-Thaçi: Rrugët e Prekazit janë rrugët e lavdisë dhe heronjtë do të jetojnë përjetësisht në zemrat tona/
-Mustafa: Jemi së bashku me kabinetin qeveritar për të bërë nderime tek heronjtë e familjes Jashari/-Veseli: Komandanti Legjendar, Adem Jashari dhe të gjithë heronjtë e tjerë, janë garancia më e madhe e shtetit të Kosovës/
PRISHTINË, 6 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Në kuadër të manifestimit për shënimin e 19 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot po bëhen homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, si dhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në komunat e vendit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe ditën e djeshme, ndësa sot bënë edhe drejtues të tjerë institucionalë e politikë.
“Në nderim të sakrificës madhore të familjes Jashari, sot bëra homazhe te varrezat e tyre në Prekaz.Rrugët e Prekazit janë rrugët e lavdisë dhe heronjtë do të jetojnë përjetësisht në zemrat tona”, është shprehur Thaçi.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezave të Familjes Jashari në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në kuadër të manifestimit për shënimin e 19 vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
I shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramiz Kelmendi dhe ministrat e kabinetit qeveritar, kryeministri Mustafa ka përkujtuar trimërinë dhe sakrificën më të madhe që një familje shqiptare ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Jemi së bashku me kabinetin qeveritar për të bërë nderime tek heronjtë e familjes Jashari. Ne të gjithë vlerësojmë se vepra heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e Shaban dhe Hamëz Jasharit, e familjes Jashari, janë vepra të cilat kapërcejnë kornizat e historive të flijimit të tillë për liri të vendit dhe për mbrojtje të pragut të shtëpisë. Është vepër, që meriton respekt të veçantë te të gjithë ne dhe para së cilës ne përkulemi të gjithë”, tha kryeministri Mustafa.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 19-vjetorin e sakrificës së Familjes Jashari, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz.
Kryeparlamentari Veseli tha se edhe pas gati dy dekadave nga kjo sakrificë, plagët ende mbesin të freskëta, po aq sa edhe dhimbja, por edhe forca e krenaria.
“Kosova jonë, për të cilën këta heronj sakrifikuan, është duke ecur përpara, si shtet i pavarur dhe sovran. Komandanti Legjendar, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij dhe të gjithë heronjtë e tjerë, janë garancia më e madhe e shtetit të Kosovës, por edhe frymëzimi për rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit”, theksoi kryeparlamentari Veseli. Ai tha se institucionet e Kosovës ende kanë shumë për të bërë, por shtoi se me besimin në gjakun e derdhur, Kosova do të bëhet shembull i zhvillimit.Në mbrëmjen e sotme, ora 18:00, në Prishtinë, do të mbahet Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri. Kosova, me manifestime të organizuara nga qeveria, të nisura dje me paradë ushtarake të FSK-së në Prishtinë, e që vazhdojnë edhe nesër, gjatë tre ditëve, në 5, 6 dhe 7 mars, kujton e nderon Epopenë e UÇK-së, heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz, para 19 viteve.Në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë./b.j/