Nga Besnik Mustafaj/
Sokol Olldashi nuk është një hero. Saktësisht një vit më parë ai u nda prej nesh në një aksident tragjik, duke ngjallur një trishtim dhe keqardhje të gjerë popullore si rrallë në ndonjë rast tjetër të paktën gjatë çerekshekullit të fundit. Miqtë e tij, kryesisht ata politikë, do të mblidhen sot për t’a kujtuar.
Çfarë kishte bërë Sokol Olldashi për t’a merituar një trishtim dhe një keqardhje të tillë popullore?
Ai u nda nga kjo jetë shumë i ri për një burrë. Kishte bërë pak rrugë prej gazetari, ku nuk kishte shkëlqyer. Politikën aktive e filloi pa i mbushur të tridhjet vjetët, kur u përfshi në stafin tim të ngushtë elektoral gjatë fushatës time për kryetar bashkie i Tiranës. Dua të them se qysh në fillim të jetës së tij politike, Olldashi u bë pjestar i një humbjeje. Një vit më pas ai do të hynte në parlament. Në vazhdim, ngjitja e tij politike do të ishte vërtet e përshpejtuar. Ai do të drejtonte Forumin Rinor të Partisë Demokratike, do të njihte brenda një dekade opozitën parlamentare dhe pushtetin, duke mbajtur njëri pas tjetrit dy portofole ministrore të rëndësisë së veçantë për jetën e vendit, atë të ministrit të brendshëm dhe atë të ministrit të transporteve. Dhe do të kthehej përsëri në opozitë, por kësaj here jo për shumë kohë, fatkeqsisht për ate vetë dhe familjen e tij, për Partinë Demokratike dhe, do të thosha, fatkeqësisht edhe për vendin. Por jeta ka befasitë e veta të hidhura.
Karriera politike e Sokol Olldashit nuk është e zakonshme. Por në historinë postdiktatoriale të Shqipërisë, kjo karrierë nuk është një përjashtim, nuk është pra unike. Ka disa shembuj të tjerë politikanësh, të cilët madje edhe më të rinj se Sokoli, janë bërë deri edhe kryeministra. Sokol Olldashi ka bërë megjithatë diçka ende të papërsëritur në jetën politike shqiptare dhe që i jep kontributit të tij politik një shkëlqim të veçantë. Pas humbjes së palavdishme në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit (2013), Sali Berisha, me hir a me pahir, dha formalisht dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike. Si përkujdesje të fundit për trashgiminë e vet politike, Berisha caktoi pasardhësin, siç dihet, dhe ky do të ishte Lulzim Basha, për të cilin do të kishte gjithsesi një legjitimim përmes një votimi të antarësisë demokrate. Duke përfituar nga kjo klauzolë demokratike – votimi -, menduar fillimisht nga Berisha “sa për të larë gojën”, Sokol Olldashi hyri në garë.
Haptazi dukej se do të ishte një garë krejt e pabarabartë në kuptimin më të gjerë të fjalës, një garë me fitues të paracaktuar. Shkurt fjala, ajo që do të zhvillohej, nuk do të ishte garë. Sokol Olldashi nuk kishte me vete asnjë rrethanë organizative, për t’i dhënë atij ndonjë xixëllimë shprese për fitore. Ma mer mendja se përvoja që ai kishte tashmë në politikë, dhe po aq njohja e thellë që kishte për funksionimin e Partisë Demokratike ishin krejt të mjaftueshme për ta kuptuar se po hynte në një betejë teorikisht të humbur. Por ai e hodhi hapin. Kam qenë i bindur atëherë dhe vazhdoj të jem i bindur se Sokol Olldashi hodhi në atë rast hapin e duhur dhe më të rëndësishmin që kishte hedhur gjatë gjithë jetës së tij politike, një hap që dëshmonte se ai ishte pjekur si politikan dhe kishte brenda vetes tharmet e nevojshme që e bëjnë politikanin udhëheqës. Ai hyri kështu në shtegun e ngushtë e të përpjetë për t’u bërë lider. Pikërisht sepse vendimin për t’i dalë përballë kandidatit zyrtar të kryetarit historik e mori tërësisht me vullnetin e tij, duke e zënë madje në befasi Berishën, dhe po ashtu i shkoi fushatës deri në fund me një vullnet të hekurt, përkundër të gjitha stërkëmbshave të llojllojshme që iu vunë, ai tregoi se e kishte tashmë brumin aq të rrallë për t’u bërë një ditë lider.
Ashtu siç i takonte një lideri të së ardhmes, Sokol Olldashi i bëri me këtë rast Partisë Demokratike në radhë të parë një shërbim shumë të çmuar. Ndoshta një shërbim historik. Po kaq i çmuar duhet të mbetet ky shërbim edhe në vlerësimin personal të Lulzim Bashës, i cili, në përfundim të asaj fushate, do të ulej në karrigen e Kryetarit të Partisë Demokratike. Ky është gjykimi im thellësisht i sinqertë.
Dhe po e shpjegoj pse. Gjatë verës së vjetme Partia Demokratike ushaa qysh nga zgjedhjet e para të lira, ku kishte marrë pjesë. Domethënë, me një traumë shumë të rëndë në vetëdijen e saj politike. Pa hyrë në një analizë, do thënë vetëm se Sokol Olldashi, me përfshirjen e tij “jozyrtare” në garë, i dha mundësinë e vetme Partisë Demokratike të fillonte të mblidhte veten për t’u shkëputur nga e kaluara e vet, duke u reformuar përmes zgjimit të demokracisë së brendshme, kthjellësimit të ndërgjegjes kriticiste, afishit të vlerave të veta moderne përmes dëbatit parimor dhe alternativave. Partia Demokratike, e atrofizuar siç ishte, nuk u tregua në gjendje të përfitonte nga kjo mundësi që i dha Sokol Olldashi me nismën e tij. Por fara e mirë u mboll gjithsesi. Të paktën unë, veteran i kësaj partie, kështu dua të besoj. Ndërsa mirënjohja personale e Lulëzim Bashës ndaj Sokol Olldashit lidhet me legjimitetin e domosdoshëm që mori mandati i tij vetëm në sajë të fushatës që bëri Sokol Olldashi si rival i ndershëm. Pavarësisht votave që do të kishte në kuti, pa këtë legjimitet që e jep vetëm gara, mandati i Lulëzim Bashës do e kishte gjithmonë pak erë të keqe, që ndjehet posaçërisht në mjedisin politik me ajër lirie.
Për t’u kthyer në mënyrë të përmbledhur pyetjes që shtrova në krye të këtij homazhi, do të thosha me bindje se trishtimi dhe keqardhja e gjerë popullore që shoqëroi ndarjen përfundimtare me Sokol Olldashin një vit më parë, nuk lidhet aq me moshën e tij të re, as me kontributin egzistues tashmë që ai kishte në politikën shqiptare, por me ndërprerjen brutale të asaj që ky burrë i ri sapo ksihte nisur të bënte. Në ndërgjegjen e vet shoqëria shqiptare e ndjeu se humbi një vlerë të çmuar për të ardhmen e vet si shoqëri me aspirata për demokracinë. Si i tillë, ky përjetim është sa njerëzor aq edhe politik dhe i bën nder të madh shoqërisë shqiptare.
Sot miqtë e Sokol Olldashit do të mblidhen për ta kujtuar. Për shkak të angazhimeve të mia, unë duhet të jem diku tjetër, jashtë Shqipërisë. Dhe më vjen keq për këtë koiçidencë. Do të kisha dashur të isha aty. Nuk e di ç’do të bëjnë miqtë e Sokol Olldashit me këtë rast. Në ftesën që mora nga grupi organizator, nuk ishte paralajmëruar ndonjë rend dite. Por besoj se ata nuk do të mblidhen thjesht për të ngushëlluar njëri-tjetrin, dhe për të ofsharë para karriges bosh të Sokol Olldashit. Kujtimi i Sokol Olldashit nuk ka nevojë për këtë lloj ceremonie post-mortum. Kujtimi i Sokol Olldashit merr kuptim vetëm duke u vendosur në konteksin vital të ëndrrës së tij për ta ringritur frymën e Partisë Demokratike dhe të opozitës në përgjithësi sipas një modeli europian, që do të thotë një organizëm i shëndetshëm politik, i cili ushqehet me kulturën demokratike europiane dhe qëndron përballë pushtetit brenda institucioneve të shtetit, me të drejtën dhe detyrimin që i ka dhënë vota e popullit për të ndërtuar një vizion më të mirë për të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm kështu rritet fara e mirë që mbolli Sokol Olldashi në Partinë Demokratike gjatë muajve të fundit të jetës së tij intensive.(Kortezi:Panorama)
QENDRIMI NDRYSHE I EQEREM KARAJT
U nda nga jeta në moshën 79 vjeçare Eqerem Karaj, biri i denjë i Tiranës mëmë/
Nga Hektor ZOTAJ/ Virxhinia/
Pas një sëmundje të rëndë, u shua nga jeta, një nga ata që mban emrin e merituar-Njeri, iku ky tiranas autokton i mrekullushëm. Tirana-bazë tabani nuk i besoi komunizmit dhe nuk u pajtua kurrë me të. Jetën e ka mbështetur në punën e ndershme, në djersën e ballit. Fisi Karaj-burimi i Eqeremit, është i atij tabani. Ndërsa “jugori i kohës sonë” ishte ndryshe. Ai me mbarimin e luftës, me programin e komunizmit, vërshoi pa rreshtur për në Tiranë, dhe nuk e la atë kryeqytet të të gjithë shqiptarëve siç e gjeti, por u kthye në kryeqytetin e tij. Ky vërshim veshur me pushtet, gjeti jetën të shtruar me të gjitha privilegjet, që politika ua siguroi vetëm atyre.
Përkëdhelja bëri që ata gjithnjë e më shumë të ndjeheshin më mirë se të tjerët, që atyre u takonte jeta, që kishin ardhur në botë për të sunduar, i shikonin ata të “biografisë” dhe vendalinjët si të dorës së dytë. Aq sa pasardhësit e tyre sot, u duket vetja si” racë e zgjedhur”. Harruan atë që kishin lënë pas-bukën e misrit të pjekur në hirin e vatrës, dhallën dhe gunën me lesh dhie. Jo se kjo prejardhje popullore është për t’u sharë, por sepse jeta e privilegjuar, e siguruar jo me përpjekje, jo me aftësitë e njeriut, por e dhuruar nga politika, është e turpshme dhe e përbuzur deri në neveri për shoqërinë njerëzore. Me këtë lloj jete të sajuar me anë të dhunës, si në asnjë vend tjetër të botës, Eqeremi qëndroi ndryshe. Në vitet e para tona të gjimnazit, pak shokë na bashkonte loja e varfër e rrugës, loja e topit. Ajo shoqëri e vogël çunakësh u kthye në një miqësi të ngushtë që vazhdoi gjithë jetën tonë. Trekëndshi i jetës së Eqerem Karajt, pas mbarimit të shkollës së lartë për bujqësi, qe në Tiranë, Berat, e përsëri në Tiranë. Ai bëri emër me punën e tij të nivelit të lartë profesional, me karakterin në marrdhëniet në punë e në jetë, duke krijuar një rreth shoqëror shumë të gjërë. Krijoi familjen e tij me një vajzë nga një familje e lashtë e fismee Beratit, e plotësuar me dy fëmijë, djalë e vajzë, që kanë marrë rrugën e jetës si qytetarë të denjë të këtij shekulli.
Me gjithë njohjen e gjërë që kishte , në ato vite të asaj lloj jete, sferën e shoqërimit e bënte shumë të përcaktuar, në përshtatje me botkuptimin e tij për jetën. Përçmonte, përbuzte, e urrente, atë jetë të çmëndur të politikës, që sundonte gjithë hapësirën tonë, e gjithë qenien tonë.
Rezistenca e heshtur- ishte qëndrimi ndryshe i Eqeremit, siç qe e përgjithshme për gjithë shtresën mëmë të Tiranës të brezit të tij e më vonë.
Regjimi u përpoq të afronte nga kjo shtresë e Tiranësve, për të rregulluar sadopak imazhin e tij të mbaruar. Edhe në ato raste që tiransit u përzjenë për qëllime praktike, asnjëherë natyrën e tyre nuk e ndryshuan. Ata mbetën bijë të vërtetë të shtresës që u atkonte. Ata nuk bënë kurrë “luftë klase”, urrejtje klasore, përkundrazi, kur mundej zgjidhnin nën rrogoz edhe ndonjë hall të deklasuarëve.
Tiranën mëmë, kurr nuk mundi ta deformojë regjimi, me përjashtim të ndonjë “hibridi”. Kur filluan ndryshimet në Shqipëri, në vitin 1991, Eqerem Karaj u përfshi menjëherë dhe pa rezerva. Ai megjithëse kishte kapacitetin, intelektin, reputacionin, nuk synoi asnjë karrierë në këtë përfshirje, bëri vetëm detyrën e një qytetari me dinjitet, duke shprehur hapur revoltën e tij, për atë regjim të urryer dhe të përçmuar. Ai u udhëhoq në jetën e tij të zakonshme, qytetare, duke përbuzur çdo cak për pushtet, e çdo pasuri të përfituar nëpërmjet politikës!
E ky është përsëri qëndrimi ndryshe i tij. Ai do t’i mungojë familjes që la në pikëllim të madh, do të na mungojë neve, të gjithë shokëve dhe miqëve të tij. Ai iku duke lënë pas portretin e tij, portretin e një njeriu të mirë, që i mungon aq shumë shoqërisë shqiptare sot.
Homazh për mikun tonë, Abdyl Kërluku
Nga Reshat KRIPA/
I nderuar miku ynë Abdyl Kërluku!! Ju them mik se me të vërtetë i tillë ishe. Ti ishe këshilltari ynë i urtë, ishe burri me një karakter të fortë, i pathyeshëm para tiranisë së diktatorëve dhe i papajtueshëm me prapaskenat e intrigantëve të pamoralshëm. Ne deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde të urtë. Por ti ike. Zoti kishte vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.
Ishe i ri kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Ishe i detyruar të burrëroheshe nëpër qelitë e errëta të sigurimit të zi komunist apo nëpër kampet e tmerrshme të punës së detyruar. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, Abdyl i dashur, ti i mbijetove asaj kohe barbare, i mbijetove sepse në venat e tua rridhte gjak fisniku. Ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.
Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin ato ditë të zjarrta ku, atje në shtëpinë e kryetarit tonë të nderuar, Lalë Osmanit, mblidheshim dhe diskutonim për të ardhmen e atdheut tonë të përvuajtur. Diskutonim për shoqatën tonë të nderuar që përfaqesonte frymën më demokratike të shoqërisë shqiptare, frymën e nacionalizmit shqiptar. Për të gjitha këto të zgjodhën në krye të shoqatës për Tiranën dhe ti e justifikove plotësisht besimin që të dhanë. Këtë nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar.
Por ti nuk luftove vetëm në gjirin e shoqatës. U lidhe në mënyrë të pandashme me atë forcë politike që i vuri gjoksin përmbysjes së komunizmit, Partinë Demokratike, duke punuar me përkushtim në organet drejtuese të saj dhe duke i qëndruar gjithmonë besnike, deri në çastin kur fluturove për në qiellin e amëshuar.
Abdyli i përkiste asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Donte të jetonin të lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën e tyre. Donte të jetonin në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut të tij, jetonte në një epokë të gabuar. Jetonte në atë epokë kur nuk mund të shprehte dot ato që ëndërronte, ato që i buronin nga zemra e tij e madhe. Jetonte në atë epokë kur nuk mund të shprehte mendimet e tij të lira, ndjenjat e shpirtit të tij të pastër. Jetonte në atë epokë kur kishte dëshirë për të studiuar dhe nuk e lejonin të studionte, kishte dëshirë për të punuar dhe nuk e linin të punonte, kishte dëshirë të jetonte dhe nuk e linin as për të jetuar. Jetonte në atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për këtë e burgosën, por nuk mundën të thyenin vrullin e tij drejt lirisë. Edhe pse i burgosur, ai përsëri rendi drejt saj. Tentoi arratisjen nga burgu pa u trembur nga ferri komunist dhe përfundimisht mundi ta plotësonte ëndrrën e tij në dhjetorin e vitit 1990, në ato ditë të zjarrta kur Tirana e tërë dhe bashkë me të e gjithë Shqipëria ngrihesh në këmbë për fitimin e lirisë, së cilës i kishin kushtuar jetën e tyre.
Të nderuar familjarë. Më lejoni t’ju sjell ngushëllimet e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, anëtar i Kryesisë Kombëtare të së cilës ishte edhe i nderuari Abdyl. Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë. Abdyli ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun që e kishim në krahun tonë. Humbëm mikun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes Abdylin tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.