• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Liria jonë është shkruar me Alfabetin e gjakut…!

January 20, 2014 by dgreca

Në qytetin Student të Heidelbergut të Gjermanisë u promovua : “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”  te Prof. Dr. Nusret  Pllana/

Nga Hasan QYQALLA/Heidelberg/*

Gjergj FISHTA, duke derdhur tërë mllefin e pezmin, ku tjetër pos te shkaktari kryesor i katrahurës shqiptare, te Fuqitë e Mëdha të Evropës e botës, në vargjet e veta nxjerr klithmën:

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re  mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da token e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

I përzgjodha këto vargje, mbase e shoh një pikënisje të përbashkët identifikimi me veprën shkencore kapitale të profesor Pllanës “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”! Shtrohet pyetje pse, ku, si,…?

Fillimisht, për opinionin tonë mbarëkombëtar, prof. Pllana është emër i njohur, është zëri i arsyes të “Kosovës së Lirë”, është emër i njohur në letrat shqipe, por edhe më e hershme është veprimtaria e tij që nga koha e ish Jugosllavisë. Veprimtari e njohur antipushtuese e antiregjim, që shpreh kryeneqësinë individuale kundrejt pathyeshmerisë e mospërkuljes për asnjë çast, për asnjë çmim, mbase “Liria nuk ka çmim”, do të thoshte vetë disidenti. Katrahurat e shtypjes, dhunës, terrorit të atij regjimi të paparë ndonjëherë në globin e njerëzimit, i përjetoi vetë autori, i barti mbi kurriz. Këto përjetime, nëpër kazamatet serbo – sllave, nuk e ligështuan për asnjë çast, nuk e dobësuan as skenarët e inskenimeve, por përkundrazi sikur kalitej edhe më tej, që jo vetëm të sfidojë, por edhe të dalë në mal e ta luftojë pushtuesin shekullor me armë në dorë.

T’i kthehem pikënisjes me vargjet e Fishtës, të cituara më lartë. Gjersa Fishta, siç thashë, nxjerr klithmën e thellë ndaj padrejtësive historike që i bëhen popullit shqiptar, këtë padrejtësi, profesori e justifikon me fakte duke nxjerrë të gjitha viktimat e tribunët kombëtarë që për ideal kishin, asgjë më shumë se lirinë. Pra, janë të dhëna shkencore e të pakontestueshme: vrasjet, pushkatimet, helmimet, pritat, pabesitë…, deri në paradokset që nxjerr regjimi serb, kinse bënë vetëvrasje.  Më kujtohet nje koment i atëhershëm i Agjencionit të Lajmeve Jugosllave “Tanjug” se Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka u vranë nga një përleshje e brendshme apo qërim hesapesh mes grupeve ilegale të emigracionit shqiptar. Mbase, rasti i Enver Hadrit, ku nxjerrin tre supozime të mundshme, por më e afërta, gjithnjë sipas tyre, është xhelozia e të dashurës së tij, që kinse kishte një lidhje intime jashtëmartesore me të (fjala është për një femër me origjinë belge)!!! Prandaj,  autori i qaset me mishërim kronologjisë së dhimbshme, duke nxjerrë edhe fakte të mjaftueshme për dhunën, terrorin e gjenocidin që ushtronte në mënyrën më barbare e më perfide pushtuesi serb për gati dy shekuj me radhë. D.m.th. synon te del në pah e vërteta e errët apo e pandriçuar, deri më tani, e historisë sonë kombëtare, sa e dhimbshme po aq edhe krenare, mbase liria jonë është shkruar me alfabetin e gjakut.

Formësohet bindshëm thënia, se autori në fjalë, pra prof. Pllana, nxjerr nga varri eshtra identifikimi të personaliteteve e veprimtarëve nëpër kohë. Kronologjia e varrimeve dhe persekutimeve është e gjatë dhe faktike, dëshmi reale që na ofron autori në këtë libër shkencor. Shtrohet pyetja, çfarë e shtyri autorin t’i qaset gjurmimeve nëpër arkiva, duke shpalosur me qindra dosje, që (ndoshta) i kishte mbuluar bloza e harresës?! Mendoj se, bëri një kthesë në udhëkryqet ndërkombëtare drejt demantimit të paragjykimeve, përkatësisht tentim gjykimeve të luftëtarëve të lirisë, duke bërë përpjekje të njollosjes apo balansimit surreal të luftës së lavdishme të UÇK-së me okupatorin serb. Padyshim, duke qenë edhe vetë pjesëmarrës aktiv i luftës së lavdishme, autori ofron fotodokumentare të terrorit, dhunës, masakrimit, sakatosjes, rrëmbimit, izolimit deri në përpjekje të shfarosjes apo ekstradimit nga trojet etnike, që padyshim është një vazhdimësi e apetiteve të këlyshëve të Rusisë, siç thotë edhe Gj. Fishta.

Me të drejtë konludoj se, jo që është vetëm një vepër historike që ka munguar deri sot, por është padyshim një e vërtetë e pamohueshme kolosale. Këtu nuk gjejmë të përdorë elemente letrare, estetike, figurative, metaforike, përcjellë me glorifikime, ekzagjerime ose hiperbolizime që zakonisht hasim në krijimtarinë letrare. Jo se është vetëm i saktë në atë që shkruan, por del si një tribun, që shpalosë të vërtetën para hileqarëve “të qytetëruar” të Europës e më gjerë, edhe në ditët e sotme.

Jam thellësisht i bindur, se prof. Pllana është zëri i ashtit dhe gjakut, ëshët zëri i arsyes dhe ndërgjegjes, është zëri që identifikon sot “Kosova e Lirë”!

E FALËNDEROJMË prof. Nusret Pllanën që ka zgjedhur pikërisht Qytetin Student të Heidelbergut, ku Mërgata Shqiptare është bërë pjesë e kulturës dhe integrimit të këtij qyteti, për të promovuar librin e tij, përplot dëshmi, dokumente e vlera kombëtare! E falënderojmë përzemërsisht për praninë e tij, këtu në mesin tonë! Ndërkaq, juve miq e dashamirë të librit dhe ithtarë të së vërtetës, ju falënderojmë për praninë dhe vëmendjen tuaj!

Heidelberg, 18. 01. 2014

*Hasan QYQALLA/ Kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë  në Mërgatë (Ne foto: Michael Mwa Allimadi – Kryetar i Këshillit të Emigrantëve duke folur gjate promovimit.                         

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Hasan Qyqalla, Nusret pllana, Terrori i Serbise pushtuese

“Buzëqeshje e trishtë” në portretin e një artisti

November 18, 2013 by dgreca

*Vështrim mbi vëllimin poetik “Buzëqeshje e trishtë” – Hasan Qyqalla/

Shkruan: Zejnepe Alili – REXHEPI/

Të njohësh artin poetik, do të thotë të dish të përzgjedhësh fjalën, të ndërfutesh në thelbin e atyre vargjeve që vijnë si drithërimë e kohës, e më pas e përçojnë porosinë e tyre përmes botimit, që në të vërtetë nuk nënkupton vetëm një lajm të zakonshëm, por akoma mëthellë, një vetëshpalim poetik.
I tillë, para lexuesit, vjen libri “Buzëqeshje e trishtë”, e poetit Hasan Qyqalla, një libër plot vlera ideo-artistike, të pleksura si shtrirje tematike midis dy linjash gjeografike: si poezi e mërgatës, që e artikulon ndjenjën e mërgimtarit dhe të vetë poetit me këtë rast, si dhe linja e atdheut – Kosovës, të cilën poeti dukshëm, me një ndjenjë krenarie e ka burim frymëzimi. Falë estetikës dhe figurshmërisë së pasur tëvargut, që t’i ngacmon mendimet, analiza dhe interpretimi i vlerave krijuese në të, nuk të imponohet si domosdoshmëri, por si kënaqësi.
Duke gjetur një laryshi tematike në vepër, të duket sikur ke të bësh me një antologji të pakundërshtueshme mesazhesh didaktike. Aty, reflektohet një botë e begatshme, si portretizim i shumë ngjarjesh, mbështetur në linjën e trikohësisë: e kaluara, e sotmja, e ardhmja.
Në këtë linjë, jepen imazhe për pikëtakimet e brezave, që sajohen natyrshëm nga vargu në varg, ndonëse përmes një klithme filozofike, poeti shpreh diferencën, papajtueshmërinë…, ndarjen e botëve! Pra, risjell në kujtesë të brezave një të vërtetë historike mbi fatin e mërgimtarit nëpër udhëkryqet e botës, fatin e atdheut kornizuar si në pandehmat e stinëve plot furtunë…, shprehur këto përmes poezisë refleksive dhe frymës filozofike. Në këto fletërrudhosje kujtimesh, përvijohen ecejaket e mërgimtarit dhe gjakimi i poetit për të gjetur harmoninë e jetës. Kështu, sytë e poetit, të duket sikur shpërndajnë magjinë e përthyerjes së reflekseve plot dromca malli e dashurie, për një vend, një atdhe…, të paharruar ndër vite.
Edhe ndryshimet socio-politike dhe ato kulturore, si bartëse tematike të vëllimit, relativizohen, kur kemi parasysh aftësinë sintetizuese të artit, veçmas artit poetik. Andaj, në poezinë “Muzeu i heshtjes” (83), poeti shkruan: “…dhe jeta ecën, gjarpëron si lum/burimin i gjen e rrjedhën askund!”, që dukshëm të lë përshtypjen që poezia nuk është e destinuar për institucionet memece të botës sociale, por mesazhi i saj duhet të jetë i fuqishëm, jehonëbërës, e madje ky mesazh të vijë si një paradigmë e problemeve sociale, sepse i tillë trajtohet misioni i vërtetë i poezisë.
Kjo përkapje tematike, si dhe trajtimi i tyre, qasja ideore, niveli artistik…, mundësojnë që ky libër të jetë ngjizur nga bota e perceptuar e një krijuesi të Mërgatës, me reflekse të tëra ngjarjesh. Frymëzimi dhe ndjesia, që pikaset brenda fletëve, gjegjësisht vargjeve, nuk është një përshkrim i rëndomtë, i kudogjendur, por ai përjetohet dhe shënohet në kujtesë. Madje, sipas Hans Robert Jauss-it, teoricien i letërsisë, “lirika gjithmonë ka qenë Hirushja e Sociologjisë së letërsisë dhe ka mbetur e tillë…”. Edhe ky vëllim poetik është një transmetues i mesazhit social.
E tërë vepra përshkohet nga një bosht i mirëfilltë poetik, me ide e porosi të qarta. Andaj, “Buzëqeshje e trishtë” synon vëmendjen dhe syrin vëzhgues të kritikës, sepse në të, nuk përçohet vetëm një buzëqeshje “e trishtë”, por më shumë se kaq…, vetë sfidat e mërgimtarit larg atdheut, shpirti i të cilit i përngjet një pelegrini, që nuk resht së ëndërruari për atdheun.

Përsiatje mbi vargjet
Nëse “Buzëqeshje e trishtë”, studiohet sipas një kriteri përcaktues tematik, atëherë në të ndeshim një gamë të tërë shtrirjesh tematike, si: poezinë e vendlindjes në një shtrirje të gjerë; atë atdhetare, si një linjë e pandashme me të parën; poezinë refleksive e atë erotike, të pleksura mjeshtërisht e të vargëzuara si një trup i ngjeshur; poezinë filozofike, e cila të mundëson udhëtimin nëpër kohë. Ky është edhe identiteti i zërit poetik, do thoshte kritiku letrar, Ali Aliu, megjithëse në këtë shumësi temash, hetohet qartazi tendenca e komparacionit përsa i përket poezisë lirike në kohë, por kjo do të shërbente thjesht, më shumë si nxitje e vlerave. Ky libër, vjen si një paralele midis lirikës dhe tharmit filozofik në të.

Relacioni poetik: Vendlindje – Atdhe
Rrjedha poetike e atdhetarizmit të poetit, është një emocion, në relacion me ngjarjet historike, në kohë të trazuara…, që të ngrijnë buzëqeshjen. Antiteza të shumta, shprehur përmes revoltës e heroizmit njëkohësisht, formësojnë simbolikën e buzëqeshjes së trishtë. Frymëzimi atdhetar, nga poeti, as që kërkon referenca e pikëpamje të thukta teorike, por si çdo poeti tjetër, edhe H. Qyqallës i mjafton gurra e pashterur e krijuesit të vëmendshëm, si dhe ndjenja e lartë kombëtare. Kjo përvojë jetësore e poetit derdhet natyrshëm në format e përvojës letrare, duke sendërtuar një raport të qëndrueshëm ndaj parimeve estetike.
Frymëzimi atdhetar është i patjetërsueshëm për çdo poet, megjithëse shtrohet dilema: si konceptohet një botë kaq e ndishme poetike që poetin e vë përballë ndjenjës atdhetare?
Mos ndoshta, pse poeti është ai lumi i pandalur që rrjedh në kërkim të identitetit mbi shtratin e tij, drejt një bote novatore, në të cilën i prin etja që përmes lirikës të bashkojë brigjet e atdheut të vet, një mrekullie të ëndërruar me shekuj?!
Kam përshtypjen se kjo ëndërr vjen më bukur përmes poezisë “Epokë Dielli” (35), për të cilën do thosha se duhej të hapte siparin e poezisë atdhetare, pasuar nga poezitë elegjiake: “Dozë pluhur Kosove” (37), “Art gjakimi” (Agim Ramadanit) (38), “Plëng” (Sali Çelikut) (39)… Mandej, bashkëngjitur poezitë: “Eni” (Drenicës) (34), “Gërshetat” (Shukrie Obërtincës) (33), “Çapkënja”(36), si një hymn kushtuar gocës së rënë për liri, e që këto të fundit vijnë si tipizime femërore poetike. Përgjithësisht, dashuria për atdhenë nuk mbetet vetëm një aureolë mistike pse poeti gjakon për një epokë Dielli! E kjo, a s’është epoka e luftëtarëve të Drenicës, Prekazit?!
Në këto shtigje të vështira, kthim pas, për bijtë e Kosovës, nuk ka! Ata janë “flamurtarët” që me: …shekuj shkundëm blozën marazit/ngritëm çatinë në themel të Dardanisë (34). Vargje këto, që të imponojnë idenë se poeti, nuk i pranon thyerjet as goditjet e jetës…, e mosnënshtrimi i heronjëve, të pajisur me ideale fisnike, e përshkojnë veprën si një credo jetësore e tyre. Poezia e këtij motivi përkap mesazhet e fuqishme të shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare, si: Asdreni, për të cilin atdheu i lirë është esenca e idesë së Pavarësisë; Nolin, koncepti për liri, i të cilit s’është iluzor, megjithëse përjetoi kohën, kur triumfalizmi i lirisë u kthye në një piramidë të përmbysur, e më pas Konica e Fishta, të cilët sfiduan kohët e liga përmes shtigjeve të atdhedashurisë, e veçmas Migjeni, Dielli alegorik i të cilit e përshkoi atdhenë.
Zëri krijues, si një shtytje e brendshme, e poetit, frymëzuar nga epoka e Rilindjes, ndihet fuqishëm në vargun: “…Plagën i fal tokës, e gjakun Flamurit…!, të poezisë “Epokë Dielli (35), e po ky vokacion është jehonëbërës edhe në poezitë: “Atrozë” (qytetit djep i Alfabetit), Manastirit – qytet konak i mendjendriturve të kombit e i kangjelave të skllavërimit më pas…, poezi këto, të cilave do t’u kisha shtuar si përshtatshmëri tematike edhe ca poezi nga cikli “Aromë vatre”.
Lirizmi tejet modern i poetit, gjithsesi përshkon edhe kapërcyellin e një kohe të vështirë për fatin e atdheut. Për këtë, shpeshherë vargjet përmbajnë dhembje, formësuar me anatema të theksuara: Ofshamë e thellë nëne, heu i preftë damlla, në poezinë “Ofshamë pranvere” (13), Le ta marrë djalli, në “Mbyllur dashuroj” (12), Le të shterren krojet, le të shuhet bota/qoftë dhe për një çast, heu, t’marrtë mortja! në poezinë “Përsiatje” (14)… Anatemizmi i këtyre vargjeve, të duket se kulmon me poezinë “Mbyllur dashuroj”, teksa vargjet e fundit që e përmbyllin strofën e dytë, tingëllojnë kësisoj: Pres një shenjë kumti mes qiellit regrisur/Heshtje monotone… “le ta marrë djalli”! (12), që vijnë si vargje bukur të përkapshme me ca përdorime kompozitash: regrisur – natëvarri.
Si simbole e metafora të përzgjedhura mjeshtërisht dallohen ato që pleksin vargjet e poezive: “Të fala nga Mëmëdheu” dhe “Porta”, ku i veçantë për nga vlerat estetike dhe figuracioni i përdorur vjen distiku: S’shterron dot vargu, kënga merr dhenë/vendlindja, oxhaku, i shenjti imi vend! (62) dhe Porta e kullës, prore rrin hapë/Pret e përcjell plagët e shekujve për të vazhduar në distikun tjetër, …sot në portë më pret malli/Dhe më ndanë plisi e loti…! (63).
Në “Polilog poetësh” (11), e tërë poezia jep boshtin e kohështrirjes së historisë sonë më të ndritur, ku palosur rrinë: “Formula e pagëzimit”, “Meshari”…, për të përvijuar më pas, madhështinë e veprës së Rilindasve…, me një përmbyllje tejet të veçantë, përmes vargut të fundit: Arti dizajn në gjergjef poeti vdes i rilindur…!
Mendoj se, poezi ajzbergiane mbetet poezia “Nënë” (8), kjo qenie e brishtë që e ngjiz dashurinë në botë… E poeti i këndon me dhimbje e admirim, duke sajuar distikë të rimuar që tingëllojnë këndshëm, ndonëse dhembja në to është e papërballueshme: Nënë… sa herë ndahem nuk buzëqesh,/Dhe lisat shkulen… stuhi… rrebesh. Pasojnë vargjet që e përmbyllin këtë poezi: Nënë… sa herë ik të lë ul në sofër/Në pjatë lë dhembjen, plagën në votër. E një binomi me këtë është edhe poezia “Ndjenjë refugjati” (52), e cila jorastësisht në dy strofat e fundit ka distikë: Plaga rri peng statujë mërgimi me (pa) fat/Buzëqeshje e trishtë përsiatje refugjat dhe vazhdon: Ndjenjë refugjati vargjet statujë lënë/Gacë prush djegë djegia fatzënë. Pikërisht në këto vargje, edhe poeti, siç duket, gjeti idenë për të titulluar librin “Buzëqeshje e trishtë!
Poezia e vendlindjes dhe ajo atdhetare vijnë si gjakimi pr liri, veçmas në ato treva, ku krijuesit ende e shohin ëndërr lirinë. Në ëndrrën e tyre, metaforike, gjithmonë s’ka kamuflim, përmbysje tezash, as koncepte të konvertuara dhe ky është model i të gjitha kohërave, pikënisje e të gjithë krijuesve, që për atdheun përherë të shkruhet me koherencën e mendimeve të kristalizura. Meqë, sot e ndër mote, poetët mbetenEmblema e kombit

Relacioni poetik: erotiko – refleksiv
Shikuar në këtë relacion, vëllimi “Buzëqeshje e trishtë” vjen me një pleksje të gjetur ideore e begati figurash stilistike, si një parafrazim lirik që synon të pushtojë fronin e poetikës shqiptare, gjë që s’është e lehtë, por të afrosh vargun kah thellësia e mendimit, kjo është thelbësorja.
Invencioni i erotizmit poetik vjen si një spikatje shijesh e përjetimesh. Janë poezi drithërimash poetike për një dashuri të zjarrtë në fillet e saj, ndonëse të trazuar a të humbur më pas. Shtegëtimet më të bukura poetike, në këtë libër, poeti Qyqalla i realizon pikërisht me poezinë refleksive-erotike. Domosdoshmëria e kësaj ndjesie vihet në spikamë qysh kur poeti francez, Sh. Bodler-i do ta botonte “Spleen”, që poetika botërore të njihte një tjetër diskurs.
Vëllimi “Buzëqeshja e trishtë”, tani më, bëhet zëri poetik i një vetmitari të braktisur…., mbi shpirtin e të cilit derdhen shira që i hapin shteg vajit: rigë shiu qullos të dehurit shtegut t’vajit, shkruan në “Buzëmbrëmje” (82), e më pas, si në një refren kënge vazhdon: Kah treti buzëqeshja si valë deti/nuk më kujtohet se t’humba sot/shekull i rëndë u bë dhe çasti/apo heshtur drithërinë për mot. Po, nën tinguj e kitarës a violinës, e herë-herë i shoqëruar edhe nga kënga e zogut…, poeti pas një çekuilibrimi ndjenjash, vështirë arrin të rikthejë ëndrrën e bukur, kur në poezinë “Pikturë vargu” (84), shkruan: …dhe ëndrrat pres kot ori skofiare/në vargje pikturoj… dashurinë!
Një poezi, e zërit unikal të H. Qyqallës, do e cilësoja poezinë “Vetmitar” (9), në të cilën aq përmbledhës e domethënës sajohet vargu: “Lapsi shkund vargje oqean zu loti”, që rrezonon vetëm mall, trishtim, dhembje…, që skalit pena e poetit.
Lirizmi poetik, në disa vargje troket vrullshëm dhe, si për nga pikëpamja strukturale, ashtu edhe nga metrika e figurshmëria e vargut, sjell një vepër të konsoliduar. E bukura e kësaj, qëndron në shkathtësinë poetike që përmes krahasimesh mitike të figurave e personazheve nga bota e hershme e artit, të krijojë diç novatore e të bukur, si në poezinë bartëse të ciklit “Vetmisë”, titulluar “Strukem në qepallë syri” (7), e cila pothuajse e bart tërë peshën e mallit që poeti ka absorbuar ndër vite. Vargëzimet tematike me figura mitologjike apo ato të antikitetit: I bëra tradhëti Hënës/Dhe yjet hodha mënjanë/të të prek dellin e zemrës/Të pi lotin natën vonë!… E loti pikon esëll/jehonë gandoi në zemër/…Loti Ofelisë nga poezia “Loti Ofelisë” (85), janë kompozime krahasimesh të veçanta, të cilat i sjellin personazhet e dikurshme në kohën tonë, më saktësisht, në kohën e krijuesit.
Kështu, heroina e poetit apo vasha e ëndrrave të tij, është e tipizuar dhe konkrete, megjithëse ajo shfaqet në më shumë imazhe: si vajzë idilash që e gjejmë tek poetët romantikë, që plot naze e andrralla e imagjinon jetën; një vajzë të bukur e fjalëpak, që të josh vetëm me shikim e buzëqeshje…, ku të duket se janë frymëzime të vargut popullor: dhe vasha e sotme, bashkëkohore në çdo pikëpamje të konceptimit të jetës, që e kalon traditën dhe vazhdon tutje pa droje, poashtu shpërndanë aromë dashurie, madje më shumë se heroinat e tjera, sepse ajo e posedon magjinë e fjalës, veprimit dhe shfaqjes së saj para botës. Pozicionimi kësisoj i qenies femërore, duke e ndjerë atë, jo vetëm si domosdoshmëri jetësore, por edhe një mike e bashkëudhëtare të denjë, edhe H. Qyqallën, e pozicionon tek krijuesit me vlera e invencion poetik të admirueshëm.
Refleksioni i vargjeve të H. Qyqallës, megjithëse nganjëherë, në ca poezi, vjen i shkruar në formë elegjiake, qoftë një madrigal, epigram, a poezi meditative…, sërish mbetet i këndshëm dhe i ndjerë si varg. Poezia “Imagjinatë poetike” (76), sikur përmban mozaiqe të këtij refleksioni, megjithëse më duhet të shkëpus për lexuesin vetëm strofën e fundit: Kur dashuron poeti vrullshëm/Vargjet sfidojnë tallaze, për jetën/Qirinj ndez, e lutje përkulshëm,/Digjem pa më dëftuar fare të vërtetën! Pra, edhe kur vargu vjen i brishtë e i ashpër, edhe kur është nazar e rebel…, edhe kur mëkaton e bekon…, të ofron një universalitet konceptesh, figurash e idesh. Poezia mbyllet me këtë varg: Të desha, të dua! Jetësim dhe pikë!
Ky sintetizim artistik e përvijon tërë vëllimin poetik “Buzëqeshja e trishtë”. Ndjeshmëria dhe gjetjet metaforike, metrika e stilistika e përdorur mjeshtërisht…, janë një botë e tërë e shprehur përmes mesazhesh të qarta për poetikën e sotme. Për t’u theksuar është edhe pasuria gjuhësore, e cila të krijon një imazh të ri për poezinë, teksa nuancat narrative, të rivendosura si gërshetime tingujsh e ngjyrash, të sjellin para sysh formën e lirikës moderne.
Mendimi poetik në “Buzëqeshje e trishtë”, zë një shtrirje komode përmes të shprehurit e rrjedhës logjike të ligjërimit dhe një begatie figuracioni letrar që e kompleton tharmin poetik. Poezia përbën fluskat e vetëdijes, ku jo që zbehen faktet, por realiteti i copëzuar të fut në labirintin e një ndjenje pezull, derisa merr formën e mesazhit etik për të gjetur shtegtim deri tek lexuesi, pra t’i referohet receptimit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Buzqeshje e trishte, Hasan Qyqalla, Zejnepe Alili-Rexhepi

” BUZËQESHJE E TRISHTË” DHE CA FJALE PER AUTORIN DHE MESAZHET POETIKE

May 21, 2013 by dgreca

Shkruan:Shaban Cakolli/

Përmbledhjen me poezi lirike” BUZËQESHJE E TRISHTË”,e poetit Hasan Qyqalla,e përshkon fund e krye, një gjuhë e sintaksë e pastër dhe e pasur, me fjalë e fraza të zgjedhura, që u rrinë gjerdan poezive edhe nga kjo anë. Poeti Hasan Qyqalla ka trajtuar një gamë temash e motivesh, të cilat në kohët kur janë shkruar ato ishin preokupim i tij shpirtëror, e që çonin peshë në unin e tij atje në kurbetin e largët. Larg vendlindjes dhe hises së atdheut të tij të dashur, duke ia shtuar edhe më mallin për te…i ishin mbresëlënëse. Po, pas rileximit të vëmendshëm me qëllim dhe orientim të caktuar, poezitë e vëna brenda ballinave të këtij libri, vërtet të bukur, si nga pikëpamja përmbajtjesore, ashtu edhe nga pikëpamja artistike më lanë përshtypje tejet të këndshme…

Hasan Qyqalla,rrugën e krijimtarisë letrare e nisi nga fëmijëria,sidomos u shqua në fushën e poezisë,vargjet e tij i përshkon përvoja e tij letrare,parimet e tij për të prekur shpirtin e fjalës,në parimet e tij etike dhe estetike.Një poet me mjeshtri,i cili ka bërë eksperiencë të ndërtoj fjalën,vargun,shprehëjen letrare,me një gjuhë të pastër,me ndërtim të fuqishëm të ndërtuar me shenja e simbole,që japing mesazhe të fuqishme. Vargun e tij e fuqizojnë dhe i japin peshë artistike shprehjet e herëpashershme metaforike, të cilat edhe lexuesin e freskojnë gjatë leximit të tyre.

Pak fjalë për autorin:  Hasan Qyqalla u lind më 8 janar 1961 në Bardh të Fushë Kosovës,Poezinë filloj të e shkruaj në bankat e shkollës fillore.Nga viti 1976,kur ka botuar poezinë e parë në revistat e atëhershme,është i pranishëm në gjitha gazetat e revistat,të cilat botohen në atdhe dhe diasporë,po më gjërë përfshi edhe në mediat audiovizive,si:TVP,Radio Prishtina,tani RTK-në,Radio Zëri i Arbërit,Radio Kosova e lirë,e shumë medium tjera elektronike.Si i ri Hasani shquhej në ngritëjen e kulturës sonë letrare,madje u dallua si themelues i klubeve letrare,si:Klubin letrar në Fushë Kosovë,klubin letrar”Naim Frashëri”,klubin letrar”Lulekuqet” klubin letrar në Fakultetin Filozofik,etj…..Nga viti 1993,jeton dhe vepron në Brol,afër Bonit të Gjermanisë. Hasan Qyqalla,është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani, (LSHAKSH) njëherit edhe kryetar i LSHAKSH në Gjermani,fitues i disa konkurseve poetike dhe dekoratave. Hasan Qyqalla ,ka botuar:

“DUA TË VDES SHQIP”

“ROBI I LIRISË”

“ASHT E GJAK ARBËRIE”,bashkautor në këtë antologji

“PREKJA E ËNDRRES”

“ARKEOLOGJI E SHPIERTIT”

“MESHARI MODERN”

Bashkautor i antologjisë “TRINOMI I LIRISË”,”NJË SHEKULL DRITË”,

“BUZËQESHJE E TRISHTË”.

Hasan Qyqalla është njëri ndër intelektualët tanë,i cili di të kultivoj sistem vlerash,i cili nxjerr guximshëm,,zëshëm dhe qartë,nga shpirti ate që e ndjenë,e shpalos dhe i jep kuptim.Është i paepur në aktivitetet kulturore e letrare,komunikues,bashkëbisedues i mirë,nismëtar dhe organizatorë i këndshëm dhe i përkrahur nga njerëz të artit.

“BUZËQESHJE E TRISHTË”, Një vëllim më më shumë se tetëdhjetë poezi, por i madh në përmbajtje dhe mjaft cilësor, i ka grupuar cikle me tematikë e motive të përafërta. Po, përmbledhja me poezi lirike “Buzëqeshje e trishtë” , them, e merr rëndësinë dhe peshën e vet vetëm si tërësi qoftë përmbajtjesore, qoftë artistike. Duke i lexuar me vëmendje poezitë e këtij libri lexuesi fiton përshtypjen se vetëm si tërësi organike ato (poezitë) e marrin peshën e vet të meritueshme. Imagjinata krijuese, e end poetin, përmes muzave poetike, kryesisht, nëpër gjeografinë e tkurrur të kësaj hiseje të atdheut të tij të robëruar e të shumëvuajtur. Kështu, poeti do tëvjershëroi, për të gjitha ato tema, që hera-herës e kishin lënë edhe pa gjumë,që i kishin shkaktuar në të shumtën e rinisë së tij,buzëqeshje të trishta:

Këtë do të mundemi të e gjejmë në thuaj gjitha poezitë e poetit,por që më dukshëm figuron tek poezia “DRITHËRIM”,ku poeti shprehet:

 

Sytë më vërbon malli,në parajsë dafinore

“Të rëntë shita gjitone”,ty hyjni përrallore!

katër stinë ndërrojnë,s´fikën flakë ferri

Komplot shpirtskamit,petohem në re terri.

 

Nëse poezia është ritëm, melodi, muzikalitet, figurë, zjarr i brendshëm, afsh i zemrës, flakë e shpirtit, sentiment, ide etj. Nëse poezia është diçka që kur e lexon ose e dëgjon, të prekë, të rrëmben, të çon peshë, të nxitë dhe t’i lëndon telat më të fshehtë të zemrës etj. (Nonda Bulka) Atëherë me plot arsye qëndron maksima se poezia lirike nuk shpjegohet (nuk komentohet), por ajo shijohet e përjetohet sipas aftësive

thithëse të lexuesit apo të dëgjuesit, në çastin e takimit me te.Diçka e ngjajshme është poezia e Hasan Qyqallës,është ritëm,melodi, zjarr i brendshëm,armë në duar të lexuesit,është poezi e një prushi të madh, e cila edhe kur është e shkurtër flet shumë,ka mesazh,jep frymëzim.

 

OXHAKU

 

Ndez oxhak e shtrojmë sofër

Kuvendojmë urti burri

Baba dredh cigarën në votër

Presim kafen me ujë biluri!

Poezia nuk është vetëm sa për lexim,po e lexuam thjesht për të e lexuar,këtu ka një strofë,por po e medituam si duhet,vargjet flasin shumë dhe kanë mesazh,jo vetëm tek kjo poezi,por Sepse të gjitha poezitë e përfshira në këtë përmbledhje janë të shkruara e të përjetuara me afshin e shpirtit dhe të zemrës së poetit, i cili, si shumë të tjerë të asaj kohe, qe i shtrënguar me zemër të thyer e me shikim prapa t’ia kthej shpinën vendlindjes e kësaj hiseje të atdheut, që lëngonte dergjur nën thundrën e pushtuesve, që u ndërruan në këto troje si liqtë në tezgjah jo me vite e dekada, por me shekuj…

Ndryshe nuk do të mund të quhej buzëqeshje e trishtë,por duke analizuar me vemendje çdo varg të shtruar e fuqizojnë dhe i japin peshë artistike shprehjet e herëpashershme metaforike, të cilat edhe lexuesin e freskojnë gjatë leximit të tyre. Këtu do t’i përmendim ca prej tyre:“Hasan Qyqalla,shquhet ndër poetët i cili bënë hapat e vet në letërsinë tonënë krijimtari hap pas hapi,lufton për të arrirë të bukurën

,të përshkruaj ngjarëjet dhe fenomenet,për atdheun,kohën,njerëzit e atdheut,ku për mes poezisë ,krijimtarinë e bënë si skulpturë që flet, si muzikë që fisnikëron,si zjarr që nuk i nënshtrohet hirit,por një art të përsosur,estetik,të thjesht,lakonik dhe të qartë,të pasur letrarisht dhe të kapur për secilin lexues. – Po të i hyhet analizës letrare të mbi tetëdhjetë poezitë e Hasan Qyqallës,duhet të shkruhet shumë.poeti i shkruan

universales duke i gdhendur përsonalitetët me majën e lapsit dhe me butësin e menqurin e shpirtit.Sa më thellë që hyjmë në labirinthet e vargjeve poetike gjejmë porosi e mishërohemi me përjetimet e vështira të kombit. Diçka të fuqishme që gjejmë te poetët,gjindet te poezia e Hasanit”ORA E SHEKUJVE”,po japim vetëm strofën e fundit,kurse lexuesit të cilët lexojnë në tërësi librin,do të gjejnë fuqinë dhe vulën poetike në këtë përmbledhje.

 

Sa vrastarë dehen në gjak

Atentati i harrimit

e njeriu vdes pse vdes njeriu

në diellin e rremë……

Poezia e Hasan Qyqallës, është një poezi,në vargjet e së cilës mishërohen ngjarje me frymë aktuale. Ndaj këtyre ngjarjeve autori me vargje spontane dhe origjinale, vargje të realizuara me një kompozicion të mrekullueshëm, me gjuhë e mjete poetike të gjetura me inversion të lartë artistik, reagon dhe shpreh revoltën ndaj kontradiktave, duke shpresuar në idealet dhe shpresat e fuqishme drejt triumfit të të drejtës, së arsyeshmes dhe të virtyteve të njerëzve në përgjithësi… poezia e tij reflekton një varg çeshtjesh, fenomenesh , proekupimesh dhe idesh, të cilat janë vendosur në raport të drejtë midis realitetit ekzistues jetësor dhe realitetit të botës artistike…Si të tilla krijimtaritë e HAasan Qyqallës,bëhen të dashura e të dëshirueshme për lexuesit të cilët e duan dhe kuptojnë letërsinë.Ata pasurojnë bibliotekën e tyre,me vlera arti,kurse ne Hasanit i dëshirojmë edhe shumë libra tjerë,përherë më të fuqishme,më artistike,me më shumë mesazhe, fatbardhësisht tani mesazhe në frymën e atdheut të lirë,ku ka vend mesazh tjetër,krenari tjetër,vlerë e art me më pak dhimbje.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Buzeqeshja e Trishte, Hasan Qyqalla, mesazhet poetike, Shaban Cakolli

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT