-Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, Gjeneralin Philip M. Breedlove do ta presin pasdite në takime të veçanta presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa/
PRISHTINË, 4 Shkurt 2016-B.Jashari/ Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë, Gjenerali Philip Breedlove viziton sot Kosovën.
Nga institucionet e Kosovës bëhet e ditur për Gazetën Dielli se komandantin Suprem të NATO-s, Gjeneralin Philip M. Breedlove do ta presin pasdite në takime të veçanta presidentja e Republikës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa.
Ndërsa nga Shtabi qendror i KFOR-it, Zyra për marrëdhënie me publikun, në njoftimin e dërguar, përfaqësuesit e mediave janë të ftuar të marrin pjesë sot në një konferencë për shtyp me Gjeneralin Philip Breedlove, Komandant Suprem i Forcave Aleate për Evropë (SACEUR), dhe Gjeneral Majorin Guglielmo Luigi Miglietta, Komandant i Forcës së Kosovës (COMKFOR) në shtabin qendror të KFOR-it, kampin “Film City”, në Prishtinë.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë do të ndajnë informacione me gazetarët mbi misionin e KFOR-it në Kosovë dhe operacionet e NATO-s.
Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë 5000 trupa nga 31 vende. Pjesëtarët dhe partnerët e NATO-s, nën mandatin e Kombeve të Bashkuara (OKB-së), vazhdojnë përpjekjet e tyre për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt e liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë.