*Deklaratë për shtyp e Shoqates Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë/
Hijet e errëta të së kaluarës së hidhur po ringjallen. Në tokën shqiptare kanë filluar të shfaqen përsëri fantazmat që vullneti i këtij populli i rrëzoi nga piedestalet e tyre më 20 shkurt 1991. Këto fantazma po i ringjallin pikërisht ata që premtuan për një “Rilindje” të vendit por që, në të vërtetë, po e shpien drejt vdekjes së tij. Këta janë Kryeministri i vendit Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta. A nuk ishin këta që, me ndërgjegje të plotë, lejuan prapa krahëve të tyre të shfaqeshin portretet e përbindëshit Enver Hoxha në ceremoninë e zhvilluar në varrezat e dëshmorëve?
Një gjë e tillë ishte edhe një fyerje që u bëhej të rënëve në luftën për liri dhe demokraci, pasi ata nuk ranë as për Enver Hoxhën dhe as për Partinë Komuniste. Ata ranë për lirinë e atdheut të tyre. Kjo është një fyerje që u bëhet mbi 6.000 të pushkatuarve me ose pa gjyq, mbi 1.000 të vdekurve në burgjet komuniste, mbi 20.000 të burgosurve politikë, mbi 30.000 familjeve të internuara dhe dëbuara politike që përfaqësojnë në vetvete mbi 400.000 të përndjekur politikë. Kjo është një fyerje që u bëhet edhe atyre që kontribuan në vendosjen e sistemit komunist por që Neroni shqiptar i kaloi edhe ata në satër.
Një gjë e tillë është një fyerje për të gjithë popullin shqiptar. Duke kremtuar me një solemnitet të paparë ditën e zisë, 29 nëntorin, e ndajnë popullsinë e vendit në dy pjesë, pasi hymnizimi i atyre që e çuan vendin në buzë të greminës është një vijë ndarëse ndërmjet atyre që e duan atdheun dhe mohuesve të tij. Kombi shqiptar ka vetëm një ditë të shënuar. Kjo ditë përfshin shqiptarët kudo që jetojnë, në Shqipëri apo Kosovë, Në Maqedoni apo Mal të Zi dhe kudo në botë. Kjo ditë është dita e Flamurit, dita e 28 nëntorit. Ditë tjetër nuk mund të ketë.
Turp për juve drejtues të sotëm të shtetit shqiptar. Turp për këtë veprim të pashembullt. Me këtë veprim ju nuk meritoni të futeni në Europë. Europa e hodhi poshtë nazizmin dhe nuk u përpoq kurrë ta ringjallte. Europa hodhi poshtë komunizmin dhe nuk do të kërkojë kurrë ta ringjallë. Ndërsa ju kërkoni të merreni me kufoma. Ky do të jetë fundi i juaj. Populli që i rrëzoi ato nga piedestali do të dijë t’u tregojë edhe juve vendin. Këtë mos e harroni!
Ju bëjmë thirrje të gjithë të përndjekurve politikë të Shqipërisë të bashkohen me këtë thirrje!
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve
Politikë të Shqipërisë
Tiranë, më 1 dhjetor 2013