Shkruan Eugen SHEHU,
Resnja ! Sjell ndërmend ata vende të bukura,ato male me erë lirie e natyrisht do të ndjehesh krenar. Por krenarinë më të madhe ta falin njerëzit e atyre anëve,ata që u falën atyre viseve,jo vetëm punën,rininë,përpjekjet,por edhe vetë jetën e shtrenjtë,ate që Zoti ta fal veç një herë.Padyshim ndër këta burra të rrallë e fisnikë,Ahmet Nijazi Beu,ka vendin e vet të veçantë.
U lind në Resnjën e bukur,në vitin e largët 1865.Ish djali i parë i Nijazi Beut dhe do të trashëgonte kurdohere emrin e të jatit.Por me një ndryshim.Ate emër të të jatit nuk do ta mbante si relikë por si dëshmi e një trimërie që përcillte nga viti në vit,nga brezi në brez.Brenda atij vizioni përcjellës,janë me dhjetra e qindra ngjarje që ndonëse personale,fitojnë vlera të mëdha ngase pushka ka shkrepur kurdoherë në të mirë të fatit të popullit.
Si të gjithë banorët e atyre trevave,në fillim shkon të studjojë në një shkollë fetare në Resnjë.Gjuha turke i pëlqen,por i jati Nijaziut me mësues privat nis t’i mësojë edhe shqipen.Beu i Resnjës,kërkon kurdoherë që i biri të mësojë në shkollë por të ndjejë edhe përgjegjsinë e të qenurit shqiptar.Kjo frymë do ta shoqëronte Ahmedin e vogël deri në fund,ai do të përshkruante kilometra të tërë udhe,do të vraponte ashtu si ai zogu,vetëm e vetëm për të qenë sa ma pranë Resnjës së tij.Ngase familja është në gjendje shumë të mirë ekonomike,ngase Nijazi beu zotërronte toka të mëdha deri në Strugë,Ahmedi niset për studime në Stamboll.Fytyrëqeshur,me vështrim të thellë si deti,ndërsa vazhdonte shkollën në Stamboll,ai kurdoherë do të jetonte me kujtimet e bukura të vendlindjes. Në Stamboll, shumë miq të Nijaziut donin ta merrnin në shtëpitë e tyre për dreka e darka por djali i Resnjës kishte dëshirë librat,më shumë se sa pushimet e salltanatet.
Në vitet 1886-1889,ndjek akademinë e lartë ushtarake në Stamboll.Tashmë,në vend të atij djalit të vogël që e merrte malli për Resnjën,shohim të rritet një burrë i hijshëm,tepër serioz e korrekt në studime.Ka qejf ti thërrasin Ahmed Nijaziu,duke kuptuar kështu babanë dhe fjalët e tij sa herë ai e përcillte nga Resnja,për në Shkup e Selanik ; „Oficer mundet met ba shkolla.Por shqiptar nana mund veç me t’lind e mandej burri e ka vetë në dorë,mbetet shqiptar apo ka frigë me qenë i tillë“.
E vërtetë është se djemtë e bejlerëve të asaj kohe dikur,i kryenin pushimet e shkollës në vendet më të bukura të Evropës.Edhe Ahmed Nijaziu nuk mund të përjashtohej nga kjo modë.Por nëse të tjerët miq të tij, e kalojnë kohën në dëfrime,trimi i Resnjës,kudo ku shkonte në Evropë,ai hulumton mbi artin Ushtarak të kohës.Njohës i disa gjuhëve të huaja,Ahmedi ka nisur shoqëri me oficerë të tjerë madhorë dhe kurdoherë,në qendër të vëmendjes,në biseda me ta,është organizimi i betejave luftarake të mëparshme,pavarsisht nëse këto i pat kryer Porta e Lartë,apo jo.Me mbarimin e shkollës së lartë ushtarake të Stambollit,për Ahmed Nijaziun,hapen kanat dyert e karierës së luftës.Intuitiv,vizionar dhe me një vullnet të hekurt,trimi i Resnjës komandon për pak vite,disa reparte të ushtrisë osmane në Turqinë aziatike.Emri i mirë si edhe përkrahja që gëzonte, e ndihmojnë mjaftë,por në mënyrë tepër të beftë,një ditë,në fillim të shekullit që lamë pas,ai kërkoi të shërbente në çfardo detyre,me kusht që të ishte në Vilajetin e Manastirit.Pati shqiptarë (në radhët e miqve të vet) që e quajtën të nxituar këtë veprim.Pati që e „këshilluan“ se nuk mund të bëhesh i madh në karierë,kur shërben në atdheun tënd.Por Ahmed Nijaziu,serioz,i prerë,ushtarak gati i lindur sigurisht edhe u largua prej tyre.Kësisoj në fillim të viteve 1900,Ahmedi vjen pranë vendlindjes,me detyrën e rreshterit në korpusin e dytë të Manastirit.Duke qenë pranë familjes,ai jo vetëm është në gjendje t’i ndihmoje asaj,por sigurisht ka nisur të ndjekë edhe fatin e turbullt të Shqipërisë.Nuk është e tepërt ta quajmë të turbullt këtë fat,ngase shpërbërja e Perandorisë Osmane,me ato zhvillime tronditëse pat përshtjelluar fatin e krejt popujve të ballkanit,historia e të cilit ishte e ngjizur përmes tragjedive.Tashmë kann dalë në dritë mjaft dokumenta që provojnë lakminë e fqinjëve ndaj trojeve tona autoktone.Në shkurt të vitit 1903 ishte arritur një marrëveshje austro-ruse për reformat në të ashtuquajturit Vilajete të Maqedonisë.Mënyra se si marrëveshja ish arritur,të jepte të kuptoje se pas rënies së Perandorisë Osmane,do të ishin të tjera perandori që kërkonin të ngriheshin,duke rindarë zonat e gjahut që do gëlltisnin. Po me 1903,në Romë u zhvilluan bisedime kokë më kokë,midis mbretit të Italisë dhe atij të Greqisë ku tema kryesore ishte coptimi i trojeve shqiptare sipas orekseve helene dhe romane.Ajo çka e bënte butaforike këtë marëveshje,ishte pikërisht ideja e shpalosur se donin t’i binin Shqipërisë në emër të luftës kundër turqve …! Sipas kësaj marrëveshjeje grekët vendosnin të shkonin deri në Tepelenë e Pogradec dhe aty kufiri do të vendosej midis grekëve dhe malazezëve që pasi të pushtonin Shkodrën,të merrnin edhe Dibrën.Ndërsa mbreti Italian „ më modest“ pat kërkuar qytetin e Durrësit dhe të Vlorës.
Ahmed Nijaziu,ka nisur tashmë të ndjeje se diçka po lëviz në kahjen e kërkimit të të drejtave për autonomi të bashkëkombasve të vet.Idetë e komitetit,për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të cilën e udhëhiqte në Stamboll Sami Frashëri,radhë pas radhe po hynin edhe në vilajetin e Manastirit.Kishte patur disa konflikte të vogla ( sidoqoftë të armatosura) midis kaçakëve të Ohrit,Dibrës e Prizërenit me disa reparte turke të cilat shërbyen më pas si prelud i krejt ngjarjeve. Ndërsa krejt hapur në kërkesat e tyre,atdhetarët shqiptarë në Sofje e Bukurresht u kërkuan Fuqive të Mëdha : Të lejohen shkollat shqipe dhe kisha shqiptare.Të falen të gjithë shqiptarët e internuar e të burgosur për çështje politike,ose pse kanë kërkuar ushtrimin e lirë të gjuhës së tyre.Të emërohej një shqiptar në komisionin e Reformave në Manastir“.(Arkivi Qendror i shtetit,fond.19,dos.79,fl 3).
Ahmed Nijaziu,tashmë,anipse është në radhët e ushtrisë osmane, e kupton se atdheu i tij do të mund të dalë prej natës së gjatë osmane,vetëm nëpërmjet një lufte të pakompromis me absolutizmin e Sulltan Hamidit.Duke paraparë rënien e shpejtë të Perandorisë dhe orekset sllavo-helene,intuitivisht ai ndjen së afërmi shpërthimin e skajshëm të mërive ballkanike.Tashmë,sarajet e larta e të bukura të tij (janë cilësuar si vepër e rrallë arti në krejt Maqedoninë) mbushen plot njerëz.Në biseda me ta,Ahmed Nijaziu rreket të spjegoje fjalëpakë,situatat dhe sigurisht kërkon besën e parisë së Resnjës,Strugës, Ohrit dhe Manastirit,për të ndërmarrë aksione të përbashkëta nëse lyp nevoja e Shqipërisë.Jo rrallë,në sarajet e tij bujtën edhe trima nga Prespa,Kërçova,Gostivari e Tetova,duke dashur të dëgjojnë tek Ahmed Nijaziu fjalën e atdhetarit e të ushtarakut së bashku..Mendoj se është me vlerë të rikujtosh,se në vitet 1904-1907,Ahmed Nijaziu është bërë i njohur jo vetëm në radhët e burrave të këtyre trevave por edhe në radhët e çetave të komitëve bullgare.Ky bir i Resnjës,natyrisht e kish të qartë se këto çeta kaçakësh mbronin idealet e tyre,por ai parashihte një bashkëpunim të ditës,për të flakur tutje sundimin osman e më tutje rrjedhat historike natyrisht do të shiheshin përmes vizioneve e qëndrimeve të reja në interes të kombit dhe atdheut të shqiptarëvet. Në emër gjoja të Reformës Maqedone,Fuqitë e Mëdha,po gatuanin në vitin 1904 një coptim të Shqipërisë me çrast do të përfitonte sidomos ortodoksizmi i përfaqsuar prej Serbisë,Malit të Zi,Bullgarisë dhe Greqisë.Planet po drejtoheshin me hollësi të tilla,me ç’rast nuk mund të kalonin pa u vënë re prej atdhetarëve shqiptarë.Krahas protestave të shqiptarëve në Stamboll u shtua ndjeshëm edhe fryma nacionale e cila lidhej sidomos me kërkesat për gjuhën shqipe e krijimin e komiteteve të fshehta.Ahmed Nijazi Resnjën, do ta shohim në këtë periudhë,të bëjë propagandë sidomos në radhët e ushtrisë osmane.E vërteta është se asaj kohe,në Vilajetin e Manastirit kish ushtarë me kombësi gjithfarëllojish.Por biri i Resnjës,me ate respekt të jashtëzakonshëm deri për ushtarin më të fundit,pat fituar admirim e krejt efektivave të Garnizonit osman të Manastirit.Jo rrallë,në këtë propagandë për autonominë e Shqipërisë,Ahmed Nijaziu ka pranë Tajar Tetovën,ushtarak,edhe ky me shpirt të vendosur atdhetari për të çuar deri në fund amanetin e madh të Atdheut.Ndërkaq,një komitet i disa burrave shqiptarë,me në krye Ibrahim Temon i dërgojnë Sulltan Hamidit një promemorje duke i paraqitur si në dritë të diellit rreziqet që i kanosen Shqipërisë prej fqinjëve.Në mënyrë shumë të hollësishme,në këtë promemorje,shtjellohen ngjarjet në Vilajetin e Manastirit dhe kërkohen masa konkrete për të shmangur dramën shqiptare. Pos të tjerave,në këtë promemorje kërkohet :
1- „Meqë krahina e imagjinuar sot si „Maqedoni“ (vilajeti i Selanikut,i Manastirit dhe i Kosovës) nuk përbëhet vetëm nga popullsia sllave-maqedone,por nga popuj të ndryshëm,të mos pranohet projekti bullgar i formimit të një province të veçantë maqedonase,në të cilën do të përfshiheshin edhe territoret shqiptare të vilajeteve të Manastirit dhe të Kosovës.Të zbatohen reforma të përgjithshme për të gjitha vilajetet e Turqisë evropiane.
2- Çdo komb të ketë në territoret e banuara prej tij nëpunësit e vet,të vegjël e të mëdhenj, të cilët duhet të njohin edhe gjuhën zyrtare turke.Valiu mysliman ose i krishterë qoftë do të caktohet apo dhe emërohet nga sulltani.
3- Çdo nënpunës do të përgjigjet për detyrën që ka marrë përsipër.Të thjeshtësohet aparati i nëpunësve duke larguar ata që janë të tepërt dhe të mos lejohet shtimi i vendeve të reja.
Xhandarmëria,që është brumi i arbritariteteve të vihet nënkontrollin e prefektëve,ndërsa gjatë fushtave ajo të shoqërohet nga oficerët rezervistë dhe nga nënprefekti.Kjo masë do të forconte mbikqyrjen mbi veprimet e xhandarmërisë dhe do të shmangte shpërdorimet e dhunimet.Po këtu,përfshihej edhe pagesa e rregullt e rrogave mujore të nëpunësve.
4- Të hiqen nga duart e klerit shkollat e huaja,që janë burim i përçarjes midis popujve dhe vihen nën kontrollin e shtetit.Këto do të kthehen në shkolla të përziera,ndërsa mësimi në to do të jetë i detyruar.Kjo masë do të jetë e pranueshme edhe për grekët e bullgarët që i kontrollojnë këto shkolla“.(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi 19, dosja 18, fletët 92-93 ).
Në janarin e vitit 1908,u duk se fitorja e Turqve të Rinj,do të ishte mjaft e shpejtë.Kudo nëpër vendet ballkanike,po përgaditeshin kryengritje kundër absolutizmit të sulltan Hamidit dhe njerëzit besonin se me rrëzimin e tij,për ta do të niste një jetë tjetër.Ishte kjo arsyeja që në përkrahje të politikës së turqve të rinj,ishin tashmë shqiptarët që luanin një rol të rëndësishëm.
Ahmed Nijazi Resnja,tashmë ka dalë hapur në krye të trimave shqiptarë të Strugës,Ohrit,Manastirit,Resnjës e Prespës.Mandej burra të armatosur prej Këçove,Tetove e Shkupi ishin futur nën urdhërat e tij duke paraparë ushtarakun e talentuar e prijësin trim të popullit.Ai ka bashkëpunuar ilegalisht në komitetet e Fshehtë të Shpëtimit kombëtar duke ndihmuar jo vetëm me eksperiencën,por sidomos me reputacionin e madh që gëzonte në krejt trevat e Maqedonisë Shqiptare.Fehmi bej Zavallani,Shahin Kolonja dhe Tajar Tetova,do të ishin ndër bashkëpuntorët e ngushtë të birit të Resnjës,në pranverën e vitit 1908.Vlen të përmendet fakti që në mjaft tubime,Ahmed Nijazi Resnja u shpreh haptas se ishte kundër taksave të rënda që popullsia e këtyre trevave ( ashtu sikundër e gjithë Shqipëria) duhej t’i paguanin Portës së Lartë.Edhe pse ai kish ardhur nga një familje e pasur,edhe pse zotëronte toka të mëdha,e vërteta është se Ahmed Nijaziu,jetoi kurdoherë me shqetsimet dhe varfërinë e kombit të vet.Ngase ishte kundër politikës turke të taksave,natyrisht,në krah të tij u radhitën qindra fshatarë të atyre trevave,të gatshëm për të luftuar nën urdhërat e birit të tyre.Ndërkaq,në viset e Maqedonisë Shqiptare,kanë filluar të ngrihen me shpejtësi të madhe komitetet „Bashkim e Përparim“.Në to u rreshtuan jo vetëm fshatarët por sidomos punonjësit e administratës e sidomos ushtarakët e garnizoneve osmane.Ahmed Nijaziu,duke ndjekur me vëmendje situatën,përkrah fuqimisht komitetin „Bashkim e Përparim“(Xhemijetin-e.sh.) të Manastirit dhe rreket të propagnadojë se vetëm në radhët e këtyre organizatave,të bashkuar e të udhëhequr prej nacionalizmit të ndershëm,shqiptarët do të mund t’u bëjnë ballë lakmive të monarkive ballkanike. Rrjedha e vrullshme e ngjarjeve në Vilajetin e Manastirit,natyrisht do të ndikohej së tepërmi edhe prej kuvendit të Ferizajit.I përgaditur prej atdhetarëve e burrave të Kosovës,ky kuvend,do të shënonte të parën besëlidhje shumëdimensionale të shqiptarëve si ai i Dibrës.
Në këto momente të mbarsura me ngjarje kaq të mëdha,shkëlqen edhe një herë mendimi vizionar i Ahmed Nijazi Resnjës.Ani pse,ai mban gradën e majorit në ushtrinë osmane,anipse e dinte se pat filluar të ndiqej prej hafijeve të Portës së Lartë,ky komandant i sprovuar e atdhetar i vendosur,do të çonte peshë zemrat e bashkëkombasve të vet,me jetën,veprën dhe fjalën e tij.Ndofta është me vend këtu të përmendim midis fjalëve të shumta,të atyre tubimeve luftarake,ate të mbajtur në Llabunishte të Strugës,në pranin të mijëra shqiptarëve.
Duke folur mbi ato tmerre që Shqipëria kish hequr në pesë shekuj sundimi,biri i Resnjës,pa asnjë dyshim,pohonte se vetëm kryengritja e armatosur,do të ishte ajo që do të mund të flakte tutje rrobërinë.Pos të tjerave,në këtë fjalë Ahmed Nijazi Resnja,do të kumtonte ; „bullgarët kërkojnë Ohrin,Dibrën,Shkupin,Selanikun.Grekët duan Manastirin, Prilepin dhe Stambollin gjer në Ankara.Ne duhet të zgjohemi patjetër sepse përndryshe,Atdheun tonë do ta coptojnë armiqtë dhe do të hakmerren keq me ne.Do të zhdukin çdo gjë që është e shëndoshë.Do të na vënë në kokë kësula serbe… do të na i dhunojnë gratë dhe motart tona.Neve do të fitojmë nëse i japim besën se do të luftojmë gjer në pikën e fundit të gjakut… Më mirë të vdekur me nder,se sa të gjallë e me turp“.(Dr.Reshat Nexhipi,“Shtypja e Rezistencës shqiptare në Maqedoni“ faqe 177).
Ndikimi i fjalës së Ahmed Nijazi Resnjës,ishte tepër i madh në krejt banorët e Vilajetit të Manastirit.Për më tej,ky ndikim u shtri edhe në repartet e ushtrisë turke të këtij vilajeti,të cilët kryesisht përbëheshin prej shqiptarëve.Aq i madh ishte ky ndikim,aq e madhe ishte simpatia e ushtarëve për majorin e Resnjës,saqë,në fillim të muajit qershor 1908,me qindra ushtarë të reparteve turke në Tetovë,Gostivar dhe Veles nuk pranuan t’u binden urdhërave të eprorëve të tyre osman.Pas kësaj,edhe në garnizonin e madh të Shkupit,ushtarët me kombësi shqiptare,hodhën armët dhe kërkuan të kthehen një orë e më parë në shtëpitë e tyre.Ngjarjet në repartet e ushtrisë,të cilat deri në ate kohë mbaheshin si të vetmet shtylla të Perandorisë,rezonuan edhe në shpërthimin e revoltave të tjera të banorëve të këtyre trevave,sidomos në pikëpamje të arësimimit në gjuhën shqipe. Kësisoj për të ardhur deri në datën e 3 korrikut 1908. Pikërisht në këtë datë,në krye të batalionit që komandonte,Ahmed Nijazi Resnja le garnizonin duke dalur hapur,si kundërshtar absolutizmi gjkatar të Sulltan Hamidit.E vërteta është se u desh vetëm një fjalë e tij,nga ato fjalë që ngrenë peshë zemrat,dhe krejt batalioni me brohoritje gjemoi njëzëri. „NA PRIJ NIJAZI BEJ !”.
Ushtaraku i sprovuar e kuptoi se pas këtij rebelimi,do të merreshin masa të rrepta e shtërnuese të Portës së Lartë,ngase këtu kish ngjarje me rebelime të tjera,në të tjera vende.Për këtë,ai që në fillim e trajtoi efektivin e batalionit ushtarak,jo si mjet mbrajtëse për sarajet e veta,por së pari për të mbrojtur popullin e atyre visive ndaj dhunës së pushtetit vendor turk.Kjo i frymëzonte ushtarët e tij, të vraponin në çdo vis të Vilajetit të Manastirit për të pëmbushur detyrat e për të ngritur në këmbë popullin që goditej për fortunat që e prisnin.Ngase veprimet e batalionit të Ahmed Nijaziut,ishin në sinkron të plotë me idealet e popullit tonë të shtypur,brenda pak ditëve ishin rreth 3000 vetë të armatosur që prisnin veç një fjalë të birit të Resnjës,për t’u hedhur në luftë. Kështu,në ditët e para të korrikut, në Vilajetin e Manastirit,garnizoni osman thuajse u shpërbë.Armët kaluan të gjitha në duart e kryengritësve dhe pushteti vendas po ashtu.Orë pas ore,me qindra kryengritës,regjistroheshin në çetat vullnetare duke dashur të jepnin edhe jetën për pavarsinë e trojeve amtare.Por jo vetëm në Vilajetin e Manastirit.Edhe në Kolonjë,Korçë e Starovë,çetat kryengritëse,të udhëhqura prej Shahin Kolonjës,Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos,patën shkaktuar rebelime të mëdha madje ishin në pozita lufte me forcat e garnizonit osmane.Ndërsa në malësitë e Dibrës,çeta e trimave të Elez Isufit përgaditej të sulmonte ushtrinë e Portës së Lartë.Ngase armata e III e Manastirit pothuajse e humbi misionin e saj,ngase granizoni i Shkupit kish rënë pothuaj në dorë të klryengritësve shqiptarë,ngase Tetova,Kumanova,Struga,Gostivari e Kërçova po mbushnin radhët e çetave të vetëmbrojtjes popullore nën komandën e Nijazi Resnjës,Ministri i luftës i Stambollit,nisi urgjentisht për aty,gjeneralin Shemsi Pasha.Pa dashur të mohojmë të vërtetën,Shemsi Pasha ishte në fakt një gjeneral kariere dhe pat fituar shumë luftëra,në disa vende ku pat sunduar perandoria Osmane.Por lavdia e tij,humbi aq papritur në tokën arbërore.Me të mbëritur në Manastir ai u vra nga Atif Beu,miku i ngushtë i Ahmed Resnjës,me ç’rast kur e goditi i tha se ishte vendimi i shtabit të kryengritjes.Atentati shërbeu si një pregaditje dhe drejt vilajetit të Manastirit tashmë u nisën forca të mëdha osmane.Sidoqoftë,ende pa mbëritur aty makina luftarake osmane,për të marrë sadopak në duar situatën,ministri turk i luftës dërgon në Manastir marrëshallin Osman Pasha.Ky njihej si “dorë e hekurt” e ushtrisë ngase kudo ku pat sunduar,pat bërë krime të panumërta.Por edhe shkëlqimi e lavdia e këtij marëshalli,u tretën e venitën përpara zemërimit të kryengritësve.Me vendim të komitetit të fshehtë të Manastirit,Osman Pasha u kap në befasi dhe duarlidhur u mbajt peng për disa ditë.”Këtë atentat e kreu çeta e Ahmet Nijazi Beut,që e çoi ate në pyje”.Arkivi Qendror i Shtetit,fondi 19,dosja 21 , fleta 7 ).
Lëvizja e madhe e korrikut 1908, e cila përfshiu në vetvehte dhjetra mijëra shqiptarë,çoi tek e mbramja në dorëzimin e Portës së Lartë.Sultani u detyrua që në ag të datës 24 korrik të shpallte kushtetutën reth së cilës maernin udhe shpresat e mijëra shqiptarëve.Në këtë akt madhor të popullit tonë,i cili u ngrit për të luftuar absolutizmin e kalbur e për të fituar pavarsinë e tij,roli i Ahmed Nijazi Beut,është padyshim i madh.Në këto ngjarje epokale,sigurisht,biri i Resnjës,mbetet protagonist i shpirtit të revoltës,mbetet klithma e parë e lirisë, e dalë prej gjoksit të tokës arbërore,pas pesë shekujsh sundimi.Kur disa mijëra shqiptarë shkuan në Shkup,kur rrugët e këtij qyteti i mbushën prej thirrjeve të gëzuara,natyrisht edhe fortesat e fundme të garnizonit osman ranë.Nijazi Resnja,së bashku me çetën e tij,iu drejtuan burgut të Shkupit ku ndodheshin të burgosur qindra shqiptarë,për bindjet e tyre politike.Të burgosurit dilnin në liri ndërsa turmat entuziasiste thërrisnin për birin e Resnjës.Jehona e ngjarjeve të korrikut,përshkroi tej e më tej viset shqiptare.Ajo ishte jo vetëm jehonë por edhe shpresë që kërkonte ringjalljen.Shtypi shqiptar i kohës,lidhur me ngjarjet e korrikut, e veçmas me rolin e ushtarakëve shqiptarë shkruante :
“Taboret që u ngritën,ishin tabore prej shqiptarësh,krerët kryengritjes,Enver beu dhe Nijazi beu,ishin shqiptarë dhe telegramin që e dërguan prej shkupit dhe e bindi Sulltanin ta apë konstitucien,u dërgua prej shqiptarësh”.(Gazeta “Dielli” Boston , gusht 1908 ).
Menjëherë pas kthimit nga Shkupi,Ahmed Nijazi Resnja,organizon formacionet vullnetare shqiptare me ç’rast vetëm në Manastir arrin 7 mijë burra.Më tej,këto formacione vullnetare u organizuan edhe në Dibër,Gostivar,Tetovë e Kaçanik duke marrë emrin “Legioni Kombëtar”. Në krye të këtij legjioni,shkëlqeu guximi,trimëria dhe besnikëria e birit të Resnjës.Në krye të këtij legioni,Ahmed Nijazi Resnja,do të vihej disa javë më pas,në mbarëvajtjen e Kongresit të Manastirit. Pa hyrë në detaje të këtij Kongresi,duhet thënë se ai shënoi startin e parë prej nga muarrën fluturimin e tyre dallëndyshet,shkollat e para shqipe.Duke e vënë armën e tij,në shërbim të diturisë së kombit,tek e mbramja,biri i Resnjës,tregonte tejpamësinë e idealeve të veta.
Ndërsa një vit më pas,në kongresin e Dibrës,më 24 korrik të vitit 1909,ai burrë që pat shkrehur pushkën e parë kundër sulltanit (1 vit më parë) tashmë ulej në karrigen e delegatit të këtij kongresi. Biri i Resnjës,në këtë kuvend të gjuhës dhe ardhmërisë sonë kombëtare,përfaqsonte komitetin “Bashkim e Përparim” të vilajetit të Manastirit.Fjala e tij në këtë kuvend,peshonte mjaft ngase brenda saj,ishin ende të gjalla emocionet e kryengritjes madhore shqiptare.Ç’prej kësaj ngjarjeje, e derisa mbylli sytë Ahmed Nijazi Resnja,mbeti komandant i parë i Legjionit Kombëtar.
Bern-Zvicër