• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROKOPI – HISTORIAN I PERANDORIT

December 13, 2014 by dgreca

Tregim nga Naum Prifti/
Ai e la pendën mbi skrivani dhe u ngrit pa shkruar asnjë fjalë mbi fletën e verdhë të pergamenës. Shkoi afër dritares dhe pasi largoi paksa kortinkën me gisht vërejti rrugën. Gurët e kalldrëmit lagur nga shiu dukeshin të zes, ndërsa rigat e shiut shkëlqenin një çast si vija të shndritshme në fashat e ndriçuara te fenerëve dhe humbisnin në errësirë. Nga brigjet e Bosforit dëgjohej tallazitja e valëve të detit. Gjatë natës varkarët strukeshin në kasollet e tyre, se e dinin që rrallëkush kuturiste të delte në bregun tjetër përmes detit të trazuar dhe shiut. Edhe rruga poshtë dritareve dukej e shkretë në atë orë të mbrëmjes dhe Prokop Cezareasi, u kthye te skrivania të hidhte në letër mendimet e tij.
Ideja të shkruante një libër për mizoritë e perandorit të Bizantit i çokiste mendjen prej disa javësh, por ai e kishte shtyrë projektin nga dita në ditë duke u rropatur midis frikës dhe ndjenjës së përgjegjësisë morale. Sikur dorëshkrimi të zbulohej rastësisht nga trillet e fatit, e dinte mirëfilli se do humbte pozitën si kryekronist i perandorisë, nderet e favoret e Perandorit Justinian, vilën e bukur, rrogën e majme, gjithçka kishte fituar me mundim e sakrifica. Do ta rrasnin te bodrumet e Kështjellës me shermashekë dhe do të zvarritej me gjyle nëpër këmbë pa shpresë ta shihte sërish dritën e diellit. Shefi i policisë, Gregor Kutllumaisi, tani e sajdiste për shkak të simpatisë që kishte Justiniani për të, por po qe se akuzohej si armik i fshehur i Perandorit, tradhtar,bukëshkalë e mosmirënjohës, do t’ia nxirrte qumshtin e nënës nga hundët, sa herë ta merrte në pyetje. Egërsia e kryepolicit njihej anembanë Kostandinopolit. “Xhelat me uniformë vezulluese,” e quante Prokopi me veten e tij.
Mirëpo nuk mund të flinte i qetë pa e shfryrë dufin për të vërtetat tronditëse të Bizantit, për qeverisjen mizore të Justinianit dhe së shoqes së tij Theodhora. Prapa fytyrës së saj engjëllore, pas syve të saj të qashtër fshihej egërsi lemeritëse. “O Zot, na ruaj nga egërsia e saj,” qe lutja e tij e përherëshme. Pasi u mendua gjatë, Prokopi vendosi t’i fshihte fletët e shkruara te një qese lëkure në shpinën e kolltukut, ku nuk i vinte mendja askujt, edhe sikur t’ia kontrollonin studion.
Ndjeu hehtësim në shpirt pas këtij vendimi. Do të flinte i qetë pasi të shfrynte dufin e tij duke hedhur në letër mendimet për Perandorin dhe të shoqen e tij, një vepër sa tunduese, aq dhe e rrezikshme. Mendimi për atë veprim kishte nisur si një curril i vogël dhe pas disa javësh ishte kthyer në përrua të rrëmbyer që derdhej me vrull tatëpjetë pa përfillur pragje e shkëmbenj. Historiani vuante sidomos natën, kur mendimet i shkonin te kryeengjëlli Shën Mëhill, që u merrte shpirtrat njerëzve. Ai do të hynte tinëzisht në dhomë dhe do t’i kumtonte: “Prokop, erdhi koha ta mbart shpirtin tënd në mbretërinë e pa sosur qiellit.” Dhe tok me frymën e tij të fundit do të shuheshin mendimet, ndjenjat dhe dëshmitë e tij për Justianin. Kjo qe e dhimshme ndaj nuk mund të gjente qetësi, nuk mund ta joshte ndërgjegjen prej historiani pa portretizuar Perandorin jo ashtu sikurse shfaqej, por ashtu siç ishte në të vërtetë. Ai duhet ta linte rjedhën e medimeve të ecte lirisht në tragën e saj, mbasi vetëm ashtu mund ta qetësonte ndërgjegjen.
Prokopi banonte te një vilë me bahçe e kopsht, në lagjen më luksoze e Konstantinopolit, anës Dardaneleve. Dikur banonte në një lagje të varfër e të ndyrë të Palestinës, e cila nga e kaluara ruante emrin e ndritur të Qesarit, perandorit romak lavdiplotë. Rrugën drejt kryeqytetit të Bizantit e çau me librin e tij mbi luftën greko-persiane. Pasi konspektoi gjithë veprat e autorëve antikë grekë, romakë dhe bizantinë, iu përvesh punës duke sjellë interpretime logjike të çmuara. Ai e ndriçoi luftën nga pika vështrimi të freskëta, të cilat ngjallën respekt te kolegët e tij. Stili i lartë, poezia e të shprehurit dhe interpretimi realist i fakteve ndikuan që fama e tij si kronist të arrinte deri në pallatin e perandorit Justinian.
Perandori Justinian e thirri në audiencë Cezareasin dhe i kumtoi dëshirën e tij, ta emëronte kryekronist dhe pastaj e pyeti qetësisht, nëse e pranonte propozimin.
Justiniani e mikloi tërthorazi historianin, duke i thënë gjysmë me shaka një të vërtetë të pamohueshme, se po t’i shkrepej ai mund ta ngrinte një murg manastiri a një ashkëti të panjohur në rangun e ministrit me një dekret perandorak, ndërsa poetët, ikonografët dhe historianët, nuk bëheshin me dekrete por me hirin e Zotit.
Prokopi nuk shfaqi kurrfarë gëzimi nga nderi i jashtëzakonshëm që i ofroi Perandori. Vendosi ta mbronte dinjitetin e vet duke e kushtëzuar pranimin.
-Ju jeni Perandor, unë një historian provincial i humbur nga radhët e plebejve të panjohur të Cezaresë së Palestinës, – i tha duke vënë duart mbi gjoks e duke u përkulur lehtë. – Pushteti juaj shtrihet tejembanë perandorisë, ndërsa pushteti im i papërfillshëm mezi mbulon familjen. Ju komandoni një ushtri të madhe që s’ka të numëruar, e keni thesarin me florinj e dukatë, xhevahirë e diamantë, perla e rubinë, ndërsa gjithë pasuria ime ngërthen një kallamar me bojë dhe një pendë pate për të shkruar. Kur të vijë dita të fluturoni lart, – ai ngriti dorën drejt rozetës së tavanit, – ju do të përgjigjeni për veprat tuaja para të Plotfuqishmit, ndërsa unë kur të vdes do të përgjigjem para Perëndisë dhe historisë.
Heshti. Justiniani nuk e kuptoi ku donte delte me këtë hyrje dhe nuk e mori vesh nëse e pranonte detyrën që i propozoi, prandaj e luti.
-Vazhdoni! Po ju dëgjoj me vëmendje.
-Edhe kërmilli që e mban shtëpinë me vete di ta ndajë ditën nga nata dhe kur bie errësira struket në guaskë. Detyra ime morale si historian është të ndaj të vërtetën nga gënjeshtra. Jo pak historianë të dëgjuar kanë gabuar kur kanë shkruar çka u kanë thënë të tjerët, se shumica e njerëzve ngjarjet e kaluara i tregojnë ashtu siç duhet të ngjisnin, jo si kanë ngjarë. Bota është e mbushur me lajkatarë, lavdatarë e mitomanë, që u pëlqen të mburrin veten dhe ata me pozitë sipër tyre. Nëse doni të tillë, merrni një tjetër në detyrën e nderuar të kronistit. Prokopi e do historinë me përkushtim, si prindi fëmijët e vet. – Dhe pastaj i parashtroi kushtin e vetëm. –Cezareasi do të shkruajë vetëm atë që i shohin sytë e tij dhe do të japë gjykimin që i dikton ndërgjegja, – e ndërkohë vuri të dy gishtat afër syve sikur betohej “u qorrofsha po veprova ndryshe.
Për t’i treguar se i urrente lajkat e mburrjet e pamerituara, Justiniani i tha shkoqur:
-Ne, Perandori i Bizantit, nuk e drejtojmë gishtin kuturu te njerëzit që zgjedhim.
Me kusht t’i mbetej besnik së vërvetës, ai e fitoi detyrën e lartë kronist i Perandorisë.

Prokopi mori pjesë vetë në betejën kundër persëve, si këshilltar i kryekomandant të fushatës gjeneralit Belisar. Duke përshkruar betejat paanësisht e duke e paraqitur armikun të fortë, nxori në pah se ushtria e Bizantit qe e pathyeshme. Te libri i dytë që u kushtohej ndërtimeve të kështjellave anembanë Perandorisë qe treguar po aq panegjirik, sa kolegët parardhës që kishte përqeshur.
Justinianit i pëlqente të përsëriste një shprehje nga ungjilli. “Zoti ka thënë: Mbrohu vetë, nëse do të të mbroj dhe unë!” Sentenca përsëritej si jehonë nga goja e zyrtarëve të lartë, duke zbritur shkallë shkallë deri në rrethet më të ulta, sa dukej sikur vendi këlthiste ditë e natë këshillën e urtë.
Nisi rindërtimi i kështjellave dhe fortifikimeve në grykëderdhjet e lumenjve e në qafa malesh, mbanë deteve të kaltër e në shkretëtirat e verdha, mbi udhëkryqet e rëndësishme dhe kudo viheshin pllaka me epigrame për perandorin e lavdishëm, për Justinianin e Madh. “Këto kështjella dhe fortifikime do ta sigurojnë perandorinë edhe për njëmijë vjet,” pohonte shpesh ai, i bindur se përmendoret e mbretërimit të tij do të rronin përjetësisht, si piramidat e faraonëve në Egjypt. Kronisti deshi t’i shihte nga afër, me sytë e tij dhe Justiani e lejoi Prokopin të vizitonte çdo objekt që paraqiste interes për të. Kësisoj kronisti i ra anembanë perandorisë duke parë kështjellat madhështore dhe fortifikimet, disa krejt të reja e disa të rindërtuara. U mrekullua nga bukuritë magjepesë të peizazhit mesdhetar, nga kaltërsia e deteve dhe e qiellit dhe njëkohësisht u trishtua nga taksat e rënda dhe angaritë mbi kurrizin e nënshtetasve.
“Emri i Tij, Lartësia e Tij, Lartmadhëria e Tij, Fortlumturia e tij, Tejurtësia e Tij, Gjenialiteti i Tij! Oh mos u kujtofshin kurrë!” ofshani me vete duke fërkuar ballin sikur po fliste përçart. U trondit nga mendimet që shprehu. Mos kishte folur më zë të lartë, mos e dëgjoi kush? Hetoi rretherrotull me frikë. Mbajti vesh të dëgjonte mos dikush po u ngjitej shkallëve. Jo. Qetësi. Vetëm feneri tundej nga era poshtë në rrugë dhe dukej sikur përkundej nga buçima e valëve të Dardaneleve. Pavarësisht nga ç’drejtim frynte era, valët njëlloj përplaseshin në të dy brigjet. Ja ashtu qe edhe shpirti i tij, i ndarë në dy brigje, me një hendek në mes që s’po mundej ta mbushte kurrsesi.
“Mizor, ja se ç’je ti. Një hiç i mbushur me ligësi. Një mburrec që mendon se ke arritur në lartësitë hyjnore, se ia ke kaluar urtësisë së Perikliut dhe madhështisë së Aleksandrit. Më çove të shoh kështjellat e rindërtuara, për çka të jam mirënjohës, por sytë e mij panë edhe varfërinë e fshatarëve dhe mjerimin e zanatçinjve nëpër qytete. M’u dërrmua shpirti duke parë zaptiet që tërhiqnin zvarrë të prangosurit drejt dyerve të burgjeve. Kështjella e spiunë. Spiunë e kështjella, kjo është perandoria që ke ngritur në këto vende me bukuri magjepse, ku rriten ullinjtë e bekuar, portokallet erëmira e dafinat për kurora lavdie. Deri tani kam shkruar si ke dashur ti, tani dua të them atë që dua unë, atë që më përvlon këtu!” Dhe duke thënë ato fjalë i ra gjoksit me grusht.
U kthye te skrivania. Mbi shandan të tre qirinjtë po digjeshin ngadalë. Qiriu në të majtë , mbasi e kishte ngrënë gjithë dyllin, kleiste sikur po jepte shpirt. Dylli dhe fitili qenë asgjësuar, njëlloj si të mos kishin qenë kurrë, po gjithsesi ai e kishte mundur errësirën në atë cep të dhomës një copë herë. Prokopi mori një qiri tjetër nga dollapi dhe e ndezi në flakën që po përpëlitej të shuhej, duke dashur ta përtërinte pa u shuar, sikur t’i trembej tretjes së asgjësimit.
Edhe ai vetë do të shuhej një ditë, shikimi do t’i vagëllohej dhe dora s’do ta mbante më pendën. Mendimet e tij të burgosura brenda kafkës s’do t’i dinte askush. Qe treguar puthadorës, servil, brohoritës, jo historian i denjë. Tani kishte ardhur koha ta zbrazte dufin e shpirtit të vet, të linte një dëshmi nga zemra e sfilitur e perandorisë i shtyrë nga dashuria për të drejtën. Ja pra, Prokopi i Cezaresë do t’ua shpaloste shpirtin e vet pasardhërsve. Kjo ishte mënyra e vetme të qetësonte ndërgjegjen e tij.
“Do ta shkruaj. S’kam pse ta shtyj më me javë e me muaj.” Mbi skrivani qe kallamari, penda. Pergamenat prisnin të shpështilleshin e të mbusheshin me shkrimin e tij të bukur. Ngjeu penën e në krye të faqes shkroi me rrëmbim: “Histori e Fshehtë.” Titull i përshtatshëm, i saktë dhe i bukur. Libri do të zbulonte të fshehtat e Justinianit të Madhërishëm që e trashëgoi pushtetin duke dërguar në varr para kohe të atin e tij, pasi u martua me një grua ambicioze, e cila e donte lavdinë po aq sa jetën. Si qe e mundur të grumbullohej brenda asaj lëkure të lëmuar, prapa shikimit të butë të fytyrës ëngjëllore një egërsi përbindëshi? Theodhora = dhuratë e Perëndisë! Ky qe kuptimi i emrit të saj. “Ç’dhuratë të tmerrshme na dërgove o Zot! Mbaje dorën tjetër herë për të tilla dhurata, o Zot!” iu lut me përgjërim Zotit.
Kishte menduar se veprën do ta shkruante lehtësisht, mbasi pena do t’i shkiste mbi letër, ndërsa kur ul para skrivanisë zbuloi se mendimet po i ngulfateshin pa gjetur rrugën e daljes. Ç’hynte Theodora në fillim të kapitullit? Ndikimi i saj nisi pasi gjeti mbështetjen e përhershme te Justiniani. Ngjarjet duheshin sistemuar me radhë, pas kriterit kronologjik. Mendoi se dijetarët do të çorientoheshin kur të lexonin një vepër që ndryshonte kryekëput prej së parës mbushur me panegjirizma për Perandorin. Ndërsa atje epitetet për Justinianin “shpëtimtar i Perandorisë,” “i dijshëm,” “i drejtë,” “zemëmirë,” e të tjera si këto derdheshin në çdo faqe, këtu damkosej tiran, mizor, fajtori kryesor për të gjitha të këqiat mbi tokën e pamatur të perandorisë. Punë për ta. Ngjeu pendën në kallamar dhe nisi të shkruante me vrull.
“Po e shkruaj këtë vepër të shpreh dufin e zemrës sime, për njeriun që sot ndodhet në fronin e Perandorit të Bizantit. Mendoj se sikur historianët të mbështeten vetëm nga ato që ka thënë Justiniani për vete, apo nga shkrimet e kalemxhnjve të oborrit, midis të cilëve renditet dhe i nënshkruari, e drejta e amëshuar do të cënohej rëndë…”
“I nënshkruari” nuk shkon, qortoi vetveten, “se kjo nuk është lutje, as kërkesë, por ese me të vërteta të hidhura. Duhet thënë ndryshe.” I fshiu fjalët e padëshiruara dhe në vend të tyre shkroi “autori i kësaj vepre.”
Pasardhësit, sado të mundoheshin s’do të arrinin të zbulonin karakterin e përçudur të Perandorit. Fizikisht Justiniani ishte burrë i pamshëm, me ballë të gjerë, me vështrim largpamës e me tipare fisnike, një shenjt të cilit i mungonte vetëm aureola, sikurse e kishin portretizuar piktorët. Midis artistëve të penelit dhe historianëve, për fat të keq, nuk vihej re asnjë ndryshim. Një palë me furçë, pala tjetër me penë rivalizonin midis tyre duke e idealizuar, njëlloj si oborrtarët lajkatarë që ngrinin dolli për perandorin, me epitetete superlative në çdo banket. Nëse nuk do ta shkruante “historinë e fshehtë” me të vërtetat e hidhura, mashtrimi do të vazhdonte me shekuj dhe kjo paudhësi s’duhej lejuar.
“Perandori Justinian e nisi sundimin e tij me gjak. Ai fërkoi duart kur mësoi se ditën e kurorëzimit të tij Perandor nga patriku, në sheshin e qytetit do t’u pritej koka pesë heretikëve që kishin djegur një kishë. Perandori urdhëroi të pezullohej dënimi, jo për mëshirë, por nga dëshira të merrte pjesë ne séancën makabre të ekzekutimit të tyre. Shëmtimi i tij shpirtëror ka dimensione lemeritëse. Administratën e përdor si çomagë për të goditur majtas e djathtas. Krimet e tij janë të panumërta. Ato nisin qysh në vitin e parë të hipjes së tij në fron. Ai zhduku shokët e tij që e ndihmuan t’ia arrinte qëllimit. Tromokratia – simboli i sundimit të tij. Një murtajë e dërguar nga qielli në një çast zemërimi. Gjithsesi murtaja është e mëshirshme, nuk i kap të gjithë, ndërsa dora e tij mizore shtrihet anembanë Perandorisë.”
U kënaq që mundi të shprehte përmbledhtas thelbin e qeverrisjes së perandorit Justinian. Urrejta e shtyu të shkruante vrullshëm, me shpejtësi, prandaj kaligrafia ishte paksa nervoze, shkronjat dilnin me thepa, jo si herët e tjera, të rregullta dhe uniforme, të këndshme për syrin.
“Tromokratia!” Te cili autor e kishte hasur për herë të parë këtë fjalë? Bizanti vuante. Pushteti i tmerrit, ja diagnoza ngjethëse e Perandorisë së ndritur, e të vetmit vend që mtonte se zbatonte parimet e Krishtit duke respektuar besnikërisht mësimet e tij. Tromokratia s’puqej gjëkundi me kristiniazmin! Prokopi i njihte mirë parimet kristiane si njeri i ardhur nga Palestina, nga ai vend ku Krishti shëtiste me sandale në rrugët e pluhurosura duke predikuar barazi, përulësi e vëllazërim midis njerëzve.
Në studio qe vetëm e megjithatë hetoi rretheqark me frikë. Mos kishte hyrë dikush pa u ndjerë dhe vërente prapa kurrizit çfarë po shkruante? Mos ndonjë nga spiunët e panumurt e gjurmonte edhe në studio e qeshte me ligësi? Në mur ikona e shën Joan Pagëzorit mori pamjen e Gregor Kutllumaisit, shefit të policisë së Konstandinopolit.
Kot qe trembur dhe kot trembej. Po qe se Perandori do dyshonte sadopak për besnikërinë e tij, do ta kishte hequr qafe me kohë, duke e rrasur në burg a duke e internuar në ndonjë krahinë të largët. Sa herë shkruante ndonjë kronikë për ngjarjet e pallatit, pyeste veten nëse Justiniani do ta pëlqente apo do të rrudhte buzët? Dhe e censuronte veten duke fshirë, prishur e ndryshuar frazat që t’i afrohej shijes së Perandorit, pa qenë kurrë i sigurt.
Iu kujtua se Theodora kërkoi ta lexonte veprën ende pa u botuar. Ajo u fut te studioja e tij me buzëqeshje mikluese dhe duke u spërdredhur, e pyeti nëse e lejonte t’i kërkonte një nder të veçantë. “Jo një, por sa të dëshironi. E kam për nder t’i shërbej përulësisht bashkëshortes së nderuar të Perandorit, Shkëlqesës së saj, Theodhorës.” Ajo iu lut ta lexonte dorëshkrimin e shtyrë nga kureshtja, të mësonte para të tjerëve përmbajtjen e librit. Dhe ai ia ofroi bujarisht. Thedhora e lexoi me një frymë dhe përgëzoi autorin për stilin e tij të lartë që do të rrezatonte edhe te kronistët e tjerë. Veprën “Mbi ndërtimet” e shkroi me kërkesën e Perandorit, duke e ditur mirëfilli se prej asaj vepre varej e ardhmja e tij. Me stil të lartë retorik e flatroi sundimtarin me fjalë të zgjedhura e krahasime të spikatura. “Në qoftë se është rrezik të lundrosh në një det të egërsuar me një varkë të pajisur keq, nuk është më pak e guximshme të duash të shprehësh me stilin tim të varfër madhështinë e ndërtimeve të Perandorit Justinian.” Ky qe paragrafi i parë. Në atë kohë ai besonte se Justiniani qe mishërim i Aleksandrit të madh dhe Perikliut të urtë.
“Po sikur t’i binte në dorë ky pasazh?” mendoi Prokopi. “O tmerr!” E përfytyroi Theodorën duke ia lënë pergamenën Justinianit mbi tryezë e duke i thënë me ironi: “Urdhëro portretin tënd nga kryehistoriani i Perandorisë.” Justiniani do ta merte në dorë, i qetë, i ngadalshëm, por sapo të lexonte paragrafin e parë, do t’i binte tryezës me grusht dhe do urdhëronte ta burgosnin, ta gjykonin dhe ta varnin. Shumë të tjerë kishin shkuar në litar, ose u qe prerë koka ditën e pazarit, se ishin ankuar për abuzimet e ushtruara nga oborrtarët e nëpunësit. Edhe fëmijët e tyre i kishte syrgjynosur, humbur, ose larguar në hapësirat e pamatura të perandorisë, në galeritë e minierave të bakrit e të serës, në ishujt pa ujë, a në katakombet e burgjeve me lagështi brejtëse.
Fëmijët e Prokopit flinin në dhomën e tyre nën dritën e kandilit të ikonës. I ati u kishte premtuar piknik në brigjet e Bosforit, me llandonin e armenit Axhanian. Nuk mendonte për vete. Sidoqë të ndodhte, ai e kishte zgjedhur vetë rrugën, ndërsa fëmijët… Jo, s’mund t’ua prishte pandreqshmërisht të ardhmen e tyre. Derisa i solli në jetë, duhet të kujdesej për ta, t’i ushqente e t’i vishte, t’i mbathte e t’i edukonte, t’u hapte rrugët e jetës, derisa të bëheshin të zot e vetes. Qe historian, por njëkohësisht edhe baba fëmijësh dhe si baba kishte detyrime.
E lexoi dhe njëherë paragrafin që shkroi dhe ndjeu tëmthat t’i rrihnin me forcë.
“Unë jam i marrë, jam i marrë. Ç’më duhet të pohoj gjëra që as duhet t’i mendoj? Ku ta fsheh këtë dorëshkrim? Po sikur të gjendet rastësisht? Fëmijët janë kaq të lumtur sa do të ishte guxim i marrë, që unë, babai tyre t’u shkaktoja vuajtje lemeritëse për gjithë jetën. Në djall të vejë historia dhe e drejta! Dijetarët le të analizojnë faktet, kundërthëniet e epokës për të diagnostikuar regjimin e Justinianit. Edhe në mos arrifshin, asgjë nuk prishet.” Me inat të papërmbajtur e mori dorëshkrimin dhe e shqeu më dysh e pastaj më katërsh. Edhe aq, iu duk e rrezikshme se coprat mund të bashkoheshin, prandaj i afroi ato mbi flakën e qiriut, deri sa mendimet e gjykimet për njeriun më të fuqishëm të perandorisë u bënë shkrumb. Gjuha e flakës përpiu “a”-në e fundit të fjalës tromokratia, pastaj “ti,” “kra” dhe “mo,” deri sa mbeti vetëm “tro,” një çerek fjale e cunguar pa kuptim. E largoi paksa nga flaka sikur të ishte penduar, pastaj ndërroi mendje dhe e dogji krejt. Më mirë të mos mbetej asnjë shenjë. Së paku do të flinte i qetë, ndryshe do të jetonte me frikë, do të trembej nga çdo karrocë që do të qëndronte para portës. Copat e karbonizuara i hodhi në oxhak dhe u fryri duarve. Tani ndihej krejt i liruar sikur t’i kishte hequr këmbët nga një kurth i rrezikshëm. Shoi qirinjtë e ra në shtrat të flinte.
Një copë herë i mbajti vesh zhurmës së shiut që binte përjashta dhe oshëtimës së dallgëve në Dardanelet. Nanurisja e shiut do ta vinte në gjumë. Tani Perandorinë e kishte mbuluar nata e errët si pelerinë e stërmadhe. Në natën e errët vozitnin me kaska në kokë spiunët që gjurmonin qosheve, kafeneve, pijetoreve. Njerëz me shërbim natën e në shërbim të natës. Hetuesit merrnin në pyetje të arrestuarit, pasi i kishin torturuar gjithë ditën fizikisht e moralisht, duke i poshtëruar e duke i kthyer në gjallesa që regëtinin dhe për t’u shpëtuar mundimeve, pranonin faje e pjesëmarrje në komplote në shërbim të fuqive të huaja në lindje e në perëndim. Si komplotistë qenë dënuar disa nga të njohurit dhe miqtë e Prokopit, Rafaeli, Arkadi me origjinë shqiptare, Dimo bullgari e dhjetra e qindra e mijëra të tjerë. Në fillim, Prokopi i kishte sharë, duke shprehur neveri që ishin sjellë si loço në gjyq, duke pranuar publikisht se qenë armiq të fshehtë që donin të minonin Perandorinë, që kishin shfaqur simpati për islamizmin e budizmin në rrethet e të afërmëve dhe në shoqëri. Qenë dërguar me burgime të rënda e punë të detyruar nëpër galerat me rema, ku i mbanin të lidhur me zinxhirë, duke u lënë vetëm duart të lira për të lëvizur remat. Më vonë, e kuptoi nga rrethanat, se edhe ai vetë po të binte në duart e vëllezërve më Krishtin, s’kishte veçse dy rrugë: të vdiste nën kërbaçin e hetuesve, ose ta shtynte rrojtjen duke pranuar fajin me shpresën e ndonjë mrekullie në të ardhmen për të dalë gjallë nga burgu.
E dinte mekanizmin e makinës administrative. Të gjitha fijet e instituciove mblidheshin në dorën e Justianinit. Ai ishte komandant i ushtrisë, i policisë së hapur e të fshehtë, i prokurorisë, i gjykatës dhe kishës. Ai interpretonte thëniet e ungjillit dhe të apostujve dhe nëse sot pohonte se toka mban qiellin e nesër të kundërtën, të dy herët lajkatarët e oborrit dhe dijetarët e akademive, mburrnin zgjuarësinë e tij, largpamësinë e thellësinë e mendimevet. Në atë kor bënte pjesë edhe Prokopi. Kujtoi shkrimin e Herodotit për piramidën e Keopsit, monumenti më madhështor i Egjiptit të lashtë, një nga mrekullitë e botës. Faraoni Keops i ngriti vetes një mauzole që s’mundën ta ngrinin as perandorët, as mbretërit e mëvonshëm më të pasur e më të fuqishëm se ai. Mania e madhështisë hëngri për njëzet vjet buxhetin kolosal të shtetit, pa llogaritur të vrarët e të gjymtuarit gjatë ndërtimit, skllevër e qytetarë, teknikë e dijetarë. Keopsi – tiran i vetëhymnizuar që sakrifikoi jetën e mijëra qytetarëve. Mos ndoshta ndonjë nga historianët e asaj kohe kishte shkruar në ndonjë skutë të piramidës mendimet e veta? Apo i prishi me dorën e vet nga frika se mos zbulohej? Sa keq! Mëkat i madh po qe se ishte sjellë mizor me veprën e vet.
“Prokop! Prokop! Po ti a nuk bëre tani të njëjtën gjë?” I erdhi keq për veten e vet, sa iu rrënqeth shtati. “Ku më vajte o guxim? Pse më braktise o dinjitet? Ti je llosh, ti je mjerim i shkencës historike, që të kapi frika pa t’i hedhur hekurat, pa të shpënë në hetuesi si Arkadin…”
Qe e kotë. Nuk mund ta zinte gjumi pa e shfryrë vuajtjen që e brente përbrenda. Qe më shumë se dhimbje, qe torturë. Flaka e madhe e dhimbjes, nuk digjej nga gjuhëza prej dylli e pambuku. E hodhi mbulesën mënjanë dhe u ngrit. Sytë i flakërinin si nga ethet. Iu afrua dritares. Fanarët e rrugës i luhaste era ngadalë. Dallgët e Bosforit vazhdonin dhe rrapëllima përhapej ritmikisht mbi kubetë e kishave, mbi çatitë e shtëpive dhe hapësirat e rrugëve.
Kot mundohej të mposhtëte gufimin e brendshëm. Do t’i vihej punës ta shkruante sërish. Ky do të ishte rrëfimi i tij para Zotit, historisë dhe ndërgjegjes së vet. Iu afrua skrivanisë i vendosur ta rifillonte punën, mirëpo s’kishte më dritë, se qirinjtë i shoi kur shkoi të flinte. Mos në dhomën e fëmijëve kandili para ikonave vazhdonte të digjej qetësisht? Sa mirë u kujtua. Shkëputi nga shandani një llambadhe, doli në korridor dhe shikoi derën ku flinin fëmijët. “Po qe se e gjej ndezur, domethënë se edhe Zoti e do këtë punë.” Hapi derën ngadalë dhe pa qoshen ku qëndronin ikonat. Kandili me vaj ulliri ishte shuar.
Tani edhe të donte të shkruante, qe e kotë, se drita e fanarit mezi arrinte deri në studio. Po sikur ta ndizte llambadhen te feneri i rrugës? Një burrë që del natën nga shtëpia dhe ndez qiriun te fenerët do të dukej paksa marrok, po s’kishte pse të sikletohej. Le ta përgojonin sa të donin. Hodhi një dolloma krahëve dhe zbriti poshtë shkallëve, duke e lënë derën hapur. Iu afrua fenerit, hapi kapakun, e ndezi qiriun dhe për ta mbrojtur nga era, e futi nën dolloma. Ngjiti shkallët dhe ngriu te dera. Në dhomë brenda qe shefi i policisë, Gregori i tmerrshëm. Mos kishte ardhur ta arrestonte? Si e mori vesh aq shpejt çfarë kishte shkruar për Perandorin?
-Më falni se u futa pa lejë, – i tha Gregori – por sapo pashë derën hapur, pandeha mos kushedi ç’kishte ndodhur…
-Ndeza llambadhen, se desha të punoj, – iu përgjej i shkriftuar Prokopi. –Natën punohet më mirë se ditën.
-Puno, puno, ti e ke pendën të artë dhe mendjen të ndritur, thotë Perandori ynë i madh. Të lumtur ne që jetojmë nën krahun e tij mëshirëplotë. – Gregori iu afrua skrivanisë, po atje për fat, ndodheshin vetëm letra të bardha. – Po pate nevojë për ndonjë gjë, më thuaj.
Sapo doli Gregori, Prokopi u ul në kolltuk, ngjeu penën në kallamar dhe shkroi në krye të faqes “Anekdota.” Edhe sikur ta shihte dikush, aty s’kishte asgjë kompromentuese. Duke qenë kryehistoriani i përkëdhelur i perandorit, më i preferuari, më me prestigj, kush mund të dyshonte se Prokop Cezareasi po e gozhdonte Perandorin e ndritur me akuza të rënda?
Filloi të shkruante ngadalë e me kujdes, po sërish dufi e mëria ia shpejtuan dorën. Jo, s’kishte rëndësi as stili, as fjalët e zgjedhura, as qendisja e fjalëve, as letrarizmat. Vlerat ishin te mendimet, te gjykimet, te të vërtetat për njeriun më të fortë të Perandorisë, dëshmia tronditëse e historianit për Justianian dhe Theodhorën. Dhe në fund dorëshkrimin do ta mbyllte me shprehjen latine “Dixit et salve anima mea.”[1]

[1] U rrëfeva dhe çlirova shpirtin tim.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Historian i Perandorit, Naum Prifti, Prokopi

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT