Nga Anton Cefa*/
Është spekuluar dhe spekulohet edhe sot e kësaj dite me nocionin qytetërim, hapësira e gjerë e të cilit, duke u shtrirë në sfera nga më të ndryshmet të jetës lëndore e shpirtërore të njeriut, i ka krijuar mundësitë për një gjë të tillë.
Siç dihet, ka një qytetërim teknologjik, me funksione praktike utilitare, që ka arritur në kulmet më të pamenduara të realizimeve të njerëzimit dhe që ecën përpara me një shpejtësi marramendëse, dhe një qytetërim tjetër-më të lartë, më të vyer, më njerëzor. Është ky qytetërimi shpirtëror, me funksione humane-artistike, i krijuar prej shumë popujve që në kohërat më të larta.
Qytetërimi teknologjik ka siguruar një nivel të lartë jetese-në mënyrë të padiskutueshme-, por ai shpesh e ka dëmtuar njerëzimin, duke u përdorur në dëm të tij.
Kjo është arsyeja që e ka shtyrë George Bernard Shaw-n të shprehet (në esenë “Dreqi flet”): “Në artet e jetës, njeriu nuk ka shpikur asgjë, ndërsa në artet e vdekjes, ai e ka tejkaluar”.
Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërës të qytetërimit shpirtëror, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike, si fisnikëria e ndjenjave, urtia e mendimit, bukuria e sjelljes, vlerësimi i së bukurës, çmimi i së drejtës, maturia e burrërisë, masa e fjalës, toleranca në marrëdhënie me të tjerët dhe një virtytësi e lartë e konkretizuar tek nderi, elementi më spikatës e më themelor i siluetës shpirtërore të popullit tonë, besa, mikpritja dhe përbërës të tjerë rrallë të arritur në historinë shpirtërore të popujve dhe shumë më rrallë të tejkaluar.
Duke vlerësuar këto cilësi të karakterit dhe virtytet e larta morale të shqiptarit, Thomas Smart Hughes, ka shkruar: “ato cilësi i bëjnë nder natyrës njerëzore” (Travels in Sicily, Greece and Albania”, London 1820, v. 2, p. 344), dhe F. S. Douglas: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh” (An Essay on Certain Points of Resemblance between the Ancient and Modern Greeks”, London, 1813, p. 190).
Këtë botë të pasur shpirtërore, që përbën tharmin e shpirtit shqiptar, populli ynë e krijoi si një kanunësi të jetës, e zbatoi me një përkushtim të lartë dhe e ruajti si thesar për t’ua lënë trashëgim breznive.
Elemente të kësaj kanunësie, ai i veshi me rrobe juridike, duke i bërë impulsin organizativ themelor të jetës. Kështu ai krijoi të drejtën zakonore, nën emrin e princit Lekë Dukagjini, aq bukur të përmbledhur nga Gjeçovi.
Pikërisht ky kod ligjor, pasqyrë autentike e qytetërimit tonë të lashtë-që na rreshton në një vend të nderuar, krahas popujve që krijuan kodet e veta të jetës, u sulmua me qëllime denigruese në shërbim të synimeve të tyre shoviniste për të gllabëruar trojet tona, nga një zhgan “akademikësh” sllavë, të cilët shpejtuan t’i vënë etiketën e egërsisë e të barbarizmit, duke e quajtur primitiv e të përgjakshëm. Si kryeargument për këtë u suall ligjësia kanunore e gjakmarrjes, që ka qenë një përpjekje e hekurt për të vënë rregull e drejtësi në një shoqëri ku mungonte shteti dhe institucionet shtetërore të së drejtës dhe aspak një veçori e shpirtit tonë etnik.
Kanuni shqiptar i maleve, që është kanuni i jetës shpirtërore mbarëshqiptare, i ndërtuar mbi themele të drejta e të qëndrueshme dhe, para së gjithash, mbi barazinë dhe i përshkuar katërcipërisht nga një virtytësi e lartë tejet humane është një kundërdëftesë e egërsisë shpirtërore; përkundrazi ai dëshmon një fisnikëri të pashembullt, që rrallë e gjen në kanunet dokësore të popujve të tjerë.
Në Kodin ligjor të Stefan Dushanit, që është një kombinim i së drejtës zakonore serbe me ligjët bizantine, shkëlqen përgjakshëm, si në dritë të diellit, egërsia shpirtërore. Pikërisht, mbi bazën e këtij kodi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1949, iu nxorën sytë viktimave, kufomave iu prenë gjymtyrët dhe iu thyen kokat me çekiçë, u prenë me thika barqet e nënave për të nxjerrë ferishtet e palindura, u dogjën njerëz për së gjalli, u karbonizuan trupa njerëzish.
Ndërsa princi ynë Lekë, në kanunin e tij, ku zdrit tejdukshëm fisnikëria shpirtërore, jo vetëm që nuk i ka lejuar këto krime të përçudura, por përkundrazi ka ligjësuar nderimin ndaj kufomës, ndaj familjes dhe fisit të të vrarit; ai i ka vënë detyrë vrasësit të sjellë mbarë kufomën dhe t’i mbështesë armën tek koka për ta nderuar dhe për ta paraqitur më së bukuri, si dhe detyrime të tjera të kësaj natyre.
Studiuesi dhe përkthyesi në anglisht i Kanunit, shkencëtari i nderuar Leonard Fox, ka shkruar: “Kanuni është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, i cili mishëron një moralitet të pakompromis, të bazuar tek drejtësia, nderi dhe respekti për vetveten dhe për të tjerët”.
Shpirti artistik i popullit tone i derdhur ndër vargje, ka krijuar kryevepra letrare që zënë vende të merituara krahas krijimeve-në këto fusha- të popujve të tjerë. Mjafton të përmendim baladat e këngët legjendare, sidomos Eposin e Kreshnikëve, ku ndriçojnë si lapidar mbi ballin e kombit virtitësia e jetës shqiptare, dëshira për liri dhe vullneti për të mos iu nënshtruar të huajit. Eposi ynë renditet krahas Edave e Sagave të popujve skandinavë, Nibelungen të gjermanëve, Këngës së Rolandit të francezëve dhe Cidit spanjol.
Me të njëjtën bukuri shkëlqimore rrezaton proza popullore, në mënyrë të veçantë përralla- një dëshmi tjetër po aq e fuqishme e vlerave morale e estetike, që gjithashtu i siguron të drejtën popullit tonë për t’u rreshtuar me popullit indian, arab e kelt, popuj që kanë krijuar përrallat më të vjetra të njerëzimit.
E gjithë kjo pasuri shpirtërore është skalitur në gjuhën tonë, e cila na lartëson dhe na bën të krenohemi për lashtësinë, vendin e veçantë që zë në pemën indoevropiane, pasurinë, bukurinë dhe origjinalitetin e saj.
Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë shpirtërore. Nuk po flas për vallet, një manifestim dhe përqendrim (koncentrat) i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë; nuk po flas për kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike; nuk po flas për meloditë e bukura të fyellit e zumareve, lahutës e çiftelisë, etj. ; por po më vjen mbarë të bie si shembull këtu lojërat popullore, në dukje fare të papërfillshme. Ndërsa pushtuesit dhe fqinjët tonë romakë, që realizuan një kulturë të kultivuar të një niveli aq të lartë, dëfreheshin në arena gladiatorësh, duke parë njerëzit e kafshët të copëtonin njëri-tjetrin, populli ynë krijoi një ansambël të mahnitshëm lojërash, që mund të përcaktohen me një epitet fare të thjeshtë: njerëzore; por që dëshmon me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është e huaj, e panjohur.
Sado që kohëra të disfavorshme pushtimesh të huaja, duke përfshirë këtu edhe kohën e diktaturës komuniste, u përpoqën ta gërryejnë qytetërimin e lashtë shpirtëror të popullit tonë dhe e dëmtuan, ai nuk është shuar. Përkundrazi, në kohëra më të qeta, mbasi të futet Shqipëria në rrugën e një demokracie të shëndoshë dhe të kapërcejë maskaradat e politikës së ndytë katovice, që po luhet në vkurriz të popullit tonë, shpirti shqiptar do t’i kthehet vetvetes. Këtu qëndron shpresa, ndërsa siguria qëndron tek vitaliteti ynë etnik.
*(Editorial I Diellit-arkiv)
Rubrika e Diellit- KU ISHTE OMBALI I LASHTË
Nga Nelson ÇABEJ/
Një nga qytetet e lashta të Epirit që përmënd Ptolemeu është Ompali që Ptolemeu e shkruan Όμφάλιον (Omphalion) 1 dhe e lokalizon në koordinatat me gjatësi 450 40’ dhe gjerësi 380 40’. Ky qytet duket se ka qënë qendra kryesore e fisit të ompalëve, të cilët Stefan Bizantini i përmënd krahas fisit të parauejve, që gjithashtu jetonin në luginën e rrjedhjes së sipërme të Vjosës (“te parauejtë dhe ompalejtë fisnikë… që banojnë pranë lumit Vjosa”)2 .
Në vitin 1835 studiuesi britanik W.M. Leake shprehu hamëndjen se Ompalioni i lashtë duhet të gjëndet në themelet e Përmetit. Ai mendonte se kështjella e ndërtuar sipër qytetit të Përmetit nga Ali Pasha Tepelena, ishte ngritur mbi akropolin e qytetit të lashtë, ndonëse ndërtuesi italian i kështjellës i kishte thënë se gjatë ndërtimit të kështjellës nuk kishte parë gjurmë të ndonjë vëndbanimi të lashtë3. N. Hammond e ka lokalizuar Ompalionin në Labovën e Kriqit pranë Gjirokastrës.
Kërkimet arkeologjike ende nuk e kanë gjetur fillin e Ariadnës që shpie te Ompalioni i lashtë, që, pas gjithë gjasash, ndodhet diku në luginën e Vjosës, në afërsi të Përmetit. Një mundësi e pashfrytëzuar për këtë qëllim do të ishte kerkimi i provave gjuhësore që mund të ndihmojnë për vërtetimin e hipotezës së studiuesit britanik, d.m.th. kërkimi i gjurmëve të vëndemrit Ompalion në rajonin rreth Përmetit.
Ptolemeu dhe Stefan Bizantini na kanë dhënë përkatësisht emrin e qytetit Omphalion dhe emrin e fisit omphaleis.
Këtu eshtë e nevojshme të bëjmë një parantezë. Kombinimi ph (φ) i greqishtes së lashtë ka dalë nga indoevropianishtja -bh-. Ndryshe nga greqishtja e lashtë, në ilirisht dhe shqip -bh indoeuropiane ka dhënë -b. Kështu, mund të merret me mënd se rrënja indoeuropiane *nobh- nga e cila ka dalë greqishtja omphalos (ὀμφαλός) ‘kërthizë’, në ilirisht do të ketë dhënë emrin *ombalos ‘kërthizë’ dhe emrin e qytetit *Ombalion. Ka arsye të besohet se forma Omphalion (Όμφάλιον), që del në burimet e lashta greke përfaqëson një helenizim/letrarizim të emrit origjinal të qytetit, që mund të jetë stimuluar edhe nga miti rreth fushës Omphalion (kërthiza e botës) në Kretë, ku Rhea lindi Zeusin. Përsa i takon mbaresës -ion duhet thënë se ajo është karakteristike për ilirishten, siç mund të provohet nga emrat e shumë qyteteve ilire dhe epirote si Damastion, Pelion, Kodrion dhe Krisondiona në Ilirinë e jugut, Dalmion, Oiminikaion dhe Epetion në Dalmaci, Merion në Dardani, Parsion, Rittion, Serbition dhe Potobion në Panoni, Thronion, Passaron dhe Kodrion në Epir, etj. Studiuesi britanik Arthur B. Cook mendon se rrënja e vëndemrit mund të jetë *ompha, që, sipas tij, do të thotë “zë orakullar”4 nga e cila, nëpërmjet etimologjizimit popullor, ka dalë Omphalion.
A ruhet ndonjë gjurmë e emrit të qytetit Ombalion në afërsi të Përmetit? Përgjithësisht, emrat e qyteteve, maleve dhe lumenjve, ndryshe nga emrat e fshatrave dhe mikrotoponimeve të tjera, janë të qëndrueshëm dhe i rezistojne kohës, duke evoluar, por edhe kur jeta në qytet për arsye të ndryshme shuhet dhe qyteti braktiset duhet pritur që emri i qytetit të lashtë të mos humbasë por mbartet në ndonjë vëndbanimi, mal, a vënd tjetër në afërsi.
Nga kjo pikëpamje, në këtë zonë mund të shqyrtohen dy vëndemra, të cilët mund të kenë dalë nga emri i qytetit të zhdukur *Ombalion. Së pari, emri i fshatit Bual, që gjëndet në afërsi të drejtpërdrejtë të Përmetit. Nga ana gjuhësore kjo mundësi është e përligjur fare mirë (humbja zanores ballore o- të patheksuar dhe e mbaresës –ion dhe diftongizimi a-së në -ua-, përmes ndryshimit në -o-). Një mundësi e dytë është që vëndemri *Ombalion të ketë evoluar për të dhënë emrin e malit të Dhëmbelit, në rëzën e të cilit shtrihet Përmeti. Kjo do të mund të ndodhte në qoftë se theksi në vëndemrin Ombal do të binte në zanoren ballore o-. Në një rast të tillë evolucioni i vëndemrit mund të përfytyrohet si vijon: Ombalion > Ambal > Ëmbel > Dhëmbel, ku forma e fundit, Dhëmbel mund të jetë rezultat i një etimologjizimi popullor (Volksetymologie), që synon t’i japë një kuptim vëndemrit – një dukuri jo e rrallë në evolucionin e vëndemrave në Shqipëri dhe në Europë.
Referimet
1. Claudii Ptolemaei, Geographia, Leipzig, 1843, Libri III, 14, 7.
2. Stephani Byzantii Ethnicorvm quae svpersvnt. Red A. Meineke, Berlin, G. Reimer, 1849. f. 503: “σὺν δὲ Παραυαίους καὶ ἀμύμονας Όμφαλιῆας… δὲ ἀπὸ τοῦ παρὰ τὸν Αὺον ποταμὸν οἰκεῖσϑαι”.
3. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece. I, London, J. Rodëell, Neë Bond Street, f. 392.
4. Cook, A.B. (1904). The European sky-God. Folk-Lore XV, 369-426.