serbosllavi. S’ka asnjë dyshim se Beogradit i shkon në dobi përçarja midis Kosovës dhe Shqipërisë, i shkojnë në dobi zënkat, mosmarrëveshjet dhe konfliktet ndërshqiptare. Por kjo, kurrë s’ka për të ndodhur. Shqiptarët kanë të njëjtën prejardhje – ilire, flasin gjë gjuhë – shqipen, kanë një histori dhe janë një komb. S’ka fuqi në botë që mund ta mohojë apo ta kontestojë këtë. Në aspektin propagandistik, festën e birrës në Korçë e mbështetën disa mediume dhe studio televizive mercenare, disa gazetarë të shitur, disa analistë të tipit të Esat pashë Toptanit, të vrarë në Paris nga heroi i kombit – Avni Rustemi. Festa e birrës në Korçë nuk i bën nder fabrikës së prodhimit të birrës së Korçës. Është turp për Bashkinë e Korçës të jetë organizatore e këtij manifestimi. I riu që hodhi gazin lotsjellës në sheshin ku mbahej koncerti i Bregoviqit, për miliona shqiptarë anembanë gadishullit dhe për shqiptarët në diasporë konsiderohet hero dhe atdhetar. S’ka gjykatë në Shqipëri që mund t’i shqiptojë dënim këtij heroi dhe mëmëdhetari. Ata që thonë se Bregoviqi është këngëtar i madh, madje me famë botërore, e kanë gabim. Ai, as është këngëtar i madh, as është i përmasave botërore. Nuk është e vërtetë se ka mbajtur koncerte në shumë vende të botës. Ajo që dihet saktë është se ai ka mbajtur koncert në Rusi, e Rusia nuk është e gjithë bota. Ky farë Bregoviq kurrë nuk është distancuar nga krimet serbe në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Kurrë nuk i ka dënuar krimet dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. 

Bashkia e Korçës dhe sponsoruesit e tjerë të festës groteske të birrës duhet të dinë se:

– Mbi 1000 shqiptarë ende evidencohen si të pagjetur;

– Frigoriferi me trupat e pajetë të shqiptarëve është gjetur në lumin Danub;

– Bombardimi i burgut të Dubravës nga ushtria pushtuese serbe është plagë e pashërueshme e kosovarëve;

– Përdhunimet e kryera në Kosovë nga ushtria, policia dhe falangat serbe janë akte barbare, të papara në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore;

– Dëbimi i mbi një milion shqiptarëve nga vatrat e tyre është një tragjedi përmasash biblike; 

– Vrasja e fëmijëve të moshës së mitur troket në ndërgjegjen e kombit dhe të Perëndimit;

– Për vrasjen e Ukshin Hotit, të poetit dhe profesorit Latif Berishës në pragun e shtëpisë, të avokatit Bajram Kelmendi dhe tre djemve të tij, të tre vëllezërve Bytyçi, me shtetësi amerikane, të profesor Femi Aganit dhe shumë të tjerëve, sot e kësaj dite nuk është përgjigjur asnjë kriminel serb etj. Të luash politikanin modern në rrethana të tilla, është papërgjegjësi politike dhe sharlatanizëm politik.        

    Është indikativ fakti se Bregoviqi është ftuar pikërisht në Korçë dhe jo në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë. Në Korçë mund të ketë të tillë që e kanë në zemër Athinën dhe Beogradin, për të mos thënë edhe Rusinë. Por, të gjithë duhet ta dimë se feja e shqiptarit është shqiptaria, se dielli shqiptar lind në Perëndim, se aleate e shqiptarëve është ShBA-ja, se shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Të gjithë e dinë se hero kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti, se krenari e kombit është Nënë Tereza, se princ i kombit në art dhe në letërsi është Ismail Kadareja, i përkthyer në 47 gjuhë të botës, në të pesë kontinentet. Ardhjen e Bregoviqit në Korçë nuk mund ta shpjegojnë analistët apo krijuesit e opinioneve që janë pa ndjenja kombëtare. Nuk mund ta shpjegojnë as analistët sharlatanë që kanë punuar në Perëndim si djathëshitës, kamerierë, pjatalarës, ngasës kamioni dhe si taksistë. Është për t’u habitur sesi mediume të caktuara apo studio televizive u japin hapësirë nëpër debate, pseudo-intelektualëve dhe pseudo-analistëve të cilët kërkojnë ndryshimin e historisë, të cilët thonë se pushtimi i egër turk apo osman nuk paskësh qenë pushtim, se sundimi i egër pesëshekullor turk apo osman nuk paskësh qenë sundim. Këta kuazi-intelektualë dhe kuazi-analistë, në emër të çmitizimit të historisë sonë kombëtare, shajnë dhe mohojnë kryeheroin e shqiptarëve Gjergj Kastriotin, relativizojnë rolin dhe vlerën e Nënë Terezës, e shpallin shkrimtar oborri Ismail Kadarenë, ndonëse vepra letrare e tij, fund e krye është kundër diktaturës, tiranisë, despotizmit, autoritarizmit dhe autokracisë. Romani “Pallati i ëndrrave” është kryevepër me vlera dhe përmasa universale që mund të krahasohet me “Procesin” e Franc Kafkës. 

Mediumet dhe studiot televizive, bashkë me moderatorët e debateve të sipërthëna – thellësisht antishqiptare – janë mediume dhe studio televizive mercenare, në dëm të kombit dhe në shërbim të armiqve të kombit. E armiqtë e kombit dihen se kush janë. Janë ata që i mbajtën apo që vazhdojnë t’i mbajnë nën pushtim dhe nën sundim trojet etnike historike shqiptare. 

Këta mbeturina të kombit, këta të ashtuquajtur çmitizues të së kaluarës do të përfundojnë në plehun e historisë. Plehu i kombit kërkon revidimin e historisë dhe krijimin e një të ashtuquajture histori integrale. Hedhurinat e kombit duhet ta dinë se historinë e shqiptarëve nuk e krijuan ata që u vunë shërbim të të huajve por ata që u flijuan për t’u çliruar nga pushtimi dhe nga sundimi i huaj.

Historinë e lavdishme dhe heroike të Kosovës nuk e krijuan katër-pesë shqiptarët e ndershëm që punuan për Serbosllavinë, që u martuan me serbe, që jetuan në Beograd dhe që vdiqën aty, për t’u varrosur në Novo Groble të Beogradit. Për të tillët, në Kosovën martire s’kishte as vend për varr. Prej këtyre shqiptarëve të ndershëm u distancuan edhe familjet dhe fisi i tyre. 

Shtypi i Beogradit i quante të ndershëm ata shqiptarë të cilët shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë, d.m.th. Serbosllavinë. Jugosllavi s’ka pasur kurrë. Ka pasur Serbosllavi. Serbosllavi ka pasur, si në kohën e Nikolla Pashiqit ashtu edhe në kohën e karagjorgjeviqëve, si në kohën e Aleksandër Rankoviqit ashtu edhe në atë të Millosheviqit. 

Deklaratat se shqiptarët në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare e paskan adhuruar muzikën serbe, janë të pavërteta, janë gënjeshtra të kulluara. Shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare e kanë kultivuar muzikën e vet popullore, ndërsa grupet muzikore të të rinjve shqiptarë e kanë kultivuar muzikën bashkëkohore shqipe. 

Ka që thonë se në koncertin e gruas së kriminelit të luftës – Zhelko Razhnjatoviq Arkanit, kanë marrë pjesë shumë shqiptarë nga Kosova, është një gënjeshtër e madhe. E vërteta është se në koncertin e saj në Shkup nuk ka marrë pjesë as edhe një shqiptar nga Kosova apo nga Maqedonia.

Bashkia e Korçës duhet ta dijë se këngët “Kuq e zi” dhe “Xhamadani vija-vija” nuk shkojnë bashkë me Kallashnjikovin e Bregoviqit. T’i përziesh këngët e sipërthëna me praninë e Bregoviqit, nuk është veçse demagogji. Simboli i flamurit kombëtar, i bërë me dy duar dhe kënga në gjuhën serbe e Bregoviqit, nuk shkojnë bashkë. Kjo është hipokrizi, është dyfytyrësi. Me demagogjinë, hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e manifestuar, organizuesi i festës groteske dëshmon se është fajtor.   

*   *   *

Politikën e Tiranës nuk duhet ta imponojnë qendrat majtiste globale, që përhapin multikulturë. Edhe Josip Brozi e provoi me vëllazërim-bashkimin por Jugosllavia e tij u zhbë në gjak. S’mund të ketë vëllazërim-bashkim midis shqiptarëve, në një anë dhe sllavëve të jugut, në anën tjetër. Kjo është një utopi. 

Tirana zyrtare dhe Bashkia e Korçës duhet ta dinë se:

– Kosova është zemra e shqiptarisë; 

– Kosova ndodhet në vijën e parë të frontit përballë armikut të rrezikshëm – Serbisë;

– Kosova kreshnike e Adem Demaçit, e Ibrahim Rugovës dhe e Adem Jasharit është mur mbrojtës i Shqipërisë, përballë synimeve hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë së kryekriminelit të Ballkanit – Aleksandër Vuçiqit;

 – Kosova krenare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroike, lavdiplote dhe legjendare nuk shtrohet dhe nuk nënshtrohet para hordhive të egra barbare çetnike dhe serbomadhe;  

– Kombi shqiptar i ka borxh Kosovës, për arsye se ajo ballafaqohet me hienën gjakpirëse – Serbinë;

– Politikën serbe e dikton Akademia Serbe, Lidhja e Shkrimtarëve e Serbisë, Kisha Ortodokse fashiste Serbe dhe Rusia e Vlladimir Putinit.

Politika e Tiranës zyrtare dhe Bashkia e Korçës duhet ta dinë se:

– Që nga viti 1991 e deri më sot, nga 600 mijë shqiptarë të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare vijnë në bregdetin shqiptar për t’i kaluar pushimet e verës;

– Me ndërtimin e Rrugës së Kombit, shqiptarët e Kosovës çdo të shtune dhe çdo të diele, vijnë në Shqipëri për t’i kaluar ditët e fundjavës. 

– Shumë të rinj nga Kosova dhe nga viset e tjera shqiptare i ndoqën studimet dhe vazhdojnë t’i ndjekin studimet në Universitetin e Tiranës;

– Tregu i Kosovës gjithmonë ka qenë i hapur dhe vazhdon të jetë i hapur për mallrat e Shqipërisë;

– Nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës dhe të viseve të tjera, ekskursionet e veta i organizojnë dhe i realizojnë në Shqipëri.

Në kohën kur Shqipëria u godit nga tërmeti vdekjeprurës, i madh e vogël, në Kosovë dhe në viset e tjera, u ngritën në këmbë, aq sa mundën dhe aq sa ditën, për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë. Por kjo nuk duhet të përmendet për arsye se këto janë sjellje dhe veprime vëllazërore. 

Në vitin 1999 kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u përball me ushtrinë, me policinë dhe me falangat paramilitare serbe, 600 mijë shqiptarë të Kosovës gjetën strehim në Shqipëri. Strehim gjetën, nga veriu deri në jug. Strehim gjetën edhe në Korçë, aty ku më 22 gusht të vitit në vazhdim, në prani të ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, këndoi Bregoviqi. 

S’ka të drejtë Tirana zyrtare dhe Bashkia e Korçës t’i trazojë ndjenjat e dy milionë shqiptarëve të Kosovës. 

Shqiptarët jashtë Shqipërisë, Shqipërinë e kanë përjetuar dhe e përjetojnë si vend mëmë. Dhe kjo nuk mund të merret si naivitet. Të ballafaquar me hetues, me gjyqe dhe gjyqtarë, me dënime drakonike, me gardianë, me qelitë e burgut, me dëbime nga puna, me të ashtuquajtura diferencime ideopolitike, me përndjekje të vazhdueshme, me konfiskim librash të botuar në Tiranë – ndër shqiptarët e Kosovës dhe të troje të tjera është akumuluar ndjenja flaktë e flijimit për liri, për pavarësi dhe për demokraci. Shqiptarët u ndeshën me shkopinjtë e gomës të policëve fashistë serbë, sllavo-maqedonas dhe malazezë. Akuzë e vetme ishte: “Ju e doni Shqipërinë dhe punoni kundër Jugosllavisë. Ju punoni për bashkim kombëtar dhe për shpartallimin e Jugosllavisë”.

Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë duhet të njihen më mirë me historinë dhe me gjeografinë e Kosovës dhe të shqiptarëve të viseve të tjera. Qëndresa e shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze përballë armiqve serbë, grekë, sllavo-maqedonas dhe malazezë duhet të mësohet dh të studiohet nëpër shkolla dhe universitete. Madje jo një vit, por katër vjet me radhë. Jo një semestër por tetë semestra. Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë, përfshi edhe mësuesit, arsimtarët, profesorët dhe pedagogët e Korçës ku këndoi Bregoviqi, duhet ta dinë çdo cep të trojeve etnike shqiptare, çdo qytet dhe fshat të banuar nga shqiptarë, në të kaluarën dhe sot. 

Raportuesja e një mediumi prestigjioz të Tiranës thotë: “… dy të mbyturit janë nga Bitola e Republikës së Maqedonisë së…”. Kjo gazetare nuk e di se në toponomastikën shqiptare fjala Bitola nuk ekziston. Është Manastiri, qyteti i alfabetit të gjuhës shqipe, i Kongresit lavdiplotë të alfabetit të shqipes. Raportuesja mund edhe mos ta dijë një gjë të tillë, por redaksia e studios televizive patjetër duhet ta dijë, duhet të reagojë dhe ta përmirësojë. 

Po si mund të arrihet kjo kur mbi 60% e të rinjve të Shqipërisë synojnë t’i marrin rrugët pa kthim të Perëndimit.    

Tirana zyrtare duhet ta dijë se asnjë akt politik dhe ekonomik me Beogradin nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Prishtinës. Asnjë akt pra.

Shqiptarët e përjetojnë Shqipërinë si Piemont të botës shqiptare. Ndaj vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë Kosovës, Tirana zyrtare duhet të tregohet më e përmbajtur. Një shtet që s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës, nuk ka përse ta çojë mirë me Shqipërinë. 

Në kohën kur Kosova duhej të pranohej anëtare e Interpolit, përfaqësuesi i Rumanisë, lëre që votoi kundër Kosovës, por doli në foltore dhe foli keq për të. Ndërkohë, ambasadori i Rumanisë deklaroi: “Me Shqipërinë kemi marrëdhënie të shkëlqyera”. Kujt i duhen vallë këso marrëdhëniesh të shkëlqyera?! 

Çdo ministër i Shqipërisë, në çdo takim me përfaqësuesit e shteteve që s’e kanë njohur Kosovën, ende pa u ulur në tryezën e bisedimeve, fjali të parë duhet ta ketë Kosovën dhe kërkesën për njohjen e saj. Deri më sot, Shqipëria fare pak ka punuar në drejtim të njohjes së Kosovës nga shtetet që akoma s’e kanë njohur atë. 

Politika kombëtare kërkon idealizëm dhe jo korrupsion e nepotizëm, jo pasurim brenda nate. Politika kombëtare kërkon studime dhe veprime nga institucionet arsimore dhe shkencore të kombit dhe jo letargji apo indolencë prej tyre. Politika kombëtare nënkupton ndërtimin dhe përkufizimin e interesit kombëtar apo mbarëkombëtar dhe jo politikë teatrale. Politika kombëtare nuk është ekzibicionizëm politik. Politika teatrale nuk është veçse simulim dhe imitim politik, nuk është veçse politikë groteske. 

Politika kombëtare nuk bëhet duke e anashkaluar Kosovën. Asnjë vendim në botën shqiptare, lidhur me Kosovën, nuk mund të merret pa miratimin e Prishtinës. Çdo vendim i tillë do të ishte llogari pa hanxhiun. Politikani shqiptar që tenton ta anashkalojë apo ta margjinalizojë Kosovën do ta ketë mallkimin e historisë. 

Politika e Tiranës duhet ta dijë se s’ka shqiptarizëm pa Kosovën. Le ta harrojë Beogradi dhe i tërë rruzulli tokësor se mund të shkaktojë mosmarrëveshje ndërmjet shqiptarëve.                 

Xhelal Zejneli

Filed Under: Opinion Tagged With: Festa e Birtres ne Korce, Goran Bregovic, Xhelal Zejneli

Artikujt e fundit

  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”
  • VATRA PROMOVOI “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999”
  • VATRA MORI PJESË NË PROMOVIMIN “ALBUM” TË NOLIT DHE NDEROI AT ARTHUR LIOLIN
  • VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS
  • VATRA BOSTON RIORGANIZOHET
  • Kristian Prenga, një fitore spektakolare në New York
  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT