Presidenti i Republikёs, Bujar Nishani dekoron Grupimin pёr Çёshtjet Shqiptare dhe Kongresmenin amerikan Aderholt/
Washington D.C., 5 shkurt 2014/
Presidenti i Republikёs, Bujar Nishani, nё njё ceremoni tё zhvilluar nё mjediset e Kongresit Amerikan, dekoroi Grupimin pёr Çёshtjet Shqiptare nё Kongres me“Medaljen e Flamurit Kombёtar”, me motivacionin “Në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për inkurajimin e vazhdueshëm të reformave demokratike dhe integrimit euroatlantik të Shqipërisë, për përpjekjet efrytshme në promovimin e të drejtave, lirive dhe prosperitetit të Shqiptarëve në rajonin e Ballkanit, për mbështetjen ndaj pavarësisë dhe forcimit të shtetit të Kosovës dhe për kontributin e shquar në forcimin e lidhjeve dhe partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe shteteve me popullsi shqiptare në Rajon”dhe bashkëkryetarin e kёtij Grupimi Kongresmenin Robert Aderholt me Medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”,me motivacionin “Në shenjë vlerësimi të lartë për aktivitetin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të reformave demokratike në Shqipëri, të zgjerimit të hapësirës demokratike për shqiptarët në rajon dhe veçanërisht për pavarësinë e Kosovës”.
Më herët, Presidenti Nishani, u prit në një takim mirëseardhjeje nga bashkëkryetari i Grupimit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan, Kongresmeni EliotEngel. Gjatë këtij takimi u shkëmbyen mendime për zhvillimet e fundit në rajon, në Shqipëri dhe për kontributin e mëtejshëm të këtij grupimi në promovimin e demokracisë dhe integrimin evropian të Shqipërisë dhe vendet e tjera të rajonit ku jetojnë shqiptarë.
Më poshtë vijon mesazhi që Presidenti përcolli pёr tё pranishmit nё ceremoninë e dekorimit.
I nderuar Kongresmeni Engel,
I nderuar Kongresmeni Aderholt,
I nderuar Ambasador Galanxhi,
Të nderuar miq,
Zonja e zotërinj!
Më lejoni të filloj duke shprehur kënaqësinë time të pamasë, të Odetës dhe të delegacionit që më shoqëron që, jemi në mesin tuaj dhe t`ju falënderoj për këtë atmosferë kaq të ngrohtë e vëllazërore!
Kam rastin, gjithashtu, të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe të gjithë shqiptarëve ndaj Grupit të Çështjeve Shqiptare, për gjithçka ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të nderuar miq,
Ajo çfarë shqiptarët kanë bërë dhe kanë arritur në zgjerimin e hapësirës së tyre demokratike, zhvillimin ekonomik dhe transformimin social, do të ishte e paimagjinueshme dy dekada e gjysmë më parë.
Dikur bunker i komunizmit, Republika e Shqipërisë ndërmori reforma rrënjësore për ndërtimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, vendosjen e ekonomisë së tregut, respektimin e të drejtave të njeriut dhe hapjen e vendit.
Vendi, dikur, më brutal në shkeljen e të drejtave të njeriut, drejtoi, dy vite më parë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, këtij tempulli të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut.
Shqipëria tashmë anëtare e NATO-s, ka si objektiv strategjik parësor anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe pret, me të drejtë, bazuar në meritë, të marrë statusin e vendit kandidat në BE këtë qershor.
Të vetëdijshëm se integrimi evropian është një proces që kërkon kohën e tij, kemi motivimin qytetar, vullnetin politik, dhe aftësitë institucionale për t`i shkuar deri në fund.
Të nderuar miq,
Realiteti dëshmon se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhja me e drejtë për sigurinë dhe stabilitetin e saj, të rajonit dhe më gjerë.
Kosova ka nisur udhëtimin e saj evropian duke rritur nivelin e bashkëpunimit me Komisionin Evropian për liberalizimin e vizave procesin e stabilizim-asociimit, ndërkohë që është anëtare e shumë nismave rajonale dhe më gjerë. Bisedimet Kosovë-Serbi, marrëveshjet e arritura dhe zhvillimi i zgjedhjeve lokale në të gjithë territorin e Kosovës janë zhvillime kthesë për dy vendet dhe për rajonin, në betejën demokratike për paqe.
Republika e Maqedonisë është fqinj i një rëndësie të veçantë për ne. Zbatimi i shpejtë dhe i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është jetik për bashkëjetesën ndëretnike dhe stabilitetin e qëndrueshëm të Maqedonisë. Mbështesim fort integrimin euroatlantik të Maqedonisë. Shqiptarët duhet të luftojnë për avancimin e demokracisë dhe të drejtave të tyre vetëm në rrugë institucionale dhe me mjete demokratike.
Problemet ekonomike, kulturore, arsimore, etj, të cilat shqetësojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, duhet të zgjidhen në rrugë institucionale, me dialog, ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe qeverisë në Beograd.
Me koherencë kemi kërkuar dhe do të kërkojmë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në sipas standardeve më të përparuara evropiane në Mal të Zi dhe kudo ku ata jetojnë.
Zonja e zotërinj,
Gjithçka kemi arritur janë fryt i përgjegjësisë sonë Por, këto frute do të ishin të pamundura pa përkrahjen, bashkëpunimin dhe ndihmën bujare të partnerëve dhe miqve tanë zemërgjerë e të durueshëm. Grupi i Çështjeve Shqiptare është njëri prej tyre, madje nga më të rëndësishmit.
Në emër të qytetarëve shqiptarë ju falenderoj nga zemra!
Më lejoni t`ju siguroj për diçka. Duke ndihmuar shqiptarët, ju, jo vetëm keni qenë parimorë, por keni kontribuar për një Ballkan Perëndimor, të qetë e në paqe, në interes të popujve tanë, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara!
Shqipëria është e përkushtuar në politikën e fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Shqiptarët, kudo në rajon, mbështesin konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe integrimin euroatlantik të vendeve ku jetojnë. Shqiptarët do të jenë bashkë në Bashkimin Evropian.
Në gjykimin tonë, bashkëpunimi rajonal mund të bëhet konkret nëpërmjet lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave e kapitaleve dhe angazhimit të përbashkët në nisma e projekte, të cilat do ta bënin këtë rajon tërheqës e konkurrues, si pjesë natyrale e tregut evropian.
Në Takimin e Pestë Rajonal të Presidentëve, të zhvilluar shtatorin e shkuar në Durrës, me homologët e mi të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi ramë dakord të mbështesim realizimin e projekteve shumë të rëndësishme si: Trans Adriatic Pipeline (TAP), Ionian Adriatic Pipeline (IAP) dhe Korridori i 8-të, të cilat do të transformojnë plotësisht infrastrukturën në Ballkan e më gjerë, me efekt edhe në gjeopolitikën rajonale.
Integrimi euroatlantik është destinacioni i përbashkët për të gjithë vendet në rajon. Realizimi i këtij synimi, kërkon paraprakisht dhe domosdoshmërisht të merremi vesh me njëri-tjetrin. Dhe ne, po e bëjmë një gjë të tillë.
Pasi kemi çrrënjosur mosbesimin, që i përket së shkuarës, duhet të rrënjosim besimin, që i përket së ardhmes. Për këtë, përveç infrastrukturës fizike, duhet të ndërtojmë “korridoret kulturore, arsimore dhe shkencore”.
Ju faleminderit!