-Përkujtohet pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i rënë në operacionin e korrikut 2011 drejt dy vendkalimeve kufitare veriore me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjakë, për t’i marrë nën kontroll e për vënien e ligjshmërisë/
PRISHTINË, 26 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Përkujtohet sot pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), Enver Zymberi, i rënë në 25 korrik 2011 në operacionin drejt dy vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjakë, në veri të Kosovës, për t’i marrë nën kontroll e për vënien e ligjshmërisë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet se, “pesë vite më parë ra heroikisht në krye të detyrës Enver Zymberi, të cilin sot e kujtojmë me krenari, duke nderuar sakrificën, jetën dhe veprën e tij, si shëmbëlltyrën më të mirë se si mbrohet Kushtetuta dhe ligjet e shtetit”.
“Integrimi i veriut dhe bashkimi territorial i Kosovës mbajnë gjurmët e lavdishme të rënies heroike të Enver Zymberit. Çdoherë kur kujtojmë 25 dhe 26 korrikun e vitit 2011, kujtojmë sakrificën e grave dhe burrave policë të Kosovës, që bënë të mundshëm bashkimin e Kosovës”, thekson presidenti kosovar.
Në shenjë nderimi, ministri kosovar i Punëve të Brendshme Skender Hyseni dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, vendosën kurora me lule tek lapidari i heroit të Kosovës Enver Zymeri, në kompleksin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.
Në vendlindjen e heroit, në fshatin Dubovc të Vushtrrisë, fillimisht do të bëjnë homazhe dhe më pastaj do të vizitojnë familjen Zymeri.
Media në Prishtinë ka shkruar se, gjykata vitin e kaluar shpalli të pafajshëm dy serbë të akuzuar për vrasjen e Enver Zymberit. Po për këtë vrasje, në një gjykim tjetër janë duke u akuzuar dy serbë, Sllobodan Sovrlliç dhe Radomir Kasalloviç, ndërsa dy të tjerë janë në arrati dhe duke u kërkuar me fletarrest ndërkombëtar./b.j/