Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në manifestimin përkujtimor me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova/
Prishtinë, 21 janar 2016/
E nderuara familje e Presidentit Ibrahim Rugova,
Të nderuar përfaqësues të të gjitha subjekteve politike që jeni sot së bashku me ne,
Faleminderit shumë për pjesëmarrje,
Të nderuar ambasadorë,
I nderuari ambasador i Shqipërisë, Sllovenisë, Hungarisë dhe përfaqësues tjerë diplomatik,
I nderuari Ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës, z. Gjergji,
Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë Islame,
Të nderuar deputetë, ministra,
Të nderuar anëtarë të Kuvendit,
Të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Kryetarë të komunave, veprimtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve dhe veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Dhe të gjithë ju që jeni prezent këtu në prezencë shumë të madhe, sepse po i bëni një nderim shumë të madh për Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Sot, në dhjetëvjetorin e shkuarjes në amshim, po e kujtojmë me nderimet më të larta Kryetarin e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dijetarin e burrështetasin tonë, Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Vdekja e hershme e Presidentit Rugova, në janarin e acartë të vitit 2006, ishte goditja më e rëndë për popullin dhe institucionet e Kosovës. Ai iku pikërisht në shtegun e fundit të procesit të gjatë e të rëndë për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj, sepse, siç thoshte vetë Presidenti Rugova, Kosova de facto ishte e pavarur që nga qershori i vitit 1999.
Dhjetë vite më parë, qytetarët e Kosovës i dhanë në mënyrë madhështore lamtumirën e fundit Presidentit të tyre, për ta pohuar edhe një herë besimin për filozofinë e tij të veçantë politike, besimin për Prijësin Ibrahim Rugova, njeriun më të urtë dhe më konsistent që ka pasur ndonjëherë politika dhe institucionet e këtij vendi.
Siç ndodh përherë me prijës të mëdhenj, populli i Kosovës, gjatë dy javëve të ceremonisë së përmortshme të ditëve të zisë kombëtare, duke i sfiduar temperaturat ekstreme të ulëta, tregoi nderimin dhe dashurinë e pashembullt për Presidentin Rugova, duke vërshuar si një lumë i pandalshëm në sheshin “Nëna Terezë” të Prishtinës.
Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cercë, Komuna e Istogut. Më 10 janar të vitit 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan babanë, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, luftëtarë të njohur kundër çetave çetnike, të cilat po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967, kurse Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Prishtinë.
Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, nën mbikëqyrjen e semiologut Roland Barti. Rugova doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1984. Në vitin 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Veprimtarinë e vet shkencore, pothuajse për dy dekada, Rugova e zhvilloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si hulumtues i letërsisë.
Dr. Ibrahim Rugova hyri në botën e politikës pasi kishte krijuar emër nderi në fushën e studimeve letrare te ne, në të cilat u shqua si me veprën e tij jetësore Vepra e Bogdanit 1675-1685, ashtu edhe me studimet e tjera të shumta, në të cilat ai trajtoi me profesionalizëm dhe ndjeshmëri të rrallë teorike e estetike autorët dhe veprat më me ndikim të letërsisë shqipe dhe të asaj botërore.
Brezi i shkrimtarëve dhe studiuesve të kohës së Ibrahim Rugovës, shënoi fillimin e rrënimit të mendësisë social-realiste jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën intelektuale shqiptare. Ndikimi i mendimit kulturor, nacional e human të këtij brezi pati jehonë të jashtëzakonshme, duke u shtrirë shpejt edhe në sferën e mendimit politik.
Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij punuan për idenë e pavarësisë së Kosovës, rreth së cilës pastaj u bashkua mbarë populli i Kosovës.
Sikundër në krijimtarinë dhe studimet letrare, edhe në veprimtarinë e tij si prijës kulturor e politik, Dr. Ibrahim Rugova ishte krejtësisht i veçantë. Nga pozita e kryetarit të ish-Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ai e kundërshtoi me vendosmëri dhe me dinjitet të admirueshëm intelektual e kombëtar propagandën e errët të qarqeve intelektuale e zyrtare të Serbisë kundër shqiptarëve, e sidomos kundër elitës intelektuale dhe institucioneve arsimore e shkencore të Kosovës.
Ngadalë, por bindshëm, Rugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional. Më 23 dhjetor 1989, ditën kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, Ibrahim Rugova u zgjodh njëzëri Kryetar i LDK-së.
Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë, si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 Korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, shtator 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës më 24 maj 1992.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000, si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK-ja fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004. Po ashtu, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.
Të nderuar pjesëmarrës,
Dimensioni intelektual i tij, humanizmi dhe urtësia e rrallë që e karakterizonte atë, e shndërruan Ibrahim Rugovën jo vetëm në prijës historik politik, por edhe në prijës shpirtëror të popullit të Kosovës. Së këndejmi, është fare e natyrshme dashuria e pamasë, madje adhurimi që qytetarët e Kosovës kanë shfaqur, e shfaqin sot dhe do ta shfaqin përgjithmonë për njeriun që iu priu në kohërat më të vështira, Ibrahim Rugovën.
Sot, në dhjetëvjetorin e shkuarjes së tij në amshim, me bindje pohojmë se e ardhmja vetëm sa do ta forcojë këtë lidhje të fuqishme të qytetarëve të Kosovës me idetë, me veprimet kulturore dhe politike, me vizionin e Ibrahim Rugovës për Kosovën dhe të ardhmen e saj euroatlantike.
Presidenti Rugova ishte Prijësi me të cilin lidhet një epokë – Epoka e Pavarësisë. Ideja e pavarësisë së Kosovës hyn në domenin e ideve të mëdha, jetësimi i të cilave kërkon dije, urtësi dhe sakrifica të jashtëzakonshme.
Ne patëm bekimin e Zotit që në rrethanat më të vështira nëpër të cilat kaluam si vend e si popull, patëm një Prijës si Ibrahim Rugova, një njeri me fjalë të buta, po me qëndrime të forta, një lider që fliste me elipsa, por përçonte mesazhe të sakta e jetëgjata, një intelektual të rrallë që e njihte shkëlqyeshëm traditën e etnisë së tij shqiptare, të cilën, pastaj, e ndërlidhte në mënyrë brilante me dijet e modernitetit, të humanizmit dhe të civilizimit evropian.
Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Qeveria e Republikës së Kosovës sot, po punon më përkushtim të veçantë për të realizuar prioritetet e saj të cilat me vizionin dhe largpamësinë e tij mbresëlënëse i kishte parashikuar dhe promovuar para më shumë se dhjetë vjetësh Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Qeveria e Kosovës sot e ka në preambulën e veprimit të saj fuqizimin e partneritetit dhe miqësisë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore evropiane.
Institucionet e Kosovës sot, me shumë sfida, po e vazhdojnë me vendosmëri dhe konsistencë rrugën integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike, alternativa e vetme perspektive për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, e formuluar si e tillë nga vet Presidenti Rugova.
Ne vazhdojmë të jemi besnik të paepur të paqes, mirëkuptimit, dialogut konstruktiv si mjet për zgjidhjen e problemeve brenda dhe jashtë vendit, por edhe të vendosur që ta ushtrojmë dhe ta ruajmë sovranitetin e vendit tonë.
Kosova është në rrugë të mbarë të bëhet shtet i zhvilluar ekonomikisht, vend i dijes dhe prosperitetit, i admiruar dhe i dashur nga qytetarët e saj.
Rugova fliste dhe shkruante me ëndje për potencialet tona zhvillimore, për bukuritë dhe pasuritë natyrore, për të zotët e tokës në vendin e tyre, vlera këto që i japin vulën këtij vendi e i shtojnë dinjitetin këtij populli.
Me duart e tij të shtrira përpara, Rugova nuk mohonte se ne kemi dallime dhe se dallimet janë të natyrshme, por tregonte se ardhmërinë mund ta pushtojmë nëse jemi bashkë, sepse shumë më shumë kemi gjera që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë, se demokracia është arenë në të cilën ne konkurrojmë me vlerat tona por edhe bashkëpunojmë për vlera të përbashkëta në interes të vendit.
Rugova peshonte sfidat tona, kultivonte arsyen e çdo veprimi, durimin për përballimet e rënda, vlerësonte rolin e miqve dhe dashamirëve. Këto vlera na nevojiten edhe sot, kur po kalojmë një rrugë jo të lehtë, por të domosdoshme, kur po bëjmë kthesa të mëdha dhe të rënda politike në interes të vendit tonë.
Shumë të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Presidenti Rugova krijoi platformën politike për Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës, anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo platformë u bë program politik i të gjithë shqiptarëve në Kosovë, u bë busulla jonë drejt integrimeve euroatlantike.
Presidenti Rugova punoi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, si dhe për forcimin e kohezionit të popullit të Kosovës. Ai i krijoi Kosovës shumë miq anekënd botës, duke i vendosur në qendër të diplomacisë së tij kryeqytetet e vendimmarrjes botërore.
Gjithashtu, Presidenti Rugova i krijoi shenjat e identitetit nacional e shtetëror të Kosovës, Flamurin e Dardanisë dhe Himnin “Kur ka ra Kushtrimi në Kosovë”.
Njohës i shkëlqyeshëm i historisë dhe i kulturës shpirtërore e materiale të popullit të tij, Rugova i pohoi kudo me forcë vlerat më ekzemplare të popullit të Kosovës, si: bujaria, mikpritja, nderimi i mikut, harmonia ndërfetare dhe ndëretnike. Me këtë qasje, ai e riktheu përsëri Kosovën në vëmendjen e kryeqendrave të mëdha botërore.
Të gjithë ne sot jemi dëshmitarë të të arriturave kolosale të Kosovës së lirë dhe të pavarur. Shohim se janë përmbushur shumë nga idealet e Presidentit Rugova, idealet e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Konstatojmë po ashtu se kemi shumë për të bërë për ta integruar Kosovën në familjen e vendeve të Bashkimit Evropian, për ta rritë ekonominë, për ta përmirësuar arsimin dhe shëndetësinë, për ta forcuar shtetin e së drejtës. Sot Kosova është shtet sovran dhe i pavarur i pranuar nga mbi 110 shtete.
LDK, sikurse edhe e gjithë Kosova, sot kujton me mburrje presidentin e saj Historik, Ibrahim Rugova.
Rugova do të kujtohet përgjithmonë si politikan i urtë, po këmbëngulës, që synonte ta edukonte me konceptet e mendimit dhe të humanizmit skenën e ashpër të politikës.
Rugova, krijues e mendimtar, qëndron në zenitin e vlerave të letrave shqipe; Rugova, politikan e Prijës, është një model shembullor i veprimit politik.
Zoti e bekoftë Presidentin Ibrahim Rugova!
Zoti e bekoftë familjen e tij!
Zoti i bekoftë qytetarët e Kosovës dhe Republikën e Kosovës!