• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HOMAZH- 28 PRILL, PERVJETORI I VDEKJES NE BURGUN E BURRELIT I BASHKETHEMELUESIT TE VATRES, KRISTO KIRKA

April 28, 2020 by dgreca

NGA URAN BUTKA*/

Katerina, vajza e dytë e Kristos, e përjetoi e para vdekjen e babait. “Ishte fundi i muajit prill 1955. Babai kishte tashmë dhjetë vjet në burg. Mamaja kishte disa javë që na thoshte se qeveria do të bënte me siguri një falje të përgjithshme dhe do ta lironin babanë. Bile, kishte parë edhe një ëndërr dhe i ishte mbushur mendja se lirimi i babait ishte punë ditësh. Në mëngjezin e 27 prillit, u ngrita herët, sepse e kisha unë radhën për të shkuar  në Burrel.  “Ushqimet mos i merr prapa, me qenë se ai do të lirohet, po jepjau të burgosurve të tjerë”- më porositi nëna. U nisa bashkë me nënën e Gjergj Kokoshit.  Arritëm me shumë peripeci e mundime në Burrel, por ishim mësuar. E kush i tregon ato! Menjëherë shkuam te burgu. Te porta e hekurt takuam zonjën Ikbale Prodani dhe zotin Xhelal Koprencka, që kishin ardhur të takonin Sami Koprenckën, mikun e babait. Samiu vuante në burg, ndërkohë që edhe  të birin, Xhelalin më  vonë e burgosën dhe pasi e ridënuan pesë herë, e pushkatuan. Donin t’i zhduknin gjithë brezat e nacionalistëve, siç ndodhi edhe me familjen tonë…U futëm tek oborri i jashtëm. Tek një vendroje, vizitorët thoshin emrin e të burgosurit dhe dorëzonin ushqimet. Kur erdhi radha ime, gardiani më tha se nuk mund t’i mbante ushqimet, sepse im atë ishte shumë i sëmurë dhe ushqimet nuk i bënin fajde. Unë këmbëngula që t’i pranonte ushqimet se babai do të bëhej mirë, por gardiani nuk ma zgjati. Iu luta që të më linte ta takoja, po ai nuk më dëgjonte më dhe merrej me të tjerët. I lashë ushqimet atje dhe u ktheva e dëshpëruar sa më s’ka. Rastësisht pashë drejtorin e burgut, i veshur ushtarak dhe me çizme të gjata e të llustruara. U binte çizmeve me një kamxhik të zi dhe bënte shëtitje nëpër oborr. Emri nuk më kujtohet, por sjellja  e tij dhe torturat çnjerëzore kundrejt të burgosurve, e kishin bërë të famshëm. Megjithatë, mora guximin dhe iu afrova. “Shoku drejtor, jam e bija e Kristo Kirkës, i thashë. Gardiani më thotë se është shumë i sëmurë dhe nuk mund ta takoj.  Të lutem, më lejo ta shoh e t’i them dy fjalë të fundit, se ndoshta nuk e shoh më!” .

Ai ngriti kokën dhe më këqyri me një vështrim të padeshifrueshëm, që edhe sot e kam të ngulitur në tru. Më përshkoi një drithërimë e akullt. Nuk do të më lejojë, mendova hidhur. Ai u kthye nga rojet dhe tha: “Lëreni!”. Desha ta falënderoja, po s’kisha pikë fuqie, më ishte tharë goja dhe më ishte mpirë mendja. Vetëm eca e përhumbur pas rojeve. U hap një derë dhe hyra në oborrin e dytë. U çel dhe dera tjetër, nëpërmes së cilës hyhej brenda në burg. Atje pashë Nesti Orolloganë, kushëririn e mamasë dhe Andon Frashërin, mikun e babait, që bënë të më afroheshin për të më thënë diçka, por rojet i shtynë tutje.

Babanë e kishin shtrirë në një krevat druri në infermieri. I kishte rënë një nur i bukur. Dukej sikur më priste. Baba, jam Rina!- i thashë me zë të dridhur, po ai nuk m’u përgjigj. Baba, baba! – e shkunda, po ai nuk reagoi. Iu hodha përsipër, e putha, e lava me lotë. Ai ishte  gjallë, ndoshta më dëgjonte, ndoshta kërkonte ndihmë. Dhe unë e shkreta s’i jepja dot asgjë! Në infermieri nuk kishte njeri, veç rojes që heshtte. Dola te dera, pas së cilës ishin mbledhur disa të burgosur. Dallova Mihal Zallarin. Ku është doktori?- pyeta. A ka doktor këtu?  Ai uli kokën dhe nuk m’u përgjegj. Atëherë, dola nga burgu, me mendimin që të gjeja një mjek në qytet. Në ambulancën e qytetit gjeta doktor Bakallin. E pyeta se ç’ kishte babai dhe se çfarë ilaçesh duheshin. Është në gjendje kome, më tha dhe u mundua të më mbushte mendjen se do ta kapërcente edhe këtë herë. Vrapova për te axhensia e kamionëve dhe atje gjeta nënën e Gjergj Kokoshit, që po kthehej për në Tiranë, edhe ajo tejet e mërzitur, se Gjergji ishte tuberkoloz në gradë të fundit, megjithatë e mbanin në një birucë të nbushur me ujë. I dhashë një letër për Nikon, ku i shkruaja: “Babai është shumë sëmurë. Të niset mamaja me ilaçet”.

Atë natë nuk vura gjumë në sy. I kisha humbur shpresat. Mendimi se në burgun e Burrelit i futin njerëzit për t’i vdekur, nuk më hiqej nga koka.Të nesërmen, më 28 prill, pa gëdhirë ende, shkova te burgu për të pyetur, po s’ma hapi njeri derën. Kur erdhi ora e takimit, roja më dha lajmin e kobshëm se babai kishte ndërruar jetë. E mblodha veten dhe kërkova të më dorëzohej trupi. Një oficer më tha se trupi mund të merrej pasi të mbushej afati i dënimit, domethënë pas 11 vjetësh të tjerë! I ktheva shpinën dhe ika nga sytë këmbët… Me zonjën Prodani dhe Xhelal Koprenckën, hipëm mbi një kamion për t’u kthyer. Rrugës, afër Milotit, ku kishim ndaluar, pashë nënën mbi një kamion tjetër, që shkonte për në Burrel. I thirra me sa fuqi që kisha dhe kamioni u ndal. Shkova për atje përhumbshëm. Ajo e kuptoi menjëherë se ç’kishte ndodhur. U zumë në grykë me njëra tjetrën dhe u shkrimë në vaj. “Nuk i gëzove fëmijët!”- i thoshte ajo nëpërmes ngashërimeve.

Pas 40 ditësh u kthyem sërish në Burrel, për të parë vendin ku e kishin varrosur dhe për t’i vënë një tufë me lule. Por rojet na sorrollatën dhe më në fund na treguan një vend me shkurre te Qershiza, ku kishte vetëm kocka… Edhe sot, nuk e dimë se ku i ka eshtrat…

Rrëfejnë bashkëvuajtësit

Osman Kazazi, që kishte kaluar plot 42 vjet në burgjet komuniste, fliste  shpesh për Kristo Kirkën, që e kishte njohur në burgun e Burrelit. Osmani e përmendte Kriston si shembull të nacionalistit idealist.  “ Vdekja e tij na pikëlloi të gjithëve.  Ishte një ditë zije për të burgosurit” – thoshte Osman Kazazi.[1]

Fatbardh Kupi, djali i Abaz Kupit, i dënuar  në një gjyq  me Kriston, tregon:

“E kam takuar për herë të parë në burgun e Tiranës patriotin Kristo Kirka. ( Më vonë, mbas vitit 1992, kur nxorra nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme dokumentet e dosjes sime gjyqësore, u habita kur pashë që bashkë me mua, Lekë Dostin, Dedë Gjonmarkun, ishte “gjykuar e dënuar” edhe Kristo Kirka! E pamundur! Nuk e kisha  parë  as në hetuesi dhe as në gjyq. Madje nuk ia dëgjova emrin kërkund. Pyeta Lekën dhe Dedën , por edhe ata më thanë se Kristoja nuk ishte gjykuar bashkë me ta. As që e kishin njohur më parë. Atëherë e kuptova që ishte një proces gjyqësor i montuar. Kriston e kishin bashkuar me grupin tonë “armiqësor” vetëm me letra, formalisht, për ta implikuar në veprimtari grupazhi kundër pushtetit, sepse hetuesinë dhe gjyqin ia kishin bërë më vete). Me sa mbaj mend, ai erdhi  nga burgu i Korçës në vitin 1946. Thoshin se ishte burgosur vetëm e vetëm se nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me komunistët. Kisha shumë respekt në burg për patriotët që nuk i ishin nënshtruar regjimit të Enver Hoxhës dhe njoha shumë karaktere të fortë e të papërkulur aty. Një ndër ata burra ishte edhe Kristo Kirka. Ishte burrë pa fjalë dhe të impononte respekt me sjelljen e tij. Kisha dëgjuar për aktivitetin e tij atdhetar dhe  respekti që ndjeja për të ishte i veçantë. Ne të rinjtë flisnim shpesh herë për të dhe përpiqeshim që të  përfitonim nga sjellja dhe qëndresa e tij.  Edhe pse ishte me bindje dhe parime republikane dhe një ndër miqtë e afërt të Fan Nolit, Kristo Kirka kishte punuar me ndërgjegje atdhetarie për Mbretërinë, si nëpunës, veçanërisht kur kishte shërbyer si nënprefekt në Himarë dhe Bilisht. Mendoj se duhet të jetë një mësim  për politikën e sotme trajtimi që i bënte Mbreti Zog kundërshtarëve politikë: i emëronte ata në administrate, madje edhe në detyra të rëndësishme. Kështu kishte vepruar edhe me Kristo Kirkën, duke e emëruar nënprefekt në Himarë, ai i besoi atij një pozicion tepër delikat, ndërkohë që tentohej për helenizimin e Himarës. Kujt më mirë se sa një atdhetari orthodoks të përmasave të Kristo Kirkës mund t’i besohej një mision aq delikat?  Më ka mbetur në mendje  një rast, kur komanda e burgut organizoi të ashtuqujturin “Front demokratik” brenda burgut, një farsë qesharake, që synonte krijimin e organizatës të të besuarve e të spiunëve. Disa u anëtarësuan në të, kryesisht  tipa servilë e pa personalitet, me përjashtim të ne të rinjve antikomunistë. Krahas nesh, edhe Kristo Kirka nuk pranoi dhe nuk u bë pjesë e saj, duke e bojkotuar në mënyrën e tij autoritare, pa komente. Para syve të mi u rrit më shumë respekti ndaj atij atdhetari fjalëpakë. Ndjehem mirë që isha me të në një kohë aq të vështirë”. [2]

Abduraman Kreshpani, nacionalist dhe antifashist i njohur, i arrestuar nga italianët për pjesëmarrje në demonstratën e  28 nëntorit 1939 në Vlorë dhe i internuar në Ventotene, mandej i burgosur edhe nga komunistët në burgun e Burrelit, rrëfen: “Kisha dëgjuar  për Kristo Kirkën se ishte një nga atdhetarët ortodoksë më të vendosur të Korçës, që kishte ardhur nga Amerika për të luftuar me pushkë  kundër grekut më 1914-tën dhe deputet në parlamentin e parë shqiptar, në vitet tridhjetë. Kështu, kisha formuar  përfytyrimin e luftëtarit  energjik  dhe të politikanit fjalëzjarrtë. Por, kur e njoha në burgun e Burrelit, më la tjetër përshtypje. Ndoshta, kishte bërë të vetën mosha e thyer, por edhe kushtet e rënda të burgut të Burrelit. Xha Kristoja ishte i thinjur, i qetë, fliste ngadalë, por çdo fjalë i zinte vend. Fliste vetëm për të shkuarën,  për tema historike. U shmangej bisedave aktuale.  Shoqërohej me pak njerëz, por ama të gjithë e respektonin, bile edhe gardianët. Nuk kishte bërë vaki më parë, por edhe më pas, që të hynte brenda në burg ndonjë person i jashtëm, aq më pak një familjar i ndonjë të  burgosuri. Komandanti i burgut e lejoi vajzën e xha Kristos, kur ky ishte në agoni të vdekjes, që të hynte dhe ta takonte të atin. Kjo përbënte një ngjarje në burg dhe ne bisedonim gjatë për të. Vajza e tij kaloi nëpërmes birucave tona tepër krenare, si të ishte një engjëll mbrojtës. E para gjë që më erdhi në mendje, ishte fakti që nënat, gratë dhe vajzat e të burgosurve, në ato kushte të skëterrshme, ditën të ruanin moralin e dinjitetin e tyre dhe të familjeve të tyre. Dua të them, se përkushtimi, vuajtja dhe qëndresa madhështore e nënave, grave e motrave tona, ishin më të mëdha sesa vuajtjet dhe qëndresa jonë nëpër burgje. Nuk ka penë që t’i përshkruajë”.[3]

Leka Dosti, djali i Hasan Dostit, ish-i burgosur në Burrel, kujton:

“Tomorrin dhe mua na transferuan nga burgu i Tiranës në Burgun e Burrelit. Atje morrëm vesh nga të burgosurit se s’kishte veçse pak muaj që kishte vdekur Kristo Kirka nga një hemoragji cerebrale. Në atë burg-ferr, vdekjet nga torturat, sëmundjet dhe mungesa e ushqimit, ishin të zakonshme. E jashtëzakonshme ishte lejimi i vajzës së Kristos, që ta takonte të atin, që kishte rënë në koma. S’kishte ndodhur deri atëherë dhe as më pas ndonjë rast i tillë, sepse nevojitej autorizimi i Ministrisë së Brendshme. Mirëpo, mbas lutjeve të Katerinës, komandanti i burgut, me emrin Xhipe Mersini, lab nga Vlora, urdhëroi të hapeshin dyert e hekurta dhe ajo u ndodh pranë shtratit të të atit, që kishte humbur ndjenjat. Vajza e shkretë shpërtheu në vaj me zë të lartë, sa u dëgjua gjithandej. Kishte ardhur për të takuar babanë, por e gjeti thuajse të mbaruar. E mblodhi veten, e falënderoi me zonjëllëk komandantin, i la aty ushqimet për të burgosurit e tjerë dhe iku nga sytë këmbët… Në burgun e Burrelit ishte një ekonomi ndihmëse për nevojat e komandës. Atje punonin të burgosurit, ndër ta edhe Kudret Kokoshi, Engjëll Kokoshi, Ali Maliqi e të tjerë. Një ditë, kur po qarkonim nëpër oborr në orarin e “ajrosjes”, Ali Maliqi na tha: “Duke punuar në “çifligun” e burgut, kaloi aty pari komandanti. Gjeta rastin t’i them: “Më lejoni t’ju falënderoj për sjelljen tuaj fisnike ndaj vajzës së të ndjerit Kristo Kirka ”. Pa e kthyer kokën, ai tha”  Ishte burrë i ndershëm”. U habita pa masë, që ndershmëria e Kristo Kirkës e kishte prekur edhe zëmrën e një gardiani të egër!”[4]

Ish-i burgosuri Beqir Ajazi, e kujton kështu Kristo Kirkën: “E kam njohur të

ndjerin Kristo në burgun e Burrelit. Në një kaush të madh, i cili nuk ishte më i gjerë se 10×8 metra, ku dergjeshin plot 72 të mjeruar, me qypin urinar prapa derës.  U  binda menjëherë se zoti Kirka spikaste dukshëm mbi gjithë të tjerët. Me një trup të madh, veshur me një pallto gub të zezë dhe me pamjen fisnike, të dukej fodull, por sa t’i afroheshe e të bisedoje më të , ndërroje mendim. Ishte njeri i mësuar dhe me përvojë të madhe, i dhimbsur dhe i gjindur, i dashur me të gjithë, por “sans façon” me askënd. Me qenë se kishte jetuar shumë vjet në Amerikë dhe kishte punuar te “Vatra”, ai ishte modeli i atdhetarit dhe i demokratit. E donte Shqipërinë me gjithë fuqinë e shpirtit. Përbuzjen më të madhe e kishte për politikën e shtetit grek, që pasi ishte rritur në dëm të Shqipërisë e të Maqedonisë, ishte përfshirë pas ëndrrës marroqe të megalo-idesë. Populli shqiptar don të ketë të ardhme, sepse është një popull paqesor dhe i zgjuar, që nuk mposhtet, thoshte Kristo Kirka. Tek e dëgjoja, mua më dukej se ai kishte lindur për të drejtuar, por drejtimin në atë kohë e kishin uzurpuar xhahilët”.[5]

Dhimbjen e thellë për vdekjen e Kristo Kirkës e ndieu edhe bashkëvuajtësi i Burrelit, intelektuali antikomunist, Arshi Pipa, i cili e shpreh me dy fjalë arsyen e dënimit dhe të vdekjes së xha Kristos, siç i thërrisnin në burg.

   “I arrestuem për të vetmin faj se nuk kishte qenë i gatshëm me brohoritë regjimin komunist, ai u dënue të mos delte i gjallë nga burgu”[6]

Lajmi për vdekjen e Kristo Kirkës  u përhap fshehtazi gojë më gojë nëpër Shqipëri, ndërsa në diasporë u dha gjerësisht nga shtypi shqiptar i atjeshëm.

Gazeta  “The Albanian-American”  botoi në maj të vitit 1955 një shkrim nekrologjik me rastin e vdekjes së Kristos, me titull “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë. Vazhdon pa mëshirë shfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e kuqe. Edhe Kristo Kirka vdiq në burg!”

“Pas Kol Rodhes, Bahri Omarit, Kolë Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut dhe shumë shqiptaro-amerikanëve të tjerë, që u vranë nga komunistët e Shqipërisë ose vdiqën nëpër burgjet  e tyre të tmerrshëm, ja edhe lajmi i vdekjes  së patriotit Kristo Kirka në burgun e “kryetrimave” të stalinizmës. Shqiptari i Amerikës sot ndien një dhembje  të madhe  në zemër, sidomos për ata burra me leshra të thinjura, që i kanë kushtuar çështjes shqiptare shumë nga mendja e djersa e tyre, për ta parë atë vend të dashur, të lirë, të vëllazëruar e të përparuar. Njeriu, pra, që këtu në Amerikë, i kushtoi tërë jetën e tij vendit të lindjes, ka qenë Kristo Kirka.

Hiqeni Kristo Kirkën nga historia e shqiptarëve të Amerikës dhe s’do të kini më një histori të shqiptarëve të Amerikës! Kronologjia  e aktiviteteve patriotike të Kristo Kirkës, tretet me  realizimet proshqiptare këtu në Amerikë: Gazeta “Kombi”, Shoqëria “Besa-Besën”, Kisha Kombëtare Ortodokse, federata “Vatra”, gazeta “Dielli”, të gjitha këto vepra të shqiptarëve të Amerikës. Kristo Kirka është një nga mjeshtrit e mëdhenj.  Ata që u përpoqën, që vojtën dhe e bënë Shqipërinë, tani akuzohen nga komunistët si armiq e tradhtarë, vriten, burgosen e vdesin në tortura të llahtarshme. Burgu ku vdiq Kristo Kirka, është një fushë lufte, ku ai qëndroi dhe ra dëshmor  për Shqipëri. Pse e vranë Kristo Kirkën, që ndihmoi në themelimin e asaj Shqipërie, ku sot sundojnë komunistët? E vdiqnë për të njëjtat arsye që vranë dhe vazhdojnë të vrasin gjithë shqiptarët mëmëdhetarë: Mihal Bellkamenin, Seid Kemalin, Vinçens Prenushin dhe lart nga 100.000 shqiptarë të tjerë!” [7]

Disa muaj më vonë, në shtator të vitit 1955, luftëtari nacionalist dhe mërgimtari i shquar intelektual, Qazim Prodani, shkruante në gazetën “Besa”:

“Bir i Korçës, djep i shqiptarizmit, Kristo Kirka, burrë e shqiptar i madh,  me virtyte morali e patriotizmi të lartë, mbylli sytë nën thonjtë e armiqve të kombit në burgun e Burrelit. Burrat e destinuar për histori, që shpirtëzojnë legjendën e krenarisë së një kombi, që “thyhen, por nuk përkulen”, rrojnë dhe vdesin të mëdhenj si Kristo Kirka. Kush e njohu Kristo Kirkën dhe nuk gjeti tek ai burrin shqiptar si në kohët e lashta, burrin-shkëmb, të patundur, fisnik, të urtë, të mënçur. Zot i këtyre cilësive, Kristoja ynë dhe i shqiptarizmit, e përjetësuan në botë emrin e kombit arbëror, e bënë të pavdekshëm për nder, trimëri, qendrueshmëri dhe shpirtmadhësi…Jeta e martirëve-misionarë të historisë kombëtare, me vrull e luftë fillon dhe me përpjekje e luftë sublime mbaron. Nuk prisnim që Kristoja të mbyllte sytë në shtëpi. Gjersa vendi nuk kishte liri,  Kristoja do të vdiste ose në istikamin e lirisë ose në duart e armiqve të Shqipërisë.  Por Kristoja nuk ka vdekur, pse kurrë nuk vdesin martirët  dhe heronjtë e një kombi!” [8]

Po kurorën për vdekjen e Kristo Kirkës, e thuri me fjalë zemre e vargje të madhërishëm, poeti Arshi Pipa, bashkëvuajtës me të ndjerin Kirka. Poeti e shkroi elegjinë në burg, kur ndërroi jetë Kristo Kirka, i cili edhe në çastin e mbramë, tha: “Për flamur… për Atdhe!”. Ndaj edhe poeti klith: “Vdiq flamurtari i moçwm!”

ELEGJI  PËR  ATDHETARIN  KRISTO  KIRKA

Vdiq flamurtari i moçëm!

Si rrojti, vdiq: me nder.

I pastër , i devoçëm,

pa u përkulë nji herë.

Ndër qela u sos t’Burrelit’

me dhunën e tradhtarit,

më njoll’n e kriminelit

mbi ballin e atdhetarit.

A u pezmatue, a u lodh

Se ashtu u shpërblye i pafati?

Se fmija pran s’iu ndodh,

se vorr, as vorr, nuk pati!

Nuk fali, nuk mallkoi.

Po kur fjala iu pre

Ndigjuem qysh thellë ankoi:

“Për flamur!…Për Atdhe!”

O shok, o prind i shtrenjtë,

qi len familjen tonë,

kjo porosi e shenjtë

për ne do t’jetë gjithmonë!

Nga burrat qi themelin

Shqipnis i patën kallë

Sot ca të pakët ngelin:

Ti qe nga numri, i rrallë.

Me përnderim dashnuer

përkul’mi para teje.

Me flamur ti n’krahnuer

Sulmove n’ball beteje.

Besnik para çdo prove

sa pate frym s’e le.

Krenar për të luftove

dhe me të s’bashku re.

At flamur nji ndër shokë

E ngren ma nalt, e shtjell.

Pusho, kufomë nën tokë,

Ngushllou, o shpirt, ti n’qiell! [9]

“Martirin, që kishte tentuar të bëhej engjëlli mbrojtës i atdheut, e  kryqëzuan komunistët, duke e lënë edhe pa varr. E shpirti?  Doemos në qiell!”- shkruan editori i sotëm i “Diellit”, Dalip Greca.[10]

[1] U Butka: Intervistë me Osman Kazazin, v. 1991

[2] Fatbardh Kupi, E kam takuar në burg Kristo Kirkën, mbresa, 2011

[3] Abduraman Kreshpani, kujtime për Kristo Kirkën

[4] Leka Dosti, kujtime, 2011.

[5] Beqir Ajazi, kujtime për K.Kirkën, 4 mars 2012

[6] Arshi Pipa,  libri i burgut

[7] The Albanian Amerikan, April-May, 1955

[8] Gazeta “Besa”, shtator 1955

[9] Arshi Pipa, Libri i Burgut, 1959

[10] D.Greca, Albania, 3 maj 2000

*Marre nga Libri i Uran Butkes”Kristo Kirka” , fitues i cmimit “Pena e argjendet”

Filed Under: Histori Tagged With: homazh, Kristo Kirka, Uran Butka

Homazh për tim vëlla

July 8, 2018 by dgreca

Në tetëdhjetepesëvjetorin e lindjes/1 vellai ReshatNga Reshat Kripa/Im vëlla, Besnik Kripa, lindi më 9 korrik 1933 në Vlorë. Shkollën 7 vjeçare e kreu në qytetin e Vlorës dhe atë të Tiranës. Pastaj vazhdoi shkollën e mesme në gjimnazin ‘ Ali Demi “ të qytetit të Vlorës. Si të gjithë pjestarët e tjerë të familjes tonë, ishte një nxënës i mirë. Në fillim të prillit të vitit 1950, në moshën 17 vjeçare, së bashku me dy shokë të tjerë të klasës, Lavdosh Beqon dhe Alajdin Alemin krijuan një organizatë të fshehtë e cila shkruante dhe shpërndante trakte me përmbajtje antikomuniste në shkollë. Por shoqata u dekonspirua nga nje shokë i klasës së tyre që kishte dijeni,

Kështu në mbrëmjen e 15 prillit të vitit 1950, ndërsa shkonte në një mbrëmje vallzimi të organizuar nga klasa e tyre, arrestohet dhe mbyllet në qelitë e sigurimit. Ne nuk dinim asgjë për sa kishte ndodhur. Tërë atë natë dhe tërë ditën e nesërme, prisnim të shqetësuar kthimin e tij. Lloj lloj variantesh na shkonin ndër mend, por nuk besonim kurrë që mund të ishte arrestuar dhe aq më tepër për një çështje të tillë si krijimi i një organizate antikomuniste.
Në mbrëmjen e 16 prillit në shtëpi erdhën dy oficera të Degës së Punëve të Brendëshme që na njoftuan se e kishin arrestuar pasi gjoja kishte provokuar një vajzë. Kontrolluan librat e tij dhe morën disa fletore të shkruara nga ai. Ne nuk e besuam variantin e servirur prej tyre dhe aq më tepër babai që shprehu mendimin se diçka e jashtëzakonshme kishte ndodhur. Po ashtu u arrestuan edhe Lavdoshi me Dinon. Atëhere u bindëm për shkakun e arrestimit. Aq me tepër vëllai i madhë, Agimi që kishte lexuar një trakt të hedhur prej tyre.
Pas gjashtë muajsh hetimi dhe torturash u zhvillua gjyqi nga gjykata ushtarake e Gjirokastrës. Babai zgjodhi një avokat të njohur të qytetit, Fadil Llagamin nga Tirana. Por me gjithë mbrojtjen e tij, gjithçka ishte vendosur që më parë. Besniku u dënua me 20 vjet burg, ndërsa Lavdoshi me Dinon me nga 15 vjet, Gjykata e Apelit ia ktheu dënimin në 15 vjet.
Kështu filloi kalvari i gjatë i burgjeve dhe kampeve të ndryshme. Nga burgu i
Vlorës, u end nëpër kampet e Nizhavecit të Maliqit, Gosës së Vogël të Kavajës, Urës
Vajgurore. Ndërkohë isha arrestuar edhe unë për një aktivitet të ngjashëm më atë të tim vëllai. U takuam bashkë në kampin e Urës Vajgurore në gushtin e vitit 1952. U përqafuam me një mall të paparë. Na dukej sikur ishim kthyer prapë në familje. Më pyeste për gjithçka, në mënyrë të veçantë për familjen megjithse unë kisha më shumë se një vit që isha ndarë nga ajo. Pastaj vazhduam së bashku në Vlashuk dhe Shtyllas. Atje u ndamë përsëri, kësaj rradhe për të mos u bashkuar më gjatë qëndrimit tim në burg. Unë shkova në Bulqizë, ndërsa ai në Rinas. Prej andej, pas gati një viti, më dërgoi një letër ku më këshillonte se si duhej të veproja pasi të lirohesha së shpejti. Në atë letër shkruhej:
“Vëlla i dashur!
Sot u takova me nënën. Kishte ardhur për takim. Ndjeva një kënaqësi të madhe.Prej këndej do vinte për të takuar ty Mendova sakrificën që ajo bënte për ne bijtë e saj. Katër ditë udhëtim për të mos na lënë të vetmuar.Po t’i shkruaj këto rradhë, pasi e di se ty tashmë të kanë mbetur edhe pak muaj për t’u liruar.Do të të porosisja që ashtu siç ke qëndruar gjithmonë, të vazhdosh të qëndrosh edhe kur të dalësh. Qëndroju pranë dhe mos u nda prej tyre.Ata tashmë janë pleq dhe kanë nevojë për ne.Boll telashe u kemi shkaktuar. Unë kam për të kryer edhe shumë vite të tjera. Megjithatë ndjej një kënaqësi të madhe kur mendoj se do të shkosh pranë tyre së shpejti.
Të përqafoj dhe puth me mall së largu!
Vëllai yt i shtrenjtë.
Besniku”.
U lirua në dhjetor 1961, mbas 11 vjetësh dhe 8 muajsh burg.
Pas lirimit qëndroi disa kohë pa punë për të mbledhur veten. Bëri edhe një vizitë të kujdesshme tek bashkëvuajtësi ynë doktori i paharruar Isuf Hysenbegasi, që në atq kohë banonte në Vlorë, i cili i bëri edhe një konsultë me specialistë, pasi vuante nga zemra. Kështu e mblodhi mirë veten dhe mundi të rregullohej me punë pranë Postë – Telekomunikacionit me detyrën e fillorojtësit. Ishte një punë relativisht e mirë, megjithse i duhej që brenda ditës të endej brenda dhe jashtë Vlorës ku kalonin linjat telefonike. U bë shpejt specialist për këtë punë. Po atë vit filloi edhe vitin e dytë të gjimnazit të mbrëmjes, të cilin e mbaroi në vitin 1966.
Kështu vazhdoi për gati një vit. Një ditë ishte me shërbim në Ujin e Ftohtë, pranë vilave të udhëheqësve. Ndërsa punonte vjen një oficer dhe i kërkon të shikojë linjën e telefonit të vilës, pasi nuk vinte sinjali. Besniku i tha se nuk kishte autorizim për të hyrë në vilë dhe se tekniku i linjave nuk ishte aty, por oficeri i tha që ta rregullonte se nuk priste puna dhe nuk prishte punë në se kishte fletë-hyrje apo jo. Shkoi dhe pas pak e rregulloi. Por atje e pa oficeri i Degës së Punëve të Brendëshme, Xhevdet Beci, i cili që të nesërmen urdhëroi drejtorinë e postë-telekomunikacionit që ta pushonin nga puna. Kështu u bë dhe ai ngeli pa punë. Pas disa muajsh mundi të gjejë punë në fabrikën e tullave, ku e caktuan të punonte në furrat e tharjes së tyre. Ishte një punë mjaft e vështirë dhe me gazra dhe tymra sa kur dilte nuk njihesh se kush ishte po të mos bënte banjo. Kështu vazhdoi për tridhjet vjetë në këtë punë të rëndë për pesëmijë lekë në muaj. Edhe një gjysëm litri qumësht që i jepnin për antidot, nuk e pinte por ua sillte fëmijve se nuk mundeshin dot të blinin qumësht në treg.
Në vitin 1965 u martua me Kreshnike Mezinin, bijën e Selamet Mezinit nga familja e njohur me këtë mbiemër në qytetin e Vlorës. Kreshnikja punonte si normiste në kombinatin e peshkut dhe frutave “Ernest Telman “. Por martesa e saj me të ra shpejt në sy ndaj e hoqën nga puna si normiste duke e bërë punëtore. Biografia e burrit shkarkohej mbi gruan e tij. Ajo duhej të paguante të kaluarën e burrit të saj. Si rezultat i martesës lindën dy fëmijë, Myneverja më 29 tetor 1966, që mori emrin e nënës që kishte vdekur katër muaj më parë më 10 qershor 1966, dhe Ariani më 30 mars 1970.
Me ndryshimet demokratike që ndodhën në vitin 1990, u aktivizua në rradhët e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë që sapo u formua dhe në Partinë Demokratike, antar i së cilës u bë që në ditët e para duke u zgjedhur edhe antar i kryesisë së degës së Vlorës. Në zgjedhjet lokale të vitit 1992, ashtu si babai në vitet 1937-1938, u zgjodh antar i Këshillit Bashkiak të qytetit. Këto detyra i ushtroi deri në vitin e mbrapshtë 1997.
Ishte një tip i veçantë dhe jashtzakonisht i ndershëm dhe besnik. Nuk kishte fjalë, por ato që thoshte peshonin shumë. Shoqërinë e vazhdonte më tepër me Lavdoshin dhe Dinon, dy shokët e burgut.
Në gushtin e vitit 2006 pësoi një hemoragji cerebrale që e paralizoi në shtrat. Porsa mora lajmin u nisa dhe në mesnatë u ndodha në spitalin e Vlorës, ku ishte shtruar. Ishte në gjendje të rëndë. Fëmijtë kishin emigruar në Itali. I lajmëruam dhe erdhën të dy të nesërmen. Qëndroi në këtë gjëndje për tre muaj. Nuk i mungoi asgjë, që nga kurat që ia sillnin nga Italia dhe deri tek shërbimi për të cilin angazhuam edhe një grua me pagesë. Por çdo gjë kishte marrë rrugë. Më 26 nëntor 2006 mbylli sytë përgjithmonë. Atë ditë munda të shkoj në Vlorë për t’i qëndruar pranë vëllajt tim, me të cilin kemi kaluar vitet më të vështira të jetës. U bë një varrim madhështor, ku u mbajtën edhe fjalime përkujtimore. Lidhur me këtë i kushtova poezinë e mëposhtme:
VËLLAIT

Çfarë të të kujtojë, i dashur vëlla,
Jetën që kaluam, tmerr dhe brenga plot,
Bashkë e përshkuam, bashkë të pandarë,
Mendja s’e kupton, pena s’shkruan dot.
S’shkruan se ndjen dhimbje, dhimbje të pamasë,
Për rininë e humbur burgjeve të shkretë,
Burrërinë e vjedhur zemrën në lëngatë,
Shpirtin copëtuar rrjedhëve në jetë.
Kurrë nuk u theve, kurrë nuk u mposhte,
Qëndrove me nder në dallgë e stuhi,
Me fëmijtë gëzove, jetën e ndërtove,
Me vaj e mundime por me dashuri.
Dhe tani që jeta filloi të lulëzonte,
Kur dhimbja mizore ishte flakur tutje,
Tani që dhe zemra filloi të gëzonte,
Përse të dënoi? Përse më nuk duke?
Oh, ky fat i hidhur në shtrat të mbërtheu,
Por ti prapë qëndrove si titan legjende,
Kokën nuk e ule, dhimbja nuk të theu,
I përhershëm mbete, simbol rezistence.

Filed Under: ESSE Tagged With: homazh, për tim vëlla, reshat kripa

Homazh për mikun tonë Lirim Biçaku

May 7, 2018 by dgreca

 

1 shenje zije1 lirim-bicaku-c1200x600[1]

Nga Reshat Kripa/*

I nderuar miku  ynë!

Ju them mik se me të vërtetë i tillë ishe. Ti ishe këshilltari ynë i urtë, ishe burri me një karakter të fortë, i pathyeshëm para tiranisë së diktatorëve dhe i papajtueshëm me prapaskenat e intrigantëve të pamoralshëm.  Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë të përmortëshme në përcjelljen tënde për në banesën e përjetëshme.  Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde të urtë. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Ishe i ri kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak fisniku. Ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.                Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin ato ditë të zjarrta kur mblidheshim dhe diskutonim për të ardhmen e atdheut tonë të përvuajtur. Diskutonim për shoqatën tonë të nderuar që përfaqesonte frymën më demokratike të shoqërisë shqiptare, frymën e nacionalizmit shqiptar. Këtë  nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar.

Ti i përkisje asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Doje të jetoje i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën tënde. Doje të jetoje në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut,  jetoje në një epokë të gabuar. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje mendimet e  lira, ndjenjat e shpirtit  të pastër. Jetoje në atë epokë kur kishe dëshirë për të studiuar dhe nuk të linin të studioje, kishe dëshirë për të punuar dhe nuk të linin të punoje, kishe dëshirë për të jetuar dhe nuk të linin as  të jetoje. Jetoje në atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.

Të nderuar familjarë. Më lejoni t’ju sjell ngushëllimet tona. Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë .Ai ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim  në krahun tonë. Humbëm mikun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes mikun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Qoftë i lehtë dheu që  i  ra përsipër!(Foto-Kortezi-Telegraf)

Filed Under: Opinion Tagged With: homazh, Lirim Bicaku, reshat kripa

BOSTON- NA IKU NJË NGA SINICARËT MË TË MIRË

August 27, 2017 by dgreca

-Homazh për Petraq Dimashin/nga Fuat Memelli/

Petraq Dimashi
         Dhimbja për Petraqin ishte e veçantë, pasi ai kishte një zemër të madhe; se i deshte njerzit dhe e donin; se punoi me përkushtim 14 vjet që shërbeu si oficer në Shqipëri; se punoi 20 vjet në dy punë në Amerikë dhe kudo la gjurmë të pashlyera; se e deshte Sinicën dhe sinicarët me gjithë shpirt; se kur duheshin mbledhur kontribute për fshatin, për ndërtimin e kishës së Shën Thanasit , për kishën e Shën Kollit apo për rikonstruksionin e shkollës së fshatit, etj, ishte ndër të parët. Ai jo vetëm jepte vetë, por edhe mblidhte nga sinicarët e tjerë në Çikago, për t’i dërguar në fshat. Në kontributet që jepte, e mbështesnin edhe gruaja e tij, Mimoza si dhe djali, Nasi. 
        Emigrantë të rinj që vinin pas tij në Amerikë, e kujtojnë Petraqin  për zemërgjerësinë që kishte duke i dhënë jo vetëm kurajo, por edhe lek sa t’i ndodheshin. E ç’duhet të bëjë më shumë një njeri i mirë?! -Malli për vendlindjen e digjte si prush. Kur shkoi pas disa vitesh, takoi çdo fshatar dhe shkoi e piu ujë në shumë burime. Një natë vajti te Guri i Boshkos ku e kishte fshatin si në pëllëmbë të dorës. Donte të shkonte përsëri, thotë Momoza, por sëmundja nuk e la.
Petraqi me bashkëshorten Mimoza dhe djalin, Nasi
 
KUSH ISHTE PETRAQI?
Kujtim nga vitet
e ushtrisë

Po themi shkurt disa fjalë për ata që nuk e njohin. Ishte një nga djemtë e Irakli Dimashit, nga Sinica që tani përfshihet në rrethin e Devollit. (Para viteve ’90, bënte pjesë në rrethin e Korçës.) U lind dhe u rrit në Sinicë. Pas mbarimit të shkollës 7 vjeçare në fshat, vazhdoi shkollën “Skënderbej” si dhe “Shkollën e Bashkuar të Oficerëve” në Tiranë, të cilën e mbaroi në vitin 1980. Këtë vit kur ishte me stazh në fshatin Drenovë, u njoh me Mimoza Nolen, e cila u bë bashkëudhëtarja e jetës së tij. Punoi në disa reparte të rrethit të Korçës si shef ndërlidhje në repartet e  Dardhës, Drenovës, Bellovodës, në Korçë ,etj. Në vitin 1994, si shumë oficerë të tjerë, e liruan edhe Petraqin. Në vitin 1996, ardhi në Amerikë dhe u vendos në Çikago, ku kishte patur edhe më parë mjaft sinicarë, midis tyre edhe të afërm të tij. Në fillim punoi si mekanik e supervizor në kompaninë e sinicarit, Xhorxh Shamata. Më pas u punësua në kompaninë e njohur të shitjeve”Wollmart”, ku qëndroi për disa vjet. “Imperiali” ishte kompania tjetër e njohur ku Petraqi gjithashtu la gjurmë të pashlyera.

NJË VLERËSIM I VEÇANTË
            Kompania “Imperial” ku ai punoi për disa vjet, një ditë organizoi një veprimtari me punonjësit e saj. Ishte ftuar edhe Petraqi me bashkëshorten. Në fillim foli pronari i kompanisë për punën dhe arritjet e saj. Para se ta mbyllte fjalën, ai tha:”Këtu mes nesh, ndodhet një punonjës të cilin dua ta falenderoj në mënyrë të veçantë. Ai nuk është vetëm mekanik, por është i gjithanshëm, bën çdo punë. Petraqi ka bërë edhe punën e doktorit. Një ditë, një punonjës i yni, kishte pësuar atak dhe rezikohej të vdiste. Petraqi si të ishte mjek, i bëri frymëmarje artificiale dhe e shpëtoi. Kur mbriti ambulance, personi në fjalë e kishte kaluar situatën.(Kështu si “mjek” në momentet e para, ai i është gjendur edhe personave të tjerë në kompanitë që ka punuar.) Unë nuk e di se çfarë shkollash qënkan ato në Shqipëri që përgatitkan njerëz të tillë? Pastaj presidenti i kompanisë, një burrë i vjetër, u afrua te Petraqi dhe e përqafoi. Pas tij, e përqafoi edhe i biri. Salla shpërtheu në duartrokitje. Mua më shpëtuan lotë, shprehet Mimoza. Po ky bos i kompanisë, si mirënjohje për punën e mirë që bënte, për Krishtlindje i jepte Petraqit një çek të mirë.
Në Çikago me nënë Ollgën, vëllanë Andrea,  me Mimozën, Nasin, etj.
“LERENI DUHANIN TË MOS PËSONI FATIN TIM”  
    
            Petraqi vuajti nga sëmundja më shumë se një vit. Kishte patur kancer në mushkëri. Familja dhe mjekët bënë çdo gjë për ta shpëtuar por pa rezultat. Pas një mjekimi të posaçëm, gjendja u përmirësua dhe familja mendoi se ia hodhi. Por, nuk qe e thënë. Sëmundja kishte “dremitur” brenda trupit të tij të shëndoshë dhe pastaj kishte kaluar në tru. Kjo ishte edhe faza finale që e mposhti Petraqin. Pas analizave që bënë mjekët e Çikagos, dolën në përfundim se sëmundja e tij ishte”Big one smog cancer”( një kancer i madh nga duhani.) Mjekët kishin qëlluar në shenjë. Petraqi kishte pirë duhan për afro 40 vjet. E la kur u sëmur, por ishte vonë. Mjeket thanë:”Po ta kishte lënë para dy vjetësh, do kishte shpëtuar”. Kur mësoi shkakun e sëmundjes dhe fundin që e priste, i bëri apel djalit, miqve e shokëve:”Lereni duhanin që mos pësoni fatin tim”.
        Petraqi u përcoll me nderime nga shumë pjesëmarrës: sinicarë, qytezarë, dardharë si dhe shokë e miq të tjerë. Ai do prehet në vorrezat e shqiptarëve në Çikago, pranë të afërmve të tij. Ja kështu na iku edhe një nga sinicarët më të mire, por që nuk do të harrohet.
 
Kujtime nga Sinica. …..  ..

 

Me Thoma Pazollin e Perikli Panon
Me Marjon Panon e Koço Dimashin

 

Gusht, 2017.

Më 20 korrik të këtij viti, në ditën e Shëndëllisë, ndrroi jetë në Çikago në moshën 61 vjeçare, sinicari Petraq Dimashi. Jo vetëm familja, por shumë shokë e miq të tij, ndien dhimbje. Është dhimbja për njeriun që ikën e nuk vjen. Por, për Petraqin u ndie shumë kjo dhimbje, jo vetëm se “nuk e kishte rradhën” siç shprehet  nënë Ollga për djalin e saj.-Rradhën e kisha unë se jam 86 vjet por sëmundja nuk pyet, thotë ajo. 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fuat Memelli, homazh, për Petraq Dimashin

Homazh për Ali Podrimjen

July 21, 2017 by dgreca

1-albana

Nga Albana M.Lifschin*/

ali_podrimjaShkalla e Poezisë Zotëri, bujarisht, nga ai fron perëndie ku qëndroni Ju , më lëshuat një shkallë. Ngjitu, më thatë. Por a mundem? Tek ju shoh Ju aq lart, Ndjej të më merren mend. (2010) Si e njoha unë Ali Podrimjen… Ka qenë fund tetori i vitit 2009 kur mora mesazhin e parë elektronik nga Ali Podrimja ku më shkruante se kishte lexuar dy herë librin tim me poezi ”Dje preva flokët” dhe se përveç poezisë titullin e të cilës mban libri, i kishin pëlqyer mjaft poezitë e shkurtra. Por mesazhi nuk mbetej në kufijtë e një komplimenti, siç ndodh zakonisht, por sugjeronte që të ndiqja rrugën e poezisë eliptike. ” Unë e respektoj një artikulim të tillë dhe e përkrah sepse aty është edhe mëncuria krijuese si dhe bukuria e artikulimit. Mendoj se kësaj rruge duhet të ecni dhe këtë ta bëni për hir të vet poezisë, e cila duhet të jetë një filigranizëm. Ndiqni rrugën e poezisë eliptike, filigramit zonjë. E bëni këtë për hir të poezisë tuaj dhe letrave shqipe” Deri atë kohë kisha marrë komplimenta e urime nga lexues e kolegë, nga poetë të njohur e të respektuar, por askush si Podrimja deri atë kohë, s’ishte prononcuar në një mesazh privat në emër të letrave shqipe, duke ngacmuar ndjenjën e madhe të përgjegjsisë që duhet të kemi kur vëmë penën në letër. Në mesazhin e Poetit dërguar në postën time në e-mail, në 31 dhjetor 2009, lexova: “Ajo që më gëzon është se poezia juaj gjithnjë e më pak ka fjalë të tepërta. E shoh se Ti dallon shumë nga poetet e tjera të hapësirës shqiptare. Artikulimi yt poetik sa vjen e bëhet më interesant për lexuesit. Urime poeteshë dhe suksese gjatë vitit që po trokasim.” Mendoj që këshilla e tij “për të hedhur tej nga trupi i poezisë fjalët e tepërta” ishte një mesazh që i drejtohej të gjithë poetëve. Në faqet e Jetës së Re në 60 vjetorin e saj, në mbyllje të vitit, qenë botuar disa poezi të miat. Atë kohë jam frymëzuar e kam shkruar poezinë kushtuar Ali Podrimjes “Shkalla e poezisë”. Ai më dërgoi një mesazh falenderimi me mirënjohje ku shprehej se kishte mbetur ‘pa tekst’, “sepse lexoja një poezi të rallë”. Në letrën e 26 Janarit 2010, Ali Podrimja, më shkruante: “Pata fat ndoshta që i pari i lexova poezitë Tuaja të fundit. Keni arritur një shkallë të lartë të ekliptizmit dhe kjo më gëzon. Ju lutem filloni t’i sistemoni nëpër cikle dhe ta krijoni librin e ri të cilin do t’ma dërgoni para botimit.” Dhe kështu ndodhi që unë pata fatin që Ali Podrimja, Poeti ynë kombëtar, të përgatiste për botim vëllimin tim poetik “Ka gjithmonë diku” duke shkruar edhe parathënien e tij. Ndihesha sa e nderuar aq edhe e habitur njëkohësisht me thjeshtësinë, me sakrificën kohore që AI bënte për të inkurajuar poetët. Koha është e çmueshme për të gjithë, por edhe më e çmueshme për përfaqësuesit e vlerave tona kombëtare. Ne ua respektojmë kohën atyre. Por Ali Podrimja nuk e përdorte atë vetëm për poezine e tij . Ai jepte kohë nga koha e tij edhe për krijuesit e tjerë, të rinj apo të vjetër qofshin, dhe kënaqësia që i jepte kontributi për ta ishte e madhe. Kështu mund ta përjetojë vetëm ai që ka shpirt fisnik. Ali Podrimja ishte vazhdimisht në kërkim të së bukurës në letërsi duke e ndjerë si “obligim ndaj poetëve, por edhe si guxim moral” ndërkohë që na udhëhiqte si POET dhe si NJERI. Ali Podrimjen e njoha personalisht pas botimit të librit, kur shkova në Prishtinë për ta falenderuar e shprehur mirënjohjen time. Nuk e kisha parë asnjëherë. Më priste ne aeroport bashkë me kolegen e Radios Vera Pelaj. Kisha lexuar kryeveprën e tij Lum Lumin, dhe kisha mbetur sa e drithëruar aq edhe e mrekulluar. Kisha lexuar esetë tek “Sfida e harrimit “ kisha parë kulturën, artistin e fjalës dhe fisnikërinë e shpirtit. Duke përfunduar këtu, desha të citoj kritikun Bashkim Kuçuku kur tha:”Ali Podrimja, nuk jeton vetëm poezinë e tij, por me krejt poezinë shqipe. Për dhjetra vjet duke punuar si redaktor në Shtëpinë botuese ‘Rilindja’, Podrimja ka ndikuar ndjeshëm në përpunimin dhe ngritjen cilësore të saj….në vëllimet e shumtë që ka redaktuar, të disa brezave, është edhe inkurajimi, “ndërhyrja’ apo qortimi mjeshtëror i tij…. Me këto ndihmesa, krahas poezisë së vet është bërë poeti më autoritar dhe më i përkujdesshëm ndaj krijimtarisë së poetëve të tjerë, sidomos të rinjve. Nuk është e rastit që pikërisht Ali Podrimja, ka patur dhe vazhdon të ketë dishepuj, më tepër se çdo poet tjetër i ditëve të sotme.” Ali Podrimja u largua papritur nga ne tre vjet më parë, por Poeti i Madh vazhdon e do të vazhdojë të lëshojë shkallë inkurajimi për krijuesit ,siç shprehej ai ”për hir të poezisë , për hir të letrave shqipe”.

  • U shkrua në kohëpërcjelljen e poetit kur ndërroi jetë. Botohet me rastin e 5 vjetorit te largimit nga jeta te poetit/

Filed Under: ESSE Tagged With: Albana M. Lifschin, homazh, për Ali Podrimjen

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë
  • Piktorja gjen optimizmin e jetës përmes ngjyrave, stili abstrakt shkon përtej mendimit
  • Po Dibres, Jo “SKAVICES”!
  • Si i grabiste regjimi komunist emigrantët
  • Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi priti sot në takim shefen e Zyrës së Greqisë
  • “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit: vështrim i shkurtër historiko-kulturor”
  • JOSHJA E PYLLIT TË KUQ
  • Nertila Sinameta mes Shqipërisë, Italisë dhe Kinës
  • SHENJTORËT SI PROMOVUES TË FQINJESISË SË MIRË
  • PRESIDENTI JOHN F. KENNEDY, BERLIN, 26 Qershor1963: “ICH BIN EIN BERLINER”, “Unë jam qytetar i Berlinit”
  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT