• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HESHTJA E PAPËRLIGJUR

October 5, 2015 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/

Duke lexuar gazetën “Corriere della Sera” të datës 29 shtator, në faqen 44, në rubrikën “Lettere al Corriere”, të mbarështuar nga ish diplomati, studjuesi i historisë dhe politologu i njohur italian Sergio Romano, hasa një argument interesant të trajtuar, më së fundi, thjesht e qartë. Nuk kishte në të atë mjegullnajë që, shpesh, ngatërron fillin e arsyetimeve, duke i ardhur vërdallë një problemi, pa hyrë në thelbin e tij, që me shumë fjalë nuk thohet asgjë. Është kjo një karakteristikë e shumë politikanëve, kudo në botë, por jo rrallë edhe e gazetarëve apo analistëve vështirë të kuptueshëm.

Zakonisht Sergio Romano nuk parapëlqen t’u përgjigjet letrave “të vështira” të lexuesve por, kur e merr përsipër, ka meritën të jetë i sinqertë, duke mos e fshehur mendimin e tij, edhe se mund të jetë i pakicës n’opinion. Argumenti i letrave të dy lexuesve ishte vizita e fundit e Kreut të Vatikanit në Kubë dhe SHBA-ës.

“Kam kuptuar tërthorazi se në Kubë kanë shpënë në shesh ata të një mëndjeje, ndërsa të kundërtit janë lutur njerëzisht të qëndrojnë në shtëpi. Duket gati si ana tjetër e një medaljeje të çuditëshme. Komunistët që hymnizojnë Papën! Dhe pyes veten se përse pasardhësi i Shën Pjetrit nuk ka thënë : më sillni këtu kundërshtarët, mbasi ndoshta zëri i tyre është më i fortë se i imi! Çudí! Ndoshta globalizimi dhe mashtrimi mbretërojnë pa kufizim edhe në Vatikan.”   Firma e shkruesit

Kjo ishte letra e parë që ka një kah të prerë këndvështrimi e paraqet një lloj shqetësimi që shkon duke u shtuar. Është kjo arsyeja që edhe Romano e zgjedh për t’i u përgjigjur. Ja edhe letra tjetër, me një ndryshim të madh nga e para, qoftë si interpretim ngjarjesh, qoftë si mendësi e prirje arsyetimi politik.

“Nuk mund të mos jesh i kënaqur për heqjen e embargos Kubës, të zgjatur bukur shumë 52 vjet e për shkëmbimin e të burgosurvet të ndërsjelltë. Edhe vizita e Papës Françesku dhe takimi i tij me Fidel Kastron i anëshkrohen një kthese paqtuese. Kam vënë re se shumë mjete informacioni nuk kanë mbetur të kënaqur dhe do të kishin mëtuar më shumë nga kubanët. Do të donja që ju të flisnit për marrëveshjet e përfunduara dhe çfarë do të kishin dëshiruar më shumë kundërshtarët e kastristëve.”

              Firma e shkruesit

Ja edhe përgjigja e Sergio Romano-s

OBAMA, KASTRO, FRANCESCO  NJË PAKT TRIPALËSH

Të dashur lexues,

Kur  një gazetar e pyeti Papën se pse nuk priti disidentët në seline e Ambasadës papnore, Françesku u përgjigj se, në atë rrethanë nuk ishte qëllimi i tij të bënte pritje, madje as edhe të një Kryetari Shteti. Do t’i shihte disidentët, ndërmjet besimtarëve të tjerë, n’atë katedrale. Të përkthyera më qartë ato fjalë donin të thonin se Papa, gjatë udhëtimit të tij në Kubë, nuk do t’i jepte hapësirë opozitavet. Hipokrizí ? Oportunizëm ? Apo më thjesht realizëm ? Mbrapa rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet SHBA-s dhe Kubës, ka një shkëmbim. Amerikanët, më së fundi, dalin nga një rrugë pa krye dhe mund të kthehen në Kubë me të gjitha levat politike dhe ekonomike që zotërojnë. Kisha, me gjasë, do të mundet të zgjerojë hapësirat e kufizuara dhe të kontrolluara që ka gëzuar në dhjetëvjetorët e shkuar. Regjimi zyrtarisht njihet si titullar i ligjshëm i pushtetit pra, i vetmi bashkëbisedues i besueshëm për këdo që kërkon të përballojë probleme që lidhen me t’ardhmen e ishullit. Shtetet e Bashkuara kanë një interes të dukshëm të nxisin ndonjë ndryshim thelbësor të regjimit kuban, por me vendosjen e marredhënieve, kanë treguar se nuk mëtojnë t’i detyrojnë vëllezërit Kastro për kohët dhe mënyrat e veprimit.

Nuk është një shkëmbim i keq. Askush në Perëndim dëshëron që kalesa të dalë nga duart e të marrë një prirje revolucionare. Është më mirë që regjimi i Kastros të shuhet për arsye regjistri të gjendjes civile. Disidentëve në këta çaste i leverdis të kenë durim. Të paduruarit nuk do të priteshin as në Uashington, as në Romë.”

Kjo është përgjigja sintetike e mbarështuesit të rubrikës së letrave të gazetës më të madhe italiane. Përgjigja është mjaft e qartë, madje tepër e saktë përsa i përket filozofive politike të dy fuqive të botës së sotme, njëra fetare e morale e tjetra, mbetur e vetme në majë të piramidës së fuqive ekonomike e ushtarake. Nëse Presidenti amerikan nuk paraqet ndonjë të papritur në këtë drejtim, Kryetari i Kishës katolike, me shfaqjen e një pragmatizmi të skajshëm, kryesisht në një drejtim, habit e lë për të dëshiruar.

Që Kuba të dalë nga izolimi ku e ka futur veten mbas dhjetëvjeçarësh eksportimi të teorive e praktikave komuniste në Amerikën Latine e n’Afrikë, është në dobi të saj, por edhe të botës me sa më pak përplasje. Që diktatura kubane të fitojë të drejtën e qytetarisë me nderime në Uashington e Vatikan, është një dukurì që, së paku, le në mëdyshje të gjithë ata që, në këta vite të gjata, nuk kanë miratuar metodat e praktikat e saj. Që ata që vuajnë ende përndjekjet politike në Kubën e vëllezërve Kastro  dhe posterave të Çè Guevarës, të bëjnë durim deri sa të vdesin të gjithë drejtuesit komunistë, pa asnjë shpresë, mbasi askush, as personalitetet më të larta e karizmatike të botës së lirisë, nuk duan të dijnë për ta, është një gjë shumë e hidhur. “Kjo është politika” më tha im bir, kur i dhashë të lexonte përgjigjen e Romanos. Do të shtonja se kjo lloj politike, që nuk mban parasysh dhunën policore mbi kundërshtarët në botkuptim, që nuk ka në ADN e saj kahun e së drejtës, që nuk ze në gojë viktimat e komunizmit të cilat, çuditërisht, mbeten jashtë çdo liste viktimash, për të thënë pak, është një krijesë e cunguar.

Është ajo politikë që ka shoqëruar lodrat tona fëminore, të reduktuara në një top lecke, që ka thyer ëndërrat tona për të studjuar, që na bëri të rriteshim jetimë, mbasi prindërit dergjeshin burgjeve dhe internimeve, që na kishte dënuar të ishim qytetarë të kategorisë së fundit në tokën në të cilën lindëm. Pakicat e flijuara në altarët e shumicave janë një dukuri e zakonëshme, sidomos në shekullin që shkoi. Me rënien e komunizmit,  trajtimi i atyre pjesëve të shoqërisë, të luftuara për vdekje prej tij, me indiferentizmin dhe heshtjen apo, së shumti, me një pasaportë të një të mërguari të thjeshtë, mbetet e vërteta e periudhës së kalesës në ish vëndet komuniste. Dyshimet e kohëve të para mbi vërtetësinë e ndryshimit sa i përket ish të përndjekurvet, u pasuan nga shfaqja e dukurive të hapura që dëshmonin se ata mbeteshin gjithmonë qytetarë të fundit. Përgjigja e Romanos ndihmon në shpjegimin e arsyeve të kësaj të vërtete sepse, siç thotë ai “askush në Perëndim don një prirje revolucionare”. Çuditërisht “prirjet revolucionare” u vishen atyre që kanë vuajtur gjithë jetën si “kundërevolucionarë”! Ndërsa revolucionarët e hershëm janë bërë paqësorë, afaristë, politikanë ithtarë të SHBA-s dhe Evropës, miq të thekur të imperialistëve të dikurshëm edhe se në raftet e tyre fshihen male kufomash. “Duket gati si ana tjetër e një medalje të çuditëshme” shkruan lexuesi.

Parimet bazë të shoqërive të lira, qoftë ata të liberalizmit iluminist, qoftë ata të doktrinës sociale të Kishës katolike, vihen në ngrirje, sepse “marrëveshjet” historike dhe “epokale” kërkojnë pjesën e tyre të flive. E provuam ne, shqiptarët, këtë lloj kompromisi katovician ramizist një çerek shekulli më parë. Po e provojnë sot kubanët të cilëve Obama i u blaton si një fitore historike, jo domosdoshmërinë e të persekutuarvet për t’u kthyer në një jetë normale me të gjitha të drejtat e tyre të shpërblimit moral e material, por një farë “shprese” që lidhet me gjendjen civile të “heronjve” të diktaturës….

Por nëse politika, në tërësi, nuk na befason më me veprimet e saj “të papërceptueshme” për mëndjet e zakonëshme, ngrirja e shpresave të të përndjekurve politikë në Kubë, nëpërmjet një “marrëveshjeje” që mban edhe vulën e Zëdhënësit të Krishtit në tokë, le një hidhësirë në gojë. I akuzuar nga ndonjë gazetar si “komunist” Papa Françesku hedh poshtë  etiketimin, duke vënë në dukje se ai zbaton gjithmonë vetëm doktrinën sociale të Kishës. Para klerit amerikan ai u shpreh : “ Zemra e Papës, e Zëvendësit të atij që mbi kryq  ka përqafuar gjithë njerëzimin, zgjerohet për t’i futur të gjithë.”

Ne nuk dijmë se çfarë ka biseduar kokë më kokë Papa me vëllezërit Kastro, por zyrtarisht ka heshtje për disidentët dhe të përndjekurit e diktaturës. Nga burime zyrtare, jo të shtypit mësohet se ndërhyrja e Papës ka sjellë lirimin e rreth tremijë te dënuarvet politikë. Urojmë që proçesi i filluar të shkojë përpara. Real politika kërkon që të kryhet në heshtje, sepse regjimi nuk dëshëron të pranojë hapur natyrën e tij. Shumë vite më parë kur Nënë Tereza shkoi në Kubë e i kërkoi qeveritarëve të saj lejen për të hapur shtëpi për të varfërit, ata i u përgjigjën se atje nuk kishte të vobekët. Ishte e njëjta përgjigje që mori misionarja shqiptare në atdheun e saj nga zonja Nexhmije.

Tani heshtja ndihmon regjimin të vazhdojë mashtrimet e tij të zakonshme e hedh një pluhur harrese mbi viktimat, të cilat meritojnë një rikthim, me të gjitha të drejtat në shoqërinë kubane. Prandaj është e rëndësishme të flitet, prandaj  ajo heshtje më duket e papërligjur, për më tepër kur e krahasoj me nderimin e dëshmuar haptas, një vit më parë, ndaj martirëve të kishës katolike shqiptare.  Nuk dua të pranoj në vetvete se pakti tripalësh, që shërben si titull i pergjigjes së Romanos, është një e vërtetë e dukëshme, sepse e kam të vështirë si besimtar katolik e si ish viktimë e diktaturës, të pranoj se ai pakt interesash hyn në doktrinën sociale të kishës.

Tetor 2015                                     

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, HESHTJA E PAPËRLIGJUR

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT