PAVARËSIA E KOSOVËS, E PADISKUTUESHME DHE OBJEKTIVI KRYESOR/
-“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës… Pavarësia është e padiskutueshme”, deklaronte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova para 15 vitesh, në 23 Dhjetorin 2005, në takim të fundvitit të tij të fundit, ku paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës/
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Presidenti Rugova në 6 Tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator/
-Sot shënon 31 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989 nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 23 Dhjetor 2020/ Pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme dhe objektivi kryesor. Kështu deklaronte para 15 vitesh Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të Lidhjes Demoratike të Kosovës, partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi. Tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova, në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.
“Unë e vlerësoj si vit të suksesshëm për qeverinë dhe institucionet tona për punën që është bërë, ndërsa në një moment me rëndësi është edhe hapja e bisedimeve për të ardhmen për pavarësinë e Kosovës që është rezultat i punës që e ka bërë qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës”, tha Presidenti Rugova, ndërsa përsëriti insistimin e tij për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, e cila theksoi se do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.
Sa i përket çështjes së decentralizimit, të shtruar nga gazetarët, Presidenti Rugova tha se procesi i bisedimeve ka filluar tash, ndërsa ka pika të ndryshme.
“Decentralizimi siç e kemi thënë është çështje e Kosovës, pra mund t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Mund të bisedohet si pako shtesë e pavarësisë, unë kështu e quaj, se pavarësia është e padiskutueshme, prandaj ne siç e dini kemi filluar një fazë të privatizimit me pilot projektet që ka qenë hap mjaft i guximshëm dhe më vonë do të shikojmë një reformë të përgjithshme të pushtetit lokal që më lehtë do ta bënim me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Presidenti Rugova.
Presidenti historik i Kosovës shtoi se gjithmonë mbesin punët që nuk mund të kryhen. “Ne i përmendëm vetëm ato punë që i kemi kryer dhe që janë mjaft të rëndësishme, ndërsa objektivat dhe programin për vitin e ardhshëm e paraqet qeveria dhe institucionet e Kosovës. Punë që ka mbetura e madhe pa u kryer është çështja e njohjes së pavarësisë”, tha ai.
Ndërsa, sa i përket formimit të ministrive të reja, Presidenti Rugova tha se së shpejti do të vendoset për këtë.
Ndërkohë, në 25 dhjetor 2005, me një shkresë dërguar shefit të UNMIK-ut e autoriteteve më të larta të Kosovës katërmbëdhjetë përfaqësues të jetës publike të Mitrovicës, përmes nënshkrimeve të tyre, kërkonin që, me qëllim të inkurajimit të integrimit të qytetit të Mitrovicës dhe të injektimit për zhvillim ekonomik, dy ministritë e Kosovës në formim – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të vendosen në qytetin e Mitrovicës, më të madhin verior të Kosovës…
Lidhja Demoratike e Kosovës shënon sot 31 vjetorin, e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.
Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.
Ishte koha kur po para 31 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.
Në demonstratat gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.
Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.
Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Rugovau zgjodh president i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.
Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Presidenti Rugova në 6 Tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
Si rezultat i lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dhe i bisedimeve për statusin, Kosova pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht deri tani nga 116 shtete të botës e ka shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.
“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.
“Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në Dhjetor 2002.Shtëpia ku u themelua LDK – Muzeu tani ka emrin “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.