Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Flamuj feste në Prishtinë/
-Propozimi me shifrën “Europa” u miratua në 11 qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime. Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Qershor 2016/ Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës mbush sot 8 vjet nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri, që kishte shpallur pavarësinë ndonjë muaj më parë, në 17 shkurtin historik 2008.
Propozimi me shifrën “Europa” u miratua në 11 qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime.
Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin.
Komisioni për Simbolet Shtetërore të Kosovës kishte dërguar në Kuvend tre propozime, ndërsa Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare nxorën në votim vetëm propozimin e parë – melodinë me shifrën “Europa”.
Në seancë plenare, deputetët u ngritën më këmbë për të nderuar Himnin e Republikës së Kosovës, të transmetuar në sallën e Kuvendit.
Në prag të 15 qershorit 2008, ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, shteti i ri i Kosovës me Himnin i plotësoi simbolet shtetërore, pasi Kuvendi kishte miratiuar edhe Flamurin e Stemën që në 17 shkurt, në ditën e shpalljes së Pavarësisë.
Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës kishte një konkurrencë të madhe, nga 134 propozimet 110 ishin nga Kosova, ndërsa 24 nga shtetet tjera të botës: 7 prej Francës, 5 prej Shqipërisë, nga 2 prej Gjermanisë, Suedisë e Sllovenisë, nga 1 prej SHBA-së, Britanisë së Madhe, Holandës, Rusisë, Zelandës së Re dhe Kroacisë.
Autori i Himnit, kompozitori Mengjiqi menjëherë pas miratimit të melodisë ka thënë se pret që me kohë ajo të bëhet edhe me tekst.
“Kur e kam punuar këtë himn tërë kohën kam menduare në tekst dhe me kohë ma merr mendja do t’u mbetet poetëve që të shkruajnë vargjet për këtë muzikë”, ka thënë autori.
“Himni është një vepër solemne dhe ekzekutohet nëpër raste të veçanta, duhet të jetë muzikë e mburrjes, e krenarisë, muzikë e paqes, dhe këtë ma merr mendja se e kam thënë përmes muzikës”, ka deklaruar Mengjiqi.
“Himni i Kosovës e ka tekstin”, ka shkruar shtypi kosovar në 6 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë duke bërë të ditur se në fakt kur ishte propozuar melodia nga autori Mendi Mengjiqi, ajo shoqërohej edhe me vargje.
“Për shkak të limiteve të vendosura nga pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që të heq tekstin”, shkruante shtypi, duke shtuar se “tashmë që kjo pako i takon së kaluarës, ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës të mësojnë edhe tekstin e bukur që i kushtohet dashurisë për mëmëdheun”.
HIMNI I KOSOVËS
O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë
N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë
Vend i të parëve tonë
Ti qofsh bekue për jetë e mot
O nënë e jonë
Ne të dalim zot
O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë
Kosova para tetë vitesh u bë me Himn Shtetëror edhe në prag të Ditës së Lirisë, 12 qershorit, ditës kur në vitin 1999 nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s.
Në 17 vjetorin e lirisë, e në 8 vjetorin e Himnit, Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008 është e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së dhe e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale.
Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.