Shkruan:Doktorant Dorian Koçi/
Kandidat i Shkencave Historike/
Vilajeti i Manastirit, një nga katër vilajetet që përfshinte popullsi shqiptare në provincën osmane të Rumelisë, është parë gjithnjë si një territor ku identetitet nacionale kanë qenë më të zbehta, krahasuar me vetpërcaktimin dhe identitetet fetare të popullsive që banonin në të. Si një nga krahinat më të hershme të pushtuara nga osmanët dhe ku në fakt ka pasur një proces kolonizimi me popullsi turke më të lartë se në territoret e tjera , sistemi osman i mileteve duket se kishte zënë mirë rrënjë dhe në fund të shekullit të XIX dhe fillimet e shekullit të XX, popullsia e këtyre anëve e kishte më të vështirë përqafimin e nacionalizmit që synonte formimin e identiteteve kombëtare përkundrejt një identiteti osman që imponohej nga lart. Zakonisht kur studiohet kjo periudhë e historisë shqiptare të elementit shqiptar, uniformiteti fetar i Vilajetit të Manastirit studiohet njëlloj si vilajeti i Prishtinës, ku predominonte me pak përjashtime një lloj uniformiteti mysliman suni. Kjo gjë ndodh për shkak lidhjeve të mëvonshme të territoreve të banuara nga shqiptarë në ish mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene dhe më vonë në Ish Jugosllavi si një tërësi gjeografike, ndërsa në fakt popullsia shqiptare e Vilajetit të Manastirit reflektonte një larmi tjetër identitesh fetare të ngjashme me vilajetin e Janinës, ku ishin të pranishëm edhe komuniteti bektashi në Tetovë dhe rrethinat e saj dhe komuniteti ortodoks në malësinë e Rekës. Përthyerja e këtyre identiteve dhe shkrirja e tyre në identitet kombëtar gjatë fundshekullit të XIX dhe fillim të shekulit të XX përbën një rast studimor të ngjashëm si dhe në territoret shqiptare ku nacionalizmi veproi dhe operoi nëpërmjet të njëjtave mjeteve, ndaj ai nuk mund të merret i shkëputur nga shqiptarizmi edhe pse panosmanizmi pati eksponentë të rëndësishëm nga këto territore.
Identiteti fetar ka luajtur një rol shumë të madh në krijimin e identiteteve kombëtare në Ballkan përgjatë shekullit të XIX. Ai së bashku me nacionalizmin është shfaqur si një nga farkëtuesit kryesorë të identiteteve kombëtarë duke ndihmuar në këtë farë mënyre drejtë për së drejti në formimin e shteteve kombëtarë. Ky kontribut i përbashkët i tyre ka sjellë shpesh herë një konfuzion në rolin e tyre duke identifikuar shpesh herë me njëri-tjetrin por dhe në disa raste duke bërë një dallim të qartë midis tyre. Qasja metodologjike afron një mundësi më shumë për të dalluar qartë midis tyre dhe rolin specifik që luajnë në krijimin e kombit. Në literaturën dhe studimet moderne ekzistojnë dy pikëpamje të kundërta mbi marrëdhëniet e nacionalizmit me besimin fetar, të cilat i shikojnë ato si alternativa të njëra-tjetrës ose të lidhura shumë ngushtë organikisht mes tyre.
Pikëpamja e parë konsiston në faktin sesi krijimi i publikut të masave lexuese të një gjuhe-një rezultat i shtypit dhe kapitalizmit,zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetit e Krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidariteteve të tjerë, ndërsa pikëpamja e dytë sugjeron idenë se besimi fetar luajti një rol kryesor në formimin e kombeve modernë. Studiuesi Miroslav Hroach e njohu nevojën për lidhjet gjuhësore ose fetare duke bërë të mundur një nivel më të lartë komunikimi brenda grupit dhe përtej tij, në formimin e një kombi modern. Ai argumentoi se identiteti kombëtar ishte më i fortë kur ai mbështetej nga institucione kishtare dhe shënonte në shumë raste rolin e klerikëve në formimin e grupeve patriotike në Evropë.
Gjithsesi kjo gjë nuk mund të thuhet përsa i përket krijimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve, të cilët duke u përkitur shpirtërisht tre feve të ndryshme nuk mund të krijonin një identitet kombëtar të bazuar në këtë faktor. Situata fetare në Shqipëri në prag të zgjimit kombëtar ishte pothuajse shumë e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera ballkanike apo dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore që analizojnë këta autorë. Duke qenë se Shqipëria ishte një nga territoret e para të rajonit në të cilin Kristianizmi ishte predikuar dhe përhapur por në të njëjtën kohë vendi dhe territori ku influencat e Romës dhe Kostandinopojës si qendra perandorake ishin përplasur, Shqipëria pak a shumë përfaqësonte këtë konflikt jo vetëm në aspektin politik dhe kulturor por dhe në aspektin fetar. Si rrjedhojë, dy dogmat kryesore të Kristianizmit, Ortodoksia dhe Katolicizmi praktikoheshin dhe ishin besime fetare dominante por dhe në konflikt të hapur në Shqipëri përpara pushtimit otoman në shekullin e XV.
Maqedonia ishte një nga rajonet e para të Ballkanit që u islamizua dhe një rol kryesor në këtë proces luajti dhe pozita shumë e favorshme gjeografike, të qenët në mes të rrugëve dhe luginave që bënin të mundur depërtimin osman drejt Serbisë dhe Austrisë. Si është pranuar gjerësisht, pas dështimit për të ngritur një flotë të fuqishme krahasuar me fuqitë e tjera detare europoane, osmanët e përqëndruan strategjinë e tyre në avancimin tokësor duke ngritur fushata të përvitshme dhe të kushtueshme që drithëronin oborret mbretërore së Europës Qendrore. Duke iu drejtuar në veçanti Islamit në qytetet maqedonase, John Thirkelli ka vënë në dukje se gjatë shekujve XV-XVI, feja në Maqedoni, me qendrën e vet në Shkup( e sidomos në një numër të caktuar qytetesh) përbënte një “marsh ushtarak”, nga i cili nisi konvertimi i Serbisë bashkë me Bosnjën. Gjithësesi edhe pse në rastin e popullsisë shqiptare në Maqedoni niveli i islamizmit të kësaj popullsie krahasuar me popullsitë e rajoneve të tjera shqiptare ishte më i lartë , ashtu si kudo gjetkë në Ballkan nuk pati një uniformitet të njëtrajshëm fetar. Një rast tipik interesant në këtë drejtim mbetet popullsia e Rekës së Epërme, popullsi shqiptare që i përkiste besimit ortodoks dhe që mbetet rasti i vetëm deri më tash i njohur në veri të Shqipërisë që arriti të mbante në të njëjtën kohë identitetin e vet fetar por që edhe përmes një përfaqësuesi të shquar të saj si Josif Bagëri (1868-1915) u përfshi qoftë edhe pjesërisht në lëvizjen kombëtare.
Po kështu edhe brenda popullsisë së islamizuar shqiptare nuk kishte një uniformitet suni-që ishte dhe dogma fetare zyrtare e Perendorisë, por kishte dhe një komunitet të fuqishëm bektashi të përqendruar rreth Tetovës dhe që merrte pjesë në jetën politike të Maqedonisë dhe të lidhjeve të saj me qendrën perandorake. Urdhri i dervishëve bektashi ashtu si gjerësisht edhe në territore të tjera shqiptare predikonin dhe praktikonin urdhrat e ceremonitë e shumta të lidhura me ta. Meqë kishte mjaft ngjashmëri ndërmjet Krishterizmit dhe Islamit, ata nuk kishin ndonjë vështirësi të madhe që t’i përshtasnin zakonet vendore me urdhërat e tyre. Kjo ndërmjetësi fetare e sektit Bektashi, shumë e veçantë në rastin shqiptar krijonte premisa që identitetet fetare të mos ishin të njëtrajshme por të përthyeshin dhe reflektonin dhe shqetësimet politike të kohës, në vitet e lindjes së nacionalizmit në Ballkan. Periudha nga viti 1804 deri më 1878, në gadishullin ballkanik është ajo e revoltave kombëtare dhe e formimit të shteteve të reja. Gjatë këtyre viteve Greqia, Serbia dhe Rumania do të fitonin pavarësinë, kurse Bullgaria do të bëhej autonome. Në këtë periudhë lind edhe një lëvizje kombëtare Shqiptare. Është e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të disa zhvillimeve të përgjithshme, ku përfshihet jo vetëm Ballkani, por edhe pjesa tjetër e Europës, të cilat do të ushtronin një ndikim të rëndësishëm mbi aktivitetet revolucionare: së pari, formulimi dhe dhe pranimi në shkallë të gjerë të ideologjive liberale dhe kombëtare; së dyti, kushtet ekonomike në ndryshim; dhe së treti, shkallëzimi i ndërhyrjes së fuqive europiane dhe zanafilla e çështjes lindore . Intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë të shek XIX do të ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje evropianoperëndimore: liberalizmi që buronte nga idetë e iluminizmit në shek e XVIII; dhe nacionalizmi. Përballë këtij realiteti të ri në Ballkan,fillimisht nën një zgjim kulturor dhe pastaj nën një zgjim politik të nxitur më së tepërmi edhe nga Kriza Lindore, shqiptarët reaguan duke sendërtuar format e para të një ndërgjegje kombëtare të avancuar që kërkonte një shtet shqiptar në rajon. Veprimtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare u përpoqën ta shmangin ndërgjegjen fetare si një faktor bashkues drejt krijimit të identitetit kombëtar dhe i dhanë më shumë rëndësi kulturës shqiptare, ndjenjës së origjine të përbashkët dhe në mënyrë të veçantë gjuhës shqipe. Po kështu, elita kombëtare shqiptare nën shembullin e vendeve të tjera ballkanike që rrëmonin në të shkuarën e tyre për të gjetur epoka të lavdishme rizbuluan figurën e Skënderbeut, prijësit të tyre mesjetar që kish zhvilluar një nga epopetë më të ndritura në përballjen kundër pushtimit otoman në gadishullin ballkanik. Përmes këtij procesi panshqiptar lëvizi edhe ideja kombëtare në Maqedoni dhe në popullsinë shqiptare që përbënte një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së saj. Shqiptarët nuk mund të bënin dallim nga popujt e tjerë ballkanikë kur nisën zgjimin e tyre nacionalist. Prirja e natyrshme do të ishte ashtu si dhe te fqinjët e vet, një kundërvënie ndaj fesë zyrtare të pushtuesve-Islamit, diçka që hasi në vështirësi që në hapat e parë, sepse një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve kishin pranuar Islamin dhe nën influencën e shtetit teokratik osman e identifikonin veten shpesh herë si myslimanë dhe pastaj si shqiptarë. “Kultura islamike e Perandorisë Osmane i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar me kombin, duke sheshuar dallimin midis shqiptarëve e myslimanëve të tjerë nga njëra anë dhe duke nxjerrë më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikëve dhe të krishterëve gjithfarësojësh. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilit, ata i përkisnin: domethënë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve-ose, thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone-ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të priveligjuar, gjë që, në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë.” Ishte kjo arsyeja që në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit identiteti fetar kish luajtur një rol të fuqishëm dhe frenues, ku nuk u arrit të avancohej apo shkohej më tej në kërkesat ndaj Portës së Lartë, sepse “forcat që sundonin në mbledhjen e Prizrenit ishin forca myslimane konservatore dhe nëpërmjet tyre Porta mund të ushtronte një ndikim për interesat të veta. Kjo shpjegon përse shqiptarët e Prizrenit luftonin në fillim, bashkë me boshnjakët myslimanë për një kauzë të përbashkët.” . Ky lloj dyzimi i elitës administrative shqiptare jo vetëm gjatë Lidhjes se Prizrenit por në vazhdimësi, për t’i quajtur të vetat interesat e perandorisë, do të pengonte dhe vononte rrugëtimin e shqiptarëve drejt pavarësisë.
Rasti i shqiptarëve të Rekës, kësaj krahine të përbërë nga 18 fshatra dhe të shtrirë në lindje të Dibrës, përtej maleve Korab, Velivar dhe Kërçin, në të dy anët e lumit Radikë , ishte i kundërt nga ai shqiptarëve myslimanë pasi në identitetin e tyre kombëtar e kërcënonte Kisha Kombëtare Serbe që në kuadër të politikave asimiluse të saj që përkrahnin politikat nacionaliste të shtetit serb, kërkonte t’i përfshinte banorët e saj brenda një identiteti kombëtar serb. Ashtu si sivëllëzërit e tyre ortodoksë në jug të Shqipërisë që kërcënoheshin me asimilim nga ithtarët e Patriakanës s Stambollit që bënte përpjekje të vazhdueshme për të helenizuar jugun e Shqipërisë, edhe banorët e Rekës së Epërme ishin nën kërcënimin serb që dëshironte që identitetin fetar ta shfrytëzonte për ti asimiluar. Jeta dhe kujtimet e aktivistit të njohur Josif Bagëri që mëson të shkruaj shqip në Sofie, dhe aty kthehet në një nga përhapësit i idesë kombëtare, është një dëshmi e peripecive identitare që kalonin banorët e kësaj zone. Ardhja e tij në vitin 1908 në Rekë , mënjëherë pas shpalljes së Hyrietit dhe përhapja e idesë kombëtare kishte vështirësi për shkak se propaganda serbe kishte zënë mirë vend. Si zakonisht në këto përpjekje asimiluese predominonte Kisha Ortodokse Serbe, hierarkët e së cilës e kishin braktisur ideologjinë e universalizmit të krishterë dhe kishin rënë nën influencën e nacionalizmit. Josif Bagëri do të haste në këtë vështirësi dhe për këtë arsye ai iu drejtua fshatarëve të vet, duke iu sqaruar se cili ishte qendrimi i dhespotit serb Varnava të Dibrës ndaj tyre. “Vendi në të cilin asht ngulur Varnava nuk asht i ngulun me serb; as me bullgarë, po me fjesht shqyptarë. Detyra e secilit shqyptar asht t’përpiqet për me udhon dormën këtynej propagandorëve qi të qirohet vendi perj egërsinavet të mveshuna me lëkurë delje, se këto nuk janë gjë tjetër , përveç se ulq rrëmbenjës”. Për herë të parë nëpërmjet kujtimeve të tij kemi edhe dokumentimin e hapjes së shkollës shqipe në këtë rajon, në fshatin e tij të lindjes Nistrovë, ku u bëri thirrje bashkëatdhetarëve t’i çojnë fëmijët për të mësuar të shkruajnë e të lexojnë shqip. Ai kishte sjellë me vete, 20 copë abetare dhe filloi tu jepte mësim 8-9 fëmijëve të parë që u mblodhën. Gjithësesi puna e nisur nga Bagëri që përdorte alfabetin e Stambollit në shkrimin e gjuhës shqipe, nuk është se ishte përpjekja e parë e banorëve të kësaj zone për të shkruar shqip, pasi në vend lëvronin e edhe tradita të vjetra të shkrimit të shqipes si ishte rasti i përdorimit të alfabetit cirilik të bullgarishtes që mesa duket kishte qenë një medium i përdorur nga popullsia , kryesisht nga ajo që ishte e emigruar në qendra të ndryshme të Ballkanit. Një dokument i arkivave austriake i referohet në fakt ortodoksëve shqiptarë të fshatit të Prodecit, në rajonin e Rekës së Sipërme(afër Dibrës), të vendosur në Stamboll. Këta të fundit në vitin 1911 kishin themeluar një shoqëri bamirësie dhe arsimore, statuti i së cilës, hartuar në shqip dhe në alfabetin cirilik bullgar, tregonte një vullnet për të botuar libra në shqip me këtë alfabet, për të hapur një shkollë në fshatin e tyre të origjinës dhe për të restauruar kishën e fshatit.
Fati i popullsisë së Rekës do të diskutohej dhe 5 vjet më vonë pasi Bagëri do të largohej nga Nistrova, në Konferencën e Londrës, ku përfaqësuesi diplomatik i Rusisë do kërkonte që Dibra të përfshihej në shtetin serb për shkak të traditave kishtare dhe fetare të popullsisë ortodokse të një pjese të vogël të qytetit. Gjakova dhe Dibra kërkoheshin për Serbinë( nga ana e përfaqësuesit rus Petrajev në Konferencën e Londrës-shënimi im) jo për karekterin sllav të popullsisë lokale që nuk mund të provohej, por sepse manastiri serb i Deçanit kishte prona të gjera tokësore në krahinën e Gjakovës, kurse Dibra ishte selia e dy peshkopëve ortodoksë dhe fare pranë saj ndodhej një manastir ortodoks ( i Shën Jovan Bigorit)
Si dihet pas traktivave të shumta midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë për caktimine kufijve veriorë së Shqipërsië, qyteti i Dibrës së Madhe dhe malsia e Rekës së Epërme mbeti brenda kufijve të Serbisë pavarësisht faktit se popullsia shqiptare ishte më e madhe në numër dhe predominonte gjithandej. Popullsia e Rekës së Epërme do të kishte fatin e popullsive të tjera ortodokse shqiptare në Greqi, të cilave identiteti fetar do tu merrej si faktor parësor për të përcaktuar dhe identitetin e tyre kombëtar. Kështu, nëqoftëse shqiptarët myslimanë të Maqedonisë do të kishin mundësi që të përdorinin gjuhën shqip në jetën e përditshme apo qoftë dhe të organizoheshin politikisht në radhët e “Xhemietit” , duke shfrytëzuar identitetin fetar në radhët e partisë islamike të themeluar në Maqedoni në dhjetor 1919, shqiptarët e krishterë të Rekës së Epërme do i nënshtroheshin një presioni për asilim të plotë dhe marrjen e identitetit sllav, përkundrejt atij shqiptar. Megjiatë pavarësisht një presioni të tillë dhe asimilimi të dhunshëm që ushtroi shteti serb pas përfshirjes së kësaj krahine brenda tij, identiteti i veçantë i shqiptarëve të Rekës vazhdonte të ishte problem për shtetin serb deri në vitet 30’dhe të shfaqej si shqiptar. Sipas të dhënave burimore që na servirin famullitarët e kishës katolike të Kosovës Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti dhe Luigj Gashi, në Promemorien që i kanë dërguar më 5 maj të vitit 1930, Sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, zotit Erik Dramondit, duke u ndalur në dhunën e xhandarmërisë serbe ndaj ortodoksëve shqiptarë theksojnë: “Në disa vende, si në Rekë ku bashkërisht jetojnë shqiptarë të besimit ortodoksë me sllavët e të njëjtit besim dhe shqiptarët myslimanë, kjo diferencë qëndron në mbajtjen e kësulës në forma të ndryshme. Shqiptarët mbajnë “çeçe”, ndërsa serbët “kaçketë”. Për të mënjanuar këtë diferencë të dukshme, nënprefekti z. Sokolloviç ka nxjerrë një urdhëresë, me anën e së cilës ua ndalon shqiptarëve të mbajnë çeçe. Po kështu në prememorie nënvizohej se ishte e ndaluar edhe mësimi i fesë në gjuhën shqipe, duke përmendur faktin se shqiptarët ortodoksë të Rekës, që përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së asaj krahine ishin të ndaluar të përdornin gjuhën amtare në kisha. Pra si shikohet në kuadër të politikave unifikuese për të siguruar kompaktësi etnike shteti serb nuk ushtronte dhunë vetëm ndaj shqiptarëve myslimanë në Maqedoni por edhe ndaj atyre të Rekës. Disa vite më vonë në një dokument të hartuar më 5 shkurt të vitit 1944, nga konsulli i atëhershëm shqiptar në Shkup, Hamit Kokalari dëshmohet ende prania e fortë shqiptare në këtë trevë. Ky i fundit i dorëzoi qeverisë shqiptare një projekt, i cili konsistonte në botimin e një Atlas-Albumi për Kosovën. Në të ai kishte përfshirë një sërë hartash etnografike, fotografi të qyteteve e katundeve shqiptare të mbarë krahinave, duke përfshirë edhe Rekën. Në projekt, diplomati shqiptar theksonte: “Të mos mbeten mangut edhe zonat ku gjendet popullsi shqiptare ortodokse si Reka e Gostivarit”. Duke u ndalur në vendbanimet shqiptare dhe veçanërisht në Rekën e Epërme, Kokalari rrëfen se: “Në shumë katunde që kam vizituar pleqtë dhe plakat flisnin një shqipe të kulluar”. Gjithashtu konsulli Hamit Kokalari tregon se shpesh ortodoksët shqiptarë i merrnin për serbë ose për bullgarë, prandaj gjenden fare pak ortodoksë në skajet veriore (në Kosovë e në Malin e Zi) si dhe në skajin lindor (në Maqedoninë Perëndimore).
Identiteti fetar dhe bashkimi fetar ka qenë një nga qelizat më të forta të shoqërive, që kanë aspiruar dhe janë krijuar si kombe. Në vende të ndryshme këto tipare vazhdojnë ende të jenë përcaktuese për zgjedhje të ndryshme apo hartimin e politikave të ndryshme. Në Shqipëri për shkak të ekzistencës së tre besimeve fetare, identiteti fetar u mënjanua nga zgjimi nacionalist i tyre, duke ia lënë rrugën kulturës dhe gjuhës kombëtare. Rasti i shqiptarëve të Maqedonisë, në një shtet multietnik është bash një rast i mirë që identitete të fjetura(si ka qenë rasti i shqiptarëvetë Rekës) apo intregaliste si ka qenë ai i shqiptarëve të islamizuar të përbashkohen në një identitet kombëtar duke ndjekur prirjet e zgjimit të tyre nacionalist, duke u munduar për të nxjerrë vlerat më të mira të tyre dhe jo të imitojnë apo krijojnë identitete të rrema që nuk i qendrojnë kohës.
Bibliografi:
1- Arben Puto. Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Shtepia botuese 8 nëntori: Tiranë
2- Barbara Jelavich. Historia e Ballkanit, Tiranë, 1999, Përpjekja
3- Benedict Anderson, Imagined Communities(Reflections on the Origin and the Spread of Nationalism, London: Verso.7thEd,1996
4- Dr. Mesut idriz. Kovertimi dhe asimilimi I dhimmi-ve në Perandorinë Osmane. 2009, Shkup:Logos
5- Ferdinanto Salleo.(2000).Shqipëria:gjashtë muaj mbretëri.Tiranë: Shtëpia e Librit dhe Komunikimit
6- John Thirkell. Islamization in Macedonia as social process”, në Islam in Balkans, bot. I Jeninifer M.Scarce(Edinbourgh:Royal Scottish Museum,1979)
7- Marenglen Verli. Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare.Klean:Tiranë, 2014
8- Miroslav Hroch. The nature of the Nation in John A. Hall ed, The State of the Nation(Ernest Gallner and the theory of nationalism), Cambridge:CUP,1988
9- Nathalie Clayer. Ne fillimet e Nacionalizmit shqiptar. Perpjekja:2009, Tiranë
10- Peter Bartl. Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Tiranë Dituria,2006
11- Qerim Lita. Disa burime arkivore për Rekën e Epërme në Sabri Maxhuni-Novosela, Shqiptarët ortodoksë, pjesa e ndritshme dhe e dhimbshme e kombit shqiptar, Prishtinë 2013
12- Ruzhdi Mata. Josif Bagëri, 8 nëntori, Tiranë 1983
13- Stavro Skendi. The Albanian National Awakening 1878-1912. Princeton: Princeton University Press, 1967
14- Stavro Skendi . Zgjimi Kombëtar Shqiptar. Phoenix , Tiranë:2000