• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përvjetori i një masakre të pashembullt

February 26, 2014 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/

Duke parë filmin në këtë përvjetor të masakrës së pashembullt që regjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin  pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve. Në të njejtën kohë kujtoj edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera që u degdisën në vendet më te humbura të atdheut tonë. Kujtoj këto dhe para syve më dalin njëzetedy martirët e kësaj masakre të paramenduar që filloi më 19 shkurt dhe brenda një jave, deri më 26 shkurt, gjithçka ishte kryer, duke filluar nga arrestimet masive dhe deri në ekzekutimin makabër. Një veprim i theksuar servilizmi të paparë i një kllouni politik ndaj “mikut më të madh të popullit shqiptar, Bashkimit Sovjetik”, i njëjtë me atë të shprehur disa vite më parë kur braktiste Kosovën martire në favor të  “vëllezërve jugosllavë” të cilëve u shërbente si shërbëtori besnik i padronit.

Në  rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Nevoja për Ndëshkimin Ndërkombëtar të Krimeve të Regjimeve Totalitare Komuniste” thuhet: “Asamblea  beson  që  viktimat  e  atyre  krimeve  që  u realizuan nga regjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara”

Ndërsa. zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës deklaroi: Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi të  ketë  ardhur  në  pushtet  dhe  të  ketë  qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Janë pikërisht këta lakej të komunizmit që sot kanë ngritur zërat e tyre të ngjirur duke i bërë jehonë kryediktatorit të zi dhe epokës së tij si dhe duke hedhur baltë mbi martirët e vërtetë të këtij kombi, midis të cilëve edhe këta martirë, duke i etiketuar kolaboracionistë të fashizmit e të tjera epitete.

Në vitin 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë të dënonte krimet e Komunizmit’ Gjithashtu, më 14 dhjetor 2010 gjashtë ministra të jashtëm, ata  të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. i drejtuan Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding një letër që përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, zotit Ilir Meta, por ajo mungoi. Përse? Deri në vitet 80-të në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as nazizmi. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të errët të historisë së tij. Lidhur me këtë  në një intervistë që zoti Gabriel Partosh i ka dhënë,  kohë  më  parë, televizionit  “Top Channel”,  deklaroi:

Në  Gjermani  dhe  në  Francë   dënohen   po  deklaruan  se  nuk  është  zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Po tek ne çfarë po ndodh? Ka kohë që flitet për një rishikim të historisë së Shqipërisë, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë. Nëpër shkollat nxënësit tanë vazhdojnë të helmohen me propagandën neokomuniste. Në Varrezat e dëshmorëve vazhdon të mbizotërojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët u flijuan për atë yll dhe jo për atdheun. Mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende vazhdojnë të ngulen në eshtrat e martirëve tanë që prehen në ato varreza. Deri kur do të vazhdohet në këtë mënyrë?

Me vendim të qeverisë amerikane, në Washington është ngritur madhështor monumenti në kujtim të viktimave të komunizmit. E pra Amerika nuk e provoi diktaturën komuniste. Megjithatë monumentin e ngriti, pasi e konsideronte si një obligim të saj. Po te ne kur do të ngrihet ky monument, aq më tepër kur ekziston edhe një Vendim i Këshillit të Ministrave për të? Ne mendojmë se ai duhet të ngrihet pikërisht në vendin ku dikur qëndronte monumenti i diktatorit. Një kërkesë e tillë bëhet edhe më e theksuar këto ditë, kur kremtuam përvjetorin e rrëzimit të  atij  monumenti.  Ky  do  të  ishte hapi i parë në luftën për çrrënjosjen e ideologjisë komuniste.

Në këto çaste ia vlen të citoj fjalët e thëna nga zonja Saks (Estoni) në debatin e zhvilluar në parlamentin e Këshillit të Europës, me rastin e miratimit të rezolutës së përmendur më sipër:

  Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste.

 Një deklaratë dinjitoze e një intelektualeje dinjitoze.

          Për sa më sipër, unë mendoj se megjithëse kanë kaluar mbi njëzetetre vjet nga ndryshimi i sistemit politik, në vendin tonë vazhdon të mbizotërojë mentaliteti komunist në gjykimin e ngjarjeve historike dhe realitetin e sotshëm. Sot, në vendin tonë, kemi një armatë të madhe të rinjsh, të shkolluar në universitetet më në zë të botës perëndimore, me tituj dhe urdhëra të çmuar. Përse nuk thirren ata dhe të vendosen në vendet kyçe të institucioneve të pavarura dhe administratës shtetërore, por vazhdojnë të qëndrojnë ende figura të përlyera nga sistemi komunist?

Vajza e një mikut tim, emirante në Greqi, përfundoi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera. Shtatë universitete amerikane u vune në garë se kush do ta merrte. Sot ajo vazhdon studimet atje. Po Shqipëria deri kur do të lejojë t’i rrjedh truri i saj? Kur do të kujtohet për bijtë e vetë që ndodhen në botë?

Kjo pyetje kërkon përgjigje.

*   Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Filed Under: Opinion Tagged With: i nje masakre, pervjetori, reshat kripa

RINDERTIMI I NJE MASAKRE

December 18, 2012 by dgreca

Nga Celo Hoxha*/

 Në gjysmën e parët të viteve ‘40 thuajse çdo qytet shqiptar kishte aeroportin e tij. Përveç 10 bashkive kryesore, avionët uleshin dhe në qytete të vogla si Kruja dhe Shijaku. Linjat e fluturimit, disa herë në javë, funksionin me shumë qytete të huaja, më tepër me ato italiane.Ndoshta më të rëndësishme ishin fluturimet brenda Shqipërisë. Dy herë në javë ishte fluturimi për pasagjerë, vajtje-ardhje, Tiranë-Shkodër, po ashtu kishte fluturime Tiranë -Shkodër-Kukës, Tiranë-Korçë-Gjirokastër, Tiranë-Vlorë-Gjirokastër, Tiranë-Devoll ose linja e drejtpërdrejtë me tre herë në javë Tiranë-Peshkopi. Komunistët, sa erdhën në pushtet, i prishën këto aeroporte, dhe tokën e tyre e përdorën për mbjelljen e mistrit, thekrës, etj.

Ato pak hektarë tokë nuk e zgjidhën kurrë problemin e ushqimit. Në 1946 Shqipëria shkoi, për shkak të politikave antiekonomike të qeverisë komuniste, në krizën e urisë. Prishja e aeroporteve tregon vetëm një gjë: kahun e trajektores dhe pjerrësinë e tatëpjetës së procesit që historianët e kanë quajtur, padrejtësisht, për shumë kohë: procesi i rindërtimit të Shqipërisë.

Legjenda u thur rreth një institucioni fiktiv të quajtur Ministria e Rindërtimit, e cila ekzistoi vetëm nja 3-4 muajt e fundit të luftës. Në 13 janar 1945 ky institucion u suprimua me të drejtë, sepse Shqipëria kishte hyrë në rrugën e shkatërrimit ekonomik të saj. Sigurisht, demagogjia e rindërtimit nuk u shua.

Rindërtimi i urave, për shembull, u bë nga firmat italiane që vepronin në Shqipëri. Ura e Sukthit e ndërtua nga firma “Simoncini”. Firmat “Marinucci”, “Ferrobeton” dhe “Simoncini” ndërtuan Urën e Rrogozhinës. Ura e Matit u ndërtua nga sipërmarrja “Tudini & Talenti”. Firma “SIQELP” rindërtoi urat e Veriut. Një firmë tjetër ndërtoi rrugën Vlorë-Himarë. Firmat italiane rindërtuan zona të ndryshme të Tiranës dhe u morën me rregullimin e porteve të Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Firma “Tamburlini & Monai” rregulloi Urën e Pankovës. Në fund iu konfiskua pasuria këtyre firmave dhe të tjerave. Filozofia ekonomike e regjimit komunist ishte therja e pulës që bënte vezët.

Që në muajin parë në pushtet, komunistët grabitën (ata përdorën fjalën rekuizim) gjithçka: drithëra, ushqime, ilaçe, lëndë ndërtimi, vajra lubrifikante, makina. Veprimtaria e komunistëve ishte identike me veprimtari banditësh, nga ata që kemi parë në filma me temë kërkimin e arit.

Të nisur nga një informacion se gjermanët kishin thyer në tregun shqiptar gjatë luftës rreth 600-700 mijë franga ari, qeveria komuniste nuk la gur pa lëvizur për të zbuluar ku kishte shkuar kjo masë ari.

Ata e kërkuan floririn dhe nëntokë. Për shembull, unazën e floririt të Iljaz Vrionit e nxorën nga varri i tij dhe për të ka dokument sekuestrimi. Iljaz Vrioni, firmëtar i pavarësisë, kishte vdekur në 1932.

Tatimi i jashtëzakonshëm ishte një ligj kriminal. Ai i bëri shoqërisë shqiptare atë që nuk ia kishte bërë asnjë pushtues. Firma e Aristidh Lekës nga Durrësi, e krijuar që në 1845, u kishte mbijetuar për një shekull shumë pushtimeve të huaja. Komunistët e asgjësuan me një të rënë të lapsit. Ata i vunë një tatim që firmës iu desh ta shlyente duke sakrifikuar gjithë trashëgiminë e saj shekullore. Në fund, pasi e rropën, e fshinë fare nga faqja e dheut.

Ata që nuk ishin në gjendje të paguanin tatimin e jashtëzakonshëm mbaheshin në burg deri sa të “bëheshin” në gjendje ta paguanin. Kush i ka lexuar kujtimet e Thanas Floqit, nuk i ka të panjohura histori të tilla. Në 1914 i ka përdorur Haxhi Qamili. Kjo lloj mënyre e marrjes së tatimit quhet pengmarrje.

Për tatimin e jashtëzakonshëm merrej çdo gjë që ishte në pronësi të fatkeqëve, me përjashtim të veshjeve, krevatit të fjetjes, dhe ushqimit të familjarëve për një muaj.

Çfarë bëhej me mallin e sekuestruar? Ja një shembull: 1500 radio që iu grabitën firmës Prenushi iu falën seksionit të propagandës të ushtrisë që i sekuestronte.

Po me vlerat financiare që grumbulloheshin çfarë bëhej? Paguhej ushtria, policia dhe administrata që kujdesej për mbledhjen e tatimit të jashtëzakonshëm, për burgosjen e tregtarëve ose ekzekutimin e tyre.

Libri “Konfiskimi i pronës dhe grabitja e arit”, i botuar nga ISKK, është një koleksion i imët i masakrës ndaj pronës, kapitalit dhe punës së ndershme të qytetarit shqiptar. Libri është përqendruar më shumë në evidentimin e fakteve, duke i lejuar më pak hapësirë analizave, me qëllim që dhe më skeptikët të vënë në punë mendjen e tyre, pa u ndikuar shumë nga qëndrimi i autorit.

Në tekstet e historisë ende nuk artikulohet veprimtaria e komunizmit si një veprimtari banditësh. Aty flitet për rindërtim, krijim të kooperativave, zgjerim të sektorit shtetëror. E vërteta vazhdon të fshihet pas termave të sajuar nga propaganda e diktaturës, makineria e të cilës është çmontuar, të paktën zyrtarisht, që prej 20 vjetësh.

Unë kam besim se një ditë gjërat të thirren me emrin e tyre, por nëse kjo nuk ndodh shpejt, shoqëria shqiptare thjesht humbet kohë, ndërkohë që i ka shpërdoruar 70 vjetë për t’u përballur me të vërtetën.

*Përshtatje nga referati i mbajtur në konferencën “Rishikimi i të shkuarës komuniste, si domosdoshmëri për të ardhmen e vendit”, organizuar nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe fondacioni “Konrad Adenauer”, 17 dhjetor 2012.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Celo Hoxha, i nje masakre, rindertimi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT