Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se do të kërkoj “hetim madhor” lidhur me pretendimet e tij për vjedhje të votave gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të vitit të kaluar, përkundër konsenzusit të përgjithshëm se kjo gjë nuk ishte gjërësisht e përhapur.Në një postim të sotëm në rrjetin Twitter, zoti Trump tha se hetimet duhet të fokusohen në personat “e regjistruar për votim në dy shtete, ata të cilët janë ilegalë dhe ata që janë të regjistruar, por kanë vdekur”.Sipas tij, “varësisht nga rezultatet, ne do t’i forcojmë procedurat votuese”.Zoti Trump ka fituar me votat e Kolegjit Elektoral për çdo shtet, që ia mundësuan atij triumfin me dallim solid kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton.Por, zonja Clinton e ka fituar të ashtuquajturën votë popullore, pasi i ka pasur 2.9 milionë vota më tepër se Donald Trump.Zoti Trump pat sugjeruar se humbja e tij në votën popullore kishte ndodhur për shkak të mashtrimit votues, por ai nuk e ka arsyetuar pretndimin e tij.Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Paul Ryan, anëtar i Partisë Republikane, tha dje se ai nuk ka parë dëshmi që e mbështesin pretendimin e zotit Trump.Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, po ashtu, dje tha se Donald Trump mendon se kanë votuar miliona imigrantë ilegalë.
Prokuroria e shtetit duhet t’i fillojë hetimet kundër të ‘fortëve’ të mafio-politikës!
Shkruan:Faik KRASNIQI/
Kosova po vuan nga keqqeverisja e kësaj klase politike, që e ka degraduar vendin për 16 vjet. Vazhdon të vuajë nga të zgjedhurit e saj në Qeveri dhe Parlament, por vazhdon të vuajë edhe nga drejtësia, që nuk ekziston. Njëkohësisht ajo po vuan edhe nga “vota” e qytetarëve, e blerë apo e shitur, e cila sjell dhe nxjerr politikanë të korruptuar në Qeveri dhe në të gjitha institucionet e vendit.
Të veprohet ndaj shkelësve të ligjit
Duhet që mbi bazën e ligjeve dhe atij ”antimafia” dhe të tjera, Prokuroria e shtetit të iniciojë dhe hetojë guximshëm të gjithë ata që kanë shkelur ligjet e Kosovës, për t’u përballur me drejtësinë që nga zyrtari më i rëndomtë i shtetit e deri te presidenca e vendit, pra në të gjitha nivelet. Vetëm përmes saj mund ta fillojë të kthehet shteti në binarët e sundimit të ligjit, e jo të pushtetarëve sundimtarë mbi ligjin. Prokuroria dhe Gjyqësori duhet të veprojnë, të bëjnë diferencimin brenda këtyre institucioneve dhe ata që mbesin të bëjnë veprim ndaj kujtdo qoftë që ka shkelur ligjin.
Iniciativa e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, për ta këndellur prokurorinë, është për t’u përshëndetur dhe duhet përkrahur nga qytetarët dhe shoqëria civile, sepse në mungesë të një shteti të fortë ligjor dhe kapjen e prokurorive dhe gjykatave nga të fortit e politikës dhe parapolitikës, korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, pastrimi i parave, informaliteti, kontrabanda etj., ka arritur kulmin dhe si pasojë e kësaj Kosova është në këtë gjendje të mjerueshme! Se sa do të këtë sukses Lumezi në këtë betejë apo ”luftë” do ta quaja, kundër të ”fortëve” të politikës dhe parapolitikës, mbetet të shihet! Pse po e them këtë, sepse korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, informaliteti, kontrabanda, zhvatja e parasë publike, pasurimi i paligjshëm, është zhvilluar pikërisht nga këta të lartpërmendurit, të cilët janë fajtorët kryesorë për moszhvillim ekonomik dhe në çdo qelizë të shtetit! Në rrugën e tij kryeprokurori i ri do të ketë shumë sfida, të cilat do të jenë të vështira. A do ta lejojnë të ”fortit” e politikës dhe të parapolitikës, që puna e Lumezit të ketë sukses, lë shumë për të dëshiruar, sepse për ta luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën, informalitetin etj., i bie që duhet t’i godas pikërisht kriminelët e mafio-politikës.
Fajtorët kryesorë, kasta e vjetër politike
Nëse Lumezi nuk i godet direkt të ”fortit” e mafio-politikës, atëherë këtë s’do ta quaja ”luftë” për pastrimin e skenës politike, prokurorive dhe gjykatave nga keqbërësit dhe kriminelët të veshur me petkun e politikanit, por vetëm qitje hi syve popullit se gjoja e kemi seriozisht luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe gjitha të këqijat që këta kriminelë i kanë shkaktuar dhe po i shkaktojnë Kosovës dhe popullit të saj, duke e lënë që të mos zhvillohet ekonomikisht, politikisht dhe në çdo aspekt! Pa u larguar nga skena politike kasta e vjetër politike që janë fajtorët kryesorë për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi, nuk e marrë seriozisht që këtu do të ndodhin mrekulli, e këtë mund të na dëshmojë Lumezi, por nëse e lejojnë! Por nëse i godet vetëm bishtat e tyre, që kanë bërë krime ekonomike në favor të bosave të tyre, këtë s’do ta quaja se është duke bërë ”luftë” kundër korrupsionit, krimit dhe pastrim të skenës politike dhe institucioneve tjera shtetërore si Prokuroritë, Gjykatat, Doganat etj, por vetëm amnistim të të ”fortëve”, që ata të mbesin të palagur për të këqijat që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë.
Vetëm kur t’i shohim prapa grilave të ”fortit” e politikës dhe parapolitikës, dënimin e tyre me burgim të rëndë dhe konfiskimin e pasurive që e kanë krijuar paligjshëm, atëherë do të bindemi në punën e suksesshme të Prokurorisë së shtetit dhe Gjykatës për krime të rënda ekonomike. E atëherë do të kishim zhvillim të hovshëm ekonomik dhe shteti do të këndellej, sepse këta kapësit e shtetit, janë fajtorët kryesorë të moszhvillimit ekonomik dhe në çdo qelizë të saj.
Hetime ndaj 135 personave për terrorizëm në Kosovë
Janë 135 persona ndaj të cilëve organet e ndjekjes penale në Kosovë, po zhvillojnë hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin.
Pjesëmarrja, nxitja apo inkurajimi i njerëzve për pjesëmarrje në luftërat jashtë Kosovës, sidomos në Siri, në krah të organizatave të shpallura ndërkombëtarisht si terroriste, janë vepra të cilat rëndojnë mbi këta persona të dyshuar.
“Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, nga periudha paraprake, në vitin 2014, janë bartur 8 raste. Prej tyre 4 raste me 19 persona janë nën hetime, kurse 2 raste me 2 persona dhe një rast me persona të panjohur janë në fazën preliminare të hetimeve”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj.
Nga janari i vitit 2014 deri më tani, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka thënë zëdhënësja Liridonë Kozmaqi Hajdaraj, ka pranuar gjithsej 23 raste, prej të cilave, 3 raste të pranuara në vitin 2015 me 117 persona, të dyshuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin.
Në përgjithësi, prokurorët e kësaj prokurorie kanë filluar hetimet ndaj 135 personave.
Vetëm gjatë vitit 2015, janë ngritur 4 aktakuza kundër 14 personave. Të pandehurit, dyshohen se u kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime materiale.
Të gjitha këto vepra, janë të dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Persona tjerë, akuzohen se kanë marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist në atë mënyrë që paraprakisht janë dakorduar që të shkojnë në luftë në Siri dhe t’i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e organizatës terroriste “ISIS” [Shteti Islamik].
Andaj, edhe këto vepra që kanë të bëjnë me organizimin dhe pjesëmarrjen në grupin terrorist, janë të dënueshme me Kodin Penal.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se ka rreth 300 persona nga Kosova që janë përfshirë deri më tani në luftë në Siri apo edhe në Irak.
Institucionet e Kosovës janë në fazën finale të miratimit të Projektligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës. Pas miratimit dhe fuqizimit të tij, pritet që rastet e aktiviteteve terroriste dhe esktremizmit fetar të marrin një goditje shtesë.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredin Ibishi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, beson që sanksionimi me ligj i pjesëmarrjes në luftërat jashtë vendit në krah të organizatave terroriste ishte më se i domosdoshëm në rastin e Kosovës.
“Është një ligj me rëndësi të veçantë në aspektin e pengimit, jo vetëm të pjesëmarrjes direkte, por në një formë edhe të implikimeve tjera që ka të bëj me nxitjen, mbështetjen, financimin, organizimin dhe pjesëmarrjen e njerëzve në këto konflikte të armatosura”, ka thënë Ibishi.
Deputeti Ibishi thekson po ashtu se numri prej 300 personave, sa besohet se marrin pjesë në luftën e Sirisë, është mjaftë alarmant. Për këto zhvillime ai mendon se përgjegjësinë nuk e kanë vetëm autoritetet e Kosovës, gjendja e rëndë sociale dhe papunësia, por edhe ato ndërkombëtare që e kanë lënë Kosovën si një geto të izoluar në Evropë.
“Sigurisht që situata është alarmante. Raportet e ministrit Hyseni, por edhe autoriteteve tjera në Kosovë tregojnë për një implikim të tillë dhe një situatë mjaftë të rëndë. Fatkeqësisht që edhe jeta në geto në Kosovë, në kuptim të ngecjes në liberalizimin e vizave në njëfarë forme, ka frustruar qytetarët e Kosovës dhe një pjesë e tyre fatkeqësisht kanë zgjedhur rrugën më të keqe të mundshme, pra kyqjen në këto organizata terroriste në Siri dhe Irak”, ka deklaruar Ibishi.
Ndërkohë, njëri nga ish-deputetët më aktiv nga trajtimi i çështjeve nga fusha e sigurisë në legjislaturën e kaluar të Kosovës, Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se rastet që tashmë janë në procedurë, do të duhej të trajtoheshin përmes kodit penal dhe ligjeve përkatëse, ngase ligji i ri i miratuar nuk do të ketë efekt retroaktiv.
“Ky ligj, i cili po shpresoj që shpejtë do të hyj në fuqi, nuk ka efekt prapakthyes apo retroaktiv, por decidivisht ka efekt në parandalimin e vazhdimit dhe rritjes apo zgjerimit, indoktrinimit, thirrjeve për bashkim në luftërat e huaja, apo në gjuhën e urrejtjes apo në shpërndarjen e thirrjeve të tilla”, ka thënë Ramadani.
E veçanta e luftimit të ekstremizmit fetar dhe terrorizmit, ishte zgjerimi i hetimeve ndaj disa imamëve të Kosovës, të cilët vitin e kaluar në disa raste përfunduan edhe prapa grilave.
Ndonëse ata janë liruar, hetimet janë duke vazhduar, nën dyshimet për shpëlarje parash, financim të terrorizmit, nxitje për kryerje të veprave terroriste, rekrutim për terrorizëm, thirrje për rezistencë, organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.
Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar është një problem global. Institucionet e Kosovës e kanë cilësuar luftimin e këtyre dukurive me prioritet të veçantë.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në disa raste ka deklaruar se Kosova nuk do të bëhet çerdhe dhe as strehë e terrorizmit, kurse ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova është lidere në rajon sa i përket luftimit të ekstremizmit fetar.(Zijadin Gashi)
Hetime për dëmtimin e varrezave serbe
Nga Bekim Bislimi/
Në zonat e përgjegjësive të drejtorive rajonale të Policisë së Kosovës, tashmë janë iniciuar procedurat hetimore lidhur me dëmtimin e varrezave ortodokse serbe, të cilat, ditë më parë ishin cak i sulmeve vandale në disa pjesë të Kosovës, njoftojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i kësaj policie, Arbër Beka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në drejtorinë rajonale të Prishtinës janë iniciuar dy raste, ashtu sikurse edhe në drejtorinë rajonale të Gjilanit.
“Njëra bën fjalë për një lapidar të luftës së dytë botore, që është demoluar dhe me këtë rast policia ka arrestuar tre persona të dyshuar. Pas konsultimeve me prokurorin, janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti tjetër është regjistruar në Kllokot. Është raportuar në drejtorinë rajonale të Gjilanit rasti për dëmtimin e varrezave, ku në total janë dëmtuar 27 varreza. Në Prizren është regjistruar po ashtu një rast ku janë dëmtuar 38 pllaka përkujtimore të varrezave”, u shpreh Beka.
Ai shtoi se edhe në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në Vushtri është shënuar një rast i dëmtimit të një varreze.
Pas incidenteve, sipas Bekës, Policia e Kosovës ka ngritur masat e sigurisë për ruajtjen e sigurisë së përgjithshme në vend, me fokus në ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare.
“Duke pasur parasysh që gjatë ditëve të fundit kanë qenë disa raste për dëmtimin e varrezave të komunitetit, në të gjitha drejtoritë rajonale dhe stacionet policore janë ngritur masat e sigurisë për ruajtjen e tyre”.
“Sa u përket rasteve që tashmë janë iniciuar, zyrtarët policorë, qofshin nga njësia e hetimeve ose sektor të tjerë, janë në koordinim të plotë për të gjitha aktivitetet hetimore me prokuroritë kompetente në kuadër të Republikës së Kosovës dhe do të presim zhvillimet në detaje të kësaj procedure hetimore”, tha ai.
Në anën tjetër, Ministria për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve qendrore dhe lokale, por edhe atyre ndërkombëtare, që të angazhohen për sanimin e dëmeve në varrezat e dëmtuara.
Ivica Tanasijeviq nga kabineti i ministrit për Komunitete dhe Kthim, Radojica Tomiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo ministri ka paralajmëruar gatishmërinë për ndarjen e mjeteve për sanimin e varrezave të dëmtuara ortodokse serbe në disa pjesë të Kosovës.
“Sa i përket Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit, ministri tashmë është në bisedime me partnerët në pushtetin qendror, por edhe me ata ndërkombëtarë, u ka thënë se në rastin e ngjashëm që kishte ndodhur në Fushë Kosovë, mjetet ishin miratuar me kërkesën e zëvendës-kryeministrit, për sanimin e dëmeve në varreza”.
“Pra, ministri ka shprehur gatishmërinë që të marrë pjesë në ndarjen e mjeteve për sanimin e përkujtimoreve të varrezave, por ai gjithashtu ka thënë se këtë do ta kërkoj në qeveri”, tha Tanasijeviq.
Ai ka theksuar gjithashtu, se kjo ministri ka kërkuar që riparimi i varrezave të dëmtuara të nisë urgjentisht.
“Qëndrimi i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është që dëmet të sanohen sa më parë që është e mundur, do të thotë në në afatin më të shkurtë të mundur. Kjo do të kërkohet edhe nga vet Qeveria”, ka theksuar Tanasijeviq.
Ndryshe, aktet vandale të dëmtimit të varrezave ortodokse serbe në rajonet e ndryshme të Kosovës, kanë pasuar pas heqjes së lapidarit që u ishte kushtuar luftëtarëve të rënë të UÇPMB-së në Preshevë nga ana e xhandarmërisë serbe.
Krerët e institucioneve më të larta të Kosovës, të mekanizmave ndërkombëtarë në vend, si dhe institucioneve fetare, i kanë dënuar aktet vandale mbi varrezat ortodokse serbe, duke i quajtur si veprime të papranueshme dhe u kanë bërë thirrje organeve të rendit që t’i kapin autorët e këtyre akteve vandale dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë.