-Presidenti Rugova ndodhej në veturë dhe po kalonte rrugës për të shkuar në takim me atëherë Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana/
-12 prill 2005, Presidenti i Kosovës Rugova refuzoi një takim me Presidentin e atëhershëm të Serbisë, Tadiç, “para se të njihet pavarësia e Kosovës”/
-7 korrik 2005, në Kosovë qëndroi Kongresisti Amerikan Eliot Engëll, të cilin Presidenti Rugova e nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë/
-KALENDAR, Gazeta DIELLI/
PRISHTINË, 15 Mars 2018/ Para 13 viteve, në 15 mars 2005, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i shpëtoi një atentati në qendër të Prishtinës.Ngjarja ndodhi rreth orës 8 e 20 minuta, derisa Presidenti Rugova ishte në veturë dhe po kalonte rrugës për të shkuar në takim me atëherë Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, në Presidencën e Kosovës – ndërtesën e Kuvendit.
Besohet se mjeti shpërthyes, që ishte vendosur në një kontejner afër qendrës së kryeqytetit të Kosovës, ishte aktivizuar me teledirigjues, ndërsa burime të afërta me mbrojtjen e Presidentit kishin thënë se atë e kishte shpëtuar shkalla e lartë e sigurisë së makinës në të cilën gjendej, gjegjësisht shkalla e blindimit të saj.
“Për fat të keq, ende ka elementë, ende ka njerëz që dëshirojnë ta destabilizojnë Kosovën”, tha Presidenti Rugova në lidhje më atentatin, pas takimit me Solanën – Përfaqësuesin e Lartë të BE.
Pas më pak se një muaji, në 12 prill 2005, Presidenti i Kosovës Rugova refuzoi një takim me Presidentin e atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiç. “Para se të njihet pavarësia e Kosovës, takimi mund të ndodhë vetëm në rrafsh multilateral, në ndonjë konferencë ndërkombëtare”, insistonte Rugova. Në 7 korrik 2005 në Kosovë qëndroi Kongresisti Amerikan Eliot Engëll, të cilin Presidenti Rugova e nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë, për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës. Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Engëll tha se Kosova do të jetë shumë shpejtë e pavarur.
“Jam i sigurt, ashtu siç marr frymë, se Kosova do të bëhet një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik, sepse qytetarët e Kosovës nuk meritojnë më pak, sepse qytetarët e Kosovës duan t’i bashkohen demokracive të gjithë botës”, u shpreh Engell, duke i vlerësuar marrëdhëniet e popullit të Amerikës dhe të Kosovës të mrekullueshme dhe të fuqishme.
Kongresisti Engell tha se Rugova është një patriot i madh dhe Kosova është fatlume që e ka lider./b.j/