NGA HASAN KOSTRECI*/
Kanë kaluar shumë dekada qysh atëhere, por megjithatë kujtoj dhe mbaj mënd mirë vitet e fëmijërisë time kaluar në Korçë. Mbaj mënd shtëpiat e bukura dy katëshe me dyer dhe kangjella hekuri si dhe trëndafilat shumëngjyrësh që vareshin jashtë tyre. Kujtoj çatitë me tjegulla të kuqe që gjatë dimërit mbuloheshin me dëborë, apo dyqanxhijtë kur herët në mëngjes hapnin qepenat dhe spërkatnin me ujë kalldrëmin përpara; Kujtoj burrat e veshur me kostume dhe me kapele republikë në kokë, të cilët hijshëm dhe me modesti preknin cepin e strehës, sa herë që përshëndesnin, gratë mbuluar fytyrën me tyl dhe dorashka të zeza, apo djelmoshat e rinj, të cilët mbrëmjeve me kitarë, u bënin serenatë vajzave që ata adhuronin dhe me të drejtë Korça në atë kohë quhej “Parisi i Vogël’. Por kjo gjëndje mbas ardhjes së komunistëve në pushtet, ndryshoi dhe njerëz ordinerë e pa shkollë u vunë në krye të vëndit, të cilët duke u bërë gjykatës, prokurorë dhe trup gjykues, vranë, burgosën, pushkatuaan dhe azgjësuan gjithë atë shtresë fisnike dhe intelektuale, me të cilët ky qytet në ato vite krenohej.
Ne si familje fillimisht jetonim në një shtëpi dy katëëshe pranë kinema ‘Maxhestikut’,por me arrestimin e babajt, na nxorrën dhe na shpunë tek ‘Kulla e Hirit’, një lagje kjo e humbur dhe në periferi të qytetit. Hallua, e motra e babajt, Nurije e quanin, na kuntrollonte gjithmonë mua dhe vëllanë, që të mos dilnim jashtë, megjithëse, s’e pati bërë këtë gjë, kur ishim edhe më të vegjël.
– Është kohë e keqe – na thoshte ajo me zë të ulët – e ka marë soj sëzi.
Ne, sigurisht këtë fjalë s’e kuptonim, por ajo, nga që për një periudhë të gjatë, kishte jetuar në Stamboll, përdorte shpesh edhe ndonjë fjalë turqisht.
Ime më në këtë kohë nuk qe më shumë se tridhjet e pesë vjeç, por e mbetur e vetme dhe me dy fëmijë të vegjël, dalenadalë nisi të dobësohet, u thinj dhe ajo pamja e bukur dhe fisnike dikur, filloi të venitej.
Ishte Dhjetor i vitit pesëdhjet e një dhe në prag të Vitit të Ri. Hallua si ditë feste, diçka ishte duke pergatitur, ndërsa nëna po bëhej gati që t’i shkonte të shoqit në takim
– Do vish me mua – më tha ajo dhe më vari në sup një trastë të mbushur me ndërresa, ndërsa për vete u ngarkua me dy çanta lëkure – do shkojmë të takojmë babanë, mirë? – më pyeti – dhe mos harro që t’i thuash ‘Gëzuar Vitin e Ri’
Për t’im atë ndjeja mall dhe nuk dija se kur do na kthehej.. Nëna edhe bisedonte ndonjëherë me vëllanë më të madh, ndërsa mua, nga që isha i vogël, s’më thoshte asgjë.
– Mirë mëngjesi – e përshëndetëm një grua me shami në kokë, ulur përpara derës së hetuesisë dhe po priste.
– Mirë mëngjes – u përmënd ajo dhe u mënjanua për të na lëshuar vënd edhe neve – afrohuni këtu mbas murit se nuk u kap era – na tha dhe kur uli jakën e palltos, u duk që nuk qe edhe aq e moshuar – Kë keni këtu?
– Kam t’im shoq – iu përgjigj mamaja dhe më afroi, sepse disa pika shiu nisën të bijen.
– Kjo godinë që është bërë hetuesi, ka qënë e një zotnie të nderuar, Adem Vila e quajnë, por ka kohë të ziun që s’e kam parë dhe nuk di ç’u bë.
Në brendësi të asaj shtëpije, dukej një oborr i madh shtruar me pllaka, si dhe disa dritare të vogla në kat të parë dhe rrëzë murit, të cilat për t’i siguruar, përveç hekurave, u kishin mbërthyer kryq e tërthor edhe disa dërrasa.
– Edhe unë kam djalin këtu – tha gruaja mbas një heshtje – mbaroi studimet në Itali dhe u kthye për t’i shërbyer vëndit të vet, por ja që e pësoi.
– E kush e parashikoi që do vinin këto punë kështu, moj zonjë – foli një burrë i moshuar, që sapo pati ardhur dhe po mundohej të ndizte me shkrepse cigaren – qenë burra më të zgjuar dhe u gënjyen.
Një civil trup madh, veshur me kapotë ushtarake, por pa spaleta dhe hedhur krahëve, doli mbas pak nga dera ku ishim duke pritur, i cili i hodhi një vështrim turmës, sikur do mbante ndonjë fjalim.
– U kemi thënë që takim për ata që s’kanë dalë akoma në gjyq, nuk do ketë – tha ai – prandaj hajdeni njëherë nga java tjetër.
– Të lutem – i tha mamaja qe sëbashku me atë gruan ishin në fillim – ka pesë muaj që na thoni kështu. Ç’farë kanë bërë këtä njerëz, që po i torturoni kaq shumë.
– Atë se ç’kanë bërë, e di tjetër kush – u përgjigj qikllopi, kështu ia vura unë emrin dhe u bë gati që të largohej.
– I kam pergatitur disa ushqime dhe ato deri javën tjetër, prishen – nguli këmbë mamaja dhe nxorri dy çantat përpara.
– Ato futini – tha ai për t’u treguar gjoja i mirë, por në realitet e ngacmoi era e gatimeve të ngrohta dhe të porsa gatuara.- do marr edhe këtë fëmijën e vogël që të shohë të atin – shtoi ai – ndërsa ju të tjerët largohuni.
– Mos harro që t’i thuash babajit nga ne të gjithë; ‘Gëzuar Vitin e Ri’ – më porositi edhe njëherë ime më dhe ma lëshoi dorën.
Qikllopi përpara dhe unë pas, zbritëm nëpër disa shkallë të ngushta dhe pa dritë, ku në fund dhe fshehur në krah të djathtë, ai tërhoqi një lloz, hapi një derë hekuri dhe më shtyu të futesha brënda. Syve të mij të porsa ardhur nga jashtë, iu deshën disa sekonda që të ambientoheshin me errësirën dhe erën e keqe të atij bodrumi dhe kur u kthjellova, përpara meje pashë një kufome njeriu shtrirë në çimenton e ftohtë, i xhveshur gjysëm lakuriq dhe me duar e këmbë të lidhura. I rënë në kllapi, ai nuk ndjeu as kërcitjen e derës dhe as mua, prandaj iu afrova me kujdes, sikur nuk doja ta zgjoja, por pamja nga afër e tij me këmishë të grisur dhe njolla gjaku, më tmerroi, aq sa nuk po besoja, në se ai ishte babaji im, apo jo.
– Babuç – i thashë me zë të ulët – jam unë yt bir dhe ‘Gëzuar Vitin e Ri’ – por ai megjithatë nuk u përmënd.. Ktheva kokën nga dera, por qikllopi nuk ishte me aty. Një rrënqethje më përshkoi krejt trupin dhe lotë të nxehtë më dualën nga sytë. Iu ngjita shkallëve me një frymë, dola jashtë dhe e futa kokën tek prehëri i mamasë.
– Ç’fare ke? – më pyeti ajo – a e takove babanë?
– Ai që më tregoi qikllopi, nuk ngjante me të – iu përgjigja dhe ia dhashë të qarit.
– Nuk të vjen zor – iu drejtua mamaja kryetarit të degës, Naun Bezhanit, që kish dalë jashtë derës dhe po përtypta fara lule dielli – pse ia tregove të atin këtij fëmije, kur e keni katandisur në atë gjëndje – kriminela – mërmëriti ajo dhe me mua për dore, u larguam.
– Mos u mërzit, shpirti im, sepse babai së shpejti do të na vijë persëri – u mundua ajo të me qetësojë, por kur ngrita kokën, pashë se edhe sytë e saj ishin të përlotur.. Gjithë ai gëzim që pata, kur u nisëm, m’u kthye në një brengë, e cila u desh disa ditë që të më largohej.
* ( Marë nga libri, ‘Jetë nën Diktaturë’)
TË MERREMI EDHE ME HISTORINË, POR MË SHUMË ME AKTUALITETIN
NGA HASAN KOSTRECI/
Ja edhe festat e Nëntorit, së fundi kaluan dhe bashkë me to edhe debatet e nxehta që herë pas here u zhvilluan nëpër studio, ku më i angazhuar ka qënë kanali televiziv “Shqip”me drejtuesen e tij zonjën R. Xhunga, e cila diskutimet rreth tyre, e sidomos për 29 Nëntorin, e filloi nga “Bujani” i Tropojës dhe doli në jugë të Shqipërisë në Gjirokastër dhe për çudi, tek shtëpia e diktatorit Enver Hoxha, e cila, siç doli edhe nga diskutantët, nuk paskësh qënë as origjinalja, por e ndërtuar dhe bërë e re gjatë viteve të diktaturës. Megjithatë, në ato e të tjera takime u fol me objektivitet, përjashtuar ndonjë historiani fanatik, i cili nuk kishte kurajo të mohojë e të hedhë poshtë atë ç’ka ka thënë e shkruar për dyzet e ca vjet, por u pranua dhe ranë dakord, se deri në vitin dyzet e tre dhe pikërisht deri në “Mbledhjen e Mukjes”, ballistë, komunistë e legalistë qenë të gjithë sëbashku dhe qëllimi i tyre i vetëm ishte që të përzinin okupatorin nga vëndi, por vendimet që aty u morën, ranë ndesh me interesat e jugosllavëve, prandaj dhe ai takim historik, për fat të keq, dështoi dhe midis shqiptarëve paskëtaj nisi ajo luftë civile, e cila me ardhjen e komunistëve dhe diktaturës së Enver Hoxhës në pushtet, u kthye në “Luftë Klasash”.
Pati nga një pjesë pretendime për ta festuar këtë datë ashtu si dikur, por kjo do ishte absurde, prandaj edhe ndërhyrja e ambasadorit amerikan, zotit Arvizu, kur gjatë ceremonisë në kujtim të çlirimit të Tiranës, fotografitë e diktatorit nisën të qarkullojnë, qe më se e nevojshme dhe duke e quajtur figurën e tij një monstër, që i shkaktoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, fatkeqësi të mëdha, nxiti, për çudi, reagimin e të birit të tij, Ilir Hoxhës, i cili në vënd që me këtë rast, të distancohej nga krimet e të atit dhe ta dënonte, përkundrazi, i doli në mbrojtje dhe me këtë gjest, njollosi edhe më shumë veten dhe familjen e tij, por edhe i bindi njëkohësisht shqiptarët, se genie të këtij lloji, mbeten përherë njësoj dhe janë të pandreqëshem.
Kontribut në ato ditë debatesh dhe diskutimesh, për mendimin tim, dha edhe dëshmia disa herë, e zotit R. Perllaku, i cili e quajti Enverin një diktator, vrasës dhe anti shshqiptar, ndërsa sistemin që ai ndërtoi, një fatkeqësi, sepse u nis me triska dhe përfundoi me tollona dhe kur e thotë këtë një idealist dhe komunist i orëve të para, bëhet sigurisht dhe më i besueshëm nga ato që thotë i biri i tij, Ilir Hoxha, i cili ndofta mban mënd dhe ka nostalgji për kënaqësitë dhe të mirat materiale që i vinin nga i ati, por nuk di apo s’do që të dijë edhe për krimet që ai ka bërë ndaj shqiptarëve dhe popullit të vet, por është njëkohësish absurde të mendosh, se a mundet një deklaratë të tillë ta bëjë edhe një gjerman për Hitlerin apo një italian për Musolinin. Sigurisht që jo, por në Shqipëri çdo kush mund të bëjë apo të thotë ç’të dojë; Mund të përgënjeshtrojë ngjarje apo histori sipas dëshirës; Të quajë tradhëtarin hero, e anasjelltas dhe kjo, sepse edhe demokracia tek ne, ashtu siç kishim komunizmin, është tjetër lloj.
Ka patur gjatë atyre ditëve edhe ndonjë batutë, si pyetja , përshëmbull që z, P. Xhufi i bëri në studio bashkëbiseduesit të tij, se pse edhe në formacionet balliste, nuk kishte vajza, apo rrëfenja me dy të dehur e z. P. Majko, njëri më sa mbaj mënd, ishte shkrimtari
D. Agolli, i cili e pyeti tjetrin, se pse nuk ka gjithashtu edhe ndonjë këngë për “Ballin”, por nuk u muar edhe aq mirë vesh, në se këto u thanë për të të qeshur, apo e kishin seriozisht, megjithatë në ato ditë folën jo vetëm historianë, por edhe persona të thjeshtë, të cilët e njihnin realitetin dhe dinin gjithashtu, se ç’ndodhi në atë luftë, por, siç thamë, festat tashmë kaluan dhe të merremi pak edhe me aktualitetin.
Para pak ditësh tek “Opinioni” u diskutua reth hapjes së dosjeve, nëqoftëse do realizohet, dhe sipas informacionit që aty u dha, secili paskëtaj do ketë mundësi, që të shkojë e ta marë atë vetë ( ndofta edhe mund të paguajë), por kjo duket pak qesharake, sepse vlerë ky veprim do kishte, nëqoftëse bashkëpuntorët e asaj periudhe të sigurimit, të dilnin e të shiheshin nga të gjithë në gazetë, ndërsa deklarata e zoti Klosi, të nesërmen e asaj dite, se më shumë me dosje janë nga të persekutuarit, nuk e besoj, por edhe sikur, “Lufta e Klasave”gjatë atyre dyzet e pesë vjetëve, s’u bë për të apo ndaj kolegëve të tij, që ishin sekretara partie, oficera sigurimi, ushtarakë të lartë, ministra e të tjerë, sepse këta dihej që ishin të rekrutua qysh në fillimr nga ai regjim dhe njëkohësisht i shërbyen , prandaj dhe kanë ende nostalgji, po u bë pikërisht ndaj kësaj shtrese, e cila e vuajti me burgje, internime dhe persekutim të gjatë.
Kemi gati një çerek shekulli, që në realitet as kapitalizëm nuk po mundemi dot të ndërtojmë, por as dhe demokraci dhe kjo, siç shihet, ndodh, sepse si politika, ashtu dhe intelektualizmi apo biznesi, përfaqësohen nga të tillë persona që o janë pjesë e ish diktaturës ose pasardhës tyre, por nga që populli thotë se rrallë ndodh që edhe nga ferra mund të dalë ndonjë trëndafil, të le të kuptosh se shumica e atyre që shërbejnë sot nëpër këto institucione, kanë të trashëguar të njëjtin mentalitet.
Thyerja e dyerve të ambasadave njëzet e katër vjet më parë, bota nuk na e quajti huliganizëm, por një shpërthim ndaj diktaturës; Kacavirrjen gjithashtu e mijra të rinjëve, gra, pleq e fëmijë nëpër litarë e anijeve për t’u larguar, sigurisht jo vandalizëm, ndërsa vrasjet, grabitjet ordinere në dyqan apo në rrugë, që janë duke ndodhur sot, apo vjedhja e bankës dhe e thesarit të shtetit, janë vërtet skandaloze, që nuk na e justifikon kush dhe këro të bëjnë të mendosh se o ne si shoqëri jemi prishur keq dhe nuk ka sy për t’u ndrequr, o qeveritë që ikin e vinë nuk janë në binarë dhe duhet që të kthjellohen
Jemi në muajin Dhjetor të vitit 2014, që na kujton Dhjetorin e nëntëdhjetës, ku me rrëzimin e diktaturën, optimizmi dhe shpresat e shqiptarëve për t’u bërë si Europa, qenë shumë të mëdha, po a u realizuan ato, apo mbetën dhe vazhdon që të mbetën ende ëndëra.
JA PËRSE NJË PJESË KANË NOSTALGJI PËR ATË KOHË
NGA HASAN KOSTRECI/New York/
Debatet që po zhvillohen këto muajt e fundit në lidhje me ditën e 29 Nëntorit, po krijojnë edhe njëherë ndasira, prej të cilës ne shqiptarët kemi vuajtur aq shumë dhe na ka kushtuar. Përça e sundo është një fenomen i njohur dhe i aplikuar tek ne qysh nga pushtimi Otaman, por duke u itensifikuar edhe më shumë gjatë diktaturës, na mbeti i trashëguar dhe herë pas here e kur duhet, përdoret edhe sot. Nxjerrja nëpër ekranet televizive, përshëmbull, e disa figurave të diskutueshme, të cilat, me hallet dhe problemet që shoqëria jonë aktualisht ka ,veçse e iritojnë edhe më shumë. Tentimi gjithashtu për të rrëzuar ndonjë bust apo monument dhe sidomos ballafaqimi me portretin e duktatorit në disa manifestime, janë veprime flagrante, të cilat të lenë te dyshosh se më njëzet e nëntë, do avancohet edhe më tepër e do bëhen aventura.
Dihet që nazizmi gjatë luftës së dytë botërore, pushtoi pothuajse krejt Europën dhe pavarësisht rezistencës së disa vëndeve, si Franca, Greqia, Jugosllavia, sidomos Polonia, përfshirë këtu edhe angazhimin modest të Shqipërisë, pa pjesmarrjen dhe aleancën e tri fuqive të mëdha; Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe ish Bashkimit Sovjetik, ai regjim do qe përhapur dhe do kishte përfshirë gjithë botën.
Pra, vetëm këto tri shtete me potenciale të fuqishime arritën që ta gjunjëzojnë dhe më
9 Maj të dyzet e pesës, të shpallin edhe kapitullimi pa kushte të tij.
Kjo datë festohet në të gjithë Europën dhe quhet si dita e fitores mbi nazizmin, por deri sa në koalicion, siç thuhet, me anglo – amerikanët paskemi qënë dhe jo me lindorët, pse të festojmë vetem 29 Nëntorin, të cilën gjatë diktaturës e frymë me aq shumë ngjarje e historira, një pjesë të pa qëna, sa dolëm edhe jashtë realitetit.
Në përvjetorët që çdo vit me këtë rast organizoheshin, bëhej gjithashtu mjaft bujë e pompozitet dhe topat e tanket që nxirreshin nga hangarët vetëm për atë ditë, ishin vetëm një çfaqje teatrale, që ashtu si ato shtatë qind mijë bunkerët e ndërtuar në të katër anët e vëndit, kishin për qëllim t’i mbushnin mëndjen popullit shqiptar të pa informuar dhe të izoluar nga bota, se qemë një forcë e madhe dhe e pa thyeshme, që nuk i trëmbeshim çdo lloj armiku, të brëndëshëm apo të jashtëm. Sot ky lloj donkishotizmi, sigurisht nuk shkon dhe është një detyrë e historianëve, jo vetëm profesionale, por edhe patriotike që të rishikojnë edhe njëherë ç’ka është thënë dhe të thonë të vërtetën, ndryshe sa herë që do diskutohen Kongresi i Përmetit, i Beratit, i Pezës, i Labinotit e kështu me radhë, gjithmonë e më shumë do krijohen debate e sherre dhe gjithmonë e më shumë përpara gjeneratave të reja, do bëhemi qesharakë.
Komunizmin nuk e shpikëm ne, por na u importua dhe Jugosllavët, për të realizuar qëllimet e tyre, zgjodhën pikërisht Enverin, i cili karierën e tij e nisi, e ndërtoi dhe e mbylli vetëm me mashtrime, vrasje dhe eliminime jo vetëm ndaj kundërshtarëve të tij politikë, por edhe ndaj bashkëpuntorëve, që ai supozonte se mund t’i zinin karriken, prandaj, nëqoftëse për pesëdhjet vjet e kemi pranuar si komandant, udhëheqës dhe strateg të madh, sipas fakteve, por edhe nga të thënat e ish kolegëve të tij, del një dinak, vrasës e kriminrl, epitete me të cilat e cilësoi gjatë një interviste në kanalin televiziv “Shqip”edhe vetë zoti Rahman Perllaku. Atëhere a do vazhdojmë akoma me të tilla iluzione, apo do thënë realiteti, që edhe shqiptarët si brënda dhe jashtë atëdheut, të qetësohen shpirtërisht, të lenë euforitë dhe të nisim rrugën e pajtimit.
Me të drejtë zoti P. Milo, thotë, se periudhën mbas luftës e kemi dënuar dhe vazhdojmë ta dënojmë. Fjalën e ka, sigurisht për krimet dhe diktaturën që u instalua mbas vitit dyzet e katër, atëhere nëqoftëse vetëm dyzet e treshi, paska qënë një vit i mbrapshtë i cili na përçau dhe po na shkakton akoma andralla, e lemë në harresë dhe të merremi e të nderojmë ata që u vranë, nga të dyja krahët, të cilët u flijuan për idealizëm dhe pa ditur se ç’do ndodhte më pas.
Nëqoftëse nismëtarët e komunizmit, përfshirë edhe ato pak femra, pjesmarjen e të cilave, zoti P. Xhufi e cilësoi si emancipim, diktatori i vrau dhe i masakroi; Nacionalistët dhe kundërshtarët politikë, gjithashtu po, atëherë kush pjesë e shoqërisë janë këta që paskan aq shumë nostalgji për atë periudhë dhe duan ta kujtojnë. Mos ndofta brezi i dytë apo edhe ndonjë i tretë i atyre që sistemi diktatorial, për të mbushur vakumin, i zgjodhi nga baza dhe nga që për karriken e tij, nuk paraqisnin rrezik, u lanë të lirë që të xhvasin dhe të shpërdoronin sa mundën pasurinë e popullit. Këta me siguri që ndjejnë nostalgji, sepse kanë ç’të kujtojnë, por në parakalimin që me rastin e kësaj date mendojnë të bëjnë, do t’u rrëfejnë gjeneratave të reja, se jemi ne ata që e shkatërruam këtë vënd dhe e sollëm në këtë gjëndje. Jemi ne që i detyruam ata mijra të rinj, gra, pleq apo fëmijë, të braktisën vëndin dhe të marrin arratinë; Jemi përsëri ne fajtorë për ata qindra të tjerë që në kërkim të lirisë, përfunduan në ujrat e Jonit apo të Adriatikut. Nëqoftëse për këto e të tjera, s’u nxihet faqja dhe nuk u vjen zor, le të parakalojnë, sepse ndofta atë ditë në tribunë del edhe e veja e diktatorit dhe u përshëndet.
ESHTE E RREZIKSHME, KUR REALITETI DEFORMOHET
Intervista e e shplare e Nexhmije Hoxhes dhe “Leja administrative” ndaj dy motrave heroina,Zamira dhe Izabela Islami/
Nga Hasan Kostreci/*
Që s’u dënua, por edhe s’u evidentua gjatë këtyre njëzet e katër vjetëve, krimi komunist, është një ofendim edhe më i madh që i është bërë shoqërisë shqiptare dhe fakti që ajo histori e hidhur vazhdon të mbetet ende në heshtje, tregon se të dyja partitë, si e majta ashtu edhe e djathta, s’kanë qënë të prirura dhe s’e kanë pasur vullnetin e mirë për ta bërë këtë gjë. Por të mos denoncosh një sistem aq të egër që kaloi vëndi ynë, është njësoj si të mos veprosh ndaj një sëmundje të rrezikshme siç është kanceri, të cilin po s’e kurove me kujdes dhe mirë, ka rrezik që ai të dalë e të përhapet një ditë përsëri. Shkrimet dhe deklaratat që gjithmonë për këtë temë janë shkruar dhe vazhdohet të shkruhen, nuk është asnjëherë e tepruar, sepse intelektualët, më shumë se kushdo, e kanë për detyrë, gjithashtu edhe përgjigjësi, që ky proces, së fundi një ditë të realizohet.
Morali, dinjiteti dhe karakteri janë disa vyrtute, të cilat s’i ka çdo njeri dhe fakti që asnjë i ri apo e re, me prindër apo gjyshër të implikuar në krime gjatë atij regjimi, s’ka dalë deri më sot, që në emër të familjes t’i kërkojë falje shoqërisë shqiptare, tregon se, ashtu si dhe paraardhësit e tyre, nuk ndjejnë ndonjë detyrim dhe kjo të bën që të trëmbesh edhe më shumë, kur mendon se në ç’duar ndodhet demokracia jonë.
Intervista që Nexhmije Hoxha i dha para pak ditësh gazetarit Qafoku, të them të drejtën, m’u si një përrallë e gjatë dimëri dhe neveri më shumë ndjeva jo edhe aq për të intervistuarën, sepse ajo dihet se kush është, po për intervistuesin, mediokriteti i të cilit binte në sy, por nuk mund të besohet, se i të njëjti nivel është katandisur gjithashtu edhe media jonë, ndryshe do ishte një fatkeqësi e madhe dhe trishtim gjithashtu. Elementi mediokërr në atë sistem ishte një dukuri e zakonshme, por që një fenomen i tillë të çfaqet edhe sot, është e pa besueshme. Të trashëguar ne si shoqëri kemi mjaft defekte, por të stimuluarit e tyre, rrezikon dhe dëmton demokracinë.
Ngjarja që ndodhi para pak kohe këtu në Washington, me vënjen në “Leje administrative” nga “Zëri i Amerikës” i dy zonjave të nderuara, Zamira dhe Izabela Islami, të punësuara në këtë institucion qysh në vitin 1985, një vit mbasi ato, vajza të reja në atë kohë, sfiduan regjimin gjakatar komunist dhe u arratisën për në perëndim, krijoi mjaft diskutime, ndonjëri prej tyre, bile edhe i gabuar, por shkrimet e goditura dhe të pjekura mirë të disa intelektualëve këtu në diasporë si zoti M. Korça, J. Luzaj dhe V. Zhiti në Shqipëri, e ndryshuan krejt atmosferën dhe ua mbyllën gojën edhe ndonjë thashethemi. Të njëjtë gjë bëri edhe organizata “Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane”, e cila si e prirur për t’i analizuar me maturi këto fenomene, dha një kontribut gjithashtu mjaft të mirë ne ndriçimin e së vërtetës. Në ceremoninë që u organizua enkas për to, u fol për kontributin që ato kanë dhënë tek “Zëri i Amerikës”, për idealin e tyre atdhetar dhe antikomunist, si dhe për guximin që tridhjet vjet më parë ato treguan, duke kaluar me not Detin Jon dhe dolën në brigjet e Korfuzit. Çmimi “Shqiponja e Lirisë”, që iu dorëzua motrave heroina me atë rast, plotësoi gjithçka dhe sot të dyja këto zonja; Izabela Islami Çoçoli dhe Zamira Islami Edwards janë punësuara përsëri në detyra, bile edhe më të rëndësishme, prandaj mbetet që t’iu urojmë vetëm shëndet dhe punë të mbarë!
* Anëtar Bordi i organizatës,Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane
A KA NDRYSHUAR SHOQËRIA JONË NË PËRCAKTIMIN E SHIJEVE DHE VLERAVE?
NGA HASAN KOSTRECI/
Në biseda të ndryshme shpesh herë dëgjojmë shprehjen, se ajo që është e bukur për ty, nuk është për mua, ose atë që ti quan të mirë, unë jo, por për ta konkretizuar këtë edhe më mirë , le të japim nja dy shëmbulla;Kur del zakonisht në qarkullim një libër i ri dhe nuk kemi për të informacion, përpara se ta blejmë e ta lexojmë, fillimisht shohim autorin se kush e ka shkruar dhe nëqoftëse prej tij kemi lexuar edhe libra të tjerë të cilat na kanë pëlqyer, është ky një orientim, që mund të merret në konsideratë, por nëqoftëse dikush do na thotë, se e kam lexuar dhe ishte i bukur, si do vepronim dhe kur do e merrnim parasysh rekomandimin e tij! Jemi përpara kinemasë dhe duam të shohim filmin që është afishuar dhe në atë moment nga dera dalin ata, që sapo e kanë parë, por a do bindeshim duke pyetur një person të pa njohur, në se ishte i mirë ai film apo jo? Pra, shijet, vlera dhe e bukura, sigurisht që nuk mund të konceptohen njësoj, por përveç mentalitetit, kjo varet edhe nga kushtet, ambentit dhe shoqërisë ku secili jeton.
Dhe tani të flasim konkretisht për popullin shqiptar, shijet e tyre, si kanë ndryshuar ato në vite apo dekada dhe arësyen përse.Si komb në përgjithësi jemi me shije të mira dhe këtë e konstatojmë tek veshjet tona tradicionale si të burrave ashtu edhe të grave të punuara dhe qëndisur me aq kujdes dhe gusto; Tek vallet dhe këngët folklorike me lëvizje të hijshme dhe gjithë gjallëri, Tek dasmat me zakone fisnike e të tjera, por për situatat jo të favorshmme historike që herë pas here kemi patur, shpesh ato edhe janë deformuar apo zbehur, por nëqoftëse nuk janë zhdukur, kjo është falë patriotëve tanë, brënda apo jashtë atëdheut, të cilët jo vetëm i kanë ruajtur, por janë interesuar gjithashtu edhe për t’i përhapur. Kështu qysh herët kanë vepruar Arbëreshët e Italisë me De Radën, Gavrill Darën, Zef Seremben e të tjerë, me Rilindasit në shekujt e më vonë, ashtu dhe mbas pavarësisë dhe sidomos gjatë periudhës së Mbrett Zog, ku zhvillim morën jo vetëm zakonet e ndryshme apo folklori popullor, por në Shqipëri filloi që të hyjë gjithashtu edhe kultura moderne perëndimore, që ndikoi ndjeshëm në civilizimin dhe ngritjen e nivelit të shoqërisë, në rritjen e kërkesave të saj për një jetë më të mirë dhe cilësore, por rrjedhimisht edhe për një perceptim apo zgjedhje më të saktë dhe të kualifikuar për të bukurën, shijen dhe vlerat.
E kundërta ndodhi mbas ardhjes së komunizmit, ku modelet për ato që përmëndëm, nuk merreshin dhe kopjoheshin më nga intelektualët apo elita e kombit, por nga baza, aq sa edhe herojtë apo personazhet kryesorë të librave, të këngëve apo filmave që dilnin në qarkullim, o ishin kooperativistë të dalluar, o një traktorist që zgjohej që me natë, ose një ushtar vigjilent që ruante kufirin dhe kjo propogandë bëhej, sepse diktatura e ka urrentë atë shtresë, jo vetëm si kundërshtarë politikë, por edhe nga që ndjehesh ndaj tyre inferior si në arësim, kulturë dhe aq më tepër në patriotizëm, tre komponentë këto që ajo ideollogji nuk i pranonte dhe mllëfin e grumbulluar për ta, e çfryu me atë barbarizëm shtazarak që edhe një pushtues i huaj nuk do bënte dhe për të zhdukur çdo vlerë apo kontribut të tyre, deformoi edhe historinë.
Le të kujtojmë përshëmbull rezistencën më shtatë Prill tridhjet e nëntë kundër pushtimit të Italisë Fashiste dhe Abaz Kupin që ishte organizatori, drejuesi dhe komandant i asaj lëvizje, regjimi asnjëherë nuk u përmëndi dhe vetëm ushtarit të thjeshtë, Mujo Ulqinakut, i bënë monument dhe e shpallën hero. Por edhe të tjera ngjarje si këto të ndodhura para vitit dyzet e katër, diktatura nuk kishte dëshirë që t’i kujtonte dhe duke mos u shkruar në asnjë libër apo tekst shkollor, ato mbetën në harresë, por jo vetëm herojtë, por dhe historia apo periudha të ndritura, që kishin lidhje me ta, të cilat çdo popull i kulturuar, i ruan me kujdes dhe i mban si thesar.
Duke u futur gjithashtu edhe në jetën intime apo private të secilit, komunizmi edhe perceptimin individual të vlerave, e quajti mentalitet borgjez dhe e bëri për të gjithë njësoj. Pra, u kolektivizuan shijet, perceptimet e të mirës, të bukurës, e mjaft ndjesive të tjera që ishin personale, por ky aksion shkaktoi një fenomen sa të dhimbshëm, aq edhe qesharak, sepse duke kopjuar nga njëri tjetri, filluam që edhe veprimet apo paraqitjen e jashtëme, ta bënim njësoj, Kështu visheshim njësoj, flisnim njësoj kryesisht për sportin, hanim, por dhe mendonim njësoj, por bashkë me to u unifikua gjithashtu edhe mënyra e të sjelljurit apo të komunikuarit, dukuri këto më shumë negative, që i hasje në të gjitha institucionet shtetërore, bile edhe tek një shitëse e thjeshtë zarzavatesh, që të shikonte shtrëmbër, sa futeshe në dyqan.
Por nëqoftëse për atë periudhë, këto edhe justifikohen, sepse donim apo s’donim, na a diktua dhe ishim të detyruruar t’i pranonim, sot mbas njëzet e tre vitesh demokraci, duhej që sadopak të ishim përmirësuar, por që realisht kjo gje ende s’po ndodh, tregon se rrënjët e atyre ndryshimeve, qënkan futur thellë në karakterin tonë dhe janë bërë pjesë e tij.
Por edhe një tjetër fenomen, që ndodhi mbas viteve nëntëdhjetë, nëntëdhjet e shtatë e më mbas, mendoj se influencoi po aq negativisht për situatën që aktualisht jemi. Me emigrimin masiv të atyre një milion e ca shqiptarëve, midis tyre pati edhe kontigjentë që shoqërisë shqiptare, demokracisë dhe vëndit në përgjithësi, do i duheshin; Shtresa e persekutuar përshëmbull, të cilës, siç thamë, regjimi komunist, u mundua t’ua shpërbënte dinjitetin dhe vlerat, në sytë e shoqërisë dhe në opinion, ata mbetën megjithatë simbol ndershmërije dhe i fisnikërisë. Pjesa tjetër ishin gjithashtu nga shtresa e artit apo kulturës, shkrimtarë, kineastë, gazetarë, instrumentistë e deri mësuesë e pedagogë, të cilët vërtet i shërbyen atij regjimi, disa, për fat të keq edhe dëmtuan, por duke qenë intektualë, në krahasim me shtresën fshatare, besoj se do e kishin më kollaj, të përshtateshin edhe me sistemin e ri që filloi të ndërtohej, por me ikjen e tyre, vakiumi si në qytetet kryesore dhe sidomos në Tiranë, u mbush pikërisht nga pjesa që përmëndëm, të cilët duke qënë edhe në numur i madh, zaptuan edhe mjaft institucione të rëndësishme, që kishin të bënin direkt me edukimin e brezit të ri dhe jo vetëm nëpër shkolla, por edhe në mjaft qëndra të ndryshme arti apo kulture, kanale televizioni, grupe teatrale, humoristike e të tjera, të cilat si private e të pavarura që u bënë, rëndësi më shumë i vunë biznesit, por jo programeve pa cilësi dhe me nivel të dobët që transmetonin dhe në këtë rast dëmet që u shkaktuan gjeneratave të reja, ishin ndofta po aq, sa ç’bëri edhe komunizmi dhe fakti që sot ky kontigjent, sigurisht i rritur, nuk është në gjëndje të dallojë vlerat, të bukurën nga e shëmtuara apo të moralëshmen nga e pa moralëshmja, krijon probleme, që shpesh shoqërisë i kushton. Mjafton të përmëndim periudhat e zgjedhjeve, momente këto aq të rëndësishme në demokraci, kur si elektorat, jo vetëm që nuk e vlerësojnë, por dhe votën, simbolin e saj, e shesin apo e blejnë, sikur të qe ndonjë biletë kinemaje; Po ashtu edhe si publik, që nuk mungon çdo natë të mbushi sallat e çfaqjeve, por që duartroket nxehtësisht edhe për ndonjë përfomancë të dobët, apo kur fjalori që aty përdoret, le për të dëshiruar. Këto e të tjera të bëjnë shqetësohesh, që edhe bustin e diktatorit Enver Hoxha, që njëzet e tre vjet më parë populli shqiptar e rrëzoi, të ngrihet përsëri.
Tranzicion do të thotë që ta kapërxesh atë histori kriminale dhe të mbrapshtë që na la komunizmin, por, siç shihet, opinionet dhe vlerësimet, janë ende të pa sakta dhe këtë dyshim e ka gjithashtu edhe Europa, e cila, si duket, u lodh me neve dhe po e humbet durimin.