Sipas Epikës Historike/
Nga Gëzim Zilja/
Në Stamboll thirri telalli/Dilni shihni Hamz Kazazin/Hamz Kazazi çaj burr’ i zi/Shtat’ taborret na i ka gri…Hafëz pasha n’daç me i hikë vorrit/Zdrypi atit hyp vaporit… /
Hamz Kazazi qysh në rini kishte mësuar mjeshtërinë e përpunimit të mëndafshit e të jorganëve. Njihte mirë gjuhën turke dhe atë arabe. Në kohën e Mustafa pashë Bushatit kishte ushtruar detyrën e kullukçibashit (komandant i rojeve të qytetit), që e mbajti derisa sa e shkarkoi Hafëz pasha, që zëvëndësoi figurën e urryer të Namik pashës. Në krye të 10.000 ushtarëve, Hafëz pasha u përpoq të vinte në jetë fermanin e sulltanit prej 24 pikash, në zbatim të reformave të Tanzimatit, duke ngritur taksat e kërkuar nizamë: Hafiz pasha kodër m’kodër/Ep haraçin, o mori Shkodër/ Unë haraçin nuk e nap/sa të bahem voj e gjak/Gjuhën turçe nuk e di/ N’Pazar nuk t’la me hi. Fillmisht Hafëz pasha kërkoi vullnetarë për të mbrojtur kalanë e Shpuzës. Shkodra nuk ja dha. Si kundërpërgjigje ai ngriti sërish taksat. Në kohën që kadiu po lexonte fermanin e Sulltanit, banorët e lagjes Tophane e sulmuan kadiun dhe ushtarët që e shoqëronin atë. Iptida(filloi) u kndue fermani/Në mehqeme të kadisë/Shkodra të vetën e bani/i erth’ hakut osmanllisë/Të shtunën dy fermana/nji haraç do ta qesin/aty ndodhnë dy asllana/Nuk e lajm, por do të vdesim. Gjatë përpjekjes u vranë disa nizamë turq. Nën presionin e qytetarëve të armatosur, forcat turke mbyllen në kështjellën e qytetit dhe në Pazarin e Shkodrës, që përfshinte një rrjet prej 489 dyqanesh, ku prodhohej e shitej gjithçka në një rreze, që përfshinte Shqipërinë e Mesme, Kosovën, Malin e Zi, e më gjerë. Pazari i Shkodrës, ishte një qytet brenda qytetit dhe mbyllja e tij sillte detyrimisht paralizimin e gjithë jetës së Shkodrës.
Shkodranët e armatosur kërkuan takim me Hafëz Pashën, ku paraqitën kërkesat e tyre, por nuk ranë dakord për asgjë. Me pabesinë e pushtuesit, pas bisedimeve, ai urdhëroi arrestimin e disa krerëve që ishin në takim, midis të cilëve dhe Hamz Kazazin. Për zbatimin e urdhërit u dërgua Selim Reçi, që populli i vuri epitetin Buzështrembri, (më vonë kryengritësit di t’i vinin zjarrin sarajeve të tij në Bahçellëk) si dhe komandanti i rojës së qytetit Hasan aga Xhabia. Hamz’ Kazazi me të mësuar urdhërin, grumbulloi njerëzit e vet dhe i priti me armë. Krismat ngritën në këmbë gjithë qytetin: Hamza aga burr i mirë/Me tagan me dy kobure/Pa ndijoni ju vezirë/Nuk asht Shkodra si n’Babune/Hamza aga me do burra/Vetvedin e ban fida(theror)/Karakollin e qet te ura/Sonde është nata për me u pa. Dhe më tej: Krisi pushka edhe topi/Të gjith’ hallku(njerëzia) ndodhet fjetë/Çonu djelm na ndihmoft’ zoti/Sonde është nata me dekë. Luftimet zgjatën gjashtë orë dhe forcat turke pasi lanë shumë të vrarë u detyruan të tërhiqen. Nuk është Shkodra, Babune, thërrisnin kryengritësit nëpër rrugët e qytetit, duke kujtuar disfatën e Mustafa Pashë Bushatlliut. Menjëherë gjithë qyteti u organizua në bazë lagjesh me komandantët e tyre. Dy ditë më vonë: Të martën mbrama në jaci(lutje) /Në Shkodër u xu nizaja(lufta)/Kush të jetë trim dai/Le të shkojë te Hamzaja./Unë vergin’nuk e laj/Sa t’kem Hamz Kazazin gjallë. Në krye të kryengritjes dolën Hamz Kazazi, Hysen Beu, Haxhi Idrizi, Dasho Shkreli, Haxhi Abdurrahmani, Selja Kasemi, Ali Bajrami, Jusuf beu, Kasem Hoxha etj. Qytetarët e Shkodrës, formuan një këshill të përkohshëm. Hysen Beu u caktua me çështjet administrative dhe Hamz Kazazi me drejtimin e veprimeve ushtarake: tashmë shkodranët e kishin një Komandant të Përgjithshëm dhe e dinin mirë se ç’kërkonin. Më 24 maj të vitit 1935, rreth 10.000 shkodranë të armatosur të prirë nga Hamz Kazazi, sulmojnë Pazarin dhe Kështjellën të vetmet ‘’fortesa’’ në duart e Hafëz Pashës. Hamza aga dredh mustakun/Pa ndigjoni ju shkodranë/Mos e leni pa derdh gjakun/Se ju shtin mbreti nizam/Shkodra namin e ka pasë/veç njitash i qe harrue… Lufta zhvillohet e ashpër dhe e përgjakshme ku trimat shkodranë kanë marrë në sy vdekjen. Vargjet e këngëve japin si në një libër të shkruar nga një historian i kujdesshëm, kronikën e ngjarjeve dhe komandantët: Haxhi Idrizi kishte thanë/Aferim more ndocjanë (banorë të lagjes Ndocaj)/Që i rrini hasmit n’grykë/Ç’ju griu topi të tanë/E se bat’kabull me ikë. Isuf begu soj vezirit/Pa ndijoni ju tabakë( banorë të lagjes Tabake)/Erth’ nizami në breg të Kirit/T’shkojmë e t’ndeshna flak’ për flak’ /Hasan Hoti thot’ nji fjalë/Hafiz pasha më ndijo mue/me kap Shkodra pushkën mbarë/nji se lanë me teprue/ Hafiz pasha kryelopa/S’merret Shkodra me topa/As me topa as me havana/Dasho Shkrelin (lagja Tudas) s’e ban nana/Preu nizamin te mehana./Trim qenka gjet belanë/ Lufton Dashja me gjith’ të vllanë. Hini Selja në Tabakë/ t’i vem top edhe havanë/Daut Pasha me dyrbi/Vjen Selja tuj hallakatë/mashalla fistanli!
Në sulmin e tyre kryengritësit gjenden nënë breshëritë e topave dhe të pushkëve, të një ushtrie të organizuar dhe fortifikuar në llogore. Humbjet në njerëz janë të mëdha dhe rreshtat e kryengritësve fillojnë të kositen nga drapri i vdekjes. N’fund të kodrës n’rrugë të madhe/Vijnë shkodranët tuj hallakatë/Asqeri i grin n’batare. Mirpo Shkodrës do t’i vijnë në ndihmë shqiptarët e tjerë. E para mbërrin Postriba me trimat e saj: Postriba i shkon imdat(ndihmë)… /Postriba porsi motit/Me yruç shkuen te topi/Me yryç te topi shkuen/Dhan’ e dhan’ e dot se muern. Por Shkodra e Postriba nuk janë vetëm. Në ndihmë të tyre vërshojnë të tjerë shqiptarë nga Hoti, Kraja, Shala, Shoshi e Ulqini: Te xhamia e Haxhi Bajramit/U dha tim e u dha flakë/Aty ndodhen zogjt’ e shkodranit/Nizamin e hoqn’ nën shpatë./Hot e Kraj, Shal e Shosh/Postriba me shkodranë/yryç bajnë në Tarabosh/marrin krena e nishana. I ndodhur ngushtë Hafëz Pasha, kërkon ndihmën e sundimtarëve të Krujës, Tiranës, Dibrës, Pejës, Gjakovës, Matit, Mirditës, të cilat qëndruan në Lezh pa hyrë në luftë. Edhe ndonjë që u përpoq: Pasha i Dibrës vjen në Lesh/me shkodran desh me liftu/t’gjith asqerin ia ban pshesh/iku qeni e u marrue./Abdyrr begu me kruetanë/ka zhgul çadrat e ka ikë/Na s’mund t’luftojmë me shkodranë…
Më 29 korrik një pjesë e kryengritësve me Hamz Kazazin në krye luftuan për katër orë rresht kundër një anijeje me ushqime, që u dërgua në ndihmë të garnizonit turk. Këtu u plagos rëndë Hamz Kazazi, gjë që e detyroi të tërhiqej nga luftimet. Vdiq më 1859. Në varrin e tij është gdhendur një shpatë (tagan) si dëshmi e trimërive të tij. Pas luftimeve të përgjakshme më 10 gusht u vendos armëpushimi. Ti Hafiz me tet’ tabore/Je vadit në Manastir/Kësaj i thonë Shkodër mizore/ta ban hor edhe rezil(të turpëron). Po kështu dhe komandanti tjetër turk: Daut Pasha me tet’ taborre/Nat’ e dit’ po ban llogore/Gjith asqerin e farove/Me Shkodër gja nuk fitove. Forcat e Daut Pashës tërhiqen dhe Pazari i Shkodrës hapet sërish. Shkodra merr frymë lirisht pas pesë muaj luftimesh. Më 18 shtator1935, ushtria turke hyn në Shkodër në bazë të marrëveshjes midis shkodranëve dhe qeveritarit turk. Në marrëveshje midis të tjerash u ra dakord që Shkodra me rrethinat të mos dërgonte nizamë për Portën e Lartë.
Hamz Kazazi