Shkruan: Fadil LUSHI/
Të nderuar miq të mi, këtë shkrim timin do ta filloj duke iu referuar një aktori të njohur nga Prishtina, i cili shumë kohë më herët “ ishte hidhëruar tej mase” me babanë, jo pse ai ishte martuar me një femër tjetër, por pse ishte dashuruar në të. Dhe, sipas tij, ky “gjest” i babait, lërë që e kishte “ndryshuar”, po edhe e kishte “dhunuar, ashtu (si) pa hiri dhe për qejf”, gjenealogjinë e fisit dhe në instancë të fundit e kishte “shembur” kartën morale të familjes.
Këtë vaki e mora si referencë për faktin se ka shumë kohë që miqtë që më “lexojnë” më “sugjerojnë” me gojën plot ta filozofoj atë thënien popullore ku thuhet, pos të tjerash: ti, i nderuar miku ynë, “jepi vetes një bojë tjetër se ajo e para të doli fare”, e para, kurse e dyta, “ mjaft i ngarkove vështrimet me referenca dhe gojëdhëna të dala nga filozofia e popullit” dhe, e treta, “mënjano frikën, pishmanllëkun dhe atë inatin tënd homerik dhe provincial”!? Mbase, ndoshta kanë të drejtë…, por ja që mungesa e referencave, m’i “sakatosin shkarravinat” në fjalë. Neve si kolektivitet (përfshi edhe shkruesin e këtij vështrimi) do të na duhet ta parashtrojmë pyetjen se mos vallë (nuk) kemi nevojë që njëherë përgjithmonë ta ndërrojmë bojën e të bërit opinione sa i përket një filozofibërjeje paksa më ndryshe, paksa më të moderuar, më urbane dhe, në instancë të fundit, edhe paksa më aristokrate… A mos vallë e gjithë kjo “kërkesë” e lexuesve (nuk) do të na mundësonte që të “shpëtojmë nga ajo zgjebe dhe gangrenë” që ka zaptuar mendimin e lirë të shoqërisë (politike) shqiptare, a mos vallë me këtë do ta ndërtonim një raport a një lidhje të ndërsjellë ndërmjet shkruesit dhe opinionit publik intelektual, një raport sa sasior po aq cilësor a edhe të drejtë… A mos vallë ky vokabular imi dhe i të tjerëve, të tillë si unë, nuk është i zbehtë, i njëtrajtshëm dhe në aspekt mediatik i tejkaluar…, apo kemi nevojë për një binom më të qëndrueshëm. Nëse ne nuk do të veprojmë ndryshe, atëherë tipat e vështrimeve të tilla nuk do të jenë as për “dynja e as për ahiret”!
Pa marrë parasysh se si do del ky vështrim, unë megjithatë do t’u “referohem” ca ndodhive në vijim.
Ndodhia e parë: Disa javë më parë, kryeministri i Republikës së Shqipërisë në detyrë, z. Sali Berisha, me një rast, ndër të tjera, tha; “NUK DO NJOH ZGJEDHJET…, të dashur miq, rinumërimi i fletëve të votimit dëshmoi se karteli i drogës që erdhi në pushtet me zgjedhjet e 23 qershorit ka vjedhur me dhunë, terror e me para të pista…, 1200 vota vetëm në qarkun e Lezhës dhe tani…, duan të bllokojnë rinumërimin e votave dhe të mbrojnë mandatet e krimit…, ky është ndryshimi që donin trafikantët dhe miqtë e tyre! Por ne demokratët pushtetin e dalë nga krimi, droga dhe paratë e pista nuk do e pranojmë kurrë. Përpara për votën e lirë të shqiptarëve”(!??) e të tjera. Se kjo deklaratë e zotit Berisha ishte një “shpikje e re, me zarar, me rrezik a zullum” politik mbetet që ta qartësojnë të gjithë ata që e njohin nga afër karakterin dhe psikologjinë e doktorit.
Ndodhia e dytë e z. Sali Berisha: “Anëtarët e Partisë Demokratike në Tiranë dhe në rrethe të tjera më 22 qershor 2013 do ta votojnë kryetarin e ri të PD-së sipas parimit të drejtë dhe historik – një anëtar, një votë”! Kjo ishte një deklaratë sa demokratike, humane dhe po aq emancipuese, andaj këtë asnjeri nuk mund ta kontestojë si në aspekt moral po ashtu edhe politik, deri në momentin kur nuk bëri zë, kundër kandidati i Lulzim Bashës, Sokol Olldashi (!??)… sa i takon rezultatit 80% për Bashën dhe 20% për Olldashin!???
Ndodhia e tretë: “Zgjedhja e kreut të ri të PD-së u bë përmes një procesi të deformuar. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe për më tepër në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Unë garova pa pasur një informacion për korpusin e votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në lista, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit për kryetarin e Partisë Demokratike të anëtarësohen edhe në parti…, procesi për t’u dhënë të gjitha garancitë që do të ishte jashtë çdo ndikimi, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë lokalë etj., u përfshinë në të në mënyrë tërësisht të njëanshme…, ndërkohë që cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favorin tim u pezullua apo u pushua nga puna..”!, tha në fund Olldashi.
Ndodhia e katërt: “I uroj suksese kryetarit të ri të Partisë Demokratike, liderit të saj Lulzim Basha”, tha Sali Berisha. Kundërshtarët politikë do të thonë se kryeministri këtë “urim e kishte rezervuar që moti”? Gjithsesi se z. Olldashi nuk iu “hidhërua” kryeministrit Sali Berisha, pse ky morri anën e Bashës, por pse aq marrëzisht u “dashurua në të”, siç dikur i kishte ndodhur babait të atij aktorit të njohur nga Prishtina. Ndoshta kjo është zgj(i)edhja e tij e (pa)drejtë dhe e (pa)ndershme. Ku ta dijë njeri.
Unë besoj se me këtë shkrim, vështrim po thuaj edhe dedikim politik, nuk do të ngre a të “ndez” debat me të gjithë ata të cilët ndoshta do ta kundërshtojnë me të drejtë këtë, përkundrazi do të prek vërtetësinë e saj…, nuk do të prek pjesën egoiste të saj…, po as edhe altruizmin e saj, nëse ka një të tillë. Para se të vazhdoj qëndisjen e këtij shkrimi dhe njëkohësisht para se të parashtroj ca pyetje, do të bëj çmos që nga “urtësia dhe logjika” ime të heq mënjanë çdo paralelizëm të kotë dhe të figurshëm, çdo tarafllëk, çdo paragjykim politik e filozofik, çdo tifozllëk, çdo anim dhe, në instancë të fundit, edhe çdo emocion. Në do të mëtosh që të vërtetën ta shpjegosh a ta lakosh ndryshe, atëherë do të konceptohesh si ai minatori i tuneleve, i cili futet në to i pastër dhe prej aty del i papastër, i përlyer a edhe i palarë.
Pyetja e parë: Çka fshihet pas kësaj deklarate të doktorit: “Nuk do njoh zgjedhjet” (ndonëse paraprakisht kishte thënë se do të njoh çdo rezultat që do del nga zgjedhjet e 23 qershorit)…, a mos vallë është një kërcënim “llaf bosh”, apo është një deklaratë serioze që do vinte në rrezik qoftë politikën e brendshme a të jashtme të Republikës së Shqipërisë…, a mos vallë nocionet si: trafikantë, krimi, vjedhja e votës, blerja e votës deliberative, para të pista e të tjera nocione vërtet u hetuan për herë të parë më 23 qershor të motit 2013, apo ndoshta ato frymonin edhe në vaktin e qeverisjes tetëvjeçare të Partisë Demokratike!
Pyetja e dytë: A mos vallë, (sipas doktorit) zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit (nuk) kanë të përbashkët me “zgjedhjen” e kreut të ri të Partisë Demokratike!?…, a mos vallë dikush do të thotë se kësaj nuk i shkon ai “paralelizëm i kotë, i figurshëm dhe i paqenë” a edhe fjalia: Një binom politik, i paqëndrueshëm dhe i rremë!?
Pyetja e tretë: A mos vallë, zoti Sokol Olldashi (nuk) kishte të “drejtë të dyshojë” në rezultatet e dala nga procesi i votimit për kryetar të Partisë Demokratike!?…, pavarësisht se këtë e konfirmoi vetë Olldashi…, a mos vallë, ky i fundit, nga ana e doktorit, u konceptua si bir i njerkës, ndërsa Luli, si bir i nënës!? Këtë nuk e tha Edi Rama, Ilir Meta, avokat Spartak Ngjela dhe shumë politikanë të tjerë…, po as edhe unë. Se ky shkrim a ky vështrim duhej ndërtuar sot apo edhe pas kushedi sa vaktesh, ne do t’ia lëmë opinionit publik që ta kondicionojë dhe më pastaj edhe ta vlerësojë. Ndofta lexuesit me të drejtë dhe me gojën plot do të thonë se ky vështrim, i shkruar nga kjo distancë e shkurtër kohore nuk jep prova të qëndrueshme…, ndofta këtij vështrimi do t’i duhej një distancë më e gjatë kohore me qëllim që të mos paragjykohet si i tillë…, thjesht jo të shkruhet në këtë kohë të tranzicionit gjegjësisht në këtë ndërkalim politik shqiptar. Labët kanë një shprehje proverbiale ku thuhet: “Rrëshqet guri nga mali, rrëshqet edhe truri nga insani dhe, në këtë rast, të del nami”!