• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Reçaku, gurë themeli i shtetit të Kosovës

January 15, 2016 by dgreca

-Presidentja Jahjaga vendosi kurore lulesh në Kompleksin Memorial në Reçak dhe nderoi viktimat, mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të shtatores së ambasadorit amerikan William Walker, që do të ndërtohet afër kompleksit/
-Në 17 vjetorin e masakres së Reçakut homazhe dhe akademi përkujtimore. Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e fundit në Kosovë, kur forcat serbe vranë, masakruan, por edhe zhdukën, më shumë se 12 mijë shqiptarë, e në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.
Nga Behlul Jashari/ REÇAK, 15 Janar 2016/ Me homazhet që po zhvillohen në Kompleksin Përkujtimor dhe me një akademi po kujtohet sot në 17 vjetor masakra në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes, ku në 15 janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë.
Homeazhe në Kompleksin Përkujtimor të Reçakut bëjnë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Presidentja Jahjaga vendosi kurore lulesh në Kompleksin Memorial në Reçak dhe nderoi viktimat, mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të shtatores së ambasadorit amerikan William Walker, që do të ndërtohet afër kompleksit, Gjithashtu, Presidentja Jahjaga mori pjesë në akademinë përkujtimore, që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.
Në fjalimin e mbajtur në këtë akademi, Presidentja Jahjaga tha, se në çdo përvjetor me dhembje dhe krenari kujtojmë më të dashurit tanë, njerëz të pafajshëm të vrarë në mënyrën më mizore – viktima të krimit kundër njerëzimit.
“Çdo përvjetor është dhembje e sërishme, një kujtesë e pashlyer e juaja, banorëve të Reçakut, dhe e të gjithë neve në Kosovë që e ndjejmë dhimbjen bashkë me ju. Reçaku, shënoi kthesën e madhe historike për Kosovën duke forcuar bindjen e bashkësisë ndërkombëtare se ndërhyrja për të shpëtuar një popull nga gjenocidi, ishte e paevitueshme”, tha ajo.
Reçaku, vijoi Jahjaga, është fundi i një historie të dhunës, të krimit dhe të vrasjeve dhe dëshmon sakrificën e madhe të gjeneratave të tëra për lirinë e pavarësinë e Kosovës, ai është gurë themeli i ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës.
“Reçaku është dhimbja dhe krenaria; fundi i një epoke të rëndë dhe hegjemoniste; është forca dhe guximi; vullneti për ta bërë një Kosovë më ndryshe – të qytetarëve të lirë dhe të pavarur! Njerëz të barabartë me këdo në botë!
Reçaku është një rrëfim i pandarë i një miqësie të përjetshme me SHBA-në dhe një lidhje e fuqishme me vendet e BE-së”, theksoi Presidentja Jahjaga.
Në vijim ajo tha se, përvjetorët në Kosovë kanë histori të dhembjes po aq sa e dhembshme është vetë historia e këtij vendi, që ka bërë përpjekjet e sakrificën e jashtëzakonshme në rrugën për liri dhe pavarësi. Përvjetorët shënojnë krenarinë e popullit, kujtimin e pashlyer për njerëzit e tij, ndajnë dhembjen për ata që kanë rënë dhe mbi të gjitha janë përkujtuesi më i mirë se e kaluara nuk mund të përsëritet, sepse e tashmja ndërtohet në paqe dhe mirëkuptim për të ardhmen më të mirë për gjeneratat e ardhshme.
“Është obligim yni që ta përmbushim amanetin e atyre që kanë sakrifikuar për një Kosovë më ndryshe – ku gërmadhat e luftës të mbesin pjesë e pashlyer e historisë; ku Atdhe është toka e të gjithëve që jetojnë në të pa dallim; ku perspektiva për të gjithë është shteti i qytetarëve dhe ku e ardhmja ndërtohet bashkërisht, në demokraci, liri dhe barazi.
Është zotim i të gjithëve për ta përmbushur vizionin e bërjes së shtetit të së drejtës – ku unë dhe ti – qytetarë të Republikës – kemi shanse dhe të drejta të barabarta, po aq sa edhe obligime për ta pasur shtetin e pakorruptuar dhe të fortë ekonomikisht. Është përkushtim yni për ta bërë një tokë të premtuar, një shtet të zhvilluar e të përparuar në të cilin secili do të gjejë perspektivën e tij pa patur nevojë që ta kërkojë diku tjetër”, u shpreh Jahjaga.
Dhe, vijo ajo, zhvillimi ynë varet nga vetë ne, po aq sa varet edhe rruga jonë drejt integrimeve nga puna dhe angazhimi ynë, nga pjekuria jonë për të gjetur mënyrat e bërjes së shtetit, bazuar në ligj dhe në Kushtetutë.
“Po aq sa dallimet tona politike të jenë pjesë e rivalitetit politik dhe jo armiqësisë politike dhe po aq sa dialogu të jetë themeli i zgjidhjeve për problemet. Ne kemi arritur deri këtu duke kaluar sfida dhe probleme; vite të rënda të përballjeve edhe në skenën e brendshme dhe posaçërisht atë ndërkombëtare. Ne jemi në gjysmë të rrugës për ta bërë shtetin – pjesë të pandashme të kombeve të lira dhe prandaj nuk mund të ndalemi dhe as të pushojmë; nuk mund të rikthejmë historinë dhe as të sfidojmë miqësitë”, theksoi Presidentja e Kosovës.
Jahjaga u shpreh më tej se, paqja ndërtohet me mund dhe ajo nuk mund të humbet.
“Gjuha jonë është gjuha e dialogut dhe jo e dhunës; është shtrirja e dorës së mirëkuptimit dhe jo e përplasjes; është përpjekje për të gjetur zgjidhje pa prekur shtetin, pa sfiduar institucionet dhe pa rrënuar themelin e tij. Në këto sfida politike do të na duhet që sërish të ulemi dhe të flasim, dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkëta – me gjuhën e dialogut”, theksoi Presidentja kosovare.

Kosova, tha Jahjaga, është amaneti i gjeneratave të tëra.
“Dhe ne nuk mund ta humbim shansin për ta bërë të plotë atë. Për ta bërë shtetin e krenarisë për të gjithë ata që sakrifikuan, për ne që sot po e ndërtojmë dhe për gjeneratat e reja që do ta gëzojnë.
Në çdo përvjetor, përkundër dhembjes dhe pikëllimit, ndjehemi krenarë për historinë tonë, për të gjithë ata që nuk kursyen asgjë për të realizuar ëndrrën shekullore për Kosovën shtet të pavarur e sovran.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë dëshmorët!”, tha Presidentja e Kosovës, Jahjaga.
Kryetari i Kuvendit të Kosovë, Kadri Veseli, bëri homazhe në Kompleksin Përkujtimor “Masakra e Reçakut” dhe në nderim të viktimave, vendosi një buqetë lule.
Duke e cilësuar 15 janarin ditë dhembjeje dhe krenarie, kryeparlamentari Veseli theksoi se përveç përkujtimit për të rënët, të cilët dhanë gjithçka që ne sot të gëzojmë lirinë, institucionet e Republikës së Kosovës janë të obliguara të punojnë çdo ditë rreth këtij ideali.
“Në këtë ditë të veçantë, i duhet bërë thirrje edhe ndërgjegjes njerëzore, e cila unifikoi bashkësinë ndërkombëtare, duke ftuar Konferencën e Rambujesë, pas së cilës pasoi intervenimi i NATO-s, si një arsye shtesë për të vazhduar dhe thelluar më tej partneritetin me SHBA-në dhe BE-në”, theksoi me këtë rast Veseli.
Pjesëmarrës në përkujtime, si edhe në vitet tjera të pasluftës, është edhe ambasadori amerikan William Walker, i cili derisa ishte shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e masakrës e cilësoi atë krim kundër njerëzimit. Në akademinë përkujtimore ai është përshëndetur me duartrokitje dhe ovacione, me mirënjohjen dhe falënderimin e gjithëmonshëm.
Ndërsa, rreth dy muaj pas masakrës së Reçakut, aviacioni i NATO-s, në ndërhyrjen shpëtimtare për popullin e Kosovës, filloi bombardimet kundër caqeve të forcave kriminale serbe, të cilat zgjatën 78 ditë, deri në kapitulimin e Slobodan Milosheviçit, kreut shtetëror në Beograd, i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Në Kompleksi Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.
Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e fundit në Kosovë, kur forcat serbe vranë, masakruan, por edhe zhdukën, më shumë se 12 mijë shqiptarë, e në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.
Në Kosovë, edhe pas mëse 17 viteve pas luftës, sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999.
Të zhdukur ende të pagjetur janë 173 femra, 1056 meshkuj, 104 nën moshën 18 vjeçare, të cilët konsiderohen fëmijë sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit të Kosovës.
***
KRYEMINISTRI MUSTAFA: MASAKRA E REÇAKUT, DITË E DHIMBJES DHE E KTHESËS HISTORIKE

Prishtinë, 15 janar 2016/ Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa ka përkujtuar 17 vjetorin e Masakrës së Reçakut, duke theksuar se Kosova i përkujton me nderimet më të larta të rënët e kësaj masakre dhe të gjithë dëshmorët dhe martirët e Kosovës.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, Qeveria, dhe të gjithë ne do të jemi të përkushtuar për të realizuar aspiratat për të cilat e kanë dhënë jetën të gjithë të rënët gjatë luftës në Kosovë. Masakra e Reçakut 17 vjet më parë ishte ditë e dhimbjes, por edhe ditë e kthesës historike, ditë e pikëllimit, por edhe ditë e fillimit të fundit të luftës, ditë e cila e mobilizoi botën demokratike për t’u bërë pjesë e përpjekjeve legjitime të popullit të Kosovës për fitimin e lirisë”, tha kryeministri Mustafa.
Më tutje, kryeministri Isa Mustafa, në këtë ditë shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e shtetit dhe të partneritetit me miqtë ndërkombëtar, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe me të gjitha vendet demokratike, duke thënë se kjo ishte aspiratë e të gjithë atyre që kanë rënë për liri, për pavarësi dhe për shtetin e Kosovës, i cili tani po ndërtohet.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, gurë themeli i shtetit të Kosovës, Recaku

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT