Jahjaga: Ibrahim Rugova arkitekti i Pavarësisë së Kosovës/
Në shtatë vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, lideri i aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ka vlerësuar lart figurën e ish-presidentit Rugova, duke thënë se ai ishte lideri që vulosi fundshekullin e kaluar dhe këtë fillim shekull me konkretizimin e pavarësisë së Kosovë. Ndërkaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se figura e Rugovës është historike për vendin. Familjen e ish-Presidentit Rugova e kanë vizituar edhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga dhe kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli./
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në akademinë përkujtimore kushtuar Ibrahim Rugovës, foli për ideologjinë, punën dhe vizionin e tij.
Presidentja Jahjaga tha se jeta dhe veprimtaria e Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, na bënë të ndjehemi krenar për rrugën që si popull bashkërisht e kemi kaluar.
Jahjaga e quajti Presidentin Rugova, arkitekt të pavarësisë, udhëheqës largpamës, i cili përfundimisht e orientoi vendin dhe shqiptarët drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Ne sot e kujtojmë Presidentin e parë të shtetit, i cili në kohë të vështira, diti të marrë vendime të rëndësishme që i dhanë kahje historisë duke e përcaktuar përfundimisht fatin tonë si popull dhe të ardhmen e atdheut”, tha ajo.
Jahjaga vlerësoi se që nisje të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, me fillimin e dominimit të hegjemonizmit serb, Ibrahim Rugova e zgjodhi rrugën e krijimit të mendimit filozofik e politik të pikëpamjes së atdhetarizmës të formësuar, si filozofi e politikës aktive paqësore, që mobilizoi popullin e etshëm për liri, për pavarësi e për demokraci, për zhvillim të jetës pluraliste, për avancim të proceseve demokratike dhe për shtet ndërtim. Presidentja tha se kjo politikë rugoviane i dëshmoi aftësitë organizative të popullit, për të pasur dhe për të mbajtur shtet, dhe njëkohësisht krijoi përkrahje të fuqishme ndërkombëtare, si kurrë më parë në histori. “Patëm një përkrahje të fuqishme ndërkombëtare, të pashënuar ndonjëherë në historinë tonë, që kulmoi me intervenimin ushtarak humanitar të NATO-s në këto hapësira, për të parandaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik”, tha ajo. Presidentja edhe për krijimin e LDK-së, meritat ia adresoi presidentit Rugova, që sipas saj së bashku me intelektualët e tjerë krijoi dhe udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilën ajo e quajti, partia e parë Demokratike në historinë tonë, që vepronte publikisht, e orientuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. “Së bashku me partitë e tjera krijoi jetën shumëpartiake për shtet ndërtim duke iu kundërvënë me shumë sukses sistemit okupues”, tha ajo.
Po ashtu ajo rikujtoi se ishte nisma e liderit Ibrahim Rugova, për të krijuar Këshillin e Partive Politike të Kosovës, e më vonë edhe të Këshilli Koordinues të njëmbëdhjetë Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, që mbi bazën e barabartë të parlamentarizmit, ndërtoi dhe miratoi “Platformën Politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ish Jugosllavi”.
Po ashtu ajo tha se meritat i takojnë Rugovës për ndërtimin e një sistemi efikas qeverisjeje e administrimi për Republikën e Kosovës, shtet demokratik dhe të lirë, të gjithë qytetarëve të barabartë. Për më tepër ajo e vlerësoi Rugovën si strateg të shtetit të Kosovës, të Republikës, e që e kishte legjitimitetin e përkrahjen e gjithëmbarshme popullore dhe bazën legale të veprimit e të funksionimit.
Presidenti tha se me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe Presidenciale u bënë përpjekjet për funksionimin e procesit zgjedhor, nën kushtet e okupimit, si një dëshmi dhe një vullnet se populli i Kosovës do dhe di të mbajë shtet.
Jahjaga tha se Presidenti Rugova shpresonte shumë që në Kosovë do të mund të evitonte luftën kundër popullit të pambrojtur, duke llogaritur se bota përparimtare kishte marrë mësim nga luftërat e përgjakshme në Kroaci dhe në Bosnje dhe do të parandalonte gjenocidin dhe shpërnguljen e popullit të Kosovës. Ajo tha se Rugova pa as më të voglin hezitim në Konferencën e Rambujesë ia kaloi udhëheqjen e delegacionit dhe rolin prijës përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jahjaga tha se Presidenti Dr. Ibrahim Rugova njihet për sintagmën LIRI PAVARËSI, DEMOKRACI që ishte platforma e Tij politike; të punojmë, të fitojmë lirinë të shpallim pavarësinë të ndërtojmë demokracinë. Kjo tashmë është bërë realitet, ashtu si edhe vizioni për miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkaq një delegacion i kryesisë së LDK-së vizitoi sot familjen Rugova. Kreu i LDK-së Isa Mustafa vlerësoi lartë figurën e ish presidentit Rugova dhe kontributin e tij në shtetformimin e Kosovës.
“Si një filozof i cili e zhvilloi një aktivitet dhe një lëvizje të veçantë në një periudhe kur ishte shumë vështirë të lëvizej për liri, pavarësi dhe demokraci, lider i cili e vulosi fundshekullin e kaluar dhe fillimin e shekullit të ri dhe të arritëm që Kosovën ta pavarësojmë, që Kosova të ec drejtë integrimeve evropiane dhe euro- atlantike, kërkesë e tij e kamotshme”, tha Mustafa.
Për të nderuar ish presidentin Rugova, homazhe pranë varrit të tij bënë edhe kryesia e AAK-së. Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se në nderim të veprës së tij kujtojmë gjithë arritjet që ka shënuar vendi.
“ Në përvjetorin e ndarjes fizike nga ne të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova,bëjmë nderim dhe kujtojmë rrugën e gjatë të popullit tonë deri këtu e veçanërisht rolin historik të presidentit Rugova në rrugën e gjatë të arritjeve e popullit të Kosovës”, tha Haradinaj.
Homazhe te varri i ish presidentit Rugova kanë bërë edhe drejtues të partive tjera politike, ndërkohë në shenjë të nderimit të veprës së tij, forumi rinor i LDK-së , organizoi marsh në qendër të Prishtinës.
Profeti i Paqes dhe Lirisë
Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askënd, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.
Fjalët, shkrimet, idetë, politika paqësore jodhunore e Dr. Ibrahim Rugovës ishte një risi dhe befasi gati për të gjithë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, sipas parimeve të Gandhit, të Martin Luther King-ut, deri diku Havelit, apo si thoshte ai, ishte strategjia jonë “tereziane” duke u referuar dhe frymëzuar në jetën dhe veprën e Nënës Tereze Bojaxhiu. Këtë përcaktim e shpjegonte kështu: edhe jemi të detyruar, sepse nuk kemi as ushtri, as polici, as armë, dhe ndoshta kjo atëherë ishte edhe fatbardhësia jonë /vërejtja ime/, por edhe duam, sepse nuk besojmë në fitoren e luftës dhe të armëve, dhe ajo do ta përgjysmonte dhe pakësonte popullatën tonë, ndërsa ne dëshirojmë ta mbrojmë çdo jetë dhe çdo njeri… Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thosha edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të të mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jodhunore. Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.(Kortezi:Bota Sot)