Nga Arjan Th Kallco/
Autori i famshëm danez flet përsëri për veten. Kështu e kanë shkrimtarët e mëdhenj që gjithmonë nxjerrin nga një trill të fshehur diku në skutat e pafund të botës që të thonë se përsëri janë gjallë dhe mes njerëzve. I njëjti fat u ka buzëqeshur të gjithë atyre që me veprën e tyre jetojnë mes faqeve, disi të zverdhura të historisë së letërsisë, por që zor se perëndojnë, sado që koha të kryejë detyrën e vet të largimit drejt destinacioneve të rinj të shoqërisë. Do të ketë edhe vendndodhje të tjera, sepse bota ka qënë dhe është në kërkim të modeleve të përkryera për ekzistencën e vet që edhe kur nuk i gjen, përpiqet të krijojë ato më të mirat, sigurisht kur zgjuarsia është rrugëtarja e parë. Natyrisht vepra e tij më e re që e sjell në kronikat e sotme dhe që mban një titull shumë simbolik që përputhet me atmosferën festive të këtij fundviti dhe me festën tradicionale të Krishtlindjes, quhet Qiriri prej dhjami. Është historia e një qiriri të prodhuar ndoshta për të ndriçuar dhomat e errëta të shtëpisë dhe që në mënyrë krejt të papritur ai rigjen shkëlqimin e vet, me një mjet të imagjinatës së shkrimtarit të madh danez. Dorëshkrimi Qiriri prej dhjami iu nënshtrua shqyrtimit të ekspertëve të cilët janë të një mendje se është një vepër e hershme që i përket rinisë së autorit të përrallave, e shkruar rreth vitit 1820, kur ndiqte ende shkollën e mesme. Një e përditëshme daneze e botoi versionin e plotë të përkthyer në anglisht dhe njëri prej ekspertëve më në zë të tij, Askgaardi, e quajti një zbulim shumë sensacional dhe deklaroi se s’ka asnjë dyshim se vepra i përket atij, dhe është e shkruar me dorën e tij.
Zbuluesi i rastësishëm po kërkonte mes kutive të arkivit kombëtar të Funenit dhe krejt papritur e gjeti dorëshkrimin që përmabnte gjithësej 700 fjalë. Mbi të dukej qartë edhe dedikimi i tij për Zonjën Bunkelfod me dashuri Anderseni.
Po sipas ekspertëve mund të bëhet fjalë për ndonjë grua të ve, tek shtëpia e së cilës ai shkonte që të lexonte dhe të merrte hua librat e bibliotekës së saj.
Një përrallë e shkurtër e fokusuar tek qiriri prej dhjami, yndyrë shtazore, fryt i një bashkëpunimi të deles dhe kazanit, ku yndyra ishte transformuar në një qiri të bardhë dhe shkëlqyes. Por kaq bardhësie i vihet përballë një jetë e vështirë me duar të ndotura që e prekin dhe e konsumojnë me vetëdije pa asnjë dhembshuri, derisa troket momenti i dhimbshëm i flakjes tutje, si një send i kotë dhe i padobishëm. Përralla vazhdon me monologun e qiririt që pyet veten, i mbytyr nga trishtimi, lidhur me kuptimin e jetës së vet. Por kthesa vjen menjëherë sapo takon një tinder box që e ndez qiririn, duke i dhënë kështu mundësinë e munguar, por të lumtur që të ndriçojë gjithçka përreth vetes në vite . Edhe pse sipas ekspertëve tregimi nuk ka finesën stilistike të veprave më të pjekura, në përrallë ka elementë tipikë të shkrimit andersenian, si p.sh tema e bukurisë së humbur dhe zakoni i autorit, në gjurmët e Ezopit dhe të La Fontenit, që ta përdorë prozopopenë, personazhe të veprave bëhen kafshë dhe sende me karakteristika, dilema dhe difekte tipike njerëzore.