• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si i vrau diktatura gratë intelektuale që nga Musine e Kokalari e Marie Tuçi

March 10, 2021 by dgreca

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Sistemi totalitar në Shqipëri ka zbatuar diktaturën më të egër komuniste gjakatare ndaj qënies njerëzore, gjatë periudhës 45 vjeçare, krahasuar me sistemet e shteteve të Europës Lindore asokohe.

Ky sistem u ngrit mbi kultin e individit, propagandës proletare, mashtrimit, shpifjes, artit të spiunllëkut, ndrydhjes së trurit, shkatërrimit dhe degradimit të qënies njerëzore. Udhëheqësi diktator nuk njihte parime, barazi ligjore, të drejta e liri themelore bazë, por e konsideronte qenies njerëzore si një shtazë që duhet t’i pish gjakun e ta hedhësh atje tej në harresë të plotë! 

Ky udhëheqës, një korb i zi që i përngjante vdekjes, e cila hidhte valle mbi kryet e njerëzve, e njëhsonte veten me të mbinatyrshmen universale, i gjithëpushtetshëm, duke njohur vetëm parimin e shtypjes, nënshtrimit, persekutimit e vrasjes, si e vetmja mënyrë për të mbajtur masën nën tutel. 

Krimet ndaj individëve, që nuk pranonin idealet komuniste të vijës së kuqe, por dilnin ballëhapur për të thënë me zë të lartë se kjo nuk është Shqipëria që donin të ndërtonin intelektualët e mendimtarët e parë, i konsideronte të ligjshme në emër të idealeve të partisë, ndërsa censurën ndaj lirisë së shtypit, shtypjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, bllokimin e alternativave të reja, as që i përfillte. 

Propagandonte kultin e madhështisë duke e quajtur veten Zot, pasi mbylli çdo kult fetar; zëri i fjalës së lirë nuk kishte forcë të dëgjohej, por qëndronte i strukur në një qoshe, në përpëlitje për të thënë diçka, me shpresën se dikush do e dëgjonte. I vetmi stacion televiziv, për ata që e dispononin pajisjen, paraqeste ngjarje lufte nga vende të botës së tretë, për t’u hedhur hi syve popullit se në Shqipëri jetohej më mirë. Gënjeshtër, për t’u mpirë trurin shqiptarëve, ashtu siç dinë ta bëjnë dritëshkurtërit!

I interesonte një popull analfabet, për ta pasur më të lehtë nënshtrimin e tyre, për të zbatuar me rigorozitet mekanizmat e një sociopati, me qëllim ruajtjen e pushtetit të tij të mbinatyrshëm me fanatizëm. Intelektualët që patën kurajën të ngrenë zërin, disa me penë e disa me veprime ua shkatërroi jetën me fis e farefis, i internoi e pushkatoi saqë as kockat nuk iu gjenden. Akoma edhe sot e duan, pasi propaganda ishte aq e egër, saqë ka lënë gjurmë të pashlyer në mpiksjen e trurit!

Persekutimet dhe vrasjet e grave intelektuale

Ky sistem vrasës nuk kurseu nga persekutimi, vrasja edhe qenien më të butë, të brishtë, që i jep jetës jetë. Persekutoi me dhjetëra gra e vajza intelektuale, ua denigroi figurën dhe i degdisi në burgje e kampe përqëndrimi, në “Gestapot famëkeqe të Shqipërisë”. 

Grave e vajzave të reja intelektuale, që dashuronin dijen dhe luftonin për demokracinë, ua shkatërroi jetën, ua mohoi të drejtën e mëmësisë, duke përdorur mekanizmat më çnjerëzore dhe torturave. Ua mohoi të drejtën për të mbajtur në duar krijesën më të bukur e të brishtë që i jep kuptim jetës së një gruaje. Ato nuk u bënë kurrë nuse, fustanin e bardhë të nusërisë nuk e veshën kurrë, në vend të tij shpirti u veshi torturat çnjerëzore që i morën me vete si kujtime në botën tjetër.

Femra është si flladi i mëngjesit pranveror ngjyraplotë, qenie e paqes, mirësisë, nga ku jeta merr jetë. Një udhëheqës i tillë është një burracak sociopat e psikopat, që kishte ngritur perandorinë e tij të rrethuar me njerëz të nënshtruar, sylesh, që u bënte lavazh truri. Në sajë të tyre mbretëroi aq gjatë. Një ndër to ishte Musine Kokalari, një ndër të parat gra shkrimtare, politikane, veprimtare e kulturës dhe dijes, e cila sakrifikoi jetën duke dalë me guxim të plotë kundër sistemit gjakatar. Kjo martire e demokracisë u vetësakrifikua që populli i saj të shihte diellin e mëngjesit, shpirtrat të preknin lirinë dhe të shijonin gjërat më të bukura që të ofronte jeta. Kjo grua mbajti ndezur flakë diellin e shpirtit dhe kurrë nuk u dorëzua deri ditën që dha shpirt. “Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”, i është drejtuar ajo shërbëtorëve të rregjimit në gjyqin komunist, me atë shikim stoik, por që buronte nga thellësia e një shpirti të butë të një gruaje. Ajo e la në dorëshkrim aktin kriminal dhe barbar që kishte kryer sistemi. “Komunistët më varrosën për së gjalli… nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore…”. 

Një tjetër martire e lirisë ishte Marie Tuçi, mësuesja 22-vjeçare, që hoqi torturat më të tmerrshme që ka parë njerëzimi. Marie Tuçi është e vetmja grua që renditet në mesin e 40-të martirëve të parë të kishës katolike shqiptare. Atë e mbyllën në një thes së bashku me një mace të tërbuar dhe e goditën atë me mjete të forta. Kur e nxorën nga thesi, Maria ishte transformuar sa nuk njihej. Rregjimi komunist persekutoi edhe fëmijë që në djep, pasi prindërit u kishin dalë kundër sistemit diktatorial. Ky ishte fati i Drita Çomos, e cila në nëntor të vitit 1960, në moshën dy-vjeçare, internohet për shkak të dënimit politik të nënës së saj, Liri Belishovës. Babai i saj, Maqo Çomo, u dënua dhe ridënua nga regjimi komunist. Një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshencës Drita e kaloi e internuar në Kuç të Vlorës, më pas në Progonat të Kurveleshit. Së fundi e internojnë në Cërrik, ku edhe mbaroi shkollën e mesme, por për arsye të sëmundjes së pashërueshme dhe biografisë u pengua në mbrojtjen e maturës. Nga këto tortura asaj iu shpif kanceri, dhe, më 19.02.1981, në moshë fare të re, vdes në spitalin onkologjik të Tiranës. Janë dhjetëra gra të tjera, që diktatura ua mbylli gojën dhe jetën, gra me virtyte e vlera për shoqërinë, të cilat nuk u bënë kurrë nuse, por ato nusërojnë aq bukur në mendjen e atyre që i deshën dhe mbeten të pavdekshme me veprën e tyre, në historinë e kombit shqiptar!

Filed Under: Analiza Tagged With: diktatura, Eneida Jacaj, grate e shquara, vrasjet

Gratë e shquara nga Prishtina dhe Beogradi për normalizimin e marrëdhënieve

December 8, 2015 by dgreca

– Akademia e Dialogut e OSBE-së, me fokus përfshirjen e grave nga Prishtina dhe Beogradi në dialog dhe politikë-bërje/

PRISHTINË, 8 Dhjetor 2015/ Akademia e Dialogut e OSBE-së, me fokus përfshirjen e grave nga Prishtina dhe Beogradi në dialog dhe politikë-bërje, përfundon në Austri.Akademia e Dialogut e OSBE-së, organizuar me nismën e grupit të grave të shquara nga Prishtina dhe Beogradi si pjesë e Iniciativës “Follow us” (Na ndiqni) dhe e përkrahur nga OSBE, është mbajtur nga 27 nëntor deri më 6 dhjetor 2015 në Stadt Schlaining, Austri. Akademia ishte një mundësi për 22 aktiviste të shoqërisë civile dhe organizatave rinore, studente dhe profesioniste të reja, të diskutojnë për rolin e grave në ndërmjetësimin e konflikteve dhe në politikë në rajon. Akademia kishte për synim inkurajimin e grave që të luajnë rol më të fuqishëm në ndërtimin e paqes, në proceset e negocimit dhe në vendimmarrje, si dhe të rrisin mundësitë e tyre për të kontribuuar në normalizimin e marrëdhënieve mes të Prishtinës dhe Beogradit. Përmes seminareve të mbajtur nga studiues e ekspertë, pjesëmarrëset mësuan për teknikat e ndërmjetësimit dhe negocimit, barazinë gjinore, gratë dhe të rinjtë në parti politike, si dhe për sfidat e pjesëmarrjes së grave në politikë. Gratë e shquara të Iniciativës “Follow us” iu bashkuan Akademisë së Dialogut për të ndarë përvojën e tyre në politikë dhe vendimmarrje, promovim të dialogut përmes iniciativës, dhe diskutuan çështje me interes për gratë në rajon. “Gjatë këtyre ditëve, kemi mësuar se kemi shumë gjëra të përbashkëta”, tha njëra nga pjesëmarrëset. “Nuk ka dallime mes neve dhe duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku e të fuqizojmë rolin e grave në shoqëri”, citon njoftimi dërguar sot nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.Zëvendës Shefja e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Paivi Nikander, duke iu drejtuar pjesëmarrëseve në ceremoninë e mbylljes, shprehu kënaqësinë e OSBE-së me Akademinë e Dialogut. “Jemi krenarë për iniciativën dhe për çfarë ka arritur ajo, dhe do të sigurohemi që të vazhdojmë ta përkrahim”, theksoi ajo. Ngjarja është organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Serbi si pjesë e punës së tyre për të promovuar dialogun dhe pajtimin si dhe barazinë gjinore në pjesëmarrjen publike./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Beograd-Prishtine, Dialog, grate e shquara

KRYEPARLAMENTARJA NDERON GRATE SHQIPTARE PER KONTRIBUT NE 100 VJETOR

November 2, 2012 by dgreca

Geraldine Appony, Mbretëresha e shqiptarëve, Tefta Tashko, Lola Gjoka, Marije Kraja, Dr. Sabiha Kasimati, Musine Kokalari, Drita Pelinku, Vace Zela, Margarita Xhepa, Luiza Laska, Roza Anagnosti, Prof. Rushen Golemi, Suzana Turku, Prof. Adelina Mazreku, Cezarina Daragjati dhe…/

Kuvendi i Shqipërisë, në një ceremoni të veçantë në sallën e veshur kuq e zi, nderoi dje kontributin e grave shqiptare në 100 vjet pavarësi, të cilat i dhanë nder dhe krenari kombit shqiptar. “Ne nderojmë brishtësinë, delikatesën, dinjitetin e gruas shqiptare, kësaj gruaje të lindur në ‘djepin e tragjedisë’ e të ‘dramës pa fund’, por që kurrë nuk u vyshk në freskinë e në fisnikërinë e saj njerëzore. Sot, nderojmë një pjesë të grave simbol të qëndresës e të forcës së gruas shqiptare, siç vetëm një grua shqiptare mund të jetë”, tha Kryetarja e Kuvendit. Topalli me motivacione të veçanta në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për misionin e tyre, dhuroi botimin special të Kuvendit “Akte të themelimit të shtetit shqiptar”, duke nderuar një pjesë të grave simbol të qëndresës dhe të forcës së grave shqiptare, siç vetëm një grua shqiptare mund të jetë.

Tefta Tashko Koço

E para artiste lirike, e një Shqipërie që po përpiqej të dilte nga prapambetja dhe paragjykimet mesjetare. Me zërin e saj hyjnor, dëshirën dhe vullnetin që ky vend të rigjejë vokacionin e tij evropian, u bë pionierja e parë e promovimit të vlerave të muzikës shqiptare, e shpirtit artist të kombit tonë.

Lola Gjoka

E para pianiste shqiptare, e lindur, rritur dhe shkolluar në mërgim, por që zgjodhi të kthehej në atdhe ku ngriti nga asgjëja atë që më vonë do të bëhej shkolla e pianos, duke qenë edhe e para pianiste koncertiste në Shqipëri me një karrierë 50-vjeçare të pandërprerë.

Marije Kraja

Soprano lirike, pioniere e muzikës dhe arsimit muzikor në Shqipëri, e cila si pedagoge që në fillim të viteve ’30, formoi traditën dhe shkollën shqiptare të një interpretimi besnik të këngës popullore.

Dr. Sabiha Kasimati

E para biologe, shkencëtare në Shqipëri, me një aktivitet të dendur botimesh shkencore, ndër arsimtaret e para të institutit femëror “Nana Mretneshë”. Pushkatuar pa gjyq sëbashku me 21 intelektualë të tjerë në vitin 1951.

Musine Kokalari

Ndër të parat prozatore, publiciste, studiuese e psikologjisë dhe zakoneve popullore dhe sigurisht e para grua politikane në Shqipëri, me një kontribut të shquar si profesoreshë në institutin femëror “Nana Mretneshë”. Burgosur dhe internuar deri në fund të jetës së saj nga regjimi komunist.

Drita Pelinku

E para studente e artit dramatik në Shqipëri, regjisore, pedagoge e profesioniste e aktrimit, e cila numëron 110 role në skenë dhe kinema, shumë prej të cilave të paharrueshme e ende sot të freskëta.

Tinka Kurti

Aktore e teatrit dhe kinematografisë, e cila gjatë karrierës së saj, me mjeshtëri të rrallë ka interpretuar rolin e vajzës, nënës e gruas shqiptare, në tiparet e tyre kryesore: karakterin e fortë, njerëzor e tragjik në të njëjtën kohë. Teatri shqiptar në Malmo të Suedisë mban emrin e saj.

Margarita Xhepa

Aktore profesioniste, e cila me mjeshtërinë e aktrimit dhe sensibilitetin që përçon, të pandërprerë prej më shumë se 60 vjetësh në skenën shqiptare, është një ndër gratë me të cilat kinemaja shqiptare identifikohet.

Luiza Laska

Për kontributin e paçmuar e të pandërprerë në interpretimin me mjeshtëri si askush tjetër të karakterit e integritetit të gruas dhe nënës labe, duke u shndërruar krenarisht në “laben” e kinematografisë shqiptare.

Roza Anagnosti

Aktore e teatrit dhe kinematografisë, e cila me elegancën, finesën, feminilitetin dhe artin e saj më shumë se kushdo tjetër i dha figurës së gruas shqiptare forcën e delikatesën njëkohësisht.

Prof. Rushen Golemi

Ndër mjeket dhe kirurget e para shqiptare, autore tekstesh dhe artikujsh shkencorë, pedagoge e Fakultetit të Mjekësisë për disa dekada. Ndër të paktat deputete të Parlamentit shqiptar në zgjedhjet e para pas rënies së komunizmit në vitin ’91.

Suzana Turku

Figurë e shquar e muzikologjisë sonë, dirigjentja e parë shqiptare, e cila me korin “Pax Dei” sjell me mjeshtëri tingujt e paqes e të artit shqiptar e botëror në skenat tona.

Prof. Adelina Mazreku

E para kirurge onkologe shqiptare, me një kontribut të pazëvendësueshëm në sensibilizimin, parandalimin dhe mjekimin e tumoreve, si hartuese e programit kombëtar të luftës kundër kancerit.

Cezarina Daragjati

Ndër të parat piktore shqiptare, me një aktivitet të çmuar artistik në vaj, kryesisht në gjininë e peizazhit, portretit e natyrës së qetë.

Kristina Koljaka

Një ndër gratë më të shkolluara në një Shqipëri ende me shumicë analfabete, skulptorja e parë shqiptare, e vlerësuar me çmim që në vitin ’42 për punimet e saj nga Akademia e Arteve në Romë. Pedagoge pioniere e skulpturës në Institutin e Lartë të Arteve. 7 prej veprave më të mira të saj, pasurojnë sot fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Androniqi Zengo

E para piktore shqiptare profesioniste me arsim të lartë, e para grua që hapi ekspozitë punimesh personale, e para ikonografe shqiptare me një kontribut të pazëvendësueshëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të kombit të saj. Punimet e saj në vaj, janë sot një trashëgimi e vyer që ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Nexhmije Pagarusha

E papërsëritshmja, “bilbili i Kosovës” sigurisht, por edhe bilbili i këngës shqiptare. Fjalët janë të tepërta…

Tereza Bianku

E para grua në biznes e filantrope e shquar që në shekullin 19, e cila drejtoi disa biznese tejet të suksesshme, duke arritur të jetë homologia shqiptare e Dhomës së Tregtisë së Venedikut. Gjatë veprimtarisë së saj për një çerek shekulli, financoi dhe ndërtoi shkolla e rrugë në qytetin e Shkodrës e rrethina, duke u bërë shembull i humanizmit e bamirësisë së gruas shqiptare.

Marie Shaqe Shiroka (Çoba)

Ndoshta e para grua shqiptare që ndoqi universitetin për shkenca politike në Firence që në fund të shekullit të 19. Sigurisht e para grua shqiptare promotore e lëvizjes feministe shqiptare që në vitin 1918, duke krijuar komitetin “Gruaja shqiptare” të përbërë nga gra të të gjitha besimeve fetare, i cili kishte për qëllim të ndihmonte luftëtaret shqiptare që po përballeshin me forcat sllave që përpiqeshin të pushtonin Shkodrën. Botuese e revistës “Gruja shqyptare” në vitin 1920, e para revistë e këtij lloji në Shqipëri. Dënuar nga regjimi komunist në moshë të thyer si kundërshtare aktive e tij.

Rajmonda Bulku

Është aktore, politikane, portret i hijshëm i ekranit tonë si pak të tjera, por sot nuk e vlerësojmë për këtë. Sot e vlerësojmë për një moment të jetës së saj dhe tonës pashmangshmërisht, në të cilën u bë “zëri” i të gjithave ne, i grave shqiptare, nënave dhe motrave, me thirrjen e saj njerëzore më 20 shkurt të ’91, për të ulur armët e për të ndalur vëllavrasjen për “idhuj të rreme”! Thirrja e saj, në emër të të gjithave ne, pavarësisht se ku ndodheshim fizikisht në atë moment… na çliroi! Hapi tjetër epokë! Faleminderit Rajmonda Bulku!

Geraldine Appony, Mbretëresha e shqiptarëve

Në emër të të gjitha grave të huaja, që për hir të dashurisë lanë vendin e tyre dhe lidhën fatin me këtë vend të mrekullueshëm, por të shumëvuajtur e që megjithëse prej tij morën vetëm vuajtje e padrejtësi, i dhuruan pafundësisht dashuri, lindën dhe rritën fëmijë patriotë, të cilët i mëkuan vetëm me atdhedashuri.

Vaçe Zela

“Zëri”, “tingulli” më i bukur i këngës, i melodisë shqipe, e cila talentit që bujarisht i fali Zoti, i shtoi pa kursim, pasionin, shpirtin e saj, në çdo kordë, në çdo notë. “Zëri” që hynte në çdo shtëpi, e ngrohte çdo zemër, me dashuri për “dashurinë”, me dashuri për jetën, me dashuri për atdheun, në një kohë të vështirë, kur atdheu kishte fare pak ose aspak për t’i ofruar asaj e secilit prej nesh! Të papërsëritshmes Vaçe Zela, me mirënjohje!

 

Filed Under: Featured Tagged With: grate e shquara, Kryeparlamentarja, nderon, Topalli

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT