Nga Adil FETAHU/
Ka disa ditë që nga mediat serbe nuk zbresin titujt “bombastik” : “Rastësisht apo qëllimisht, Haga e ka liruar Millosheviqin nga akuza”; “Perëndimi po heshtë, por u rrëzuan gënjeshtrat për gjenocidin, krimet…”; “Daçiqi e Vullini vërtetojnë se Tribunali i Hagës e ka liruar Millosheviqin nga dyshimi i pastrimit etnik”; “Daçiqi: Nëse Perendimi heshtë për Millosheviqin – Serbia nuk guxon të heshtë”: “Daçiqi: Nuk janë fajtore RF e Jugosllavisë dhe Serbia”, etj.etj. Me deklaratat e tyre, dy ministrat në Qeverinë e Serbisë, që ishin funksionarë të lartë edhe në regjimin e Millosheviqit, e “argëtojnë” popullin e vet me rrena, për abolimin e ish-shefit të tyre.
Gjithë kjo “ujdurmë” ka ardhur pas interpretimit tendencioz e mashtrues të aktgjykimit të Tribunalit të Hagës, me të cilin është gjykuar krimineli Radovan Karaxhiq, për gjenocidin dhe krimet e kryera mbi myslimanët boshnjakë. Nga konteksti i arsyetimit të gjatë (mbi 3000 faqe tekst) të aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin Karaxhiqi u dënua me 40 vjet burgim, “interpretuesit” nxjerrin përfundime të rrejshme, me të cilat e gënjejnë popullin e vet, gjoja se ajo Gjykatë e paska liruar Millosheviqin , RF të Jugosllavisë dhe Serbinë nga përgjegjësia për gjenocidin dhe krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, pastrimit etnik etj, që kanë krye në Bosnje-Hercegovinë. Për të qenë ma “të bindshëm” në gënjeshtrën e tyre, citojnë disa paragrafe nga arsyetimi i aktgjykimit, ku gjykata, në kontekst të ngjarjeve e rrethanvae të ndryshme, konstaton se për ngjarjen e caktuar faji nuk mund t’i atribuohet personit të caktuar. Me këso interpretime, Daçiqi etj, përpiqen të “argumentojnë” me vendim (jo të plotëfuqishëm) të Tribunalit, kinse ushtria, policia e forcat tjera (paramilitare) të RFJ e të Serbisë, nuk janë involvuar në luftën në BeH. Këto gënjeshtra nuk mund t’ia shesin askujt, ngase të gjithë e dinë se luftën në BeH e kanë planifikuar, udhëheqë (komanduar), zhvilluar e përfunduar forcat nga e ashtuquajtura RFJ (Serbi+Mali Zi), me tërë potencialin operativ dhe arsenalin e armatimit. Nëse më vonë ato forca kanë ndërruar emrin, gjoja si “ushtri e serbëve të Bosnjes”, kjo asgjë nuk e ndryshon të vërtetën për angazhimin e APJ-së e të forcave tjera nën komandën e saj. Edhe sot e kësaj dite, oficerët e APJ-së (Mlladiqi etj.) të cilët kanë udhëhequr operacionet luftarake në Bosnje, marrin pensionet nga Serbia, e jo nga Federata e BeH, as nga ajo kreatura gjenocidale e quajtur “Republika srpska”.
Aktakuza dhe aktgjykimi i adresohen Karaxhiqit, e jo Millosheviqit
Pa marrë parasysh se çfarë fjalie përmbanë arsyetimi i aktgjykimit kundër Karaxhiqit, pa marrë parasysh se a përmendet emri dhe në çfarë konteksti përmendet emri i RFJ, Serbisë apo Millosheviqit në arsyetimin e aktgjykimit, kjo nuk i shpallë ata emra as fajtor, as të pafajshëm, sepse aktakuza nuk ishte dhe as gjykimi nuk është zhvilluar kundër tyre, dhe se dispozitivi aktgjykimit adresohet me emër e mbiemër vetëm – kundër Karaxhiqit, atij monstrumi që e pat ndërruar edhe fizionominë dhe u shndërrua në majmun, për t’i ikur kapjes dhe ekstradimit në Tribunalin e Hagës. Prandaj, aktgjykimi kundër Karaxhiqit, as de iure, as de facto, nuk e liron Millosheviqin as RFJ-në e Serbinë nga faji as përgjegjësia për gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet e tjera të kryera në BeH.
Millosheviqi ishte i akuzuar për krimet në KosovëNë deklaratën e tij, lidhur “me lirimin” e Millosheviqit nga fajësia për pastrimin etnik në BeH, Daçiqi konkludon se “Gjykatës së Hagës nuk i ka konvenuar ta përfundojë gjykimin kundër Millosheviqit, sepse ai do të lirohej nga akuzat, siç u lirua me aktgjykimin e Karaxhiqit, dhjetë vjet pas vdekjes”.
Jo o Daçiq, bashkëpunëtori më i ngushtë i Millosheviqit. Sado që nuk preferoj të paragjykoj se çfarë vendimi do të merr gjykata në një proces gjyqësor, në bazë të akuzave dhe provave që ka ofruar Prokuroria e Tribunalit të Hagës për grupin të cilit i printe Millosheviqi në aktakuzë, e të cilin e përbënte kreu politik, ushtarak e policor i shtetit të RFJ-së dhe Serbisë,- jam shumë i sigurt, madje “më tepër se 100%”, se sikur të kishte jetuar Millosheviqi deri në përfundimin e procesit, do të shpallej fajtor dhe do të merrte dënimin kapital që shqipton ai Tribunal. Sepse, të gjitha pistat e fajit në pikën e fundit (të kreut), do të arrinin në emrin dhe funksionet e tij. Ai ishte kryetar i RFJ, komandant supreme i forcave të armatosura, kryetar i Këshillit të Mbrojtjes së Jugosllavisë, ku janë bërë planet dhe janë caktuar operacionet e pastrimit etnik (dëbimit) të popullsisë shqiptare, dhe të krimieve të luftës e krimeve kundër njerëzimit, në shkallë gjenocidi. Grupit të “ndërmarrjes së përbashkët të kriminale”, që ishin në të njëjtën aktakuzë me Millosheviqin, u janë shqiptuar dënimet:
- Për deportim (pastrim etnik), që paraqet krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 5(d) të Statutit të Tribunalit,
- Vrasje, që paraqet krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 5(a) të Statutit të Tribunalit,
- Vrasje, që paraqet krim të shkeljes së ligjeve dhe zakoneve të luftës, i dënueshëm sipas nenit 3 (1) (a) të Konventës së Gjenevës, dhe
- Dëbimi (i popullsisë) në baza politike, racore ose fetare, që paraqet krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 5(h) të Statutit të Tribunalit të Hagës.
Për këto krime, me vendim të plotëfuqishëm ( të shkallës së II, më 26 janar 2014), Gjykata u ka shqiptuar këto dënime: Nikolla Shainoviqit, ish- nënkryetar i Qeverisë së RF të Jugosllavisë, 18 vjet burgim (nga 22 sa a kishte caktuara shkalla e parë); Nebojsha Pavkoviqit, ish-kryeshef i Shtatmadhorisë së APJ, 22 vjet burgim (nuk i ka zbritur asgjë); Sreten Llukiqit, kryeshef i Policisë për Kosovë, 20 vjet burgim (nga 22 sa ia kishte caktuara shkalla e parë); dhe Vlladimir Llazareviqit, komandant i Korpusit të APJ në Prishtinë, 14 vjet burgim (nga 15 sa ia kishte caktuar shkalla e parë). Kryekrimineli Millosheviq dhe bashkëkrimineli ministri i policisë (Vllado Stojilkoviq), nuk e pritën përfundimin e procesit, ngase Stojilkoviqi bëri vetëvrasje (me plumb në kokë, 2002) para ndërtesës së Kuvendit Popullor të Serbisë, ditën kur Kuvendi miratoi Ligjin për Bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, kurse Millosheviqi vdiq në paraburgim në Hagë (2006), për cilin propaganda serbe thotë se e “mbyti Tribunali”. Prandaj, sipas parimit juridik të prezumpcionit të pafajasisë derisa të mos vërtetohet faji me vendim përfundimtar të gjykatës, ata shkuan në ferr – de iure të “ pafajshëm”!
Grupi i Millosheviqit u cilësua nga Tribunali si ndërmarrje e përbashkët kriminale, i cili ka planfikkuar, nxitur, urdhëruar dhe kryer ose në mënyrë tjetër ka ndihmuar dhe kontribuar planifikimit, përgatitjes dhe kryerjes sistematike të krimeve, me qëllim të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare, që u bë në bazë të operacionit “Potkovica” (Patkoi) e që, sipas disa autorëve të huej, konsiderohet se ky operacion ishte aktualizimi dhe realizimi përfundimtar i Elaboratit të Vasa Çubrilloviqit (1937), që ia kishte paraqitur për ta realizuar në atë kohë qevria e Stojadioviqit. Gjatë operacionit “Potkovica”, forcat e ndërmarrjes së përbashkët kriminale serbe, me format ma makabre të dhunës kundër popullsisë civile, arritën të dëbojnë jashtë Kosove afro një million shqiptarë, me synim që njëherë e për gjithmonë ta pastrojnë Kosovën nga shqiptarët! Edhe dhuna seksuale ndaj femrave, bëhej në funksion të spastrimit etnik. Rrugës gjatë dëbimit, krahas torturës dhe vrasjeve, plaçkitjes së parave apo të stolive, ua merrnin edhe dokumentet personale të identifikimit, për t’ua zhdukur identitetin e qytetarëve të Kosovës, që të mos mund të ktheheshin më. Të gjitha këto i ka vërtetuar Tribunali i Hagës në aktgjykimin e kreut të shtetit të RF të Jugosllavisë e Serbisë. Në krye të asaj ndërmarrje kriminale ishte vet Millosheviqi, i cili përpos autorizimeve formale të funksioneve që kishte, ai kishte kontrollin dhe ndikim faktik të pakufishëm mbi të gjitha resoret dhe institucionet e shtetit, ekonomisë dhe financave. Gjykimi i Nikolla Shainoviqit e implikon drejtpërdrejt përgjegjësinë e Millosheviqit, ngase, siç ka vërtetuar Tribunali, ky ishte bashkëpunëtori më i afërt dhe më i besueshëm i Millosheviqit, dhe njeni nga pjesëtarët kyç të ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Për here të pare në punën e Tribunalit u dokumentuan dhe vërtetuan të gjitha pretendimet që ofroi aktakuza dhe u vërtetua ekzistimi i ndërmarrjes së përbashkët kriminale, e përbërë nga kreu politik, ushtarak dhe policor, dhe terrori shtetëror që u është bërë shqiptarëve. Të gjykuarit nga grupi i përmendur, janë gjykuar për përgjegjësi komanduese, jo si ushtarë apo police të thjeshtë që i janë shmangur kontrollit, por si udhëheqës përgjegjës të resorëve të caktuar të shtetit. Prandaj, Millosheviqi nuk ka pasur gjasa minimale t’i shpetojë përgjegjësisë dhe dënimit. Millan Millutinoviqi, që asokohe ishte kryetar i Serbisë, u lirua nga përgjegjësia, sepse Gjykata e ka vërtetua se atë nuk e pyeste kush për asgjë, madje ai “as nuk është përzier në punët e veta”! Të gjitha vegëzat e krimit i kishte në dorë vet Millosheviqi, me grupin e përmendur të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
Dhe, derisa u gjykua kreu politik, ushtarak e policor i RFJ/Serbisë, kjo do të thotë se është gjykuar politika dhe shteti. Millosheviqi ishte kryetar i partisë në pushtet (PSS) dhe njëkohësisht ishte edhe kryetar i shtetit. Të gjykuarit ishin funksionarët më të lartë të resorëve të caktuar të shtetit. Prandaj, janë të baza “nebulozat” e Daçiqit, kur flet për lirimin e RFJ/Serbisë nga faji për pastrim etnik dhe krime të luftës e krime kundër njerëzimit. Përkundrazi, për këto krime u gjykua kreu i shtetit të RFJ/Serbisë. Se sa janë dënimet adekuate me peshën e fajit dhe me përmasat e krimit, që ka të gjitha tiparet e gjenocidit, kjo është çështje tjetër, që i përket politikës ndëshkimore dhe politikës globale që ndjek ai Tribunal.
Me propagandën për gjoja lirimin e RFJ/Serbisë dhe Millosheviqit nga fajësia për pastrimin etnik në Bosnje-Hercegovinë, Daçiqi, Vullini dhe pulenë e zyrtarë tjerë të nomenklaturës së asaj kohe, dhe kësaj të sotme, po tregojnë se këta nuk janë penduar as shkëputur nga ajo politikë kriminale e gjenocidale, por përkundrazi, duke rehabilitua atë politikë dhe ata kriminelë që i ka gjykuar Tribunali i Hagës, janë për vazhdimin e të njëjtës politikë. Duke ditur politikën që kanë ndjekur dhe vazhdojnë ta ndjekin Daçiqi, Vuçiqi, Nikolliqi… me bashkëpunëtorët e bashkëmendimtarët e tyre, nga të gjitha proviniencat e shtetit dhe të shoqërisë në Serbi, nuk do të çduditeshim që një ditë ish-shefin e tyre, Millosheviqin, ta nominonin për Çmimin Nobel – për Paqe