• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TAKIMI I MASAR KRASNIQIT ME NËNËN TEREZË NË ZELANDË TË RE

August 27, 2016 by dgreca

Nga Hajro Hajra/

Veprimtari e atdhetari i shquar Masar Krasniqi nga Prishtina është vetëm njëri nga ai lumë i madh shqiptarësh që, i përndjekur nga regjimi titist, në një moshë fare të re, në vitin 1950, kishte qenë i detyruar ta linte Kosovën e të mësynte udhët e botës. Pas shumë peripecish, nga Rijeka e Kroacisë kishte shkuar në Izmir të Turqisë dhe që andej, më 1951, pas një udhëtimi të gjatë me anije, kishte arritur e ishte vendosur në Zelandë të Re. Tash 5-6 vjet jeton në Australi.

Në vitin 1970, në kohën kur pak shqiptarë dinin për Nënën Terezë, Masar Krasniqi kishte takuar humanisten shqiptare, asokohe jo gjithaq e njohur në botë dhe pothuaj fare e panjohur në botën shqiptare.

Njohjen (së largu) me veprimtarin e zellshëm e atdhetarin e madh Masar Krasniqi na e mundësoi para disa vjetësh Sabit Abdyli nga Kabashi i Vitisë (profesor i gjuhës shqipe, gazetar e shkrimtar), i cili meqenëse edhe vetë jeton në Zelandë të Re (në qytetin Auckland) që nga viti 1999, e ka njohur së afërmi Masar Krasniqin dhe ka shkruar disa herë për të.

Gjatë një bisede telefonike me Masar Krasniqin, mësojmë hollësi të këtij takimi që, ndonëse kishte ndodhur në vitin e largët 1970, ruhej shumë i freskët në kujtesën e tij, madje zoti Krasniqi e kujtonte atë ngjarje sikur të kishte ndodhur pak muaj përpara dhe jo para pothuaj gjysmë shekulli.

Ja si e kujton këtë takim zoti Krasniqi:

– Ishte muaji prill i vitit 1970. Ende nuk i kisha mbushur tridhjetë e nëntë vjet dhe kisha afro njëzet vjet që kisha ikur nga Kosova, e cila vazhdonte të ngryste ditët e netët nën çizmen e serbit dhe që, për mërgimtarët si unë, ishte një mollë e ndaluar. Kisha marrë vesh se Nëna Terezë do të vinte për vizitë në Zelandë të Re, pikërisht në qytetin Auckland, ku unë jetoja. Ajo do të vinte nga India, ku jetonte e vepronte që nga viti 1929, kohë kur unë ende nuk kisha lindur. Kisha shumë dëshirë ta takoja e të bisedoja me të, por duke qenë se ajo ishte një vizitë protokollare, ishte paksa e vështirë të realizohej ai takim. Për fatin tim, e njihja peshkopin e Katedrales së Shën Jozefit në Auckland, James Michael Liston, me të cilin isha takuar si i ftuar i tij gjatë pritjes që kishte organizuar për kardinalin e Hungarisë dhe për kardinalin e Ukrainës.

Iu drejtova peshkopit Liston, i cili më premtoi një takim me Nënën Terezë pas konferencës për shtyp, që ajo do të mbante në mbarim të vizitës së saj. “Do të jetë një takim vetëm 15 minuta” – më tha peshkopi.

E njoftova komunitetin shqiptar, në krye të të cilit isha. Ishim pak atëherë, ishim një grusht shqiptarësh në Auckland. U thashë se takimi do të ishte fare i shkurtër dhe ua bëra me dije që, shkaku i kohës së kufizuar, vetëm unë do të flisja me Nënën Terezë.

Ditën e takimit morëm një tufë të madhe me lule dhe shkuam në katedralen ku do të mbahej konferenca e shtypit.

Sapo përfundoi konferencën për shtyp, iu afrova Nënës Terezë, ia dhashë lulet dhe i thashë: – Mirë se na erdhe Nana Terezë në Zelandë të Re!

– “O, biri im, – ma ktheu ajo – a edhe këtu paski mbrri a, në fund të botës?… Sa mirë – tha – po e flitke shqipen… Unë 39 vjet s’kam pasë mundësi me ke me folë shqip.”

Domethënë, shqip keni folur? – e pyesim zotin Krasniqi.

Gjatë gjithë kohës kemi folur vetëm shqip. Nëna Terezë e fliste shumë mirë shqipen. Shqipja e saj ishte një gegnishte e pastër, të cilën ajo e kishte ruajtur, si të thuash, e kishte konservuar që nga fëmijëria.

Çfarë biseduat gjatë asaj kohe të shkurtër? – e pyesim bashkëbiseduesin.

Ndonëse shkurt, folëm për shumëçka. I fola për situatën në Kosovë, për shtypjen e egër që ushtronte regjimi titist ndaj shqiptarëve…

Më dukej sikur po flisja me nënën time, prandaj nuk e lashë pa i thënë: – Ti që ke mundësi me u takue me mbretën e me kryetarë shtetesh e me ministra të punëve të jashtme, mund ta bash nji punë të mirë për Kosovën, po edhe për Shqipninë, ku po ashtu sundon nji diktaturë e egër dhe ku feja asht e ndalueme me ligj…

-“E di, – tha – e di. Unë i kam nanën e nji motër atje dhe kam  tentue me shkue me i vizitue dhe s’më kanë dhanë leje… Nji vlla me familje e kam në Palermo…”

Të lutem Nanë – i thashë – po mujte me ba diçka, do t’ishte nji nder i madh për kombin prej teje…

-“Biri im – tha – lutjuni Zotit për mue e për bijat e mija… Edhe unë çdo mëngjes lutem për Kosovën.” E preku me dorë sarin që kishte veshur në trup dhe tha: “Veshja ime…” – dhe, ndonëse nuk e përfundoi, u vetëkuptua: ishte veshja e saj që nuk e lejonte të bënte hapur atë që ne kishim dëshirë. Ajo kishte filluar të bëhej Nënë e krejt botës dhe jo vetëm e shqiptarëve që ishin të gjakut të saj.

Pastaj u nisëm shkallëve teposhtë. Ajo shoqërohej nga disa murgesha të Indisë dhe nga dy murgesha zelandeze. Gjatë gjithë kohës sa zbritnim shkallët, ajo nuk ma lëshonte dorën. Pasi u përshëndetëm si nënë e bir, ajo hipi në veturë. Në fytyrë i shihej dëshira e madhe që kishte që ai takim të zgjaste sa më shumë…

Sapo u largua vetura me Nënën Tereze, m’u vërsulën gazetarët, duke më pyetur në ç’gjuhë kishim biseduar. U thashë se kishim biseduar shqip dhe, po ashtu, u thashë se ajo kishte lindur jo fort larg qytetit nga vija unë, nga Prishtina.

Gjatë gjithë këtyre viteve kam takuar shumë personalitete të rëndësishme politike, pothuaj në të gjitha kontinentet – thotë zoti Krasniqi –  dhe të gjitha këto takime kanë pasur një të vetëm qëllim: sensibilizimin e çështjes shqiptare në Ballkan,në veçanti sensibilizimin e çështjes së Kosovës, Megjithatë, takimi im i parë me Nënën Terezë ka qenë disi i veçantë, një takim i zhveshur nga çdolloj protokolli, thjesht një takim nënë e bir.

Ajo ka punuar shumë, ajo ka sakrifikuar shumë për t’i ndihmuar nevojtarët, jo vetëm në Indi. Megjithatë popullin e vet nuk e ka harruar kurrë. Kontributi i saj për popullin e vet ka qenë i heshtur, por s’ka reshtur kurrë. Duhet të kalojë kohë, duhet të kalojnë vite që të kuptohet se ç’ka bërë Nëna jonë e Madhe për popullin me të cilin e lidh gjaku – përfundon rrëfimin e tij për këtë takim, zoti Masar Krasniqi, i cili ka takuar Nënën Terezë edhe disa herë të tjera, si me rastin e vizitës në Shqipëri të Papa Gjon Palit II më 25 prill 1993 e të tjera.

Nëna Terezë nuk është personaliteti i vetëm i madh që ka njohur Masar Krasniqi. Ai jo vetëm ka takuar, por edhe ka shoqëruar të madhin Ibrahim Rugova gjatë takimeve të shumta që ai kishte pasur me kryetarin Clinton, me nënkryetarin Al Gore, me senatorin Bob Dole, me kongresmenin Benjamin Gilman, me kongresmenin Joseph Dioguardi e të tjera personalitete të shquara dhe të gjitha këto takime janë bërë në funksion të sensibilizimit të çështjes shqiptare, sidomos në kohën kur çështja e Kosovës kishte vënë në lëvizje bijtë e saj më të mirë. Masar Krasniqi, sot 85-vjeçar, është njëri nga ata bij besnikë të Tokës Mëmë, i cili, sikurse edhe Gonxhe Bojaxhiu, vepronte në heshtje, se punët e mëdha e me peshë, në heshtje bëhen.

 

Filed Under: Featured, Komunitet Tagged With: Hajro Hajra, Masar Krasniqi, Nene Tereza, takim

“TRI DRITARE DHE NJË VARJE” NË SCOTTSDALE INTERNATIONAL FILM FESTIVAL

November 9, 2015 by dgreca

Nga Hajro Hajra/ Arizona/
Është hera e dytë në 5 vjet që shfaqet një film shqiptar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit (Scottsdale International Film Festival), në qytetin Scottsdale të Arizonës (SHBA). Më 2010 qe shfaqur filmi “Koha e kometës”, i regjisorit Fatmir Koçi, kurse sivjet, në Festivalin XV jubilar (nga 5 deri më 9 nëntor 2015), nga 42 filma, sa janë shfaqur në këtë festival, përfshirë dhe filma nga shtete europiane, si Gjermania, Finlanda, Irlanda, Rusia, Greqia e Turqia, u shfaq dy herë radhazi, më 7 e 8 nëntor filmi shqiptar nga Kosova “Tri dritare dhe një varje”, i regjisorit Isa Qosja, me skenar të Zymber Kelmendit, me aktorët Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja, Xhevat Qorraj, Mirjana Karanoviq, Aurita Agushi, Leonora Mehmetaj, Orik Morina, Doresa Rexha, Granit Ukaj etj.
Ndryshe nga festivali i para 5 vjetëve, kur qe shfaqur “Koha e kometës” dhe në shfaqjen e filmit ishte i pranishëm regjisori, Fatmir Koçi, i cili në fund të shfaqjes së filmit pati bashkëbiseduar me shikuesit dhe kur në mesin e shikuesve qenë dhjetëra shqiptarë, sivjet, në shfaqjen e parë të filmit, më 7 nëntor, nga nja 50 shikues që e ndoqën me interesim filmin, në sallën e kinemasë ku u shfaq filmi “Tri dritare…” ishin vetëm 2 shqiptarë(?!), ndonëse në shtetin Arizona të SHBA-ve jetojnë më shumë se dy mijë shqiptarë, të cilët në forma të ndryshme kanë qenë njoftuar që më parë për shfaqjen e këtij filmi.
Prania e ndokujt nga ekipi i filmit (qoftë ai regjisori, skenaristi, producenti, apo ndonjëri nga aktorët) që do të kontaktonte me publikun pjesëmarrës në shfaqjen e filmit do t’ia shtonte edhe më shumë peshën pjesëmarrjes së filmit në një festival ndërkombëtar, sikurse ky i Arizonës. Megjithatë, vetë prania e filmit në këtë festival është edhe një mirënjohje më shumë për filmin dhe për ekipin që realizoi këtë vepër kinematografike me mjete mjaft modeste e në kushte aspak të favorshme, çfarë ofron Kosova që sot po ballafaqohet me një mijë halle.
Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja, Xhevat Qorraj, Mirjana Karanovic, Aurita Agushi, Leonora Mehmetaj, Orik Morina, Doresa Rexha, Granit Ukaj

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Hajro Hajra, nje varje, Tri dritare

KOMUNITETI SHQIPTAR NE USA- CEREMONI TRADICIONALE PËR NËNËN TEREZË NE ARIZONE

October 22, 2015 by dgreca

Nga Hajro HAJRA/
Mund të thuhet me gojën plot se manifestimi kushtuar Nënës Terezë, për shqiptarët e Arizonës tashmë është bërë traditë. Është viti i nëntë me radhë që Shoqata e Grave e Arizonës organizon program kulturor-artistik në nderim të shqiptares më të famshme të globit, në nderim të gruas-simbol bamirësie e sakrifice, në nderim të Gonxhes me shpirt gjigant, që për një gjysmë shekulli ishte në shërbim të të sëmurëve, në shërbim të të varfërve që kishin humbur çdo shpresë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur manifestimi mbahej në qendër të kryeqytetit të Arizonës, Feniks (Phoenix), në parkun e Bazilikës së Shën Marisë, ku prej vitit 2003 qëndron hijerëndë shtatorja e Nënës Terezë (vepër e skulptorit amerikan, Michael Myers), i sivjetshmi u mbajt (më 18 tetor) në mjedis të mbyllur, në një Qendër Komuniteti në qytetin Scottsdale.
Gjatë 8 vjetëve të kaluar, në manifestimin për nder të Gonxhe Bojaxhiut, pjesëmarrja e shqiptarëve të Arizonës ka qenë e vogël, krahasuar me numrin e shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet (përafërsisht dy mijë veta). Sivjet, ndërkaq, numri i pjesëmarrësve kishte shënuar një rritje të ndjeshme, duke i dhënë peshë manifestimit, duke e bërë atë më madhështor dhe duke i inkurajuar organizatoret që ta vazhdojnë këtë traditë shumë domethënëse me një vullnet edhe më të madh.
Ashtu siç ishte paraparë, manifestimi filloi me projektimin e portretit të Nënës Terezë në ekranin e madh të pëlhurtë, vendosur në mes të podiumit, shoqëruar me këngë kushtuar Nënës Terezë. Pas pak minutash, në sallën përplot spektatorë, hyjnë fëmijët me flamuj shqiptarë e me flamuj amerikanë (ku nuk mungonte as flamuri i Dardanisë) dhe me fotografi të shumta të Nënës Terezë, shoqëruar me këngën e Selami Kolonjës, kushtuar Nënës Terezë. Secili nga fëmijët mbante ndonjë portret të Gonxhes dhe ndonjë tufë lulesh të freskëta. Ata të gjithë u ngjitën në podium dhe në fund i vendosën lulet rreth portretit të madh të Nënës Terezë. Kështu filloi manifestimi, të cilin e shpallën të hapur zonja Adriana Bendo (shqip) dhe zoti Anton Gegaj (anglisht). Ndër të tjera, zonja Adriana tha: Nëna jonë Terezë, me siluetën e saj të brishtë, mbështjellë me një pelerinë pambuku të bardhë, me shirita blu, me zemrën e saj të madhe, arriti të kujdesej për një numër shumë të madh të varfanjakëve të botës. Ajo kishte një trup të vogël gruaje, por kishte shpirtin më të madh se vetë Universi.
Më pastaj transmetohet himni, kënduar nga Inva Mula, që pason me përshëndetjet e Erza e Petrit Gashit, në emër të brezit të ri, ndersa Jeta Hajra (shqip) dhe Kristina Këlliçi (anglisht) flasin për misionin e këtij manifestimi, duke thënë, veç të tjerash, se qëllimi i këtij manifestimi është që ne si nëna dhe si komunitet i vogël, të mblidhemi si familje çdo vit dhe t’i frymëzojmë e t’i orientojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë sipas parimeve universale e bamirëse të Nënës Terezë për paqen, për faljen, për dashurinë dhe për kujdesin ndaj njerëzimit dhe, posaçërisht, ndaj nevojtarëve. Duke qenë Nëna Terezë shqiptare, ne duam që te fëmijët tanë ta kultivojmë ndjenjën e krenarisë sonë kombëtare dhe njëkohësisht ndjenjën ose gatishmërinë e të bërit mirë, që t’ua lëmë atyre trashëgim dashurinë, kujdesin, bamirësinë ndaj njerëzve në përgjithësi, e ndaj nevojtarëve në veçanti, si dhe tolerancën fetare.
Programi vazhdoi me shfaqjen e një dokumentari televiziv shqip për jetën dhe veprën e Nënës Terezë, projektuar në ekran.
Pastaj dalin në skenë Etrita Abdullahu, Aida Mehmeti, Erza Gashi, Anxhela Fidani, Abby Botka dhe Rina Hamiti, për të interpretuar thënie e poezi të Nënës Terezë, shoqëruar me muzikë. Fill pas kësaj pike, udhëheqësja e programit, Adriana Bendo paralajmëron daljen në skenë të balerinës së talentuar Etrita Abdullahu (17-vjeçare), mysafire nga Ferizaj, e cila mahniti publikun e pranishëm me interpretimin e variacionit të tretë të Odaliskës, nga baleti “Korsari”. Ndonëse Etrita kishte ardhur në Arizonë për të qëndruar shkurt e për t’i vizituar familjarët (pas një shfaqjeje baleti që kishte pasur në Nju-Jork), ajo ishte angazhuar shpirtërisht në këtë program, për ta bërë sa më artistike për mërgimtarët manifestimin për Nënën Terezë.
Pika e fundit, pika kulminante e programit, që entuziazmoi e ndezi publikun, ishte vallja “Vjelja e mollëve”, vallëzuar nga Grupi i Valleve “Ora”, udhëhequr dhe përgatitur nga Etrita. Valltaret luajtën me aq dashuri e pasion, sidomos Etrita në krye të valles, lëvizjet e natyrshme dhe eleganca e së cilës mahnitën publikun, i cili i shpërbleu ato me duartrokitje të gjata frenetike.
Në fund, zonja Marinela Konomi Papa falënderoi të gjithë ata individë që kishin kontribuar për realizimin sa më me sukses të këtij manifestimi. Falënderimin e nisi me emrin e Etrita Abdullahut, e cila kishte shtyrë fluturimin për në Kosovë, për ta ndihmuar realizimin me sukses të programit dhe për të marrë pjesë në program. Një falënderim të veçantë, tha ajo, kemi për zonjat Lule Lane dhe Jeta Hajra, për kontributin e çmuar që kanë dhënë, në krijimin e një tradite të mrekullueshme të kujtimit të jetës e të veprës së Nënës Terezë. U falënderua posaçërisht edhe familja e zotit Anton Gegaj, për mbështetjen morale e financiare të aktivitetit mbi jetën dhe veprën e Nenës Terezë si dhe çifti Edmond e Adriana Bendo (Edmondi për punën e disc jokey-t) për realizimin teknik të këtij programi. Në fund, tha ajo, falënderimi më i madh shkon në adresën e të rinjve, që angazhohen në progamin artistik, ndonëse disa prej tyre kanë ardhur shumë të vegjël në SHBA, shumica lindur këtu dhe, megjithatë vazhdojnë ta mbajnë gjallë traditën shqiptare.
Krejt në fund, të pranishmit u shërbyen me ushqime e me pije freskuese.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ceremoni tradicionale, Hajro Hajra, Nene Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT