• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AROMË SHKODRE

February 14, 2019 by dgreca

1 I biri Karmeles

Përsiatje vetjake duke lexuar rrëfimet e jetës të muzikantit Karlo Radoja./

Nga Kolec TRABOINI/

Duke e lexuar librin e Karlo Radojës, me të cilin jam moshatar, le e rrit në të njëjtin qytet, ve re se rrethanat e jetës na kanë vu disa herë në të njëjtën hulli pa u njohur nga afër. Karlo ka qenë në Liceun Artistik Tiranë, e në atë konvikt të liceut të vjetër ku një vit ma vonë kam shkuar edhe unë, atbotë në Shkollën Pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka”. Kemi qenë në një kohë në shkollë në Tiranë e shumë njerëz që përmend në kujtimet e veta kanë qenë miqtë e koleget e mi, si ta zëmë muzikanti Robert Radoja, apo këngëtari i paharruar Tonin Tershana. Ky i fundit në atë kohë ishte në Shkollën e Kulturës, flitet për vitin 1964, tek kazermat e Ali Rizait, Qyteti i Nxënësve. Banonim në të njëjtin konvikt me Toninin, deri sa një ditë më takoi e me tha, po iki nga shkolla e u kthye në Shkodër.

Në librin me kujtime të Karl Radojës e gjeta Tonin Tershanën në kohën kur ishte në Estradën e Ushtarit, ndërsa Karlo në Orkestrën e Ansamblit të Ushtrisë. Rrethanat e kanë dërguar Karl Radojën mësues muzike në Tropojë, pikërisht në atë kohë, 1967, unë kam qenë ushtar në atë vend. Ka punuar në Fabrikën e Cigareve ndërsa unë përballë, tek Kombinati i Drurit, krejt saktë Fabrika e Fibrës ku kishim inxhinier të paharruarin Bujar Bedalli.

Shumë nga njerëzit që përshkruan Karlo në rrëfimet e jetës së tij, po e përsëris, i kam njohur, dhe ve re ka arritur me vërtetësi të përcjellë jetën e atyre viteve, veçmas 1970-1990. Janë ngjarje të shumta, e për shkak të shkollimit si muzikant i ka qëlluar të jetë shumë afër në gëzimet e njerëzve, në dasmat e shkodranëve. Jeta e tij me kujton jetën e Kol Idromenos në rini, kur bashkë me motrën Tone shkonte nëpër dasma e gëzimet e familjeve shkodrane; ai, Kola, si instrumentist dhe e motra si këngëtare. Kësisoj jeta qytetare (më vjen ndërmend në këtë çast njeri ndër muzikantët popullore më pikantë, Pjetër Gjini, që përmendet me admirim në këtë libër),  vinte pra me një ripërtëritje nëpër breza duke krijuar një traditë të mrekullueshme në familjet shkodrane. Ndoshta si askund tjetër

Ka ngjarje, kujtime personale e familjare por edhe marrëdhënie me njerëz të tjerë në kushtet e jetës e privimeve së asaj kohe. Mënyra e përshkrimit më pëlqen sepse nuk ka asnjë stisje letrare. I qëndron të vërtetës, janë kujtime të thjeshta e jo biografi e letrarizuara; këtu qëndron merita dhe e bukura në këtë libër.

Ishte e natyrshme që njerëzit që e kanë rrethuar në ato vite të vështira, nuk e kanë pas të gjithë në të mirë, se kemi pas rreth nesh edhe njerëz që, me dashje apo pa dashje, mund të na kenë bërë ndoshta keq. Autori ka shënuar gjithçka që ka parë e ka ndjerë, si ka vepruar dhe çfarë ka pësuar. Kemi në faqet e librit të Karlo Radojes “I biri i Carmeles dhe i Ndocit” një regjistrim nga këndvështrimi i përjetimeve të thella personale. I përpiktë, me ngjarje e emra reale. Dhe mirë ka bërë në këtë drejtim. E kujt i vlejnë kujtimet ku gjithçka mund të duket e mirë dhe e bukur, kur jeta në të vërtetë mund të ketë qenë një ferr plot travajë. Po kjo natyrisht që nxjerr probleme. Se, kur unë shkrova një copëz kujtim mbi kohën e rinisë kur u ktheva nga ushtria, krejt troke e pa strehe, pa asnjë mjet jetese,  një drejtor ndërmarrje me gjithë rekomandimet që kisha nga Zina Franja – të cilës i kërkova ndihmë se të gjitha dyert e jetës i kisha të mbyllura, – ai drejtor pra, nuk më pranoi në punë. Më tregoi derën. Shko ku të duash po jo në ndërmarrjen time. I biri, që bashkë me babain, drejtorin e komunizmit tashmë jeton në Kanada, u ngrit e më kërkoi llogari me pretendimin se, “nuk ka qenë babai im kështu. E respekton gjithë Shkodra “- tha. Po mor zotni, Shkodra e respekton, por pa punë e pa strehë isha unë e jo ti. Pikërisht për këtë hezitojnë të shkruajnë kujtimet e veta artistët apo edhe njerëzit e thjeshtë.

Edhe sikur unë, autori i këtij shënimi,  ti kisha bërë ndonjë të keqe Karlo Radojës, të isha rrahur me të, ta zëmë, si bashkëmoshatarë rrugicash de, e ta shkruante në libër, nuk ka pse të më mbetej qejfi. Them kështu sepse po shoh ndonjë reagim të nxituar që e tejkalon dashamirësinë në leximin e një libri me kujtime personale të Karlo Radojës. Po marr një shembull edhe nga jeta ime, për të treguar se kujtimet nuk shkruhen për ti bërë qejfin këtij apo atij personi, i afërt apo i largët qoftë, por për të thënë çfarë i ka ndodhur në jetë njeriut, çfarë është përvoja e një jete. E në jetë ndodhin gjëra të bukura e të pabukura. Në faqet e librit lexova se mësuesi i letërsisë Ndrek Beni i ka futur një shpullë nxënësit Karlo Radoja, dhe ky i fundit ka shkruar për këtë. Ngjarje shkollash sigurisht. Mësuesit tanë kanë qenë të mirë (edhe unë e kam pas babanë Palok Traboini mësues e krenohem për këtë), ata kanë qenë vërtetë të drejtë e parimorë, por edhe të rrepte dhe e kanë pas dorën e gjatë. Përdornin edhe vizoren, si mësuesi im i pa harrur Kol Alimhilli. Ne i duam dhe e nderojmë kujtimin e tyre, por ashtu siç kanë qenë e jo të sheqerosur nëpër kujtime bajate. A duhet, ta zëmë, ti thonë autorit, pse ke shkruar për këtë apo atë ngjarje apo person në kujtimet e tua? Thashë me lart po zë një shembull edhe nga vetja ime. Krejt ngjashëm me ndodhinë e  nxënësit Karlo Radoja me mësuesin Ndrek Beni më ka ndodhur edhe mua me mësuesen e bukur e admiruar Gita Shllaku.
Mësuesja, për të cilën ende në Shkodër këndohet kënga e Gac Çunit  “Kaçurrelat e tua”,  kur isha në klasë të gjashtë më dha një paravesh, saktësoj, aspak për fajin tim, por të një nxënësi pas meje që me shqetësonte pas kurrizit me një maj pene. Po mësuese Gita nuk e pa atë, ndjeu reagimin tim kur po i thoja trazovaçit pas meje më lër rehat. Pse flet më tha, mësuesja, dil përpara klasës e me futi atë shpullën që me djeg edhe sot. Më tha ulu në bankë por unë dola nga klasa e nuk u ktheva kurrë më në shkollën ku ishte mësuese Gita. Ndoshta Lek Jana apo Luan Burgia, që përmendën në këtë libër, të cilët i kisha shokë klase disa vjet e mbajnë mend. Kjo është histori e vjetër dhe ka vlerë vetëm për kujtimet e mia personale të cilat nuk ka pse të mos i shkruaj. Më vonë kur isha rritur e kam takuar mësuesen në Gjuhadol, e plakur por mrekullisht ende e bukur.  Me pyeti e i thashë se kisha mbaruar Universitetin e tashme punoja ne Kinostudio e jetoja në Tiranë. Mbeti pa mend. Pastaj kemi qeshë të dy dhe më tha se ajo shpulla ime të paska dhanë të mbaren. Tani a duhet ndokush nga të afërmit e mësueses sime të më thotë pse ma përmende njeriun tim? Jo, se janë kujtime personale, e ato nuk kanë qëllim për të denigruar askënd, por për thanë të vërtetën sado vetjake, që fundja nuk i bëjnë dëm askujt.

Kështu edhe me kujtimet e Karlo Radojës, që në disa vende është e hidhur por kjo hidhësi nuk buron nga ai, as nga shpirti i tij, por nga ata që i kishte afër e ndonjë prej tyre ja kishte me të keq. Kam shkruar e botuar mbi tridhjetë libra, nuk më mungon përvoja, por them të drejtën më pëlqen shumë mënyra se si i ka shkruar kujtimet e veta muzikanti Karlo Radoja në librin “I biri i Carmeles dhe i Ndocit”.

Prej çdo libri, sado i thjeshtë e pa pretendime të jetë, mëson diçka, diçka që të nevojitët në jetë, kryekreje për të qenë vetvetja e jo të sheqerosësh realitetin, sepse kujtimet e jetës nuk shkruhen për të bubulluar, as për të çuditur të tjerët apo mikluar njerëz, por për të hyrë thellë në shpirtin e njeriut e për ta zbuluar atë në dritë të diellit. Do të përdorja një shprehje proverbiale latine, mbase e dalë nga goja e Jul Cesarit “Erdha, pashe, fitova!” – kështu ndodh kur lexon një libër të mirë me rrëfimet e jetës së një artisti.

Pasi lexova librin me kujtime të Simon Rrotës, bashkë me librin e Karlo Radojës, u mbusha me Shkodrën time të shekullit që shkoi, plot ngjarje e njerëz që, ani pse kurrë ma nuk kthehen, më erdhën aq pranë e nuk do të ikin prej meje kurrsesi. Kësisoj ndodh kur, një piktor i madh dhe një muzikant i njohur, që dinë çfarë është harmonia e ngjyrave dhe e tingujve, dinë njëjtësisht të përbashkojnë atë harmoni edhe me fjalën e shkruar në kujtimet e jetës së tyre me aromë Shkodre.

Filed Under: ESSE Tagged With: arome shkodre, I biri i Karmeles, Kolec Traboini

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT