Nga Ilir Levonja/
Qytetarë të Maqedonisë, nuk e kam për zor të them se më emocionuat.
Para disa kohëve kam shkruar se shqiptarët, me një fjalë liderët, duhet të flasin për fatin e popullit të tyre. Dhe prapë do ta them, edhe pse nuk e di përshembull, për çfarë konkretisht foli Rama me Metën, dje në Pogradec. Më dt 16/05/2015 me Menduh Thaçin dhe Ali Ahmetin. Aq më tepër që këta të vendit amë vinin nga shfryjrjet e fushatës në Korçë dhe rreth saj. Kurse bashkëkolegët e tyre nga një kohë acari politik në Maqedoninë multietnike. Ku më e hidhta edhe pse u vranë katërmbëdhjetë shqiptarë, asnjëri prej tyre nuk tregoi shenjë pendese. Edhe pse u shkatërrua qëndra e një qyteti shqiptar, asnjeri prej tyre nuk tregoi indinjatë. Indinjatë edhe ndaj vetes. Ndaj bashkëqeverisjes. Do duhen vite për të kaluar këtë traumë psikologjike të një politike të tillë, pa fajtorë. Por si Thaçi apo dhe Ali Ahmeti nuk duan ta kuptojnë këtë.
Duhej të shikonim posaçërisht një show. Iku Thaçi erdhi Ahmeti. Nuk ishte e mundur të gjithë bashkë.
Rama na tregoi vetëm një seri fotoshopesh në fb ku me mijra adhures i lavdëronin bluzën dhe e shenjonin si baba të Kombit.
Në fakt gjithmonë kam pyetur veten se për çfarë përvoje politikanët e Shqipërisë mund tu flasin atyre në Kosovë dhe Maqedoni, apo Malin e zi.? Çfarë ka të mirë midis politikës në vendin amë, që duhet tu përcillet atyre. Bashkëpunimi? Ata asnjëherë nuk kanë bashkëpunuar për veten e tyre. Ndërsa kanë bashkërenduar në llojin e vet vetëm pështymë, mohim, fyerje dhe ngjizjen e një lufte moderne klasash. Për shkak edhe të përkatësisë politike.
A nuk po ndodh edhe në Kosovë kështu.? A nuk po ndodh edhe në Maqedoni e njëjta gjë.?
Çfarë të mire ka midis politikës tonë që tu a shërbejmë vëllezërve në Maqedoni, Kosovë, apo Malin e Zi? Një model që do të na përfaqësojë edhe nesër në parlamentin europian?
Se e dimë përshembull që Ibrahim Rugova u bë një soj modeli unifkimi. Kështu edhe Arbën Xhaferri në Maqedoni. Por që të dy nuk jetojnë më. Dhe që të dy përkujtohen sa për sy e faqe. Jo për model. Këta që janë sot, mbetën duke thelluar ditë më ditë hendekun mes dyshes.
Dhe Kryeministri i Shqipërisë që çdo darkë pi kafen me Bashën, ka se çfarë t’i thojë Menduhit. Ka se çfarë t’i thotë Ali Ahmetit. Ndofta për ftesën që i bëri të vdekurit Isa Boletini, thesit me kocka që rri varur. Në kohën kur nuk mbledhë kockat e shumë shqiptarëve të tjerë. Të paktën e atyre që e kanë lënë me amanet.
Nga njëra anë promovon gratë. Nga ana tjetër u thotë pionerëve që të tallen me doktorin e grave. Dhe ata ngelën duke përmenduar, duke e denigruar, poshtëruar, përfolur, pështyrë. Pasi vetë kanë dalë nga gra që i lindin fëmijët nga sqetullat. Dhe në të njëjtën kohë u puthin duart grave që gjoja ndodhen rastësisht në grumbullimet me urdhër.
Mund tu flasi për bojkotin. Për mënyrat se si rriten shifrat e borxhit publik. Se si mund t’i marrësh lekë muslimanëve të Turqisë për xhamitë. Dhe ortodoksëve të Greqisë për kishat. Dhe kjo është rritje ekonomike. Për strategjitë apo manovrimet teknike përballë statutligjit të nënpunësit civil dhe militantit partiak. E sa të tjera.
Qytetarë të Shkupit. U përfol se do copëtohej Maqedonia. Ju dëshmuat të kundërtën.
U përfol për përgjime. Për inskenime dhe përdorime të nacionalizmës, duke shfrytëzuar çështjen Shqipëria e madhe. Apo shqiptarët. Ju dëshmuat të kundërtën. Duke kërkuar me të drejtë dorëheqjen e një Kryeminstri, i cili do të forcojë absolutizmin e tij në pushtet, qoftë edhe me jetë njerëzish. I quajtën shqiptarët indianë, i përbuzën. Ju dëshmuat të kundërtën. I ftuat në protestë, lidhët flamujt.
Edhe pse po vazhdojnë të mashtrojnë duke përmendur orë e çast destabilizimin. Ju prapë jeni aty. Qetësisht dhe qytetarë. Ndaj Zaevit i duhet thënë qëndro. Dhe shqiptarëve të përbuzin liderë të tillë, të tipit show.