-Shumë shqiptarë sot mbështesin komunizmin, preferojnë socializmin ndaj kapitalizmit, anojnë mjatas dhe kanë një pikëpamje pozitive a nostalgji për kohën e Enverit… /
Nga Astrit Lulushi/ Washington/
Njeriu kur lind çlirohet, por ndërsa ai rritet, kjo liri pak nga pak i merret, dhe vjen një ditë kur e gjen veten skllav, të nështruar, të shtypur, pa kurrfarë nisme. Në një vend ku gënjeshtra, vjedhja, mashtrimi, krimi, bëhet jo vetëm kategori morale, por shtyllë ku shteti mbështetet, shpejt lind një tirani e ushtruar gjoja për të mirën e viktimave të saj. Kjo lloj tiranie është edhe më shtypëse; ata që e mundojnë njeriun për të mirën e tij, e mundojnë atë pa fund. Më shumë dëm dhe mjerim sjellin ata që përpiqen të shtypin një të keqe, sesa ata që synojnë të bëjnë keq. Komunizmi ka shkatërruar ekonomi, ka skllavëruar popuj dhe ka vrarë më shumë se njëqind milionë burra dhe gra. Çfarë tjetër i duhet njeriut ta urrejë atë më tepër? Shumë shqiptarë sot mbështesin komunizmin, preferojnë socializmin ndaj kapitalizmit, anojnë mjatas dhe kanë një pikëpamje pozitive a nostalgji për kohën e Enverit. Ata kanë votuar për ish komunistë të PPSH-së, partia që shtypi, dhunoi e nxirrosi Shqipërinë për 50 vjet; pasojat e këtij sundimi ndihen. Komunizmi është ideja më e rrezikshme në historinë botërore, duke prodhuar varfëri të tmerrshme, shtypje dhe vrasje kudo që është përhapur. Dhe nuk është çudi – sepse komunizmi mohon moralin dhe natyrën njerëzore, por gjithmonë thotë se herën e dytë do të jetë ndryshe. Dhe ka nga ata që e besojnë këtë…